A ju kujtohet?
A i keni lexuar me kujdes numrat e Kullës së Rojës të këtij viti? Shihni nëse mund t’u përgjigjeni pyetjeve vijuese:
Si do të shpërblehemi nëse lëmë kohë që të flasim me Jehovain, ta dëgjojmë e të mendojmë për të?
Do të marrim vendime më të mençura, do të bëhemi mësues më të mirë, do të na forcohet besimi dhe do të na thellohet dashuria për Jehovain.—w22.01, f. 30-31.
Si do të nxjerrim dobi nëse mësojmë të besojmë te Jehovai dhe te përfaqësuesit e tij?
Tani është koha të mësojmë të kemi besim te mënyra si i bën gjërat Jehovai, duke mos dyshuar te drejtimi që japin pleqtë dhe te vendimet e tyre. Kur të vijë shtrëngimi i madh, do të bindemi me gatishmëri edhe nëse marrim udhëzime që duken të çuditshme ose të palogjikshme.—w22.02, f. 4-6.
Çfarë mësimi donte të përcillte engjëlli kur i foli Zakarisë për ‘plumbçen në dorën e [guvernatorit] Zorobabel’? (Zak. 4:8-10)
Vegimi e siguroi popullin e Perëndisë se sado i thjeshtë të dukej, tempulli që po ndërtohej do të përfundonte dhe do të plotësonte standardet e Perëndisë.—w22.03, f. 16-17.
Si mund të bëhemi «shembull . . . në të folur»? (1 Tim. 4:12)
Flasim me dashuri e respekt në shërbim, këndojmë me gjithë zemër e komentojmë rregullisht në mbledhje, themi të vërtetën e u japim forcë të tjerëve me fjalët tona dhe shmangim çdo lloj ‘sharjeje’.—w22.04, f. 6-9.
Pse tiparet e katër bishave (mbretërive) të përmendura te kapitulli 7 i Danielit janë të bashkuara te një bishë e vetme te Zbulesa 13:1, 2?
Bisha te kapitulli 13 i Zbulesës nuk paraqet vetëm një qeveri ose mbretëri, si Roma. Përkundrazi, paraqet të gjitha fuqitë politike që kanë sunduar mbi njerëzimin.—w22.05, f. 9.
Cila është një mënyrë e rëndësishme si tregojmë se kemi besim te drejtësia e Perëndisë?
Nëse dikush na ka ofenduar ose ka mëkatuar ndaj nesh, përpiqemi t’i hedhim pas krahëve inatin e mërinë dhe i lëmë gjërat në duart e Jehovait. Ai do të fshijë gjithë dëmin e shkaktuar nga mëkati.—w22.06, f. 10-11.
Çfarë duhet të mbajë parasysh një vëlla kur e ftojnë të bëjë lutje në mbledhje?
Lutjet nuk duhen përdorur për t’i dhënë këshilla ose njoftime kongregacionit. Sidomos në fillim të mbledhjes, s’ka pse të përdoren «shumë fjalë». (Mat. 6:7)—w22.07, f. 24-25.
Në cilin kuptim «ata që bënë gjëra të poshtra» do të kenë «një ringjallje gjykimi»? (Gjoni 5:29)
Ata nuk do marrin një gjykim të pafavorshëm në bazë të veprave që bënë para se të vdisnin. Do të vihen në provë në bazë të qëndrimit dhe sjelljes së tyre pas ringjalljes.—w22.09, f. 18.
Cilën thirrje entuziazmuese bëri vëlla Radhërfordi në një kongres në shtator të vitit 1922?
Në një kongres në Sidër-Point, Ohajo, SHBA, ai tha: «Mbreti po mbretëron! Ju jeni lajmëtarët e tij. Prandaj lajmëroni, lajmëroni, lajmëroni për Mbretin dhe Mbretërinë e tij!»—w22.10, f. 3-5.
Si dalin në pah te kapitulli 30 i Isaisë tri mënyra si na ndihmon Perëndia t’i përballojmë sprovat?
Ky kapitull tregon se ai (1) na dëgjon me vëmendje e u përgjigjet lutjeve tona, (2) na siguron udhëheqje dhe (3) na derdh bekime sot e në të ardhmen.—w22.11, f. 9.
Pse dalim në përfundimin që fjalët e Psalmit 37:10, 11, 29 u plotësuan në lashtësi e do të plotësohen edhe në të ardhmen?
Fjalët e Davidit janë përshkrim i goditur i kushteve fantastike që mbizotëronin në Izrael, si për shembull gjatë mbretërimit të Solomonit. Kur foli për një Parajsë në të ardhmen, Jezui citoi vargun 11. (Mat. 5:5; Luka 23:43)—w22.12, f. 8-10, 14.