«Ja, ky është Perëndia ynë»
Informacionet që trajtohen në këta dy artikuj studimi bazohen te libri T’i afrohemi Jehovait, i cili doli në kongreset krahinore që u mbajtën anembanë botës gjatë vitit 2002-2003.—Shih artikullin «Më mbushi një zbrazëti në zemër», në faqen 20.
«Ja, ky është Perëndia ynë. Tek ai kemi shpresuar dhe ai do të na shpëtojë. Ky është Jehovai.»—ISAIA 25:9, BR.
1, 2. (a) Si e quajti Jehovai patriarkun Abraham dhe për çfarë mund të na nxitë të pyesim veten kjo gjë? (b) Si na siguron Bibla se është e mundur të kemi një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë?
‘MIKU IM.’ Kështu e quajti Jehovai, Krijuesi i qiellit dhe i tokës, patriarkun Abraham. (Isaia 41:8) Imagjino! Një njeri të gëzojë miqësinë me Zotërinë Sovran të universit. Mund të pyetësh veten: ‘A është e mundur të jem kaq i afërt me Perëndinë?’
2 Bibla na siguron se është e mundur të kemi një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë. Abrahami pati një marrëdhënie të tillë, sepse «tregoi besim te Jehovai». (Jakovit 2:23) Po ashtu, edhe sot ‘miqësia e ngushtë e Jehovait është me të drejtët’. (Proverbat [Fjalët e urta] 3:32, BR) Te Jakovi 4:8, Bibla na nxit: «Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet juve.» Është e qartë se po të ndërmarrim hapa për t’iu afruar Jehovait, ai do të na përgjigjet, po, do të na afrohet. Por, a do të thonë këto fjalë të frymëzuara se ne, njerëzit e papërsosur dhe mëkatarë, duhet të bëjmë hapin e parë? Aspak! Miqësia e ngushtë me Jehovain është e mundur vetëm sepse vetë Perëndia ynë i dashur ka ndërmarrë dy hapa të rëndësishëm.—Psalmi 25:14.
3. Cilët janë dy hapat që ka ndërmarrë Jehovai për të na e bërë të mundur të gëzojmë miqësinë me të?
3 Së pari, Jehovai bëri të mundur që Jezui ‘të jepte shpirtin e tij si shpërblesë në këmbim të shumë vetave’. (Mateu 20:28) Ky flijim shpërblerës na jep mundësi që t’i afrohemi Perëndisë. Bibla thotë: «Nga ana jonë, ne kemi dashuri, sepse ai na deshi i pari.» (1 Gjonit 4:19) Po, meqenëse Perëndia «na deshi i pari», ai hodhi themelin që ne të lidhim miqësi me të. Së dyti, Jehovai na ka zbuluar se ç’person është. Një miqësi bëhet e ngushtë vetëm kur e njeh mirë një njeri, kur i admiron dhe i vlerëson tiparet e tij të veçanta. Mendo se ç’do të thotë kjo. Po qe se Jehovai do të ishte një Perëndi që fshihet, që nuk do të dëshironte të bëhej i njohur, do të kishte qenë e pamundur një lidhje e ngushtë me të. Por ai nuk fshihet, përkundrazi dëshiron që ta njohim. (Isaia 45:19) Në Fjalën e tij, Biblën, ai zbulon se si është me anë të shprehjeve që mund t’i kuptojmë, provë kjo se jo vetëm që na do, por edhe dëshiron ta njohim e ta duam si Atin tonë qiellor.
4. Çfarë do të ndiejmë për Jehovain ndërkohë që njohim më mirë cilësitë e tij?
4 A ke parë ndonjëherë një fëmijë të vogël që u tregon me gisht babanë e vet shokëve të tij dhe thotë me gëzim e krenari të çiltër: «Ky është babi im!» Adhuruesit e Perëndisë kanë çdo arsye për t’u ndier po ashtu për Jehovain. Bibla parathotë një kohë kur njerëzit besnikë do të thonë plot krenari: «Ja, ky është Perëndia ynë.» (Isaia 25:8, 9) Sa më shumë ta thellojmë kuptueshmërinë për cilësitë e Jehovait, aq më shumë do të ndiejmë se kemi Atin më të mirë dhe Mikun më të ngushtë që mund të imagjinohet. Po, kuptueshmëria për cilësitë e Jehovait na jep shumë arsye që t’i afrohemi më shumë atij. Atëherë, le të shqyrtojmë se si i zbulon Bibla cilësitë kryesore të Jehovait—fuqinë, drejtësinë, mençurinë dhe dashurinë. Në këtë artikull do të trajtojmë tri prej këtyre cilësive.
«I madhërishëm për nga fuqia»
5. Pse është e përshtatshme që vetëm Jehovai të quhet «i Plotfuqishmi» dhe në cilat mënyra e përdor ai fuqinë e tij madhështore?
5 Jehovai është «i madhërishëm për nga fuqia». (Jobi 37:23) Në Jereminë 10:6 thuhet: «Askush nuk është i ngjashëm me ty, o Zot [Jehova, BR]; ti je i madh dhe emri yt është i madh në fuqi.» Ndryshe nga çdo krijesë, Jehovai ka fuqi të pakufishme. Për këtë arsye vetëm ai quhet «i Plotfuqishmi». (Zbulesa 15:3) Jehovai e përdor fuqinë e tij madhështore për të krijuar, për të shkatërruar, për të mbrojtur dhe për të përtërirë. Të shqyrtojmë vetëm dy shembuj—fuqinë krijuese dhe fuqinë mbrojtëse.
6, 7. Sa i fuqishëm është dielli dhe cilën të vërtetë të rëndësishme dëshmon kjo?
6 Çfarë ndien në trup kur rri jashtë në një ditë vere me diell? Ngrohtësinë e diellit. Megjithatë, në të vërtetë po ndien rezultatet e fuqisë krijuese të Jehovait. Sa i fuqishëm është dielli? Në bërthamën e diellit temperatura është rreth 15 milionë gradë Celsius. Po të merrje nga bërthama e diellit një copëz me madhësi sa koka e një gjilpëre dhe ta vije në tokë, nuk do të qëndroje dot më afër se 140 kilometra nga ai burim fare i vogël nxehtësie. Çdo sekondë, dielli lëshon një energji që është e barabartë me shpërthimin e qindra milionë bombave bërthamore. Gjithsesi, toka rrotullohet në orbitë rreth kësaj furrnalte madhështore termobërthamore pikërisht në largësinë e duhur. Po të ishte shumë afër, uji i tokës do të avullonte; po të ishte shumë larg, uji do të ngrinte i tëri. Secili nga ekstremet do ta bënte të pajetë planetin tonë.
7 Edhe pse jeta e njerëzve varet prej diellit, për shumicën e tyre ai është diçka që ekziston dhe kaq. Prandaj, nuk e kuptojnë atë që mund të na mësojë dielli. Psalmi 74:16 thotë për Jehovain: «Ti e bëre ndriçuesin, domethënë diellin.» (BR) Po, dielli i sjell lavdi Jehovait, atij «që ka krijuar qiejtë dhe tokën». (Psalmi 146:6) Sidoqoftë ai është vetëm një nga gjërat e panumërta të krijuara që na mësojnë për fuqinë e pamasë të Jehovait. Sa më shumë mësojmë për fuqinë krijuese të Jehovait, aq më shumë nderim të thellë do të kemi për të.
8, 9. (a) Cili ilustrim i këndshëm tregon se Jehovai është i gatshëm për t’i mbrojtur dhe për t’u kujdesur për adhuruesit e tij? (b) Çfarë kujdesi tregonin për delet barinjtë në kohët biblike dhe çfarë na mëson kjo rreth Bariut tonë të Madh?
8 Jehovai e përdor gjithashtu fuqinë e tij tejet të madhe për të mbrojtur shërbëtorët e tij dhe për t’u kujdesur për ta. Bibla përdor disa ilustrime të gjalla, por prekëse për të përshkruar premtimet e Jehovait për t’u kujdesur për ne dhe për të na mbrojtur. Të vërejmë, për shembull, Isainë 40:11. Jehovai e krahason veten me një bari dhe popullin e tij me delet. Aty lexojmë: «Ai do të kullosë kopenë e tij si një bari, do t’i mbledhë qengjat me krahun e tij dhe do t’i mbajë në gji të tij dhe do të udhëheqë me ëmbëlsi dhe kujdes delet që kanë të vegjëlit e tyre.» A mund ta përfytyrosh atë që përshkruhet në këtë varg?
9 Pak kafshë janë aq të brishta sa ç’janë delet. Në kohët biblike barinjtë duhej të ishin të guximshëm për t’i mbrojtur delet nga ujqit, nga arinjtë e nga luanët. (1 Samuelit 17:34-36; Gjoni 10:10-13) Por kishte edhe raste kur nevojitej butësi për t’i mbrojtur e për t’u kujdesur për delet. Për shembull, si do ta ruante bariu qengjin e sapolindur e të pambrojtur në qoftë se një dele lindte larg vathës? Ndoshta për ditë të tëra, ai do ta mbante «në gji», në palat e veshjes së sipërme. Si do të arrinte qengji i vogël deri në gji të bariut? Qengji ndoshta i afrohej bariut duke i prekur lehtë këmbën. Por ishte bariu ai që duhej të përkulej, të zgjaste krahët dhe ta vendoste në gji, ku do të ishte i sigurt. Ç’ilustrim i këndshëm që tregon se sa i gatshëm është Bariu ynë i Madh për t’i mbrojtur dhe për t’u kujdesur për shërbëtorët e tij!
10. Çfarë mbrojtjeje siguron Jehovai sot dhe pse kjo mbrojtje është veçanërisht e rëndësishme?
10 Jehovai nuk u mjaftua vetëm duke premtuar mbrojtje. Në kohët biblike, ai e tregoi në mënyra të mrekullueshme se është në gjendje «t’i çlirojë nga sprova njerëzit me devocion hyjnor». (2 Pjetrit 2:9) Ç’të themi për sot? E dimë se ai nuk e përdor fuqinë për të na mbrojtur nga të gjitha fatkeqësitë e sotme. Megjithatë siguron diçka më të rëndësishme—mbrojtjen frymore. Perëndia ynë i dashur na mbron nga dëmet frymore, duke na pajisur me atë që na nevojitet për t’u qëndruar sprovave dhe për të ruajtur marrëdhënien që kemi me të. Për shembull, te Luka 11:13 thuhet: «Nëse ju, edhe pse jeni të ligj, dini t’u jepni dhurata të mira fëmijëve tuaj, sa më shumë akoma Ati në qiell do t’u japë frymë të shenjtë atyre që ia kërkojnë!» Kjo forcë e fuqishme mund të na ndihmojë të përballojmë çdo sprovë ose problem që mund të hasim. (2 Korintasve 4:7) Kështu, Jehovai bën që të kemi mundësinë të jetojmë jo vetëm për disa vjet, por për gjithë përjetësinë. Me këtë shpresë në mendje, mund ta shohim vërtet çdo vuajtje në këtë sistem si ‘kalimtare dhe të lehtë’. (2 Korintasve 4:17) A nuk tërhiqemi drejt këtij Perëndie që e përdor me kaq dashuri fuqinë për dobinë tonë?
«Jehovai e do drejtësinë»
11, 12. (a) Pse drejtësia e Jehovait na tërheq drejt tij? (b) Në cilin përfundim arriti Davidi për drejtësinë e Jehovait dhe si mund të na ngushëllojnë këto fjalë të frymëzuara?
11 Jehovai bën vazhdimisht atë që është e drejtë duke vepruar me paanësi. Drejtësia hyjnore nuk është një cilësi e ftohtë dhe e ashpër që na largon, por një cilësi e dashur që na tërheq drejt Jehovait. Bibla e përshkruan me qartësi natyrën e dhembshur të kësaj cilësie. Le të shqyrtojmë atëherë, tri mënyra se si e ushtron Jehovai drejtësinë e tij.
12 Së pari, drejtësia e shtyn Jehovain të tregojë besueshmëri dhe besnikëri ndaj shërbëtorëve të tij. Psalmisti David e provoi vetë këtë aspekt të drejtësisë së Jehovait. Në cilin përfundim arriti Davidi nga përvoja e tij dhe nga shqyrtimi i mënyrës se si vepron Perëndia? Ai shpalli: «Jehovai e do drejtësinë dhe nuk do t’i braktisë besnikët e tij. Në jetë të jetëve ata do të ruhen me siguri.» (Psalmi 37:28, BR) Sa na ngushëllon ky premtim! Perëndia ynë nuk do t’i braktisë as edhe për një çast ata që i qëndrojnë besnikë. Prandaj mund të kemi besim të plotë se ai është afër nesh dhe kujdeset me dashuri për ne. Drejtësia e tij na garanton për këtë!—Fjalët e urta 2:7, 8.
13. Si është i dukshëm interesimi i Jehovait për nevojtarët në Ligjin që i dha Izraelit?
13 Së dyti, drejtësia hyjnore është e ndjeshme ndaj nevojave të njerëzve të munduar. Interesimi i Jehovait për nevojtarët duket në Ligjin që i dha Izraelit. Për shembull, në Ligj kishte masa të veçanta që siguronin mirëqenien e jetimëve dhe të vejushave. (Ligji i përtërirë 24:17-21) Duke e kuptuar se sa e vështirë mund të ishte jeta për këto familje, vetë Jehovai u bë Gjykatësi dhe Mbrojtësi i tyre atëror. (Ligji i përtërirë 10:17, 18) Ai i paralajmëroi izraelitët se po të keqtrajtonin gratë dhe fëmijët e pambrojtur, do ta dëgjonte klithmën e këtyre të fundit. Siç është dokumentuar tek Eksodi [Dalja] 22:22-24, ai tha: «Do të zemërohem.» Ndonëse zemërimi nuk është ndër cilësitë mbizotëruese të Jehovait, ai indinjohet me të drejtë nga aktet e qëllimshme të padrejtësisë, sidomos kur viktima janë njerëz të pambrojtur.—Psalmi 103:6.
14. Cila është një dëshmi vërtet e jashtëzakonshme e paanshmërisë së Jehovait?
14 Së treti, te Ligji i përtërirë 10:17 (BR), Bibla na siguron se Jehovai «nuk trajton asnjë me anësi e as nuk pranon ryshfet». Ndryshe nga shumë njerëz me fuqi ose pushtet, Jehovai nuk ndikohet nga pasuria ose nga pamja e jashtme. Ai nuk ka paragjykime e nuk mban me hatër. Një dëshmi vërtet e jashtëzakonshme e paanshmërisë së Jehovait është kjo: mundësia për t’u bërë adhuruesit e tij të vërtetë me shpresën për jetën e pafundme nuk është kufizuar vetëm për një pakicë të zgjedhur. Përkundrazi, te Veprat 10:34, 35 thuhet :«Perëndia nuk është i anshëm, por në çdo komb njeriu që i frikësohet atij dhe praktikon drejtësinë është për të i pranueshëm.» Kjo mundësi është në dispozicion për të gjithë, pavarësisht nga pozita në shoqëri, nga ngjyra e lëkurës ose nga vendi në të cilin jetojnë. A nuk është kjo forma më e lartë e drejtësisë së vërtetë? Po, një kuptueshmëri më e thellë për drejtësinë e Jehovait na tërheq drejt tij.
«O thellësi . . . e mençurisë së Perëndisë!»
15. Çfarë është mençuria dhe si e shfaq Jehovai atë?
15 Siç dokumentohet te Romakëve 11:33, apostulli Pavël u nxit të shpallte: «O thellësi . . . e mençurisë dhe e njohurisë së Perëndisë!» Po, kur meditojmë për anët e ndryshme të mençurisë tejet të madhe të Jehovait, zemrat tona mbushen me nderim të thellë për Jehovain. Sidoqoftë, si mund ta përkufizojmë këtë cilësi? Mençuria është ajo që i bashkon me njëra-tjetrën njohurinë, aftësinë dalluese e kuptueshmërinë dhe i vë ato në punë. Duke u mbështetur në njohurinë e tij të gjerë dhe në kuptueshmërinë e thellë, Jehovai gjithnjë merr vendimet më të mira, dhe i zbaton ato nëpërmjet veprimeve më të mira që mund të merren me mend.
16, 17. Si dëshmojnë krijesat e Jehovait për mençurinë e tij tejet të madhe? Jepni një shembull.
16 Cilat janë disa dëshmi konkrete të mençurisë tejet të madhe të Jehovait? Psalmi 104:24 thotë: «Sa të shumta janë veprat e tua, o Jehova! Që të gjitha i ke bërë me mençuri. Toka është plot me ato që ke bërë ti.» (BR) Vërtet, sa më shumë mësojmë rreth gjërave që ka bërë Jehovai, aq më shumë nderim të thellë provojmë prej mençurisë së tij. Edhe shkencëtarët kanë mësuar shumë nga studimi i krijesave të Jehovait. Madje ka edhe një fushë të inxhinierisë që quhet biomimetikë, e cila përpiqet të kopjojë projektet që gjenden në natyrë.
17 Për shembull, ndoshta të ka rastisur të shohësh i mahnitur bukurinë e një rrjete merimange. Është vërtet një mrekulli projektimi. Kjo rrjetë është e përbërë nga disa fije të holla që duken të brishta, por që janë përpjesëtimisht më të forta se çeliku dhe se fibrat nga të cilat përbëhen veshjet antiplumb. Çfarë do të thotë saktësisht kjo? Ta zëmë se po e zmadhojmë një rrjetë merimange deri sa të arrijë përmasat e një rrjete peshkimi. Po të kishte këtë madhësi, rrjeta e merimangës do të ishte në gjendje të ndalte një avion pasagjerësh në fluturim e sipër. Po, Jehovai i ka bërë të gjitha këto gjëra «me mençuri».
18. Si shihet mençuria e Jehovait në faktin që përdori njerëz për të shkruar Fjalën e tij, Biblën?
18 Dëshmia më e madhe për mençurinë e Jehovait mund të gjendet në Fjalën e tij, Biblën. Këshillat e mençura që gjenden në faqet e saj na tregojnë vërtet mënyrën më të mirë për të jetuar. (Isaia 48:17) Por mençuria e pakrahasueshme e Jehovait shihet edhe në mënyrën se si e shkroi Biblën. Pse? Me mençuri, Jehovai përdori njerëz për të shkruar Fjalën e tij. A do të kishte Bibla të njëjtën fuqi tërheqëse, në qoftë se Jehovai do të kishte përdorur engjëj për ta shkruar Fjalën e tij të frymëzuar? Kuptohet, engjëjt mund ta kishin paraqitur Jehovain siç e shihnin nga këndvështrimi i tyre i lartë dhe mund të kishin shprehur përkushtimin e tyre ndaj tij. Por, a do të ishim ne vërtet në gjendje të kishim të njëjtin këndvështrim si krijesat e përsosura frymore, të cilat kanë njohuri, përvojë dhe forcë shumë më të madhe se ne?—Hebrenjve 2:6, 7.
19. Cili shembull tregon se përdorimi i njerëzve si shkrimtarë i ka dhënë Biblës ngrohtësi dhe forcë tërheqëse të jashtëzakonshme?
19 Meqë u përdorën njerëz si shkrimtarë të Biblës, kjo i dha asaj një ngrohtësi dhe forcë tërheqëse të jashtëzakonshme. Shkrimtarët e saj ishin njerëz me ndjenja si tonat. Duke qenë të papërsosur, ata hasën sprova dhe presione si ato që hasim ne. Në disa raste rrëfyen në vetën e parë ndjenjat dhe luftën që zhvillohej brenda tyre. (2 Korintasve 12:7-10) Kështu ata thanë fjalë që asnjë engjëll nuk do të mund t’i kishte shprehur. Të marrim për shembull fjalët e mbretit David të dokumentuara te psalmi 51. Sipas mbishkrimit në psalm, Davidi e kompozoi atë pasi kishte kryer një mëkat të rëndë. Ai ia zbrazi zemrën Perëndisë, duke shprehur brengën e tij të thellë dhe duke iu lutur që ta falte. Në vargjet 2 dhe 3 thuhet: «Më pastro tërësisht nga paudhësia ime dhe më pastro nga mëkati im, sepse i pranoj te ligat që kam bërë dhe mëkati im më rri gjithnjë përpara.» Vëre vargun 5 që thotë: «Ja, unë jam mbruajtur në paudhësi dhe nëna ime më ka Iindur në mëkat.» Vargu 17 thotë më tej: «Flijimet e Perëndisë janë frymë e thyer; o Perëndi, ti nuk e përçmon zemrën e thyer dhe të penduar.» S’mund të mos e ndiesh brengën që shpreh shkrimtari në këto fjalë. Kush tjetër, përveç një njeriu të papërsosur, mund të shprehte ndjenja të tilla?
20, 21. (a) Pse mund të themi që Bibla përmban mençurinë e Jehovait, pavarësisht se përdori njerëz si shkrimtarë? (b) Çfarë do të trajtohet në artikullin vijues?
20 Duke përdorur njerëz të papërsosur, Jehovai na siguroi pikërisht atë që na duhej—një dokumentim që është «i frymëzuar nga Perëndia», por që është shkruar në mënyrë që njerëzit të mund ta kuptojnë. (2 Timoteut 3:16) Po, ata shkrimtarë u drejtuan nga fryma e shenjtë. Prandaj dokumentuan mençurinë e Jehovait dhe jo të tyren. Kjo mençuri është plotësisht e besueshme në. Është kaq e lartë nga mençuria njerëzore, saqë Perëndia me dashuri na nxit: «Beso te Jehovai me gjithë zemrën tënde dhe mos u mbështet në kuptueshmërinë tënde. Kushtoji vëmendje në të gjitha udhët e tua dhe ai vetë do t’i drejtojë shtigjet e tua.» (Fjalët e urta 3:5, 6, BR) Po t’i vëmë veshin kësaj këshille të mençur, do t’i afrohemi më shumë Perëndisë tonë që ka mençuri të pakufishme.
21 Ndër të gjitha cilësitë e Jehovait, cilësia më tërheqëse dhe më e bukur është dashuria. Në artikullin vijues do të trajtohet se si e ka shfaqur Jehovai dashurinë.
A të kujtohet?
• Cilët hapa ka ndërmarrë Jehovai për të na e bërë të mundur që të kultivojmë miqësi të ngushtë me të?
• Cilët janë disa shembuj të fuqisë krijuese të Jehovait dhe të fuqisë së tij mbrojtëse?
• Në cilat mënyra e ushtron Jehovai drejtësinë e tij?
• Si shihet mençuria e Jehovait në gjërat që ka krijuar dhe në Bibël?
[Figura në faqen 10]
Ashtu si një bari që e mban qengjin në gjirin e tij, Jehovai kujdeset me butësi për delet e Tij
[Figura në faqen 13]
Mençuria e Jehovait shihet në mënyrën se si e shkroi Biblën