ARTIKULLI I STUDIMIT 28
Vazhdo të nxjerrësh dobi nga nderimi i thellë për Jehovain
«Kush ecën me drejtësi, nderon thellësisht Jehovain.»—PROV. 14:2.
KËNGA 122 Asgjë s’më lëkund!
PËRMBLEDHJEa
1-2. Ashtu si Loti, me çfarë sfide përballen sot shërbëtorët e Jehovait?
KUR shohim sa poshtë kanë rënë normat morale të botës sot, ndihemi si Loti i drejtë. Ai «vuante shumë nga sjellja e pacipë e të ligjve», se e dinte që Ati ynë qiellor i urren veprat e liga. (2 Pjet. 2:7, 8) Ngaqë e donte dhe e nderonte thellë Perëndinë, Loti e urrente sjelljen e mbrapshtë të njerëzve përreth tij. Edhe ne rrethohemi nga njerëz që kanë pak ose aspak respekt për normat morale të Jehovait. Pavarësisht nga kjo, mund të qëndrojmë të pastër nga ana morale nëse vazhdojmë të ushqejmë dashurinë dhe nderimin e thellë për Perëndinë.—Prov. 14:2.
2 Jehovai na ndihmon duke na motivuar e inkurajuar me dashuri nëpërmjet librit të Proverbave. Të gjithë ne, burra e gra, të rinj e të moshuar, mund të nxjerrim shumë dobi duke shqyrtuar këshillat e mençura që përmban ky libër.
NDERIMI I THELLË PËR PERËNDINË NA MBRON
3. Sipas Proverbave 17:3, cila është një arsye pse duhet ta mbrojmë zemrën? (Shihni edhe figurën.)
3 Pse duhet ta mbrojmë zemrën e figurshme? Një arsye e rëndësishme është se Jehovai shqyrton zemrën tonë. Kjo do të thotë se ai sheh përtej asaj që dukemi në sytë e të tjerëve dhe dallon si jemi vërtet përbrenda. (Lexo Proverbat 17:3.) Jehovai na do shumë kur e mbushim mendjen me mençurinë e tij jetëdhënëse. (Gjoni 4:14) Kështu nuk helmohemi nga normat e ulëta morale dhe gënjeshtrat e Satanait e të botës së tij. (1 Gjon. 5:18, 19) Sa më shumë afrohemi me Jehovain, aq më shumë na thellohen dashuria dhe respekti për të. Ngaqë nuk duam ta lëndojmë kurrsesi Atin tonë, nuk e durojmë dot as mendimin që të bëjmë diçka të gabuar në sytë e tij. E nëse tundohemi të bëjmë diçka të gabuar, do të pyesim veten: «Si mund ta lëndoj me dashje Atë që më ka mbuluar me kaq shumë dashuri?!»—1 Gjon. 4:9, 10.
4. Si e ndihmoi nderimi i thellë për Jehovain një motër që të mos dorëzohej para tundimit?
4 Marta,b një motër në Kroaci që u tundua të bënte imoralitet, shkroi: «E kisha të vështirë të mendoja me kthjelltësi e t’i rezistoja dëshirës për të bërë imoralitet. Por nderimi i thellë për Jehovain më mbrojti.» Si e mbrojti? Marta tha se bloi në mendje pasojat që do të sillte një vendim i gabuar. Edhe ne mund të meditojmë për këtë. Pasoja më e rëndë është që do t’ia copëtojmë zemrën Jehovait dhe do të humbasim perspektivën për ta adhuruar në përjetësi.—Zan. 6:5, 6.
5. Ç’mund të mësosh nga ajo që i ndodhi Leos?
5 Kur e nderojmë thellësisht Jehovain, duhet të bëjmë kujdes të mos e tolerojmë sjelljen e keqe. Leo, që jeton në Kongo, e mësoi këtë nga përvoja. Katër vjet pas pagëzimit, ai u përzie me shoqëri të këqija. Mendonte që përderisa vetë nuk po bënte ndonjë gjë të gabuar, nuk po mëkatonte kundër Jehovait. Por s’kaloi shumë dhe shoqëritë e këqija e shtynë ta tepronte me alkoolin e të kryente imoralitet. Më pas filloi të reflektonte për gjërat që i kishin mësuar prindërit e tij Dëshmitarë dhe për gëzimin që tani e kishte humbur. Cili ishte rezultati? Erdhi në vete dhe, me ndihmën e pleqve, u kthye te Jehovai. Sot shërben me gëzim si plak dhe pionier special.
6. Cilat janë dy gratë e figurshme për të cilat do të flasim?
6 Le të shqyrtojmë kapitullin 9 të Proverbave, ku portretizohen dy gra që simbolizojnë mençurinë dhe marrëzinë.c Ndërsa e bëjmë këtë, të mbajmë në mendje që bota e Satanait është e fiksuar pas marrëdhënieve imorale dhe pornografisë. (Efes. 4:19) Ja pse është jetësore të vazhdojmë të zhvillojmë nderim të thellë për Perëndinë dhe t’i largohemi së keqes. (Prov. 16:6) Të gjithë, edhe burrat edhe gratë, mund të nxjerrin dobi nga ky kapitull. Secila prej dy grave u bën një ftesë njerëzve të papërvojë, ose që «nuk kanë gjykim të mirë». Me pak fjalë, ftesa e tyre është: «Urdhëro për të ngrënë në shtëpinë time!» (Prov. 9:1, 5, 6, 13, 16, 17) Ama ka rëndësi cilën ftesë pranon, pasi rezultatet, ose pasojat, ndryshojnë si nata me ditën.
RRI LARG UDHËS SË MARRËZISË
7. Sipas Proverbave 9:13-18, ç’ndodh me ata që pranojnë ftesën e gruas së pamend? (Shihni edhe figurën.)
7 Çfarë ftese bën «gruaja e pamend»? (Lexo Proverbat 9:13-18.) Me paturpësi, ajo u thërret atyre që nuk kanë gjykim të mirë: ‘Ejani këtu’ dhe shtrohuni në gosti. Cili është rezultati? «Atje janë ata që dergjen të pafuqishëm në vdekje.» Një gjuhë e tillë e figurshme është përdorur edhe në kapitujt e mëparshëm të librit të Proverbave. Për shembull, në kapitullin 2 paralajmërohemi të ruhemi nga «gruaja e ulët» dhe «imorale», pasi «shtëpia e saj të fundos në vdekje». (Prov. 2:11-19) Edhe te Proverbat 5:3-10 gjejmë një paralajmërim për një tjetër ‘grua të ulët’, këmbët e së cilës «zbresin në vdekje».
8. Para cilit vendim mund të gjendemi?
8 Ata që dëgjojnë ftesën e ‘gruas së pamend’, duhet të vendosin nëse do ta pranojnë. Edhe ne mund të gjendemi para një vendimi të tillë. Çfarë zgjedhjeje do të bëjmë nëse dikush na tundon të kryejmë imoralitet a nëse ndeshim në media ose në internet materiale pornografike?
9-10. Cilat janë disa arsye pse duhet ta shmangim sjelljen imorale?
9 Ka arsye të forta pse duhet ta shmangim sjelljen imorale. Te Proverbat 9 lexojmë që «gruaja e pamend» thotë: «Të ëmbla janë ujërat e vjedhura.» Çfarë janë «ujërat e vjedhura»? Bibla i krahason marrëdhëniet intime mes bashkëshortëve me ujin e freskët. (Prov. 5:15-18) Kur një burrë e një grua janë të martuar ligjërisht, është me vend të kenë marrëdhënie seksuale të përshtatshme me njëri-tjetrin. Por sa ndryshe janë «ujërat e vjedhura», që mund të nënkuptojnë marrëdhëniet imorale, të paligjshme. Kjo zakonisht ndodh në fshehtësi, ashtu si hajdutët që vjedhin fshehurazi. «Ujërat e vjedhura» mund t’u duken të ëmbla atyre që bëjnë imoralitet sidomos kur mendojnë se po ia hedhin pa u lagur. Mirëpo gënjejnë veten, sepse Jehovai sheh gjithçka! E s’ka gjë më të hidhur se të humbësh miratimin e tij, pra nuk ka asgjë ‘të ëmbël’ te kjo pasojë tragjike. (1 Kor. 6:9, 10) Por nuk mbaron me kaq.
10 Pasojat e imoralitetit seksual mund të përfshijnë ndjenjat e turpit, të pavlefshmërisë, shtatzëni të padëshiruara dhe familje të prishura. S’ka dyshim se është gjë e mençur të rrimë larg «shtëpisë» dhe ushqimit që ofron gruaja e pamend. Përveç humbjes së miratimit të Jehovait, shumë njerëz imoralë humbin edhe jetën, pasi marrin sëmundje që u sjellin vdekjen para kohe. (Prov. 7:23, 26) Kapitulli 9 mbyllet me këto fjalë: «Mysafirët e saj janë në thellësitë e Varrit.» Atëherë, pse kaq shumë veta e pranojnë ftesën e saj që i mashtron dhe i çon në tragjedi?—Prov. 9:13-18.
11. Pse është jashtëzakonisht e dëmshme të shohësh pornografi?
11 Një gjë që i josh shumë veta ta pranojnë ftesën e ‘gruas së pamend’ është karremi i pornografisë. Disa mendojnë se të shohësh pornografi është diçka e padëmshme. Por realiteti është krejt ndryshe: pornografia është e dëmshme, poshtëruese dhe të bën skllavin e saj. Pamjet imorale mund të mbeten në mendje si një damkë që zor se fshihet. Përveç kësaj, pornografia nuk i bën «të vdesin» dëshirat e gabuara, por i ndez më keq. (Kolos. 3:5; Jak. 1:14, 15) Në fakt, shumë nga ata që shohin pornografi, kryejnë si pasojë imoralitet.
12. Ç’duhet të bëjmë nëse na shfaqen befas pamje që ushqejnë mendime imorale?
12 Si shërbëtorë të Perëndisë, ç’duhet të bëjmë nëse na shfaqet papritmas në pajisjen elektronike një pamje pornografike? Duhet t’i largojmë menjëherë sytë. Do ta kemi më të lehtë ta bëjmë këtë nëse mbajmë në mend që pasuria jonë më e çmuar është miqësia me Jehovain. Edhe disa pamje që në përgjithësi nuk konsiderohen si pornografi, mund të ushqejnë mendime imorale. Pse duhet t’i shmangim? Sepse nuk duam të hedhim qoftë edhe gjysmë hapi drejt kurorëshkeljes në zemrën tonë. (Mat. 5:28, 29) Një plak në Tajlandë që quhet David thotë: «Pyes veten: ‘Edhe sikur këto pamje të mos jenë pornografike, a do të jetë i kënaqur Jehovai nëse vazhdoj t’i shoh?’ Ky arsyetim më ndihmon të veproj me mençuri.»
13. Çfarë na ndihmon të veprojmë me mençuri?
13 Nderimi i thellë për Jehovain ose frika e shëndetshme se mos e lëndojmë, na ndihmon të veprojmë me mençuri. Ky nderim i thellë është «fillimi», ose themeli, «i mençurisë». (Prov. 9:10, shën.) Këtë e ilustrojnë vargjet e para të kapitullit 9 të Proverbave, ku «mençuria e vërtetë» paraqitet si gruaja tjetër e figurshme.
PRANO FTESËN E ‘MENÇURISË SË VËRTETË’
14. Për cilën ftesë krejt të ndryshme flitet te Proverbat 9:1-6?
14 Lexo Proverbat 9:1-6. Këtu gjejmë një ftesë që vjen nga Burimi dhe Themeli i mençurisë së vërtetë, nga Krijuesi ynë me mençuri të paskajshme. (Prov. 2:6; Rom. 16:27) Në këto vargje flitet për një shtëpi të madhe me shtatë shtylla. Kjo ilustron se Jehovai është bujar dhe i mirëpret të gjithë ata që duan të jetojnë sipas mençurisë së tij.
15. Çfarë na fton të bëjmë Perëndia?
15 Jehovai është një Mikpritës bujar që nuk kursen asgjë të mirë. Kjo pasqyrohet te «mençuria e vërtetë», që te kapitulli 9 i Proverbave personifikohet nga një grua. Aty thuhet se kjo grua e figurshme ka bërë gati mishin, ka përzier verën aromatike dhe ka shtruar tryezën. (Prov. 9:2) Më tej, në vargjet 4 dhe 5, lexojmë: «Ajo [mençuria e personifikuar] i thotë kujtdo që nuk ka gjykim të mirë: ‘Eja, ha bukën time!’» Pse duhet të hyjmë në shtëpinë e mençurisë së vërtetë dhe të hamë ushqimet që servir ajo? Jehovai do që fëmijët e tij të jenë të mençur e të mbrojtur. Ai nuk dëshiron të mësojmë nga përvojat e hidhura që lënë pas vraga dhe pishmanllëqe. Ja pse «e ruan si thesar mençurinë praktike për të drejtët». (Prov. 2:7) Kur kemi nderim të thellë për Jehovain, duam me gjithë shpirt ta kënaqim. Prandaj ua vëmë veshin këshillave të tij të mençura dhe jemi të lumtur ndërsa i zbatojmë.—Jak. 1:25.
16. Si e ndihmoi Alenin nderimi i thellë për Perëndinë që të merrte një vendim të mençur, dhe cili ishte rezultati?
16 Të mendojmë për shembullin e Alenit, që është plak kongregacioni dhe mësues në një shkollë. Si e ndihmoi atë nderimi i thellë për Perëndinë që të merrte një vendim të mençur? Aleni tregon: «Shumë kolegë i konsideronin filmat pornografikë si një lloj edukimi seksual.» Por Aleni nuk ishte mashtruar nga ajo pikëpamje. Ai thotë: «Nga nderimi i thellë për Perëndinë, refuzoja prerazi t’i shihja ata filma. Gjithashtu u shpjegoja kolegëve arsyen pse refuzoja.» Aleni zbatoi këshillën e ‘mençurisë së vërtetë’ që ‘të ecte përpara në udhën e arsyes’. (Prov. 9:6) Disa mësuesve u la aq shumë mbresë qëndrimi i palëkundur i Alenit, sa tani studiojnë Biblën dhe ndjekin mbledhjet.
17-18. Çfarë bekimesh shijojnë ata që e pranojnë ftesën e ‘mençurisë së vërtetë’, dhe cilin bekim mund të presin në të ardhmen? (Shihni edhe figurën.)
17 Nëpërmjet ilustrimit të dy grave të figurshme, Jehovai na tregon si të gëzojmë një të ardhme të lumtur. Ata që pranojnë ftesën e ‘gruas së pamend’ e llafazane, rendin pas gjërave të gabuara që bëhen në fshehtësi dhe u duken «të ëmbla». Ata jetojnë vetëm sot për sot, pa e vrarë mendjen për pasojat. Kështu e ardhmja e tyre është «në thellësitë e Varrit».—Prov. 9:13, 17, 18.
18 Sa ndryshe është e ardhmja e atyre që pranojnë ftesën e ‘mençurisë së vërtetë’! Mysafirët e saj shijojnë sot një gosti me ushqime të shëndetshme, të përgatitura e të servirura me merak, që u forcojnë miqësinë me Jehovain. (Isa. 65:13) Me anë të profetit Isaia, Jehovai thotë: «Më dëgjoni me vëmendje dhe hani atë që është e mirë, dhe do të kënaqeni jashtë mase me ushqime të zgjedhura.» (Isa. 55:1, 2) Ne po mësojmë të duam gjërat që do Jehovai dhe të urrejmë gjërat që urren ai. (Psal. 97:10) Gjithashtu ndihemi të lumtur ndërsa ftojmë edhe të tjerët të nxjerrin dobi nga «mençuria e vërtetë». Në kuptimin e figurshëm, ne ‘thërrasim nga pikat e larta të qytetit: “Kush është pa përvojë, le të vijë këtu.”’ Dobitë që shijojmë ne dhe ata që e pranojnë ftesën nuk janë thjesht momentale. Janë dobi të përhershme, falë të cilave mund ‘të jetojmë’ përgjithmonë ndërsa ‘ecim përpara në udhën e arsyes’.—Prov. 9:3, 4, 6.
19. Në harmoni me Eklisiastiun 12:13, 14, çfarë duhet të jemi vendosur të bëjmë? (Shihni edhe kutinë «Dobitë që na sjell nderimi i thellë për Perëndinë».)
19 Lexo Eklisiastiun 12:13, 14. Nderimi i thellë për Jehovain vazhdoftë të na mbrojë zemrën dhe miqësinë e çmuar me Të e të na ndihmojë të qëndrojmë të pastër moralisht gjatë ditëve të fundit të liga! Ky nderim i thellë për Perëndinë tonë do të na motivojë të vazhdojmë të ftojmë sa më shumë njerëz që ta kërkojnë ‘mençurinë e vërtetë’ dhe të nxjerrin dobi prej saj.
KËNGA 127 Qofsha thesar për ty, Jehova!
a Si adhurues të Jehovait, duam të zhvillojmë nderim të thellë për të. Kjo frikë e shëndetshme na ruan zemrën e na mbron nga imoraliteti seksual dhe pornografia. Në këtë artikull do të ndalemi te kapitulli 9 i Proverbave ku, nëpërmjet dy grave të figurshme, bëhet një kontrast i fortë mes mençurisë dhe marrëzisë. Këshillat që jepen aty mund të na sjellin dobi sot dhe në të ardhmen.
b Disa emra janë ndryshuar.
c Raste të ngjashme ku diçka abstrakte (si vdekja ose një besëlidhje) paraqitet e personifikuar si njeri, i gjejmë te Romakëve 5:14 dhe Galatasve 4:24.