A mund të të bëjnë të lumtur pasuritë?
Mbreti Solomon e dinte vlerën e parave. Ai shkroi: «Buka është për të qeshurën e punëtorëve dhe vetë vera e bën jetën të gëzojë, por paraja është ajo që u përgjigjet të gjitha gjërave.» (Predikuesi 10:19, BR) Të hash darkë me miqtë mund të jetë shumë e këndshme, por për ta blerë bukën dhe verën ke nevojë për para. Meqenëse paraja është mjeti me anë të së cilës blihen të gjitha gjërat materiale, ajo «u përgjigjet të gjitha gjërave».
NDONËSE Solomoni ishte i pasur në mënyrë përrallore, e dinte se pasuritë kanë kufizimet e tyre. Ai e pranonte se një mënyrë jetese materialiste nuk çel derën për te lumturia. Ai shkroi: «Thjesht një dashurues i argjendit nuk do të kënaqet me argjend dhe as një dashurues i pasurisë me të ardhurat.»—Predikuesi 5:10, BR.
Imagjino sikur një person i pasur të merrte një pasuri edhe më të madhe. Solomoni thotë: «Kur gjërat e mira bëhen shumë, sigurisht që bëhen shumë edhe ata që i hanë ato.» (Predikuesi 5:11, BR) Ndërsa shtohen «gjërat e mira» ose zotërimet e një personi, nevojiten më shumë njerëz për t’u kujdesur për to. Riparuesit, kujdestarët, shërbëtorët, rojet dhe të tjerë, të gjithë këta duhen paguar për shërbimin që bëjnë. Kjo nga ana e saj, kërkon gjithnjë e më shumë para.
Një situatë e tillë ka ndikim të drejtpërdrejtë në lumturinë e një personi. Historiani grek Ksenofoni, i cili jetoi në shekullin e katërt p.e.s., shkroi komentet e një njeriu të varfër që ishte bërë i pasur:
«Vallë, vërtet kujtoni . . . se sa më shumë kam, aq më i lumtur jetoj? Ju nuk e kuptoni,—vazhdoi ai,—se e ngrëna, e pira dhe gjumi, nuk më japin tani asnjë grimë më tepër kënaqësi sesa më jepnin kur isha i varfër. I vetmi fitim nga gjithë kjo pasuri e madhe që kam, është se jam i detyruar të kujdesem për më shumë, t’u shpërndaj më shumë të tjerëve dhe të kem shqetësimin për t’u kujdesur për më shumë nga ç’isha mësuar të kisha. Sepse tani, shumë shërbëtorë e presin prej meje ushqimin, shumë të tjerë pijen dhe shumë të tjerë akoma rrobat, ndërsa disa të tjerë kanë nevojë për mjekë; një tjetër vjen tek unë me një përrallë për delet që i sulmuan ujqërit, për qetë që ranë në një greminë ose për të thënë se te gjedhët ka plasur një sëmundje. Kështu që më duket . . . sikur tani që zotëroj shumë, kam më shumë halle sesa kisha kur zotëroja pak.»
Një arsye tjetër se përse njerëzit synojnë një pasuri gjithnjë e më të madhe, është se janë gënjyer nga ajo që Jezui e quajti «fuqia mashtruese e pasurive». (Mateu 13:22, BR) Ata janë të mashtruar, sepse në këto pasuri që kërkojnë me kaq zjarr, nuk gjejnë kurrë kënaqësinë ose lumturinë që presin të gjejnë. Ata arsyetojnë se atë që pasuria e kufizuar nuk arrin ta bëjë, do ta bëjë një pasuri më e madhe. Kështu që ekziston një përpjekje e vazhdueshme për më shumë.
Dashuria për para nuk çon në lumturi
Meraku për zotërimet e tij mund ta pengojë një njeri të pasur të gëzojë një pushim në paqe natën. Solomoni shkruan: «I ëmbël është gjumi i atij që shërben, pavarësisht nëse është pak apo shumë ajo që ha, por bollëku që i përket të pasurit, nuk e lejon atë të flerë.»—Predikuesi 5:12, BR.
Kur shqetësimi për humbjen e mundshme të pasurisë së një personi shkon në ekstrem, ndodh edhe më shumë sesa mungesa e gjumit. Duke përshkruar dorështrënguarin, Solomoni shkruan: «Gjithë ditët e tij ai ha në vetë errësirën, me shumë mërzi, sëmundje dhe shkak për indinjatë.» (Predikuesi 5:17, BR) Në vend që të gjejë lumturi në pasurinë e tij, ai ha ‘me mërzi’, sikur i vjen keq edhe për paratë që ka shpenzuar për ushqim. Një pikëpamje e tillë e sëmurë mendore, mund t’i kontribuojë shëndetit të dobët. Nga ana e vet, shëndeti i dobët i shtohet ankthit të të dorështrënguarit, sepse e pengon të grumbullojë pasuri më të mëdha.
Ndoshta kjo të kujton atë që shkroi apostulli Pavël: «Ata që janë të vendosur për të qenë të pasur, bien në tundim, në grackë dhe në shumë dëshira të pakuptimta e të dëmshme, të cilat i plandosin njerëzit në shkatërrim dhe në rrënim. Sepse dashuria për para është rrënja e çdo lloj gjëje të dëmshme dhe duke rendur pas kësaj dashurie, disa . . . e kanë shpuar tejpërtej veten e tyre me shumë dhimbje.» (1. Timoteut 6:9, 10, BR) Në rendjen pas parave, njerëzit mashtrojnë, gënjejnë, vjedhin, ushtrojnë prostitucionin e madje kryejnë edhe vrasje. Rezultati është një person i mbytur nga dhembjet emocionale, fizike dhe frymore, sepse është përpjekur të kapet dhe të mbahet pas pasurive. A duket kjo si rruga drejt lumturisë? Vështirë!
Të kënaqemi me atë që kemi
Solomoni kishte diçka më shumë për të thënë në lidhje me një pikëpamje të drejtpeshuar mbi pasuritë. Ai shkroi: «Ashtu si ka dalë nga barku i nënës, kështu lakuriq do të kthehet për të shkuar si pati ardhur, pa marrë gjë nga mundi i tij që mund ta marrë me vete. Ja çfarë kuptova: është mirë dhe e përshtatshme për njeriun të hajë, të pijë dhe të gëzojë të mirën e gjithë mundit të tij nën diell, tërë ditët e jetës që Perëndia i jep, sepse kjo është pjesa e tij.»—Predikuesi 5:15, 18.
Këto fjalë tregojnë se lumturia nuk varet nga përpjekjet për të grumbulluar pasuri për një të ardhme, që ndoshta për ne s’do të vijë kurrë. Është shumë më mirë të kënaqemi dhe të gëzojmë për rezultatet e mundimit që kemi bërë. Apostulli Pavël shprehu një mendim të ngjashëm në letrën e tij të frymëzuar drejtuar Timoteut, duke thënë: «Sepse ne nuk kemi asgjë me vete në këtë botë dhe është e qartë se prej saj nuk mund të marrim gjë me vete; por kur kemi çfarë të hamë dhe të veshim, të jemi të kënaqur me kaq.»—1. Timoteut 6:7, 8; krahaso Lukën 12:16-21.
Çelësi drejt lumturisë
Solomoni zotëronte një bollëk, si pasurish, ashtu edhe mençurie hyjnore. Por ai e lidhi lumturinë me mençurinë, jo me paratë. Ai tha: «Lum ai njeri që ka gjetur diturinë [mençurinë, BR] dhe njeriu që ka përfituar arsyen. Sepse fitimi i tij është më i mirë se fitimi i argjendit dhe fryti i tij vlen më tepër se ari i kulluar. Ajo është më e çmuar se perlat dhe mbarë gjërat më të këndshme nuk mund të barazohen me të. Gjatësia e jetës është në të djathtë të saj, pasuria dhe lavdia në të majtë të saj. Rrugët e saj janë rrugë të kënaqshme dhe në të tërë shtigjet e saj mbretëron paqja. Ajo është një dru i jetës për ata që e kapin dhe lum ata që mbahen fort atje.»—Fjalët e urta 3:13-18.
Pse mençuria qëndron më lart se zotërimet materiale? Solomoni shkroi: «Mençuria është për një mbrojtje, ashtu si paraja është për një mbrojtje, por epërsia e njohurisë është se vetë mençuria i ruan gjallë pronarët e saj.» (Predikuesi 7:12, BR) Ndonëse paraja siguron njëfarë mbrojtjeje, duke i bërë të mundur pronarit të vet të blejë atë për të cilën ka nevojë, mençuria mund ta ruajë një person, që të mos ndërmarrë me vetëdije veprime, të cilat mund të vënë në rrezik jetën e tij. Mençuria e vërtetë jo vetëm që mund ta ruajë një person nga vdekja e parakohshme, sepse bazohet në një druajtje të përshtatshme prej Perëndisë, por do të çojë edhe në fitimin e jetës së përhershme.
Përse mençuria hyjnore çon në lumturi? Sepse lumturia e vërtetë mund të vijë vetëm prej Perëndisë Jehova. Përvoja provon se lumturia e vërtetë mund të fitohet vetëm nëpërmjet bindjes ndaj Më të Lartit. Lumturia e qëndrueshme varet nga qëndrimi i miratuar para Perëndisë. (Mateu 5:3-10) Duke aplikuar atë që mësojmë nga studimi i Biblës, do të kultivojmë «mençurinë nga lart». (Jakovit 3:17, BR) Kjo do të na japë atë lumturi që pasuritë nuk mund ta sjellin kurrë.
[Figurat në faqet 4, 5]
Mbreti Solomon e dinte se ç’gjë e bën të lumtur një person. Po ti?