Një llambë për të të udhëhequr në shtegun e jetës
«UNË e di mirë, o Jehova, se njeriut tokësor nuk i përket rruga e tij. Nuk i përket njeriut që ecën as ta drejtojë hapin e tij.» (Jeremia 10:23, BR) Me këto fjalë, profeti Jeremia tregoi se pa ndihmë, njerëzit nuk mund t’ia dalin mbanë me sukses në shtegun e jetës. Ku mund të gjendet një ndihmë e tillë? Në lutjen e tij drejtuar Perëndisë Jehova, psalmisti u përgjigj: «Fjala jote është një llambë në këmbën time dhe një dritë në shtegun tim.»—Psalmi 119:105.
Ata që i futen studimit të Fjalës së Perëndisë, Biblës së Shenjtë dhe aplikojnë atë që thotë ajo, do të jenë si dikush që nis një udhëtim herët në mëngjes. Në fillim, ai nuk mund të shohë shumë gjëra, sepse është errësirë. Por ndërsa fillon të lindë dielli, ai sheh gjithnjë e më shumë. Së fundi, dielli ndriçon drejtpërdrejt nga lart. Ai sheh çdo gjë deri në hollësi. Një ilustrim i tillë sjell ndër mend një proverb biblik: «Shtegu i të drejtit është si drita e agimit që shkëlqen gjithnjë e më mirë derisa të bëhet ditë e plotë.»—Proverbat 4:18.
Ç’mund të thuhet për ata që e hedhin poshtë udhëheqjen e Perëndisë? Bibla thotë: «Rruga e të pabesëve është si terri; ata nuk shohin atë që do t’i rrëzojë.» (Proverbat 4:19) Po, të ligjtë janë si njeriu që pengohet në errësirë. Edhe sukseset e tyre në dukje, janë shumë-shumë të përkohshme, sepse «nuk ka mençuri, as aftësi shquese, as këshillë në kundërshtim me Jehovain».—Proverbat 21:30, BR.
Prandaj, ndiq udhëheqjen e Fjalës së Perëndisë, Biblës. Nëse e bën këtë, do të shohësh se fjalët e Proverbave 3:5, 6, janë të vërteta: «Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd; pranoje në të gjitha rrugët e tua dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua.»