Fito mençuri dhe prano disiplinën
PERËNDIA JEHOVA është Mësuesi i Madh i popullit të tij. Ai i mëson ata jo vetëm rreth vetes së tij, por edhe për jetën. (Isaia 30:20; 54:13; Psalmi 27:11) Për shembull, Jehovai i dha popullit izraelit profetë, levitë e në veçanti priftërinj dhe burra të tjerë të mençur që të shërbenin si mësues. (2. Kronikave 35:3; Jeremia 18:18) Profetët i mësonin popullit qëllimet dhe cilësitë e Perëndisë dhe tregonin drejtimin e duhur që duhej marrë. Priftërinjtë dhe levitët kishin përgjegjësinë për t’i mësuar popullit Ligjin e Jehovait. Ndërsa burrat e mençur ose pleqtë, siguronin këshilla të shëndetshme për çështjet e jetës së përditshme.
Solomoni, biri i Davidit, shquhej mes burrave të mençur të Izraelit. (1. Mbretërve 4:30, 31) Pasi pa lavdinë dhe pasuritë e tij, një nga vizitoret e tij më të shquara, mbretëresha e Shebës, pranoi: «As gjysmën e tyre nuk më kishin thënë. Dituria dhe begatia jote tejkalojnë famën për të cilën më kishin folur.» (1. Mbretërve 10:7) Cili ishte sekreti i mençurisë së Solomonit? Kur u bë mbret i Izraelit, në vitin 1037 p.e.s., Solomoni u lut për «mençuri dhe njohuri». Duke qenë i kënaqur me kërkesën e tij, Jehovai i dha njohuri, mençuri dhe një zemër me kuptueshmëri. (2. Kronikave 1:10-12, BR; 1. Mbretërve 3:12) S’është për t’u çuditur që Solomoni arriti të ‘shqiptonte tre mijë proverba’! (1. Mbretërve 4:32) Disa prej tyre, së bashku me «fjalët e Agurit» dhe ato të «mbretit Lemuel» u dokumentuan në librin biblik të Proverbave. (Fjalët e urta [Proverbat] 30:1; 31:1) Të vërtetat e shprehura në këto proverba pasqyrojnë mençurinë e Perëndisë dhe janë të përjetshme. (1. Mbretërve 10:23, 24) Për këdo që dëshiron një jetë të lumtur e të suksesshme, ato janë po aq të domosdoshme sot, sa ç’ishin kur u shprehën fillimisht.
Sukses dhe pastërti morale: Si?
Objektivi i librit të Proverbave shpjegohet në fjalët hyrëse: «Proverbat e Solomonit, birit të Davidit, mbret i Izraelit, për të njohur mençurinë dhe disiplinën, për të dalluar thëniet e kuptueshmërisë, për të marrë disiplinën që jep mendjehollësi, drejtësi, gjykim dhe ndershmëri, për t’i dhënë mendjemprehtësi atyre pa përvojë dhe njohurinë e aftësinë e të menduarit një të riu.»—Proverbat 1:1-4, BR.
Sa fisnik është qëllimi për të cilin shërbejnë «proverbat e Solomonit»! Ato duhen «për të njohur mençurinë dhe disiplinën». Mençuria përfshin t’i perceptosh gjërat ashtu siç janë dhe ta përdorësh këtë njohuri për të zgjidhur problemet, për të arritur synime, për të shmangur a për të parashikuar rreziqet ose për të ndihmuar të tjerët që të veprojnë kështu. «Në librin e Proverbave,—thuhet në një vepër referimi,—‘mençuri’ do të thotë të jetosh me zotësi, pra, të kesh aftësinë për të bërë zgjedhje të mençura dhe për të jetuar me sukses.» Sa e rëndësishme është të fitojmë mençuri!—Fjalët e urta 4:7.
Fjalët e urta të Solomonit na japin edhe disiplinë. A kemi nevojë për këtë stërvitje? Në Shkrime, disiplina jep kuptimin e korrigjimit, qortimit ose të ndëshkimit. Sipas një studiuesi biblik, ajo «tregon stërvitjen me natyrë morale, duke përfshirë korrigjimin e prirjeve që mund të çojnë në akte ose mendime të marra». Disiplina, qoftë kur e ushtrojmë ne mbi veten tonë, qoftë kur e marrim nga të tjerët, jo vetëm që na frenon për të mos bërë të keqen, por edhe na motivon që të ndryshojmë për mirë. Po, nëse duam të mbetemi të pastër nga ana morale, kemi nevojë për disiplinën.
Atëherë, qëllimi i proverbave është i dyfishtë: për të dhënë mençuri dhe për të siguruar disiplinë. Disiplina morale dhe aftësia mendore kanë aspekte të shumta. Për shembull, drejtësia dhe e drejta janë cilësi morale dhe na ndihmojnë për t’iu përmbajtur standardeve të larta të Jehovait.
Mençuria është një ndërthurje e shumë faktorëve që përfshijnë kuptueshmërinë, mendjehollësinë, mendjemprehtësinë dhe aftësinë e të menduarit. Kuptueshmëria është aftësia për të shqyrtuar një çështje dhe për të dalluar përbërësit e saj, duke kapur lidhjen mes pjesëve të saj dhe së tërës, pra, duke kapur në këtë mënyrë kuptimin e saj. Mendjehollësia kërkon të njohësh arsyet dhe të kuptosh se përse njëfarë drejtimi është i drejtë ose i gabuar. Për shembull, një njeri me kuptueshmëri mund ta dallojë kur një person po merr drejtimin e gabuar dhe mund ta paralajmërojë menjëherë atë për rrezikun. Por ai duhet të ketë mendjehollësi për të kuptuar se përse ky person po merr atë drejtim dhe për të gjetur mënyrën më të efektshme për ta shpëtuar.
Njerëzit mendjemprehtë janë të matur, jo naivë. (Fjalët e urta 14:15) Ata janë në gjendje ta parashikojnë të keqen dhe të përgatiten për të. Gjithashtu, mençuria na bën të mundur të formulojmë mendime dhe ide të shëndetshme, të cilat na japin një drejtim të qëllimshëm në jetë. Studimi i proverbave biblike është vërtet shpërblyes, sepse ato u dokumentuan që ne të mund të njohim mençurinë dhe disiplinën. Madje edhe ata «pa përvojë», të cilët u kushtojnë vëmendje proverbave, do të fitojnë mendjemprehtësi dhe «i riu» do të fitojë njohuri dhe aftësinë e të menduarit.
Proverba për të mençurit
Megjithatë, proverbat biblikë nuk janë vetëm për ata që janë pa përvojë dhe të rinj. Ata duhet t’i dëgjojë edhe kushdo që është mjaft i mençur. «Një person i mençur do të dëgjojë dhe do të marrë më shumë dije,—thotë mbreti Solomon,—dhe një njeri me kuptueshmëri është ai që fiton drejtim të aftë, për të kuptuar një proverb dhe një thënie të errët, fjalët e njerëzve të mençur dhe gjëzat e tyre.» (Proverbat 1:5, 6, BR) Njeriu që tashmë ka fituar mençuri, do ta shtojë diturinë e tij duke u kushtuar vëmendje proverbave dhe njeriu me kuptueshmëri do ta mprehë aftësinë e tij për ta drejtuar me sukses jetën.
Shpesh proverbi e shpreh një të vërtetë të thellë me shumë pak fjalë. Ndonjë proverb biblik mund të marrë formën e një thënieje të errët. (Fjalët e urta 1:17-19) Disa proverba janë gjëza, domethënë, pohime të ndërlikuara dhe komplekse, të cilat duhen zgjidhur. Gjithashtu, një proverb mund të përmbajë krahasime, metafora dhe figura të tjera letrare. Për t’i kuptuar këto proverba duhet kohë dhe meditim. Solomoni, autori i kaq shumë proverbave, patjetër që i kapte nuancat e kuptueshmërisë së një proverbi. Në librin e Proverbave, ai ndërmerr detyrën për t’ua dhënë këtë aftësi lexuesve dhe kjo është diçka së cilës një person i mençur do të donte t’i kushtonte vëmendje.
Fillimi që të çon drejt synimit
Si fillon një person të kërkojë mençurinë dhe disiplinën? Solomoni përgjigjet: «Druajtja ndaj Jehovait është fillimi i njohurisë. Mençuria dhe disiplina janë ato që të pamendët i kanë përçmuar.» (Proverbat 1:7, BR) Njohuria fillon me druajtjen ndaj Jehovait. Pa njohuri, nuk mund të ketë mençuri ose disiplinë. Pra, druajtja ndaj Jehovait është fillimi i mençurisë dhe i disiplinës.—Fjalët e urta 9:10; 15:33.
Druajtja ndaj Perëndisë nuk është një frikë e sëmurë ndaj tij. Përkundrazi, ajo është një respekt dhe nderim i thellë për të. Nuk mund të ketë njohuri të vërtetë pa këtë druajtje. Jetën e kemi prej Perëndisë Jehova dhe jeta patjetër që është thelbësore për të pasur çfarëdo lloj njohurie. (Psalmi 36:9; Veprat 17:25, 28) Për më tepër, të gjitha gjërat i ka krijuar Perëndia, prandaj e gjithë njohuria njerëzore bazohet në studimin e veprës së duarve të tij. (Psalmi 19:1, 2; Zbulesa 4:11) Gjithashtu, Perëndia frymëzoi Fjalën e tij të shkruar, e cila është ‘e dobishme për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim me drejtësi’. (2. Timoteut 3:16, 17) Kështu, pika thelbësore e gjithë njohurisë së vërtetë është Jehovai dhe një person që kërkon njohurinë duhet të ketë druajtje plot nderim ndaj tij.
Çfarë vlere kanë njohuria e njerëzve dhe mençuria e botës, pa druajtjen e Perëndisë? Apostulli Pavël shkroi: «Ku është i dituri? Ku është skribi? Ku është debatuesi i kësaj epoke? A nuk e bëri të marrë Perëndia diturinë e kësaj bote?» (1. Korintasve 1:20) Duke qenë se i mungon druajtja hyjnore, një person i mençur sipas botës nxjerr përfundime të gabuara nga faktet e njohura dhe përfundon si një person ‘i pamend’.
«Një gjerdan për qafën tënde»
Pastaj, mbreti i mençur u drejtohet të rinjve: «Dëgjo, biri im, disiplinën e atit tënd dhe mos braktis ligjin e nënës sate. Sepse ato janë një kurorë tërheqëse për kokën tënde dhe një gjerdan i shkëlqyer për qafën tënde.»—Proverbat 1:8, 9, BR.
Në Izraelin e lashtë, Perëndia u kishte dhënë prindërve përgjegjësinë për të mësuar fëmijët e tyre. Moisiu u bëri thirrje etërve: «Këto fjalë që sot po të urdhëroj do të mbeten në zemrën tënde, do t’ua ngulitësh bijve të tu, do të flasësh për to kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecën rrugës, kur ke rënë në shtrat dhe kur çohesh.» (Ligji i përtërirë 6:6, 7) Edhe nënat kishin ndikim të konsiderueshëm. Brenda strukturës së autoritetit të burrit të saj, një grua izraelite mund të përforconte ligjin në familje.
Në fakt, në të gjithë Biblën familja është njësia bazë për të dhënë arsimimin. (Efesianëve 6:1-3) Nëse fëmijët u binden prindërve të tyre besimtarë, do të thotë që në mënyrë të figurshme ata stolisen me një kurorë zbukuruese dhe tërheqëse, si edhe me një gjerdan nderi.
«Ia heq jetën atyre që e kanë»
Para se ta dërgonte të birin 16-vjeçar në Shtetet e Bashkuara, për të marrë arsimim të mëtejshëm, një baba aziatik e këshilloi që të mos përzihej me njerëz të këqij. Këshilla e tij pasqyron paralajmërimin e Solomonit: «Biri im, nëse mëkatarët përpiqen të të joshin, mos prano.» (Proverbat 1:10, BR) Gjithsesi, Solomoni thekson karremin që përdorin ata: «Ata thonë: ‘Eja me ne. Kemi ngritur një pritë për të derdhur gjak. I ngritëm gracka të pafajmit pa ndonjë shkak. Le t’i kapërdijmë të gjallë, ashtu si Sheoli, tërësisht, si ata që zbresin në gropë. Ne do të gjejmë lloj-lloj pasurish të çmueshme. Do t’i mbushim shtëpitë tona me plaçka. Ti do ta hedhësh në short pjesën tënde me ne dhe të gjithë ne do të kemi një qese të vetme.»—Fjalët e urta 1:11-14.
Qartë, karremi janë pasuritë. Duke u bazuar në bërjen e pasurisë në mënyrë të shpejtë, «mëkatarët» i joshin të tjerët për t’u përfshirë në planet e tyre të dhunshme ose të padrejta. Për përfitim material, këta të ligj nuk ngurrojnë të derdhin gjak. Ata ‘e kapërdijnë viktimën e tyre të gjallë, ashtu si Sheoli, tërësisht’, duke i grabitur çdo gjë që ka, ashtu si varri që merr gjithë trupin. Ftesa e tyre është për të bërë karrierë me krimin. Ata dëshirojnë t’i ‘mbushin shtëpitë e tyre me plaçka’ dhe dëshirojnë që ata pa përvojë ‘ta hedhin në short pjesën e tyre me ta’. Sa paralajmërim i kohës është ky për ne! A nuk përdorin bandat e të rinjve dhe trafikantët e drogës metoda të ngjashme rekrutimi? A nuk është premtimi i pasurimit të shpejtë tundimi i shumë propozimeve të dyshimta tregtare?
«Biri im,—këshillon mbreti i mençur,—mos shko me ta në po atë rrugë. Ndale hapin nga shtegu i tyre. Sepse këmbët e tyre turren drejt së keqes dhe ata nxitojnë të derdhin gjak.» Duke parathënë fundin e tyre shkatërrimtar, ai shton: «[Nuk] shtrihet më kot rrjeta përpara çdo lloji zogjsh. Ata kurdisin prita kundër gjakut të vet dhe ngrenë kurthe kundër vetë jetës së tyre. Të tilla janë rrugët e çdo njeriu të etur për pasuri [të padrejta, BR]. Ajo ia heq jetën atyre që e kanë.»—Fjalët e urta 1:15-19.
‘Çdo njeri i etur për pasuri të padrejta’ do të humbasë në rrugën që ka marrë. Prita që të ligjtë u zënë të tjerëve, do të kthehet në një kurth për ata vetë. A do ta ndryshojnë drejtimin e tyre keqbërësit e vullnetshëm? Jo. Rrjeta mund të jetë fare mirë e dukshme, por zogjtë fluturojnë sidoqoftë drejt e brenda saj. Në mënyrë të ngjashme, të ligjtë, të verbuar nga lakmia e tyre, vazhdojnë me aktet kriminale, edhe pse herët a vonë do të kapen.
Kush do ta dëgjojë zërin e mençurisë?
A janë faktikisht të vetëdijshëm mëkatarët se drejtimi i tyre është shkatërrimtar? A janë paralajmëruar për pasojat e udhëve të tyre? Padija nuk është shfajësim, pasi një mesazh shumë i theksuar po shpallet në vende publike.
Solomoni deklaron: «Mençuria e vërtetë vazhdon të thërrasë me zë të lartë në rrugë. Në sheshet publike ajo vazhdon të nxjerrë zërin e saj. Në skajin e sipërm të rrugëve të zhurmshme ajo thërret. Në hyrjet e portave për në qytet ajo thotë thëniet e saj.» (Proverbat 1:20, 21, BR) Me zë të lartë e të qartë, mençuria po thërret në vendet publike, me qëllim që të dëgjojnë të gjithë. Në Izraelin e lashtë, pleqtë i jepnin këshillat e mençura dhe vendimet gjyqësore në portat e qytetit. Për ne, Jehovai ka bërë që mençuria e vërtetë të dokumentohet në Fjalën e tij, Biblën, e cila është në dispozicion gjerësisht. Po kështu, shërbëtorët e tij të sotëm janë të zënë në shpalljen publike të mesazhit të tij kudo. Në të vërtetë Perëndia ka bërë që mençuria të shpallet para të gjithëve.
Çfarë thotë mençuria e vërtetë? Këto fjalë: «Për sa kohë ju pa përvojë do të vazhdoni të doni mungesën e përvojës dhe për sa kohë ju tallës duhet të dëshironi për vete talljet e hapura...? Unë kam thirrur, por ju vazhdoni të refuzoni, e kam zgjatur dorën, por askush nuk kushton vëmendje.» Të pamendët nuk ia vënë veshin zërit të mençurisë. Për pasojë «ata do të hanë nga frytet e udhës së tyre». Vetë ‘refuzimi dhe plogështia e tyre do t’i shkatërrojë’.—Proverbat 1:22-32, BR.
Po ai që ka marrë kohë për të dëgjuar zërin e mençurisë? «Ai do të banojë në siguri dhe nuk do të shqetësohet nga frika e katastrofës.» (Proverbat 1:33, BR) Qofsh edhe ti mes atyre që fitojnë mençuri dhe pranojnë disiplinën, duke u kushtuar vëmendje proverbave biblikë!
[Figura në faqen 15]
Mençuria e vërtetë gjendet me bollëk