«Lum njeriu që ka gjetur mençurinë!»
AI ISHTE poet, arkitekt dhe mbret. Me të ardhura vjetore prej më shumë se 200 milionë dollarësh, ishte më i pasur se çdo mbret tjetër në tokë. Gjithashtu, ishte shumë i njohur për mençurinë e tij. Kaq shumë përshtypje i bëri kjo një mbretëreshe që e vizitoi, saqë tha: «As gjysmën e tyre nuk më kishin thënë. Dituria dhe begatia jote tejkalojnë famën për të cilën më kishin folur.» (1 Mbretërve 10:4-9) Një pozitë të tillë kishte mbreti Solomon i Izraelit të lashtë.
Solomoni kishte edhe pasurinë, edhe mençurinë. Kjo e pajiste në mënyrë të veçantë që të vendoste se cila prej të dyjave ishte vërtet e domosdoshme. Ai shkroi: «Lum njeriu që ka gjetur mençurinë dhe njeriu që fiton aftësi dalluese, sepse pasja e saj si fitim është më mirë se të kesh argjend si fitim dhe ta kesh atë si prodhim është më mirë se vetë ari. Është më e çmuar se koralet dhe të gjitha kënaqësitë e tjera të tua nuk mund të barazohen me të.»—Proverbat (Fjalët e urta) 3:13-15, BR.
Por, ku mund të gjendet mençuria? Përse është më e vlefshme se pasuritë? Cilat janë anët e saj tërheqëse? Kapitulli i tetë i librit biblik të Proverbave, shkruar nga Solomoni, u përgjigjet në mënyrë të jashtëzakonshme këtyre pyetjeve. Atje, mençuria është e personifikuar, sikur të jetë në gjendje të flasë e të veprojë. Dhe, vetë mençuria zbulon tërheqjen që ka, si edhe vlerën e vet.
«Vazhdon të thërrasë me zë të lartë»
Kapitulli 8 i Proverbave fillon me një pyetje retorike: «A nuk vazhdon të thërrasë mençuria dhe a nuk vazhdon ta nxjerrë zërin e saj aftësia dalluese?»a Po, mençuria dhe aftësia dalluese vazhdojnë të thërrasin, por shumë ndryshe nga gruaja imorale që gjendet në vende të errëta dhe i pëshpërit fjalë joshëse në vesh një të riu të vetmuar e pa përvojë. (Proverbat 7:12, BR) «Në majë të lartësive, anash rrugës, në kryqëzimin e rrugëve ajo është vendosur. Në anët e portave, në buzë të qytetit, në vendin ku futesh në hyrje, ajo vazhdon të thërrasë me zë të lartë.» (Proverbat 8:1-3, BR) Zëri i fortë dhe i lartë i mençurisë dëgjohet qartë në vendet e hapura: në porta, në kryqëzime rrugësh, në hyrjet e qytetit. Njerëzit mund ta dëgjojnë me lehtësi këtë zë dhe t’i përgjigjen.
Kush mund ta mohojë faktin që mençuria hyjnore e dokumentuar në Fjalën e frymëzuar të Perëndisë, në Bibël, sot është në dispozicion pothuajse për të gjithë njerëzit që dëshirojnë ta kenë atë? «Bibla është libri më i lexuar në histori»,—thotë The World Book Encyclopedia. Aty shtohet: «Janë shpërndarë më tepër kopje të Biblës, sesa të çdo libri tjetër. Gjithashtu, Bibla është përkthyer më shumë herë dhe në më shumë gjuhë se çdo libër tjetër.» Duke qenë se Bibla, e plotë a pjesërisht, është në dispozicion në më tepër se 2.100 gjuhë dhe dialekte, më se 90 për qind e familjes njerëzore mund ta lexojë të paktën një pjesë të Fjalës së Perëndisë në gjuhën e vet.
Dëshmitarët e Jehovait po e shpallin hapur mesazhin e Biblës kudo. Në 235 vende, ata po e predikojnë gjallërisht lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë dhe po u mësojnë njerëzve të vërtetat që gjenden në Fjalën e Perëndisë. Revistat e tyre të bazuara në Bibël, Kulla e Rojës, e shtypur në 140 gjuhë, dhe Zgjohuni!, e shtypur në 83 gjuhë, kanë një qarkullim prej më shumë se 20 milionë kopjesh secila. Patjetër, mençuria vazhdon të thërrasë me zë të lartë në vendet e hapura!
«Zëri im u drejtohet bijve të njeriut»
Mençuria e personifikuar fillon të flasë, duke thënë: «Ju drejtohem juve, o njerëz dhe zëri im u drejtohet bijve të njeriut. Kuptoni, o njerëz të thjeshtë, maturinë dhe ju, njerëz pa mend, kini një zemër të urtë.»—Fjalët e urta 8:4, 5.
Thirrja e mençurisë është e gjithësishme. Ajo ia bën ftesën e saj gjithë njerëzimit. Edhe njerëzit pa përvojë i fton të fitojnë mendjehollësi ose maturi, ndërsa të pamendët i fton të kenë një zemër të urtë, të fitojnë kuptueshmëri. Në të vërtetë, Dëshmitarët e Jehovait besojnë se Bibla është një libër për të gjithë njerëzit dhe përpiqen në mënyrë të paanshme të nxitin këdo që takojnë që të ndalet e ta shqyrtojë atë, për të gjetur fjalët e mençurisë që përmban.
‘Goja ime shpall të vërtetën’
Duke e zgjeruar thirrjen e saj, mençuria vazhdon: «Më dëgjoni, sepse do të flas për gjëra të rëndësishme dhe buzët e mia do të hapen për të thënë gjëra të drejta. Sepse goja ime do të shpallë të vërtetën; pabesia është e neveritshme për buzët e mia. Të gjitha fjalët e gojës sime janë të drejta, në to nuk ka asgjë të shtrembër dhe të çoroditur.» Po, mësimet e mençurisë janë të shkëlqyera dhe të ndershme, të vërteta dhe të drejta. Në to nuk ka asgjë të shtrembër ose të çoroditur. «Janë të gjitha të drejta për atë që ka mend dhe për ata që kanë gjetur dijen.»—Fjalët e urta 8:6-9.
Në mënyrë të përshtatshme, mençuria nxit: «Pranoni mësimin tim dhe jo argjendin, dijen në vend të arit të zgjedhur.» Kjo kërkesë është e arsyeshme, «sepse dituria vlen më tepër se margaritarët, të gjitha gjërat që dikush mund të dëshirojë nuk barazohen me të». (Fjalët e urta 8:10, 11) Por, përse? Çfarë e bën diturinë ose mençurinë më të çmuar se pasuritë?
«Fryti im është më i mirë se ari»
Dhuratat që i jep mençuria dëgjuesit të saj janë më të çmuara se ari, argjendi ose koralet. Duke pohuar cilat janë këto dhurata, mençuria thotë: «Unë, dituria, rri me maturinë dhe e gjej dijen në meditim. Frika e Zotit është të urresh të keqen; unë e urrej kryelartësinë, arrogancën, rrugën e keqe dhe gojën e çoroditur.»—Fjalët e urta 8:12, 13.
Mençuria i jep zotëruesit të saj mendjehollësi dhe aftësi për të menduar. Njeriu që ka mençurinë hyjnore, ka edhe një nderim të thellë për Perëndinë, pasi «frika e Jehovait është fillimi i mençurisë». (Proverbat 9:10, BR) Prandaj, ai e urren atë që urren Jehovai. Fodullëku, arroganca, sjellja imorale dhe e folura e ndyrë janë shumë larg tij. Urrejtja për atë që është e keqe e mbron nga ndikimi korruptues që ka pushteti. Sa e rëndësishme është që ata të cilët kanë pozita përgjegjësie në kongregacionin e krishterë, si edhe ata që janë kryefamiljarë, të kërkojnë mençurinë!
«Mua më takon mendimi dhe dituria e vërtetë,—vazhdon mençuria,—unë jam zgjuarsia, mua më përket forca. Nëpërmjet meje mbretërojnë mbretërit dhe princat vendosin drejtësinë. Nëpërmjet meje qeverisin krerët, fisnikët, tërë gjykatësit e tokës.» (Fjalët e urta 8:14-16) Fryti i mençurisë përfshin gjykimin e thellë, kuptueshmërinë dhe forcën, faktorë shumë të nevojshëm për mbretërit, princat dhe fisnikët. Mençuria është e domosdoshme për ata që kanë pozita pushteti dhe për ata që këshillojnë të tjerët.
Mençurinë e vërtetë mund ta kenë në dispozicion kollaj të gjithë, por jo të gjithë e gjejnë. Disa e hedhin poshtë ose e shmangin edhe kur u vjen te pragu i derës. «Unë i dua ata që më duan,—thotë mençuria,—dhe ata që më kërkojnë me kujdes më gjejnë.» (Fjalët e urta 8:17) Mençurinë mund ta gjejnë vetëm ata që e kërkojnë seriozisht.
Udhët e mençurisë janë të ndershme e të drejta. Ajo i shpërblen ata që e kërkojnë. Mençuria thotë: «Me mua janë pasuria dhe lavdia, pasuria që zgjat dhe drejtësia. Fryti im është më i mirë se ari, po, se ari i kulluar, dhe prodhimi im më tepër se argjendi i zgjedhur. Unë eci në rrugën e drejtësisë, në mes të shtigjeve të drejtësisë, për t’i bërë ata që më duan të trashëgojnë pasurinë e vërtetë dhe për të mbushur thesaret e tyre.»—Fjalët e urta 8:18-21.
Së bashku me cilësi dhe tipare të tilla të shkëlqyera, si: maturia, aftësia e të menduarit, përulësia, gjykimi i thellë, mençuria praktike dhe kuptueshmëria, dhuratat e mençurisë përfshijnë pasuritë dhe nderin. Një person i mençur mund të fitojë fare mirë pasuri me mjete të drejta dhe do të begatohet frymësisht. (3 Gjonit 2) Gjithashtu, mençuria i sjell nder një personi. Për më tepër, ai gjen kënaqësi nga ajo që fiton dhe ka paqe mendore e një ndërgjegje të pastër ndaj Perëndisë. Po, lum njeriu që ka gjetur mençurinë. Fryti i mençurisë është vërtet më i mirë se ari i kulluar dhe se argjendi i zgjedhur.
Sa e kohës është kjo këshillë për ne, pasi jetojmë në një botë materialiste, ku theksi vihet në fitimin e pasurisë me çdo mjet dhe me çdo kusht! Le të mos e humbim kurrë nga sytë vlerën e madhe të mençurisë e të mos përdorim mjete të padrejta për të fituar pasuri! Le të mos i lëmë kurrë pas dore masat që na japin mençuri, pra, mbledhjet e krishtere dhe studimin personal të Biblës e të botimeve të siguruara nga «skllavi i besueshëm dhe i matur», vetëm për hir të fitimit të pasurive!—Mateu 24:45-47.
«U vendosa nga kohë të pacaktuara»
Personifikimi i mençurisë, i cili gjendet në kapitullin 8 të librit të Proverbave nuk është thjesht një mënyrë për të shpjeguar karakteristikat e një cilësie abstrakte. Ajo, po ashtu, ka të bëjë në mënyrë simbolike me krijimin më të rëndësishëm të Jehovait. Mençuria vazhdon të thotë: «Zoti më zotëroi në fillim të rrugës së tij, përpara veprave të tij më të lashta. U vendosa nga amshimi [kohë të pacaktuara, BR], që në krye, para se toka të ekzistonte. Më prodhuan kur nuk kishte ende humnera, kur nuk kishte burime me ujë të bollshëm. Më prodhuan para se themelet e maleve të ishin përforcuar, para kodrinave, kur nuk kishte sajuar ende as tokën, as fushat dhe as plisat e para të dheut.»—Fjalët e urta 8:22-26.
Sa mirë përputhet përshkrimi i mësipërm i mençurisë së personifikuar me atë që thuhet në Shkrime lidhur me ‘Fjalën’! «Në fillim ishte Fjala,—shkroi apostulli Gjon,—dhe Fjala ishte me Perëndinë, dhe Fjala ishte një perëndi.» (Gjoni 1:1) Mençuria e personifikuar paraqet në mënyrë të figurshme Birin e Perëndisë, Jezu Krishtin, në jetën e tij paranjerëzore.b
Jezu Krishti është «i parëlinduri i gjithë krijimit; sepse me anë të tij u krijua gjithçka tjetër në qiej dhe mbi tokë, gjërat e dukshme dhe ato të padukshme». (Kolosianëve 1:15, 16) «Kur ai [Jehovai] fiksonte qiejtë, unë isha aty; kur bënte një rreth mbi sipërfaqen e humnerës, kur i bënte të qëndrueshëm qiejtë e epërm, kur përforconte burimet e humnerës, kur i caktonte detit caqet e tij në mënyrë që ujërat të mos kalonin përtej urdhërit të tij, kur vendoste themelet e dheut, unë isha pranë tij si një arkitekt [kryemjeshtër, BR], isha çdo ditë kënaqësia e tij, duke u gëzuar çdo çast para tij; kënaqesha në pjesën e banueshme të botës dhe gjeja ëndjen time me bijtë e njerëzve.» (Fjalët e urta 8:27-31) Biri i parëlindur i Jehovait ishte atje, përkrah Atit të tij, duke punuar gjallërisht me të, me Krijuesin e pashoq të qiejve dhe të tokës. Kur Perëndia Jehova krijoi njeriun e parë, Biri i Tij e shoqëroi në këtë projekt si Kryemjeshtër. (Zanafilla 1:26) Nuk habitemi që Biri i Perëndisë është shumë i interesuar për njerëzimin, e madje e ka për zemër atë!
«Lum ai njeri që më dëgjon!»
Si mençuria e personifikuar, Biri i Perëndisë thotë: «Tani, pra, më dëgjoni, o bij; lum ata që ndjekin rrugët e mia! Dëgjoni këto mësime, tregohuni të urtë dhe mos i hidhni poshtë! Lum ai njeri që më dëgjon, duke u gdhirë çdo ditë te portat e mia dhe duke ruajtur shtalkat e portave të mia. Sepse ai që më gjen, gjen jetën dhe siguron përkrahjen e Zotit. Por ai që mëkaton kundër meje, i bën të keqe vetvetes; të gjithë ata që më urrejnë duan vdekjen.»—Fjalët e urta 8:32-36.
Jezu Krishti është vetë mishërimi i mençurisë së Perëndisë. «Në të janë fshehur me kujdes të gjitha thesaret e mençurisë e të njohurisë.» (Kolosianëve 2:3) Pra, le ta dëgjojmë me shumë vëmendje atë dhe t’i ndjekim me kujdes gjurmët e tij! (1 Pjetrit 2:21) Të mos e pranojmë Jezuin do të thotë t’i bëjmë keq shpirtit tonë dhe të duam vdekjen, pasi «në asnjë tjetër nuk ka shpëtim». (Veprat 4:12) Vërtet, le ta pranojmë Jezuin si atë që Perëndia ka siguruar për shpëtimin tonë. (Mateu 20:28; Gjoni 3:16) Kështu, do të përjetojmë lumturinë që vjen kur ‘gjejmë jetën dhe sigurojmë përkrahjen e Jehovait’.
[Shënimet]
a Fjala hebraike për fjalën «mençuri» është në gjininë femërore. Prandaj, disa përkthime përdorin përemra në gjininë femërore kur bëhet fjalë për mençurinë.
b Fakti që fjala hebraike për «mençuri» është gjithnjë në gjininë femërore nuk bie në kundërshtim me përdorimin e mençurisë për të personifikuar Birin e Perëndisë. Fjala greke për fjalën «dashuri», në shprehjen «Perëndia është dashuri», është po ashtu në gjininë femërore. (1 Gjonit 4:8) Megjithatë, përdoret për Perëndinë.
[Figurat në faqen 26]
Mençuria është e domosdoshme për ata që kanë pozita përgjegjësie
[Figurat në faqen 27]
Mos i lini pas dore masat për të marrë mençurinë