Ne kemi arsye të bërtasim me gëzim
«Do të kenë gëzim dhe lumturi dhe dhembja e rënkimi do të ikin.»—ISAIA 35:10.
1. Cilët kanë sot arsye të veçanta për gëzim?
NDOSHTA mund të kesh vërejtur se në ditët tona vetëm pak njerëz kanë gëzim të vërtetë. Megjithatë, si të krishterë të vërtetë, Dëshmitarët e Jehovait kanë gëzim. Perspektiva për të pasur të njëjtin gëzim shtrihet edhe përpara miliona të tjerëve ende të papagëzuar, të rinj e të moshuar, të cilët shoqërohen me Dëshmitarët. Fakti që tani po lexon këto fjalë në këtë revistë tregon se ky gëzim është tashmë me ty apo që ke shumë mundësi për ta pasur.
2. Në ç’mënyrë gëzimi i një të krishteri është në kontrast me gjendjen e përgjithshme të shumicës së njerëzve?
2 Shumë njerëz e ndiejnë se jetës së tyre i mungon diçka. Ç’mund të themi për ty? Vërtet, ndoshta mund të mos kesh çdo gjë materiale për të përdorur, sigurisht jo gjithçka që kanë të pasurit apo të fuqishmit e sotëm. Ndoshta të pëlqen të kesh më shumë për sa i përket një shëndeti të mirë apo fuqisë. Sidoqoftë, mund të themi pa frikë se në lidhje me gëzimin, ti je më i pasur dhe më i shëndetshëm, se shumica e miliarda banorëve të tokës. Përse?
3. Cilat fjalë domethënëse meritojnë vëmendjen tonë dhe përse?
3 Sill ndër mend fjalët e Jezuit: «Këto gjëra jua kam thënë që gëzimi im të qëndrojë në ju dhe gëzimi juaj të jetë i plotë.» (Gjoni 15:11) «Gëzimi juaj të jetë i plotë.» Çfarë përshkrimi! Një studim i thellë i mënyrës së krishterë të të jetuarit, do të zbulojë shumë arsye për ta bërë të plotë gëzimin tënd. Por tani, le të vërejmë menjëherë fjalët domethënëse të Isaisë 35:10. Janë domethënëse, pasi kanë të bëjnë shumë me ne sot. Lexojmë: «Të shpëtuarit nga Zoti do të kthehen, do të vijnë në Sion me britma gëzimi dhe një hare e përjetshme [në kohë të pacaktuara, BR] do të kurorëzojë kokën e tyre; do të kenë gëzim dhe lumturi dhe dhembja e rënkimi do të ikin.»
4. Cili lloj gëzimi është përmendur në Isainë 35:10 dhe përse duhet t’i kushtojmë vëmendje?
4 Gëzim «në kohë të pacaktuara». Fraza «në kohë të pacaktuara» është një përkthim i saktë i asaj që Isaia shkroi në hebraisht. Por, siç zbulohet edhe nga shkrime të tjera, kuptimi i këtij vargu është «përgjithmonë». (Psalmet 45:6; 90:2; Isaia 40:28) Pra, gëzimi do të jetë pa fund, në kushte që do të lejojnë, po, që do të justifikojnë, gëzim të përhershëm. A nuk tingëllon diçka e kënaqshme? Megjithatë, ndoshta ky varg të lë përshtypjen e një komenti mbi një gjendje abstrakte, duke të bërë të mendosh: «Në të vërtetë, kjo nuk më përket mua, aq sa më përkasin problemet dhe shqetësimet e mia të përditshme.» Por faktet provojnë të kundërtën. Premtimi profetik në Isainë 35:10, ka një domethënie për ty sot. Për të zbuluar në ç’mënyrë, le të shqyrtojmë këtë kapitull të shkëlqyeshëm, Isainë 35, duke vërejtur secilën pjesë në kontekst. Ji i sigurt se ajo që do të zbulojmë do të të pëlqejë.
Njerëz që duhej të gëzonin
5. Në cilin sfond profetik gjendet profecia e Isaisë, kreu 35?
5 Për të pasur një ndihmë, le t’i hedhim një vështrim rrethanave, sfondit historik të kësaj profecie tërheqëse. Profeti hebre, Isaia, e shkroi atë diku aty rreth vitit 732 p.e.s. Kjo do të thotë dhjetra vjet përpara se ushtritë babilonase të shkatërronin Jerusalemin. Siç tregon Isaia 34:1, 2, Perëndia kishte parathënë se do të shprehte hakmarrjen mbi kombet, si për shembull, Edomi, i përmendur në Isainë 34:6. Siç u pa, ai përdori babilonasit e lashtë për të bërë këtë. Në mënyrë të ngjashme, Perëndia i përdori babilonasit të shkretonin Judën, sepse hebrenjtë nuk ishin besnikë. Rezultati? Populli i Perëndisë u çua në robëri dhe atdheu i tyre mbeti i shkretuar për 70 vjet.—2. Kronikave 36:15-21.
6. Çfarë ndryshimi ekziston ndërmjet asaj që ndodhi me edomitët dhe asaj që ndodhi me hebrenjtë?
6 Megjithatë, ekziston një ndryshim domethënës midis edomitëve dhe hebrenjve. Ndëshkimi hyjnor mbi edomitët ishte i përhershëm; më në fund, ata u zhdukën si popull. Po, ti mund të vizitosh edhe sot rrënojat e braktisura, në zonën ku edomitët jetonin njëherë e një kohë, të tilla si mbetjet e Petras, të famshme në të gjithë botën. Sot, nuk ka asnjë komb apo popull që mund të identifikohen si edomitë. Nga ana tjetër, a ishte i përhershëm shkretimi babilonas mbi hebrenjtë, duke e lënë tokën përjetësisht pa gëzim?
7. Si mund të kishin reaguar hebrenjtë e robëruar në Babiloni, ndaj kreut 35 të Isaisë?
7 Në këtë pikë, profecia e mrekullueshme e Isaisë kreu 35, ka një domethënie rrëqethëse. Atë mund ta quajmë profecia e rivendosjes, pasi e pati përmbushjen e parë kur hebrenjtë u rikthyen në atdheun e tyre në vitin 537 p.e.s. Izraelitëve, të cilët kishin qenë në robëri në Babiloni, iu dha liria për t’u kthyer në mëmëdhe. (Ezdra 1:1-11) Megjithatë, derisa kjo të ndodhte, hebrenjtë e robëruar në Babiloni, që shqyrtonin këtë profeci hyjnore, mund të kenë pyetur veten se ç’kushte do të gjenin kur të riktheheshin në atdheun e tyre, në Judë. Gjithashtu, në ç’kushte do të ishin ata vetë? Përgjigjet kanë të bëjnë drejtpërdrejt me arsyen për të cilën ne me të vërtetë kemi shkaqe të bërtasim me gëzim. Le të shohim!
8. Ç’kushte do të gjenin hebrenjtë kur të ktheheshin nga Babilonia? (Krahaso Ezekielin 19:3-6; Hozea 13:8.)
8 Sigurisht që gjendja mund të mos u jetë dukur premtuese hebrenjve, madje edhe kur dëgjuan se mund të ktheheshin në atdhe. Toka e tyre kishte qenë e shkretuar për shtatë dekada, pra, një jetë e tërë. Ç’kishte ndodhur me tokën? Të gjitha fushat e kultivuara, vreshtat dhe pemishtet, do të ishin kthyer në shkretëtira. Kopshtet apo arat e ujitura, do të ishin shndërruar në terrene të thara e të shkretuara. (Isaia 24:1, 4; 33:9; Ezekieli 6:14) Të mos mendojmë pastaj për kafshët e egra që do të ishin me shumicë. Ndër to mund të kishte edhe mishngrënës të tillë, si luanët dhe leopardët. (1. Mbretërve 13:24-28; 2. Mbretërve 17:25, 26; Kënga e këngëve 4:8) Nuk duheshin nënvlerësuar as arinjtë, të cilët kishin aftësinë të vrisnin burra, gra e fëmijë. (1. Samuelit 17:34-37; 2. Mbretërve 2:24; Proverbat 17:12) S’ka nevojë të përmenden nepërkat dhe gjarpërinj të tjerë helmues apo edhe akrepat. (Zanafilla 49:17; Ligji i përtërirë 32:33; Jobi 20:16; Psalmet 58:4; 140:3; Luka 10:19) Sikur të ishe me ata hebrenj që po ktheheshin nga Babilonia në vitin 537 p.e.s., ndoshta mund të kishe ngurruar të silleshe vërdallë në një zonë të tillë. Vendi ku ata mbërritën nuk ishte një parajsë.
9. Për cilën arsye, të kthyerit kishin një bazë për shpresë dhe besim?
9 Megjithatë, vetë Jehovai i kishte dërguar këta adhurues në shtëpi dhe ai ka aftësinë të përmbysë një gjendje të shkretuar. A nuk beson se Krijuesi mund ta bëjë këtë? (Jobi 42:2; Jeremia 32:17, 21, 27, 37, 41) Pra, çfarë do të bënte, çfarë bëri ai, për hebrenjtë që po ktheheshin dhe për tokën e tyre? Çfarë ndikimi ka kjo mbi popullin e Perëndisë në kohët moderne dhe mbi gjendjen tënde, të tashmen dhe të ardhmen? Së pari, le të shohim ç’ndodhi në ato kohë.
Të gëzuar nga një gjendje e ndryshuar
10. Çfarë ndryshimi paratha Isaia 35:1, 2?
10 Ç’do të ndodhte kur Kiri t’i lejonte ata hebrenj të ktheheshin në atë tokë të ashpër? Lexo profecinë emocionuese në Isainë 35:1, 2: «Shkretëtira dhe toka e thatë do të gëzohen, vetmia do të gëzohet dhe do të lulëzojë si trëndafili; do të lulëzojë shumë dhe do të ngazëllojë me hare dhe britma gëzimi. Do t’u jepet lavdia e Libanit, madhështia e Karmelit dhe e Sharonit. Ata do të shohin lavdinë e Zotit, madhështinë e Perëndise tonë.»
11. Cilën njohuri për tokën skicoi Isaia?
11 Në kohët biblike, Libani, Karmeli dhe Sharoni, ishin të njohur për bukurinë e tyre të gjelbër. (1. Kronikave 5:16; 27:29; 2. Kronikave 26:10; Kënga e këngëve 2:1; 4:15; Hozea 14:5-7) Isaia i përdori këta shembuj për të përshkruar se si do të dukej toka e transformuar me ndihmën e Perëndisë. Por, a do të ishte ky një ndikim vetëm mbi truallin? Sigurisht që jo!
12. Përse mund të themi që profecia në kreun 35 të Isaisë përqendrohet mbi njerëzit?
12 Isaia 35:2 thotë se toka «do të ngazëllojë me hare dhe britma gëzimi». Ne e dimë se trualli dhe pemët nuk ‘ngazëllojnë me hare’ në kuptimin e vërtetë të fjalës. Por, shndërrimi i tyre në pjellore dhe produktive, mund të bënte që njerëzit të ndiheshin në atë mënyrë. (Levitiku 23:37-40; Ligji i përtërirë 16:15; Psalmi 126:5, 6; Isaia 16:10; Jeremia 25:30; 48:33) Ndryshimet e vërteta që do të pësonte vetë toka, do të korrespondonin me ndryshimet te njerëzit, pasi këta janë qendra e kësaj profecie. Prandaj, ne kemi arsye të kuptojmë se fjalët e Isaisë përqendrohen kryesisht mbi ndryshimet në hebrenjtë e kthyer, sidomos mbi gëzimin e tyre.
13, 14. Çfarë ndryshimi te njerëzit paratha Isaia 35:3, 4?
13 Në përputhje me këtë, le të shqyrtojmë edhe më shumë për këtë profeci nxitëse, për të parë se si gjen përmbushje ajo pas lirimit dhe kthimit të hebrenjve nga Babilonia. Në vargjet 3 dhe 4, Isaia flet për ndryshime të tjera tek ata të kthyer: «Forconi duart e dobësuara, bëjini të qëndrueshëm gjunjët e pasigurt! U thoni atyre që e kanë humbur zemrën: ‘Bëhuni të fortë, mos kini frikë!’ Ja, Perëndia juaj do të vijë me hakmarrjen dhe me shpërblimin e Perëndisë; do të vijë ai vetë për t’ju shpëtuar.»
14 A nuk të forcon mendimi se Perëndia ynë, i cili mund të përmbysë gjendjen e shkretuar të dheut, është kaq i interesuar për adhuruesit e tij? Ai nuk donte që hebrenjtë e robëruar të ndiheshin të dobët, të shkurajuar apo në ankth për të ardhmen. (Hebrenjve 12:12) Mendo për gjendjen e atyre robërve hebrenj! Duke lënë mënjanë shpresën që mund të nxirrnin nga profecitë e Perëndisë në lidhje me të ardhmen e tyre, do të kishte qenë shumë e vështirë për ta të ishin optimistë. Për ta ishte sikur të gjendeshin në një burg të nëndheshëm të errët, pa liri për të lëvizur e për të qenë aktivë në shërbim të Jehovait. Me të drejtë atyre mund t’u jetë dukur, sikur përpara tyre s’kishte asnjë dritë.—Krahaso Ligjin e përtërirë 28:29; Isaia 59:10.
15, 16. (a) Çfarë përfundimi mund të nxjerrim për atë që bëri Jehovai për të kthyerit? (b) Përse të kthyerit nuk kanë pritur shërime të mrekullueshme fizike, por çfarë bëri Perëndia, në harmoni me Isainë 35:5, 6?
15 Por sa ndryshoi kjo, kur Jehovai përdori Kirin për t’i liruar ata që të ktheheshin në shtëpi! Nuk ka asnjë dëshmi biblike që Perëndia në atë rast të ketë hapur me mrekulli ndonjë sy të verbër ndër hebrenjtë që po ktheheshin, të ketë hapur veshët e ndonjë të shurdhëri apo të ketë shëruar ndonjë gjymtyrë sakate apo të mangët. Megjithatë, ai bëri me të vërtetë diçka shumë më të madhe. Ai i ktheu në dritën dhe në lirinë e atdheut të tyre të dashur.
16 S’ka ndonjë gjë që të tregojë se të kthyerit pritnin që Jehovai të kryente shërime të tilla të mrekullueshme fizike. Ata mund ta kenë ditur që Perëndia s’kishte bërë kështu me Isakun, Samsonin apo Elinë. (Zanafilla 27:1; Gjykatësit 16:21, 26-30; 1. Samuelit 3:2-8; 4:15) Por, sikur të kenë pritur në mënyrë figurative një ndryshim hyjnor të kushteve të tyre, nuk do të kenë dalë të zhgënjyer. Sigurisht, në kuptimin fugurativ, vargjet 5 dhe 6 gjetën një përmbushje të vërtetë. Isaia paratha me saktësi: «Atëherë do të hapen sytë e të verbërve dhe veshët e të shurdhëve; atëherë çalamani do të kërcejë si një dre dhe gjuha e memecit do të bërtasë nga gëzimi.»
Toka bëhet si një parajsë
17. Me sa duket, çfarë ndryshimesh fizike solli Jehovai?
17 Ata të kthyer, sigurisht që kanë pasur arsye të bërtisnin me gëzim për kushte të tilla, si këto që Isaia vazhdoi të përshkruante: «Sepse do të dalin ujëra në shkretëtirë dhe përrenj në vendin e vetmuar. Vendi i thatë do të bëhet pellg dhe toka e etur për ujë burim ujërash; në vendet ku shtriheshin çakejtë do të ketë bar me kallamishte dhe xunkth.» (Isaia 35:6b, 7) Edhe pse sot nuk mund ta vërejmë këtë gjë në mbarë atë rajon, dëshmitë tregojnë se zona që dikur ishte Judea, ishte «një parajsë baritore».a
18. Si mund t’u jenë përgjigjur hebrenjtë e kthyer bekimeve të Perëndisë?
18 Mendo se çfarë shkaku për gëzim kanë qenë ndjenjat që mbetja e hebrenjve ka provuar, kur u riatdhesua në Tokën e Premtuar! Kishin mundësinë të merrnin tokën e tharë, të banuar nga çakenjtë dhe kafshë të tjera të ngjashme e ta transformonin. A nuk do të gjeje gëzim, po të bëje një punë të tillë rindërtuese, sidomos duke ditur se Perëndia po i bekonte përpjekjet e tua?
19. Në ç’kuptim, kthimi nga robëria babilonase ishte i kushtëzuar?
19 Megjithatë, jo cilido hebre që ishte rob në Babiloni, mund të kthehej apo u kthye për të marrë pjesë në atë tansformim të gëzueshëm. Perëndia vuri kushte. Askush që ishte ndotur me praktika fetare pagane babilonase s’kishte të drejtë të kthehej. (Danieli 5:1, 4, 22, 23; Isaia 52:11) Nuk mund të kthehej as ndonjë që me budallallëk kishte ndërmarrë një rrugë jo të mençur. Të gjithë këta persona nuk u kualifikuan. Nga ana tjetër, ata që plotësonin normat e Perëndisë, ata që i konsideronte si të shenjtë në kuptimin relativ, mund të ktheheshin në Jude. Ata mund të udhëtonin, si nëpërmjet një Rruge të Shenjtë. Isaia e qartësoi këtë në vargun 8: «Aty do të jetë rruga kryesore, një rrugë që do të quhet ‘rruga e shenjtë’; asnjë i papastër nuk do të kalojë nëpër të; ajo do të jetë vetëm për ata që e ndjekin; edhe mendjeshkurtërit nuk do të mund të humbasin.»
20. Nga se nuk duhej të kishin frikë hebrenjtë, ndërsa ktheheshin dhe me çfarë rezultati?
20 Hebrenjtë që po ktheheshin s’kishin pse të trembeshin nga ndonjë sulm i njerëzve shtazarakë apo i bandave me vrasës. Përse? Sepse Jehovai nuk do të lejonte që njerëz të tillë të gjendeshin në Rrugën e popullit të tij të zgjedhur. Prandaj, ata mund të udhëtonin me optimizëm të gëzuar, me perspektiva të lumtura. Vërej se si e përshkruan Isaia këtë, në përfundim të kësaj profecie: «Luani nuk do të jetë më, as edhe ndonjë bishë e egër nuk do të dalë aty ose nuk do të duket, por do të ecin të çliruarit. Të shpëtuarit nga Zoti do të kthehen, do të vijnë në Sion me britma gëzimi dhe një hare e përjetshme do të kurorëzojë kokën e tyre; do të kenë gëzim dhe lumturi dhe dhembja e rënkimi do të ikin.»—Isaia 35:9, 10.
21. Si duhet ta konsiderojmë ne sot përmbushjen e kreut 35 të Isaisë, që tashmë ka ndodhur?
21 Çfarë pikture profetike kemi këtu! Megjithatë, nuk duhet ta konsiderojmë këtë si diçka që ka të bëjë vetëm me historinë e kaluar, sikur të ishte një tregim i bukur, që s’ka të bëjë shumë me gjendjen tonë apo me të ardhmen tonë. Fakti është se kjo profeci gjen sot një përmbushje mahnitëse mes popullit të Perëndisë, pra, vërtet përfshin secilin prej nesh. Ajo na siguron arsye të forta që të bërtasim me gëzim. Këto aspekte që përfshijnë jetën tënde tani dhe në të ardhmen, trajtohen në artikullin vijues.
[Shënimet]
a Nga studimet e tij mbi rajonin, agronomi Walter C. Lowdermilk (përfaqësues i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë) arriti këtë përfundim: «Kjo tokë, dikur ka qenë një parajsë baritore.» Ai tregoi, gjithashtu, se klima aty nuk kishte ndryshuar ndjeshëm «që nga koha e Romës» dhe «‘shkretërira’ që shtrihej mbi tokën njëherë e një kohë të lulëzuar, ishte vepër e njeriut dhe jo e natyrës».
A të kujtohet?
◻ Kur u plotësua për herë të parë kreu 35 i Isaisë?
◻ Çfarë ndikimi prodhon përmbushja fillestare e profecisë?
◻ Si e përmbushi Jehovai Isainë 35:5, 6?
◻ Çfarë ndryshimesh provuan në lidhje me tokën dhe me gjendjen e tyre hebrenjtë e kthyer?
[Figura në faqen 9]
Rrënojat e Petras, në zonën ku dikur jetonin edomitët
[Burimi]
Garo Nalbandian
[Figurat në faqen 10]
Ndërsa hebrenjtë ishin në robëri, një pjesë e madhe e Judesë u bë si shkretëtirë, e mbushur me kafshë të egra, si arinjtë dhe luanët
[Burimet]
Garo Nalbandian
Ariu dhe luani: kopshti zoologjik Safari në Ramat-Gan, Tel-Aviv