«Jehovai vetë jep mençuri»
CILAT aktivitete konsumojnë kohën dhe energjitë e tua? A është bërja e një emri të mirë një çështje me rëndësi për ty? A i kushtohesh grumbullimit të pasurive? Po në lidhje me ndjekjen e një karriere në një fushë të caktuar veprimtarie ose fitimin e përvojës në një a në disa fusha të arsimimit? A është kultivimi i marrëdhënieve të mira me të tjerët diçka me rëndësi për ty? A është mbajtja e një shëndeti të mirë shqetësimi yt kryesor?
Të gjitha sa u përmendën më lart, mund të duken se kanë njëfarë vlere. Por çfarë gjëje është e një rëndësie parësore? Bibla përgjigjet: «Mençuria është gjëja e parë. Fito mençuri». (Proverbat [Fjalët e urta] 4:7, BR) Atëherë, si mund ta fitojmë mençurinë dhe çfarë dobish sjell ajo? Kapitulli i dytë i librit të Biblës, Fjalët e urta, siguron përgjigjet e këtyre pyetjeve.
‘Kushtoji vëmendje mençurisë’
Me fjalët e dashura të një ati, mbreti i mençur i Izraelit të lashtë, Solomoni, thotë: «Biri im, nëse ti do t’i marrësh thëniet e mia dhe do t’i mbledhësh si thesar urdhërimet e mia pranë teje, në mënyrë që me veshin tënd t’i kushtosh vëmendje mençurisë, për ta përkulur zemrën tënde drejt aftësisë shquese; nëse ti akoma më tepër, thërret për vete kuptueshmërinë dhe lëshon zërin tënd për vetë aftësinë shquese, nëse ti vazhdon të kërkosh për të si për argjendin dhe nëse vazhdon të kërkosh për të si për thesaret e fshehura, në këtë rast do të kuptosh druajtjen e Jehovait dhe do të gjesh vetë njohurinë e Perëndisë.»—Proverbat 2:1-5, BR.
A e vëren se kush e ka përgjegjësinë për fitimin e mençurisë? Në këto vargje shprehja «nëse ti» shfaqet tri herë. Qartë, është përgjegjësia e secilit prej nesh që të kërkojë mençurinë dhe shoqërueset e saj: aftësinë shquese dhe kuptueshmërinë. Por, së pari, ne duhet ‘t’i marrim’ dhe ‘t’i mbledhim si thesar’ në mendje fjalët e mençurisë që gjenden në Shkrime. Për këtë, duhet të studiojmë Biblën.
Mençuria është aftësia për të përdorur siç duhet njohurinë e dhënë nga Perëndia. Dhe në ç’mënyrë të mrekullueshme e vë në dispozicion Bibla mençurinë! Po, ajo përmban fjalë mençurie si ato që gjenden në librin e Fjalëve të urta [Proverbat] dhe në librin e Predikuesit [Eklisiastiu] e ne nga ana jonë duhet t’u kushtojmë vëmendje këtyre fjalëve. Në faqet e Biblës gjejmë edhe shumë shembuj, të cilët tregojnë dobitë e zbatimit të parimeve hyjnore, si edhe grackat ku biem kur i shpërfillim ato. (Romakëve 15:4; 1. Korintasve 10:11) Për shembull, shqyrto tregimin e Gehazit lakmitar, shërbëtorit të profetit Elise. (2. Mbretërve 5:20-27) A nuk na mëson ai se sa gjë e mençur është që t’u themi jo dëshirave lakmitare? Ç’mund të themi për përfundimin tragjik të vizitave në dukje të parrezikshme që e bija e Jakobit, Dina, u bënte ‘bijave të vendit’ të Kanaanit? (Zanafilla 34:1-31) A nuk dallojmë menjëherë këtu marrëzinë e përzierjes me shoqëritë e këqija?—Fjalët e urta 13:20; 1. Korintasve 15:33.
Për t’i kushtuar vëmendje mençurisë kërkohet të fitosh aftësi shquese dhe kuptueshmëri. Sipas Webster’s Revised Unabridged Dictionary, aftësia shquese është «fuqia ose aftësia e mendjes me anë të së cilës ajo dallon një gjë nga një gjë tjetër». Aftësia shquese hyjnore është aftësia për të dalluar të drejtën nga e gabuara dhe më pas për të zgjedhur drejtimin e duhur. Po të mos e ‘pririm zemrën tonë’ drejt aftësisë shquese, ose nëse nuk jemi të etur për ta fituar atë, si do të mund të qëndrojmë në ‘udhën që çon në jetë’? (Mateu 7:14; krahaso Ligji i përtërirë 30:19, 20.) Studimi dhe zbatimi i Fjalës së Perëndisë na pajis me aftësi shquese.
Si mund «të thërrasim për kuptueshmërinë», që është aftësia për të kuptuar se si lidhen aspektet e një çështjeje me njëra-tjetrën dhe me vet çështjen në tërësi? Natyrisht, mosha dhe përvoja janë faktorë që mund të na ndihmojnë të zhvillojmë një kuptueshmëri më të madhe, por s’është e thënë të jetë gjithmonë kështu. (Jobi 12:12; 32:6-12). «Me më shumë kuptueshmëri se njerëzit e moshuar unë sillem,—tha psalmisti,—sepse kam vëzhguar vetë urdhërimet e tua [Jehovait].» Gjithashtu, këndoi: «Vetë zbulimi i fjalëve të tua jep dritë, duke e bërë njeriun pa përvojë që të kuptojë.» (Psalmi 119:100, 130, BR) Jehovai është «i Lashti i ditëve» dhe ka një kuptueshmëri pafundësisht më të lartë se ajo e gjithë njerëzimit. (Danieli 7:13) Perëndia mund t’i japë kuptueshmëri atij që s’ka përvojë, duke bërë që t’ua kalojë në këtë cilësi edhe atyre me moshë më të madhe. Prandaj, ne duhet të jemi të zellshëm në studimin dhe zbatimin e Fjalës së Perëndisë, Biblës.
Fraza e përsëritur «nëse ti», në fragmentin e hapjes së kapitullit të dytë të Fjalëve të urta, pasohet nga shprehje të tilla, si: «marr», «mbledh si thesar», «thërras», «vazhdoj të kërkoj». Përse shkrimtari përdor këto shprehje me një forcë gjithnjë e në rritje? Në një vepër referimi thuhet: «I dituri [këtu] thekson nevojën e të qenët i zellshëm në kërkimin e mençurisë.» Po, ne duhet ta kërkojmë me ngulm mençurinë dhe cilësitë që lidhen me të: aftësinë shquese dhe kuptueshmërinë.
A do të bësh përpjekje?
Një faktor kryesor në kërkimin e mençurisë është studimi i zellshëm i Biblës. Por, ky studim duhet të jetë shumë më tepër se një lexim thjesht sa për të marrë informacion. Meditimi i qëllimshëm rreth asaj që lexojmë është një pjesë thelbësore e studimit të Shkrimeve. Fitimi i mençurisë dhe i aftësisë shquese përfshin përsiatjen rreth asaj se si mund ta përdorim atë që po mësojmë në zgjidhjen e problemeve dhe marrjen e vendimeve. Fitimi i kuptueshmërisë kërkon të mendojmë për mënyrën se si lidhet materiali i ri me atë që tashmë dimë. Kush do ta mohonte faktin se një studim i tillë reflektues i Biblës kërkon kohë dhe përpjekje energjike? Investimi i kohës dhe i energjive është i ngjashëm me kohën dhe energjinë që shpenzohet kur ‘kërkojmë për ar dhe kur kërkojmë për thesare të fshehura’. A do të bësh përpjekjet e nevojshme? A do të ‘blesh kohën e përshtatshme’ për ta bërë këtë?—Efesianëve 5:15, 16, BR.
Shqyrto se ç’thesare të mëdha na presin, nëse gërmojmë thellë në Bibël me një zemër të ndershme. E pra, do të gjenim «vetë njohurinë e Perëndisë»: njohurinë e shëndetshme, të qëndrueshme dhe jetëdhënëse të Krijuesit tonë! (Gjoni 17:3) «Druajtja ndaj Jehovait» është po ashtu një thesar që duhet fituar. Sa e vlefshme është kjo druajtje me nderim ndaj tij! Frika e shëndetshme se mos nuk i pëlqejmë atij, duhet të drejtojë çdo aspekt të jetës sonë, duke i shtuar një domethënie frymore gjithçkaje që bëjmë.—Predikuesi 12:13.
Brenda nesh duhet të vlojë një dëshirë e thellë për të kërkuar dhe gërmuar për thesare frymore. Për të na e bërë më të lehtë kërkimin, Jehovai ka siguruar mjete të shkëlqyera gërmuese, si revistat në kohën e duhur që përkrahin të vërtetën, Kulla e Rojës dhe Zgjohuni!, si edhe botime të tjera të bazuara në Bibël. (Mateu 24:45-47) Për të na arsimuar sipas Fjalës dhe udhëve të tij, Jehovai ka siguruar edhe mbledhjet e krishtere. Ne duhet t’i ndjekim ato rregullisht, t’i vëmë veshin asaj që thuhet, të përpiqemi seriozisht që të përqendrohemi e t’i ruajmë si thesar mendimet kyçe, si edhe të mendojmë seriozisht rreth marrëdhënies sonë me Jehovain.—Hebrenjve 10:24, 25.
Nuk do të dështosh
Shpesh një kërkim për xhevahire, ar ose argjend nuk jep fryt. Por nuk ka për të qenë kështu në rastin e kërkimit të thesareve frymore. Përse jo? «Jehovai vetë jep mençurinë,—na siguron Solomoni,—nga goja e tij del njohuria dhe aftësia shquese.»—Proverbat 2:6, BR.
Mbreti Solomon ishte i njohur për mençurinë e tij. (1. Mbretërve 4:30-32) Shkrimet zbulojnë se ai pati njohuri për një sërë subjektesh të ndryshme duke përfshirë bimët, kafshët, natyrën njerëzore dhe Fjalën e Perëndisë. Aftësia shquese që shfaqi si mbret i ri, në zgjidhjen e grindjes midis dy grave, ku secila pohonte se ishte nëna e të njëjtit fëmijë, bëri që ai të fitonte famë ndërkombëtare. (1. Mbretërve 3:16-28) Cili ishte burimi i kësaj diturie të madhe? Solomoni iu lut Jehovait për «mençuri dhe njohuri», si edhe aftësi për të «dalluar të mirën nga e keqja». Jehovai ia dha ato.—2. Kronikave 1:10-12, BR; 1. Mbretërve 3:9.
Edhe ne duhet të lutemi për ndihmën e Jehovait, ndërsa studiojmë me zell Fjalën e tij. Psalmisti u lut: «Mësomë rrugën tënde, o Zot dhe unë do të ec në të vërtetën tënde; bashkoje zemrën time me frikën e emrit tënd.» (Psalmi 86:11) Jehovai e miratoi atë lutje, gjë që duket nga fakti se e dokumentoi në Bibël. Ne mund të jemi të sigurt se lutjet tona të zjarrta e të vazhdueshme për ndihmën e tij që të gjejmë thesare frymore në Bibël, nuk do të mbeten pa përgjigje.—Luka 18:1-8.
Solomoni thekson: «Për të drejtët ai do të ruajë si një thesar mençuri praktike, për ata që ecin në integritet ai është një mburojë, duke vëzhguar shtigjet e gjykimit dhe do të ruajë vetë rrugën e besnikëve të tij. Në atë rast do të kuptosh drejtësinë, gjykimin dhe ndershmërinë, gjithë rrugën e asaj që është e mirë.» (Proverbat 2:7-9, BR) Çfarë sigurimi është ky! Jehovai jo vetëm që u jep mençuri të vërtetë atyre që e kërkojnë sinqerisht atë, por provon se është edhe një mburojë mbrojtëse për të drejtët, sepse ata shfaqin mençuri të vërtetë dhe u përmbahen me besnikëri standardeve të tij të drejtësisë. Qofshim mes atyre që Jehovai i ndihmon të kuptojnë «gjithë rrugën e asaj që është e mirë»!
Kur «njohuria vetë bëhet e këndshme»
Studimi personal i Biblës, kërkesë kjo themelore për kërkimin e mençurisë, nuk është medoemos një diçka e këndshme për shumë njerëz. Për shembull, Laurenci 58-vjeçar thotë: «Tërë jetën kam punuar me duart e mia. Studimi është diçka e vështirë për mua.» Ndërsa Majkëlli 24-vjeçar, i cili nuk e kishte qejf studimin kur ishte në shkollë, thotë: «Më është dashur ta detyroj veten që të ulem e të studioj.» Po, dëshira për të studiuar mund të kultivohet.
Vëre se ç’bëri Majkëll. Ai tregon: «E disiplinova veten që të studioja gjysmë ore çdo ditë. Shpejt munda të vija re ndikimin që pati kjo gjë në qëndrimin tim, komentet e mia në mbledhjet e krishtere dhe në bisedat me të tjerët. Tani mezi i pres periudhat e mia të studimit dhe nuk duroj dot që ndonjë gjë tjetër të më ndërhyjë në to.» Po, studimi personal bëhet një shije e fituar, kur shohim përparimin që bëjmë. Edhe Laurenci e ushtroi veten për të studiuar Biblën dhe me kalimin e kohës arriti të shërbente si plak në një kongregacion të Dëshmitarëve të Jehovait.
Për ta bërë studimin personal një përvojë të gëzueshme kërkohen përpjekje të vazhdueshme. Megjithatë, dobitë janë të mëdha. Solomoni thotë: «Kur mençuria hyn në zemrën tënde dhe vetë njohuria bëhet e këndshme për shpirtin tënd, vetë aftësia e të menduarit do të vigjilojë mbi ty, vetë aftësia shquese do të të ruajë.»—Proverbat 2:10-11, BR.
«Për të të çliruar nga udha e keqe»
Në ç’mënyrë do të provojnë se janë një mbrojtje mençuria, njohuria, aftësia e të menduarit dhe aftësia shquese? Solomoni thotë: «[Ato janë] për të të çliruar nga udha e keqe, nga njeriu që flet gjëra të mbrapshta, nga ata që i lënë shtigjet e drejtësisë për të ecur në udhët e errësirës, nga ata që gjejnë kënaqësi në bërjen e asaj që është e keqe, që gëzohen në gjërat e mbrapshta të ligësisë; nga ata shtigjet e të cilëve janë të shtrembëra dhe që janë dredharakë në përgjithësi.»—Proverbat 2:12-15, BR.
Po, ata që e çmojnë mençurinë e vërtetë shmangin shoqërimin me këdo që «flet gjëra të mbrapshta», domethënë, gjëra që janë kundër asaj që është e vërtetë dhe e drejtë. Aftësia e të menduarit dhe aftësia shquese sigurojnë një mbrojtje nga ata që e hedhin poshtë të vërtetën vetëm për të ecur në udhët e errësirës si edhe nga ata që janë dredharakë dhe që gjejnë kënaqësi në bërjen e veprave të liga.—Fjalët e urta 3:32.
Sa mirënjohës mund të jemi që mençuria e vërtetë dhe cilësitë e saj shoqëruese na mbrojnë edhe nga rruga e keqe e grave dhe e burrave të pamoralshëm! Solomoni shton se këto cilësi janë për të «të çliruar nga gruaja që ka shkelur kurorën, nga gruaja e huaj që përdor fjalë mikluese, që ka braktisur shokun e rinisë së saj dhe ka harruar marrëveshjen e lidhur me Perëndinë. Sepse shtëpia e saj zbret drejt vdekjes dhe shtigjet e saj drejt të vdekurve. Asnjë prej atyre që shkojnë tek ajo nuk kthehet, asnjë nuk i arrin shtigjet e jetës».—Fjalët e urta 2:16-19.
«Gruaja e huaj», prostituta, portretizohet si një që e lë «shokun e rinisë së saj», ka të ngjarë, bashkëshortin që ka pasur nga vajzëria.a (Krahaso Malakinë 2:14.) Ajo ka harruar që ndalohet tradhtia bashkëshortore, gjë që ishte një pjesë e besëlidhjes së Ligjit. (Eksodi 20:14) Shtigjet e saj çojnë drejt vdekjes. Ata që shoqërohen me të kurrë nuk mund ‘t’i arrijnë shtigjet e jetës’, pasi herët a vonë mund të mbërrijnë në një pikë nga ku s’mund të kthehen më, domethënë në vdekje, prej së cilës nuk mund të dalin më. Njeriu i pajisur me aftësi shquese dhe me aftësinë e të menduarit, është i vetëdijshëm për grackat e imoralitetit dhe vepron me mençuri që të mos ngecë në to.
«Njerëzit e drejtë do të banojnë tokën»
Duke përmbledhur qëllimin e këshillës së tij në lidhje me mençurinë, Solomoni pohon: «Kështu do të mund të ecësh në rrugën e të mirëve dhe do të mbetesh në shtigjet e të drejtëve.» (Fjalët e urta 2:20) Për çfarë qëllimi të shkëlqyer shërben mençuria! Ajo na ndihmon të bëjmë një jetë të lumtur e të kënaqshme që gjen aprovim në sytë e Perëndisë.
Shqyrto, gjithashtu, bekimet e mëdha që i presin ata që ‘ecin në rrugën e të mirëve’. Solomoni vazhdon: «Njerëzit e drejtë do të banojnë tokën dhe ata të ndershëm (të paqortueshmit, BR) do të qëndrojnë aty. Por të pabesët do të shfarosen nga toka dhe shkelësit do të hiqen prej saj.» (Fjalët e urta 2:21-22) Qofsh midis të paqortueshmëve që do të banojnë përgjithmonë në botën e re të drejtë të Perëndisë!—2. Pjetrit 3:13.
[Shënimi]
a Fjala «i huaj» u referohej atyre që largoheshin nga ajo që ishte në harmoni me Ligjin, duke u larguar kështu nga Jehovai. Prandaj, shprehja «gruaja e huaj» i referohet prostitutës, që s’është e thënë të jetë një e huaj.
[Figura në faqen 26]
Solomoni u lut për mençuri. Këtë duhet të bëjmë edhe ne