I stolisur me një vëth të artë
QË PREJ kohëve më të hershme, bizhuteritë prej ari janë çmuar shumë për vlerën dhe bukurinë e tyre. Pasi u bë kryeministër në Egjipt, Jozefi mori një gjerdan të artë nga faraoni. (Zanafilla 41:42) Rebekës iu dha një unazë floriri për hundën dhe dy byzylykë prej ari, me një vlerë prej 1400 dollarësh, sipas vlerësimit të sotëm. (Zanafilla 24:22) Pa më të voglin dyshim, këto dhurata të çmuara u pranuan me mirënjohje dhe u mbajtën me qejf.
Bibla flet për bizhuteri figurative, që vlejnë shumë më tepër se ato të mbajtura nga Jozefi dhe Rebeka. Fjalët e urta 25:12 thonë: «Për një vesh të bindur, një i urtë që qorton është si një vëth i artë, një zbukurim prej ari të kulluar.» Kur një këshillues jep një këshillë të bazuar në Fjalën e Perëndisë, në vend se në mendimin e vet, ai jep me të vërtetë një dhuratë me vlerë. Pse? Sepse në fund të fundit, një këshillë e tillë vjen nga vetë Jehovai. Bibla na thotë: «Biri im, mos e përçmo ndëshkimin e Zotit dhe mos urre qortimin e tij, sepse Zoti qorton atë që do, si një baba djalin që atij i pëlqen.» (Fjalët e urta 3:11, 12) Kur dëgjuesi e pranon dhe e aplikon me përulësi këshillën, është njësoj sikur ai të stoliset me një vëth të artë. Është tamam siç thotë fjala e urtë e frymëzuar biblike: «Lum njeriu që ka gjetur diturinë dhe njeriu që ka përftuar arsyen, sepse fitimi i tij është më i mirë se fitimi i argjendit dhe fryti i tij vlen më tepër se ari i kulluar.»—Fjalët e urta 3:13, 14.