Ta gëzojmë jetën duke iu frikësuar Jehovait
«Frikësojuni Jehovait, ju të shenjtët e tij, sepse asgjë s’u mungon atyre që kanë frikë nga ai.»—PSALMI 34:9.
1, 2. (a) Në cilat mënyra të kundërta e konsideron frikën nga Perëndia krishterimi i rremë? (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë tani?
PREDIKUESIT e krishterimit të rremë që u mësojnë njerëzve frikën nga Perëndia shpesh e bëjnë këtë në bazë të mësimit jobiblik se Perëndia i ndëshkon mëkatarët në përjetësi në ferrin e zjarrtë. Kjo doktrinë është në kundërshtim me atë që mëson Bibla për Jehovain si Perëndi i dashurisë dhe i drejtësisë. (Zanafilla 3:19; Ligji i përtërirë 32:4; Romakëve 6:23; 1 Gjonit 4:8) Predikues të tjerë të krishterimit të rremë përdorin metodën e kundërt. Ata kurrë nuk e përmendin frikën nga Perëndia. Përkundrazi mësojnë se Perëndia është tolerant dhe pranon pothuajse çdo njeri, pavarësisht se ç’lloj jete bën. Bibla nuk e mëson as këtë.—Galatasve 5:19-21.
2 Faktikisht Bibla na nxit që ta kemi frikë Perëndinë. (Zbulesa 14:7) Ky mësim biblik ngre disa pyetje. Pse një Perëndi i dashur do që ta kemi frikë? Ç’lloj frike kërkon Perëndia? Si mund të na sjellë dobi frika nga Perëndia? Do t’i shqyrtojmë këto pyetje ndërsa vazhdojmë trajtimin e Psalmit 34.
Pse ta kemi frikë Perëndinë?
3. (a) Çfarë mendoni për urdhrin që t’i frikësohemi Perëndisë? (b) Pse janë të lumtur ata që i frikësohen Jehovait?
3 Si Krijuesi dhe Sundimtari Sovran i universit, Jehovai meriton ta kemi frikë. (1 Pjetrit 2:17) Megjithatë, kjo nuk është një frikë e sëmurë nga një perëndi mizor. Ajo përbën një nderim të thellë për shkak të personit që është Jehovai. Është edhe frika për të mos i shkaktuar pakënaqësi. Frika nga Perëndia është një ndjenjë fisnike e që të bën mirë, jo që të të dëshpërojë ose të të tmerrojë. Jehovai, ‘Perëndia i lumtur’, do që krijesat e tij njerëzore ta gëzojnë jetën. (1 Timoteut 1:11) Por për këtë duhet të jetojmë sipas kërkesave të Perëndisë. Për shumë njerëz kjo do të thotë që të ndryshojnë mënyrën e jetesës. Të gjithë ata që bëjnë ndryshimet e nevojshme përjetojnë vërtetësinë e fjalëve të psalmistit David: «Provoni dhe shijoni se sa i mirë është Jehovai! Lum kush gjen strehë tek ai! Frikësojuni Jehovait, ju të shenjtët e tij, sepse asgjë s’u mungon atyre që kanë frikë nga ai.» (Psalmi 34:8, 9) Ngaqë kanë një marrëdhënie të mirë me Perëndinë Jehova, të gjithë atyre që i frikësohen atij s’u mungon asgjë që ka vlerë jetëgjatë.
4. Çfarë sigurie dhanë si Davidi, ashtu dhe Jezui?
4 Vini re se Davidi i nderoi burrat e tij duke i quajtur «të shenjtët», një shprehje që ishte e përshtatshme për atë kohë. Ata ishin pjesë e kombit të shenjtë të Perëndisë. Gjithashtu ata po rrezikonin jetën për të shkuar pas Davidit. Megjithëse po arratiseshin nga mbreti Saul, Davidi ishte i sigurt se Jehovai do të vazhdonte t’u siguronte nevojat bazë. Davidi shkroi: «Luanët e rinj kanë pak për të ngrënë dhe kanë uri, kurse atyre që kërkojnë Jehovain, s’do t’u mungojë asgjë e mirë.» (Psalmi 34:10) Edhe Jezui u dha të njëjtën siguri ithtarëve të tij.—Mateu 6:33.
5. (a) Nga cila shtresë vinin shumë ithtarë të Jezuit? (b) Çfarë këshille dha Jezui se ndaj kujt duhet të kemi frikë?
5 Shumë nga ata që e dëgjuan Jezuin vinin nga shtresa e ulët dhe e varfër e judenjve. Prandaj, Jezui «ndjeu keqardhje për ta, sepse ishin të keqtrajtuar e të hallakatur si dele pa bari». (Mateu 9:36) A do të kishin guximin këta njerëz të thjeshtë që ta ndiqnin Jezuin? Që të bënin kështu, duhej të zhvillonin frikën nga Jehovai, e jo nga njerëzit. Jezui tha: «Mos u frikësoni nga ata që vrasin trupin, dhe pastaj nuk mund të bëjnë asgjë tjetër. Por unë do t’ju tregoj nga kush të frikësoheni: frikësohuni nga ai që, pasi t’ju ketë vrarë, ka autoritet t’ju hedhë në Gehenë. Po, unë po ju them: nga ky frikësohuni. A nuk shiten pesë harabela për dy qindarka? E megjithatë asnjë nga ata nuk harrohet përpara Perëndisë. Megjithatë, edhe fijet e flokëve tuaj janë të gjitha të numëruara. Mos kini frikë, ju vleni më tepër se shumë harabela.»—Luka 12:4-7.
6. (a) Cilat fjalë të Jezuit i kanë forcuar të krishterët? (b) Pse Jezui është shembulli më i mirë se si duhet shfaqur frika nga Perëndia?
6 Kur atyre që i frikësohen Jehovait u bëjnë presion armiqtë që të mos i shërbejnë më Perëndisë, ata mund të kujtojnë këshillën e Jezuit: «Kushdo që dëshmon para njerëzve se është në unitet me mua, edhe Biri i njeriut do të dëshmojë para engjëjve të Perëndisë se është në unitet me të. Ndërsa ai që më mohon para njerëzve, do të mohohet para engjëjve të Perëndisë.» (Luka 12:8, 9) Këto fjalë u kanë dhënë forcë të krishterëve, sidomos atyre që janë në vende ku adhurimi i vërtetë është i ndaluar. Ata vazhdojnë të lëvdojnë me maturi Jehovain në mbledhjet e krishtere dhe në shërbim. (Veprat 5:29) Jezui ka lënë shembullin më të mirë se si të shfaqim ‘frikë nga Perëndia’. (Hebrenjve 5:7) Në Fjalën profetike për të parathuhej: «Tek ai do të prehet fryma e Jehovait, fryma . . . e frikës nga Jehovai. Frika nga Jehovai do të jetë kënaqësia e tij.» (Isaia 11:2, 3) Prandaj, Jezui është më se i kualifikuar që të na mësojë dobitë e frikës nga Perëndia.
7. (a) Si po i përgjigjen të krishterët një ftese të ngjashme me atë që bëri Davidi? (b) Si mund të ndjekin prindërit shembullin e mirë të Davidit?
7 Të gjithë ata që ndjekin shembullin e Jezuit dhe u binden mësimeve të tij, në të vërtetë po i përgjigjen një ftese të ngjashme me atë që bëri Davidi: «Ejani, bijtë e mi, e më dëgjoni! Unë do t’ju mësoj të keni frikë nga Jehovai.» (Psalmi 34:11) Ishte e natyrshme që Davidi t’i quante ‘bij’ burrat që e ndiqnin, sepse ata e respektonin si udhëheqësin e tyre. Ai u jepte ndihmë frymore njerëzve të tij, që të ishin në unitet dhe të kishin miratimin e Perëndisë. Çfarë shembulli i shkëlqyer është ky për prindërit e krishterë! Jehovai u ka dhënë atyre autoritet mbi bijtë dhe bijat e tyre që ‘të vazhdojnë t’i rritin në disiplinën dhe në normën mendore të Jehovait’. (Efesianëve 6:4) Duke folur çdo ditë për gjërat frymore me fëmijët dhe duke drejtuar një studim biblik të rregullt me ta, prindërit i ndihmojnë t’i frikësohen Jehovait e të jetojnë të lumtur.—Ligji i përtërirë 6:6, 7.
Si ta shfaqim frikën nga Perëndia?
8, 9. (a) Pse është kaq tërheqëse një mënyrë jetese me frikë Perëndie? (b) Çfarë do të thotë të ruajmë gjuhën?
8 Siç e përmendëm më sipër, frika nga Jehovai nuk na e heq gëzimin. Davidi bëri pyetjen: «Kush kënaqet me jetën? Kush dëshiron të shohë shumë ditë të bardha?» (Psalmi 34:12) Patjetër që frika nga Jehovai është çelësi për të pasur një jetë të gjatë dhe për të parë ditë të bardha. Megjithatë është e lehtë të themi: «Unë i frikësohem Perëndisë.» Por është krejt ndryshe ta tregojmë atë me sjelljen tonë. Prandaj, Davidi vazhdon të shpjegojë se si mund ta tregojmë frikën nga Perëndia.
9 «Ruaje gjuhën nga e keqja, dhe buzët nga mashtrimi.» (Psalmi 34:13) Apostulli Pjetër u frymëzua të citonte këtë pjesë të Psalmit 34 pasi i këshilloi të krishterët që të silleshin me njëri-tjetrin me përzemërsi vëllazërore. (1 Pjetrit 3:8-12) Të ruajmë gjuhën nga e keqja do të thotë që të mos përhapim thashetheme. Përkundrazi, do të përpiqemi të themi gjithnjë fjalë ndërtuese kur flasim me të tjerët. Gjithashtu do të përpiqemi të jemi të guximshëm dhe të themi të vërtetën.—Efesianëve 4:25, 29, 31; Jakovi 5:16.
10. (a) Shpjegoni se çfarë do të thotë të largohemi nga e keqja. (b) Çfarë përfshin të bëjmë të mirën?
10 «Largohu nga e keqja dhe bëj të mirën, kërko paqen dhe ndiqe.» (Psalmi 34:14) Ne e shmangim atë që Perëndia e dënon, si për shembull: imoralitetin, pornografinë, vjedhjen, spiritizmin, dhunën, dehjen dhe drogën. Po ashtu nuk përfshihemi në zbavitje që karakterizohen nga këto gjëra të neveritshme. (Efesianëve 5:10-12) Përkundrazi e përdorim kohën për të bërë të mirën. E mira më e madhe që mund të bëjmë është të marrim pjesë rregullisht në veprën e predikimit për Mbretërinë dhe të bërjes së dishepujve, duke i ndihmuar njerëzit që të shpëtojnë. (Mateu 24:14; 28:19, 20) Të bëjmë të mirën përfshin edhe të përgatitemi për mbledhjet e krishtere dhe t’i ndjekim ato, të kontribuojmë për veprën mbarëbotërore, të kujdesemi për Sallën e Mbretërisë dhe të interesohemi për të krishterët që janë në nevojë.
11. (a) Si e zbatoi në praktikë Davidi atë që tha për paqen? (b) Çfarë mund të bëni ‘për të ndjekur paqen’ në kongregacion?
11 Davidi la një shembull të mirë se si të ndjekim paqen. Dy herë iu dha rasti ta vriste Saulin. Në të dy rastet u përmbajt nga dhuna dhe më vonë i foli me respekt mbretit, duke shpresuar që të rivendoste paqen. (1 Samuelit 24:8-11; 26:17-20) Çfarë mund të bëjmë sot kur një situatë rrezikon të trazojë paqen e kongregacionit? Duhet ‘të kërkojmë paqen dhe ta ndjekim’. Kështu, nëse kuptojmë se marrëdhëniet mes nesh dhe një bashkëbesimtari janë të tendosura, i bindemi këshillës së Jezuit: «Bëj më parë paqe me vëllanë tënd.» Pastaj të vazhdojmë me aspektet e tjera të adhurimit të vërtetë.—Mateu 5:23, 24; Efesianëve 4:26.
Frika nga Perëndia sjell shumë shpërblime
12, 13. (a) Çfarë dobish kanë sot ata që i frikësohen Perëndisë? (b) Cilin shpërblim madhështor do të marrin së shpejti adhuruesit besnikë?
12 «Jehovai i kthen sytë nga të drejtët, dhe veshët nga thirrja e tyre për ndihmë.» (Psalmi 34:15) Dokumentimi i marrëdhënies që kishte Perëndia me Davidin tregon se këto fjalë janë të vërteta. Sot ndiejmë gëzim të thellë dhe kemi paqe të brendshme, ngaqë e dimë se Jehovai po vigjilon mbi ne. Jemi të sigurt se ai gjithnjë do t’u përgjigjet nevojave tona, madje edhe kur të jemi nën stres të madh. E dimë se së shpejti të gjithë adhuruesit e vërtetë do të përjetojnë sulmin e parathënë të Gogut të Magogut dhe ‘ditën e frikshme të Jehovait’. (Joeli 2:11, 31; Ezekieli 38:14-18, 21-23) Çfarëdo situate që të përjetojmë në atë kohë, fjalët e Davidit do të dalin të vërteta për ne: «Të drejtët thirrën, dhe Jehovai i dëgjoi, nga të gjitha vuajtjet i çliroi.»—Psalmi 34:17.
13 Sa do të ngazëllojmë në atë kohë kur të shohim se si Jehovai do të lartësojë emrin e tij madhështor! Zemrat tona do të mbushen me më shumë nderim e respekt se kurrë më parë dhe kundërshtarët do të pësojnë një fund poshtërues. «Fytyra e Jehovait është kundër atyre që bëjnë të këqija, që të fshijë nga faqja e dheut kujtimin e tyre.» (Psalmi 34:16) Çfarë shpërblimi do të jetë që ta përjetojmë atë çlirim madhështor e të hyjmë në botën e re e të drejtë të Perëndisë!
Premtime që na ndihmojnë të qëndrojmë
14. Çfarë do të na ndihmojë të qëndrojmë pavarësisht nga të këqijat që mund të na bien?
14 Ndërkohë duhet qëndrueshmëri që të vazhdojmë t’i bindemi Jehovait në këtë botë të korruptuar dhe armiqësore. Frika nga Perëndia na ndihmon shumë të zhvillojmë bindjen. Për shkak të kohëve kritike në të cilat jetojmë, disa shërbëtorë të Jehovait hasin vështirësi të skajshme që, si të thuash, ua thyejnë zemrën dhe ua dërrmojnë frymën. Por ata mund të jenë plotësisht të sigurt se, në qoftë se i drejtohen Jehovait, ai do t’i ndihmojë të qëndrojnë. Fjalët e Davidit të ngushëllojnë vërtet: «Jehovai u rri pranë zemërthyerve, dhe shpëton ata që e kanë frymën të dërrmuar.» (Psalmi 34:18) Duke na dhënë zemër Davidi vazhdon të thotë: «I drejti heq shumë të këqija, por Jehovai e çliron nga të gjitha.» (Psalmi 34:19) Pavarësisht se sa të këqija na bien, Jehovai është aq i fortë sa të na çlirojë.
15, 16. (a) Për çfarë të keqe dëgjoi Davidi pak kohë pasi kompozoi Psalmin 34? (b) Çfarë do të na ndihmojë t’u qëndrojmë sprovave?
15 Pak kohë pasi kompozoi Psalmin 34, Davidi dëgjoi për të keqen që u kishte rënë banorëve të Nobit. Sauli i kishte masakruar ata dhe shumicën e priftërinjve. Sa i dëshpëruar duhet të jetë ndier ai duke sjellë ndër mend se ishte vizita e tij në Nob që kishte shkaktuar furinë e Saulit! (1 Samuelit 22:13, 18-21) Pa dyshim që Davidi iu drejtua Jehovait për ndihmë dhe me siguri gjeti ngushëllim te shpresa e ringjalljes së ardhme të ‘të drejtëve’.—Veprat 24:15.
16 Sot shpresa e ringjalljes na forcon edhe ne. E dimë se asgjë që bëjnë armiqtë tanë nuk mund të na dëmtojë përgjithnjë. (Mateu 10:28) Davidi shprehu një bindje të ngjashme kur tha: «Ai i ruan tërë kockat e [të drejtit] dhe asnjëra prej tyre nuk thyhet.» (Psalmi 34:20) Ky varg u përmbush në kuptimin e mirëfilltë në rastin e Jezuit. Edhe pse Jezuin e vranë mizorisht, asnjë nga kockat nuk iu ‘thye’. (Gjoni 19:36) Në një kuptim më të gjerë, Psalmi 34:20 na siguron se pavarësisht çfarë sprovash hasin të krishterët e mirosur dhe ‘delet e tjera’ që shërbejnë bashkë me ta, ata nuk do të pësojnë dëm të përhershëm. E thënë në mënyrë të figurshme, kockat e tyre kurrë nuk do të thyhen.—Gjoni 10:16.
17. Çfarë e keqe i pret ata që e urrejnë pa u penduar popullin e Jehovait?
17 Gjërat janë ndryshe për të ligjtë. Së shpejti ata do të korrin të këqijat që kanë mbjellë. «Të ligun do ta vrasë e keqja, dhe ata që urrejnë të drejtin, do të quhen fajtorë.» (Psalmi 34:21) Të gjitha ata që vazhdojnë t’i kundërvihen popullit të Perëndisë do të pësojnë të keqen më të madhe që mund t’u ndodhë. Kur të zbulohet Jezu Krishti, ata «do të ndëshkohen me shkatërrim të përhershëm».—2 Selanikasve 1:9.
18. Në cilin kuptim është shpenguar tashmë ‘shumica e madhe’, dhe çfarë do të përjetojnë ata në të ardhmen?
18 Psalmi i Davidit përfundon me këto fjalë që na japin siguri: «Jehovai e shpengon shpirtin e shërbëtorëve të tij, dhe asnjë nga ata që gjejnë strehë tek ai, nuk do të quhet fajtor.» (Psalmi 34:22) Nga fundi i mbretërimit të tij 40-vjeçar, mbreti David tha: «[Perëndia] e shpengoi shpirtin tim nga të gjitha vuajtjet.» (1 Mbretërve 1:29) Ashtu si Davidi, ata që i frikësohen Jehovait, së shpejti do të mund të mendojnë për të kaluarën dhe të gëzojnë që janë shpenguar nga çdo faj i shkaktuar nga gjendja mëkatare dhe që janë shpëtuar nga të gjitha sprovat. Tashmë shumica e të krishterëve të mirosur e ka marrë shpërblimin në qiell. ‘Një shumicë e madhe’ nga të gjitha kombet po bashkohet me vëllezërit e mbetur të Jezuit dhe po i shërben Perëndisë, duke pasur si pasojë një qëndrim të pastër para Tij. Është kështu sepse ata tregojnë besim te fuqia shpenguese e gjakut të derdhur të Jezuit. Gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit që po afron, ata do të nxjerrin plotësisht dobi nga flijimi shpërblyes dhe kështu do të bëhen njerëz të përsosur.—Zbulesa 7:9, 14, 17; 21:3-5.
19. Çfarë janë të vendosur të bëjnë pjesëtarët e ‘shumicës së madhe’?
19 Pse do të ketë tërë këto bekime ‘shumica e madhe’ e adhuruesve të Perëndisë? Ngaqë janë të vendosur të vazhdojnë t’i frikësohen Jehovait, duke i shërbyer atij me admirim e nderim dhe duke iu bindur me respekt. Vërtet, frika nga Jehovai na e bën jetën të këndshme tani dhe na ndihmon ‘të rrokim jetën e vërtetë’—jetën e përhershme në botën e re të Perëndisë.—1 Timoteut 6:12, 18, 19; Zbulesa 15:3, 4.
A ju kujtohet?
• Pse duhet t’i frikësohemi Perëndisë dhe çfarë do të thotë t’i frikësohemi atij?
• Si duhet të ndikojë te sjellja jonë frika nga Perëndia?
• Çfarë shpërblimesh kemi kur i frikësohemi Perëndisë?
• Cilat premtime na ndihmojnë të qëndrojmë?
[Figura në faqen 26]
Ata që i frikësohen Jehovait tregohen të matur kur vepra është e ndaluar
[Figura në faqen 28]
E mira më e madhe që mund t’u bëjmë njerëzve është t’u japim lajmin e mirë për Mbretërinë