A po e përmbushim gjithë detyrimin tonë ndaj Perëndisë?
«Vetë Perëndia i vërtetë do të sjellë në gjykim çdo lloj vepre në lidhje me çdo gjë të fshehur, për të parë nëse është e mirë ose e keqe.»—EKLISIASTIU 12:14, BR.
1. Çfarë gjërash ka siguruar Jehovai për popullin e tij?
JEHOVAI i mbështet ata që vazhdojnë ta kujtojnë atë si Krijuesin e tyre të Madh. Fjala e tij e frymëzuar u jep atyre njohurinë që nevojitet për t’i pëlqyer plotësisht atij. Fryma e shenjtë e Perëndisë i udhëheq ata për të bërë vullnetin hyjnor dhe për të «sjellë fryt në çdo vepër të mirë». (Kolosianëve 1:9, 10) Për më tepër, Jehovai siguron ushqim frymor dhe drejtim teokratik nëpërmjet ‘skllavit të besueshëm e të matur’. (Mateu 24:45-47, BR) Pra, në shumë mënyra, populli i Perëndisë ka bekimin qiellor, ndërsa i shërben Jehovait dhe përmbush veprën jetësore të predikimit të lajmit të mirë të Mbretërisë.—Marku 13:10.
2. Në lidhje me shërbimin ndaj Jehovait, cilat pyetje mund të lindin?
2 Të krishterët e vërtetë janë të lumtur që e zënë jetën e tyre me shërbimin e shenjtë ndaj Jehovait. Megjithatë, disa mund të shkurajohen dhe të mendojnë se përpjekjet e tyre janë të kota. Për shembull, ndonjëherë disa të krishterë të dedikuar mund të pyesin veten nëse përpjekjet e tyre të ndërgjegjshme ia vlejnë me të vërtetë. Kur mediton për studimin personal dhe aktivitetet e tjera, në mendjen e një kryefamiljari mund të lindin fare mirë pyetje si këto: ‘A është vërtet i kënaqur Jehovai me atë që po bëjmë? A po e përmbushim gjithë detyrimin tonë ndaj Perëndisë?’ Fjalët e mençura të «atij që mbledh popullin» mund të na ndihmojnë t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve.
A është çdo gjë kotësi?
3. Në përputhje me Predikuesin 12:8, çfarë është kotësia më e madhe?
3 Disa mund të mendojnë se fjalët e këtij njeriu të mençur nuk janë shumë inkurajuese për askënd, qofshin këta të rinj ose të moshuar. «‘Kotësi e kotësive,—thotë ‘ai që mbledh popullin’,—gjithçka është kotësi’.» (Predikuesi [Eklisiastiu] 12:8) Faktikisht, të shpërfillësh Krijuesin e Madh në rini, të plakesh pa i shërbyer atij dhe të kesh për të treguar vetëm moshën e shkuar nga gjithë jeta jote, është kotësia më e madhe. Për një person të tillë gjithçka ka qenë kotësi ose boshllëk, edhe sikur të vdesë me pasuri dhe famë në këtë botë që dergjet nën pushtetin e të ligut, Satana Djallit.—1. Gjonit 5:19.
4. Përse mund të thuhet se jo çdo gjë është kotësi?
4 Jo çdo gjë është kotësi për ata që mbledhin thesare në qiell si shërbëtorë besnikë të Jehovait. (Mateu 6:19, 20) Ata kanë shumë për të bërë në veprën shpërblyese të Zotërisë dhe kjo punë e vështirë patjetër nuk është e kotë. (1. Korintasve 15:58) Por nëse jemi të krishterë të dedikuar, a po angazhohemi plotësisht në veprën që ka caktuar Perëndia për këto ditë të fundit? (2. Timoteut 3:1) Apo kemi përvetësuar një stil jete që nuk ndryshon shumë nga stili i jetës së fqinjëve tanë në përgjithësi? Ata mund të shoqërohen me fe të ndryshme dhe mund të jenë mjaft të devotshëm në to, duke qenë të pranishëm rregullisht nëpër shtëpitë e adhurimit dhe duke u përpjekur të zbatojnë atë që u kërkon forma e tyre e adhurimit. Sigurisht, ata nuk janë lajmëtarë të mesazhit të Mbretërisë. Nuk kanë njohuri të saktë se kjo është ‘koha e mbarimit’ dhe nuk e kanë ndjenjën e urgjencës për ditët në të cilat jetojmë.—Danieli 12:4.
5. Nëse plotësimi i gjërave normale të jetës është bërë interesimi ynë kryesor, çfarë duhet të bëjmë?
5 Jezu Krishti tha për kohët tona kritike: «Ashtu siç qe në ditët e Noeut, kështu do të jetë edhe në ardhjen e Birit të njeriut. Sepse, ashtu si në ditët përpara përmbytjes, njerëzit hanin dhe pinin, martoheshin dhe martonin, derisa Noeu hyri në arkë dhe nuk kuptuan asgjë, derisa erdhi përmbytja dhe i fshiu të gjithë, kështu do të ndodhë në ardhjen e Birit të njeriut.» (Mateu 24:37-39) Kur bëhet me masë, s’ka asgjë të gabuar të hash e të pish dhe martesa është një rregullim që vetë Perëndia e ka themeluar. (Zanafilla 2:20-24) Megjithatë, nëse kuptojmë se plotësimi i gjërave normale të jetës është bërë interesimi ynë kryesor, përse të mos lutemi për këtë çështje? Jehovai mund të na ndihmojë të mbajmë në vend të parë interesat e Mbretërisë, të bëjmë atë që është e drejtë dhe të përmbushim detyrimin tonë ndaj tij.—Mateu 6:33; Romakëve 12:12; 2. Korintasve 13:7.
Dedikimi dhe detyrimi ynë ndaj Perëndisë
6. Cilin aspekt të rëndësishëm të detyrimit ndaj Perëndisë nuk po përmbushin disa persona të pagëzuar?
6 Disa të krishterë të pagëzuar kanë nevojë të luten seriozisht, sepse nuk po jetojnë në lartësinë e detyrimeve për të shërbyer, të cilat i morën përsipër kur i bënë dedikimin Perëndisë. Ka disa vite që numri i të pagëzuarve për çdo vit është mbi 300.000, por numri i përgjithshëm i Dëshmitarëve aktivë nuk ka ecur me të njëjtin ritëm. Disa lajmëtarë të Mbretërisë nuk po e shpallin më lajmin e mirë. Megjithatë, të gjithë duhet të kenë një pjesëmarrje domethënëse në shërbimin e krishterë përpara se të pagëzohen. Në këtë mënyrë, ata janë të vetëdijshëm për detyrën që u dha Jezui të gjithë ithtarëve të tij: «Shkoni . . . dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt, duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të frymës së shenjtë dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar.» (Mateu 28:19, 20) Përveç rasteve kur kanë kufizimet më ekstreme për shkak të shëndetit ose të faktorëve të tjerë që janë jashtë kontrollit të tyre, personat e pagëzuar që nuk po shërbejnë më si Dëshmitarë aktivë të Perëndisë e të Krishtit, nuk po jetojnë në lartësinë e të gjithë detyrimit të tyre para Krijuesit tonë të Madh.—Isaia 43:10-12.
7. Përse duhet të mblidhemi së bashku rregullisht për të adhuruar?
7 Izraeli i lashtë ishte një komb i dedikuar ndaj Perëndisë dhe nën besëlidhjen e Ligjit populli kishte detyrime përpara Jehovait. Për shembull, të gjithë meshkujt duhej të mblidheshin për tri festa vjetore dhe një burrë që vullnetarisht nuk kremtonte Pashkën ‘këputej’, domethënë duhej të vdiste. (Numrat 9:13, BR; Levitiku 23:1-43; Ligji i përtërirë 16:16) Për të përmbushur detyrimin ndaj Perëndisë si populli i tij i dedikuar, izraelitët duhej të mblidheshin për të adhuruar. (Ligji i përtërirë 31:10-13) Asgjëkundi në Ligj nuk thuhej: ‘Bëje këtë nëse të del koha.’ Për ata që i janë dedikuar tani Jehovait, patjetër që kjo gjë ia shton peshën fjalëve të Pavlit: «Le të kujdesemi për njëri-tjetrin, për t’u nxitur për dashuri dhe vepra të mira, pa hequr dorë nga të mbledhurit bashkë tonin, sikurse e kanë zakon disa, por të nxitim njëri-tjetrin, aq më tepër se e shihni ditën që po afrohet.» (Hebrenjve 10:24, 25) Tamam, të mbledhurit rregullisht me bashkëbesimtarët është pjesë e detyrimit të një të krishteri të dedikuar ndaj Perëndisë.
T’i peshojmë me kujdes vendimet tona!
8. Përse një i ri i dedikuar duhet ta shqyrtojë në lutje shërbimin e tij të shenjtë?
8 Ndoshta je një i ri në moshë, i dedikuar ndaj Jehovait. Nëse i mban interesat e Mbretërisë në vend të parë në jetën tënde, të presin bekime të pasura. (Fjalët e urta [Proverbat] 10:22) Me lutje dhe me planifikim të kujdesshëm, mund të jesh në gjendje të harxhosh të paktën vitet e rinisë në ndonjë formë të shërbimit të plotkohor, gjë që është një mënyrë e shkëlqyer për të treguar se e kujton Krijuesin tënd të Madh. Përndryshe, interesat materiale mund të fillojnë të zënë pjesën më të madhe të kohës dhe të vëmendjes sate. Ashtu si njerëzit në përgjithësi, mund të martohesh herët në jetë dhe të hysh në borxhe për të blerë gjëra materiale. Një karrierë fitimprurëse mund të të thithë pjesën më të madhe të kohës dhe të energjisë. Nëse do të kesh fëmijë, do të të duhet të mbash mbi supe përgjegjësitë familjare për disa dekada. (1. Timoteut 5:8) Mund të mos e kesh harruar Krijuesin tënd të Madh, por është e mençur të kuptosh se një planifikim që më përpara ose mungesa e këtij planifikimi, mund të përcaktojë drejtimin që do të marrë jeta jote si i rritur. Në vitet e mëvonshme, ndoshta do të shohësh prapa dhe do të shprehësh dëshirën që të paktën vitet e rinisë t’i kishe harxhuar në mënyrë më të plotë në shërbimin e shenjtë ndaj Krijuesit tonë të Madh. Përse të mos i shqyrtosh në lutje që tani perspektivat e tua, me qëllim që të gjesh kënaqësi në shërbimin e shenjtë ndaj Jehovait në vitet e rinisë sate?
9. Çfarë mundësie ekziston akoma për një person që është plakur dhe që njëherë e një kohë mbante përgjegjësi të mëdha në kongregacion?
9 Shqyrto disa rrethana të tjera, ato të një njeriu që më parë shërbente si bari i ‘kopesë së Perëndisë’. (1. Pjetrit 5:2, 3, BR) Për disa arsye, ai hoqi dorë vullnetarisht nga këto privilegje. Vërtet, tani ai është plakur dhe mund ta ketë më të vështirë të vazhdojë në shërbimin e Perëndisë. Por a mund të synojë përsëri për privilegje teokratike? Çfarë bekimesh mund t’u sjellë të tjerëve ky njeri, sikur të mundet të mbajë më shumë përgjegjësi në kongregacion! Veç kësaj, meqë asnjë nuk jeton vetëm për vete, miqtë dhe të dashurit do të gëzohen nëse ai është në gjendje të rritë shërbimin e tij, për lavdi të Perëndisë. (Romakëve 14:7, 8) Mbi të gjitha, Jehovai nuk do ta harrojë atë që bën secili prej nesh në shërbim të tij. (Hebrenjve 6:10-12) Prandaj, çfarë mund të na ndihmojë të kujtojmë Krijuesin tonë të Madh?
Ndihmë për të kujtuar Krijuesin tonë të Madh
10. Përse ‘ai që mbledh popullin’ ishte në një pozitë shumë të mirë për të siguruar udhëzime se si ta kujtojmë Krijuesin tonë të Madh?
10 ‘Ai që mbledh popullin’ ishte në një pozitë shumë të mirë për të siguruar udhëzime se si ta kujtojmë Krijuesin tonë të Madh. Jehovai u ishte përgjigjur lutjeve të tij të bëra me gjithë zemër, duke i dhënë mençuri të jashtëzakonshme. (1. Mbretërve 3:6-12) Solomoni bëri një hetim të hollësishëm të të gjithë sferës së çështjeve njerëzore. Për më tepër, ai u frymëzua në mënyrë hyjnore për t’i hedhur me shkrim përfundimet e hetimit të tij, në mënyrë që të tjerët të nxirrnin dobi. Ai shkroi: «Predikuesi, përveç se ka qenë një i urtë, i ka mësuar, gjithashtu, popullit dijen dhe ka peshuar, ka kërkuar dhe ka renditur një numër të madh fjalësh të urta. Predikuesi është përpjekur të gjejë fjalë të këndshme dhe gjërat e shkruara janë të drejta dhe të vërteta.»—Predikuesi 12:9, 10.
11. Përse duhet t’i pranojmë këshillat e mençura të Solomonit?
11 Në përkthimin e kësaj pjese në Septuagintën greke, lexojmë: «Dhe për më tepër, duke qenë se ai që mbledh popullin ishte i mençur, sepse i mësoi njerëzimit mençurinë; me qëllim që veshi të mund të gjejë nga shëmbëlltyrat atë që është e përshtatshme, ai që mbledh popullin bëri kërkime të zellshme për të gjetur fjalë të këndshme dhe një shkrim drejtësie, fjalët e së vërtetës.» (The Septuagint Bible, përkthyer nga Çarls Tomson) Solomoni u përpoq të arrinte zemrat e lexuesve të tij me fjalë të këndshme dhe tema interesante që ia vlenin vërtet. Meqë fjalët e tij që i gjejmë në Shkrime janë produkt i frymëzimit nga fryma e shenjtë, mund t’i pranojmë pa rezerva përfundimet e hetimit dhe këshillat e tij të mençura.—2. Timoteut 3:16, 17.
12. Si do ta shprehje me fjalët e tua atë që tha Solomoni në Eklisiastiun 12:11, 12?
12 Në ditët e Solomonit, edhe pse mungonin metodat moderne të shtypjes, kishte shumë libra në dispozicion. Si duhej konsideruar kjo literaturë? Ai tha: «Fjalët e të mençurve janë si hostenë dhe tamam si gozhdë të ngulura janë ata që gjejnë kënaqësi në mbledhjen e thënieve, ato janë dhënë nga një bari i vetëm. Për sa i përket çdo gjëje jashtë këtyre, biri im, dëgjo këtë paralajmërim: bërja e shumë librave nuk ka të sosur dhe t’u përkushtohesh shumë atyre është e lodhshme për mishin.»—Eklisiastiu 12:11, 12, BR.
13. Në ç’mënyrë fjalët e atyre që zotërojnë mençuri hyjnore mund të jenë si hostenë dhe cilët janë si «gozhdë të ngulura»?
13 Fjalët e atyre që zotërojnë mençuri hyjnore janë tamam si hostenë. Çfarë do të thotë kjo? Ato i nxitin lexuesit ose dëgjuesit për të bërë përparim në harmoni me fjalët e mençura që lexojnë ose dëgjojnë. Për më tepër, ata që angazhohen me «mbledhjen e thënieve» ose të shprehjeve vërtet të mençura e që ia vlejnë, janë si «gozhdë të ngulura» ose të fiksuara fort. Mund të jetë kështu, sepse fjalët e shkëlqyera të këtyre individëve pasqyrojnë mençurinë e Jehovait e prandaj mund të shërbejnë për t’i bërë të qëndrueshëm dhe për t’i mbështetur lexuesit ose dëgjuesit. Nëse je një prind me druajtje Perëndie, a nuk duhet të bësh çdo përpjekje për ta ngulitur këtë mençuri në mendjen dhe në zemrën e fëmijës tënd?—Ligji i përtërirë 6:4-9.
14. (a) Cilëve lloj librash nuk është e dobishme «t’u përkushtohesh shumë»? (b) Cilës literaturë duhet t’i kushtojmë vëmendje parësore dhe përse?
14 Por, përse Solomoni tha fjalët e mësipërme për librat? E pra, në krahasim me Fjalën e Jehovait, vëllimet e pafundme të librave të kësaj bote përmbajnë thjesht arsyetime njerëzore. Një pjesë e mirë e këtyre mendimeve pasqyrojnë mendimet e Satana Djallit. (2. Korintasve 4:4) Prandaj, «t’u përkushtohesh shumë» këtyre materialeve botërore sjell pak vlerë të qëndrueshme. Në fakt, shumë nga këto materiale mund të jenë dëmtuese nga ana frymore. Ashtu si Solomoni, le të meditojmë rreth asaj që thotë Fjala e Perëndisë për jetën. Kjo do të na e forcojë besimin dhe do të na tërheqë më afër Jehovait. T’u kushtojmë vëmendje të tepërt librave të tjerë ose burimeve të tjera të udhëzimeve, është një gjë që mund të na sfilitë. Veçanërisht kur këto shkrime janë produkt i arsyetimit njerëzor që bie në kundërshtim me mençurinë hyjnore, ato nuk janë të shëndetshme dhe shkatërrojnë besimin te Perëndia dhe te qëllimet e tij. Prandaj, le të mos harrojmë se shkrimet më të dobishme të ditëve të Solomonit dhe të ditëve tona, janë ato që pasqyrojnë mençurinë e ‘një bariu të vetëm’, Perëndisë Jehova. Ai ka siguruar 66 librat e Shkrimeve të Shenjta dhe këtyre duhet t’u kushtojmë vëmendje parësore. Bibla dhe botimet e dobishme të ‘skllavit të besueshëm’ na mundësojnë të fitojmë «vetë njohurinë e Perëndisë».—Proverbat 2:1-6, BR.
Gjithë detyrimi ynë ndaj Perëndisë
15. (a) Si do t’i shprehje fjalët e Solomonit lidhur me ‘gjithë detyrimin e njeriut’? (b) Çfarë duhet të bëjmë për të përmbushur detyrimin tonë ndaj Perëndisë?
15 Duke përmbledhur të gjithë hetimin e tij, Solomoni, ‘ai që mbledh popullin’, thotë: «Konkluzioni i argumentit, pasi është dëgjuar çdo gjë, është: Druaju Perëndisë së vërtetë dhe zbato urdhërimet e tij. Sepse ky është i gjithë detyrimi i njeriut. Sepse vetë Perëndia i vërtetë do të sjellë në gjykim çdo lloj vepre në lidhje me çdo gjë të fshehur, për të parë nëse është e mirë ose e keqe.» (Eklisiastiu 12:13, 14, BR) Druajtja e shëndetshme ose respekti i thellë për Krijuesin tonë të Madh do të na mbrojë ne, e shpresojmë edhe familjet tona, që të mos ndjekim një drejtim të pamend jetese që mund të sjellë shqetësime të shumta dhe pikëllim mbi ne dhe mbi të dashurit tanë. Druajtja e shëndetshme ndaj Perëndisë është e pastër dhe është vetë fillimi i mençurisë dhe i njohurisë. (Psalmi 19:9; Fjalët e urta 1:7) Nëse zotërojmë mendjehollësinë e bazuar në Fjalën e frymëzuar të Perëndisë dhe nëse zbatojmë këshillat e saj në çdo gjë, do të jemi duke përmbushur ‘gjithë detyrimin’ tonë ndaj Perëndisë. Nuk është puna se duhet të bëjmë një listë detyrimesh. Përkundrazi, ajo që kërkohet është t’u drejtohemi Shkrimeve kur zgjidhim problemet e jetës dhe t’i bëjmë gjërat gjithnjë sipas mënyrës së Perëndisë.
16. Lidhur me gjykimin, çfarë do të bëjë Jehovai?
16 Duhet të kuptojmë se Krijuesit tonë të Madh nuk i shpëton asgjë pa e vënë re. (Fjalët e urta 15:13) Ai «do të sjellë në gjykim çdo lloj vepre». Po, Më i Larti do të gjykojë të gjitha gjërat, duke përfshirë edhe ato që janë të fshehura nga sytë e njerëzve. Të qenët të vetëdijshëm për këta faktorë mund të shërbejë si një stimul për të zbatuar urdhërimet e Perëndisë. Por, stimuli më i madh duhet të jetë dashuria për Atin tonë qiellor, sepse apostulli Gjon shkroi: «Kjo është dashuria e Perëndisë, që ne të zbatojmë urdhërimet e tij dhe urdhërimet e tij nuk janë të rënda.» (1. Gjonit 5:3) Gjithashtu, meqë urdhërimet e Perëndisë janë bërë për të përkrahur mirëqenien tonë të qëndrueshme, sigurisht që është jo vetëm e përshtatshme, por edhe vërtet e mençur t’i zbatojmë ato. Kjo nuk është një barrë për ata që e duan Krijuesin e Madh. Ata dëshirojnë ta përmbushin detyrimin e tyre ndaj tij.
Të përmbushim të gjithë detyrimin tonë
17. Çfarë do të bëjmë, nëse dëshirojmë vërtet të përmbushim gjithë detyrimin tonë ndaj Perëndisë?
17 Nëse jemi të mençur dhe dëshirojmë vërtet të përmbushim gjithë detyrimin tonë ndaj Perëndisë, përveçse të zbatojmë urdhërimet e tij, do të kemi një druajtje me respekt se mos i shkaktojmë pakënaqësi. Në fakt, «druajtja e Jehovait është fillimi i mençurisë» dhe ata që zbatojnë urdhërimet e tij kanë «mendjehollësi të mirë». (Psalmi 111:10, BR; Fjalët e urta 1:7) Prandaj, le të veprojmë me mençuri dhe t’i bindemi Jehovait në çdo gjë! Kjo është veçanërisht jetësore tani, pasi Mbreti Jezu Krisht është i pranishëm dhe dita e gjykimit prej tij si Gjykatës i emëruar nga Perëndia është afër.—Mateu 24:3; 25:31, 32.
18. Cili do të jetë rezultati nëse përmbushim gjithë detyrimin tonë ndaj Perëndisë Jehova?
18 Tani, secili prej nesh është nën vëzhgimin hyjnor. A jemi të prirur nga gjërat frymore apo kemi lejuar që ndikimet e botës ta dobësojnë marrëdhënien tonë me Perëndinë? (1. Korintasve 2:10-16; 1. Gjonit 2:15-17) Qofshim të rinj ose të moshuar, le të bëjmë gjithçka që mundim për t’i pëlqyer Krijuesit tonë të Madh! Nëse i bindemi Jehovait dhe zbatojmë urdhërimet e tij, do t’i hedhim poshtë gjërat e kota të botës së vjetër që po kalon. Atëherë mund të kemi shpresën e jetës së përhershme në sistemin e ri të gjërave të premtuar nga Perëndia. (2. Pjetrit 3:13) Sa perspektiva të mrekullueshme janë këto për të gjithë ata që përmbushin gjithë detyrimin e tyre ndaj Perëndisë!
Si do të përgjigjesh?
◻ Përse mund të thuash se jo çdo gjë është kotësi?
◻ Përse një i ri i krishterë duhet ta shqyrtojë në lutje shërbimin e tij të shenjtë?
◻ Cilëve lloj librash nuk do të ishte e dobishme «t’u përkushtohesh shumë»?
◻ Cili është «i gjithë detyrimi i njeriut»?
[Figura në faqen 20]
Jo çdo gjë është kotësi për ata që i shërbejnë Jehovait
[Figura në faqen 23]
Ndryshe nga shumë libra të kësaj bote, Fjala e Perëndisë është freskuese dhe e dobishme