Hidhe gjithnjë barrën tënde mbi Jehovain!
SHUMË njerëz sot ndihen të shtypur nga disa barrë. Vështirësitë ekonomike, problemet hidhëruese familjare, problemet shëndetësore, dhimbja dhe vuajtja nga shtypja e tirania dhe një varg mjerimesh të tjera varen si një gur mulliri rreth qafës së tyre. Përveç këtyre presioneve të jashtme, disa ndihen të rënduar nga ndjenja se janë të pavlefshëm dhe të dështuar, për shkak të vetë papërsosmërive të tyre. Shumë tundohen të dorëzohen plotësisht në betejë. Si mund t’u bësh ballë barrëve që duken të padurueshme?
Njëherë, Davidi, mbreti i Izraelit ndiente se presioni ishte gati i padurueshëm. Sipas Psalmit 55, ai u bë jashtëzakonisht i shqetësuar nga ankthi, për shkak të presioneve dhe urrejtjes së armiqve të tij. Ai ndiente dëshpërim të thellë e frikë dhe vetëm mund të rënkonte në hidhërimin e tij. (Psalmi 55:2, 5, 17) Megjithatë, pavarësisht nga brengat e tij, ai gjeti një rrugë për t’i përballuar. Në ç’mënyrë? Ai kërkoi Perëndinë e tij për mbështetje. Këshilla e tij për të tjerët që mund të ndihen si ai, ishte: «Hidh mbi Zotin barrën tënde.»—Psalmi 55:22.
Çfarë donte të thoshte me fjalët «hidh mbi Zotin barrën tënde»? Thjesht vetëm t’i drejtohesh Jehovait në lutje dhe t’i shprehësh ankthin? Apo ne vetë mund të bëjmë diçka për të ndihmuar në lehtësimin e situatës? Ç’mund të themi nëse ndihemi tepër të pavlerë për t’iu afruar Jehovait? Mund të kuptojmë çfarë donte të thoshte Davidi, duke shqyrtuar disa përvoja që ai mund të ketë kujtuar qartë, kur shkroi këto fjalë.
Bëji gjërat me forcën e Jehovait!
A të kujtohet se si Goliadi kalli frikë në zemrat e luftëtarëve të Izraelit? Ky burrë gjigant, mbi 2,7 m i gjatë, i tmerroi ata. (1. Samuelit 17:4-11, 24) Ndërsa Davidi nuk u frikësua. Përse? Sepse ai nuk u përpoq të luftonte me Goliadin me forcën e vet. Që nga koha kur ai ishte mirosur si mbret i ardhshëm i Izraelit, ai kishte lejuar që fryma e Perëndisë ta drejtonte dhe ta forconte në gjithçka bëri. (1. Samuelit 16:13) Kështu, ai i tha Goliadit: «Unë po të dal në emër të Zotit të ushtrive, Perëndisë së ushtrisë së Izraelit që ti ke fyer. Pikërisht sot Zoti do të të dorëzojë në duart e mia.» (1. Samuelit 17:45, 46) Davidi ishte i shkathët në flakjen e gurit me hobe, por ne mund të jemi të sigurt se fryma e shenjtë e Jehovait e drejtoi dhe e bëri vdekjeprurës gurin që ai i hodhi Goliadit.—1. Samuelit 17:48-51.
Davidi e përballoi këtë sfidë jashtëzakonisht të madhe dhe doli fitimtar, duke pasur besim se Perëndia do ta mbështeste dhe do ta forconte atë. Ai kishte zhvilluar një marrëdhënie të mirë dhe plot besim me Jehovain. Pa dyshim që kjo ishte përforcuar nga mënyra se si Jehovai e kishte çliruar atë më parë. (1. Samuelit 17:34-37) Ashtu si Davidi, ti mund të mbash një lidhje të fortë personale me Jehovain dhe të kesh besim të plotë në aftësinë dhe gatishmërinë e tij për të të dhënë forcë dhe për të të mbështetur në të gjitha rrethanat.—Psalmi 34:7, 8.
Bëj sa të mundesh për të zgjidhur problemin!
Por ama, kjo nuk do të thotë se nuk do të ketë kurrë kohë me dhimbje të mëdha, ankth dhe madje frikë, siç tregon qartë Psalmi 55. Për shembull, disa vjet pas kësaj shfaqjeje pa frikë të besimit në Jehovain, Davidi përjetoi frikë të madhe përballë armiqve të tij. Ai humbi miratimin e mbretit Saul, kështu që iu desh të arratisej, sepse e kishte kokën në rrezik. Mundohu të përfytyrosh trazirën emocionale që kjo duhet t’i ketë shkaktuar Davidit, dyshimet që duhet t’i ketë futur në mendje mbi plotësimin e qëllimit të Jehovait! Në fund të fundit, ai ishte mirosur si mbret i ardhshëm i Izraelit, e megjithatë, në këtë rast atij iu desh të shpëtonte kokën, duke u arratisur në shkretëtirë, pasi e kërkonin si një egërsirë. Kur kërkoi të gjente strehim në qytetin e Gathit, që ishte vendlindja e Goliadit, atë e njohën. Çfarë ndodhi më pas? Tregimi thotë se ai «pati frikë të madhe».—1. Samuelit 21:10-12.
Megjithatë, ai nuk lejoi që frika dhe ankthi i madh ta ndalonin që t’i kërkonte ndihmë Jehovait. Sipas Psalmit 34 (që u shkrua si pasojë e kësaj përvoje), Davidi thotë: «Unë e kërkova Zotin dhe ai m’u përgjigj dhe më çliroi nga të gjitha tmerret e mia. Ky i pikëlluar klithi dhe Zoti e plotësoi, e shpëtoi nga të gjitha fatkeqësitë e tij.»—Psalmi 34:4, 6.
Pa dyshim që Jehovai e mbështeti atë. Megjithatë, vëre se Davidi nuk ndenji duarkryq e të priste që Jehovai ta shpëtonte. Ai pranoi nevojën që të bënte gjithçka mundej në këto rrethana, për të dalë nga situata e vështirë. Ai pranoi dorën e Jehovait në çlirimin e tij, por ama ishte ai vetë që veproi, duke u shtirur si i çmendur, në mënyrë që mbreti i Gathit të mos e vriste. (1. Samuelit 21:14–22:1) Edhe ne duhet të bëjmë gjithçka mundemi për t’u bërë ballë barrëve të rënda e jo vetëm të presim që Jehovai të na shpëtojë.—Jakovit 1:5, 6; 2:26.
Mos i shto akoma barrës tënde!
Më vonë, gjatë jetës së tij, Davidi mori edhe një mësim tjetër, një mësim të dhimbshëm. Çfarë mësimi? Atë që nganjëherë ne ia shtojmë barrën vetes. Pas fitores me filistejtë, Davidit nuk i shkuan mirë punët, sepse ai vendosi ta transferonte arkën e besëlidhjes në Jerusalem. Tregimi historik na thotë: «Pastaj u ngrit dhe shkoi me gjithë popullin që ishte me të nga Baale e Judës për të transportuar që andej arkën e Perëndisë . . . Dhe e vendosën arkën e Perëndisë mbi një qerre të re . . . ; Uzahu dhe Ahio, bij të Abinadabit, ngisnin qerren e re.»—2. Samuelit 6:2, 3.
Përdorimi i një qerreje për të transportuar arkën, dhunonte të gjitha udhëzimet që Jehovai kishte dhënë në lidhje me të. Ishte thënë qartë se vetëm mbajtësit e autorizuar, levitët kohathitë, duhej ta mbanin arkën mbi supet e tyre, duke përdorur shkopinjtë e vendosur nëpër rrathë, që ishin vënë posaçërisht për këtë në Arkë. (Dalja 25:13, 14; Numrat 4:15, 19; 7:7-9) Mospërfillja e këtyre udhëzimeve solli fatkeqësi. Kur kafsha duke tërhequr qerren gati e rrëzoi, Uzahu, i cili me gjasë ishte një levit, por sigurisht jo një prift, u zgjat për të mbajtur arkën dhe Jehovai e rrëzoi përtokë për mungesën e respektit.—2. Samuelit 6:6, 7.
Davidi si mbret duhej të mbante një pjesë të përgjegjësisë për këtë. Reagimi i tij tregon se edhe ata që kanë një marrëdhënie të mirë me Jehovain, mund të reagojnë keq në ndonjë rast ndaj situatave të vështira. Në fillim, Davidi u zemërua. Më pas, iu shtua frika. (2. Samuelit 6:8, 9) Marrëdhënia e tij me Jehovain e bazuar në bindje, ishte sprovuar rreptë. Këtu ishte një rast, ku me sa duket ai dështoi ta hidhte barrën e tij mbi Jehovain, kur nuk i ndoqi urdhërimet e tij. A mund të ndodhë edhe me ne nganjëherë kjo situatë? A e fajësojmë ndonjëherë Jehovain për problemet që vijnë për shkak të mospërfilljes së udhëzimeve të tij?—Proverbat 19:3.
Përballimi i barrës së fajit
Më vonë, Davidi i krijoi vetes një barrë shumë të madhe, duke mëkatuar rëndë kundër normave morale të Jehovait. Në këtë rast, Davidi kishte hequr dorë nga përgjegjësia e tij për të drejtuar burrat e tij në luftë. Ai qëndroi në Jerusalem, kurse ata shkuan në betejë. Kjo gjë krijoi shqetësime serioze.—2. Samuelit 11:1.
Mbreti David, pa Betshebën e bukur tek lahej. Ai u zhyt në imoralitet me të dhe ajo mbeti shtatzënë. (2. Samuelit 11:2-5) Për t’u munduar të mbulonte sjelljen e tij të keqe, ai mori masa që burri i saj Urijahu, të kthehej nga fusha e betejës në Jerusalem. Urijahu, nuk pranoi të kishte marrëdhënie martesore me të shoqen, gjatë kohës që Izraeli ishte në betejë. (2. Samuelit 11:6-11) Atëherë, Davidi përdori mënyra të liga dhe dinake për të mbuluar mëkatin e tij. Ai rregulloi që ushtarët që rrinin me Urijahun, ta linin atë në një pozicion të zbuluar në betejë, që të mund të vritej. Një mëkat i tmerrshëm dhe i rëndë.—2. Samuelit 11:12-17.
Pa dyshim, Davidit iu kërkua llogari për mëkatin e tij dhe ai doli në shesh. (2. Samuelit 12:7-12) Përfytyro peshën e hidhërimit dhe të fajit që duhet të ketë ndier Davidi kur kuptoi poshtërsinë e asaj që kishte bërë si rezultat i pasionit! Ai mund të ketë qenë i shpartalluar nga vetë ndjenja e tij e dështimit, sidomos për shkak se ai ishte një njeri i ndjeshëm dhe i prekshëm. Ai mund të jetë ndier fare pa vlerë.
Megjithatë, Davidi e pranoi shpejt gabimin, duke i thënë profetit Natan: «Kam mëkatuar kundër Zotit.» (2. Samuelit 12:13) Psalmi 51 na tregon se si u ndie ai dhe si iu lut Perëndisë Jehova që ta pastronte dhe ta falte. Ai u lut: «Më pastro tërësisht nga paudhësia ime dhe më pastro nga mëkati im, sepse i pranoj të ligat që kam bërë dhe mëkati im më rri gjithnjë përpara.» (Psalmi 51:2, 3) Duke qenë se u pendua me të vërtetë, ai qe në gjendje të ndërtonte përsëri marrëdhënien e tij të fortë e të ngushtë me Jehovain. Davidi nuk u përqendrua në brejtjen e ndërgjegjes dhe në ndjenjat e pavlefshmërisë. Ai e hodhi barrën e tij mbi Jehovain, duke e pranuar gabimin me përulësi, duke treguar pendim të sinqertë dhe duke u lutur me zjarr për faljen e Jehovait. Ai e fitoi përsëri miratimin e Perëndisë.—Psalmi 51:7-12, 15-19.
Përballimi i tradhtisë
Kjo na çon në episodin që e nxiti Davidin të shkruante Psalmin 55. Ai po përjetonte një sforcim të madh emocional. «Zemra ime është e shqetësuar në trupin tim,—shkroi ai,—dhe tmerre që shkaktojnë vdekjen kanë rënë mbi mua.» (Psalmi 55:4) Ç’gjë e shkaktonte këtë dhimbje? Absalomi, biri i Davidit, kishte thurur plane për t’i rrëmbyer mbretërimin Davidit. (2. Samuelit 15:1-6) Kjo tradhti nga i biri, ishte mjaft e rëndë për t’u mbajtur, por më e keqja ishte se këshilluesi më i besuar i Davidit, një burrë me emrin Ahitofel, u bashkua në komplot kundër Davidit. Në Psalmin 55:12-14 Davidi përshkruan pikërisht Ahitofelin. Për pasojë të komplotit dhe tradhtisë, Davidit iu desh të ikte nga Jerusalemi. (2. Samuelit 15:13, 14) Ç’ankth duhet t’i ketë shkaktuar atij kjo gjë!
Megjithatë, ai nuk lejoi që ndjenja dhe pikëllimi i tij shumë i madh, të dobësonin besimin dhe bindjen e tij në Jehovain. Ai iu lut Jehovait të prishte planet e komplotistëve. (2. Samuelit 15:30, 31) Përsëri shohim se Davidi nuk priti thjesht në mënyrë pasive që Jehovai ta bënte gjithë punën. Sa herë t’i jepej mundësia, ai bënte aq sa mundej për të luftuar komplotin që ishte ngritur kundër tij. Ai dërgoi Hushain, një tjetër këshillues të tij në Jerusalem për t’u shtirur se ishte bashkuar në komplot, kur në fakt, ai shkoi për ta minuar. (2. Samuelit 15:32-34) Me mbështetjen e Jehovait, ky plan pati sukses. Hushai fitoi mjaft kohë që Davidi të rigruponte forcat dhe të organizohej për t’u mbrojtur.—2. Samuelit 17:14.
Sa duhet ta ketë çmuar gjatë gjithë jetës së tij Davidi kujdesin mbrojtës të Jehovait, si dhe durimin dhe gatishmërinë e tij për të falur! (Psalmi 34:18, 19; 51:17) Pikërisht në këtë sfond, Davidi na inkurajon me besim që në kohë mjerimi t’i drejtohemi Jehovait për ndihmë, ‘të hedhim barrën tonë mbi Jehovain’.—Krahaso 1. Pjetrit 5:6, 7.
Ndërto dhe mbaj një lidhje të fortë e të bazuar në bindje me Jehovain!
Si mund të arrijmë atë marrëdhënie që kishte Davidi me Jehovain, atë marrëdhënie që e mbështeti atë në kohë sprovash dhe mjerimesh të mëdha? E ndërtojmë një marrëdhënie të tillë, duke studiuar me zell Fjalën e Perëndisë, Biblën. Ne e lejojmë atë të na udhëzojë mbi ligjet, parimet dhe personalitetin e tij. (Psalmi 19:7-11) Ndërsa meditojmë mbi Fjalën e Perëndisë, ne bëhemi gjithnjë e më të afërt me të dhe mësojmë të mbështetemi tek ai pa asnjë dyshim. (Psalmi 143:1-5) E thellojmë dhe e forcojmë këtë marrëdhënie, duke u shoqëruar me bashkadhuruesit për të qenë më të arsimuar nga Jehovai. (Psalmi 122:1-4) Ne e rrisim marrëdhënien me Jehovain përmes lutjes së përzemërt.—Psalmi 55:1.
Vërtet, Davidi ashtu si edhe ne, kishte rëniet e tij kur marrëdhënia e tij me Jehovain nuk ishte aq e fortë sa duhej të ishte. Shtypja mund të na bëjë «të pamend». (Eklisiastiu 7:7) Por Jehovai e shikon çfarë po ndodh dhe ai e di çfarë ka në zemrën tonë. (Eklisiastiu 4:1; 5:8) Duhet të punojmë shumë për ta mbajtur të fortë marrëdhënien tonë me Jehovain. Atëherë, çfarëdo barre që do të na duhet të mbajmë, mund të besojmë tek Jehovai që të na çlirojë nga presionet dhe të na japë forcë për të përballuar situatën. (Filipianëve 4:6, 7, 13) Çështje e rëndësishme është të qëndrojmë afër Jehovait. Kur Davidi vepronte kështu, ai ishte plotësisht i sigurt.
Prandaj, cilatdo qofshin rrethanat e tua, siç thotë edhe Davidi, hidhe gjithnjë barrën tënde mbi Jehovain. Atëherë do të përjetojmë vërtetësinë e premtimit: «Ai do të të mbajë; ai nuk do të lejojë kurrë që i drejti të lëkundet.»—Psalmi 55:22.