«I gjithë detyrimi i njeriut»
«Ki frikë Perëndinë e vërtetë dhe ruaj urdhërimet e tij. Sepse ky është i gjithë detyrimi i njeriut.»—EKLISIASTIU 12: 13, BR.
1, 2. Përse është e përshtatshme të shqyrtojmë detyrimin tonë ndaj Perëndisë?
«ÇFARË tjetër kërkon Zoti nga ti?» Një profet i lashtë drejtoi këtë pyetje. Më pas ai specifikoi se çfarë kërkonte Jehovai: të ushtrosh drejtësinë, të duash dashamirësinë dhe të ecësh me modesti me Perëndinë.—Mikea 6:8, BR.
2 Në këto ditë individualiteti dhe pavarësie, shumë persona nuk ndihen rehat nga ideja që Perëndia kërkon diçka prej tyre. Ata nuk dëshirojnë të jenë të detyruar. Por ç’mund të thuhet për përfundimin që arriti Solomoni në Eklisiastiun? «Përfundimi i çështjes, i çdo gjëje të dëgjuar, është: Ki frikë Perëndinë e vërtetë dhe ruaj urdhërimet e tij. Sepse ky është i gjithë detyrimi i njeriut.»—Eklisiastiu 12:13, BR.
3. Përse duhet t’i kushtojmë vëmendje serioze librit të Eklisiastiut?
3 Cilatdo qofshin rrethanat dhe botëkuptimi ynë për jetën, ne mund të nxjerrim shumë dobi nëse marrim në konsideratë sfondin e këtij përfundimi. Mbreti Solomon, shkrimtari i këtij libri të frymëzuar, mori në shqyrtim disa prej atyre gjërave që janë pjesë e jetës sonë të përditshme. Disa mundet që me nxitim të nxjerrin përfundimin se analiza e tij, në themel është negative. Megjithatë, ajo ishte e frymëzuar hyjnisht dhe mund të na ndihmojë për të vlerësuar veprimtaritë dhe përparësitë tona, duke pasur si rezultat një shtim të gëzimit.
Përballimi i shqetësimeve kryesore të jetës
4. Çfarë shqyrtoi dhe trajtoi Solomoni në Eklisiastiun?
4 Solomoni shqyrtoi thellësisht ‘punën e bijve të njerëzve’. «Kam kërkuar me zemër të zbuloj dhe të hetoj me dituri çdo gjë që ndodh nën qiell.» Me «punë» Solomoni nuk donte të thoshte patjetër një zënie në punë apo punësim, por më tepër, tërë shtrirjen e asaj me të cilën merren burrat dhe gratë gjatë jetës së tyre. (Eklisiastiu 1:13) Le të shqyrtojmë disa shqetësime kryesore apo punë dhe më pas të krahasojmë vetë veprimtaritë dhe përparësitë tona.
5. Cila është një nga punët më kryesore të njerëzve?
5 Sigurisht që paraja është në zemër të shumë shqetësimeve dhe veprimtarive njerëzore. Askush nuk mund të thotë me të drejtë se Solomoni kishte pikëpamje moskokëçarëse për paratë, të cilën e kanë disa njerëz të pasur. Ai e pranoi me gatishmëri nevojën për para; të kesh financa adekuate është më mirë se të kesh për të jetuar në mënyrë të shkretë apo në varfëri. (Eklisiastiu 7:11, 12) Por ti duhet të kesh parë se paraja, me zotërimet që blen, mund të bëhet synimi parësor në jetë, si për të varfërin, ashtu edhe për të pasurin.
6. Çfarë mund të mësojmë për paratë nga njëra prej ilustrimeve të Jezuit dhe nga vetë përvoja e Solomonit?
6 Kujto ilustrimin e Jezuit për burrin e pasur, i cili duke mos u kënaqur kurrë, punoi për të fituar më shumë. Perëndia e gjykoi si të paarsyeshëm. Përse? Sepse ‘jeta e njeriut nuk qëndron në mbushullinë e gjërave që zotëron’. (Luka 12:15-21) Përvoja e Solomonit, ndoshta më e shtrirë se e jona, vërteton fjalët e Jezuit. Lexo përshkrimin në Eklisiastiun 2:4-9. Për ca kohë, Solomoni u dha pas fitimit të pasurive. Ai ndërtoi shtëpi dhe kopshte të këndshëm. Ai qe në gjendje dhe mori shoqe të bukura. A i solli pasuria dhe ajo që mundi të bënte me anë të saj, një kënaqësi të thellë, një ndjenjë arritjeje të vërtetë dhe kuptim në jetën e tij? Ai u përgjigj sinqerisht: «Pastaj u ktheva të shikoj tërë veprat që kishin bërë duart e mia dhe mundin tim për t’i kryer; dhe ja, të gjitha ishin kotësi dhe një kërkim për të kapur erën; nuk kishte asnjë përfitim nën diell.»—Eklisiastiu 2:11; 4:8.
7. (a) Çfarë tregon përvoja për sa i përket vlerës së parave? (b) Çfarë ke parë ti personalisht, që provon përfundimin e Solomonit?
7 Kjo është realiste, një e vërtetë e dukshme në jetën e shumë personave. Ne duhet të pranojmë se pasja e më shumë parave, nuk është aspak zgjidhja e të gjitha problemeve. Ajo mund të zgjidhë disa, të tilla si bërjen më të lehtë të sigurimit të ushqimit dhe veshjes. Por një person mund të veshë vetëm një palë rroba njëherësh dhe të kënaqet vetëm me një sasi ushqimi dhe pijeje. Dhe ju keni lexuar për njerëz të pasur, jeta e të cilëve është e shqetësuar nga divorci, abuzimi me alkoolin apo drogën, si dhe nga armiqësitë me të afërmit. Multimilioneri J. P. Geti tha: «Paratë nuk kanë domosdoshmërisht ndonjë lidhje me lumturinë. Ndoshta kanë me palumturinë.» Për një arsye të shëndoshë, Solomoni e klasifikoi dashurinë për argjendin me kotësinë. Vëre në kontrast me këtë fakt, vëzhgimin e Solomonit: «I ëmbël është gjumi i punonjësit, qoftë edhe kur ha pak ose shumë; por velitja e të pasurit nuk e lë atë të flerë.»—Eklisiastiu 5:10-12.
8. Ç’arsye ka për të mos mbivlerësuar rëndësinë e parave?
8 Gjithashtu, paratë dhe zotërimet nuk sjellin një ndjenjë kënaqësie për sa i përket së ardhmes. Po të kishe më shumë para dhe zotërime, ka të ngjarë që do të të ishte shtuar ankthi për mbrojtjen e tyre e megjithatë, nuk do të dije se çfarë do të sillte e ardhmja. A ekziston mundësia që t’i humbasësh të gjitha, bashkë me jetën tënde? (Eklisiastiu 5:13-17; 9:11, 12) Përderisa është kështu, nuk duhet të jetë e vështirë të kuptosh se përse jeta apo puna jonë, duhet të ketë një kuptim më të lartë e më të qëndrueshëm sesa paratë dhe zotërimet.
Familja, fama dhe pushteti
9. Përse jeta familjare u mor me të drejtë në shqyrtim nga Solomoni?
9 Analiza e Solomonit mbi jetën përfshiu edhe çështjen e preokupimit për familjen. Bibla thekson jetën familjare, duke përfshirë gëzimin e pasjes dhe të rritjes së fëmijëve. (Zanafilla 2:22-24; Psalmi 127:3-5; Proverbat 5:15, 18-20; 6:20; Marku 10:6-9; Efesianëve 5:22-33) Por megjithatë, a është ky aspekti më themelor i jetës? Duket se shumë mendojnë kështu, duke e vënë theksin në disa kultura mbi martesën, fëmijët dhe lidhjet familjare. Megjithatë, Eklisiastiu 6:3 tregon se edhe pasja e njëqind fëmijëve, nuk është një çelës për kënaqësi në jetë. Imagjino se sa shumë prindër kanë bërë sakrifica për hir të fëmijëve të tyre, në mënyrë që t’u jepnin një fillim të mbarë dhe për t’ua bërë më të lehtë jetën. Ndonëse kjo është diçka fisnike, sigurisht që Krijuesi ynë nuk deshi të thoshte se objektivi qendror i ekzistencës sonë është thjesht që t’ia kalojmë jetën brezit pasardhës, siç bëjnë instinktivisht edhe kafshët për të vazhduar llojet.
10. Pse përqendrimet e tepruara mbi familjen mund të provojnë se janë kotësi?
10 Solomoni paraqiti në mënyrë të perceptueshme disa nga realitetet e jetës familjare. Për shembull, një burrë mund të përqendrohet në sigurimin e rezervave për fëmijët dhe nipat e tij. Por, a do të bëhen të mençur ata? Apo do të jenë të marrë me atë që ai është përpjekur shumë ta akumulojë për ta? Nëse kjo ndodh më vonë, çfarë «kotësie dhe e keqe e madhe» do të jetë!—Eklisiastiu 2:18-21; 1. Mbretërve 12:8; 2. Kronikave 12:1-4, 9.
11, 12. (a) Mbi cilat qëllime në jetë janë përqendruar disa? (b) Përse mund të thuhet se të kërkosh të jesh i shquar është «një kërkim për të kapur erën»?
11 Në skajin tjetër, shumë kanë nënvlerësuar jetën normale familjare, sepse kanë qenë të vendosur për të arritur famë dhe pushtet mbi të tjerët. Ky mund të jetë një gabim më i zakonshëm mes meshkujve. A e ke parë këtë tek shokët e tu të shkollës, shokët e punës apo tek fqinjët? Shumë luftojnë dëshpërueshëm për t’u bërë të njohur, për t’u bërë dikushi apo për të ushtruar autoritet mbi të tjerët. Por sa është me të vërtetë domethënëse kjo?
12 Mendo se si disa luftojnë për t’u bërë të famshëm, në një shkallë të madhe apo të vogël qoftë. E shohim këtë në shkollë, në lagjen tonë dhe në grupe të ndryshme shoqërore. Kjo është, gjithashtu, një forcë shtytëse për ata që dëshirojnë të bëhen të njohur në arte, veprimtari artistike dhe politikë. Megjithatë, a nuk është në thelb një përpjekje e kotë? Solomoni, në mënyrë korrekte, e quajti atë «një përpjekje për të kapur erën». (Eklisiastiu 4:4) Edhe nëse një i ri është bërë i shquar në një shoqatë, në një skuadër sporti ose në një grup muzikor, apo ndonjë burrë a grua ka fituar reputacion në një kompani apo komunitet, sa persona e dinë në të vërtetë këtë? A e dinë shumica e njerëzve në anën tjetër të globit (apo edhe të të njëjtit shtet), se ekziston ky person? Apo vazhdojnë jetën e tyre, krejtësisht të pavetëdijshëm se çfarë fame të vogël ka ai apo ajo? E njëjta gjë mund të thuhet për çdo pushtet apo autoritet që një person arrin në punë, në një qytet apo mes një grupi.
13. (a) Si na ndihmon Eklisiastiu 9:4, 5 për të pasur një pikëpamje të përshtatshme mbi përpjekjen për t’u dukur apo për pushtet? (b) Çfarë faktesh duhet të përballojmë nëse kjo jetë është gjithçka? (Shiko shënimin.)
13 Në fund të fundit, ku shkon një dukje apo autoritet i tillë? Ndërsa një brez shkon dhe një tjetër vjen, njerëzit e shquar apo me pushtet dalin nga skena dhe harrohen. Kjo është e vërtetë për ndërtuesit, muzikantët dhe artistët e tjerë, reformuesit socialë dhe kështu me radhë, ashtu siç është e vërtetë për pjesën më të madhe të politikanëve dhe udhëheqësve ushtarakë. Nga këto veprimtari, sa individë të veçantë njeh ti prej atyre që jetuan ndërmjet viteve 1700 dhe 1800? Me të drejtë Solomoni bëri një vlerësim të çështjeve, duke thënë: «Një qen i gjallë vlen më tepër se një luan i ngordhur. Të gjallët në fakt e dinë se kanë për të vdekur, por të vdekurit nuk dinë asgjë; . . . kujtimi i tyre harrohet.» (Eklisiastiu 9:4, 5) Dhe nëse kjo jetë është gjithçka, atëherë të përpiqesh për të qenë i shquar apo për pushtet është me të vërtetë kotësi.a
Qendra dhe detyrimi ynë
14. Përse libri i Eklisiastiut duhet të na ndihmojë personalisht?
14 Solomoni nuk bëri komente mbi shumë veprimtari, synime dhe kënaqësi në të cilat e përqendrojnë njerëzit jetën e tyre. Megjithatë, ajo që shkroi ai është e mjaftueshme. Shqyrtimi nga ana jonë i librit nuk duhet të duket i zymtë apo negativ, sepse ne kemi rishikuar realisht një libër të Biblës që Perëndia Jehova frymëzoi qëllimisht për dobinë tonë. Ai mund të ndihmojë secilin prej nesh që të vendosë drejt botëkuptimin mbi jetën dhe atë se ku duhet të përqendrohemi. (Eklisiastiu 7:2; 2. Timoteut 3:16, 17) Kjo është veçanërisht kështu, kur kihet parasysh përfundimi që Jehovai ndihmoi Solomonin të arrinte.
15, 16. (a) Cila ishte pikëpamja e Solomonit mbi gëzimin e jetës? (b) Çfarë përkufizimi të përshtatshëm bëri Solomoni mbi gëzimin e jetës?
15 Një çështje që Solomoni e ngriti në mënyrë të përsëritur, ishte ajo se shërbëtorët e Perëndisë së vërtetë duhet të gjejnë gëzim në veprimtaritë e tyre para Tij. «Për njeriun nuk ka gjë më të mirë sesa të hajë e të pijë e të gëzohet në mundin e tij; por kam vënë re se edhe kjo vjen nga dora e Perëndisë.» (Eklisiastiu 2:24; 3:12, 13; 5:18; 8:15) Vëre se Solomoni nuk po inkurajonte bërjen e ahengjeve; as nuk po mbështeste një qëndrim si ai ‘le të hamë e të pimë se nesër do të vdesim’. (1. Korintasve 15:14, 32-34) Ai donte të thoshte se ne duhet të gjejmë gëzim në kënaqësitë normale, të tilla si ngrënia dhe pirja, ndërsa ‘bëjmë të mira gjatë jetës sonë’. Kjo e përqendron pa dyshim jetën tonë në vullnetin e Krijuesit, i cili përcakton se cila është me të vërtetë e mirë.—Psalmi 25:8; Eklisiastiu 9:1; Marku 10:17, 18; Romakëve 12:2.
16 Solomoni shkroi: «Shko, ha bukën tënde me gëzim dhe pi verën tënde me zemër të gëzuar, sepse Perëndia i ka pëlqyer veprat e tua.» (Eklisiastiu 9:7-9) Po, burri apo gruaja që ka me të vërtetë një jetë të pasur e të plotë, është ai që është aktiv në veprat në të cilat gjen kënaqësi Jehovai. Kjo kërkon nga ne që ta marrim atë vazhdimisht në konsideratë. Sa i ndryshëm është ky botëkuptim nga ai i shumicës së njerëzve, të cilët i drejtohen jetës, të bazuar në arsyetimet njerëzore!
17, 18. (a) Si reagojnë shumë njerëz ndaj realiteteve të jetës? (b) Çfarë rezultati duhet të sjellim gjithmonë ndër mend?
17 Edhe pse disa fe mësojnë rreth një jete të përtejme, shumë njerëz besojnë se kjo jetë është me të vërtetë gjithçka për të cilën mund të jenë të sigurt. Ndoshta i ke parë të reagojnë siç e përshkroi Solomoni: «Sepse vendimi kundër një veprimi të keq nuk zbatohet menjëherë, zemra e bijve të njerëzve është e mbushur nga dëshira për të bërë të keqen.» (Eklisiastiu 8:11) Madje edhe ata që nuk zhyten në vepra të këqija, tregojnë se shqetësohen kryesisht për të tashmen. Kjo është një arsye se përse paratë, zotërimet, prestigji, autoriteti mbi të tjerët, familja apo interesa të tjera të tilla marrin një rëndësi të ekzagjeruar për ta. Megjithatë, Solomoni nuk e la këtu mendimin. Ai shtoi: «Edhe në qoftë se mëkatari bën njëqind herë të keqen dhe i zgjat ditët e tij, megjithatë, unë e di që do të kenë të mirën ata që kanë frikë nga Perëndia, që kanë frikë para tij. Por nuk ka të mirë për të pabesin dhe nuk ka për t’i zgjatur ditët e tij si hija sepse nuk ka frikë përpara Perëndisë.» (Eklisiastiu 8:12, 13) Është e qartë, Solomoni ishte i bindur se ne do të na dalë për mirë nëse ‘kemi frikë nga Perëndia [i vërtetë, BR]’. Sa mirë? Mund ta gjejmë përgjigjen në kontrastin që bëri ai. Jehovai mund ‘të zgjasë ditët tona’.
18 Ata që ende janë relativisht të rinj duhet të mendojnë veçanërisht thellë mbi faktin absolutisht të besueshëm se do t’u dalë për mirë nëse ata kanë frikë nga Perëndia. Siç mund ta kesh parë personalisht, vrapuesit më të shpejtë mund t’i merren këmbët dhe ta humbasë garën. Një ushtri e fuqishme mund të shkojë në humbje. Një biznesmen i shkathët mund të gjendet në varfëri. Dhe shumë pasiguri të tjera e bëjnë jetën krejt të paparashikueshme. Por ti mund të jesh absolutisht i sigurt për këtë: Rruga më e mençur dhe më e sigurt është që të gëzosh jetën, ndërsa bën të mirën brenda ligjeve morale të Perëndisë dhe në përputhje me vullnetin e tij. (Eklisiastiu 9:11) Kjo përfshin të mësosh nga Bibla se cili është vullneti i Perëndisë, t’ia dedikosh jetën atij dhe të bëhesh një i krishterë i pagëzuar.—Mateu 28:19, 20.
19. Si mund ta përdorin të rinjtë jetën e tyre, por cila është rruga e mençur?
19 Krijuesi nuk do t’i detyrojë të rinjtë apo të tjerët që të ndjekin udhëheqjen e tij. Ata mund të përpihen nga arsimimi, madje ndoshta duke u bërë studentë të përjetshëm të librave të shumtë të mençurisë njerëzore. Në fund, kjo do të provojë se është e lodhshme për mishin. Ose mund të ecin në rrugët e zemrës së tyre të papërsosur, apo të ndjekin atë që tërheq sytë. Kjo do të sjellë sigurisht mërzi dhe një jetë e kaluar kështu, me kohë do të provojë se është thjesht një kotësi. (Eklisiastiu 11:9–12:12; 1. Gjonit 2:15-17) Kështu Solomoni u bëri një thirrje të rinjve, një thirrje që ne duhet ta konsiderojmë seriozisht, pavarësisht nga mosha: «Kujto Krijuesin tënd në ditët e rinisë tënde, para se të vijnë ditët e këqija dhe të arrijnë vitet për të cilat ke për të thënë: ‘Nuk gjej asnjë kënaqësi në to.’»—Eklisiastiu 12:1.
20. Cila është pikëpamja e drejtpeshuar e mesazhit në Eklisiastiun?
20 Çfarë përfundimi duhet të nxjerrim, atëherë? Mirë, pra, ç’mund të themi për përfundimin që arriti Solomoni? Ai pa, ose shqyrtoi, «tërë gjërat që bëhen nën diell; dhe ja, të gjitha janë gjëra të kota dhe një kërkim për të kapur erën». (Eklisiastiu 1:14) Ne nuk gjejmë në librin e Eklisiastiut fjalët e një burri cinik apo të pakënaqur. Ato janë pjesë e Fjalës së frymëzuar të Perëndisë dhe të denja për shqyrtim nga ana jonë.
21, 22. (a) Cilat aspekte të jetës mori në konsideratë Solomoni? (b) Çfarë përfundimi të mençur arriti ai? (c) Si ka ndikuar mbi ty shqyrtimi i përmbajtjes së Eklisiastiut?
21 Solomoni analizoi sfilitjen, betejat dhe aspiratat njerëzore. Ai reflektoi mbi atë se si gjërat kthehen në rrjedhën normale, në rezultatin zhgënjyes dhe bosh që përjetojnë kaq shumë njerëz. Ai mori në shqyrtim realitetin e papërsosmërisë njerëzore dhe vdekjen që rezulton prej saj. Ai mori në konsideratë dhe përfshiu njohurinë e dhënë nga Perëndia mbi gjendjen e të vdekurve dhe mbi perspektivat për ndonjë jetë të ardhshme. E gjithë kjo u vlerësua nga një burrë që pati mençuri të shtuar në mënyrë hyjnore, po, një nga njerëzit më të mençur që ka jetuar ndonjëherë. Më pas, përfundimi që ai arriti u përfshi në Shkrimet e Shenjta për dobinë e të gjithë atyre që dëshirojnë një jetë me të vërtetë domethënëse. A nuk duhet të jemi dakort me të?
22 «Përfundimi i çështjes, i çdo gjëje të dëgjuar, është: Ki frikë Perëndinë e vërtetë dhe respekto urdhërimet e tij. Sepse ky është i gjithë detyrimi i njeriut. Sepse vetë Perëndia i vërtetë do të sjellë çdo lloj vepre në gjykim, në lidhje me çdo gjë të fshehur, qoftë e mirë ose e keqe.»—Eklisiastiu 12:13, 14, BR.
[Shënimi]
a Kulla e Rojës bëri një herë këtë koment mendjehollë: «Ne nuk duhet ta harxhojmë këtë jetë me kotësira . . . Nëse kjo jetë është gjithçka, nuk ka asgjë të rëndësishme. Kjo jetë është si një top i hedhur në ajër, i cili shpejt bie përsëri në pluhur. Ajo është një hije kalimtare, një lule e vyshkur, një fije bari që këputet e thahet shpejt. . . . Në peshoren e përjetësisë, periudha e jetës sonë është një pikë e papërfillshme. Në rrjedhën e kohës, ajo nuk është as edhe një pikë e madhe. Sigurisht [Solomoni] ka të drejtë kur rishqyrton interesat dhe veprimtaritë e shumta të jetës së njeriut dhe i shpall ato kotësi. Ne ikim kaq shpejt, sikur s’kemi ardhur kurrë, një prej miliardave që vijnë e shkojnë, saqë fare pak e dinë se kemi qenë këtu. Kjo pikëpamje nuk është cinike, melankolike, e zymtë apo jo e shëndoshë. Ajo është e vërtetë, një fakt për t’u përballuar, një pikëpamje praktike, nëse kjo jetë është gjithçka.»—1 gusht 1957, faqe 472, anglisht.
A të kujtohet?
◻ Cili është vlerësimi i mençur mbi vendin e zotërimeve në jetën tënde?
◻ Përse nuk duhet t’i vëmë theks të tepruar familjes, famës apo autoritetit mbi të tjerët?
◻ Cilin qëndrim hyjnor ndaj kënaqësisë inkurajoi Solomoni?
◻ Si ke nxjerrë dobi nga shqyrtimi i librit të Eklisiastiut?
[Figurat në faqen 15]
Paratë dhe zotërimet nuk sigurojnë kënaqësi
[Figura në faqen 17]
Të rinjtë mund të jenë të sigurt se do t’u dalë për mirë nëse kanë frikë nga Perëndia