«Ata që zbresin në det me anije»
PËRBALLË limanit të Glosterit, në Masaçusets, SHBA, gjendet statuja prej bronzi e një timonieri që përpiqet të drejtojë anijen e tij gjatë një stuhie. Statuja është përmendore në kujtim të mijëra peshkatarëve nga Glosteri që kanë vdekur në det. Në pjesën e poshtme të statujës, në një pllakë përkujtimore aty pranë, janë shkruar fjalët e Psalmit 107:23, 24: «Ata që zbresin në det me anije, që bëjnë tregti në ujërat e paana, shohin veprat e Zotit dhe mrekullitë e tij në thellësi.»—King James Version.
Të peshkosh në zonat e pasura në peshk në oqeanin Atlantik, është mjaft e rrezikshme. Glosteri tani ka rreth 30.000 banorë, dhe, gjatë viteve, gati 5.368 burra kanë humbur jetën duke peshkuar në det të hapur. Në përmendore shkruhet: «Disa u përpinë nga erërat ulëritëse dhe dallgët vigane që vinin nga verilindja. Të tjerë kanë vdekur të vetmuar, në barkat e vogla, pasi kanë humbur rrugën e janë shkëputur nga anija që i kishte sjellë në vendet e peshkimit. Disa anije janë mbytur në mënyrë tragjike për shkak të stuhive. Të tjerët janë përplasur me avulloret përgjatë rrugëve detare.»
Përmendorja qëndron si një dëshmi e trishtueshme e mundimit dhe e rreziqeve që kanë hasur peshkatarët gjatë shekujve. Imagjinoni lotët e dëshpërimit që janë derdhur për burrat, baballarët, vëllezërit dhe djemtë e humbur! Por, Perëndia Jehova nuk i harron vejushat, jetimët e as ata që kanë humbur jetën në det. Apostulli Gjon foli për këtë ngjarje që do të ndodhë në të ardhmen: «Deti i dorëzoi të vdekurit që gjendeshin në të, vdekja dhe Hadesi i dorëzuan të vdekurit që gjendeshin në ta.» (Zbulesa 20:13) Në kohën e ringjalljes, ata që zbritën «në det me anije» do t’i shohin vërtet «veprat e Zotit» që janë të mrekullueshme.