Ruaje emrin tënd
NJË burrë që projekton ndërtesa të bukura i bën emër vetes si arkitekt i zoti. Një vajzë që shkëlqen në shkollë, bëhet e njohur si një studente e shkëlqyer. Edhe një njeri që nuk bën asgjë mund t’i bëjë emër vetes si dembel. Duke nxjerrë në pah vlerën e bërjes së një emri të mirë, Bibla thotë: «Një emër i mirë është më i dëshirueshëm se pasuri të mëdha, një reputacion i mirë më shumë se argjend e ar.»—Fjalët e urta 22:1, An American Translation.
Emri i mirë bëhet me shumë veprime të vogla, gjatë një periudhe kohore. Por, gjithçka që nevojitet për ta prishur këtë emër të mirë është një veprim i pamend. Për shembull, një rast i vetëm i sjelljes së gabuar seksuale, mund të prishë një reputacion të shkëlqyer. Në kapitullin e 6-të të librit biblik të Fjalëve të urta, mbreti Solomon i Izraelit të lashtë siguron një paralajmërim kundër qëndrimeve dhe veprimeve që mund të na e prishin reputacionin, si edhe të na dëmtojnë marrëdhënien tonë me Perëndinë Jehova. Ndër këto janë: premtimet e pamenduara, përtacia, mashtrimi dhe imoraliteti seksual, të cilat janë, në thelb, gjëra që Jehovai i urren. T’u vëmë veshin këtyre këshillave do të na ndihmojë ta ruajmë emrin tonë të mirë.
Çliroje veten nga premtimet e pamenda
Kapitulli i 6-të i Fjalëve të urta fillon me fjalët: «Biri im, në qoftë se je bërë garant për të afërmin tënd, në rast se ke dhënë dorën si garanci për një të huaj, je zënë në lakun e fjalëve të gojës sate, je zënë nga fjalët e gojës sate. Bëj këtë, pra, biri im dhe shpengohu, sepse ke rënë në duart e të afërmit tënd. Shko, hidhu në këmbët e tij dhe ngul këmbë me të madhe te i afërmi yt.»—Fjalët e urta 6:1-3.
Kjo fjalë e urtë këshillon kundër përfshirjes në marrëveshjet tregtare të të tjerëve, e në veçanti, të të huajve. Është e vërtetë se izraelitët duhej ta ‘përkrahnin vëllanë e tyre që ishte varfëruar dhe ndodhej ngushtë’. (Levitiku 25:35-38) Por, disa izraelitë guximtarë u përfshinë në aventura të rrezikshme tregtare dhe morën mbështetje financiare duke i bindur të tjerët që të ‘bëheshin garantë’ për ta, duke i bërë përgjegjës për huanë. Situata të ngjashme mund të lindin edhe sot. Për shembull, institutet financiare mund të kërkojnë një bashkënënshkrues, para se të miratojnë një hua që e konsiderojnë me rrezik. Sa e pamençur është të bëjmë në mënyrë të nxituar një betim të tillë për të tjerët! E pra, kjo mund të na zërë në grackë financiarisht, madje duke na dhënë një emër të keq para bankave dhe kreditorëve të tjerë.
Po sikur të gjendemi në situatën që tashmë kemi bërë një veprim që na dukej i mençur në fillim, por që me një hetim më të kujdesshëm duket i pamend? Këshilla është ta lëmë mënjanë krenarinë dhe ‘të ngulim këmbë me të madhe te i afërmi ynë’ me kërkesa të vazhdueshme. Duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për t’i rregulluar gjërat. Një vepër referimi thekson: «Mos lër gur pa lëvizur derisa të kesh rënë dakord me kundërshtarin tënd dhe ta keni zgjidhur çështjen me kompromis, kështu që detyrimi juaj të mos bjerë mbi ju ose mbi familjen tuaj.» Kjo duhet bërë pa vonesë, sepse mbreti shton: «Mos u jep gjumë syve të tu as çlodhje qepallave të tua; çlirohu si gazela nga dora e gjahtarit, si zogu nga dora e atij që kap zogjtë.» (Fjalët e urta 6:4, 5) Është më mirë të tërhiqesh nga një angazhim i pamençur kur është e mundur, sesa të të zërë në grackë.
Ji i papërtueshëm si milingona
«Shko te milingona, o përtac, vër re zakonet e saj dhe bëhu i urtë»,—këshillon Solomoni. Çfarë urtësie ose mençurie mund të marrim nga mënyra si vepron një milingonë e vogël? Mbreti përgjigjet: «Ajo nuk ka as kryetar, as mbikëqyrës, as zot; e gjen ushqimin në verë dhe mbledh zahirenë e saj gjatë korrjes.»—Fjalët e urta 6:6-8.
Milingonat janë të organizuara në mënyrë të mrekullueshme dhe janë shumë bashkëpunuese me njëra-tjetrën. Në mënyrë instinktive, ato mbledhin zahire për të ardhmen. Ato ‘nuk kanë as kryetar, as mbikëqyrës, as zot’. Është e vërtetë që ekziston milingona mbretëreshë, por ajo është e tillë vetëm në kuptimin që bën vezë dhe është nëna e kolonisë. Ajo nuk jep urdhra. Edhe pse nuk kanë kryetar që t’i udhëheqë ose mbikëqyrës që t’i kontrollojë, milingonat vazhdojnë të punojnë pa u lodhur.
Ashtu si milingona, a nuk duhet të jemi edhe ne të papërtuar? Të punojmë fort dhe të përpiqemi të përmirësojmë në punë, na bën mirë, qofshim të kontrolluar ose jo. Pikërisht, në shkollë, në vendin e punës dhe ndërsa marrim pjesë në aktivitetet frymore, duhet të bëjmë më të mirën tonë. Ashtu si milingona nxjerr dobi nga papërtueshmëria e saj, po kështu Perëndia dëshiron që ne ‘të gëzojmë të mirën e mundit tonë’. (Predikuesi 3:13, 22; 5:18) Një ndërgjegje e pastër dhe kënaqësia personale janë shpërblimet e mundit të bërë.—Predikuesi 5:12.
Duke përdorur dy pyetje retorike, Solomoni përpiqet ta zgjojë të ngathtin nga përtacia e tij: «Deri kur, o përtac, do të rrish duke fjetur? Kur do të shkundesh nga gjumi yt?» Duke e imituar të folurin e një personi të tillë, mbreti shton: «Të flesh pak, të dremitësh pak, të rrish me duar në ije për t’u çlodhur, kështu varfëria jote do të vijë si një vjedhës dhe skamja jote si një njeri i armatosur.» (Fjalët e urta 6:9-11) Ndërsa përtaci rri në plogështi, varfëria e zë me shpejtësinë e një banditi dhe skamja e sulmon si një njeri i armatosur. Arat e një dembeli shpejt mbulohen plot me gjembaçë e me barëra të këqija. (Fjalët e urta 24:30, 31) Sipërmarrja e tij tregtare pëson humbje në një kohë të shkurtër. Për sa kohë një punëdhënës do ta tolerojë një punëtor përtac? Gjithashtu, një nxënës që është tepër dembel për të studiuar, a mund të presë të dalë mirë me mësime?
Ji i ndershëm
Duke nxjerrë në pah edhe një lloj tjetër sjelljeje që rrënon reputacionin e një njeriu në shoqëri dhe marrëdhënien e tij me Perëndinë, Solomoni vazhdon: «Njeriu pa vlerë, njeriu i keq, ecën me një gojë të çoroditur; luan syrin, flet me këmbët, bën shenja me gishta; ka ligësi në zemër, kurdis vazhdimisht të keqen dhe mbjell grindje.»—Fjalët e urta 6:12-14.
Ky është përshkrimi për një mashtrues. Zakonisht, një gënjeshtar përpiqet ta fshehë gënjeshtrën e tij. Si? Jo thjesht «me gojë të çoroditur», por edhe me gjuhën e trupit. Një dijetar thekson: «Gjestet, toni i zërit e, madje, edhe shprehjet e fytyrës janë metoda të studiuara mirë për të mashtruar; pas një fasade sinqeriteti fshihet një mendje e korruptuar dhe një frymë polemike.» Një njeri i tillë pa vlerë kurdis plane të liga dhe shkakton grindje gjatë gjithë kohës. Si do t’i dalin gjërat atij?
«Prandaj shkatërrimi i tij do të vijë papritur,—përgjigjet mbreti i Izraelit, në një çast do të shkatërrohet pa rrugëdalje tjetër.» (Fjalët e urta 6:15) Kur ky gënjeshtar të zbulohet, reputacioni i tij do të shkatërrohet në vend. Kush do t’i zërë më besë? Fundi i tij është vërtet shkatërrimtar, sepse «gjithë gënjeshtarët» radhiten ndër ata që do të pësojnë vdekjen e përhershme. (Zbulesa 21:8) Në çdo mënyrë, le të «sillemi me ndershmëri në çdo gjë».—Hebrenjve 13:18.
Urre atë që urren Jehovai
Urrejtja për të keqen: sa frenuese është kjo për të mos kryer veprime që na dëmtojnë reputacionin! Pra, a nuk duhet të zhvillojmë një neveri për atë që është e keqe? Por, saktësisht çfarë duhet të urrejmë? Solomoni thotë: «Zoti i urren këto gjashtë gjëra, madje shtatë janë të neveritshme për të: sytë krenarë, gjuha gënjeshtare, duart që derdhin gjak të pafajshëm, zemra që kurdis plane të këqija, këmbët që turren shpejt drejt së keqes, dëshmitari i rremë që thotë gënjeshtra dhe ai që shtie grindje midis vëllezërve.»—Fjalët e urta 6:16-19.
Shtatë kategoritë që përmend fjala e urtë janë themelore dhe mbulojnë gati-gati çdo lloj keqbërjeje. «Sytë krenarë» dhe «zemra që kurdis plane të këqija» janë mëkate që kryhen në mendje. «Gjuha gënjeshtare» dhe «dëshmitari i rremë që thotë gënjeshtra» janë fjalët mëkatare. «Duart që derdhin gjak të pafajshëm» dhe «këmbët që turren shpejt drejt së keqes» janë veprat e këqija. Dhe, veçanërisht i urryer për Jehovain është lloji i individit që gjen kënaqësi të madhe duke shtënë grindje midis njerëzve që përndryshe do të jetonin së bashku në paqe. Rritja në numër, nga gjashtë në shtatë, sugjeron se lista nuk është planifikuar si e plotë, meqë njerëzit vazhdojnë gjithnjë t’i shumëfishojnë veprat e këqija.
Në fakt, ne duhet të zhvillojmë neveri për atë që urren Perëndia. Për shembull, duhet t’i shmangim «sytë krenarë» ose çfarëdo lloj tjetër shfaqjeje të krenarisë. Gjithashtu, thashethemet e dëmshme duhen shmangur, sepse mund të shkaktojnë me lehtësi «grindje midis vëllezërve». Duke përhapur thashetheme të pakëndshme, kritika të pajustifikuara ose gënjeshtra, mund të mos jemi duke ‘derdhur gjak të pafajshëm’, por patjetër që mund të shkatërrojmë reputacionin e mirë të një personi tjetër.
‘Mos e dëshiro bukurinë e saj’
Solomoni e fillon linjën tjetër të këshillës duke thënë: «Biri im, ruaje urdhërimin e atit tënd dhe mos harro mësimet e nënës sate. Mbaji vazhdimisht të lidhura në zemrën tënde dhe fiksoji rreth qafës sate.» Arsyeja? «Kur do të ecësh, do të të udhëheqin; kur të pushosh, do të të ruajnë; kur të zgjohesh, do të flasin me ty.»—Fjalët e urta 6:20-22.
A mund të na ruajë, në të vërtetë, rritja sipas Biblës nga laku i imoralitetit seksual? Po, patjetër që mundet. Na jepet kjo siguri: «Urdhërimi është një llambë, mësimi një dritë dhe ndreqjet e mësimit janë rruga e jetës, për të të mbrojtur nga gruaja e keqe, nga lajkat e gjuhës së gruas së huaj.» (Fjalët e urta 6:23, 24) Duke i mbajtur mend këshillat e Fjalës së Perëndisë dhe duke i përdorur si ‘një llambë në këmbën tonë dhe një dritë në shtegun tonë’, do të ndihmohemi t’u rezistojmë ftesave lajkatare të një gruaje të keqe ose, gjithashtu, të një burri të keq.—Psalmi 119:105.
«Mos dëshiro në zemrën tënde bukurinë e saj,—këshillon mbreti i mençur,—dhe mos u rrëmbe nga qepallat e saj.» Përse? «Sepse për një prostitutë burri katandiset për një copë bukë dhe gruaja e një tjetri gjuan shpirtin e vyer të një burri.»—Fjalët e urta 6:25, 26.
A i referohet Solomoni gruas kurorëshkelëse si prostitutë? Ndoshta. Ose mund të jetë që ai bën dallim mes pasojave që sjell imoraliteti me një prostitutë nga ato që vijnë nga kurorëshkelja me gruan e një tjetri. Ai që ka marrëdhënie intime me një prostitutë mund të katandiset për «një copë bukë», në varfëri të skajshme. Madje, mund të marrë edhe sëmundje të dhembshme e gjymtuese, të transmetuara me rrugë seksuale, duke përfshirë edhe SIDA-n vdekjeprurëse. Nga ana tjetër, ai që kërkon marrëdhënie intime me bashkëshorten e dikujt tjetër do të ishte në rrezik më të madh e të menjëhershëm nën Ligj. Një grua kurorëshkelëse rrezikon «shpirtin e vyer» të partnerit të saj të paligjshëm. «Këtu ka ndër mend . . . më shumë se shkurtimin e jetës nga dhënia pas qejfeve,—thotë një vepër referimi.—Mëkatari meriton dënimin me vdekje.» (Levitiku 20:10; Ligji i përtërirë 22:22) Sidoqoftë, me gjithë bukurinë fizike, një grua e tillë nuk është për t’u dëshiruar.
‘Mos e mbaj zjarrin në gjirin tënd’
Për ta theksuar më tej rrezikun e kurorëshkeljes, Solomoni pyet: «A mund të mbajë burri një zjarr në gji të tij pa djegur rrobat e trupit? A mund të ecë burri mbi qymyr të ndezur pa djegur këmbët e tij?» Duke shpjeguar domethënien e ilustrimit, ai thotë: «Në këtë gjendje është ai që shkon tek gruaja e një tjetri, kush e prek nuk do të mbetet pa ndëshkuar.» (Fjalët e urta 6:27-29) Një mëkatar i tillë do të ndëshkohet me siguri.
«Nuk përçmohet hajduti që vjedh për të shuar urinë kur është i uritur»,—na kujtohet. Gjithsesi, «në rast se kapet në faj, duhet të kthejë shtatëfishin dhe të japë tërë pasurinë e shtëpisë së tij». (Fjalët e urta 6:30, 31) Në Izraelin e lashtë, një hajduti i kërkohej të paguante, edhe sikur kjo t’i merrte gjithçka që kishte.a Sa më shumë e meriton ndëshkimin një kurorëshkelës, i cili nuk ka shfajësim për atë që ka bërë!
«Ai që kryen shkelje kurore me një grua është një njeri pa mend»,—pohon Solomoni. Një njeriu pa mend i mungon gjykimi i shëndoshë, meqë «shkatërron jetën e tij». (Fjalët e urta 6:32) Nga jashtë, mund të duket një person me reputacion të mirë, por njeriut të brendshëm i mungon seriozisht zhvillimi i duhur.
Frytet që korr një kurorëshkelës janë edhe më shumë. «Do të gjejë plagë dhe përçmim, dhe turpi i tij nuk do t’i hiqet kurrë. Sepse xhelozia e tërbon bashkëshortin, që do të jetë i pamëshirshëm ditën e hakmarrjes. Ai nuk do të pranojë asnjë shpërblim dhe nuk do të kënaqet, edhe sikur t’i bëjnë shumë dhurata.»—Fjalët e urta 6:33-35.
Një vjedhës mund ta kompensojë atë që vodhi, por një kurorëshkelës nuk bën dot dëmshpërblim. Çfarë dëmshpërblimi mund t’i ofronte ai një bashkëshorti të zemëruar? Asnjë sasi lutjesh nuk ka të ngjarë të sjellë mëshirë për keqbërësin. Kurorëshkelësi nuk ka asnjë mundësi për të dëmshpërblyer për mëkatin e tij. Turpi dhe përçmimi që kanë rënë mbi emrin e tij mbeten. Për më tepër, ai nuk mundet në asnjë mënyrë të shpërblejë veten ose të blejë lirinë nga ndëshkimi që meriton.
Sa e mençur është të rrimë larg nga kurorëshkelja, si edhe nga sjellja e qëndrimet e tjera që na ulin emrin e mirë dhe mund të sjellin sharje mbi Perëndinë! Atëherë, qofshim të kujdesshëm për të mos bërë premtime të pamenda. Papërtueshmëria dhe vërtetësia le ta stolisin reputacionin tonë. Dhe, ndërsa përpiqemi të urrejmë atë që urren Jehovai, le të bëjmë një emër të mirë para tij dhe para njerëzve!
[Shënimi]
a Sipas Ligjit të Moisiut, një hajduti i kërkohej të paguante dyfishin, katërfishin ose pesëfishin. (Eksodi 22:1-4) Termi «shtatëfishin» ka të ngjarë të tregojë një masë të plotë ndëshkimi, e cila mund të ishte shumë më tepër sesa ajo që vodhi.
[Figura në faqen 25]
Tregohu i matur për bashkënënshkrimin e një huaje
[Figura në faqen 26]
Ji i papërtueshëm si milingona
[Figura në faqen 27]
Ruhu nga thashethemet e dëmshme