«Zbato urdhërimet e mia dhe vazhdo të jetosh»
AI ISHTE i ri, inteligjent, «i bukur nga forma dhe kishte një pamje tërheqëse». Gruaja e punëdhënësit të tij ishte epshore dhe e pacipë. Duke ndier një tërheqje të parezistueshme ndaj të riut, ajo përpiqej çdo ditë që ta joshte. «Një ditë ndodhi që ai hyri në shtëpi për të bërë punën e tij, dhe nuk ndodhej në shtëpi asnjë prej shërbëtorëve. Atëherë ajo e kapi nga rrobat dhe i tha: ‘Eja të shtrihesh me mua.’» Por Jozefi, djali i patriarkut Jakob, e la aty rrobën e tij dhe iku nga gruaja e Potifarit.—Zanafilla 39:1-12.
Sigurisht, jo të gjithë ikin nga situatat tunduese. Për shembull, shqyrtoni rastin e një të riu të cilin mbreti Solomon i Izraelit të lashtë e pa në rrugë natën. Kur një grua e shthurur e joshi, «menjëherë ai e ndoqi si një ka që shkon në thertore».—Fjalët e urta (Proverbat) 7:21, 22, New International Version.
Të krishterët këshillohen që të ‘ikin nga kurvëria’. (1 Korintasve 6:18) Timoteut, dishepullit të ri të krishterë, apostulli Pavël i shkroi: «Ik, pra, nga dëshirat karakteristike rinore.» (2 Timoteut 2:22) Kur ballafaqohemi me situata që nxitin kurvërinë, kurorëshkeljen ose ndonjë mëkat tjetër moral, edhe ne duhet të ikim po me aq vendosmëri sa iku Jozefi nga gruaja e Potifarit. Çfarë do të na ndihmojë të jemi të vendosur për të bërë këtë? Në kapitullin e 7-të të librit biblik të Proverbave, Solomoni na jep disa këshilla shumë të vlefshme. Ai jo vetëm që flet për mësime që na ruajnë nga kurthet e njerëzve imoralë, por demaskon edhe metodat e tyre të veprimit, duke përshkruar në mënyrë të gjallë një skenë në të cilin një i ri joshet nga një grua e shthurur.
‘Lidhi urdhërimet e mia ndër gishta’
Mbreti fillon me këshillën atërore: «Biri im, ruaji fjalët e mia dhe urdhërimet e mia në veten tënde. Ruaji urdhërimet e mia dhe ke për të jetuar [zbato urdhërimet e mia dhe vazhdo të jetosh, BR]; ruaji mësimet e mia si bebja e syve të tu.»—Fjalët e urta 7:1, 2.
Prindërit e, në veçanti baballarët, kanë përgjegjësinë nga Perëndia që t’u mësojnë fëmijëve normat e Perëndisë për të mirën dhe të keqen. Moisiu i nxiti baballarët: «Këto fjalë që sot po të urdhëroj do të mbeten në zemrën tënde; do t’ua ngulitësh bijve të tu, do të flasësh për to kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecën rrugës, kur ke rënë në shtrat dhe kur çohesh.» (Ligji i përtërirë 6:6, 7) Gjithashtu, apostulli Pavël shkroi: «Ju, etër, mos i acaroni fëmijët tuaj, por vazhdoni t’i rritni në disiplinën dhe normën mendore të Jehovait.» (Efesianëve 6:4) Prandaj, udhëzimet e një prindi, të cilat duhen ruajtur ose vlerësuar shumë, patjetër që përfshijnë përkujtuesit, urdhërimet dhe ligjet që gjenden në Fjalën e Perëndisë, në Bibël.
Mësimi nga prindërit mund të përfshijë edhe norma të tjera ose rregulla familjare. Këto janë për të mirën e pjesëtarëve të familjes. Vërtet, në varësi të nevojave, rregullat mund të ndryshojnë nga një familje në tjetrën. Megjithatë, prindërit kanë detyrën të vendosin çfarë është më e mira për familjen e tyre. Dhe, rregullat që vënë zakonisht janë shprehje e dashurisë dhe e interesit të tyre të sinqertë. Këshilla që u jepet të rinjve është që t’u përmbahen këtyre rregullave, së bashku me mësimet biblike që marrin nga prindërit. Po, është e nevojshme t’i shihni këto udhëzime ‘si bebja e syve tuaj’, duke i ruajtur me kujdesin më të madh. Në këtë mënyrë do të shmangni efektin vdekjeprurës që vjen kur shpërfillen normat e Jehovait, dhe do të ‘vazhdoni të jetoni’.
«Lidhi [urdhërimet e mia] ndër gishta,—vazhdon Solomoni,—shkruaji mbi tabelën e zemrës sate.» (Fjalët e urta 7:3) Ashtu si gishtat që janë të dallueshëm në sytë tanë dhe janë jetësorë për të përmbushur qëllimet tona, mësimet që marrin nga edukimi sipas Biblës ose fitimi i njohurisë biblike duhet të jenë një përkujtues dhe udhëheqje e vazhdueshme në çdo gjë që bëjmë. Duhet t’i gdhendim ato në pllakën e zemrës sonë, duke i bërë pjesë të natyrës sonë.
Duke mos harruar rëndësinë e mençurisë dhe të kuptueshmërisë, mbreti bën thirrje: «Thuaji diturisë [mençurisë, BR]: ‘Ti je motra ime’ dhe quaje ‘shok’ gjykimin [kuptueshmërinë, BR].» (Fjalët e urta 7:4) Mençuria është aftësia për ta vënë në përdorimin e duhur njohurinë që na ka dhënë Perëndia. Duhet të kemi përzemërsi për mençurinë si për një motër që e duam shumë. Çfarë është kuptueshmëria? Është aftësia për të shqyrtuar një çështje dhe për të dalluar kuptimin e saj, duke kapur lidhjen mes pjesëve të saj dhe së tërës. Kuptueshmëria duhet të jetë aq e ngushtë për ne sa edhe një mik i afërt.
Përse duhet t’i përmbahemi stërvitjes biblike dhe të zhvillojmë afërsi me mençurinë dhe kuptueshmërinë? Që ‘të ruhemi nga gruaja e tjetrit, nga gruaja e huaj që përdor fjalë lajkatare’. (Fjalët e urta 7:5) Po, kjo do të na mbrojë nga mënyrat joshëse dhe bindëse të një të huaji, të një personi imoral.a
I riu takon ‘një grua dinake’
Më tej, mbreti i Izraelit përshkruan një skenë që e ka parë vetë: «Nga dritarja e shtëpisë sime shikoja nëpër parmakët prej hekuri dhe pashë midis budallenjve; dallova midis të rinjve një djalë të ri që s’kishte gjykim, që kalonte nëpër rrugë pranë qoshes së gruas së huaj dhe drejtohej nga shtëpia e saj, në muzg, kur po ngryste dita, ndërsa zbriste nata e zezë dhe e errët.»—Fjalët e urta 7:6-9.
Dritarja nëpër të cilën sheh Solomoni ka një parmak, me sa duket, një strukturë me rrjetë teli dhe ndoshta me gdhendje të stërholluara. Ndërsa bie muzgu, errësira e natës derdhet nëpër rrugë. Atij i zënë sytë një të ri që është veçanërisht i pambrojtur. Duke qenë se i mungon aftësia dalluese ose gjykimi i shëndoshë, atij i mungon zemra. Ndoshta është në dijeni të llojit të lagjes ku ka hyrë dhe çfarë mund t’i ndodhë atje. I riu afrohet «pranë qoshes» së saj, e cila gjendet në rrugën që të çon për te shtëpia e saj. Kush është kjo? Çfarë po bën?
Mbreti vrojtues vazhdon: «I doli para një grua e veshur si prostitutë dhe dinake; ajo është turbulluese dhe provokuese dhe nuk di t’i mbajë këmbët në shtëpinë e saj; herë mbi rrugë, herë në sheshet qëndron në pritë në çdo qoshe.»—Fjalët e urta 7:10-12.
Mënyra si është veshur kjo grua flet shumë për të. (Zanafilla 38:14, 15) Ajo është veshur pa modesti, si një prostitutë. Për më tepër, është dinake, mendja e saj është «tradhtare», qëllimet e saj «dinake». (An American Translation; New International Version) Ajo është turbulluese dhe provokuese, llafazane dhe e pabindur, zhurmëmadhe dhe kryeneçe, arrogante dhe sfiduese. Në vend që të rrijë në shtëpi, preferon të shkojë në vendet publike, duke ndenjur në pritë në qoshet e rrugës për të kapur prenë e saj. Po pret dikë si ky i ri.
Një bollëk ‘fjalësh bindëse’
Kështu, një i ri takon një grua të shthurur me një plan dinak në mendje. Sa duhet ta ketë tërhequr vëmendjen e Solomonit kjo gjë! Ai tregon: «Kështu e zuri dhe e puthi, pastaj me paturpësi tha: ‘Duhet të bëja flijimet e falënderimit; pikërisht sot i plotësova zotimet e mia; prandaj të dola përpara që të të kërkoj dhe të gjeta.»—Fjalët e urta 7:13-15.
Buzët e kësaj gruaje janë të buta. Me paturpësi, ajo i thotë e sigurt fjalët e saj. Çdo gjë që thotë, e ka llogaritur me kujdes për të joshur të riun. Duke i thënë se kishte bërë flijimet e falënderimit po atë ditë dhe kishte plotësuar zotimet e saj, ajo bën një shfaqje drejtësie, duke lënë të nënkuptohet se nuk i mungon karakteri frymor. Flijimet e falënderimit në tempullin në Jerusalem përbëheshin nga mish, miell, vaj dhe verë. (Levitiku 19:5, 6; 22:21; Numrat 15:8-10) Duke qenë se blatuesi mund të merrte një pjesë të flijimit të falënderimit për vete dhe për familjen e tij, ajo sugjeron, në këtë mënyrë, se në shtëpinë e saj ka shumë gjëra për të ngrënë e për të pirë. Nënkuptimi është i qartë: i riu do të kalonte një kohë të këndshme atje. Ajo ka dalë nga shtëpia e saj në mënyrë specifike për të kërkuar atë. Sa prekëse do të ishte sikur dikush ta kapërdinte këtë histori! «Është e vërtetë që ajo po kërkonte dikë,—thotë një dijetar biblik,—por, a doli të kërkonte pikërisht këtë njeri? Vetëm një i pamend, ndoshta ky këtu, do ta besonte.»
Pasi e bëri veten tërheqëse me veshjet e saj, me tingullin e fjalëve të saj lajkatare, me prekjen e përqafimit të saj dhe me shijen e buzëve të saj, joshësja përdor shqisën e nuhatjes. Ajo thotë: «E zbukurova shtratin tim me një mbulesë si sixhade, me li të ngjyrosur nga Egjipti; e parfumova shtratin tim me mirrë, me aloe dhe me kanellë.» (Fjalët e urta 7:16, 17) Ajo, në mënyrë estetike, e ka përgatitur shtratin e saj me li shumëngjyrësh nga Egjipti dhe e ka parfumuar me aroma të zgjedhura mirre, aloeje dhe kanelle.
«Eja, të dehemi me dashuri deri në mëngjes,—vazhdon ajo,—të kënaqemi në qejfe dashurie.» Ftesa është për të bërë diçka shumë më tepër se një darkë të këndshme për dy veta. Premtimi i saj është që të gëzojnë intimitet seksual. Të riut, kjo kërkesë i duket një aventurë dhe diçka emocionuese! Ajo shton një joshje të mëtejshme: «Sepse burri im nuk është në shtëpi, por ka shkuar në një udhëtim të gjatë; ka marrë me vete një thes të vogël me pare dhe do të kthehet në shtëpi vetëm kur të jetë hëna e plotë.» (Fjalët e urta 7:18-20) E siguron se do të jenë krejt të sigurt, sepse i shoqi është larg, në një udhëtim pune, dhe nuk pritet të vijë për njëfarë kohe. Sa e talentuar është në mashtrimin e një të riu! «Ajo e mashtroi me fjalë bindëse, e tërhoqi me ëmbëlsinë e buzëve të saj.» (Fjalët e urta 7:21) Do të duhej një burrë i kalibrit të Jozefit për t’i rezistuar një kërkese kaq joshëse. (Zanafilla 39:9, 12) A është ky i ri në lartësinë e duhur?
‘Si një ka në thertore’
«Ai e ndoqi pa mëdyshje,—tregon Solomoni,—si një ka që shkon në thertore, si një i lidhur në dënimin e budallait, deri sa një shigjetë nuk i shpon mëlçinë; ai nxiton si zog, pa ditur që një lak është ngritur kundër jetës së tij.»—Fjalët e urta 7:22, 23.
I riu nuk mund t’i rezistojë ftesës. Duke hedhur tej çdo gjykim të shëndoshë, ai i shkon pas «si një ka që shkon në thertore». Ashtu si një njeri në zinxhirë nuk mund t’i shpëtojë ndëshkimit, ashtu i riu tërhiqet drejt mëkatit. Ai nuk e sheh rrezikun e kësaj derisa «një shigjetë nuk i shpon mëlçinë», domethënë, derisa merr një plagë që mund t’i shkaktojë vdekjen. Vdekja mund të jetë fizike, për faktin që ai mund të ekspozohet ndaj sëmundjeve vdekjeprurëse të transmetuara me rrugë seksuale.b Plaga mund t’i shkaktojë edhe vdekje frymore, pasi përfshin ‘jetën e tij’. E gjithë qenia e tij dhe jeta e tij ndikohen seriozisht dhe ai ka mëkatuar rëndë kundër Perëndisë. Në këtë mënyrë, ai nxiton në duart e vdekjes si një zog në një lak!
«Mos devijo nëpër shtigjet e saj»
Duke nxjerrë një mësim nga ajo që ka parë, mbreti i mençur nxit: «Prandaj, bij të mi, më dëgjoni, kushtojuni kujdes fjalëve të gojës sime. Zemra jote të mos shkojë pas rrugëve të saj, mos devijo nëpër shtigjet e saj, sepse ka rrëzuar shumë të plagosur për vdekje dhe tërë ata që ajo ka vrarë ishin burra të fortë. Shtëpia e saj është rruga e Sheolit që zbret në thellësitë e vdekjes.»—Fjalët e urta 7:24-27.
Qartë, këshilla e Solomonit është të largohemi nga udhët vdekjeprurëse të një personi imoral që të ‘vazhdojmë të jetojmë’. (Fjalët e urta 7:2) Sa e kohës është kjo këshillë për ditët tona! Patjetër, është e nevojshme të shmangim vendet e frekuentuara nga ata që po rrinë në pritje për të kapur prenë. Përse t’u nënshtrohemi taktikave të tyre duke shkuar në vende të tilla? Në fakt, përse një person duhet të jetë si ai që «s’kishte gjykim» dhe të endet në shtigjet që të çojnë te «gruaja e huaj»?
«Gruaja e tjetrit» që pa mbreti, e joshi të riun me një ftesë që të ‘kënaqeshin me qejfe dashurie’. A nuk janë shfrytëzuar në mënyrë të ngjashme shumë të rinj, veçanërisht vajza? Vetëm shqyrtoni: kur dikush përpiqet t’ju tërheqë në sjellje të gabuar seksuale, është dashuri e vërtetë apo epsh egoist? Përse një burrë që e do vërtet një grua, do t’i bënte presion të shkelte stërvitjen dhe ndërgjegjen e saj të krishterë? Solomoni këshillon që «zemra jote të mos shkojë pas» atyre rrugëve.
Fjalët e një joshëseje zakonisht janë të ëmbla dhe të llogaritura mirë. Pasja e mençurisë dhe e kuptueshmërisë do të na ndihmojë të shohim përtej tyre. Do të mbrohemi po të mos e harrojmë asnjëherë atë që ka urdhëruar Jehovai. Prandaj, le të përpiqemi gjithnjë të ‘zbatojmë urdhërimet e Perëndisë dhe të vazhdojmë të jetojmë’, madje përgjithmonë!—1 Gjonit 2:17.
[Shënimet]
a Fjala «i huaj» përdorej për ata që ishin larguar nga Jehovai, duke u larguar nga Ligji. Kështu, një femër imorale, si për shembull një prostitutë, quhet edhe «grua e huaj».
b Disa sëmundje të transmetuara me rrugë seksuale dëmtojnë mëlçinë. Për shembull, në raste të avancuara të sifilizit, organizmat bakterialë e sulmojnë mëlçinë. Edhe organizmi përgjegjës për gonorrenë mund të shkaktojë pezmatim të mëlçisë.
[Figurat në faqen 29]
Si i konsideroni rregullat e prindërve?
[Figura në faqen 31]
Zbatimi i urdhërimeve të Perëndisë do të thotë jetë