-
Jehovai është Bariu ynëKulla e Rojës—2005 | 1 Nëntor
-
-
«Nuk kam frikë nga asgjë e keqe, sepse ti je me mua»
13. Si flet në mënyrë më të afërt Davidi te Psalmi 23:4, e pse nuk është çudi kjo?
13 Davidi jep një arsye të dytë pse është kaq i sigurt: Jehovai i mbron delet e tij. Lexojmë: «Edhe sikur të eci nëpër luginën e territ, nuk do të kem frikë nga asgjë e keqe, sepse ti je me mua. Shkopi yt dhe thupra jote më ngushëllojnë.» (Psalmi 23:4) Në këto vargje Davidi flet në mënyrë më të afërt, duke iu drejtuar Jehovait me përemrin «ti». Kjo s’është çudi, sepse ai po tregon si e ndihmoi Perëndia të duronte vështirësitë. Davidi kishte ecur nëpër shumë lugina të errëta, domethënë kishte kaluar periudha kur jeta e tij ishte vërtet në rrezik. Por nuk e kishte lënë frikën që ta mbyste, sepse e ndiente se Perëndia ishte me të, me ‘shkopin’ dhe ‘thuprën’ e Tij gati për ta përdorur. Kjo vetëdije se Jehovai e mbronte, e ngushëllonte Davidin dhe, pa dyshim, e afronte edhe më shumë me të.b
14. Çfarë sigurie na jep Bibla lidhur me mbrojtjen e Jehovait, por çfarë nuk do të thotë kjo?
14 Si i mbron Jehovai sot delet e tij? Bibla na siguron se asnjë kundërshtar, demon a njeri qoftë, nuk do të ketë kurrë sukses për t’i zhdukur nga toka delet e Perëndisë. Jehovai nuk do ta lejonte kurrë këtë. (Isaia 54:17; 2 Pjetrit 2:9) Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Bariu ynë do të na vërë ndonjë mur mbrojtës për të na ruajtur nga të gjitha gjëmat. Ne kalojmë vështirësitë që janë të zakonshme për të gjithë njerëzit dhe hasim kundërshtimin që kanë të gjithë të krishterët e vërtetë. (2 Timoteut 3:12; Jakovi 1:2) Ka raste kur, në kuptimin e figurshëm, mund të themi se ‘po ecim në luginën e territ’. Për shembull, mund të na rrezikohet jeta për shkak të përndjekjes a të ndonjë problemi të rëndë shëndetësor. Ose ndoshta një i afërmi a miku ynë rrezikon vdekjen a bie në gjumin e vdekjes. Gjatë këtyre periudhave që duken më të errëtat në jetën tonë, Bariu ynë është me ne dhe do të na mbrojë. Në ç’mënyrë?
15, 16. (a) Në cilat mënyra na ndihmon Jehovai për të përballuar pengesat që mund të hasim? (b) Tregoni një përvojë për të nxjerrë në pah si na ndihmon Jehovai në kohë sprovash.
15 Jehovai nuk premton se do të ndërhyjë me ndonjë mrekulli.c Por mund të jemi të sigurt për këtë: Jehovai do të na ndihmojë të kapërcejmë çfarëdo pengesash që hasim. Ai mund të na japë mençurinë e duhur për të përballuar «sprova të ndryshme». (Jakovi 1:2-5) Një bari e përdor shkopin ose thuprën që mban në dorë, jo vetëm për të larguar grabitqarët, por edhe për t’i shtyrë me butësi delet që të shkojnë në drejtimin e duhur. Edhe neve, Jehovai mund të na ‘shtyjë’ me butësi, ndoshta me anë të një bashkëbesimtari, për të zbatuar këshillat biblike që mund ta ndryshojnë shumë situatën tonë. Veç kësaj, Jehovai na jep forcën e duhur për të qëndruar. (Filipianëve 4:13) Me anë të frymës së tij të shenjtë, na pajis me ‘fuqi përtej asaj që është normale’. (2 Korintasve 4:7) Fryma e Perëndisë do të na ndihmojë që të durojmë çfarëdo sprove që mund të na sjellë Satanai. (1 Korintasve 10:13) A nuk është ngushëlluese të dimë se Jehovai është gjithnjë gati për të na ndihmuar?
16 Po, pavarësisht se në cilën luginë terri gjendemi, nuk kemi pse të ecim vetëm nëpër të. Kemi përkrah Bariun tonë, i cili na ndihmon në mënyra që në fillim mund të mos i kuptojmë plotësisht. Shqyrtoni përvojën e një plaku të krishterë, të cilin e diagnostikuan me kancer në tru. «Më duhet ta pranoj se në fillim më vinin në mendje pyetje se mos Jehovai ishte i mërzitur me mua ose nuk më donte. Por isha i vendosur të mos largohesha prej tij. Në vend të kësaj, ia shpreha shqetësimet e mia dhe Jehovai më ndihmoi, shpesh duke më ngushëlluar nëpërmjet vëllezërve dhe motrave në besim. Shumë prej tyre më dhanë sugjerime të dobishme, bazuar në përvojën e tyre kur kishin pasur sëmundje të rënda. Komentet e tyre të ekuilibruara më bënë të kuptoja se situata që po kaloja s’ishte aspak e pazakontë. Ndihma praktike, si dhe disa shprehje prekëse dashamirësie, më siguruan se Jehovai nuk ishte i pakënaqur me mua. Sigurisht, duhet të vazhdoj të luftoj me sëmundjen time dhe nuk e di ç’fund do të ketë. Por jam i bindur se Jehovai është me mua dhe se do të vazhdojë të më ndihmojë gjatë kësaj sprove.»
-
-
Jehovai është Bariu ynëKulla e Rojës—2005 | 1 Nëntor
-
-
b Davidi kompozoi disa psalme, në të cilat lëvdonte Jehovain që e kishte çliruar nga rreziku.—Shih, për shembull, mbishkrimet e Psalmeve 18, 34, 56, 57, 59 dhe 63.
c Shih artikullin «Ç’lloj ndërhyrjeje hyjnore mund të presim?», në Kullën e Rojës, 1 tetor 2003.
-