«Me anë të dritës sate ne shohim dritën»
DRITA është diçka që shpesh e marrim si një gjë të zakonshme, derisa ndodh që na ikin dritat dhe lagjja jonë zhytet në errësirë. Lumturisht, «hidrocentrali» ynë qiellor, dielli, është plotësisht i besueshëm. Falë dritës së diellit mund të shohim, të hamë, të marrim frymë dhe të jetojmë.
Meqë drita është e domosdoshme për jetën, nuk duhet të habitemi kur lexojmë te Zanafilla se drita u shfaq në ditën e parë të krijimit. «Pastaj Perëndia tha: ‘U bëftë drita!’ Dhe drita u bë.» (Zanafilla 1:3) Njerëz plot nderim për Perëndinë, siç ishte mbreti David, e kanë pranuar gjithnjë Jehovain si burimin e jetës dhe të dritës. «Pranë teje është burimi i jetës,—shkroi Davidi,—dhe me anë të dritës sate ne shohim dritën.»—Psalmi 36:9.
Fjalët e Davidit gjejnë zbatim edhe në kuptimin e mirëfilltë, edhe në atë të figurshëm. Në Encyclopædia Britannica theksohet: «Sigurisht, drita është përgjegjëse për ndjesinë e shikimit.» Më pas, shton: «Në trurin njerëzor vjen më shumë informacion nëpërmjet syve sesa nëpërmjet çdo organi tjetër ndjesor.» Meqenëse shumë nga ato që mësojmë varen nga dhurata e shikimit—e cila ka nevojë për dritën që të funksionojë siç duhet,—në Shkrime drita përdoret edhe në mënyrë të figurshme.
Kështu, Jezui u tha dishepujve të tij: «Unë jam drita e botës. Ai që më ndjek mua, nuk do të ecë kurrsesi në errësirë, por do të zotërojë dritën e jetës.» (Gjoni 8:12) Drita e figurshme për të cilën foli Jezui ishte mesazhi i së vërtetës që predikonte, mesazh që mund të ndriçonte mendjet dhe zemrat e dëgjuesve të tij. Pasi kishin kaluar vite në errësirë frymore, më në fund dishepujt e Jezuit mund të kuptonin qëllimin e Perëndisë për njerëzimin dhe shpresën e Mbretërisë. Kjo ishte vërtet ‘dritë jete’, pasi ajo njohuri mund të çonte në jetën e përjetshme. «Kjo do të thotë jetë e përhershme,—i tha Jezui në lutje Atit të tij qiellor,—të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që ti dërgove, Jezu Krishtin.» (Gjoni 17:3) Le të mos e marrim kurrë si një gjë të zakonshme këtë dritë frymore!