Kapitulli njëzet e nëntë
Besimi i një mbreti shpërblehet
1, 2. Në ç’mënyrë tregoi Hezekia se ishte mbret më i mirë se Akazi?
KUR u bë mbret i Judës, Hezekia ishte 25 vjeç. Ç’lloj sundimtari do të ishte? A do të ndiqte gjurmët e të atit, mbretit Akaz, duke i shtyrë nënshtetasit të shkonin pas perëndive të rremë, apo do ta udhëhiqte popullin në adhurimin e Jehovait, siç bëri paraardhësi i tij, mbreti David?—2 Mbretërve 16:2.
2 Jo shumë kohë pasi hipi në fron, u bë e qartë që Hezekia kishte ndër mend ‘të bënte atë që ishte e drejtë në sytë e Zotit’. (2 Mbretërve 18:2, 3, Dio) Në vitin e parë të sundimit, ai dha urdhër të riparohej tempulli i Jehovait dhe të rifillonin shërbimet në të. (2 Kronikave 29:3, 7, 11) Më pas organizoi një kremtim madhështor të Pashkës, në të cilin ftoi gjithë kombin, duke përfshirë edhe dhjetë fiset veriore të Izraelit. Çfarë feste e paharrueshme që ishte! Nuk kishte pasur asnjë të ngjashme me të që nga ditët e mbretit Solomon.—2 Kronikave 30:1, 25, 26.
3. (a) Çfarë veprimi ndërmorën banorët e Izraelit dhe të Judës, që morën pjesë në Pashkën e organizuar nga Hezekia? (b) Çfarë mësojnë të krishterët sot nga veprimi me vendosmëri që ndërmorën pjesëmarrësit në Pashkë?
3 Në përfundim të kremtimit të Pashkës, pjesëmarrësit u ndien të nxitur të rrëzonin shtyllat e shenjta, të thyenin kolonat e shenjta, të shembnin vendet e larta dhe altarët e perëndive të tyre të rremë dhe pas kësaj u kthyen në qytetet e tyre, të vendosur për t’i shërbyer Perëndisë së vërtetë. (2 Kronikave 31:1) Çfarë ndryshimi në krahasim me qëndrimin e tyre të mëparshëm fetar! Nga kjo të krishterët e vërtetë sot mund të mësojnë se sa e rëndësishme është që ‘të mos braktisin mbledhjen së bashku’. Këto mbledhje, qoftë në kongregacionet lokale, qoftë të një shkalle më të madhe—nëpër asamble dhe kongrese—luajnë një rol jetësor, pasi atje vëllazëria dhe fryma e Perëndisë na inkurajon e na shtyn që të «nxitemi për dashuri dhe vepra të shkëlqyera».—Hebrenjve 10:23-25.
Besimi vihet në provë
4, 5. (a) Si e tregoi Hezekia se nuk mbështetej tek Asiria? (b) Çfarë veprimi ushtarak ka ndërmarrë Senakeribi kundër Judës dhe çfarë hapash ndërmerr Hezekia për të shmangur një sulm të menjëhershëm ndaj Jerusalemit? (c) Çfarë përgatitjesh bën Hezekia për ta mbrojtur Jerusalemin nga asirianët?
4 Jerusalemin e presin sprova të rënda. Hezekia ka prishur një aleancë që kishte lidhur me asirianët babai i tij jobesnik, Akazi. Ai ka nënshtruar, madje, filistejtë që janë aleatë të Asirisë. (2 Mbretërve 18:7, 8) Kjo e ka tërbuar mbretin e Asirisë. Prandaj, lexojmë: «Në vitin e katërmbëdhjetë të mbretit Hezekia ndodhi që Senakeribi, mbreti i Asirisë, u ngjit kundër të gjitha qyteteve të fortifikuara të Judës dhe i shtiu në dorë.» (Isaia 36:1) Ndoshta duke shpresuar se do ta mbrojë Jerusalemin nga një sulm i menjëhershëm i ushtrisë së pandalshme asiriane, Hezekia pranon t’i paguajë Senakeribit një haraç të jashtëzakonshëm prej 300 talentash argjendi dhe 30 talentash ari.a—2 Mbretërve 18:14.
5 Meqenëse nuk ka mjaft ar dhe argjend në thesarin mbretëror, për të paguar haraçin, Hezekia merr nga tempulli sa më shumë metale të çmuara që të mundet. Gjithashtu, ai heq dyert e tempullit që janë të veshura me ar dhe ia dërgon Senakeribit. Kjo e kënaq asirianin, por vetëm për pak kohë. (2 Mbretërve 18:15, 16) Me sa duket, Hezekia e kupton që asirianët nuk do ta lënë Jerusalemin të qetë për shumë kohë. Prandaj, duhen bërë përgatitje. Populli bllokon burimet ujore që mund të furnizojnë me ujë pushtuesit asirianë. Gjithashtu, Hezekia përforcon fortifikatat e Jerusalemit dhe prodhon një arsenal të tërë armësh, duke përfshirë «shumë ushta dhe mburoja».—2 Kronikave 32:4, 5, Dio.
6. Ku e vendos besimin Hezekia?
6 Megjithatë, Hezekia e vendos besimin e tij, jo në strategjitë e mençura të luftës ose në fortifikatat, por te Jehovai i ushtrive. Ai i këshillon krerët e tij ushtarakë: «Tregohuni të fortë dhe trima! Mos kini frikë dhe mos u tronditni para mbretit të Asirisë dhe para morisë që është me të, sepse me ne është një më i madh nga ai që ndodhet me ta. Me të është një krah prej mishi, por me ne është Zoti, Perëndia ynë, për të na ndihmuar dhe për të luftuar në betejat tona.» Pas këtyre fjalëve, populli «u qetësua nga fjalët e Ezekias, mbretit të Judës». (2 Kronikave 32:7, 8, Dio) Përfytyroni ngjarjet emocionuese që vijojnë, ndërsa merren në shqyrtim kapitujt 36 deri në 39 të profecisë së Isaisë.
Rabshakehu paraqet argumentet e tij
7. Kush është Rabshakehu dhe përse e dërgojnë në Jerusalem?
7 Senakeribi dërgon në Jerusalem Rabshakehun (titull ushtarak, jo emër njeriu) bashkë me dy funksionarë të tjerë, për të kërkuar që qyteti të dorëzohet. (2 Mbretërve 18:17) Këta takohen jashtë mureve të qytetit me tre përfaqësues të Hezekisë: me Eliakimin, mbikëqyrës i shtëpisë së Hezekisë, Shebnën, sekretar dhe Joahun, birin e Asafit, regjistrues.—Isaia 36:2, 3.
8. Si përpiqet Rabshakehu ta thyejë qëndresën e Jerusalemit?
8 Qëllimi i Rabshakehut është i thjeshtë: ta bindë Jerusalemin që të dorëzohet pa luftë. Duke folur në hebraisht, në fillim ai thërret: «Ç’është kjo siguri në të cilën ke besim? . . . Te kush ke vendosur besim, që je rebeluar kundër meje?» (Isaia 36:4, 5) Pastaj Rabshakehu tallet me judenjtë e frikësuar, duke u kujtuar se janë plotësisht të izoluar. Kujt mund t’i drejtohen për mbështetje? Egjiptit, atij «kallami të shtypur»? (Isaia 36:6) Në këtë kohë, Egjipti i ngjan një kallami të shtypur. Në fakt, kjo ish-fuqi botërore është mposhtur përkohësisht nga Etiopia dhe faraoni aktual i Egjiptit, mbreti Tirhakah, nuk është egjiptian, por etiopas. Dhe, së shpejti, ai ka për t’u mundur nga Asiria. (2 Mbretërve 19:8, 9) Meqë Egjipti nuk mund të shpëtojë veten e vet, ai nuk mund të jetë një ndihmë për Judën.
9. Me sa duket, çfarë e shtyn Rabshakehun të mendojë se Jehovai do ta braktisë popullin e Tij, por si qëndron e vërteta?
9 Tani, Rabshakehu argumenton se Jehovai nuk do të luftojë në favor të popullit të Tij, pasi është i pakënaqur me të. Rabshakehu thotë: «Në rast se do të më thuash: ‘Kemi besuar te Jehovai Perëndia ynë’, a nuk është ky ai të cilit Hezekia i ka hequr vendet e larta dhe altarët?» (Isaia 36:7) Natyrisht, duke shembur vendet e larta dhe altarët në vend, judenjtë jo vetëm që nuk e kanë hedhur poshtë Jehovain, por faktikisht janë kthyer tek ai.
10. Pse nuk ka rëndësi nëse mbrojtësit e Judës janë shumë ose pak?
10 Në vazhdim Rabshakehu u kujton judenjve që në planin ushtarak janë inferiorë në çdo aspekt. Ai paraqet këtë sfidë arrogante: «Më lër të të jap dy mijë kuaj për të parë nëse je në gjendje, nga ana jote, t’u vësh kalorës sipër.» (Isaia 36:8) Por, a ka vërtet rëndësi nëse kalorësit e stërvitur të Judës janë shumë apo pak? Jo, sepse shpëtimi i Judës nuk varet nga superioriteti në fuqi ushtarake. Proverbat 21:31 i shpjegon gjërat në këtë mënyrë: «Kali është diçka e përgatitur për ditën e betejës, por shpëtimi i përket Jehovait.» Pastaj, Rabshakehu pretendon se bekimi i Jehovait është me Asirianët dhe jo me judenjtë. Ai argumenton se po të mos ishte kështu, asirianët nuk do të mund të kishin depërtuar kurrë kaq thellë në territorin e Judës.—Isaia 36:9, 10.
11, 12. (a) Pse vazhdon të flasë në «gjuhën e judenjve» Rabshakehu dhe si përpiqet t’i tundojë judenjtë që po dëgjojnë? (b) Çfarë ndikimi mund të kenë fjalët e Rabshakehut te judenjtë?
11 Përfaqësuesit e Hezekisë janë të shqetësuar për ndikimin që do të kenë argumentet e Rabshakehut te njerëzit që mund ta dëgjojnë nga muri i qytetit. Këta zyrtarë judenj kërkojnë: «Të lutemi, folu shërbëtorëve të tu në gjuhën siriane, sepse të dëgjojmë dhe mos na fol në gjuhën e judenjve në veshët e njerëzve që janë mbi mur.» (Isaia 36:11) Por Rabshakehu nuk ka ndër mend të flasë në gjuhën siriane. Ai dëshiron të mbjellë te judenjtë farat e dyshimit dhe të frikës, me qëllim që të dorëzohen dhe Jerusalemi të merret pa luftë. (Isaia 36:12) Prandaj, asiriani flet përsëri në «gjuhën e judenjve». Ai i paralajmëron banorët e Jerusalemit: «Mos u mashtroni nga Hezekia, sepse nuk është në gjendje t’ju çlirojë.» Pas kësaj, ai përpiqet t’i tundojë ata që po e dëgjojnë, duke bërë një përshkrim të jetës që do të mund të gëzonin judenjtë nën sundimin asirian: «Kapitulloni para meje dhe dilni para meje, le të hajë secili nga vreshti i tij dhe secili nga fiku i tij, le të pijë ujë secili nga rezervuari i tij, derisa të vij unë dhe t’ju çoj faktikisht në një vend si vendi juaj, në një vend drithi dhe vere të re, në një vend buke dhe vreshtash.»—Isaia 36:13-17.
12 Judenjtë nuk do të korrin këtë vit, pasi pushtimi asirian i ka penguar të mbjellin. Mundësia për të ngrënë rrush të lëngshëm dhe për të pirë ujë të freskët duhet të jetë shumë tunduese për njerëzit mbi mur, që dëgjojnë. Por Rabshakehu nuk i ka mbaruar përpjekjet për t’i dobësuar judenjtë.
13, 14. Me gjithë argumentet e Rabshakehut, pse nuk ka lidhje me situatën e Judës ajo që i ndodhi Samarisë?
13 Nga arsenali i argumenteve të tij, Rabshakehu nxjerr një tjetër armë gojore. Ai i paralajmëron judenjtë që të mos i besojnë Hezekisë nëse u thotë: «Vetë Jehovai do të na çlirojë.» Rabshakehu u kujton judenjve se perënditë e Samarisë nuk mundën ta pengonin mposhtjen e dhjetë fiseve nga asirianët. Gjithashtu, ç’mund të thuhet për perënditë e kombeve të tjera që ka pushtuar Asiria? «Ku janë perënditë e Hamathit dhe të Arpadit?—pyet ai.—Ku janë perënditë e Sefarvaimit? Dhe a e kanë çliruar ato Samarinë nga dora ime?»—Isaia 36:18-20.
14 Natyrisht, Rabshakehu, që është një adhurues i perëndive të rremë, nuk e kupton se ndërmjet Samarisë apostate dhe Jerusalemit nën sundimin e Hezekisë, ekziston një ndryshim i madh. Perënditë e rremë të Samarisë nuk kanë fuqi ta shpëtojnë mbretërinë prej dhjetë fisesh. (2 Mbretërve 17:7, 17, 18) Nga ana tjetër, nën sundimin e Hezekisë Jerusalemi u ka kthyer shpinën perëndive të rremë dhe është kthyer përsëri në shërbim të Jehovait. Megjithatë, tre përfaqësuesit judenj nuk përpiqen t’ia shpjegojnë këtë Rabshakehut. «Ata vazhduan të heshtnin dhe nuk i kthyen asnjë fjalë si përgjigje, sepse urdhri i mbretit thoshte: ‘Nuk duhet t’i përgjigjeni.’» (Isaia 36:21) Eliakimi, Shebna dhe Joahu u kthyen te Hezekia dhe dhanë një raport zyrtar të fjalëve të Rabshakehut.—Isaia 36:22.
Hezekia merr një vendim
15. (a) Përballë cilit vendim gjendet tani Hezekia? (b) Si e siguron Jehovai popullin e tij?
15 Tani mbreti Hezekia duhet të marrë një vendim. A do t’u dorëzohet asirianëve Jerusalemi? A do t’i bashkojë forcat me Egjiptin? Apo nuk do të tërhiqet dhe do të luftojë? Hezekia gjendet nën një presion të madh. Ai shkon në tempullin e Jehovait dhe ndërkohë dërgon Eliakimin dhe Shebnën, bashkë me pleqtë e klasës së priftërinjve, për të pyetur Jehovain me anë të profetit Isaia. (Isaia 37:1, 2) Të veshur me veshje prej cope thesi, emisarët e mbretit i afrohen Isaisë dhe i thonë: «Kjo ditë është një ditë ankthi, qortimi dhe pafytyrësie përçmuese . . . Ndoshta Jehovai, Perëndia yt do t’i dëgjojë fjalët e Rabshakehut, të cilin zotëria i tij, mbreti i Asirisë, e dërgoi të tallë Perëndinë e gjallë dhe faktikisht do t’i kërkojë llogari për fjalët që Jehovai, Perëndia yt, ka dëgjuar.» (Isaia 37:3-5) Po, asirianët po sfidojnë Perëndinë e gjallë. A do t’ua vërë veshin Jehovai talljeve të tyre? Nëpërmjet Isaisë, Jehovai i siguron judenjtë: «Mos u frikësoni nga fjalët që keni dëgjuar, me të cilat shërbëtorët e mbretit të Asirisë folën në mënyrë sharëse për mua. Ja unë po vë tek ai një frymë dhe ai duhet të dëgjojë një lajm e duhet të kthehet në vendin e tij dhe unë me siguri do të bëj që ai të bjerë nga shpata në vendin e tij.»—Isaia 37:6, 7.
16. Çfarë letrash dërgon Senakeribi?
16 Në këtë kohë, Rabshakehun e thërrasin për t’u gjendur pranë Senakeribit, ndërkohë që mbreti lufton në Libnah. Senakeribi do të merret me Jerusalemin më vonë. (Isaia 37:8) Megjithatë, largimi i Rabshakehut nuk shënon fundin e presionit ndaj Hezekisë. Senakeribi dërgon letra kërcënuese, ku përshkruhet se çfarë mund të presin banorët e Jerusalemit, nëse refuzojnë të dorëzohen: «Ti e ke dëgjuar se çfarë u kanë bërë mbretërit e Asirisë të gjitha vendeve, duke ua kushtuar ato shkatërrimit; po ti, a do të çlirohesh? Perënditë e kombeve që etërit e mi i kanë çuar në shkatërrim, a i kanë çliruar ato? . . . Ku është mbreti i Hamathit dhe mbreti i Arpadit, mbreti i qytetit të Sefarvaimit, të Henës dhe të Ivahut?» (Isaia 37:9-13) Pra, në thelb, asiriani thotë se do të ishte marrëzi të rezistonin—rezistenca vetëm sa do të sillte më shumë telashe.
17, 18. (a) Cili është motivi që e shtyn Hezekinë të kërkojë mbrojtjen e Jehovait? (b) Si i përgjigjet asirianit Jehovai nëpërmjet Isaisë?
17 I shqetësuar thellësisht për pasojat e vendimit që duhet të marrë, Hezekia i hap letrat e Senakeribit në tempull para Jehovait. (Isaia 37:14) Me një lutje të përzemërt ai i përgjërohet Jehovait që t’u vërë veshin kërcënimeve të asirianit dhe e mbyll lutjen e tij me fjalët: «Dhe tani, o Jehova, Perëndia ynë, na shpëto nga dora e tij, me qëllim që të gjitha mbretëritë e tokës të mësojnë që vetëm ti, o Jehova, je Perëndi.» (Isaia 37:15-20) Nga kjo duket qartë që Hezekia shqetësohet në radhë të parë jo për çlirimin e tij, por për sharjen që do të bjerë mbi emrin e Jehovait, nëse Asiria e pushton Jerusalemin.
18 Përgjigjja e Jehovait ndaj lutjes së Hezekisë vjen nëpërmjet Isaisë. Jerusalemi nuk duhet t’i dorëzohet Asirisë, por duhet të qëndrojë në vendin e tij. Sikur të ishte duke i folur Senakeribit, Isaia shpall me guxim mesazhin e Jehovait drejtuar asirianit: «Bija e virgjër e Sionit, të ka përçmuar, është tallur me ty. Bija e Jerusalemit, ka tundur kokën [me qesëndi] pas teje.» (Isaia 37:21, 22) Pastaj, Jehovai shton diçka që në thelb do të thotë: ‘Kush je ti që tallesh me të Shenjtin e Izraelit? I njoh bëmat e tua. Ke ambicie të mëdha, mburresh shumë. Je mbështetur në fuqinë tënde ushtarake dhe ke pushtuar një pjesë të madhe toke. Por nuk je i pathyeshëm. Unë do të bëj që planet e tua të dështojnë. Do të të mposht. Pastaj do të të bëj atë që ti u ke bërë të tjerëve. Do të të vë në hundë një çengel dhe do të të kthej në Asiri.’—Isaia 37:23-29.
«Kjo do të jetë shenja për ty»
19. Çfarë shenje i jep Jehovai Hezekisë dhe çfarë kuptimi ka ajo?
19 Çfarë garancie ka Hezekia se profecia e Isaisë do të përmbushet? Jehovai përgjigjet: «Kjo do të jetë shenja për ty: Këtë vit do të hahet çka është rritur nga farat e rëna për tokë dhe vitin e dytë drithë që mbin vetë, por vitin e tretë mbillni farë dhe korrni, mbillni vreshta dhe hani frytin e tyre.» (Isaia 37:30) Jehovai do të sigurojë ushqim për judenjtë e rrethuar. Ndonëse nuk do të mund të mbjellin farë, për shkak të pushtimit asirian, ata do të mund të hanë nga ajo që ka mbetur prej korrjes së vitit të kaluar. Vitin pasues, që është një vit sabati, duhet ta lënë tokën të pushojë, pavarësisht nga gjendja e dëshpëruar në të cilën ndodhen. (Dalja 23:11) Jehovai premton që, nëse populli do t’i bindet zërit të tij, në fusha do të mbijë mjaft grurë për t’i mbajtur me ushqim. Më pas, vitin tjetër, burrat do të mbjellin farë si zakonisht dhe do të gëzojnë frytet e punës së tyre.
20. Në ç’mënyrë «do të hedhin rrënjë poshtë dhe do të prodhojnë fryt lart» ata që shpëtojnë nga sulmi asirian?
20 Tani, Jehovai e krahason popullin e tij me një bimë që nuk mund të shkulet kollaj: «Ata të shtëpisë së Judës që shpëtojnë . . . me siguri do të hedhin rrënjë poshtë dhe do të prodhojnë fryt lart.» (Isaia 37:31, 32) Po, ata që besojnë te Jehovai nuk kanë pse të frikësohen për asgjë. Ata dhe pasardhësit e tyre do të qëndrojnë të vendosur fort në vend.
21, 22. (a) Çfarë profetizohet për Senakeribin? (b) Si dhe kur përmbushen fjalët e Jehovait në lidhje me Senakeribin?
21 Ç’të themi për kërcënimet e asirianit kundër Jerusalemit? Jehovai përgjigjet: «Ai nuk do të vijë në këtë qytet, nuk do të lëshojë as edhe një shigjetë, as do t’i kundërvihet me mburoja dhe as do të ngrejë një ledh rrethimi kundër tij. Do të kthehet andej nga erdhi dhe nuk do të vijë në këtë qytet.» (Isaia 37:33, 34) Në fund të fundit, midis Asirisë dhe Jerusalemit nuk do të zhvillohet asnjë betejë. Çuditërisht, do të jenë asirianët dhe jo judenjtë ata që do të thyhen pa luftë.
22 Në vërtetim të fjalës së tij, Jehovai dërgon një engjëll që godet ajkën e trupave të Senakeribit—185 000 burra. Kjo, me sa duket, ndodh në Libnah dhe vetë Senakeribi zgjohet e i gjen të vdekur prijësit, krerët dhe burrat e fuqishëm të ushtrisë së tij. I turpëruar, ai kthehet në Ninevi, por me gjithë disfatën e bujshme, me kokëfortësi mbetet i përkushtuar ndaj perëndisë së tij të rremë Nisrok. Disa vjet më vonë, ndërsa është duke adhuruar në tempullin e Nisrokut, Senakeribin e vrasin dy nga bijtë e tij. Edhe një herë, Nisroku i pajetë tregon se s’ka fuqi për të shpëtuar.—Isaia 37:35-38.
Besimi i Hezekisë forcohet më tej
23. Në ç’gjendje kritike gjendet Hezekia kur Senakeribi ngjitet për herë të parë kundër Judës dhe cilat janë pasojat e mundshme të kësaj gjendjeje kritike?
23 Afërsisht në kohën kur Senakeribi ngjitet për herë të parë kundër Judës, Hezekia sëmuret keq. Isaia i thotë se ka për të vdekur. (Isaia 38:1) Mbreti 39-vjeçar pikëllohet së tepërmi. Ai nuk shqetësohet vetëm për mirëqenien e tij, por edhe për të ardhmen e popullit. Jerusalemi dhe Juda rrezikojnë të pushtohen nga asirianët. Nëse Hezekia vdes, kush do ta udhëheqë luftën? Në atë kohë, Hezekia nuk ka ndonjë bir që të marrë sundimin. Në një lutje të zjarrtë Hezekia i përgjërohet Jehovait të tregojë mëshirë ndaj tij.—Isaia 38:2, 3.
24, 25. (a) Si i përgjigjet në mënyrë të mëshirshme Jehovai lutjes së Hezekisë? (b) Çfarë mrekullie kryen Jehovai, siç përshkruhet në Isainë 38:7, 8?
24 Isaia nuk ka dalë ende nga oborret e pallatit, kur Jehovai e dërgon përsëri, me një mesazh tjetër, pranë shtratit të mbretit të pikëlluar: «E kam dëgjuar lutjen tënde. I kam parë lotët e tu. Ja, po u shtoj ditëve të tua pesëmbëdhjetë vjet dhe do të të çliroj ty dhe këtë qytet nga pëllëmba e dorës së mbretit të Asirisë, dhe do ta mbroj këtë qytet.» (Isaia 38:4-6; 2 Mbretërve 20:4, 5) Jehovai do ta vërtetojë premtimin e tij me një shenjë të pazakontë: «Ja, po bëj që hija e shkallareve që kishte zbritur mbi shkallaret e shkallës së Akazit sipas diellit, të kthehet prapa dhjetë shkallare.»—Isaia 38:7, 8a.
25 Sipas historianit jude Jozef, brenda pallatit mbretëror kishte një strukturë shkalle dhe ndoshta edhe një kolonë pranë saj. Kur rrezet e diellit binin mbi kolonë, mbi shkallë krijohej një hije. Duke vëzhguar lëvizjen graduale të hijes mbi shkallare mund të llogaritej koha gjatë ditës. Tani Jehovai do të kryejë një mrekulli. Pasi hija të zbresë gradualisht shkallaret si zakonisht, ajo do të rikthehet mbrapsht dhjetë shkallare në rrugën që ka përshkuar. Kush ka dëgjuar ndonjëherë një gjë të tillë? Bibla thotë: «Dhe dielli u kthye gradualisht prapa dhjetë shkallare mbi shkallaret e shkallës ku kishte zbritur.» (Isaia 38:8b) Pak pas kësaj, Hezekia shërohet nga sëmundja e tij. Lajmi për këtë përhapet deri në Babiloni. Kur mbreti i Babilonisë e dëgjon, dërgon lajmëtarë në Jerusalem për ta vërtetuar.
26. Cili është një nga rezultatet e zgjatjes së jetës së Hezekisë?
26 Rreth tre vjet pas shërimit të mrekullueshëm të Hezekisë, lind djali i tij i parë, Manaseu. Kur rritet, Manaseu nuk tregon çmueshmëri për dhembshurinë e Perëndisë, pa të cilën nuk do të kishte lindur. Përkundrazi, gjatë pjesës më të madhe të jetës së tij, Manaseu bën në një masë të tepruar atë që është e keqe në sytë e Jehovait.—2 Kronikave 32:24; 33:1-6.
Një gabim pa dashje në gjykim
27. Në cilat mënyra tregon mirënjohje për Jehovain Hezekia?
27 Ashtu si paraardhësi i tij, Davidi, Hezekia është një burrë me besim. Ai e çmon Fjalën e Perëndisë. Sipas Proverbave 25:1, ai mori masa për përpilimin e materialit që tani gjendet në kapitujt 25 deri në 29 të Proverbave. Disa mendojnë se ai kompozoi, gjithashtu, Psalmin 119. Kënga prekëse që kompozon Hezekia në shenjë mirënjohjeje pas shërimit nga sëmundja tregon që ai është një njeri shumë mirënjohës. Ai arrin në përfundimin se gjëja më e rëndësishme në jetë është që të jemi në gjendje të lavdërojmë Jehovain në tempullin e Tij «gjithë ditët e jetës sonë». (Isaia 38:9-20) Paçim të gjithë të njëjtat ndjenja për adhurimin e pastër!
28. Çfarë gabimi në gjykim bën Hezekia pak kohë pasi shërohet në mënyrë të mrekullueshme?
28 Ndonëse besimplotë, Hezekia është i papërsosur. Pak pasi Jehovai e shëron ai bën një gabim serioz në gjykim. Isaia shpjegon: «Në atë kohë Merodakbaladani, biri i Baladanit, mbreti i Babilonisë, i dërgoi Hezekisë letra dhe një dhuratë, pasi kishte dëgjuar që kishte qenë sëmurë, por ishte bërë përsëri i fortë. Kështu, Hezekia u gëzua për shkak të tyre dhe u tregoi shtëpinë e tij të thesarit, argjendin, arin, vajin e balsamit, vajin e mirë, gjithë armët dhe gjithçka që gjendej në thesaret e tij. Nuk pati asgjë që Hezekia nuk u tregoi atyre në shtëpinë e vet dhe në gjithë mbretërinë e tij.»—Isaia 39:1, 2.b
29. (a) Cili mund të jetë motivi që e shtyn Hezekinë t’i tregojë pasurinë e tij delegacionit babilonas? (b) Cilat do të jenë pasojat e gabimit në gjykim të Hezekisë?
29 Edhe pas disfatës së dhembshme të pësuar nga engjëlli i Jehovait, Asiria vazhdon të përbëjë një kërcënim për shumë kombe, duke përfshirë edhe Babiloninë. Hezekia mund të ketë dashur t’i bënte përshtypje mbretit të Babilonisë si një aleat i mundshëm në të ardhmen. Por, Jehovai nuk do që banorët e Judës të bashkohen me armiqtë e tyre; do që ata të mbështeten tek ai. Nëpërmjet profetit Isaia, Jehovai i zbulon Hezekisë të ardhmen: «Po vijnë ditë kur gjithçka që është në shtëpinë tënde dhe që paraardhësit e tu kanë grumbulluar deri më sot do të merret faktikisht në Babiloni. Nuk do të mbetet asgjë . . . Dhe disa nga bijtë e tu që do të dalin prej teje, për të cilët ti do të bëhesh atë, do të merren dhe do të bëhen faktikisht zyrtarë të oborrit në pallatin e mbretit të Babilonisë.» (Isaia 39:3-7) Po, pikërisht ai komb të cilit Hezekia donte t’i bënte përshtypje, më në fund do t’i plaçkitë gjërat me vlerë të Jerusalemit dhe do t’i kthejë qytetarët e tij në skllevër. Veprimi i Hezekisë, kur u tregoi babilonasve thesarin e tij, nuk shërbeu për gjë tjetër veçse për të hapur oreksin e tyre të pangopur.
30. Në ç’mënyrë tregoi një qëndrim të mirë Hezekia?
30 Duke iu referuar, me sa duket, rastit kur Hezekia u tregoi thesarin e tij babilonasve, në 2 Kronikave 32:26 thuhet: «Hezekia e përuli veten për fodullëkun e zemrës së tij, ai dhe banorët e Jerusalemit, dhe zemërimi i Jehovait nuk erdhi mbi ta në ditët e Hezekisë.»
31. Çfarë rezultati pati Hezekia dhe çfarë mësojmë ne nga kjo?
31 Pavarësisht nga papërsosmëria, Hezekia ishte një burrë me besim. Ai e dinte që Jehovai, Perëndia i tij, është një person real që ka ndjenja. Kur u gjend nën presion, Hezekia iu lut në mënyrë të zjarrtë Perëndisë, dhe Perëndia iu përgjigj. Perëndia Jehova i dha paqe për pjesën tjetër të ditëve të tij dhe për këtë Hezekia ishte mirënjohës. (Isaia 39:8) Jehovai duhet të jetë po kaq real edhe për ne sot. Kur lindin probleme, ashtu si Hezekia, le t’i kërkojmë Jehovait mençuri dhe një rrugëdalje, sepse ai «u jep të gjithëve bujarisht dhe pa i poshtëruar». (Jakovit 1:5) Nëse vazhdojmë të qëndrojmë dhe të ushtrojmë besim te Jehovai, mund të jemi të sigurt se ai do të bëhet «shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me ngulm», si tani, ashtu edhe në të ardhmen.—Hebrenjve 11:6.
[Shënimet]
a Vlerësohet të jenë më shumë se 9,5 milionë dollarë amerikanë me vlerat aktuale.
b Pas disfatës së Senakeribit, kombet përreth i sollën Hezekisë dhurata në ar, argjend dhe gjëra të tjera me vlerë. Në 2 Kronikave 32:22, 23, 27, lexojmë që «Ezekia pati pasuri shumë të mëdha dhe nder» dhe se «u madhërua në sytë e tërë kombeve». (Dio) Ka të ngjarë që këto dhurata t’i kenë dhënë mundësi ta mbushë përsëri shtëpinë e tij të thesarit, të cilën e kishte boshatisur kur u pagoi haraç asirianëve.
[Figura në faqen 383]
Mbreti Hezekia beson te Jehovai kur gjendet përballë fuqisë së Asirisë
[Figura që zë gjithë faqen 384]
[Figura në faqen 389]
Mbreti dërgon emisarë tek Isaia për të dëgjuar këshillën e Jehovait
[Figura në faqen 390]
Hezekia lutet që emri i Jehovait të lartësohet në saje të disfatës së Asirisë
[Figura në faqen 393]
Engjëlli i Jehovait godet 185000 asirianë