-
Perëndia Jehova tregon mëshirë për një mbetjeProfecitë e Isaisë—Dritë për gjithë njerëzimin I
-
-
‘Filizi i Jehovait’
5, 6. (a) Si e përshkruan Isaia periudhën e paqes që pason furtunën që do të vijë? (b) Cili është kuptimi i fjalës «filiz» dhe çfarë tregon kjo për vendin e Judës?
5 Toni i Isaisë bëhet i ngrohtë ndërsa ai shikon përtej furtunës që po vjen, drejt një kohe më paqësore. Ai shkruan: «Në atë ditë, ajo që Jehovai do të bëjë të dalë si filiz [«filizi i Jehovait», shënimi] do të jetë për zbukurim e për lavdi dhe fryti i tokës do të jetë diçka për t’u krenuar dhe diçka e bukur për të shpëtuarit e Izraelit.»—Isaia 4:2.
6 Këtu Isaia flet për një rivendosje. Emri hebraik i përkthyer «filiz» i referohet ‘diçkaje që mbin, një bisku, një dege’. Ai përcjell idenë e begatisë, të rritjes dhe të marrjes së bekimeve nga Jehovai. Në këtë mënyrë, Isaia paraqet një tablo shpresëdhënëse, po, shkretimi që po afron nuk do të zgjasë përgjithmonë. Me bekimin e Jehovait, vendi i Judës, dikur i begatë, do të japë përsëri fryt me bollëk.a—Levitiku 26:3-5.
7. Në ç’mënyrë filizi i Jehovait do të «jetë për zbukurim e për lavdi»?
7 Isaia përdor fjalë të gjalla për të përshkruar madhështinë e transformimit që pritet në të ardhmen. Filizi i Jehovait do të «jetë për zbukurim e për lavdi». Fjala «zbukurim» të sjell ndër mend bukurinë e Tokës së Premtuar kur Jehovai ia dha Izraelit shekuj më parë. Ajo ishte kaq e bukur, saqë konsiderohej si «zbukurimi [«xhevahiri», New American Bible] i të gjitha vendeve». (Ezekieli 20:6) Prandaj, fjalët e Isaisë e sigurojnë popullin se vendit të Judës do t’i rikthehet lavdia dhe bukuria e tij e mëparshme. Po, ai do të jetë si një xhevahir stolisës mbi tokë.
8. Cilët do të jenë të pranishëm për të gëzuar bukurinë e rikthyer të vendit dhe si i përshkruan Isaia ndjenjat e tyre?
8 Por cilët do të jenë të pranishëm për të gëzuar bukurinë e rikthyer të vendit? «Të shpëtuarit e Izraelit»,—shkruan Isaia. Po, disa do ta mbijetojnë shkatërrimin poshtërues të parathënë më parë. (Isaia 3:25, 26) Një mbetje të mbijetuarish do të rikthehen në Judë dhe do të marrin pjesë në restaurimin e saj. Për këta të rikthyer ose ‘të shpëtuar’, prodhimi i bollshëm i vendit të tyre të restauruar do të bëhet «diçka për t’u krenuar dhe diçka e bukur». (Isaia 4:2, shënimi) Poshtërimi që ka sjellë shkretimi do t’ia lërë vendin një ndjenje të përtërirë krenarie.
9. (a) Çfarë ndodhi në vitin 537 p.e.s. në përmbushje të fjalëve të Isaisë? (b) Pse mund të thuhet se «të shpëtuarit» përfshijnë edhe disa që kanë lindur në mërgim? (Shih shënimin.)
9 Në përmbushje të fjalëve të Isaisë, stuhia e gjykimit erdhi në vitin 607 p.e.s. kur babilonasit shkatërruan Jerusalemin dhe shumë izraelitë u vranë. Disa mbijetuan dhe u morën në mërgim në Babiloni, por, po të mos kishte qenë për mëshirën e Jehovait, nuk do të kishte pasur asnjë të mbijetuar. (Nehemia 9:31) Më së fundi, Juda u la plotësisht e shkretë. (2 Kronikave 36:17-21) Më pas, në vitin 537 p.e.s., Perëndia i mëshirshëm i lejoi «të shpëtuarit» që të riktheheshin në Judë për të rivendosur adhurimin e vërtetë.b (Ezdra 1:1-4; 2:1) Pendimi i sinqertë i këtyre robërve të kthyer shprehet bukur në Psalmin 137, i cili ka të ngjarë të jetë shkruar gjatë robërisë ose pak kohë pas saj. Pasi u kthyen në Judë ata e punuan tokën dhe mbollën farë në të. Mendoni se si duhet të jenë ndier ata kur kanë parë se Perëndia po i bekonte përpjekjet e tyre, duke bërë që toka të nxirrte filiza, porsi «kopshti [i frytshëm] i Edenit».—Ezekieli 36:34-36, Dio.
10, 11. (a) Në cilin kuptim Studentët e Biblës ishin nën robërinë e «Babilonisë së Madhe» në fillim të shekullit të 20-të? (b) Si e bekoi Jehovai mbetjen e izraelitëve frymorë?
10 Një rivendosje e ngjashme ka ndodhur edhe në kohën tonë. Në fillim të shekullit të 20-të, Studentët e Biblës, siç njiheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait, ranë nën robërinë frymore të ‘Babilonisë së Madhe’, perandorisë botërore të fesë së rreme. (Zbulesa 17:5) Ndonëse kishin flakur tej shumë mësime të rreme fetare, Studentët e Biblës ishin ende të ndikuar nga disa ide dhe praktika babilonase. Si rezultat i kundërshtimit të nxitur nga kleri, disa prej tyre u burgosën në kuptimin e vërtetë të fjalës. Toka e tyre frymore, d.m.th. prona e tyre fetare ose frymore, u la e shkretë.
11 Por në pranverën e vitit 1919, Jehovai tregoi mëshirë ndaj kësaj mbetjeje izraelitësh frymorë. (Galatasve 6:16) Ai e pa pendimin dhe dëshirën e tyre për ta adhuruar atë me të vërtetë e, si rrjedhim, bëri të mundur lirimin e tyre nga burgimi i mirëfilltë dhe çka është më e rëndësishme, nga robëria frymore. Këta ‘të shpëtuar’ u rivendosën në pronën e tyre frymore të dhënë nga Perëndia, të cilën Ai e bëri të nxjerrë filiza me bollëk. Kjo pronë frymore ka shfaqur një pamje joshëse dhe tërheqëse, e cila ka nxitur miliona njerëz të tjerë me druajtje Perëndie që të bashkohen me mbetjen në adhurimin e vërtetë.
12. Në ç’mënyrë fjalët e Isaisë e lartësojnë mëshirën që Jehovai tregon për popullin e tij?
12 Fjalët e Isaisë këtu lartësojnë mëshirën që Perëndia tregon ndaj popullit të tij. Ndonëse si komb izraelitët u kthyen kundër Jehovait, ai tregoi mëshirë për një mbetje të penduar. Ne mund të nxjerrim ngushëllim duke ditur se edhe ata që gabojnë rëndë mund të kthehen te Jehovai me shpresë. Individët e penduar nuk duhet të mendojnë se nuk janë të denjë për mëshirën e Jehovait, sepse ai nuk e hedh poshtë një zemër të penduar. (Psalmi 51:17) Bibla na siguron: «Zoti është i mëshirshëm dhe zemërbutë, i ngadalshëm në zemërim dhe i madh në mirësi. Ashtu si një baba është i mëshirshëm me bijtë e tij, kështu është i mëshirshëm Zoti me ata që kanë frikë prej tij.» (Psalmi 103:8, 13, Dio) Pa dyshim, një Perëndi i tillë i mëshirshëm meriton gjithë lavdinë nga ana jonë.
-
-
Perëndia Jehova tregon mëshirë për një mbetjeProfecitë e Isaisë—Dritë për gjithë njerëzimin I
-
-
a Disa studiues hedhin idenë se shprehja ‘filizi i Jehovait’ i referohet Mesisë, i cili nuk do të shfaqej deri pas restaurimit të Jerusalemit. Në Targumet Aramaike, kjo shprehje është parafrazuar: «Mesia [Krishti] i Jehovait.» Është interesant fakti që e njëjta fjalë hebraike (tsemak) përdoret më vonë nga Jeremia, kur ai e quan Mesinë ‘një filiz të drejtë’ i dalë nga Davidi.—Jeremia 23:5; 33:15.
b «Të shpëtuarit» përfshinë edhe disa që kishin lindur në mërgim. Për këta mund të thuhej se kishin ‘shpëtuar’, pasi ata nuk do të kishin lindur kurrë, nëse paraardhësit e tyre nuk do ta kishin mbijetuar shkatërrimin.—Ezdra 9:13-15; krahaso Hebrenjve 7:9, 10.
-