KOKA, KREU
Pjesa e sipërme e trupit të njeriut, ku ndodhen truri dhe shqisat e të parit, të dëgjuarit, të nuhaturit dhe të shijuarit. Termi «kokë» (heb., roʼsh; gr., kefalé) zë një vend të rëndësishëm në Bibël, në kuptim të mirëfilltë e të figurshëm.
Copëtimi ose shtypja e kokës. Në librin e Eklisiastiut ka një përshkrim metaforik të pasojave të plakjes, që mbaron me vdekjen. (Ek 12:1-7) «Kupa prej ari copëtohet» në kuptimin që kur njeriu vdes, truri brenda kafkës e cila ngjan me një kupë, pushon së funksionuari, pra vdes. Vdekja ose shkatërrimi paraqiten me shprehjen ‘të copëtosh kokën’. (Ps 68:21; 74:13, 14) Në profecinë e parë të Biblës (Zn 3:15) thuhet se ‘fara e gruas’, pasi të jetë plagosur në thembër, do t’i shtypë kokën gjarprit. Në përmbushje të kësaj, shkrime të tjera tregojnë se Gjarpri, Satana Djalli, do të mbyllet në një humnerë ku do të jetë joaktiv për një mijë vjet dhe pak kohë pas kësaj do të shfaroset një herë e përgjithmonë në «liqenin e zjarrit», që është «vdekja e dytë».—Zb 20:1-3, 7, 10, 14; 12:9.
‘Ngritja e kokës.’ I kërrusur nga poshtërimi dhe hallet, mbreti David e shihte Jehovain si Mburojën e tij dhe si Ai që ‘e bënte të ngrinte kokën’ e ta mbante sërish lart. (Ps 3:3; krahaso Lu 21:28.) Sipas interpretimit që i bëri Jozefi një ëndrre, faraoni bëri që kreu i kupëmbajtësve të tij ‘të ngrinte kokën lart’, pra e riktheu në detyrë. Kurse kreut të bukëpjekësve ‘ia hoqi kokën’, domethënë e vrau.—Zn 40:13, 19-22, Dio.
Bekim, mirosje, betim. Koka ishte pjesa e trupit mbi të cilën vihej dora për të dhënë bekime. (Zn 48:13-20; 49:26) Miratimi, udhëheqja dhe mençuria e Perëndisë krahasohen me një llambë që shkëlqen në kokë e me një kurorë nuri në kokë. (Jb 29:3; Pr 4:7-9) Vaji i mirosjes derdhej në kokë. (Le 8:12; Ps 133:2) Në Predikimin në Mal, Jezui i këshilloi njerëzit që ‘ta lyenin kokën me vaj’ kur të agjëronin dhe të dukeshin të rregullt në publik, e jo ta tregonin sheshit vuajtjen e tyre për të rënë në sy si të shenjtë. (Mt 6:17, 18) T’i lyeje kokën me vaj një mysafiri u bë një nga shenjat thelbësore të mikpritjes. (Lu 7:46) Judenjtë e kishin bërë zakon që të betoheshin për kokën e tyre (ose për jetën), një zakon që Jezui e dënoi.—Mt 5:36, 37; shih BEJA, BETIMI.
Përfaqëson njeriun. Si pjesa që komandon trupin, koka u përdor edhe për të përfaqësuar vetë njeriun. Kur Jezu Krishti tha se ‘s’kishte ku të mbështeste kokën’, donte të thoshte që s’kishte një shtëpi të vetën. (Mt 8:20) Koka e një nazireu ishte nën zotim, dhe këtë e dëshmonin flokët e tij të gjatë. (Nu 6:5, 18-20) Thuhej se mëkatet ose fajet e një njeriu ishin mbi kokën e tij. (Ezd 9:6; Ps 38:4.) Davidi e vlerësoi qortimin e të drejtit, duke e quajtur vaj që koka e tij nuk do ta hidhte poshtë. (Ps 141:5) Kur i ligu gjykohej, thuhej se e keqja ose ndëshkimi kishte rënë mbi kokën e tij, domethënë merrte atë që meritonte. (Gjy 9:57; 1Sa 25:39; Jr 23:19; 30:23; Jo 3:4, 7; Ab 15; krahaso Ne 4:4.) Shprehja gjaku i një njeriu ishte mbi kokën e tij do të thoshte që dikush ishte vetë përgjegjës për humbjen e jetës, nëse ndiqte një rrugë të gabuar që meritonte dënimin me vdekje. (2Sa 1:16; 1Mb 2:37; Ezk 33:2-4; Ve 18:6) Kurse të bëje që mbi kokën e dikujt të binte gjaku i atyre që kishte vrarë, do të thoshte ta dënoje sepse kishte derdhur gjak.—1Mb 2:32, 33.
Çdo vit, kryeprifti i Izraelit rrëfente mëkatet e popullit duke i vënë duart mbi kokën e cjapit për azazel (për t’i kaluar mëkatet te cjapi) dhe pas kësaj kafsha dërgohej në shkretëtirë që t’i çonte në harresë ato faje. (Le 16:7-10, 21, 22) Siç tregojnë shkrime të tjera, vetë Jezu Krishti «mori mbi vete sëmundjet tona dhe mbajti dhembjet tona», si dhe ‘mbarti mëkatet e shumë vetave’.—Is 53:4, 5; He 9:28; 1Pj 2:24.
Priftërinjtë dhe të tjerë për të cilët bëheshin disa flijime, vinin duart mbi kokën e kafshës në shenjë pranimi se flijimi bëhej për ta.—Le 1:2-4; 8:14; Nu 8:12.
Lartësim, poshtërim, përbuzje. Në disa kombe, ushtarët varroseshin me shpatat poshtë kokës, domethënë me nderime ushtarake. (Ezk 32:27) I mençuri «i ka sytë në ballë [fjalë për fjalë «kokë»]», domethënë e sheh se ku po shkon. (Ek 2:14) Të hidhje pluhur, dhé ose hi mbi kokë nënkuptonte dëshpërim, zi ose poshtërim. (Js 7:6; 1Sa 4:12; 2Sa 13:19) Ndërsa tregonte për sprovat dhe vështirësitë që i ranë popullit të Perëndisë, psalmisti tha se njerëzit kishin kalëruar sipër kokës së Izraelit. Me sa duket, po tregonte se popullin e Perëndisë e kishin nënshtruar njerëz të zakonshëm (fjala hebraike që përdoret është ʼenóhsh, ‘vdekatar’) që ishin të fuqishëm, mizorë e fodullë. (Ps 66:12; krahaso Is 51:23.) Përkulja e kokës ishte shenjë përulësie ose vajtimi (Is 58:5), kurse tundja e kokës simbolizonte përqeshje, përbuzje ose habi.—Ps 22:7; Jr 18:15, 16; Mt 27:39, 40; Mr 15:29, 30.
Mirëdashje ndaj armiqve. Bibla këshillon që ta trajtojmë me mirëdashje armikun, ‘sepse kështu do të grumbullojmë thëngjij të ndezur mbi kokën e tij’. (Ro 12:20; Pr 25:21, 22) Kjo metaforë ka dalë nga procesi i lashtë i shkrirjes, ku viheshin thëngjij jo vetëm poshtë mineralit, por edhe sipër. Pra, kur shfaqim mirëdashje ndaj dikujt, mund t’ia zbutim zemrën dhe t’ia shkrijmë ashpërsinë, duke ndarë veç papastërtitë, domethënë anët e këqija, dhe duke nxjerrë të mirën që ka brenda vetes.
Pozitë sunduese. «Kreu» mund t’i referohej pjesëtarit kryesor të një familjeje, fisi, kombi ose qeverie. (Gjy 11:8; 1Sa 15:17; 1Mb 8:1; 1Kr 5:24) Fjalë për fjalë «kryefamiljar» do të thotë «patriark» (gr., patriárkhes). (Ve 2:29; 7:8, 9; He 7:4) «Në krye» përdorej në kuptimin e udhëheqjes. (Mi 2:13) Vetë Izraeli, po t’i bindej Perëndisë, do të ishte në krye të kombeve, në majë, në kuptimin që do të ishte i lirë e i begatë, e madje popujt e kombeve të tjera do të hynin në borxh tek ai. (Lp 28:12, 13) Nëse nuk bindej, do të hynte në borxh tek i ardhuri, dhe ai do të bëhej kreu i tij.—Lp 28:43, 44.
Shtatë kokat e dragoit. Apostulli Gjon pa në vegim një «dragua» në qiell që kishte shtatë koka. Ai identifikohet si Djalli. (Zb 12:3, 9) Gjithashtu, ‘bisha’ në tokë që e merr fuqinë nga dragoi dhe ‘bisha me ngjyrë të kuqe të ndezur’ kanë shtatë koka, të cilat paraqesin qartësisht fuqitë botërore. (Zb 13:1; 17:3, 9, 10; krahaso Dn 2:32, 37, 38, ku dinastia e mbretit Nabukodonosor quhet «koka».) Pra, nga sa duket, shtatë kokat me diadema të Dragoit tregojnë se Satanai ka autoritet mbi shtatë fuqitë botërore të profecisë biblike.—Ef 6:12; shih BISHAT SIMBOLIKE; GOGU nr. 2.
Kreu i kongregacionit të krishterë. Jezu Krishti është Kreu i kongregacionit të krishterë, i cili është «trupi» i tij, i përbërë nga 144.000 anëtarë. (Ef 1:22, 23; Kl 1:18; Zb 14:1) Meqë ka pavdekësinë, ai është lidhja gjithnjë e gjallë e trupit të të krishterëve të mirosur nga fryma në tokë dhe në çdo kohë u jep atyre gjithçka të nevojshme që të rriten frymësisht dhe të funksionojnë për lavdi të Perëndisë. (1Ko 12:27; Ef 4:15, 16; Kl 2:18, 19) Ashtu si tempulli i mirëfilltë kishte një ‘gur kryesor’ (Za 4:7), po kështu në tempullin frymor Jezui është guri i qoshes (Ve 4:8-11; 1Pj 2:7) dhe kreu i çdo qeverie e autoriteti nën Perëndinë, i cili është Kreu mbi gjithçka. (Kl 2:10; 1Ko 11:3) Bibla e krahason pozitën e Krishtit si kreu i kongregacionit me pozitën e burrit ndaj gruas së tij, për t’u ngulitur çifteve të martuara se burri duhet të marrë drejtimin, të tregojë dashuri e kujdes dhe gruaja duhet të shfaqë nënshtrim në martesë.—Ef 5:22-33.
Nisur nga parimi i autoritetit suprem të Perëndisë, Kreut të Krishtit, dhe i autoritetit relativ të burrit mbi gruan, apostulli Pavël shpjegon parimin e kryesisë që drejton kongregacionin e krishterë. Sipas këtij parimi, gruaja duhet ta pranojë kryesinë që Perëndia i ka dhënë burrit duke mbajtur një mbulesë për kokën «në shenjë nënshtrimi» kur lutet ose profetizon në kongregacion.—1Ko 11:3-16; shih FLOKËT; MBULESA E KOKËS; KRYESIA.
Përdorime të tjera. Fjala hebraike për «kokë» përdoret për t’iu referuar majave të shtyllave të tabernakullit, oborrit dhe tempullit (Da 36:37, 38; 38:17; 1Mb 7:16), si dhe majave të maleve (Zn 8:5), të shkurreve ose pemëve (1Kr 14:15), majës së një shkalle (Zn 28:12) dhe të skeptrit (Es 5:2), sa për të përmendur disa shembuj. Përdoret edhe për të treguar kryet ose fillimin e diçkaje, si shprehja në krye të rrugëve (Ezk 21:21), ose për muajin e parë (fjalë për fjalë «kryet e muajve» [Da 12:2]). Emri që përdorin judenjtë për ditën e vitit të ri është Rosh Hashanah, që fjalë për fjalë do të thotë «kryevit».—Shih POZICIONET DHE GJESTET.