KAPITULLI TREMBËDHJETË
«Unë e dua Atin»
1, 2. Sipas Ungjillit të Gjonit, cila ishte arsyeja pse Jezui ishte i gatshëm të vdiste?
NJË burrë i moshuar ishte duke ngjyer penën në bojë e ndërkohë, në mendje i vërshonin kujtime. E quanin Gjon dhe ishte i vetmi nga apostujt e Jezu Krishtit që kishte mbetur gjallë. Ky burrë rreth 100 vjeç, po përpiqej të kujtonte një mbrëmje të paharrueshme afro 70 vjet më parë—mbrëmjen e fundit që apostujt kishin kaluar me Jezuin para se të vdiste. Falë ndihmës së frymës së shenjtë të Perëndisë, Gjoni arriti t’i kujtojë e t’i shkruajë me hollësi ngjarjet që kishin ndodhur atë natë.
2 Atë natë Jezui ua kishte thënë qartë se shumë shpejt do ta vritnin. Vetëm në Ungjillin e Gjonit tregohet arsyeja pse ai tha se do t’i nënshtrohej atij fundi të tmerrshëm: «Që bota ta dijë se unë e dua Atin, po bëj ashtu si Ati më ka urdhëruar. Ngrihuni, le të ikim që këtu.»—Gjoni 14:31.
3. Si e tregoi Jezui se e donte Atin e tij?
3 Nga fjalët e Jezuit, «unë e dua Atin», mësojmë se dashuria për Jehovain ishte gjëja më e rëndësishme për të. Por, Jezui nuk është se e përsëriste shpesh këtë shprehje. Në fakt, Gjoni 14:31 është i vetmi varg i Biblës ku Jezui e shpreh kaq hapur dashurinë për Atin e tij. Megjithatë, çdo gjë që bëri Jezui tregoi se jetonte sipas atyre fjalëve. Dashuria e tij për Jehovain ishte e dukshme çdo ditë. Guximi, bindja dhe qëndrueshmëria e Jezuit ishin dëshmi të kësaj dashurie, e cila motivonte gjithë shërbimin e tij.
4, 5. Cilës lloj dashurie i kushton vëmendje Bibla dhe ç’mund të thuhet rreth dashurisë që kishte Jezui për Jehovain?
4 Sot, kur njerëzit mendojnë për dashurinë, shpesh e lidhin me ndjenjat romantike, të cilat mund të jenë të përkohshme dhe bazohen vetëm tek emocionet. Kjo lloj dashurie përshkruhet shpesh nëpër këngë a poezi. Edhe Bibla flet për dashurinë romantike, ama në një mënyrë më dinjitoze nga ç’paraqitet sot. (Proverbat 5:15-21) Megjithatë, ajo i kushton shumë më tepër vëmendje një lloji tjetër dashurie. Kjo dashuri nuk është thjesht një pasion a një emocion i çastit, as nuk është një koncept filozofik abstrakt i zhveshur nga ndjenjat, por përfshin si mendjen, edhe zemrën. Ajo buron nga thellësia e shpirtit tonë, udhëhiqet nga parime fisnike dhe shfaqet me veprime që tregojnë mirësi. Kjo lloj dashurie nuk është aspak sipërfaqësore. Në Fjalën e Perëndisë thuhet: «Dashuria nuk shuhet kurrë.»—1 Korintasve 13:8.
5 Jezui e ka dashur Jehovain më tepër se kushdo tjetër. Askush nuk e ka zbatuar si ai urdhërimin më të madh të Perëndisë: «Duaje Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde dhe me gjithë forcën tënde.» (Marku 12:30) Si e zhvilloi Jezui këtë dashuri? Çfarë e ndihmoi që dashuria për Atin të qëndronte e fortë gjatë kohës kur ishte në tokë? Po ne, si mund ta imitojmë?
Lidhja më e fortë dhe më e hershme e dashurisë
6, 7. Si e dimë që te Proverbat 8:22-31 përshkruhet Biri i Perëndisë, e jo mençuria si cilësi?
6 A të ka ndodhur ndonjëherë që, duke punuar me një shok për një projekt, ke parë se gjatë asaj kohe u afruat më shumë dhe u bëtë miq më të ngushtë? Nëse po, atëherë mund të kuptosh ç’lloj dashurie u zhvillua mes Jehovait dhe Birit të tij të vetëmlindur. E kemi përmendur disa herë shkrimin e Proverbave 8:30, por le ta shqyrtojmë më me kujdes këtë varg brenda kontekstit. Në vargjet 22 deri 31, gjejmë një përshkrim të frymëzuar të mençurisë së personifikuar. Si e dimë se këto fjalë i referohen Birit të Perëndisë?
7 Në vargun 22, mençuria thotë: «Jehovai më bëri, dhe unë jam fillimi i krijimit të tij, arritja e tij më e hershme, që në lashtësi.» Këto fjalë nuk mund t’i referohen mençurisë së mirëfilltë, sepse kjo cilësi nuk ‘u bë’, ose nuk u krijua ndonjëherë. Ajo nuk ka pasur fillim, sepse Jehovai ka ekzistuar gjithmonë dhe ka qenë gjithnjë i mençur. (Psalmi 90:2) Kurse Biri i Perëndisë e kishte një fillim. Jezui është quajtur «i parëlinduri i gjithë krijimit». Ai u bë ose u krijua, dhe ishte më i hershmi i arritjeve të Jehovait. (Kolosianëve 1:15) Siç përshkruhet te Proverbat, Biri ka ekzistuar më përpara se toka dhe qiejt. Duke qenë Fjala, pra Zëdhënësi i Perëndisë, ai ishte personifikimi i përsosur i mençurisë së Jehovait.—Gjoni 1:1.
8. Me çfarë ishte i angazhuar Biri para se të vinte në tokë dhe çfarë mund të na vijë ndërmend kur admirojmë krijimin?
8 Me çfarë ishte i angazhuar Biri gjatë gjithë asaj kohe para se të vinte në tokë? Në vargun 30 lexojmë se ai ishte pranë Perëndisë si «kryemjeshtër». Ç’do të thotë kjo? Te Kolosianëve 1:16 shpjegohet: «Me anë të tij u krijua gjithçka tjetër në qiej e në tokë, . . . gjithçka tjetër u krijua nëpërmjet tij dhe për të.» Pra Jehovai, Krijuesi, me anë të Birit të tij, Kryemjeshtrit, solli në ekzistencë çdo krijesë tjetër—që nga krijesat qiellore e deri tek universi i paanë fizik; që nga toka me shumëllojshmërinë e saj mahnitëse të bimëve e të kafshëve, e deri te njeriu, kurorëzimi i krijimit në tokë. Në disa aspekte, këtë bashkëpunim Atë e Bir mund ta krahasojmë me bashkëpunimin e një arkitekti me një sipërmarrës ndërtimesh, të specializuar për të zbatuar projektet e arkitektit. Kur mahnitemi nga ndonjë aspekt i krijimit, faktikisht po ia japim meritën Arkitektit të Madh. (Psalmi 19:1) Megjithatë, mund të na vijë ndërmend edhe ‘kryemjeshtri’ që ka bashkëpunuar për një kohë të gjatë gjithë gëzim me Krijuesin, Atin e tij.
9, 10. (a) Çfarë e forcoi lidhjen mes Jehovait dhe Birit të tij? (b) Ç’mund të ta forcojë lidhjen me Atin tënd qiellor?
9 Kur dy njerëz të papërsosur punojnë ngushtësisht, nganjëherë e kanë të vështirë të shkojnë mirë me njëri-tjetrin. Por s’ishte kështu me Jehovain dhe Birin e tij. Biri punoi për epoka të tëra përkrah Atit, e megjithatë Bibla thotë se ‘gëzohej në prani të tij gjithë kohës’. (Proverbat 8:30) Pra, ai kënaqej me shoqërinë e Atit të tij, dhe kjo ishte reciproke. Gjatë gjithë asaj kohe, Biri vazhdoi t’i ngjante gjithnjë e më shumë Atit dhe mësoi t’i imitonte cilësitë e tij. Nuk është e habitshme që lidhja e tyre Atë e Bir u bë kaq e fortë. Ajo mund të quhet me të drejtë lidhja më e fortë dhe më e hershme e dashurisë në gjithë universin.
10 Por, çfarë do të thotë kjo për ne? Ndoshta mendon se nuk do të arrish kurrë të kesh një lidhje të tillë me Jehovain. Është e vërtetë që dashuria mes Jehovait dhe Jezuit është unike, duke qenë se Jezui është Biri i parëlindur. Megjithatë, edhe ne kemi një mundësi të jashtëzakonshme. Sill ndërmend që Jezui u afrua më shumë me Atin duke punuar përkrah tij. Me dashuri, Jehovai na jep edhe neve mundësinë që të jemi «bashkëpunëtorë» të tij. (1 Korintasve 3:9) Ndërsa ndjekim shembullin e Jezuit në shërbim, nuk duhet të harrojmë se jemi bashkëpunëtorë të Perëndisë. Kështu, dashuria që na lidh me Jehovain do të forcohet gjithnjë e më shumë. A mund të ketë privilegj më të madh se ky?!
Çfarë bëri Jezui që dashuria e tij për Jehovain të qëndronte e fortë?
11-13. (a) Cili shembull tregon se dashuria për Jehovain ka nevojë të ushqehet? Çfarë bëri Jezui kur ishte i vogël që dashuria e tij për Jehovain të qëndronte e fortë? (b) Si tregoi Biri i Perëndisë që kishte dëshirë të mësonte nga Jehovai, kur ishte në qiell dhe pasi erdhi në tokë?
11 Për të kuptuar se ç’mund të bëjmë që dashuria jonë për Jehovain të qëndrojë e fortë, le të mendojmë për këtë shembull: ashtu si një bimë e bukur në vazo ka nevojë për ujë e përkujdesje që të rritet e të lulëzojë, edhe dashuria ka nevojë të ushqehet që të rritet e të qëndrojë e fortë. Po të lihet pas dore, ajo do të vyshket dhe do të thahet. Jezui e çmonte tej mase dashurinë që kishte për Jehovain. Le të shohim se çfarë bëri ai që kjo dashuri të qëndronte e fortë gjatë gjithë jetës së tij këtu në tokë.
12 Mendo përsëri për rastin kur Jezui ishte i vogël dhe ndodhej në tempull, në Jerusalem. Të kujtohen fjalët që u tha prindërve të tij të shqetësuar: «Pse po më kërkonit? A nuk e dinit se unë duhet të jem në shtëpinë e Atit tim?» (Luka 2:49) Me sa duket, në këtë moment, Jezuit nuk i kujtohej ende jeta e tij në qiell. Por gjithsesi, dashuria që kishte për Atin e tij, ishte shumë e fortë. Ai e dinte se dikush që e do Jehovain, ka dëshirë ta adhurojë atë. Prandaj për Jezuin s’kishte vend më të dëshirueshëm në tokë sesa tempulli, vendi ku njerëzit vinin për të adhuruar Jehovain. Atij s’i ndahej zemra nga ky vend dhe s’donte të largohej. Për më tepër, nuk ishte thjesht një spektator. Kishte zell që të mësonte për Jehovain dhe të tregonte çfarë dinte për të. Këto ndjenja nuk i filluan kur ishte 12 vjeç dhe as nuk reshtën në atë moshë.
13 Më parë, kur kishte qenë në qiell, Jezui kishte mësuar me zell nga Ati i tij. Sipas Isaisë 50:4-6, Jehovai i kishte mësuar të Birit se çfarë roli do të kishte si Mesia. Edhe pse gjatë atij arsimimi kishte marrë vesh se do të kalonte disa vështirësi si i Mirosuri i Jehovait, prapëseprapë ai kishte vazhduar të mësonte me ëndje. Më vonë, gjatë jetës së tij në tokë, Jezui vazhdoi të shkonte plot zell në shtëpinë e Atit për ta adhuruar dhe për t’u mësuar njerëzve rreth Tij. Bibla tregon se Jezui shkonte rregullisht në tempull e në sinagogë. (Luka 4:16; 19:47) Nëse duam ta mbajmë të gjallë e të fortë dashurinë për Jehovain, duhet të jemi të zellshëm për të shkuar në mbledhje, ku adhurojmë Jehovain dhe thellojmë njohurinë e mirënjohjen për të.
14, 15. (a) Pse Jezui e çmonte mundësinë për të qëndruar vetëm? (b) Si tregonin afrimitet dhe respekt lutjet e Jezuit drejtuar Atit të tij?
14 Gjithashtu, Jezuin e ndihmuan edhe lutjet e rregullta që ta mbante të fortë dashurinë për Jehovain. Ndonëse ishte i shoqërueshëm dhe miqësor, të bën përshtypje kur lexon se ai e çmonte mundësinë për të qëndruar vetëm. Për shembull, te Luka 5:16 thuhet: «Jezui shkonte shpesh në vende të veçuara që të lutej.» Po ashtu, te Mateu 14:23 thuhet: «Pasi i nisi turmat, u ngjit vetëm në mal që të lutej. Kur ra mbrëmja, ai ishte atje vetëm.» Në këto dy raste dhe në raste të tjera, Jezui zgjodhi të qëndronte vetëm jo sepse ishte njeri i tërhequr apo ngaqë s’i pëlqente shoqëria e të tjerëve, por sepse donte të rrinte vetëm për vetëm me Atin e tij e të fliste lirshëm me të në lutje.
15 Kur lutej, ndonjëherë Jezui përdorte shprehjen «Abba, o Atë». (Marku 14:36) Në kohën e Jezuit, «Abba» ishte një fjalë e përzemërt që fëmijët e përdornin për t’iu drejtuar baballarëve, por që njëkohësisht shprehte edhe respekt. Shpesh ishte ndër fjalët e para që mësonin. Duke përdorur këtë fjalë në lutje, Biri tregonte sa afrimitet kishte me Atin e tij të dashur, por nga ana tjetër tregonte edhe respekt të thellë për autoritetin e Tij. Këtë ndërthurje të afrimitetit me respektin, e gjejmë në të gjitha lutjet e Jezuit që janë hedhur me shkrim. Për shembull, kapitulli 17 i Gjonit përmban lutjen e gjatë nga zemra që bëri ai natën e fundit kur ishte në tokë. Është e rëndësishme ta studiojmë këtë lutje që shërben si model për ne—jo duke përsëritur fjalët e Jezuit, por duke gjetur mënyra për të folur me gjithë zemër me Atin tonë qiellor sa më shpesh të mundemi. Kjo do të na ndihmojë që dashuria jonë për Jehovain të qëndrojë e fortë.
16, 17. (a) Ç’fjalë të tjera përdori Jezui për të shprehur dashurinë për Atin? (b) Si e përshkroi Jezui bujarinë e Atit të tij?
16 Edhe pse, siç e përmendëm më parë, Jezui nuk i përsëriste gjithë kohës fjalët «unë e dua Atin», shumë herë përdorte shprehje të tjera për të treguar dashurinë që kishte për Jehovain. Si e bënte këtë? Vetë Jezui tha: «Unë të lëvdoj përpara të gjithëve, o Atë, Zotëri i qiellit dhe i tokës.» (Mateu 11:25) Kur studiuam pjesën e dytë të këtij libri, pamë që Jezuit i pëlqente shumë ta lëvdonte Jehovain, duke i ndihmuar njerëzit që ta njihnin Atë. Për shembull, ai e krahasoi Jehovain me një baba që dëshironte kaq shumë ta falte djalin e tij rebel, sa mezi priste që të kthehej. Dhe, kur e pa nga larg që po vinte, vrapoi ta takonte e iu hodh në qafë. (Luka 15:20) Sa na prek zemrën përshkrimi që i bën Jezui dashurisë dhe faljes së Jehovait!
17 Shpesh Jezui e lëvdonte Atin edhe për bujarinë e tij. Ai përdori shembullin e prindërve të papërsosur për të treguar sa të sigurt mund të jemi që Jehovai do të na japë frymë të shenjtë. (Luka 11:13) Gjithashtu, Jezui tha që Ati na jep me bujari edhe shpresën e jetës së përhershme. Për shembull, përshkroi shpresën që ai vetë kishte për të jetuar sërish në qiell përkrah Atit të tij. (Gjoni 14:28; 17:5) Veç kësaj, u tregoi dishepujve për shpresën që i ka dhënë Jehovai ‘kopesë së vogël’ të Krishtit—të qeverisin në qiell bashkë me Mbretin mesianik. (Luka 12:32; Gjoni 14:2) Edhe keqbërësin që po vdiste, e ngushëlloi me shpresën e jetës në Parajsë. (Luka 23:43) Teksa fliste për bujarinë e jashtëzakonshme të Atit të tij, pa dyshim dashuria e Jezuit për Jehovain vazhdonte të forcohej. Shumë dishepuj të Krishtit kanë parë se asgjë tjetër nuk ua bën më të fortë dashurinë për Atin ose besimin tek ai, sesa kur flasin me të tjerët për të e për shpresën që u jep atyre që e duan.
A do ta duash Jehovain si Jezui?
18. Cila është mënyra më e rëndësishme si e ndjekim Jezuin dhe pse?
18 Mënyra më e rëndësishme si e ndjekim Jezuin, është duke e dashur Jehovain me gjithë zemrën, shpirtin, mendjen dhe forcën tonë. (Luka 10:27) Se sa e madhe është kjo dashuri, nuk duket vetëm nga intensiteti i ndjenjave, por edhe nga veprimet që bëjmë. Jezui nuk mjaftohej vetëm me faktin që ndiente dashuri për Atin ose thjesht duke thënë «unë e dua Atin». Ai u shpreh: «Që bota ta dijë se unë e dua Atin, po bëj ashtu si Ati më ka urdhëruar.» (Gjoni 14:31) Satanai kishte ngritur akuzën se asnjë njeri nuk do t’i shërbente Jehovait nga dashuria, por nga interesi. (Jobi 2:4, 5) Për t’iu përgjigjur më së miri shpifjes së ligë të Satanait, Jezui me guxim i tregoi botës sa shumë e donte Atin. Madje, tregoi bindje deri në atë pikë sa dha edhe jetën e tij. A do ta ndjekësh Jezuin? A do t’i tregosh botës se e do vërtet Perëndinë Jehova?
19, 20. (a) Pse është e rëndësishme t’i ndjekim rregullisht mbledhjet? (b) Si duhet ta shohim studimin personal, meditimin dhe lutjen?
19 Jemi krijuar me nevojën për të pasur një miqësi me Perëndinë dhe për t’i shprehur dashurinë. Jehovai ka bërë të mundur që kur e adhurojmë, ushqejmë dhe forcojmë dashurinë për të. Për shembull, e bëjmë këtë kur ndjekim mbledhjet. Adhurimi që i bëjmë aty Jehovait, përfshin lutjet e përzemërta, këngët e lëvdimit, të dëgjuarit me vëmendje dhe pjesëmarrjen me komente kur është e mundur. Mbledhjet na japin mundësi edhe të inkurajojmë të krishterët e tjerë. (Hebrenjve 10:24, 25) Nëse e adhurojmë rregullisht Jehovain në mbledhje, do të na forcohet gjithnjë e më e shumë dashuria për të.
20 Të njëjtën gjë mund të themi edhe për studimin personal, meditimin dhe lutjen. Mendoji këto si momente për të qenë vetëm për vetëm me Jehovain. Ndërsa studion Fjalën e shkruar të Perëndisë dhe mediton rreth saj, Jehovai është duke të të përcjellë mendimet e tij. Kur lutesh, je duke ia zbrazur zemrën atij. Mos harro se lutja nuk përfshin vetëm t’i bësh kërkesa Perëndisë. Ajo është edhe një mundësi për ta falënderuar Jehovain për bekimet që ke marrë dhe për ta lëvduar për veprat e tij të mrekullueshme. (Psalmi 146:1) Veç kësaj, mënyra më e mirë për ta falënderuar Jehovain e për t’i treguar se e do, është duke u folur të tjerëve për të me gëzim e me entuziazëm.
21. Sa e rëndësishme është dashuria për Jehovain dhe çfarë do të shqyrtohet në kapitujt vijues?
21 Dashuria për Perëndinë është çelësi për të pasur lumturi të përhershme. Është gjithçka që do t’i ishte dashur Adamit dhe Evës për të treguar bindje, por e vetmja gjë që nuk arritën të zhvillonin. Është gjëja më e rëndësishme që do të të duhet për të kapërcyer çfarëdo sprove besimi, për të hedhur poshtë çdo tundim dhe për të duruar çdo vështirësi. Vetëm nëse ke dashuri për Perëndinë, mund të jesh dishepull i vërtetë i Jezuit. Sigurisht, dashuria për Jehovain lidhet ngushtë edhe me dashurinë për të tjerët. (1 Gjonit 4:20) Kapitujt vijues, do të shqyrtojnë si tregoi Jezui dashuri për njerëzit. Si fillim, në kapitullin tjetër, do të shohim pse shumë veta mendonin se Jezui ishte i afrueshëm.