PERËNDI
Gjithçka që adhurohet mund të quhet perëndi ose zot, përderisa adhuruesi e konsideron më të fuqishëm se veten dhe e përnderon. Disa madje mund të lejojnë që edhe barku t’u bëhet perëndi. (Ro 16:18; Fi 3:18, 19) Bibla përmend shumë perëndi (Ps 86:8; 1Ko 8:5, 6), por tregon se perënditë e kombeve janë të pavlera.— Ps 96:5; shih PERËNDITË DHE PERËNDESHAT.
Termat hebraikë. Ndër fjalët hebraike të përkthyera «perëndi» është fjala ʼEl, që ndoshta do të thotë «i fuqishëm; i fortë». (Zn 14:18) Ajo përdoret për Jehovain, për perënditë e tjera dhe për njerëzit. Përdoret gjerësisht edhe për të formuar emra të përveçëm, si Elise (që do të thotë «Perëndia është shpëtim») dhe Mikael («kush është si Perëndia?»). Në disa raste ʼEl del me nyjën shquese (haʼÉl, fjalë për fjalë «Perëndia») kur përdoret për Jehovain, duke e veçuar kështu nga perënditë e tjera.—Zn 46:3; 2Sa 22:31; shih shtojcën te BR, f. 1672.
Tek Isaia 9:6 Jezu Krishti quhet në mënyrë profetike ʼEl Gibbóhr, «Perëndi i Fuqishëm» (dhe jo ʼEl Shaddái [Perëndi i Plotfuqishëm], që përdoret për Jehovain te Zanafilla 17:1).
Fjala ʼelím, shumësi i ʼel, përdoret për perënditë e tjera, si te Dalja 15:11 («perëndive»). Gjithashtu, përdoret edhe si shumësi i madhështisë dhe i shkëlqimit, si te Psalmi 89:6: «Kush mund t’i përngjajë Jehovait mes bijve të Perëndisë [bivenéh ʼElím]?» Shumësi këtu dhe në disa vargje të tjera i referohet një individi, e këtë e mbështet përkthimi i fjalës ʼElím me fjalën Theós në numrin njëjës te Septuaginta greke dhe po ashtu Deus te Vulgata latine.
Fjala hebraike ʼelohím (perënditë) duket se vjen nga rrënja e fjalës që do të thotë «të jesh i fortë». ʼElohím është shumësi i ʼelóhah (perëndi). Ndonjëherë ky shumës përdoret për disa perëndi (Zn 31:30, 32; 35:2), por më shpesh përdoret si shumësi i madhështisë, i dinjitetit ose i shkëlqimit. Në Shkrime, ʼElohím është përdorur për vetë Jehovain, për engjëjt, për idhujt (në njëjës e në shumës) dhe për njerëzit.
Kur bëhet fjalë për Jehovain, ʼElohím përdoret si shumësi i madhështisë, i dinjitetit ose i shkëlqimit. (Zn 1:1) Aaron Emberi shkroi për këtë: «Që gjuha e B[esëlidhjes] së V[jetër] ka hequr dorë plotësisht nga ideja e shumësit tek . . . [ʼElohím] (siç përdoret për Perëndinë e Izraelit), shihet sidomos nga fakti se ajo ndërthuret pothuajse gjithmonë me një kallëzues foljor në njëjës dhe merr veçorinë e një mbiemri në njëjës. . . . [ʼElohím] duhet shpjeguar si një fjalë në numrin shumës intensiv, e cila tregon madhështi e madhëri dhe është njësoj me togfjalëshin Perëndia i Madh.»—The American Journal of Semitic Languages and Literatures, vëll. XXI, 1905, f. 208.
Titulli ʼElohím e drejton vëmendjen te fuqia e Jehovait si Krijuesi. Në tregimin e krijimit del 35 herë i vetëm, dhe folja është gjithmonë në numrin njëjës kur përshkruan çfarë tha e bëri Jehovai. (Zn 1:1–2:4) Ai është burimi i fuqisë së pakufishme.
Te Psalmi 8:5 edhe engjëjt quhen ʼelohím, siç tregohet në rastin kur Pavli citon këtë varg te Hebrenjve 2:6-8. Te Zanafilla 6:2, 4 dhe te Jobi 1:6; 2:1 engjëjt quhen benéh haʼElohím, «bijt’ e Perëndisë» (Kris ); «bijtë e Perëndisë së vërtetë» (BR). Në një vepër nga Koleri dhe Bomgartneri (Lexicon in Veteris Testamenti Libros, 1958, f. 134) për ta thuhet: «Qenie hyjnore (individuale), perëndi.» Kurse në faqen 51 thuhet «perënditë (njëjës)», dhe citohen Zanafilla 6:2; Jobi 1:6; 2:1; 38:7. Prandaj, te Psalmi 8:5 ʼelohím përkthehet «engjëj» (LXX ); «që ngjajnë si Perëndi» (BR).
Fjala ʼelohím përdoret edhe për idhujt. Ndonjëherë, kjo formë në shumës do të thotë thjesht ‘perënditë’. (Da 12:12; 20:23) Në raste të tjera është shumësi i shkëlqimit dhe përdoret vetëm për një perëndi (ose perëndeshë). Sidoqoftë është e qartë se këto perëndi nuk ishin trini.—1Sa 5:7b (Dagoni); 1Mb 11:5 (‘perëndesha’ Ashtoreth); Dn 1:2b (Marduku).
Te Psalmi 82:1, 6, fjala ʼelohím përdoret për njerëz, për gjykatësit në Izrael. Jezui citoi nga ky Psalm te Gjoni 10:34, 35. Ata ishin perëndi në pozitën që kishin si përfaqësues të Jehovait dhe si zëdhënës të tij. Po ashtu, Moisiut iu tha se do të shërbente si «Perëndi» për Aaronin dhe për faraonin.—Da 4:16, shën., NW; 7:1.
Në Shkrime, fjala ʼElohím gjendet në mjaft raste edhe e paraprirë nga nyja shquese ha. (Zn 5:22) Për sa i përket përdorimit të haʼElohím, F. Zorelli thotë: «Në Shkrimet e Shenjta, veçanërisht i vetmi Perëndi i vërtetë, Jahveu, përshkruhet me këtë fjalë; . . . ‘Jahveu është [i vetmi] Perëndi [i vërtetë]’ Lp 4:35; 4:39; Js 22:34; 2Sa 7:28; 1Mb 8:60, etj.»—Lexicon Hebraicum Veteris Testamenti, Romë, 1984, f. 54, kllapat katrore dhe kursivet janë të tijat.
Termi grek. Zakonisht, ekuivalenti grek për ʼEl dhe ʼElohím në përkthimin e Septuagintës dhe fjala për «Perëndi» ose «perëndi» në Shkrimet e Krishtere Greke është theós.
Perëndia i vërtetë, Jehovai. Perëndia i vërtetë nuk është pa emër. Emri i tij është Jehova. (Lp 6:4; Ps 83:18) Ai është Perëndi sepse është Krijuesi i gjithçkaje. (Zn 1:1; Zb 4:11) Perëndia i vërtetë është real (Gjo 7:28), një person. (Ve 3:19; He 9:24) Nuk është ndonjë ligj natyror i pajetë që vepron pa një ligjvënës e as ndonjë forcë e verbër që i krijon gjërat nëpërmjet një sërë ngjarjesh të rastësishme. Botimi i vitit 1956 i The Encyclopedia Americana (vëll. XII, f. 743) komentonte kështu te zëri «Zot»: «Në kuptimin e krishterë, muhamedan dhe judaik, Qenia Supreme, Shkaku i Parë, dhe në kuptimin e përgjithshëm, siç konsiderohet sot në mbarë botën e qytetëruar, një qenie frymore që vetekziston, e përjetshme, si edhe absolutisht e lirë dhe e plotfuqishme, që dallon nga materia që ka krijuar në forma të shumta, të cilën e ruan dhe e kontrollon. Duket se nuk ka pasur asnjë periudhë në histori kur njerëzimi të mos ketë besuar te një krijues i mbinatyrshëm dhe sundimtar i universit.»
Prova se «Perëndia i gjallë» ekziston. Rregulli, fuqia dhe kompleksiteti i krijimit, në nivel makroskopik dhe mikroskopik, si edhe mënyra si ka vepruar Perëndia me popullin e vet gjatë gjithë historisë, vërtetojnë se ai ekziston. Shkencëtarët mësojnë shumë kur analizojnë atë që mund të quhet Libri i Krijimit Hyjnor. Që të mësosh nga një libër, autori duhet ta ketë përgatitur mirë e të ketë hedhur në të ide inteligjente.
Krejt ndryshe nga perënditë e pajeta të kombeve, Jehovai është «Perëndia i gjallë». (Jr 10:10; 2Ko 6:16) Kudo shihet dora dhe madhështia e tij. «Qiejt shpallin lavdinë e Perëndisë, hapësira qiellore flet për veprën e duarve të tij.» (Ps 19:1) Njerëzit nuk kanë arsye a justifikim ta mohojnë Perëndinë, sepse «ajo që mund të dihet për Perëndinë, duket qartë ndër ta, sepse Perëndia ua shfaqi. Cilësitë e tij të padukshme, madje edhe fuqia e tij e përjetshme dhe Hyjnia e tij, shihen qartë që nga krijimi i botës, pasi dallohen nga gjërat e bëra, prandaj ata nuk kanë asnjë justifikim».—Ro 1:18-20.
Bibla thotë se Perëndia Jehova ekziston mot e jetë, në jetë të jetëve (Ps 90:2, 4; Zb 10:6), dhe se është Mbret i përjetësisë, i paprishshëm, i padukshëm, i vetmi Perëndi i vërtetë. (1Ti 1:17) Përpara tij nuk ka ekzistuar asnjë perëndi tjetër.—Is 43:10, 11.
Pafundësisht madhështor, por i afrueshëm. Perëndia i vërtetë është pafundësisht madhështor dhe mendja e njeriut nuk e percepton dot plotësisht. Krijesa nuk mund të shpresojë kurrë të bëhet e barabartë me Krijuesin e vet ose të kuptojë plotësisht mënyrën si mendon Ai. (Ro 11:33-36) Por mund ta gjejmë dhe t’i afrohemi Perëndisë, i cili u jep adhuruesve të vet çdo gjë të nevojshme për mirëqenien dhe lumturinë e tyre. (Ve 17:26, 27; Ps 145:16) Ai është plotësisht i aftë dhe i gatshëm t’u japë dhurata e gjëra të mira krijesave të tij, siç është shkruar: «Çdo dhuratë e mirë dhe çdo gjë e përsosur që na jepet, është nga lart, sepse zbret nga Ati i dritave qiellore, që nuk ndryshon, siç ndryshon hija gjatë rrotullimit.» (Jk 1:17) Jehovai vepron gjithmonë brenda normave të tij të drejta, duke bërë gjithçka sipas një baze ligjore. (Ro 3:4, 23-26) Prandaj, të gjitha krijesat mund t’i besojnë plotësisht duke ditur se gjithmonë u përmbahet parimeve që vendos. Ai nuk ndryshon (Ma 3:6), nuk «ndryshon» as edhe kur zbaton parimet e veta. Është i paanshëm (Lp 10:17, 18; Ro 2:11) dhe nuk mund të gënjejë.—Nu 23:16, 19; Tit 1:1, 2; He 6:17, 18.
Karakteristikat e tij. Perëndia i vërtetë nuk ndodhet kudo, pasi për të thuhet se ka një vendbanim. (1Mb 8:49; Gjo 16:28; He 9:24) Froni i tij është në qiej. (Is 66:1) Ai është i gjithëpushtetshëm, pasi është Perëndia i Plotfuqishëm. (Zn 17:1; Zb 16:14) ‘Të gjitha gjërat janë lakuriq dhe fare sheshit në sytë e tij’ dhe «Ai . . . thotë përfundimin qysh në fillim». (He 4:13; Is 46:10, 11; 1Sa 2:3) Fuqia dhe njohuria e tij shtrihen kudo, në çdo skaj të universit.—2Kr 16:9; Ps 139:7-12; Am 9:2-4.
Perëndia i vërtetë është frymë, nuk është prej mishi (Gjo 4:24; 2Ko 3:17), ndonëse ndonjëherë i krahason me aftësitë njerëzore karakteristikat e tij, si shikimin, fuqinë, etj. Ndaj flet në mënyrë të figurshme për ‘krahun’ (Da 6:6), «sytë» dhe «veshët» e tij (Ps 34:15), dhe tregon se, meqë është Krijuesi i syrit dhe i veshit njerëzor, patjetër që mund të shohë e të dëgjojë.—Ps 94:9.
Disa nga cilësitë kryesore të Perëndisë janë dashuria (1Gjo 4:8), mençuria (Pr 2:6; Ro 11:33), drejtësia (Lp 32:4; Lu 18:7, 8) dhe fuqia (Jb 37:23; Lu 1:35). Ai është Perëndi i rregullit dhe i paqes. (1Ko 14:33) Është krejtësisht i shenjtë dhe i pastër (Is 6:3; Ha 1:13; Zb 4:8); i lumtur (1Ti 1:11) dhe i mëshirshëm (Da 34:6; Lu 6:36). Në Shkrime përshkruhen edhe shumë cilësi të tjera të personalitetit të tij.
Pozita e tij. Jehovai është Sovrani Suprem i universit, Mbreti i përjetshëm. (Ps 68:20; Dn 4:25, 35; Ve 4:24; 1Ti 1:17) Froni i tij është më i larti. (Ezk 1:4-28; Dn 7:9-14; Zb 4:1-8) Ai është Madhëria (He 1:3; 8:1), Perëndia i Madhërishëm, i Madhërishmi. (1Sa 4:8; Is 33:21) Është burimi i jetës.— Jb 33:4; Ps 36:9; Ve 17:24, 25.
Drejtësia dhe lavdia e tij. Perëndia i vërtetë është i drejtë. (Ps 7:9) Ai është Perëndia i lavdishëm. (Ps 29:3; Ve 7:2) Është më madhështor se gjithçka (Lp 33:26), meqë është i veshur me madhështi e forcë (Ps 93:1; 68:34), si dhe me lavdi e shkëlqim. (Ps 104:1; 1Kr 16:27; Jb 37:22; Ps 8:1) «Gjithçka bën ai, është e lavdishme dhe plot shkëlqim.» (Ps 111:3) Në Mbretërinë e tij ka lavdi e shkëlqim.— Ps 145:11, 12.
Qëllimi i tij. Perëndia ka një qëllim që do ta plotësojë dhe asgjë nuk mund ta pengojë. (Is 46:10; 55:8-11) Qëllimi i tij, siç tregohet tek Efesianëve 1:9, 10, është që ‘të mbledhë përsëri së bashku në Krishtin të gjitha gjërat, gjërat në qiej dhe gjërat në tokë’. Me anë të Krishtit, të gjitha krijesat me intelekt do të jenë në harmoni të plotë me Perëndinë. (Krahaso Mt 6:9, 10.) Asgjë nuk ekzistonte para Jehovait, prandaj ai është më i lashti. (Is 44:6) Duke qenë Krijuesi, ka ekzistuar para çdo perëndie tjetër dhe ‘pas tij prapë nuk do të ketë asnjë’, sepse kombet nuk do të nxjerrin kurrë një perëndi të vërtetë e të gjallë që mund të profetizojë. (Is 43:10; 46:9, 10) Si Alfa dhe Omega (Zb 22:13), është i vetmi Perëndi i Plotfuqishëm. Si i tillë do të zgjidhë një herë e mirë çështjen se kush është Perëndia i vërtetë e do të shfajësohet përgjithmonë si i vetmi Perëndi i Plotfuqishëm. (Zb 1:8; 21:5, 6) Ai kurrë nuk i harron ose nuk heq dorë nga qëllimet a besëlidhjet e tij, dhe kjo e bën Perëndi të besueshëm e besnik.—Ps 105:8.
Perëndi që komunikon. Perëndia i do shumë krijesat e tij, prandaj u jep plot mundësi që ta njohin atë dhe qëllimet e tij. Njerëz në tokë e kanë dëgjuar në tri raste zërin e tij. (Mt 3:17; 17:5; Gjo 12:28) Ai ka komunikuar nëpërmjet engjëjve (Lu 2:9-12; Ve 7:52, 53) dhe njerëzve që u dha udhëzime e zbulesa, si për shembull Moisiut, dhe sidomos me anë të të Birit, Jezu Krishtit. (He 1:1, 2; Zb 1:1) Fjala e tij e shkruar është mënyra si komunikon me popullin e vet, duke i pajisur plotësisht si shërbëtorë të tij dhe duke i drejtuar në udhën e jetës.—2Pj 1:19-21; 2Ti 3:16, 17; Gjo 17:3.
Krejt ndryshe nga perënditë e kombeve. Perëndia i vërtetë, Krijuesi i trupave të lavdishëm qiellorë, ka lavdi dhe shkëlqim përtej asaj që mund të përballojë shikimi njerëzor, sepse ‘asnjë njeri nuk mund ta shohë Perëndinë e të jetojë’. (Da 33:20) Vetëm engjëjt, krijesa frymore, mund ta shohin fytyrën e tij në kuptimin e mirëfilltë. (Mt 18:10; Lu 1:19) Por Perëndia nuk i vë njerëzit përballë një rreziku të tillë. Me dashamirësi u jep mundësi t’i shohin cilësitë e tij të shkëlqyera me anë të Biblës. Aty tregon për veten edhe nëpërmjet të Birit, Krishtit Jezu.—Mt 11:27; Gjo 1:18; 14:9.
Te libri i Zbulesës, Perëndia na jep një ide si ndikon prania e tij te njerëzit. Apostulli Gjon, si të thuash, pa Perëndinë në një vegim, pra në kuptimin që iu dha një ide si ndihesh po ta shohësh Atë në fron. Perëndia nuk dukej si njeri, sepse nuk u ka treguar njerëzve ndonjë pamje të vetes, siç tha Gjoni më vonë: «Askush s’e ka parë asnjëherë Perëndinë.» (Gjo 1:18) Përkundrazi, Perëndia dukej si xhevahire tejet të shndritshme, të çmuara, vezulluese, të bukura, që janë tërheqëse për syrin dhe ngjallin admirim. Ai ‘i ngjante një guri diaspri dhe një guri të çmuar të kuq, ndërsa rreth e përqark fronit kishte një ylber, që ngjante si smerald’. (Zb 4:3) Prandaj është aq i hijshëm dhe i këndshëm për t’u parë, sa të mrekullon. Edhe përreth fronit të tij ka lavdi dhe qetësi e paqe. Këto paraqiten nga një ylber i plotë si smerald që të kujton qetësinë e këndshme pas një stuhie.—Krahaso Zn 9:12-16.
Sa ndryshe është pra Perëndia i vërtetë nga perënditë e kombeve, të cilat shpesh përshkruhen si groteske, të zemëruara, të egra, mizore, të pamëshirshme, që tregojnë pëlqim e mospëlqim sipas tekave, djallëzore e që të kallin datën, gati për t’i torturuar krijesat tokësore në ndonjë lloj ferri.
‘Një Perëndi që kërkon t’i përkushtohesh vetëm atij.’ «Ndonëse ekzistojnë ata që quhen ‘perëndi’, qoftë në qiell, qoftë në tokë, ashtu sikurse ka shumë ‘perëndi’ dhe shumë ‘zotërinj’, në të vërtetë për ne ka një Perëndi të vetëm, Ati.» (1Ko 8:5, 6) Jehovai është Perëndia i Plotfuqishëm, i vetmi Perëndi i vërtetë, dhe me të drejtë kërkon t’i përkushtohemi vetëm atij. (Da 20:5) Shërbëtorët e tij nuk duhet të lejojnë që asgjë dhe askush të zërë në zemrën dhe në veprimet e tyre vendin që me të drejtë i takon Jehovait. Ai u kërkon adhuruesve të vet ta adhurojnë me frymë dhe të vërtetë. (Gjo 4:24) Ata duhet të kenë nderim të thellë vetëm për të.— Is 8:13; He 12:28, 29.
Mes personave të tjerë të fuqishëm të quajtur «perëndi» në Bibël, është Jezu Krishti, «perëndia i vetëmlindur». Mirëpo ai vetë e tha shkoqur: «Jehovain, Perëndinë tënd, adhuro dhe vetëm atij bëji shërbim të shenjtë.» (Gjo 1:18; Lu 4:8; Lp 10:20) Engjëjt «ngjajnë si perëndi», por njëri prej tyre nuk e lejoi Gjonin që ta adhuronte dhe i tha: «Kujdes! Mos e bëj! . . . Perëndinë adhuro!» (Ps 8:5; He 2:7; Zb 19:10) Burra të fuqishëm mes hebrenjve quheshin ‘perëndi’ (Ps 82:1-7); ama Perëndia nuk kishte si qëllim që ndonjë njeri të adhurohej. Kur Korneli nisi t’i bënte nderime Pjetrit, apostulli e ndaloi me fjalët: «Ngrihu, edhe unë jam njeri.» (Ve 10:25, 26) Patjetër që perënditë e rreme të shpikura a të sajuara nga njerëzit gjatë shekujve që nga rebelimi në Eden, nuk duhen adhuruar. Ligji i Moisiut na paralajmëron fuqimisht të mos e braktisim Jehovain për to. (Da 20:3-5) Jehovai, Perëndia i vërtetë, nuk do ta tolerojë përgjithmonë rivalitetin e perëndive të rreme e të pavlera.—Jr 10:10, 11.
Pas Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit, gjatë të cilit do të asgjësojë çdo autoritet dhe fuqi që kundërshton Perëndinë, ai do t’ia dorëzojë Mbretërinë Perëndisë dhe Atit të tij, që në atë kohë do të bëhet «gjithçka për të gjithë». (Ro 8:33; 1Ko 15:23-28) Si përfundim, të gjithë ata që do të jetojnë, do ta pranojnë sovranitetin e Perëndisë dhe do ta lëvdojnë emrin e tij përgjithmonë.—Ps 150; Fi 2:9-11; Zb 21:22-27; shih JEHOVAI.