Kapitulli 30
A jam gati për martesën?
MARTESA nuk është një lojë. Qëllimi i Perëndisë ishte që burri dhe gruaja të kishin një lidhje të qëndrueshme, më të afërt se me çdo njeri tjetër. (Zanafilla 2:24) Pra, bashkëshorti yt [bashkëshortja jote] do të jetë ai [ajo], me të cilin do të lidhësh jetën tënde deri në vdekje.
Është e sigurt se çdo çift i martuar do të ketë medoemos «dhimbje dhe hidhërim» një ditë. (1. Korintasve 7:28, The New English Bible) Por, Marcia Lasuell, profesoreshë në shkencat e të sjellurit, shkruan: «Një statistikë e padyshimtë në lidhje me mundësinë e mbijetesës së një martese është fakti se ata që martohen shumë të rinj, i kanë të gjitha shanset kundër tyre.»
Përse shumë martesa mes të rinjve dështojnë? Përgjigjja e kësaj pyetjeje mund të jetë përcaktuese për ata që duan të dinë nëse janë apo jo gati për martesën.
Shpresa të mëdha
«S’kishim as idenë më të vogël për martesën.—pohoi një adoleshente.—Mendonim se bëhej fjalë vetëm që të shkonim e të vinim, të bënim sipas qejfit, të lanim apo jo pjatat, por në të vërtetë nuk është kështu.» Shumë të rinj ushqejnë pikëpamje të tilla të papjekura për martesën. E përfytyrojnë atë si një ëndërr dashurie. Ose mendojnë se duke kaluar para kryetarit të bashkisë, hyjnë në botën e të rriturve. Për të tjerë, është thjesht një mjet për t’u shpëtuar situatave të vështira në shtëpi, në shkollë ose në ambientin që i rrethon. Një vajzë i tha me plot kënaqësi të fejuarit të vet: «Sa e kënaqur do të jem kur të martohemi. S’do të kem më asnjë vendim për të marrë.»
Por martesa nuk është as një ëndërr e bukur dhe as një çelës i artë që zgjidh të gjitha problemet. Më qartë, ajo paraqet një varg problemesh të reja që duhen përballuar. «Shumë adoleshentë martohen për të luajtur ‘shtëpiash’,—thotë Migena, që pati fëmijën e parë të saj, kur ishte vetëm 20 vjeç.—Një gjë e tillë duket shumë zbavitëse! Mendon se një foshnjë është si një kukull, një gjë e vogël kaq tërheqëse me të cilën mund të luash, por nuk është aspak ashtu.»
Gjithashtu, shumë të rinj kanë një ide joreale në lidhje me marrëdhëniet seksuale. Një burrë që u martua në moshën 18-vjeçare tha: «Pasi u martova, kuptova se seksi humbi shumë shpejt pjesën më të madhe të forcës tërheqëse tek unë dhe pikërisht atëherë filluam të kishim probleme serioze.» Një studim mbi çiftet e adoleshentëve zbuloi se përveç problemeve financiare, mosmarrëveshjet më të mëdha ishin në fushën e marrëdhënieve seksuale. Pa dyshim, kjo ndodh sepse marrëdhëniet bashkëshortore që të sjellin kënaqësi vijnë nga vetëmohimi dhe vetëkontrolli, cilësi që shpesh të rinjtë nuk i kultivojnë.—1. Korintasve 7:3, 4.
Me arsye Bibla i inkurajon të krishterët të martohen kur «kanë kaluar lulen e rinisë». (1. Korintasve 7:36, BR) Nëse mendon të martohesh në një moshë, kur je i djegur nga pasioni, mund të shtrembërosh gjykimin tënd dhe të verbohesh kundrejt të metave të bashkëshortit tënd të ardhshëm.
Të papërgatitur për rolin e tyre
Një adoleshente e martuar thotë për burrin e saj: «Tani që jemi të martuar, ai interesohet për mua vetëm atëherë kur dëshiron të ketë marrëdhënie seksuale. Ai mendon se shoqëria e miqve të tij është po aq e rëndësishme për të sa edhe unë. . . . Mendoja se do të isha gjithçka për të, por gaboja.» Kjo gjë nxjerr në pah një keqkuptim që është i zakonshëm për të rinjtë meshkuj: mendojnë se edhe pse të martuar, mund të jetojnë akoma si beqarë.
Një vajzë e martuar 19-vjeçare nxjerr në pah një problem të zakonshëm për gratë e reja të martuara: «Preferoj më mirë të shoh televizorin ose të fle, sesa të pastroj shtëpinë ose të përgatis për të ngrënë. Turpërohem kur prindërit e burrit vijnë të më vizitojnë, sepse ata kanë një shtëpi të mbajtur mjaft mirë, kurse e imja është gjithmonë përmbys. Përveç kësaj, nuk ia them fare për të gatuar.» Sa probleme më shumë i shtohen një martese, kur një vajzë është e pazonja si amvisë në punët e shtëpisë! «Martesa kërkon angazhim të vërtetë,—tha Migena (e përmendur më lart).—Nuk është lojë. Sapo mbaron lumturia e dasmës, shpejt fillon jeta me monotoninë e saj të përditshme dhe nuk është e lehtë.»
Ç’mund të themi për lodhjen e përditshme për të mbajtur familjen? Mireli, burri i Migenës, thotë: «Më kujtohet se kur fillova për herë të parë punë, duhej të çohesha në 6 të mëngjesit. Përherë mendoja: ‘Sa e vështirë që është. A do t’i çlodh ndonjëherë kockat vallë?’ Pastaj, kur kthehesha në shtëpi, më dukej sikur Migena nuk e kuptonte se sa po vuaja.»
Problemi i të hollave
Kjo na çon në një shkak tjetër të mosmarrëveshjeve bashkëshortore tek çiftet e martuara në moshë të re: të hollat. Dyzet e tetë çifte adoleshentësh pranuan se pas tre muajsh martesë, problemi i tyre më i madh ishte «shpenzimi i të ardhurave të familjes». Pas gati tre vjetësh martesë, 37 prej këtyre çifteve iu drejtua e njëjta pyetje. Përsëri problemi i tyre më i madh ishte ai i të hollave dhe këtë herë akoma më shqetësues! «Ç’kënaqësi mund të nxjerrësh nga jeta,—tha Beni,—kur nuk ke kurrë aq para sa duhen për të blerë gjërat e nevojshme që të bëjnë të lumtur? . . . Kur nuk ke sasinë e mjaftueshme për të vazhduar nga një ditë rrogash tek tjetra, mund të fillojnë grindje pa fund dhe pakënaqësi.»
Problemi i të hollave është më i zakonshëm tek adoleshentët, sepse shpesh ata kanë treguesin më të lartë të papunësisë dhe pagat më të ulëta. «Ngaqë nuk mund të plotësoja nevojat e familjes, na duhej të jetonim tek prindërit,—tregon Renaldi.—Kjo krijonte me të vërtetë një gjendje tensioni, sidomos kur patëm një fëmijë.» Proverbat 24:27 këshillon: «Vër në vijë punët e tua të jashtme, vër në rregull arat e tua dhe pastaj ndërto shtëpinë.» Në kohët biblike, njerëzit punonin shumë për të pasur mundësi më vonë të mbanin familjen. Duke mos bërë përgatitjet e mjaftueshme, shumë burrave të rinj u duket e vështirë detyra e plotësimit të nevojave të familjes.
Edhe një rrogë e mirë nuk do t’i jepte fund problemit të të hollave, nëse një çift ka një pikëpamje të papjekur për gjërat materiale. Një studim ka treguar se disa «adoleshentë pretendonin se mund të blinin menjëherë për vatrën e tyre familjare, shumë artikuj që ndoshta prindërve të tyre u është dashur disa vjet punë për t’i blerë». Të vendosur për t’i pasur në moment këto të mira materiale, disa janë mbytur në borxhe. Duke mos pasur akoma pjekurinë e duhur për të qenë të kënaqur me «ushqimin dhe veshjen», ata rrisin stresin në martesën e tyre.—1. Timoteut 6:8-10, BR.
«Plotësisht të kundërt»
Maura kujton: «Isha dashuruar me Plarentin. Ai ishte aq i pashëm, i fortë, një atlet aq i mirë dhe shumë i njohur . . . Martesa jonë duhej të kishte sukses.» Por nuk ndodhi ashtu. Zemërimi arriti deri në atë pikë sa, siç thotë Maura, «çdo gjë që bënte Plarenti më irritonte, madje edhe përplasja e buzëve të tij kur hanim. Përfundimisht nuk mund të vazhdonim më kështu». Martesa e tyre nuk zgjati më shumë se dy vjet.
Ku qëndronte problemi? «Synimet tona në jetë ishin krejtësisht të kundërta,—shpjegoi Maura.—Tani kuptova se kisha nevojë për dikë me të cilin mund të kisha marrëdhënie të ngushta intelektuale. Kurse për Plarentin sporti ishte gjithçka. Gjërat që mendoja se ishin aq të rëndësishme kur isha 18 vjeç, menjëherë për mua u kthyen në një hiç.» Shpesh, të rinjtë kanë një pikëpamje prej fëmije për atë që ata dëshirojnë tek një bashkëshort, duke vlerësuar më shumë në radhë të parë pamjen e jashtme. Proverbat 31:30 jep këtë këshillë: «Hiri është i rremë dhe bukuria është e kotë.»
Bëj një vetëshqyrtim!
Bibla e quan të paarsyeshëm atë që bën betime solemne para Perëndisë dhe vetëm «pasi ta ketë marrë, të mendohet». (Proverbat 20:25) A nuk do të ishte e mençur nga ana jote të bësh një vetëshqyrtim nën dritën e Shkrimeve para se të bësh një hap kaq serioz si betimi i martesës? Cilat janë synimet e tua në jetë? Si do të ndikojë martesa në to? Dëshiron të martohesh vetëm për të pasur marrëdhënie seksuale apo për t’u shpëtuar disa problemeve?
Gjithashtu, deri në ç’pikë je i përgatitur për të marrë rolin e burrit apo të gruas? A je i zoti të drejtosh një shtëpi ose të sigurosh gjërat e nevojshme për të? Nëse je në konflikt të vazhdueshëm me prindërit e tu, a do të mund të jesh dakort me një bashkëshort [bashkëshorte]? A mund t’u bësh ballë vështirësive dhe telasheve që vijnë bashkë me martesën? A je liruar me të vërtetë nga «tiparet që karakterizojnë foshnjën», kur bëhet fjalë për administrimin e të hollave? (1. Korintasve 13:11) Pa dyshim, prindërit e tu do të kenë shumë për të thënë mbi atë nëse je apo jo në lartësinë e duhur.
Martesa mund të jetë një burim i madh lumturie ose dhimbjesh të hidhura. Një gjë e tillë varet shumë nga ajo se sa i gatshëm je për të marrë këtë hap. Nëse je akoma adoleshent, pse të mos presësh njëfarë kohe para se të fillosh të shoqërohesh me dikë? Pritja nuk do të të kushtojë asgjë. Thjesht, do të të japë kohën e nevojshme për të qenë me të vërtetë gati për ditën, kur do të ndërmarrësh këtë hap serioz dhe të përhershëm të martesës.
Pyetje për t’u trajtuar
◻ Cilat pikëpamje të papjekura ushqejnë disa të rinj për martesën?
◻ Përse mendon se është e gabuar të martohesh vetëm për të pasur marrëdhënie seksuale?
◻ Në ç’mënyrë disa të rinj kanë treguar se janë të papërgatitur për rolin e gruas apo të burrit?
◻ Përse çiftet e reja kanë shpesh probleme serioze në lidhje me të hollat?
◻ Cilin gabim bëjnë disa të rinj kur zgjedhin një bashkëshort apo një bashkëshorte?
◻ Cilat pyetje duhet t’i bësh vetes në lidhje me gatishmërinë tënde për martesë? Pasi ke shqyrtuar këtë informacion, deri në ç’pikë ndihesh i gatshëm për të marrë përsipër të martohesh?
[Diçitura në faqen 240]
«Një statistikë e padyshimtë në lidhje me mundësinë e mbijetesës së një martese është fakti se ata që martohen shumë të rinj, i kanë të gjitha shanset kundër tyre.»—Marcia Lasuell, profesoreshë në shkencat e të sjellurit
[Figura në faqen 237]
Shumë të rinj e fillojnë jetën martesore jo më të përgatitur se këta këtu