Familje të krishtere: ‘Rrini zgjuar’
«Të rrimë zgjuar dhe të ruajmë gjykimin.»—1 SEL. 5:6.
1, 2. Çfarë nevojitet që një familje t’ia dalë mbanë për të qëndruar zgjuar frymësisht?
DUKE folur për ‘ditën e madhe dhe të frikshme të Jehovait’, apostulli Pavël u shkroi të krishterëve në Selanik: «Ju, vëllezër, nuk jeni në errësirë, që ajo ditë t’ju zërë si hajdutët, sepse ju jeni të gjithë bij të dritës dhe bij të ditës. Ne nuk i përkasim as natës, as errësirës.» Pavli shtoi: «Prandaj, le të mos flemë si të tjerët, por të rrimë zgjuar dhe të ruajmë gjykimin.»—Joe. 2:31; 1 Sel. 5:4-6.
2 Këshilla që u dha Pavli selanikasve është veçanërisht me vend për të krishterët që jetojnë në «kohën e fundit». (Dan. 12:4) Teksa fundi i këtij sistemi të lig afrohet, Satanai është i vendosur të pengojë sa më shumë adhurues të vërtetë që të mos i shërbejnë Perëndisë. Prandaj, është gjë e mençur ta marrim seriozisht paralajmërimin e Pavlit për të qëndruar syçelë frymësisht. Që një familje e krishterë t’ia dalë mbanë për të qëndruar zgjuar, është e rëndësishme që çdo pjesëtar i saj të plotësojë përgjegjësitë e veta biblike. Ç’rol luajnë burrat, gratë dhe të rinjtë për t’i ndihmuar familjet që ‘të rrinë zgjuar’?
Burra: Imitoni ‘Bariun e shkëlqyer’
3. Sipas 1 Timoteut 5:8, ç’përfshin përgjegjësia e burrit si kreu i familjes?
3 Bibla thotë: «Kreu i gruas është burri.» (1 Kor. 11:3) Ç’përfshin përgjegjësia e burrit si kreu i familjes? Shkrimet thonë: «Nëse dikush nuk siguron gjërat e nevojshme për të vetët, e sidomos për pjesëtarët e shtëpisë së vet, ai e ka mohuar besimin dhe është më i keq se një njeri pa besim.» (1 Tim. 5:8) Vërtet, burri duhet të plotësojë nevojat materiale të familjes. Gjithsesi, që ta ndihmojë familjen të rrijë zgjuar frymësisht, ai duhet të jetë më shumë se thjesht personi që sjell pará në shtëpi. Duhet të ndërtojë shtëpinë frymësisht, duke i ndihmuar të gjithë pjesëtarët të forcojnë marrëdhënien e tyre me Perëndinë. (Prov. 24:3, 4) Si mund ta bëjë këtë?
4. Si mund t’ia dalë mbanë një burrë të ndërtojë frymësisht shtëpinë e vet?
4 Meqë «burri është kreu i gruas së tij, ashtu si edhe Krishti është kreu i kongregacionit», një burrë i martuar duhet të shqyrtojë e të imitojë atë lloj kryesie që ushtron Jezui mbi kongregacionin. (Efes. 5:23) Vini re si e përshkroi Jezui marrëdhënien që kishte me dishepujt e tij. (Lexo Gjonin 10:14, 15.) Cili është çelësi i suksesit për një burrë që dëshiron të ndërtojë frymësisht shtëpinë e vet? Të studiojë çfarë tha e bëri Jezui si ‘Bariu i shkëlqyer’ dhe ‘të ndjekë me kujdes gjurmët e tij’.—1 Pjet. 2:21.
5. Ç’njohuri ka Bariu i shkëlqyer për kongregacionin?
5 Marrëdhënia mes bariut dhe deleve bazohet te njohuria dhe besimi. Bariu di gjithçka për delet e tij, kurse delet e njohin dhe i besojnë bariut. Ato e njohin dhe i binden zërit të tij. «Unë . . . i njoh delet e mia, dhe delet e mia më njohin»,—tha Jezui. Ai nuk ka një njohuri sipërfaqësore të kongregacionit. Fjala greke e përkthyer «njoh», përkufizon një «njohuri personale, intime». Po, Bariu i shkëlqyer njeh secilën nga delet e tij. Njeh nevojat e tyre individuale, dobësitë dhe pikat e forta. Syri i Shembullit tonë sheh çdo gjë që lidhet me delet. Po ashtu, delet e njohin plotësisht bariun dhe i besojnë drejtimit të tij.
6. Si mund ta imitojnë burrat Bariun e shkëlqyer?
6 Që ta ushtrojë kryesinë në imitim të Krishtit, një burrë duhet të mësojë ta konsiderojë veten si bari dhe ata që janë nën kujdesin e tij, si dele. Duhet të përpiqet ta njohë mirë familjen. A mund të ketë burri vërtet një njohuri të tillë? Po, nëse komunikon mirë me të gjithë pjesëtarët e familjes, dëgjon shqetësimet e tyre dhe merr drejtimin në aktivitetet e familjes. Gjithashtu, duhet të mbajë parasysh rrethanat e pjesëtarëve të familjes, kur të marrë vendime lidhur me çështje të tilla, si adhurimi familjar, ndjekja e mbledhjeve, shërbimi, pushimi dhe zbavitjet. Kur një burrë i krishterë merr drejtimin duke njohur mirë jo vetëm Fjalën e Perëndisë, por edhe ata që i janë lënë në besim, ka shumë të ngjarë që pjesëtarët e familjes të ndihen të sigurt nën kryesinë e tij. Po ashtu, ai vetë do të ndiejë kënaqësi tek i sheh ata të qëndrojnë të bashkuar në adhurimin e vërtetë.
7, 8. Si mund ta imitojë një burrë Bariun e shkëlqyer duke u shfaqur përzemërsi atyre që ka nën kujdes?
7 Një bari i mirë i ka për zemër delet. Kur studiojmë tregimet e ungjijve për jetën dhe shërbimin e Jezuit, zemra na mbushet me çmueshmëri për përzemërsinë që u tregonte dishepujve. Madje, ai ‘dha shpirtin për delet’. Burrat duhet të imitojnë Jezuin, duke u shfaqur përzemërsi atyre që kanë nën kujdes. Në vend që ta sundojë me ashpërsi gruan e vet, burri që dëshiron miratimin e Perëndisë, vazhdon ta dojë atë «ashtu si Krishti e deshi kongregacionin». (Efes. 5:25) Fjalët e tij duhet të jenë mirëdashëse dhe të kujdesshme, pasi ajo meriton të nderohet.—1 Pjet. 3:7.
8 Ndërsa stërvit fëmijët, kreu i familjes duhet t’u përmbahet fort parimeve hyjnore. Megjithatë, ai duhet t’u tregojë përzemërsi. Kur është e nevojshme, fëmijët duhen disiplinuar me dashuri. Disa fëmijë kanë nevojë për më shumë kohë që të kuptojnë se çfarë pritet prej tyre. Në këto raste, babai duhet të tregojë edhe më shumë durim. Kur burrat ndjekin vazhdimisht shembullin e Jezuit, krijojnë në shtëpi një ambient të qetë e të sigurt. Familjet e tyre gëzojnë atë lloj sigurie frymore për të cilën këndoi psalmisti.—Lexo Psalmin 23:1-6.
9. Ashtu si patriarku Noe, ç’përgjegjësi kanë burrat e krishterë dhe çfarë do t’i ndihmojë ta plotësojnë?
9 Një shembull tjetër i mirë për kryefamiljarët e krishterë është Noeja. Ky patriark jetoi në ditët e fundit të botës së kohës së tij. Por Jehovai «e ruajti bashkë me shtatë të tjerë, kur solli një përmbytje mbi një botë me njerëz të paperëndishëm». (2 Pjet. 2:5) Noeja kishte përgjegjësinë ta ndihmonte familjen që të mbijetonte nga Përmbytja. Në këto ditë të fundit, kryefamiljarët e krishterë janë në një pozitë të ngjashme. (Mat. 24:37) Prandaj, është jetësore që ata të studiojnë shembullin e Bariut të shkëlqyer e të përpiqen ta imitojnë.
Gra: ‘Ndërtoni shtëpinë tuaj’
10. Ç’nënkupton për gruan të jetë e nënshtruar ndaj të shoqit?
10 Apostulli Pavël shkroi: «Gratë le të jenë të nënshtruara ndaj burrave të tyre, si ndaj Zotërisë.» (Efes. 5:22) Këto fjalë nuk tregojnë aspak një pozitë pa dinjitet. Para se të krijonte gruan e parë, Evën, Perëndia i vërtetë deklaroi: «Nuk është mirë që njeriu të rrijë vetëm. Do t’i bëj një ndihmës, si një plotësim për të.» (Zan. 2:18) Roli i saj si ‘ndihmëse’ dhe «plotësim»—pra, si mbështetje për të shoqin ndërsa ky kujdeset për përgjegjësitë e familjes—është një rol vërtet i nderuar.
11. Si «e ndërton shtëpinë e saj» gruaja shembullore?
11 Gruaja shembullore punon për të mirën e shtëpisë së saj. (Lexo Proverbat 14:1.) Në kontrast me gruan e marrë që nuk tregon respekt për kryesinë, gruaja e mençur ka respekt të thellë për këtë rregull. Në vend që të shfaqë qëndrimin e pabindur e të pavarur që karakterizon botën, ajo është e nënshtruar ndaj burrit. (Efes. 2:2) Gruaja e marrë nuk ngurron të flasë keq për të shoqin, kurse gruaja e mençur punon që të rritë respektin që kanë për të fëmijët dhe të tjerët. Ajo bën kujdes që të mos e dëmtojë kryesinë e të shoqit, duke e acaruar ose duke u grindur me të. Këtu futet edhe vetia e nikoqirllëkut. Gruaja e marrë priret t’i bëjë rrush e kumbulla të ardhurat që familja i fiton me mund e djersë. Kurse gruaja që e mbështet burrin, nuk vepron kështu. Ajo bashkëpunon me të shoqin në çështjet financiare. Vepron me maturi dhe është nikoqire. Nuk i bën presion të shoqit të punojë jashtë orarit.
12. Ç’mund të bëjë gruaja për ta ndihmuar familjen që ‘të rrijë zgjuar’?
12 Gruaja shembullore e ndihmon familjen ‘të rrijë zgjuar’, duke e përkrahur të shoqin në edukimin frymor të fëmijëve. (Prov. 1:8) Ajo mbështet aktivisht programin e Adhurimit Familjar. Gjithashtu, e mbështet burrin kur ai këshillon dhe disiplinon fëmijët. Sa ndryshe është ajo nga një grua që nuk bashkëpunon, fëmijët e së cilës vuajnë fizikisht dhe frymësisht!
13. Pse është e rëndësishme që gruaja ta mbështetë të shoqin kur ai përfshihet në aktivitete teokratike?
13 Si ndihet një grua që mbështet të shoqin, kur sheh se ai luan një rol aktiv në kongregacionin e krishterë? E gëzuar! Ajo është e lumtur për privilegjin e tij, qoftë ky shërbëtor ndihmës, plak, pjesëtar i Komitetit të Lidhjes me Spitalet ose i Komitetit Rajonal të Ndërtimit. Sigurisht që është sakrificë nga ana e saj të mbështetë aktivisht burrin me fjalë e me vepra. Sidoqoftë, ajo është e vetëdijshme se përfshirja e tij në aktivitetet teokratike e ndihmon gjithë familjen që të rrijë zgjuar frymësisht.
14. (a) Ç’mund të përbëjë sfidë për një grua që mbështet të shoqin dhe si mund ta përballojë? (b) Si jep ndihmesën e vet gruaja për mirëqenien e tërë familjes?
14 Mund të jetë sfidë për gruan të mbështetë të shoqin në mënyrë shembullore, kur ai merr ndonjë vendim për të cilin ajo nuk është dakord. Edhe në këto raste, ajo shfaq një ‘frymë të qetë e të butë’ dhe bashkëpunon me të që vendimi të ketë sukses. (1 Pjet. 3:4) Një grua e mirë përpiqet të ndjekë shembujt e shkëlqyer të grave të perëndishme të lashtësisë, si Sara, Rutha, Abigaila dhe Maria, nëna e Jezuit. (1 Pjet. 3:5, 6) Ajo imiton edhe gratë e moshuara të kohëve tona, të cilat kanë «një sjellje që u ka hije të shenjtëve». (Titit 2:3, 4) Kur shfaq dashuri dhe respekt për burrin, gruaja shembullore jep një ndihmesë të madhe për martesën dhe mirëqenien e tërë familjes. Shtëpia e saj është një vend i rehatshëm dhe i sigurt. Për një burrë frymor, gruaja që e mbështet s’ka të çmuar!—Prov. 18:22.
Të rinj: Mbajini ‘sytë te gjërat që nuk shihen’
15. Si mund të bashkëpunojnë të rinjtë me prindërit që familja ‘të rrijë zgjuar’?
15 Po ju të rinj, si mund të bashkëpunoni me prindërit, në mënyrë që familja juaj ‘të rrijë zgjuar’ frymësisht? Mbani parasysh çmimin që Jehovai ju ka vënë përpara. Ndoshta që nga fëmijëria, prindërit ju tregonin figura ku përshkruhej jeta në Parajsë. Teksa rriteshit, ka të ngjarë të përdornin Biblën dhe botimet e krishtere për t’ju ndihmuar të shihnit me sytë e mendjes se si do të jetë jeta e përhershme në botën e re. Duke i mbajtur sytë të përqendruar në shërbim të Jehovait e duke e planifikuar jetën në përputhje me të, ‘do të rrini zgjuar’.
16, 17. Ç’mund të bëjnë të rinjtë që t’ia dalin mbanë në garën e jetës?
16 Vëruni veshin fjalëve të apostullit Pavël te 1 Korintasve 9:24. (Lexoje.) Vraponi në garën e jetës plotësisht të vendosur për ta fituar. Zgjidhni një mënyrë jetese që do t’ju ndihmojë të arrini çmimin e jetës së përhershme. Shumë kanë lejuar që rendja pas gjërave materiale t’i shpërqendrojë e të mos i mbajnë sytë te çmimi. Ç’marrëzi! Të planifikosh jetën vetëm për të fituar pasuri, nuk sjell lumturi të vërtetë. Gjërat që mund të blihen me para, janë të përkohshme. Prandaj, mbajini sytë te «gjërat që nuk shihen». Pse? Sepse «gjërat që nuk shihen janë të përhershme».—2 Kor. 4:18.
17 «Gjërat që nuk shihen» përfshijnë bekimet e Mbretërisë. Planifikoni ta jetoni jetën në atë mënyrë që t’i arrini. Kur e përdorni jetën në shërbim të Jehovait, gjeni lumturi të vërtetë. Kur i shërbeni Perëndisë së vërtetë, keni mundësi të vendosni synime afatshkurtra dhe afatgjata.a Nëse vendosni synime realiste, mund të jeni të përqendruar në shërbim të Jehovait, me qëllimin për të arritur çmimin e jetës së përhershme.—1 Gjon. 2:17.
18, 19. Si mund ta kuptojë një i ri nëse e ka përvetësuar të vërtetën?
18 Të rinj, hapi i parë në rrugën e jetës është të përvetësoni të vërtetën. A e keni bërë këtë hap? Pyetni veten: «A jam person frymor apo pjesëmarrja ime në aktivitetet teokratike varet nga prindërit? A po zhvilloj cilësi që më bëjnë të pëlqyeshëm për Perëndinë? A po përpiqem të mbaj një rutinë të qëndrueshme të aktiviteteve që lidhen me adhurimin e vërtetë, si lutja e rregullt, studimi, ndjekja e mbledhjeve dhe shërbimi? A po i afrohem Perëndisë, duke ndërtuar një marrëdhënie personale me të?»—Jak. 4:8.
19 Meditoni për shembullin e Moisiut. Ndonëse ishte rritur me ndikimin e një kulture të huaj, ai zgjodhi të identifikohej si adhurues i Jehovait dhe jo si biri i bijës së faraonit. (Lexo Hebrenjve 11:24-27.) Edhe ju të rinj të krishterë duhet të jeni të vendosur t’i shërbeni Jehovait besnikërisht. Në këtë mënyrë, do të keni lumturi të vërtetë, një jetë më të mirë tani dhe ‘do të rrokni jetën e vërtetë’.—1 Tim. 6:19.
20. Cilët e fitojnë çmimin e garës për jetën?
20 Në lojërat e lashta, vetëm një vrapues e fitonte garën. Por, nuk është kështu me garën për jetën. Vullneti i Perëndisë është «që njerëz të çdo lloji të shpëtojnë dhe të fitojnë njohurinë e saktë të së vërtetës». (1 Tim. 2:3, 4) Shumë kanë vrapuar me sukses para jush dhe shumë të tjerë po vrapojnë përkrah jush. (Hebr. 12:1, 2) Çmimin do ta marrin të gjithë ata që nuk dorëzohen. Prandaj, jini të vendosur të fitoni!
21. Ç’do të trajtohet në artikullin vijues?
21 ‘Ardhja e ditës së madhe e të frikshme të Jehovait’ është e pashmangshme. (Mal. 4:5) Ajo ditë nuk duhet t’i zërë në befasi familjet e krishtere. Është jetësore që të gjithë pjesëtarët e familjes të plotësojnë përgjegjësitë e tyre biblike. Ç’mund të bëni tjetër që të rrini zgjuar frymësisht e të forconi marrëdhënien me Perëndinë? Në artikullin vijues do të diskutohet për tre faktorë që ndikojnë në mirëqenien frymore të gjithë familjes.
[Shënimi]
Çfarë mësuat?
• Pse është jetësore që familjet e krishtere ‘të rrinë zgjuar’?
• Si mund ta imitojë burri Bariun e shkëlqyer?
• Ç’mund të bëjë një grua shembullore që të mbështetë të shoqin?
• Si mund t’i ndihmojnë të rinjtë familjet që të rrinë zgjuar frymësisht?
[Figura në faqen 9]
Gruaja që e mbështet të shoqin, s’ka të çmuar për një burrë frymor