Ai plotësoi dëshirën e zemrës së tij
A ËSHTË dëshira e zemrës sate të shohë Mbretërinë mesianike të sundojë mbi të gjithë tokën? Nëse po, ti dëshiron dhe lutesh për bekimet e premtuara tokësore nën atë Mbretëri qiellore. Pra, ushtro durim, sepse «dëshira e plotësuar është një dru i jetës».—Proverbat 13:12; Jakovi 5:7, 8.
Gati 2.000 vjet më parë, në Jeruzalem jetonte një njeri i «drejtë dhe i nderuar» me emrin Simeon. Ai besonte në profecitë mesianike dhe me durim «priste ngushëlluesin e Izraelit».—Luka 2:25.
Profecitë mesianike japin shpresë
Jehovai ishte përgjegjës për profecinë e parë mesianike—e cila i dha shpresë njerëzimit të vdekshëm dhe mëkatar. Perëndia paratha ardhjen e Farës së «gruas» së tij, apo organizatës qiellore.—Zanafilla 3:15.
Ajo u identifikua si fara e Abrahamit dhe Jakobi paratha ardhjen e saj. (Zanafilla 22:17, 18; 49:10) Lavdia e Mbretërisë së Mesisë u lavdërua në psalmet. (Psalmi 72:1-20) Isaia paratha se Fara do të lindte nga një virgjëreshë dhe Mikea profetizoi se lindja do të ndodhte në Bethlehem. (Isaia 7:14; Mikea 5:2) Këto janë vetëm disa nga profecitë e shumta mesianike.
Akoma asnjë Mesi!
Mendo mbi të kaluarën dhe imagjino sikur shekulli i parë i e.s. po afrohet. Kanë kaluar 4.000 vjet nga profecia e parë mesianike e dhënë nga Perëndia. Hebrenjtë përjetuan shkatërrimin e tempullit të Jehovait, shkretimin e atdheut të tyre, 70 vjet mërgim në Babiloni dhe më shumë se 500 vjet nënshtrim ndaj sunduesve paganë. Por akoma asnjë Mesi.
Sa e dëshironin hebrenjtë me frikë Perëndie ardhjen e Mesisë! Sepse bekimet e tij do të derdheshin mbi ta dhe mbi të gjithë kombet.
Një njeri i nderuar
Midis hebrenjve të nderuar që dëshirojnë dhe luten për ardhjen e Mesisë është Simeoni, një shërbëtor i moshuar dhe besnik i Jehovait që jeton në qytetin kryesor të Judesë. Diçka e veçantë ndodhi me Simeonin.
Perëndia derdhi frymën e shenjtë mbi Simeonin dhe e shpërbleu atë me një zbulim. Simeoni nuk do të vdiste derisa të shihte Atë që do të ishte Mesia. Por ditët dhe muajt po kalonin. Simeoni ishte i moshuar dhe vështirë se mund të jetonte shumë gjatë. A do të plotësohej premtimi që Perëndia i kish bërë?
Një ditë (në vitin 2 p.e.s.), një çift i ri me një fëmijë erdhën në tempull nga Bethlehemi. Fryma e shenjtë i zbuloi Simeonit se kjo ishte dita e shumëpritur. Ai shkoi në tempull, ku do të shihte Atë për të cilin shkruan profetët. Duke nxituar aq sa e lejonte mosha e tij, ai pa Jozefin, Marinë dhe fëmijën.
Me çfarë gëzimi e mori Simeoni fëmijën Jezu në krahët e tij! Ky Vetë do të jetë Mesia i premtuar—«Krishti i Jehovait». Me një moshë të tillë të avancuar, Simeoni nuk shpreson të shohë që Jezui të përmbushë misionin e Tij tokësor. Megjithatë, është i mrekulluar ta shohë atë si një foshnjë. Profecitë mesianike po fillojnë të plotësohen. Sa i lumtur është Simeoni. Tani është i kënaqur të flejë në vdekje deri në ringjallje.—Luka 2:25-28.
Fjalët profetike të Simeonit
Ndërsa Simeoni ngre zërin e tij për të lavdëruar Jehovain dëgjojmë të thotë: «Tani, o Zot, lejo që shërbëtori yt të vdesë në paqe, sipas fjalës sate, sepse sytë e mi panë shpëtimin tënd që ti e përgatite përpara gjithë popujve: dritën për të ndriçuar kombet dhe lavdinë e popullit tënd, Izraelit.» Jozefi, babai që adoptoi Jezuin dhe nëna e tij Maria, mrekullohen nga këto fjalë.—Luka 2:29-33.
Shprehja e fytyrës së Simeonit është e ndritshme, ndërsa në mënyrë të dukshme bekon Jozefin dhe Marinë, duke iu uruar bekimet e Jehovait në përmbushjen e përgjegjësive të tyre ndaj fëmijës. Pastaj fytyra e burrit të moshuar u bë serioze. Duke e drejtuar shikimin e tij vetëm mbi Marinë, ai shtoi: «‘Ja, ky është vënë për rënien dhe për ngritjen e shumë vetave në Izrael dhe për të qenë shenjë kundërshtimesh edhe ty vetë një shpatë do të ta tejshpojë shpirtin, që të zbulohen mendimet e shumë zemrave.’»—Luka 2:34, 35.
Deklarata e Simeonit ndaj Marisë
Imagjino se si ndihej Maria. Çfarë mendonte Simeoni? Disa do të pranojnë Krishtin dhe do të ngrihen nga gjendja e tyre gati e rënë. Megjithatë, të tjerët do ta refuzojnë, do të pengohen në të dhe do të bien. Sikurse u paratha, Jezui u bë një gur pengese për shumë hebrenj. (Isaia 8:14; 28:16) Fjalët e Simeonit nuk do të thonë se disa izraelitë të veçantë do të bien së pari në mosbesim dhe pastaj, duke pranuar Krishtin do të ngrihen në besim. Në vend të kësaj, reagimi ndaj tij do të ndryshojë nga personi në person, duke zbuluar arsyetimet e shumë zemrave dhe duke i çuar ata në gjyqin e Perëndisë për mirë apo për keq. Për jobesimtarët ai do të jetë si një shenjë, apo objekt përbuzjesh. Por duke besuar në të, të tjerët do të ngrihen nga gjendja e tyre e vdekjes, nga shkeljet dhe mëkatet e do të vijnë të gëzojnë një qëndrim të drejtë përpara Perëndisë. Veprat e njerëzve ndaj Mesisë do të tregojnë se çfarë kishte në zemrat e tyre.
Ç’mund të themi për fjalët e Simeonit: «Edhe ty vetë një shpatë do të ta tejshpojë shpirtin?» Në Shkrimet nuk ka asnjë tregues se Maria kishte një shpatë reale që do ta tejshponte atë. Megjithatë, refuzimi i Jezuit nga shumica do ta pikëllonte atë. Dhe sa e dhimbshme ishte për Marinë të shihte Jezuin të gozhduar në një shtyllë! Kjo ishte si një shpatë që e tejshponte atë.
Simeoni zbaton profecitë mesianike
Fryma e Perëndisë e nxiti Simeonin për të zbatuar profecitë mesianike ndaj Jezuit. Simeoni mundi të vdiste në paqe apo i qetë, «sepse sytë e tij panë shpëtimin që Perëndia e përgatiti përpara gjithë popujve: dritën për të ndriçuar kombet dhe lavdinë e popullit të Tij Izraelit». (Luka 2:30-32) Kjo përputhet plotësisht me fjalët profetike të Isaisë!
Ky profet paratha: «Atëherë lavdia e Zotit do të zbulohet dhe çdo qenie do ta shohë.» «Të kam vendosur si dritën e kombeve, me qëllim që të jesh Shpëtimi im deri në skajet e tokës.» (Isaia 40:5; 42:6; 49:6; 52:10) Shkrimet e Krishtere Greke dhe faktet fizike kanë vërtetuar se Mesia, Jezu Krishti, është drita e vërtetë e kombeve, Ai që largon vellon e errësirës frymore dhe i sjell shpëtimin popullit.
Fjala e Perëndisë nuk flet më shumë për Simeonin e moshuar. Është e qartë se ai vdiq përpara se Krishti të hapte rrugën për në jetën qiellore. Së shpejti, Simeoni do të ringjallet për në jetën mbi tokë. Çfarë gëzimi mund të përjetojë ai dhe ti në botën e re nën Mbretërinë mesianike të Perëndisë!