Jehovai na tregon si t’i numërojmë ditët tona
«Na trego si t’i numërojmë ditët tona në mënyrë të tillë, që të kemi një zemër me mençuri.»—PSALMI 90:12, BR.
1. Përse është e përshtatshme t’i kërkojmë Jehovait që të na tregojë si «t’i numërojmë ditët tona»?
PERËNDIA JEHOVA është Krijuesi dhe Jetëdhënësi ynë. (Psalmi 36:9; Zbulesa 4:11) Prandaj, askush tjetër nuk mund të jetë në një pozitë më të mirë për të na treguar se si t’i përdorim në mënyrë të mençur vitet e jetës sonë. Pra, në mënyrë të përshtatshme, psalmisti iu lut Perëndisë: «Na trego si t’i numërojmë ditët tona në mënyrë të tillë, që të kemi një zemër me mençuri.» (Psalmi 90:12, BR) Psalmi 90, ku gjejmë këtë lutje, e meriton patjetër ta shqyrtojmë me kujdes. Por, së pari, le t’i hedhim shkurtimisht një vështrim të përgjithshëm kësaj kënge të frymëzuar nga Perëndia.
2. (a) Cili përmendet si kompozitori i Psalmit 90 dhe kur mund të jetë shkruar ky psalm? (b) Si duhet të ndikojë Psalmi 90 në pikëpamjen që kemi për jetën?
2 Mbishkrimi i Psalmit 90 e quan këtë psalm «lutje e Moisiut, e njeriut të Perëndisë». Meqë ky psalm thekson natyrën kalimtare të jetës së njeriut, ndoshta u kompozua pasi izraelitët u çliruan nga skllavëria egjiptiane dhe gjatë udhëtimit të tyre 40-vjeçar në shkretëtirë, gjatë të cilit mijëra vdekje bënë që të shfarosej një brez pa besim. (Numrat 32:9-13) Kurdo që të jetë kompozuar, Psalmi 90 tregon se jeta e njerëzve të papërsosur është e shkurtër. Qartë, pra, duhet t’i përdorim me mençuri ditët tona të çmuara.
3. Cila është përmbajtja bazë e Psalmit 90?
3 Në Psalmin 90, vargjet 1 deri në 6 e identifikojnë Jehovain si banesën tonë të përjetshme. Ps 90 Vargjet 7 deri në 12 tregojnë për çfarë kemi nevojë, që t’i përdorim vitet kalimtare të jetës sonë në një mënyrë që është e pranueshme për të. Gjithashtu, siç shprehet në Ps 90 vargjet 13 deri në 17, ne dëshirojmë me ngulm që të marrim dashamirësinë dhe bekimin e Jehovait. Sigurisht, ky psalm nuk parashikon përvojat tona personale si shërbëtorë të Jehovait. Gjithsesi, ne duhet t’i marrim personalisht për zemër ndjenjat e shfaqura në këtë psalm në formë lutjeje. Pra, le ta shqyrtojmë më nga afër Psalmin 90, me syrin e atyre që i janë dedikuar Perëndisë.
Jehovai—«Banesë e vërtetë» për ne
4-6. Në ç’mënyrë Jehovai është «një banesë e vërtetë» për ne?
4 Psalmisti fillon me fjalët: «O Jehova, ti vetë ke treguar se je një banesë e vërtetë për ne brez pas brezi. Para se të lindnin malet ose para se ti të sillje në jetë si me dhembje lindjeje tokën dhe vendin prodhimtar, që nga koha e pacaktuar e deri në kohë të pacaktuar ti je Perëndi [ose, Hyjnori].»—Psalmi 90:1, 2, shënimi, BR.
5 ‘Perëndia i përjetshëm’, Jehovai, është «një banesë e vërtetë» për ne, një strehë frymore. (Romakëve 16:26) Ndihemi të sigurt, sepse ai është gjithnjë gati për të na ndihmuar si «Dëgjues i lutjes». (Psalmi 65:2, BR) Duke qenë se i hedhim ankthet mbi Atin tonë qiellor nëpërmjet Birit të tij të dashur, ‘paqja e Perëndisë, që tejkalon çdo mendim, ruan zemrat tona dhe fuqitë tona mendore’.—Filipianëve 4:6, 7; Mateu 6:9; Gjoni 14:6, 14.
6 Gëzojmë siguri frymore, sepse, duke folur në kuptimin figurativ, Jehovai është për ne «një banesë e vërtetë». Gjithashtu, ai siguron ‘dhoma të brendshme’—që ka të ngjarë të lidhen ngushtë me kongregacionet e popullit të tij—si limane frymore, ku barinj të dashur ndihmojnë shumë për të na e shtuar ndjenjën e sigurisë. (Isaia 26:20, BR; 32:1, 2; Veprat 20:28, 29) Për më tepër, disa prej nesh u përkasin familjeve që kanë një histori të gjatë në shërbim të Perëndisë dhe e kanë provuar personalisht se ai është ‘një banesë e vërtetë brez pas brezi’.
7. Në cilin kuptim malet ‘lindën’ dhe toka u soll në jetë si me «dhembje lindjeje»?
7 Jehovai ekzistonte para se të «lindnin» malet ose para se toka të sillej në jetë si me «dhembje lindjeje». E parë nga një këndvështrim njerëzor, krijimi i kësaj toke me të gjitha veçoritë, përbërjen kimike dhe mekanizmat e saj të ndërlikuara kërkonte shumë përpjekje. Dhe, duke thënë që malet ‘lindën’ dhe që toka u soll në jetë si me «dhembje lindjeje» psalmisti po tregon nderim të madh për sasinë e punës që u përfshi kur Jehovai krijoi këto gjëra. A nuk duhet të kemi edhe ne nderim dhe çmueshmëri të ngjashme për veprën e duarve të Krijuesit?
Jehovai na gjendet gjithnjë pranë
8. Çfarë nënkupton pohimi se Jehovai është Perëndi «nga koha e pacaktuar e deri në kohë të pacaktuar»?
8 «Që nga koha e pacaktuar e deri në kohë të pacaktuar ti je Perëndi»,—këndoi psalmisti. «Koha e pacaktuar» mund të bëjë fjalë për gjëra që e kanë një fund, por zgjatja e të cilave nuk është specifikuar. (Eksodi [Dalja] 31:16, 17, BR; Hebrenjve 9:15) Gjithsesi, në Psalmin 90:2, si edhe në vende të tjera në Shkrimet Hebraike, ‘kohë e pacaktuar’ do të thotë ‘e përjetshme’. (Predikuesi [Eklisiastiu] 1:4, BR) Mendja jonë nuk mund ta kuptojë se si është e mundur që Perëndia ka ekzistuar gjithnjë. Por Jehovai nuk ka pasur fillim e nuk do të ketë fund. (Habakuku 1:12) Ai do të jetojë gjithnjë dhe do të jetë gjithnjë gati për të na ndihmuar.
9. Me çfarë i barazon psalmisti një mijë vjet të ekzistencës njerëzore?
9 Psalmisti u frymëzua që t’i barazonte një mijë vjet të ekzistencës njerëzore me një kohë shumë të shkurtër në pikëpamjen e Krijuesit të përjetshëm. Duke iu drejtuar Perëndisë, ai shkroi: «Ti bën që njeriu i vdekshëm të kthehet në lëndë të thërrmuar dhe thua: ‘Kthehuni, o bij njerëzish.’ Sepse një mijë vjet në sytë e tu janë veç si e djeshmja kur ka kaluar, si ndërresa e rojës gjatë natës.»—Psalmi 90:3, 4, BR.
10. Si e bën Perëndia njeriun «të kthehet në lëndë të thërrmuar»?
10 Njeriu është i vdekshëm dhe Perëndia e bën «të kthehet në lëndë të thërrmuar». Domethënë, njeriu kthehet «në pluhur» si dhé i thërrmuar ose i pluhurizuar. Në të vërtetë, Jehovai thotë: ‘Kthehu në pluhurin e tokës nga i cili u bëre.’ (Zanafilla 2:7; 3:19) Kjo vlen për të gjithë—të fortë ose të dobët, të pasur ose të varfër—sepse asnjë njeri i papërsosur ‘nuk mund të shpengojë kurrsesi vëllanë e tij, as t’i japë Perëndisë çmimin e shpengimit të tij, që të jetojë përjetë’. (Psalmi 49:6-9) Por sa mirënjohës jemi që ‘Perëndia dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që ushtron besim tek ai të ketë jetë të përhershme’!—Gjoni 3:16; Romakëve 6:23.
11. Përse mund të themi se ajo që për ne është një kohë e gjatë për Perëndinë është shumë e shkurtër?
11 Nga këndvështrimi i Jehovait, edhe Metuselahu 969-vjeçar jetoi më pak se një ditë. (Zanafilla 5:27) Për Perëndinë një mijë vjet janë veç si e djeshmja—një periudhë vetëm 24-orëshe—kur ka kaluar. Psalmisti vëren, gjithashtu, se për Perëndinë, një mijë vjet janë si ndërresa prej katër orësh e një rojeje në një fushim gjatë natës. (Gjyqtarët 7:19) Pra, është e qartë: ajo që për ne është një kohë e gjatë për Perëndinë e përjetshëm, Jehovain, është shumë e shkurtër.
12. Në ç’mënyrë Perëndia i ‘fshin tej’ njerëzit?
12 Në dallim nga ekzistenca e përjetshme e Perëndisë, jeta njerëzore e tanishme është vërtet e shkurtër. Psalmisti thotë: «Ti i ke fshirë tej e ata bëhen thjesht si gjumë; në mëngjes janë tamam si bari i gjelbër që ndryshon. Në mëngjes nxjerr lule e duhet të ndryshojë, në mbrëmje vyshket e me siguri thahet.» (Psalmi 90:5, 6, BR) Moisiu pa të vdisnin në shkretëtirë mijëra izraelitë, të «fshirë tej» nga Perëndia si me një përmbytje. Kjo pjesë e psalmit është përkthyer edhe: «Ti i fshin tej njerëzit në gjumin e vdekjes.» (New International Version) Nga ana tjetër, jetëgjatësia e njerëzve të papërsosur është «thjesht si gjumë» me zgjatje të shkurtër, e krahasueshme me dremitjen e një nate të vetme.
13. Në ç’kuptim jemi «tamam si bari i gjelbër» dhe si duhet të ndikojë kjo në mënyrën tonë të të menduarit?
13 Ne jemi ‘tamam si bari i gjelbër që nxjerr lule në mëngjes’, por që në mbrëmje është vyshkur nën nxehtësinë e madhe të diellit. Po, jeta jonë është po aq kalimtare sa bari që vyshket në një ditë të vetme. Prandaj, të mos e harxhojmë kot këtë zotërim të çmuar. Në vend të kësaj, duhet të kërkojmë udhëheqjen e Perëndisë se si t’i përdorim vitet që na kanë mbetur në këtë sistem.
Jehovai na ndihmon «të numërojmë ditët tona»
14, 15. Cilën përmbushje pati Psalmi 90:7-9 tek izraelitët?
14 Për sa i përket Perëndisë, psalmisti shton: «Ne kemi marrë fund në zemërimin tënd dhe prej tërbimit tënd jemi turbulluar. Gabimet tona i ke vënë tamam përpara teje, gjërat tona të fshehura para fytyrës sate të shndritshme. Sepse të gjitha ditët tona janë në të ngrysur në furinë tënde; ne i kemi mbaruar vitet tona si të ishin një çuçuritje.»—Psalmi 90:7-9, BR.
15 Izraelitët jobesnikë ‘morën fund në zemërimin e Perëndisë’. Ata ‘u turbulluan prej tërbimit të tij’ ose ‘u tmerruan nga tërbimi i tij’. (Diodati) Disa prej tyre «ranë të vdekur në shkretëtirë» si pasojë e gjykimeve hyjnore. (1 Korintasve 10:5) Jehovai ‘i vuri gabimet e tyre tamam përpara tij’. U kërkoi llogari për keqbërjet që kishin bërë haptazi, por edhe «gjërat e fshehura» ose mëkatet e fshehta ishin ‘para fytyrës së tij të shndritshme’. (Fjalët e urta [Proverbat] 15:3) Duke qenë objekte të furisë së Perëndisë, izraelitët e papenduar ‘i mbaruan vitet e tyre si të ishin një çuçuritje’. Lidhur me këtë, edhe vetë jetëgjatësia jonë e shkurtër është si një frymëmarrje që kalon nëpër buzët tona, thjesht si një çuçuritje.
16. Nëse disa po praktikojnë mëkatin në fshehtësi, çfarë duhet të bëjnë?
16 Nëse do ta praktikonim në fshehtësi mëkatin, mund t’ia arrinim t’ua fshihnim për njëfarë kohe këtë sjellje njerëzve të tjerë. Por mëkati ynë i fshehur do të ishte ‘para fytyrës së shndritshme të Jehovait’ dhe veprimet tona do ta dëmtonin marrëdhënien me të. Për të rifituar lidhjen e ngushtë me Jehovain, do të kishim nevojë t’i luteshim atij për falje, t’i linim shkeljet dhe të pranonim me mirënjohje ndihmën frymore të pleqve të krishterë. (Fjalët e urta 28:13; Jakovit 5:14, 15) Sa gjë më e mirë do të ishte kjo, sesa ndoshta ‘t’i mbaronim vitet tona si të ishin një çuçuritje’, duke rrezikuar shpresën për jetën e përhershme.
17. Cila jetëgjatësi është tipike për njerëzit në përgjithësi dhe me çfarë janë mbushur vitet tona?
17 Për sa i përket jetëgjatësisë së njerëzve të papërsosur, psalmisti thotë: «Në vetvete, ditët e viteve tona janë shtatëdhjetë vjet; edhe nëse për shkak të fuqisë së veçantë janë tetëdhjetë vjet, gjithsesi, veprimtaria e tyre e ethshme sjell vetëm telashe dhe gjëra të dëmshme; sepse duhet të kalojnë me të shpejtë dhe ne fluturojmë tutje.» (Psalmi 90:10, BR) Një jetëgjatësi prej 70 vjetësh është tipike e njerëzve në përgjithësi dhe Kalebi e quajti të pazakontë forcën e tij në moshën 85-vjeçare. Ka pasur përjashtime, si Aaroni (123), Moisiu (120) dhe Josiu (110). (Numrat 33:39; Ligji i përtërirë 34:7; Jozueu [Josiu] 14:6, 10, 11; 24:29) Por nga brezi pa besim që doli nga Egjipti, personat e regjistruar që ishin nga 20 vjeç e sipër vdiqën brenda 40 vjetësh. (Numrat 14:29-34) Sot në shumë kombe jetëgjatësia e njerëzve në përgjithësi mbetet brenda kohës që përmendi psalmisti. Vitet tona janë të mbushura me «telashe dhe gjëra të dëmshme». Ato kalojnë me të shpejtë «dhe ne fluturojmë tutje».—Jobi 14:1, 2.
18, 19. (a) Çfarë do të thotë t’i «numërojmë ditët tona në mënyrë të tillë, që të kemi një zemër me mençuri»? (b) Duke ushtruar mençuri, çfarë do të ndihemi të shtyrë të bëjmë?
18 Më tej psalmisti këndon: «Kush e njeh forcën e zemërimit tënd dhe furinë tënde sipas frikës prej teje? Na trego si t’i numërojmë ditët tona në mënyrë të tillë, që të kemi një zemër me mençuri.» (Psalmi 90:11, 12, BR) Asnjëri prej nesh nuk e njeh plotësisht forcën e zemërimit të Perëndisë ose deri ku arrin furia e tij, dhe kjo duhet të na e thellojë frikën përnderuese për Jehovain. Në të vërtetë, duhet të na japë arsye që t’i kërkojmë atij «si t’i numërojmë ditët tona në mënyrë të tillë, që të kemi një zemër me mençuri».
19 Fjalët e psalmistit janë një lutje që Jehovai t’i mësojë popullit të tij se si të ushtrojë mençuri për t’i vlerësuar dhe për t’i përdorur ditët që i mbeten në një mënyrë që Perëndia e miraton. Një jetëgjatësi e pritshme prej 70 vjetësh përmban shpresën e afro 25.500 ditëve. Megjithatë, pavarësisht nga mosha që kemi, ‘nuk e dimë se ç’do të bëhet nesër me jetën tonë, sepse jemi një mjegull që shfaqet për pak kohë e pastaj zhduket’. (Jakovit 4:13-15) Meqë ‘koha dhe ngjarja e paparashikuar na ndodhin të gjithëve’, nuk mund ta themi dot edhe sa kohë do të jetojmë ende. Prandaj, le të lutemi për mençuri që t’i përballojmë sprovat, t’i trajtojmë të tjerët siç duhet dhe të bëjmë më të mirën në shërbim të Jehovait që tani, që sot! (Predikuesi 9:11; Jakovit 1:5-8) Jehovai na udhëheq me anë të Fjalës së tij, frymës së tij dhe me anë të organizatës së tij. (Mateu 24:45-47; 1 Korintasve 2:10; 2 Timoteut 3:16, 17) Ushtrimi i mençurisë na nxit që ‘të kërkojmë më parë Mbretërinë e Perëndisë’ dhe t’i përdorim ditët tona në një mënyrë që i sjell lavdi Jehovait dhe që e bën zemrën e tij të gëzojë. (Mateu 6:25-33; Fjalët e urta 27:11) Sigurisht, ta adhurojmë atë me gjithë zemër nuk do të na i heqë të gjitha problemet që kemi, por patjetër do të sjellë si rrjedhim gëzim të madh.
Bekimi i Jehovait na sjell gëzim
20. (a) Në ç’kuptim Perëndisë ‘i vjen keq’? (b) Si do të na trajtojë Jehovai nëse gabojmë rëndë, por tregojmë pendim të vërtetë?
20 Sa gjë e mrekullueshme do të ishte nëse do të mund të gëzonim për gjithë pjesën tjetër të jetës! Lidhur me këtë, Moisiu lutet: «Kthehu, o Jehova! Deri kur do të jetë? Të të vijë keq për shërbëtorët e tu. Na ngop në mëngjes me dashamirësinë [ose «dashurinë besnike»] tënde, që të lëshojmë britma gëzimi dhe të gëzojmë gjatë gjithë ditëve tona.» (Psalmi 90:13, 14; shënimi, BR) Perëndia nuk bën gabime. Gjithsesi, atij ‘i vjen keq’ dhe ‘kthehet’ nga zemërimi dhe nga dhënia e ndëshkimit, kur paralajmërimi i tij se do të ndërmarrë këtë veprim sjell një ndryshim në qëndrimin dhe në sjelljen e keqbërësve të penduar. (Ligji i përtërirë 13:17) Prandaj, edhe nëse do të gabonim rëndë, por do të tregonim pendim të vërtetë, Jehovai do të ‘na ngopte me dashamirësinë e tij’ dhe do të kishim arsye për të ‘lëshuar britma gëzimi’. (Psalmi 32:1-5) Gjithashtu, duke ndjekur një rrugë të drejtë, do të ndiejmë dashurinë besnike që ka Perëndia për ne dhe do të jemi në gjendje të «gëzojmë gjatë gjithë ditëve tona», po, për gjithë pjesën tjetër të jetës.
21. Në fjalët e dokumentuara te Psalmi 90:15, 16, çfarë mund të ketë qenë duke kërkuar Moisiu?
21 Psalmisti lutet me ngulm: «Na bëj të gëzojmë sipas ditëve që na ke munduar, sipas viteve në të cilat kemi parë gjëmë. Veprimtaria jote le t’u shfaqet shërbëtorëve të tu dhe shkëlqimi yt te bijtë e tyre.» (Psalmi 90:15, 16, BR) Moisiu mund të ketë qenë duke i kërkuar Perëndisë që ta bekonte Izraelin me gëzim që do t’i përkonte ose do të zgjaste aq sa ditët e tyre të mundimit dhe vitet gjatë të cilave pësuan gjëma. Ai kërkoi që «veprimtaria» e bekimit të izraelitëve nga Perëndia t’u bëhej e dukshme shërbëtorëve të Tij dhe që shkëlqimi i Tij të bëhej i dukshëm te bijtë ose pasardhësit e tyre. Ne mund të lutemi në mënyrë të përshtatshme që të derdhen bekime mbi njerëzimin e bindur në botën e re të premtuar të Perëndisë.—2 Pjetrit 3:13.
22. Sipas Psalmit 90:17, për çfarë është e përshtatshme të lutemi?
22 Psalmi 90 mbyllet me këtë lutje: «Hijeshia e Jehovait, Perëndisë tonë, qoftë mbi ne dhe veprën e duarve tona vendose patundshmërisht mbi ne. Po, veprën e duarve tona vendose patundshmërisht.» (Psalmi 90:17, BR) Këto fjalë tregojnë se mund të lutemi në mënyrë të përshtatshme që Perëndia t’i bekojë përpjekjet tona në shërbim të tij. Qoftë si të krishterë të mirosur, qoftë si shokë të tyre, domethënë «dele të tjera», ne gëzojmë që «hijeshia e Jehovait» qëndron mbi ne. (Gjoni 10:16) Sa të lumtur jemi që Perëndia ‘e ka vendosur patundshmërisht veprën e duarve tona’ si lajmëtarë të Mbretërisë dhe në mënyra të tjera!
Le të vazhdojmë t’i numërojmë ditët tona!
23, 24. Si mund të nxjerrim dobi duke medituar për Psalmin 90?
23 Meditimi rreth Psalmit 90 duhet të na bëjë të ndihemi më të varur nga Jehovai, i cili është ‘banesa jonë e vërtetë’. Duke medituar për fjalët e atij psalmi rreth shkurtësisë së jetës, duhet të bëhemi më të vetëdijshëm se kemi nevojë për udhëheqjen hyjnore që t’i numërojmë ditët tona. Dhe nëse ngulmojmë duke kërkuar dhe duke ushtruar mençurinë hyjnore, jemi të sigurt se do të marrim dashamirësinë dhe bekimin e Jehovait.
24 Jehovai do të vazhdojë të na tregojë si t’i numërojmë ditët. Nëse i hapim rrugë arsimimit prej tij, do të kemi mundësi të vazhdojmë t’i numërojmë ditët tona për gjithë përjetësinë. (Gjoni 17:3) Pra, nëse duam t’i mbajmë sytë nga jeta e përhershme, Jehovai duhet të jetë strehimi ynë. (Judës 20, 21) Siç do ta shohim në artikullin vijues, kjo pikë bëhet shumë e qartë në fjalët inkurajuese të Psalmit 91.
Si do të përgjigjeni?
• Në ç’mënyrë Jehovai është «një banesë e vërtetë» për ne?
• Përse mund të themi që Jehovai është gjithnjë gati për të na ndihmuar?
• Si na ndihmon Jehovai që «të numërojmë ditët tona»?
• Çfarë na jep mundësi të «gëzojmë gjatë gjithë ditëve tona»?
[Figura në faqen 10]
Jehovai ishte Perëndi «para se malet të lindnin»
[Figura në faqen 12]
Nga këndvështrimi i Jehovait, Metuselahu 969-vjeçar jetoi më pak se një ditë
[Figurat në faqen 14]
Jehovai e ka ‘vendosur patundshmërisht veprën e duarve tona’