Të çmojmë gratë dhe punën e tyre
TRE mijë vjet më parë, një burrë i quajtur Lemuel shkroi një përshkrim të ngrohtë të një gruaje të aftë. Ky përshkrim është dokumentuar në kapitullin 31 të librit Fjalët e urta. Gruaja, meritat e së cilës ai i ngriti në qiell, ishte patjetër e zënë me punë. Ajo kujdesej për familjen e saj, tregtonte në sheshin e pazarit, blinte dhe shiste tokë, bënte rroba për familjen e saj dhe punonte në arë.
Të tjerët në familje nuk e nënvlerësonin atë. ‘Fëmijët e saj e quajnë të bekuar dhe burri i saj e lavdëron.’ Një grua e tillë është një thesar. Bibla thotë se «ajo vlen shumë më tepër sesa rubinët».—Fjalët e urta 31:10-28, New International Version.
Që nga koha e Lemuelit, puna e grave është bërë, madje akoma më e ndërlikuar. Shpesh, roli i tyre në shekullin e 20-të u kërkon që të jenë gra, nëna, infermiere, mësuese, mbajtëse të familjes dhe fermere, të gjitha këto në të njëjtën kohë. Gra të panumërta bëjnë sakrifica heroike vetëm për t’u siguruar se fëmijët e tyre kanë mjaft për të ngrënë. A nuk e meritojnë edhe gjithë këto gra të çmohen e të lavdërohen?
Gratë si mbajtëse të familjes
Sot, më shumë gra se kurrë, duhet të punojnë jashtë shtëpisë për të ndihmuar në mbajtjen e familjes ose janë të vetmet që mbajnë familjen e tyre. Libri Gratë dhe kriza ekonomike botërore (Women and the World Economic Crisis), citon një raport që thotë: «Puna shtëpiake nuk është e vetmja punë që bëjnë gratë. Ka relativisht pak gra, në çdo vend të botës, që mund të pohojnë se janë ‘vetëm gra shtëpiake’.» Dhe puna e grave rrallëherë është tërheqëse. Megjithëse revistat ose telenovelat mund t’i paraqesin gratë si eprore nëpër zyra luksoze, realiteti zakonisht është shumë i ndryshëm. Pjesa më e madhe e grave të botës rropaten me orë të tëra për të pasur një shpërblim material që mezi iu del.
Qindra miliona gra punojnë tokën, duke kultivuar drithëra, duke u kujdesur për bahçet e vogla të familjes ose duke ruajtur bagëtinë. Kjo punë e lodhshme, zakonisht e papaguar mirë ose e papaguar fare, ushqen gjysmën e botës. «Në Afrikë, 70 përqind e ushqimit prodhohet nga gratë, në Azi shifra është 50-60 përqind dhe në Amerikën Latine 30 përqind»,—raporton libri Gratë dhe ambienti (Women and the Environment).
Kur gratë kanë një punë me pagesë, zakonisht ato fitojnë më pak se punëtorët meshkuj, thjesht sepse janë gra. Ky diskriminim është veçanërisht një kafshatë e hidhur për t’u kapërdirë për një nënë, e cila është e vetmja që e mban familjen me bukë, një rol që po bëhet gjithnjë e më tepër i zakonshëm. Një raport i Kombeve të Bashkuara përllogarit se 30 deri në 50 përqind e të gjitha familjeve në Afrikë, në Karaibe dhe në Amerikën Latine mbështeten në gratë si burimi kryesor material. E madje edhe në vendet më të zhvilluara, një numri në rritje grash iu është dashur të bëhen burimi kryesor material.
Varfëria e fshatrave në një pjesë të madhe të botës në zhvillim po e rrit me shumë shpejtësi këtë prirje. Një burrë që bën gjithnjë një luftë për të ushqyer familjen e tij mund të vendosë të transferohet në një qytet të afërt ose madje në një shtet tjetër për të gjetur punë. Ai e lë gruan e tij pas që të kujdeset për familjen. Po t’i shkojë aq mbarë sa të gjejë një punë, ai dërgon rrogë në shtëpi. Por me gjithë qëllimet e tij të mira, kjo gjë shpesh nuk vazhdon në këtë mënyrë. Familja që ai ka lënë pas mund të zhytet më thellë në varfëri dhe mirëqenia e tyre tani varet nga nëna.
Ky rreth vicioz, i përshkruar me vend si «feminizimi i varfërisë», hedh një barrë tepër të madhe mbi miliona gra. «Familjet e drejtuara nga gratë, që numërojnë një të tretën e totalit mbarëbotëror, kanë shumë më tepër probabilitete të jenë të varfëra sesa ato të drejtuara nga burrat dhe numri i familjeve të tilla po rritet»,—shpjegon libri Gratë dhe shëndeti (Women and Health). Por, edhe pse është e vështirë, sigurimi i ushqimit nuk është e vetmja sfidë që përballojnë gratë.
Nëna dhe mësuese
Një nëne i duhet, gjithashtu, të kujdeset për mirëqenien emocionale të fëmijëve të saj. Ajo luan një rol jetësor në ndihmesën që i jep një fëmije për të mësuar mbi dashurinë dhe përzemërsinë, mësime që mund të jenë po aq të rëndësishme sa edhe plotësimi i nevojave të tij fizike. Që të bëhet një i rritur i drejtpeshuar mirë, një fëmijë ka nevojë për një ambient të ngrohtë e të sigurt, ndërsa është duke u rritur. Edhe një herë, roli i një nëne është kyç.
Në librin Fëmija në zhvillim (The Developing Child), Helen Bi shkruan: «Një prind i dashur interesohet për fëmijën, shpreh përzemërsi, shpesh ose rregullisht vë në vend të parë nevojat që ka ai, tregon entuziazëm për aktivitetet e fëmijës dhe përgjigjet në mënyrë të ndjeshme dhe empatike ndaj ndjenjave të tij.» Fëmijët që kanë marrë një ngrohtësi të tillë nga një nënë e kujdesshme duhet t’ia tregojnë patjetër asaj çmueshmërinë e tyre.—Fjalët e urta 23:22.
Nëpërmjet ushqimit me qumështin e gjirit, shumë nëna sigurojnë një ambient të ngrohtë për fëmijën e tyre që nga lindja. Veçanërisht në familjet e varfëra, qumështi i vetë nënës është një dhuratë e paçmueshme që ajo mund t’i japë të sapolindurit. (Shiko kutinë në faqet 10-11.) Në mënyrë interesante Bibla na thotë se apostulli Pavël e krahasoi përzemërsinë e tij të butë për të krishterët në Selanik me atë të ‘nënës që ushqen’, e cila «kujdeset për fëmijët e saj».—1. Thesalonikasve 2:7, 8, DSF.
Përveç ushqimit dhe kujdesjes për fëmijët e saj, nëna shpesh është mësuesja e tyre kryesore. «Dëgjo, o biri im, mësimet e atit tënd dhe mos i lër pas dore mësimet e nënës sate»,—këshillon Bibla, duke iu referuar pjesës së madhe që luajnë nënat në edukimin e fëmijëve të tyre. (Fjalët e urta 1:8) Kryesisht nëna ose gjyshja është ajo që me durim e mëson fëmijën të flasë, të ecë dhe të bëjë punë shtëpie e gjëra të tjera të panumërta.
Dhembshuria, kaq shumë e nevojshme
Një nga dhuratat më të mëdha që gratë mund t’u japin familjeve të tyre është dhembshuria. Kur një anëtar i familjes sëmuret, nëna merr përsipër rolin e infermieres, edhe pse kujdeset akoma për të gjitha përgjegjësitë e tjera që ka. «Gratë, në fakt, sigurojnë pjesën më të madhe të shërbimeve shëndetësore në botë»,—shpjegon libri Gratë dhe shëndeti.
Dhembshuria e një nëne mund ta motivojë madje atë që të hajë vetë më pak, në mënyrë që fëmijët e saj të mos mbeten pa ushqim. Kërkuesit kanë zbuluar se disa gra e shohin të mjaftueshme sasinë e ushqimit që marrin, edhe pse janë të kequshqyera. Ato janë mësuar kaq shumë që t’u japin pjesën më të madhe burrave dhe fëmijëve të tyre, saqë për sa kohë që mund të punojnë akoma, e konsiderojnë veten të ushqyera në masën e duhur.
Disa herë dhembshuria e një gruaje shprehet në shqetësimin e saj për ambientin vendas. Ai ambient i intereson asaj, meqenëse edhe ajo vuan kur thatësira, procesi i shkretimit ose i çpyllëzimit varfërojnë tokën. Në një qytet të Indisë, gratë u zemëruan kur mësuan se një ndërmarrje e sharrave do të priste rreth 2.500 drurë në një pyll aty afër. Grave u duheshin ato drurë për ushqim, ngrohje dhe tagji. Kur mbërritën sharrëxhinjtë gratë ishin tashmë në vendin e ngjarjes, me duar të bashkuara, duke rrethuar në mënyrë mbrojtëse drurët. ‘Do t’ju duhet të pritni më parë kokat tona në qoftë se doni të pritni pemët’,—u thanë gratë sharrëxhinjve. Pylli u shpëtua.
«Jepi asaj shpërblimin që e ka merituar»
Si në rolin e asaj që mban familjen me bukë, ashtu edhe në atë të mësueses ose të burimit të dhembshurisë, një grua është e denjë për respekt dhe vlerësim, sepse kjo është puna e saj. Njeriu i mençur, Lemueli, i cili foli kaq mirë për një grua të aftë, vlerësoi si punën, ashtu edhe këshillat e saj. Në fakt, Bibla shpjegon se mesazhi që ai transmetoi vinte në një masë të madhe nga edukimi që i kishte dhënë nëna e tij. (Fjalët e urta 31:1) Lemueli ishte i bindur se një grua dhe nënë e përgjegjshme nuk duhej nënvlerësuar. «Jepi asaj shpërblimin që e ka merituar,—shkroi ai.—Veprat e saj i sjellin lavdi.»—Fjalët e urta 31:31, NIV.
Megjithatë, kur Lemueli dokumentoi këto pikëpamje, ato nuk ishin thjesht pasqyrim i mënyrës njerëzore të të menduarit. Ato janë regjistruar në Bibël, e cila është Fjala e Perëndisë. «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia.» (2. Timoteut 3:16) Ato ndjenja pasqyrojnë pikëpamjen e Perëndisë së Plotfuqishëm për gratë, meqenëse Perëndia i frymëzoi ato fragmente në Bibël për mësimin tonë.
Më tej, Fjala e frymëzuar e Perëndisë thotë se burrat duhet të ‘kenë nderim për to [gratë e tyre]’. (1. Pjetrit 3:7, DSF) Dhe në Efesianëve 5:33, burrit i thuhet: «Secili nga ju kështu ta dojë gruan e vet sikurse e do veten e vet.» Po kështu, Efesianëve 5:25 thotë: «Ju burra, t’i doni gratë tuaja, sikurse edhe Krishti ka dashur kishën [kongregacionin, BR] dhe e ka dhënë veten e vet për të.» Po, Krishti shprehu një dashuri të atillë për ithtarët e tij, saqë ishte i gatshëm të vdiste për ta. Sa shembull të shkëlqyer, joegoist ka lënë ai për burrat! Dhe standardet që mësoi Jezui, në bazë të të cilave ai jetoi, pasqyruan standardet e Perëndisë, të cilat janë regjistruar në Bibël për dobinë tonë.
Megjithatë, pavarësisht nga puna e tyre e lodhshme në kaq shumë fusha, shumicës së grave rrallë u jepet merita për punën që bëjnë. Si mund ta përmirësojnë ato edhe tani situatën e tyre në jetë? Gjithashtu, a ka ndonjë mundësi që qëndrimet kundrejt tyre të ndryshojnë? Cilat janë perspektivat e së ardhmes për gratë?
[Kutia dhe figura në faqet 10, 11]
Tri mënyra, në të cilat gratë mund të përmirësojnë situatën e tyre
Arsimimi. Në botë ka rreth 600 milionë gra analfabete, shumica e të cilave nuk kanë pasur kurrë rastin për të shkuar në shkollë. Edhe ju vetë mund të keni bërë pak shkollë, por kjo nuk do të thotë se nuk mund të arsimoheni vetë. Nuk është e lehtë, por shumë gra ia kanë dalë mbanë me sukses. «Arsyet fetare mund të luajnë një rol të rëndësishëm për të motivuar të rriturit që të fitojnë aftësitë e të shkruarit e të lexuarit»,—shpjegon libri Gratë dhe arsimimi (Women and Literacy). Mësimi i leximit do të ketë një shpërblim të madh, pasi do të jeni në gjendje ta lexoni vetë Biblën. Por ka edhe shumë përfitime të tjera.
Nëna që di shkrim e lexim jo vetëm që ka mundësi më të mira ekonomike, por ajo mund të mësojë edhe mbi praktikat për një shëndet të mirë. Shteti indian i Keralas ilustron në mënyrë të gjallë dobitë e mësimit të shkrimit e të leximit. Edhe pse kjo krahinë është nën mesataren për sa u përket të ardhurave, 87 përqind e grave fshatare në të dinë të shkruajnë e të lexojnë. Interesant është fakti se në të njëjtin shtet, vdekshmëria foshnjore është pesë herë më e ulët sesa në pjesën tjetër të Indisë; mesatarisht gratë jetojnë 15 vjet më shumë dhe të gjitha vajzat shkojnë në shkollë.
Natyrisht, nëna që di shkrim e lexim nxit procesin e mësimit te fëmijët e vet, gjë që patjetër meriton të lavdërohet. Arsimimi i vajzave është një investim i shkëlqyer. Asgjë tjetër nuk ka një fuqi të tillë për të përmirësuar shëndetin e familjes dhe për të përmirësuar vetë jetën e grave, vëren një botim i Fondit të Kombeve të Bashkuara për fëmijët (UNICEF), The State of the World’s Children 1991. Pa asnjë dyshim, aftësitë e leximit dhe të shkrimit do t’ju ndihmojnë të bëheni nëna dhe një burim më i mirë material.a
Shëndeti. Si nëna, ju duhet të kujdeseni për veten, veçanërisht nëse jeni shtatzëna ose po ushqeni fëmijët me qumësht gjiri. A mund ta përmirësoni mënyrën e të ushqyerit? Afro dy të tretat e grave shtatzëna në Afrikë, si edhe në Azinë Jugore dhe Perëndimore janë klinikisht anemike. Përveçse dobëson energjitë tuaja, anemia rrit rreziqet e shoqëruara me lindjen e fëmijës dhe e bën më të mundshëm marrjen e malaries. Megjithëse mishi ose peshku mund të mos gjenden ose të jenë me çmim të shtrenjtë, vezët, frutat dhe perimet e pasura me hekur mund të jenë në dispozicion. Mos lejoni që besëtytnia t’ju pengojë të hani ushqime me vlera ushqyese dhe mos lini që zakonet vendase t’ju privojnë nga ngrënia e pjesës suaj të ushqimit si e gjithë familja.b
Ushqimi i foshnjave me qumështin e gjirit është një gjë e mirë për ju dhe për fëmijën tuaj. Qumështi i gjirit është më i lirë, më higjienik dhe më ushqyes sesa çdo zëvendësues tjetër. UNICEF-i llogarit se një milion vdekje të fëmijëve në vit mund të shmangeshin, nëse nënat do t’i ushqenin foshnjat me qumësht gjiri për katër deri në gjashtë muajt e parë të jetës së tyre. Sigurisht, nëse nëna ka një sëmundje ngjitëse që dihet se mund të transmetohet nëpërmjet qumështit të gjirit, atëherë duhet përdorur një alternativë e sigurt ushqimi.
Sigurohuni se, kur gatuani brenda shtëpisë në një zjarr të hapur, të ketë ventilim të mjaftueshëm. «Ekspozimi ndaj tymit dhe gazeve toksike të gatimit ndoshta është rreziku më i rëndë i shëndetit që njihet sot»,—paralajmëron libri Gratë dhe shëndeti.
Mos pini duhan, cilatdo qofshin presionet. Reklamat e përhapura të duhanit në botën në zhvillim kanë vënë në shënjestër gratë, duke u përpjekur t’i bindin ato se pirja e duhanit është një gjë e sofistikuar. Asgjë nuk mund të jetë më larg së vërtetës sesa ky pohim. Duhani dëmton fëmijët tuaj e mund t’ju vrasë edhe juve. Është llogaritur se me kalimin e kohës një çerek nga të gjithë duhanxhinjtë vriten nga varësia e tyre prej duhanit. Për më tepër, specialistët thonë se mundësitë që një person, i cili e pi cigaren për herë të parë, të bëhet një duhanxhi i rregullt janë jashtëzakonisht të mëdha.
Higjiena. Shembulli dhe këshillat tuaja në lidhje me higjienën janë kyçe për shëndetin e familjes suaj. Botimi Fakte për jetën (Facts for Life) nënvizon hapat e mëposhtëm bazë për një higjienë të mirë:
• Lajini duart me sapun dhe ujë pas çdo kontakti me jashtëqitje dhe para se të përgatitni ushqimin. Sigurohuni se fëmijët tuaj i lajnë duart para se të hanë.
• Përdorni një WC dhe mbajeni të pastër e të mbuluar. Nëse kjo nuk është e mundur, kryejini nevojat personale sa më larg të jetë e mundur nga shtëpia juaj dhe groposini jashtëqitjet menjëherë.—Krahaso Ligjin e përtërirë 23:12, 13.
• Përpiquni të përdorni ujë të pastër për vete dhe për familjen. Për këtë qëllim, mbajini të mbuluara puset dhe përdorni enë të pastra për të mbajtur ujin.
• Nëse nuk ke në dispozicion ujë të pastër, zieje atë dhe pastaj lëre të ftohet përpara se të pihet. Megjithëse uji i pazier mund të duket i pastër, ai mund të jetë akoma i ndotur.
• Mbani mend se ushqimi i pagatuar ka shumë më tepër mundësi të transmetojë një infeksion. Ushqimet që do të hahen të papërpunuara duhet të lahen para ngrënies dhe të konsumohen sa më shpejt të jetë e mundur. Ushqimet e tjera duhen gatuar mirë, veçanërisht mishi i kafshëve dhe ai i pulës.
• Mbajeni ushqimin të pastër e të mbuluar që insektet ose kafshët të mos e ndotin.
• Digjni ose groposni plehërat.c
[Shënimet]
a Dëshmitarët e Jehovait organizojnë kurse pa pagesë për të mësuar shkrim e lexim si pjesë e programit të tyre të zgjeruar të arsimimit biblik.
b Në disa vende, sipas besëtytnisë gratë nuk duhet të hanë peshk, vezë ose mish pule gjatë shtatzënisë, nga frika se mos dëmton fëmijën në barkun e saj. Disa herë zakonet kërkojnë që gruaja të hajë atë që mbetet në tryezë, pasi të kenë mbaruar së ngrëni burrat dhe djemtë.
c Për më shumë hollësi, shiko Zgjohuni!, 8 prill 1995, anglisht, faqet 6-11.
[Figura në faqen 8]
Shumë gra në botën perëndimore punojnë në zyra
[Figura në faqet 8, 9]
Shumë grave u duhet të punojnë në kushte të mjerueshme
[Burimi]
Godo-Foto
[Figura në faqen 9]
Nënat janë mësuese në shtëpi