MIROSJE, MIROSUR (I, E)
Bibla përdor shpesh termin hebraik sukh dhe atë grek aléifo për lyerjen e zakonshme me vaj. (Dn 10:3; Ru 3:3; Gjo 11:2) Kurse për mirosjen e veçantë me vaj, zakonisht përdor termin hebraik masháħ, nga i cili vjen fjala mashíaħ (Mesia), dhe termin grek khrío, nga i cili vjen fjala khristós (Krisht). (Da 30:30; Le 4:5, shën., NW; Lu 4:18; Ve 4:26) Ky dallim ruhet pothuajse gjithmonë si në hebraisht edhe në greqisht. Disa versione të Biblës nuk e bëjnë këtë dallim kaq të imët, por i përkthejnë të gjitha këto fjalë me një term të vetëm «miros».
Lyerja me vaj. Në vendet e Lindjes së Mesme ishte e zakonshme të lyeje trupin me vaj dhe, ndër të tjera, kjo mbronte pjesët e pambuluara nga rrezet e forta të diellit. Gjithashtu, vaji ndihmonte që lëkura të mbetej elastike. Zakonisht përdornin vaj ulliri, të cilit shpesh i shtonin parfum. Kryesisht, lyheshin me vaj pasi bënin banjë. (Ru 3:3; 2Sa 12:20) Përpara se të paraqitej para mbretit Asuer, Estera iu nënshtrua një trajtimi me masazhe me vaj mirre për gjashtë muaj dhe me vaj balsami për gjashtë muaj të tjerë. (Es 2:12) Po ashtu, mbi trupin e një njeriu të vdekur hidhnin vaj kur e përgatitnin për varrimin.—Mr 14:8; Lu 23:56.
Kur Jezui i dërgoi 12 apostujt dy e nga dy, ata lyen me vaj shumë njerëz që i shëruan. Shërimi i sëmundjeve s’kishte lidhje me vajin në vetvete, por ndodhte falë veprimit të mrekullueshëm të frymës së shenjtë të Perëndisë. Vaji, i cili ka disa veti shëruese dhe gjallëruese, simbolizonte shërimin dhe mëkëmbjen që kishin provuar.—Mr 6:13; Lu 9:1; krahaso Lu 10:34.
Të lyeje me vaj kokën e dikujt, ishte shenjë pëlqimi. (Ps 23:5) Krerët e Efraimit bënë një gjest dashamirës kundrejt ushtarëve judenj të kapur rob, duke i lyer me vaj e duke i kthyer në Jeriko, sikurse këshilloi profeti Oded. (2Kr 28:15) Jehovai tha se një nga shenjat e mospëlqimit të tij do të ishte edhe mungesa e vajit për të lyer. (Lp 28:40) Të mos lyeje trupin me vaj shihej si shenjë zie. (2Sa 14:2; Dn 10:2, 3) Të lyeje me vaj kokën e mysafirit ishte një veprim mikpritjeje dhe mirësjelljeje, siç vërehet nga fjalët e Jezuit për një grua që ia leu këmbët me vaj aromatik.—Lu 7:38, 46.
Jezui u tha dishepujve që kur të agjëronin, të lyenin kokën me vaj e të lanin fytyrën, që të dukeshin si zakonisht e të mos jepnin ndonjë shfaqje shenjtërie të tepruar e vetëmohimi si krerët fetarë hipokritë judenj, të cilët donin t’u bënin përshtypje të tjerëve.—Mt 6:16, 17.
Jakovi tregoi procedurën e duhur për ata që kanë nevojë për ndihmë frymore, pra për të sëmurët frymësisht, dhe tha se duheshin ‘lyer me vaj’ në emër të Jehovait. Nga shprehjet «le të thërrasë pranë vetes pleqtë e kongregacionit», pra jo mjekët, dhe «nëse ka kryer mëkate, do t’i falen», kuptohet që Jakovi e kishte fjalën për sëmundje frymore. (Jk 5:13-16) Edhe Jezui bëri një zbatim në kuptimin frymor të këtij zakoni kur i tha kongregacionit në Laodice ‘të blinte nga [ai] . . . balsam për të lyer sytë që të shihte’.—Zb 3:18.
Mirosja. Kur një person mirosej, i derdhnin mbi kokë vaj, i cili rrëshqiste nëpër mjekër deri poshtë në jakën e rrobës. (Ps 133:2) Në historinë biblike, si hebrenjtë ashtu edhe disa kombe johebreje mirosnin ceremonialisht sundimtarët e tyre. Kjo shënonte konfirmimin zyrtar të emërimit të tyre në atë pozitë. (Gjy 9:8, 15; 1Sa 9:16; 2Sa 19:10) Samueli mirosi Saulin si mbret, pasi Perëndia kishte përcaktuar se kishte zgjedhur Saulin. (1Sa 10:1) Davidi u miros si mbret në tri raste të ndryshme: një herë nga Samueli, më vonë nga burrat e Judës dhe në fund nga të gjitha fiset. (1Sa 16:13; 2Sa 2:4; 5:3) Aaroni u miros pasi u emërua në pozitën e kryepriftit. (Le 8:12) Më pas, Moisiu mori ca nga vaji i mirosjes dhe ca nga gjaku i flijimeve dhe spërkati rrobat e Aaronit e të bijve të tij, por vetëm Aaronit i derdhi vaj mbi kokë.—Le 8:30.
Edhe gjërat që kushtoheshin si të shenjta miroseshin. Jakobi, për shembull, mori gurin mbi të cilin kishte mbështetur kokën kur pa një ëndërr të frymëzuar, e ngriti si një shtyllë dhe e mirosi, duke e shënuar atë vend si të shenjtë; vendin e quajti Bethel, që do të thotë «shtëpi e Perëndisë». (Zn 28:18, 19) Pak kohë më pas, Jehovai e pranoi se ai gur ishte mirosur. (Zn 31:13) Në shkretëtirën e Sinait, me urdhër të Jehovait, Moisiu mirosi tabernakullin dhe pajisjet e tij, duke treguar se ishin gjëra të kushtuara, të shenjta.—Da 30:26-28.
Kishte raste kur një person konsiderohej i mirosur ngaqë ishte emëruar nga Perëndia, ndonëse nuk i kishin derdhur vaj mbi kokë. Ky parim u vërejt kur Jehovai i tha Elijas të miroste Hazaelin si mbret të Sirisë, Jehun si mbret të Izraelit dhe Eliseun si profet në vend të atij vetë. (1Mb 19:15, 16) Tregimi biblik na thotë se një nga bijtë e profetëve që shoqërohej me Eliseun, mirosi Jehun si mbret të Izraelit me vaj të mirëfilltë. (2Mb 9:1-6) Por nuk ka asgjë të shkruar që të tregojë se dikush ka mirosur me vaj Hazaelin ose Eliseun. Moisiu u quajt një Krisht, ose i Mirosur, ndonëse nuk u miros me vaj, por u emërua nga Jehovai si profet dhe përfaqësues i tij, udhëheqës dhe çlirues i Izraelit. (He 11:24-26) Një shembull tjetër është mbreti pers Kiri, për të cilin Isaia kishte parathënë se Jehovai do ta përdorte si të mirosurin e Tij. (Is 45:1) Faktikisht, Kiri nuk u miros me vaj nga ndonjë përfaqësues i Jehovait, por ngaqë u emërua nga Jehovai që të bënte një punë të caktuar, mund të thuhet se ishte i mirosur.
Në Ligjin që i dha Moisiut, Jehovai dha formulën për vajin e mirosjes. Do të ishte një përzierje e veçantë me përbërësit më të zgjedhur: mirrë, kanellë të ëmbël, kallam erëmirë, kasi dhe vaj ulliri. (Da 30:22-25) Çdokush që përgatiste këtë përzierje dhe e përdorte për ndonjë qëllim të zakonshëm ose të paautorizuar, bënte një faj që dënohej me vdekje. (Da 30:31-33) Në mënyrë të figurshme, kjo paraqiste rëndësinë dhe shenjtërinë e çdo emërimi zyrtar që konfirmohej nga mirosja me vaj të shenjtë.
Jezui nga Nazareti përmbushi shumë profeci të Shkrimeve Hebraike dhe kështu tregoi se ishte i Mirosuri i Jehovait dhe se mund të quhej me të drejtë Mesia ose Krishti, tituj që përcjellin atë mendim. (Mt 1:16; He 1:8, 9) Ai nuk u miros vërtet me vaj, por me frymën e Jehovait. (Mt 3:16) Kjo shënoi emërimin e tij nga Jehovai si Mbret, Profet e Kryeprift, dhe për këtë u quajt i Mirosuri i Jehovait. (Ps 2:2; Ve 3:20-26; 4:26, 27; He 5:5, 6) Në qytetin e tij të lindjes, Nazaret, Jezui e shpalli këtë mirosje kur e zbatoi për veten profecinë e Isaisë 61:1 ku gjendet shprehja: «Jehovai më ka mirosur.» (Lu 4:18) Jezu Krishti është i vetmi për të cilin Shkrimet tregojnë se është mirosur për të pasur këto tri pozita: profet, kryeprift dhe mbret. Jezui u miros me «vajin e ngazëllimit më shumë se shokët [e tij]» (mbretërit e tjerë nga trungu i Davidit). Kjo sepse ai u miros drejtpërdrejt nga vetë Jehovai, jo me vaj, por me frymë të shenjtë, jo si mbret tokësor, por si mbret qiellor, bashkë me pozitën e Kryepriftit qiellor.—He 1:9; Ps 45:7.
Njësoj si Jezui, ithtarët që kanë lindur nga fryma e që janë mirosur me frymë të shenjtë, mund të quhen të mirosur. (2Ko 1:21) Ashtu si Aaroni u miros drejtpërdrejt si kreu i priftërisë, por bijve të tij nuk iu derdh vaj mbi kokë secilit më vete, kështu edhe Jezui u miros drejtpërdrejt nga Jehovai, kurse kongregacioni i tij me vëllezër frymorë u miros si një grup njerëzish nëpërmjet Jezu Krishtit. (Ve 2:1-4, 32, 33) Kësisoj, ata kanë marrë nga Jehovai emërimin që të jenë mbretër dhe priftërinj me Jezu Krishtin në qiej. (2Ko 5:5; Ef 1:13, 14; 1Pj 1:3, 4; Zb 20:6) Apostulli Gjon tregoi se mirosja me frymën e shenjtë i mëson të krishterët. (1Gjo 2:27) Ajo i autorizon dhe i kualifikon për shërbimin e krishterë të besëlidhjes së re.—2Ko 3:5, 6.
Jehovai ka dashuri të madhe për të mirosurit e tij, interesohet dhe vigjilon mbi ta me kujdes. (1Kr 16:22; Ps 2:2, 5; 20:6; 105:15; Lu 18:7) Davidi e pranoi se Perëndia i zgjedh dhe i emëron vetë të mirosurit e Tij, e po ashtu vetë Perëndia i gjykon ata. Të ngresh dorën kundër të mirosurve të Jehovait apo kujtdo tjetër të emëruar prej tij, sjell mospëlqimin e Jehovait.—1Sa 24:6; 26:11, 23; shih KRISHTI; EMËRIMI PRIFTËROR; MBRET (Përfaqësues të emëruar nga Perëndia); MESIA.