Mëshira e Jehovait na shpëton nga dëshpërimi
«Më trego favor, O Perëndi, sipas dashamirësisë tënde të dashur. Sipas bollëkut të mëshirës tënde, fshiji shkeljet e mia.»—PSALMI 51:1.
1, 2. Si mund të ndihet një shërbëtor i Jehovait kur ka kryer ndonjë mëkat të rëndë?
LIGJI i Jehovait nuk mund të shkelet pa ndëshkim. Sa e dukshme bëhet kjo nëse kryejmë ndonjë mëkat të rëndë kundër Perëndisë! Edhe pse mund t’i kemi shërbyer Jehovait me besnikëri për vite me radhë, shkelja e ligjit të tij mund të shkaktonte një ankth të madh ose një dëshpërim të thellë. Mund të mendojmë se Jehovai na ka braktisur dhe se nuk jemi më të denjë për t’i shërbyer atij. Mëkati ynë mund të na duket si një re e stërmadhe që na ka mbuluar dritën e favorit të Perëndisë.
2 Davidi, mbret i Izraelit të lashtë, e pa veten në një gjendje të tillë. Por, si u zhvillua ajo?
Hapat e gabuara mund të çojnë në mëkate të rënda
3, 4. Çfarë i ndodhi mbretit David gjatë një periudhe lulëzimi?
3 Davidi e donte Perëndinë, por bëri disa hapa të gabuara që e çuan në mëkate të rënda. (Krahaso Galatasve 6:1.) Kjo mund të ndodhë me çdo njeri të papërsosur, veçanërisht nëse ka autoritet mbi të tjerët. Duke qenë një mbret i lavdishëm, Davidi gëzonte famë dhe pushtet. Kush mund të guxonte e të sfidonte fjalën e tij? Burra të zotë gjendeshin në urdhrat e tij dhe njerëzit ishin të gatshëm që të bënin çfarë të kërkonte ai. Megjithatë, Davidi gaboi, duke marrë shumë gra dhe duke numëruar njerëzit.—Ligji i përtërirë 17:14-20; 1. Kronikat 21:1.
4 Gjatë asaj periudhe lulëzimi material, Davidi kreu mëkate të rënda kundër Perëndisë dhe njerëzve. Njëri mëkat i hapi rrugë tjetrit, si fijet e një pëlhure të thurur nga Satanai! Ndërsa izraelitët e tjerë luftonin kundër amonitëve, Davidi pa nga tarraca e pallatit të tij gruan e bukur të Uriahut, Betshebën, duke u larë. Pasi Uriahu ishte në luftë, mbreti e solli gruan në pallatin e tij dhe kreu me të tradhti bashkëshortore. Merre me mend tronditjen e tij, kur mësoi më vonë se ajo kish mbetur shtatzënë! Davidi dërgoi të thërrisnin Uriahun, duke shpresuar se ai do ta kalonte natën me Betshebën dhe pastaj të kujtonte se fëmija ishte i veti. Edhe pse Davidi e dehu, Uriahu nuk pranoi të flinte me të shoqen. I dëshpëruar tashmë, Davidi i dërgoi komandantit Joab urdhra sekrete që ta hidhte Uriahun në rreshtat e para të betejës, ku me siguri do të vritej. Uriahu vdiq në betejë, e veja mbajti periudhën e zakonshme të zisë dhe Davidi e mori për grua, para se të tjerët të kuptonin se ajo ishte shtatzënë.—2. Samueli 11:1-27.
5. Çfarë ndodhi pasi Davidi mëkatoi me Betshebën dhe çfarë ndikimi patën mëkatet e tij mbi të?
5 Me anë të profetit Natan, Perëndia i zbuloi mëkatet e Davidit dhe tha: «Unë do të ngre kundër teje vuajtje të mëdha prej vetë shtëpisë tënde.» Në përputhje me këtë, fëmija që lindi Betsheba vdiq. (2. Samueli 12:1-23) I parëlinduri i Davidit, Amnoni, përdhunoi gjysmëmotrën e tij, Tamarën dhe u vra nga i vëllai i saj. (2. Samueli 13:1-33) Djali i mbretit, Absalomi, u përpoq të uzurponte fronin dhe e turpëroi të atin, duke bashkëjetuar me gratë pa kurorë të Davidit. (2. Samueli 15:1-16:22) Lufta civile përfundoi me vdekjen e Absalomit dhe me dhimbje të tjera për Davidin. (2. Samueli 18:1-33) Megjithatë, mëkatet e bënë Davidin më të përulur dhe më të vetëdijshëm mbi nevojën për të qëndruar afër Perëndisë së tij të mëshirshëm. Nëse do të gabonim, duhet të pendoheshim dhe me përulësi t’i afroheshim Jehovait.—Krahaso Jakovit 4:8.
6. Përse mbreti David ishte veçanërisht fajtor?
6 Davidi ishte veçanërisht fajtor, pasi ishte një qeveritar izraelit, plotësisht i vetëdijshëm për Ligjin e Jehovait. (Ligji i përtërirë 17:18-20) Ai nuk ishte ndonjë faraon egjiptian apo mbret babilonas, të cilët nuk e kishin atë njohuri dhe ndoshta rregullisht bënin gjëra të papëlqyeshme për Perëndinë. (Efesianëve 2:12; 4:18) Si pjesëtar i një kombi të dedikuar ndaj Jehovait, Davidi e dinte se tradhtia bashkëshortore dhe vrasja janë mëkate të rënda. (Të Dalët 20:13, 14) Edhe të krishterët e njohin Ligjin e Perëndisë. Megjithatë, ashtu si Davidi, disa prej tyre e thyejnë atë për shkak të gjendjes mëkatare të trashëguar, dobësisë njerëzore dhe tundimeve që nuk mund t’u rezistojnë. Nëse kjo mund t’i ndodhë ndonjërit prej nesh, nuk duhet të mbesim në një gjendje të errësuar që do të turbullonte pamjen tonë frymore dhe do të na zhyste në dëshpërim.
Rrëfimi sjell lehtësim
7, 8. (a) Çfarë i ndodhi Davidit kur u përpoq të fshihte mëkatet e veta? (b) Përse mëkatet duhen rrëfyer dhe lënë?
7 Nëse jemi fajtorë për shkelje të rëndë të ligjit të Perëndisë, mund ta kemi të vështirë për t’i rrëfyer mëkatet tona, madje edhe Jehovait. Çfarë mund të ndodhë në këto rrethana? Në Psalmin 32, Davidi pranoi: «Kur heshtja [në vend se të rrëfehej] kockat e mia konsumoheshin prej psherëtimave të mia gjithë ditën. Sepse ditë e natë dora jote [e Jehovait] rëndonte mbi mua. Lagështia e jetës sime ndryshoi si në nxehtësinë e thatë të verës.» (Vargjet 3, 4) Përpjekjet për të fshehur mëkatin e tij dhe për të mbytur një ndërgjegje me faj, e kapitën Davidin kokëfortë. Ankthi e zvogëloi fuqinë e tij, aq sa ai ngjante me një pemë të tharë, të cilës i mungon lagështia jetëdhënëse. Në fakt, ai mund të ketë vuajtur si mendërisht dhe fizikisht. Sidoqoftë, ai humbi gëzimin e tij. Çfarë duhet të bëjë secili prej nesh që mund të gjendet në një gjendje të tillë?
8 Rrëfimi tek Perëndia mund të sjellë falje dhe lehtësim. «Në fund ta rrëfeva mëkatin tim dhe nuk e fsheha gabimin tim.—këndoi Davidi.—Thashë: ‘Do t’ia rrëfejë shkeljet e mia Jehovait.’ Dhe ti vetë e fale gabimin e mëkateve të mia.» (Psalmi 32:5) A ndihesh i dëshpëruar për ndonjë mëkat të fshehur? A nuk do të qe më mirë që ta rrëfeje dhe ta lije, duke përfituar kështu mëshirën e Perëndisë? Përse të mos thërrasësh pleqtë e kongregacionit dhe të kërkosh ndihmë frymore? (Proverbat 28:13; Jakovit 5:13-20) Fryma jote e penduar do të merret parasysh dhe me kohë mund të rifitosh gëzimin e krishterë. «I lumtur është ai, revolta e të cilit është falur, mëkati i të cilit është mbuluar.—tha Davidi.—I lumtur është njeriu mbi të cilin Jehovai nuk vë gabime dhe në frymën e të cilit nuk ka mashtrim.»—Psalmi 32:1, 2.
9. Kur u kompozua Psalmi 51 dhe përse?
9 Davidi dhe Betsheba u desh të jepnin llogari para Perëndisë Jehova për veprimin e tyre të gabuar. Edhe pse mund të ishin dënuar me vdekje për mëkatet e tyre, Perëndia pati mëshirë për ta. Veçanërisht, u tregua i mëshirshëm me Davidin për shkak të besëlidhjes së Mbretërisë. (2. Samueli 7:11-16) Qëndrimi i penduar i Davidit për mëkatet e kryera me Betshebën, është i dukshëm në Psalmin 51. Ky psalm prekës u kompozua prej mbretit të penduar, pasi profeti Natan kishte zgjuar ndërgjegjen e tij, duke i treguar madhësinë e shkeljes së tij të ligjit hyjnor. Nga ana e Natanit duhej guxim për t’ia vënë në dukje Davidit shkeljet e bëra, ashtu si edhe pleqve të emëruar të krishterë u duhet guxim për të bërë të njëjtën gjë sot. Në vend se të mohonte akuzën dhe të urdhëronte ekzekutimin e Natanit, mbreti u rrëfye me përulësi. (2. Samueli 12:1-14) Psalmi 51 tregon se çfarë i tha ai në lutje Perëndisë në lidhje me sjelljen e vet të ulët dhe është mjaft i përshtatshëm për meditimin në lutje, veçanërisht nëse kemi gabuar dhe dëshirojmë mëshirën e Perëndisë.
Jemi përgjegjës para Perëndisë
10. Si mund ta merrte Davidi veten frymësisht?
10 Davidi nuk kërkoi ta justifikonte mëkatin e tij, por u lut: «Më trego favor, O Perëndi, sipas dashamirësisë tënde të dashur. Sipas bollëkut të mëshirës tënde, fshiji shkeljet e mia.» (Psalmi 51:1) Me shkeljen e vet, Davidi e kish kaluar kufirin e Ligjit të Perëndisë. Megjithatë, mund të shpresonte për ta marrë veten frymësisht, nëse Perëndia do t’i tregonte favor sipas dashamirësisë së Tij të dashur apo dashurisë besnike. Bollëku i mëshirës që Perëndia kishte treguar në të shkuarën, i jepte mbretit të penduar një bazë për të besuar se Krijuesi do t’i fshinte shkeljet e tij.
11. Çfarë nënkuptonin flijimet e Ditës së Shlyerjes dhe çfarë kërkohet sot për të shpëtuar?
11 Me anë të hijeve profetike të flijimeve të Ditës së Shlyerjes, Jehovai bëri të kuptohej se ekzistonte një mënyrë për të pastruar të penduarit nga mëkatet e tyre. Ne tani e dimë se mëshira dhe falja e tij janë shtrirë mbi ne në bazë të besimit tonë në flijimin shpërblerës të Jezu Krishtit. Nëse Davidi, që kishte në mendje vetëm disa tipa dhe hije të këtij flijimi, mundi të besonte në dashamirësinë e dashur dhe mëshirën Jehovait, sa më shumë shërbëtorët e sotëm të Perëndisë duhet të ushtrojnë besim në shpërblimin e siguruar për shpëtimin e tyre!—Romakëve 5:8; Hebrenjve 10:1.
12. Çfarë do të thotë të mëkatosh dhe si e ndjeu veten Davidi pasi kish mëkatuar?
12 Duke iu lutur Perëndisë, Davidi shtoi: «Më laj plotësisht prej gabimit tim dhe pastromë edhe prej mëkatit tim. Sepse shkeljet e mia unë i di dhe mëkati im më qëndron vazhdimisht përballë.» (Psalmi 51:2, 3) Të mëkatosh do të thotë të dështosh në objektivin e rregullave të Jehovait. Davidi e kishte bërë me siguri këtë. Megjithatë, Davidi nuk ishte një vrasës apo një tradhtar bashkëshortor indiferent ndaj shkeljes së tij, që merakoset vetëm për ndëshkimin apo për mundësinë e hasjes së ndonjë sëmundjeje. Pasi e donte Jehovain, Davidi e urrente të keqen. (Psalmi 97:10) Ai ndiente neveri për mëkatin e vet dhe donte që Perëndia ta pastronte plotësisht. Davidi ishte plotësisht i vetëdijshëm për shkeljet e tij dhe i vinte thellësisht keq që e kishte lënë dëshirën e tij mëkatare ta mposhtte. Mëkati ishte vazhdimisht përballë tij, sepse për një njeri që i frikësohet Perëndisë, kur e ka ndërgjegjen me faj, nuk ka prehje derisa të pendohet, të rrëfehet dhe të marrë faljen e Jehovait.
13. Përse Davidi tha se kishte mëkatuar vetëm kundër Perëndisë?
13 Duke e ditur përgjegjësinë e tij para Jehovait, Davidi tha: «Kundër teje, vetëm kundër teje, kam mëkatuar dhe kam bërë atë që është e keqe për sytë e tu, që të mund të tregosh se je i drejtë kur flet, që të jesh i pastër kur gjykon.» (Psalmi 51:4) Davidi kishte thyer ligjet e Perëndisë, kishte turpëruar pozitën e tij si mbret dhe «padyshim e kish trajtuar Jehovain pa respekt», duke e ekspozuar Atë me qortimet. (2. Samueli 12:14; Të Dalët 20:13, 14, 17) Veprat mëkatare të Davidit përbënin, gjithashtu, shkelje edhe kundër shoqërisë izraelite dhe pjesëtarëve të familjes së tij, sikurse një keqbërës i pagëzuar sot shkakton trishtim dhe dhimbje në kongregacionin e krishterë dhe mes të dashurve të vet. Edhe pse mbreti i penduar e dinte se kishte mëkatuar ndaj të afërmve, si për shembull ndaj Uriahut, ai e kuptonte se kishte një përgjegjësi më të madhe para Jehovait. (Krahaso Zanafilla 39:7-9.) Davidi e dinte se gjykimi i Jehovait do të ishte i drejtë. (Romakëve 3:4) Të krishterët që kanë mëkatuar duhet të kenë të njëjtën pikëpamje.
Rrethana lehtësuese
14. Cilat rrethana lehtësuese citoi Davidi?
14 Edhe pse nuk u përpoq të justifikohej, Davidi tha: «Ja, me gabim dola në dritë me dhimbje lindjeje e nëna ime më ngjizi në mëkat.» (Psalmi 51:5) Davidi kishte dalë në dritë me gabim dhe nëna e tij kish provuar dhimbjet e lindjes, për shkak të gjendjes së saj mëkatare të trashëguar. (Zanafilla 3:16; Romakëve 5:12) Fjalët e tij nuk duan të thonë se marrëdhëniet e rregullta martesore, ngjizja dhe lindja janë të mëkatshme, pasi qe Perëndia ai që siguroi martesën dhe lindjen e fëmijëve; Davidi nuk i referohej as edhe ndonjë mëkati specifik të nënës së tij. Ai ishte ngjizur në mëkat, sepse prindërit e tij ishin mëkatarë, si të gjithë njerëzit e papërsosur.—Jobi 14:4.
15. Edhe pse Perëndia mund t’i mbajë parasysh rrethanat lehtësuese, çfarë nuk duhet të bëjmë ne?
15 Nëse kemi mëkatuar, duhet t’i përmendim në lutje Perëndisë çfarëdolloj rrethane lehtësuese, që mund të ketë kontribuar në shkeljen tonë. Por le të mos e kthejmë dashamirësinë e pamerituar të Perëndisë në një pretekst për sjellje të shthurur dhe as të mos e përdorim gjendjen e trashëguar mëkatare si perde tymi, prapa së cilës të fshihemi prej përgjegjësisë së mëkatit tonë. (Judës 3, 4) Davidi e pranoi përgjegjësinë se kishte kultivuar mendime të papastra dhe se ishte dorëzuar para tundimit. Le të lutemi, pra, që të mos biem në tundime dhe pastaj të veprojmë në përputhje me këtë lutje.—Mateu 6:13.
Kërkesë për t’u pastruar
16. Për cilat cilësi kënaqet Perëndia dhe si duhet të ndikojë kjo mbi sjelljen tonë?
16 Njerëzit mund të duken sikur janë për së mbari, të devotshëm ndaj Perëndisë, por ai shikon përtej pamjes së jashtme dhe vështron se çfarë kanë ata përbrenda. Davidi tha: «Ja! Ti [Jehova] ke provuar kënaqësi për vetë të vërtetën në pjesët e brendshme; dhe në sekret bëj të mundur që unë të njoh diturinë e plotë.» (Psalmi 51:6) Davidi ishte fajtor për falsitet dhe dredhi në provokimin e vdekjes së Uriahut, si dhe për atë që kishte kërkuar të fshihte faktet në lidhje me shtatzëninë e Betshebës. Megjithatë, ai e dinte se Perëndia kënaqej në drejtësi dhe shenjtëri. Kjo duhet të ndikojë pozitivisht mbi sjelljen tonë, sepse Jehovai do të na dënonte po të tregoheshim dredharakë. (Proverbat 3:32) Gjithashtu, Davidi e kuptoi që, nëse Perëndia «do të bënte të mundur që ai të njihte diturinë e plotë», si mbret i penduar, ai do të kishte mundësi t’i zbatonte rregullat hyjnore gjatë pjesës tjetër të jetës së vet.
17. Cili është kuptimi i lutjes për t’u pastruar me hisop?
17 Duke e kuptuar nevojën e ndihmës së Perëndisë në mposhtjen e prirjeve mëkatare, psalmisti më tej u lut: «Pastromë prej mëkatit me hisop, që të jem i pastër; lamë, që të bëhem më i bardhë se bora.» (Psalmi 51:7) Midis gjërave të tjera, bima e hisopit (ndoshta një lloj manxurane, apo Origanum maru) përdorej në ceremoninë e pastrimit të lebrosëve të shëruar. (Levitiku 14:2-7) Ishte e përshtatshme, pra, që Davidi të lutej për t’u pastruar nga mëkati me hisop. Ideja e pastrimit shoqërohet, gjithashtu, edhe me kërkesën e tij që Jehovai ta lante, me qëllim që të ishte plotësisht i pastër, më i bardhë se bora, e cila nuk mbledh blozë apo copëra të tjera. (Isaia 1:18) Nëse na vret ndërgjegjja, për shkak të ndonjë shkeljeje, le të kemi besim që nëse pendohemi dhe kërkojmë faljen e Perëndisë, ai mund të na pastrojë në bazë të flijimit shpërblerës të Jezuit.
Kërkesë për ripërtëritje
18. Cila ishte gjendja e Davidit para se të pendohej dhe të rrëfehej dhe përse kjo na është e dobishme sot?
18 Çdo i krishterë që ka vuajtur nga një ndërgjegje me faj, mund t’i kuptojë fjalët e Davidit: «Ti [Jehova] më bëj që të ndiej gëzim dhe hare, që kockat, të cilat ti i ke shtypur, të gëzojnë.» (Psalmi 51:8) Para se të pendohej dhe të rrëfente mëkatet e veta, ndërgjegjja e turbulluar e mjeroi Davidin. Ai nuk ndjente kënaqësi as edhe prej këngëve të hareshme dhe të gëzuara, të ekzekutuara prej këngëtarësh të shkëlqyeshëm dhe muzikantësh të shkathët. Kaq shumë vuante Davidi mëkatar prej mosmiratimit të Perëndisë, saqë i ngjante një njeriu, kockat e të cilit ishin shtypur me dhimbje. Ai digjej nga dëshira për falje, për shërim frymor dhe për ripërtëritjen e gëzimit të dikurshëm. Edhe sot, një shkelës i penduar ka nevojë për faljen e Perëndisë për të rigjetur gëzimin që provonte para se të kryente diçka që ka vënë në rrezik lidhjen e tij me Perëndinë. Përtëritja e «gëzimit të frymës së shenjtë» tek një njeri i penduar, tregon se Jehovai e ka falur dhe e do. (1. Selanikasve 1:6) Sa ngushëllim na sjell kjo!
19. Si do të ndihej Davidi nëse Perëndia do t’i fshinte të gjitha gabimet e tij?
19 Davidi u lut më tej: «Fshihe fytyrën tënde prej mëkateve të mia dhe fshiji të gjitha gabimet e mia.» (Psalmi 51:9) Nuk duhet të presim që Jehovai t’i shohë mëkatet me miratim. Prandaj, Davidi kërkoi që Ai ta fshihte fytyrën prej mëkateve të tij. Mbreti kërkoi, gjithashtu, që Perëndia t’i fshinte të gjitha gabimet e tij, të eliminonte të gjithë padrejtësinë e tij. Sikur Jehovai ta kishte bërë këtë! Ajo do ta lehtësonte shumë moralin e Davidit, duke i hequr peshën e një ndërgjegjeje të turbulluar dhe mbreti tashmë i penduar, do ta dinte se Perëndia i tij i dashur e kishte falur.
Çfarë duhet të bësh kur mëkaton?
20. Çfarë është e këshillueshme për çdo të krishterë që ka mëkatuar seriozisht?
20 Psalmi 51 tregon se cilido shërbëtor i dedikuar i Jehovait që ka mëkatuar seriozisht, por që është penduar, me besim mund të kërkojë favorin e tij dhe që ai ta pastrojë nga mëkatet. Nëse je një i krishterë që ke mëkatuar në një mënyrë të tillë, përse të mos i lutesh me përulësi për falje Atit tonë qiellor? Pranoje se ke nevojë për ndihmën e Perëndisë që të mos humbësh miratimin e tij dhe kërko që ai të ripërtërijë gëzimin tënd të mëparshëm. Të krishterët e penduar me besim mund t’i drejtohen Jehovait në lutje, sepse «ai fal në një masë të madhe». (Isaia 55:7; Psalmi 103:10-14) Natyrisht, për të marrë ndihmën e nevojshme frymore, duhen thirrur pleqtë e kongregacionit.—Jakovit 5:13-15.
21. Cili do të jetë shqyrtimi ynë i ardhshëm?
21 Mëshira e Jehovait e shpëton popullin e tij nga dëshpërimi. Por le të shqyrtojmë edhe kërkesat e tjera të sinqerta që Davidi bëri në Psalmin 51. Studimi ynë do të na tregojë se Jehovai nuk e përbuz zemrën e thyer.
Pyetjet për përsëritje
◻ Çfarë ndikimi mund të ketë një mëkat i rëndë mbi një shërbëtor të Jehovait?
◻ Si e ndjeu veten Davidi kur u përpoq ta fshihte mëkatin e tij?
◻ Përse Davidi tha se kishte mëkatuar vetëm kundër Perëndisë?
◻ Edhe pse Perëndia mund t’i marrë në konsideratë rrethanat lehtësuese nëse mëkatojmë, çfarë nuk duhet të bëjmë ne?
◻ Çfarë duhet të bëjë një i krishterë nëse ka mëkatuar rëndë?