«Kush e vlerëson qortimin, është mendjehollë»
«PRIRE zemrën drejt disiplinës dhe vëru veshin fjalëve të njohurisë»,—thuhet te Proverbat 23:12. Në këtë varg, ‘disiplina’ ose stërvitja morale, përfshin edhe vetëdisiplinën, edhe qortimin që marrim nga të tjerët. Një disiplinë e tillë kërkon të kemi njohuri se ç’korrigjim nevojitet dhe si ta japim atë. Prandaj ‘fjalët e njohurisë’ nga një burim i besueshëm, janë thelbësore për disiplinën.
Libri biblik i Proverbave është një burim i shkëlqyer fjalësh të mençura. Proverbat e dokumentuara aty shërbejnë «që njeriu të njohë mençurinë dhe disiplinën, . . . të marrë disiplinën që të jep gjykim të thellë, drejtësi, urtësi dhe ndershmëri». (Proverbat 1:1-3) Jemi të mençur nëse ua ‘vëmë veshin’ atyre. Kapitulli 15 i Proverbave jep drejtim të shëndoshë se si të kontrollojmë zemërimin, të përdorim gjuhën dhe të shpërndajmë njohurinë. Le të shqyrtojmë disa vargje nga ky kapitull.
Ç’gjë «e largon tërbimin»?
Duke përshkruar se si fjalët ndikojnë te zemërimi ose tërbimi, mbreti Solomon i Izraelit të lashtë thotë: «Përgjigjja e butë e largon tërbimin, por një fjalë që shkakton dhembje, ngjall zemërim.» (Proverbat 15:1) Fjala «zemërim» përdoret për të përshkruar një ndjenjë ose reagim të fortë pakënaqësie. «Tërbimi» përkufizohet si «zemërim shumë i madh e i papërmbajtur». Si mund të na ndihmojë të veprojmë ky proverb kur dikush është i zemëruar, si edhe për të kontrolluar zemërimin tonë?
Fjalët e ashpra që shkaktojnë dhembje mund ta keqësojnë një situatë të pakëndshme. Nga ana tjetër, një përgjigje e butë shpesh ka një efekt qetësues. Por t’i japësh një përgjigje të butë një individi të zemëruar nuk është gjithnjë e lehtë. Megjithatë ajo që mund të na ndihmojë është të përpiqemi të kuptojmë se ç’gjë e zemëroi individin. Bibla thotë: «Gjykimi i thellë me siguri ia ngadalëson zemërimin njeriut, dhe është gjë e bukur nga ana e tij të kapërcejë shkeljen.» (Proverbat 19:11) Mos vallë individi është i zemëruar sepse ndihet i pasigurt ose kërkon vëmendje? Arsyeja e vërtetë mund të mos ketë të bëjë fare me atë që mund të kemi thënë ose bërë ne. Kur gjatë shërbimit të krishterë dikush reagon me zemërim, a nuk ndodh shpesh kjo ngaqë i zoti i shtëpisë është i keqinformuar për bindjet tona ose ndonjë keqkuptim e ka verbuar? A duhet ta marrim si diçka personale dhe të përgjigjemi ashpër? Edhe kur shkaku i zemërimit të dikujt nuk dallohet menjëherë, të përgjigjeshim me fjalë që shkaktojnë dhembje, do të tregonte një mungesë vetëdisipline nga ana jonë. Një përgjigje e tillë duhet shmangur.
Këshilla për të dhënë një përgjigje të butë është shumë e çmuar edhe për të kontrolluar zemërimin tonë. Mund ta zbatojmë këtë këshillë duke mësuar t’i shprehim ndjenjat në ato mënyra që nuk e fyejnë tjetrin që po na dëgjon. Kur kemi të bëjmë me pjesëtarët e familjes, mund të përpiqemi t’i shprehim ndjenjat në mënyrë të qetë, në vend që të flasim me ashpërsi ose të përdorim fjalë përçmuese. Në përgjithësi, sulmet gojore bëjnë që edhe pala tjetër të kundërpërgjigjet. Shprehja me butësi e ndjenjave përcjell një ton më pak akuzues dhe mund ta shtyjë dikë që të ndreqë sjellje.
«Gjuha e të mençurve bën gjëra të mira»
Vetëdisiplina ndikon te mënyra jonë e të folurit, si edhe te gjërat që themi. «Gjuha e të mençurve bën gjëra të mira me njohurinë e saj,—thotë Solomoni,—kurse gjuha e budallenjve dërdëllit me marrëzi.» (Proverbat 15:2) A nuk ‘bëjmë gjëra të mira me njohurinë’ kur zhvillojmë dëshirën për të ndihmuar të tjerët dhe u flasim atyre për qëllimin e Perëndisë e masat e tij të mrekullueshme? Një budalla nuk e bën këtë, sepse nuk ka njohuri.
Para se të japë drejtim të mëtejshëm për përdorimin e gjuhës, Solomoni paraqit një kontrast që të vë në mendime. «Sytë e Jehovait janë në çdo vend, duke vrojtuar të këqijtë dhe të mirët.» (Proverbat 15:3) Mund të gëzohemi nga këto fjalë, sepse na jepet kjo siguri: «Sytë e Jehovait enden nëpër gjithë tokën për të treguar forcën e tij në dobi të atyre që i janë kushtuar me gjithë zemër atij.» (2 Kronikave 16:9) Perëndia e di nëse po bëjmë të mirën. Gjithashtu, ai i vëren edhe ata që praktikojnë të keqen dhe i quan përgjegjës.
Solomoni thekson më tej vlerën e një gjuhe të butë dhe thotë: «Qetësia e gjuhës është pemë jete, ndërsa shtrembërimi i saj do të thotë rrënim i frymës.» (Proverbat 15:4) Shprehja «pemë jete» jep idenë e vetive shëruese dhe ushqyese. (Zbulesa 22:2) Të folurit e qetë të një të mençuri ua freskon frymën atyre që e dëgjojnë. U bën thirrje cilësive të tyre të mira. Në të kundërt, një gjuhë mashtruese ose e mbrapshtë ua dërrmon frymën atyre që e dëgjojnë.
Të marrim disiplinën dhe ‘të shpërndajmë njohuri’
Mbreti i mençur vazhdon: «Kush është i marrë, e përbuz disiplinën e të atit, por kush e vlerëson qortimin, është mendjehollë.» (Proverbat 15:5) Si mund ‘të vlerësohet qortimi’, nëse nuk është dhënë? A nuk nënkupton ky shkrim që kur është e nevojshme duhet dhënë disiplinë për të ndrequr? Në një familje, prindërit, sidomos babai, kanë përgjegjësinë të japin disiplinë dhe fëmija ka për detyrë ta pranojë atë. (Efesianëve 6:1-3) Gjithsesi, të gjithë shërbëtorët e Jehovait, në një mënyrë a në një tjetër, marrin disiplinë. Te Hebrenjve 12:6 thuhet: «Jehovai disiplinon atë që e do, dhe fshikullon këdo që pranon si bir.» Reagimi ynë ndaj disiplinës zbulon nëse jemi të mençur apo të marrë.
Solomoni paraqit një kontrast tjetër dhe thotë: «Buzët e të mençurve shpërndajnë njohuri, por zemra e budallenjve s’është e tillë.» (Proverbat 15:7) Të shpërndash njohuri është si të shpërndash farë. Një bujk nuk i mbjell të gjitha farat në një vend. Përkundrazi, i shpërndan farat në tërë arën. Po kështu është edhe me shpërndarjen e njohurisë. Për shembull, kur takojmë dikë në shërbim nuk do të ishte e mençur të flitnim në një herë të vetme për gjithçka që dimë për Biblën. Përkundrazi, një i mençur është i disiplinuar në të folur. Ai ‘e shpërndan’ njohurinë, ndërsa pak nga pak thekson vetëm një të vërtetë biblike çdo herë dhe ndërton mbi të, duke marrë parasysh përgjigjen e dëgjuesit. Shembulli ynë, Jezu Krishti, veproi kështu kur foli me një grua samaritane.—Gjoni 4:7-26.
Të japim njohuri do të thotë të themi diçka ndërtuese dhe të dobishme. Kërkohet që të mendohemi mirë për të thënë fjalë që informojnë dhe inkurajojnë të tjerët. Prandaj «zemra e të drejtit mediton para se të përgjigjet». (Proverbat 15:28) Sa e rëndësishme është që fjalët tona të jenë si një shi i butë që njom tokën dhe është i dobishëm, e jo si një rrebesh i padëshirueshëm që merr tej gjithçka që gjen përpara!
‘Të shenjtë në sjellje’
Të shpërndajmë njohuri për Jehovain e për qëllimin e tij dhe t’i paraqitim atij «frytin e buzëve» si «një flijim lëvdimi» është me siguri një udhë e mençur. (Hebrenjve 13:15) Megjithatë, që një flijim i tillë të jetë i pranueshëm për Jehovain, duhet të jemi ‘të shenjtë në gjithë sjelljen tonë’. (1 Pjetrit 1:14-16) Duke përdorur dy proverba që përmbajnë kontraste, Solomoni na e tërheq fuqimisht vëmendjen te kjo e vërtetë jetësore. Ai thotë: «Flijimi i të ligjve është i pështirë për Jehovain, por lutja e të drejtëve është kënaqësi për të. Udha e të ligut është e pështirë për Jehovain, por ai do atë që ndjek drejtësinë.»—Proverbat 15:8, 9.
Si e shohin qortimin ata që lënë rrugën që të çon në jetë dhe çfarë i pret? (Mateu 7:13, 14) «Për atë që e lë shtegun, disiplina është e keqe; kush e urren qortimin, do të vdesë.» (Proverbat 15:10) Disa që ndjekin një udhë të gabuar, zgjedhin të lënë shtegun e drejtësisë, në vend që të pranojnë këshillën korrigjuese nga vëllezërit përgjegjës në kongregacionin e krishterë e të pendohen sinqerisht. Çfarë marrëzie! Sipas një versioni (An American Translation), në këtë proverb thuhet: «Disiplinë e ashpër e pret njeriun që lë udhën e drejtë; ai që urren këshillën do të vdesë.»
Ç’të themi kur dikush hiqet sikur e pranon qortimin, por në të vërtetë e urren atë? Edhe ky nuk është i mençur. Mbreti i Izraelit thotë: «Sheoli dhe vendi i shkatërrimit janë para Jehovait. Sa më shumë zemrat e bijve të njerëzve!» (Proverbat 15:11) Në mënyrë të figurshme, asgjë nuk mund të jetë më larg nga Perëndia i gjallë sesa Sheoli, vendi i të vdekurve. Prapëseprapë Sheoli është para Tij. Jehovai njeh identitetin dhe personalitetin e të gjithë tyre që ndodhen atje dhe është në gjendje t’i ringjallë. (Psalmi 139:8; Gjoni 5:28, 29) Sa e lehtë është për Jehovain të dijë se ç’kanë në zemër njerëzit! Apostulli Pavël shkroi: «Të gjitha gjërat janë lakuriq dhe fare sheshit në sytë e atij, të cilit do t’i japim llogari.» (Hebrenjve 4:13) Po, duke u shtirur, mund t’ua hedhim njerëzve, por jo Perëndisë.
Ai që hedh poshtë disiplinën, jo vetëm urren qortimin, por edhe përbuz ata që e japin atë. Solomoni thotë: «Tallësi nuk e do atë që e qorton.» Duke paraqitur një mendim paralel për të zgjeruar idenë, ai shton: «Ai nuk shkon te të mençurit.» (Proverbat 15:12) Sa pak shpresë ka që një njeri i tillë të drejtojë shtegun e tij!
Të kemi një pikëpamje pozitive
Tre proverbat vijues të Solomonit i lidh bashkë përmendja e fjalës «zemër». Duke përshkruar ndikimin që kanë ndjenjat te shprehja e fytyrës, mbreti i mençur thotë: «Zemra e gëzuar e çel fytyrën, por për shkak të dhembjes së zemrës, fryma dërrmohet.»—Proverbat 15:13.
Ç’gjë mund të shkaktojë dhembje të zemrës? Bibla thotë: «Nga ankthi i zemrës njeriu kërruset [me trishtim].» (Proverbat 12:25) Si të mos i lejojmë aspektet negative të jetës të na angështojnë? Në vend që ta mbajmë mendjen te rrethanat mbi të cilat mund të kemi fare pak kontroll, të mendojmë për bekimet e shumta frymore që na ka dhënë Jehovai tani dhe te gjërat që do të bëjë për ne në të ardhmen. Kjo do të na afrojë më shumë me të. Po, nëse i afrohemi «Perëndisë së lumtur», do të kemi me siguri gëzim në zemrën tonë të trishtuar.—1 Timoteut 1:11.
Për më tepër, mesazhi i Biblës është një burim i shkëlqyer ngushëllimi dhe kënaqësie. Psalmisti e quajti të lumtur njeriun «që gjen kënaqësi në ligjin e Jehovait, dhe e lexon nën zë ditë e natë». (Psalmi 1:1, 2) Edhe kur kemi ‘dhembje zemre’, leximi i Biblës dhe meditimi për atë që thuhet aty, do të na japin zemër. Gjithashtu kemi edhe shërbimin që na ka caktuar Perëndia. Kemi sigurinë se «ata që mbjellin me lot, do të korrin me britma gëzimi».—Psalmi 126:5.
Solomoni thotë: «Zemra me kuptueshmëri e kërkon njohurinë, kurse goja e budallenjve synon marrëzinë.» (Proverbat 15:14) Ky proverb na tërheq vëmendjen te një kontrast i thellë mes këshillës së një të mençuri dhe një të marri. Para se të japë një këshillë, njeriu që ka një zemër me kuptueshmëri kërkon njohurinë. Ai dëgjon mirë dhe merr fakte të mjaftueshme. Kërkon Shkrimet për të gjetur ligje dhe parime që zbatohen për situatën. Këshilla e tij bazohet patundshmërisht në Fjalën e Perëndisë. Por një i marrë nuk e vret mendjen që të zbulojë fakte për situatën dhe nxjerr nga goja ç’ti vijë në mendje. Prandaj, kur kërkojmë këshilla, është e mençur të shkojmë te individët që kanë njohuri e janë të pjekur, dhe jo tek ata që mund të jenë të prirur të na thonë atë që na pëlqen të dëgjojmë. Sa mirë është që në kongregacionin e krishterë kemi «dhurata në njerëz» të cilët ‘kërkojnë njohurinë’ para se të japin këshilla!—Efesianëve 4:8.
Proverbi vijues tregon një dobi të shkëlqyer që vjen kur kemi një pikëpamje pozitive. Mbreti i Izraelit thotë: «Të këqija janë të gjitha ditët e të munduarit, por kush është i gëzuar në zemër, ka vazhdimisht gosti.» (Proverbat 15:15) Jeta ka çaste të lumtura dhe të këqija, gëzime dhe lot. Në qoftë se ndalemi vetëm te gjërat negative, brengosja do të na pushtojë mendimet dhe tërë ditët do të jenë të zymta për ne. Por, nëse lejojmë që mendimet tona të përqendrohen te bekimet që kemi dhe te shpresa që na ka dhënë Perëndia, gjërat e jetës që na shkaktojnë mundim, do të bëhen të parëndësishme dhe do të përjetojmë gëzim të brendshëm. Një pikëpamje pozitive bën që të kemi «vazhdimisht gosti».
Prandaj, le ta vlerësojmë shumë me çdo kusht disiplinën! Le ta lejojmë që të ndikojë jo vetëm te ndjenjat, të folurit dhe veprimet tona, por edhe në pikëpamjen që kemi!
[Figura në faqen 13]
«Përgjigjja e butë e largon tërbimin»
[Figura në faqen 15]
Prindërit kanë përgjegjësinë të japin disiplinë
[Figura në faqen 15]
«Buzët e të mençurve shpërndajnë njohuri»