Kapitulli katër
«Ju jeni dëshmitarët e mi!»
1. Si i përdor Jehovai profecitë dhe si duhet të reagojë populli i tij ndaj profecive të përmbushura?
AFTËSIA për të parathënë të ardhmen është një gjë që e dallon Perëndinë e vërtetë nga të gjithë perënditë e rreme. Por kur profetizon, Jehovai nuk e bën këtë thjesht për të provuar hyjninë e tij. Siç tregohet në kapitullin 43 të Isaisë, Jehovai i përdor profecitë për të provuar si hyjninë e tij, ashtu edhe dashurinë për popullin me të cilin ka bërë një besëlidhje. Nga ana tjetër, pjesëtarët e popullit të tij nuk duhet të qëndrojnë të heshtur kur dallojnë përmbushjen e profecive, ata duhet të japin dëshmi për atë që kanë parë. Po, duhet të jenë dëshmitarë të Jehovait!
2. (a) Cila është gjendja frymore e Izraelit në kohën e Isaisë? (b) Në ç’mënyrë i hap Jehovai sytë e popullit të tij?
2 Mjerisht, në kohën e Isaisë Izraeli është në një gjendje kaq të vajtueshme, saqë Jehovai e sheh popullin si sakat frymësisht. «Nxirr një popull të verbër, ndonëse kanë sy dhe të shurdhrit, ndonëse kanë veshë.» (Isaia 43:8) Si mund t’i shërbejnë Jehovait si dëshmitarë të gjallë pjesëtarët e një populli që është i verbër dhe i shurdhër frymësisht? Ka vetëm një mënyrë. Sytë dhe veshët e tyre duhet të hapen në mënyrë të mrekullueshme. Dhe Jehovai bën pikërisht këtë! Si? Së pari, Jehovai i disiplinon ashpër, duke lejuar që banorët e mbretërisë veriore të Izraelit të çohen në mërgim në vitin 740 p.e.s. dhe ata të Judës në vitin 607 p.e.s. Pas kësaj, Jehovai vepron fuqishëm në favor të popullit të tij, duke çliruar dhe duke kthyer një mbetje të rigjallëruar e të penduar në vendin e vet, në vitin 537 p.e.s. Në të vërtetë, Jehovai është kaq i sigurt se qëllimi i tij lidhur me çlirimin e Izraelit nuk do të pengohet, saqë rreth 200 vjet përpara, ai flet për të si të kishte ndodhur tashmë.
3. Çfarë nxitjeje u jep Jehovai të mërguarve të ardhshëm?
3 «Kështu ka thënë Jehovai, Krijuesi yt, o Jakob, dhe Formuesi yt, o Izrael: ‘Mos ki frikë, sepse të kam riblerë. Të kam thirrur në emër. Je i imi. Në rast se do të të duhet të kalosh përmes ujërave, unë do të jem me ty; dhe përmes lumenjve, nuk do të të mbytin. Në rast se do të të duhet të kalosh përmes zjarrit, nuk do të zhuritesh, dhe as flaka nuk do të të përcëllojë. Sepse unë jam Jehovai, Perëndia yt, i Shenjti i Izraelit, Shpëtimtari yt.’»—Isaia 43:1-3a.
4. Pse mund të thuhet se Jehovai është Krijuesi i Izraelit dhe çfarë sigurie i jep ai popullit të tij lidhur me kthimin në vendin e vet?
4 Jehovai interesohet në mënyrë të veçantë për Izraelin, sepse kombi i përket atij. Ai e ka krijuar atë vetë në përmbushje të besëlidhjes abrahamike. (Zanafilla 12:1-3) Prandaj, Psalmi 100:3 thotë: «Pranoni që Jehovai është Perëndi. Ai na ka bërë neve dhe jo ne vetveten. Ne jemi populli i tij dhe dele të kullotës së tij.» Si Krijuesi dhe Riblerësi i Izraelit, Jehovai do ta kthejë shëndoshë e mirë popullin e tij në vendin e vet. Pengesa të tilla, si: ujërat, lumenjtë e dalë nga shtrati dhe shkretëtirat përvëluese, nuk do t’i pengojnë ose nuk do t’i dëmtojnë ata, pikërisht ashtu si gjëra të ngjashme me këto nuk i ngadalësuan paraardhësit e tyre një mijë vjet më parë, gjatë rrugës për në Tokën e Premtuar.
5. (a) Si e ngushëllojnë Izraelin frymor fjalët e Jehovait? (b) Cilët janë shokët e Izraelit frymor dhe nga kush u përfaqësuan këta?
5 Fjalët e Jehovait i japin ngushëllim edhe mbetjes moderne të Izraelit frymor, anëtarët e së cilës janë një «krijesë e re» e lindur nga fryma. (2 Korintasve 5:17) Duke qenë se kanë dalë me guxim para «ujërave» të njerëzimit, ata kanë gëzuar mbrojtjen e dashur të Jehovait mes përmbytjeve figurative. Sprovat e zjarrta të shkaktuara nga armiqtë e tyre nuk i kanë dëmtuar, por përkundrazi, kanë shërbyer për t’i rafinuar. (Zakaria 13:9; Zbulesa 12:15-17) Kujdesi i Jehovait është shtrirë, gjithashtu, edhe ndaj ‘shumicës së madhe’ të ‘deleve të tjera’, e cila është bashkuar me kombin frymor të Perëndisë. (Zbulesa 7:9; Gjoni 10:16) Këta individë përfaqësohen nga ‘përzierja e madhe e njerëzve’ që doli nga Egjipti bashkë me izraelitët, si dhe nga jojudenjtë që ikën nga Babilonia me të mërguarit e liruar.—Eksodi 12:38, Dio; Ezdra 2:1, 43, 55, 58.
6. Në ç’mënyrë tregon Jehovai se është Perëndi i drejtësisë në rastin e dhënies së shpërblimit për (a) Izraelin mishor? (b) Izraelin frymor?
6 Jehovai premton ta çlirojë popullin e tij nga Babilonia nëpërmjet forcave ushtarake të Medisë dhe të Persisë. (Isaia 13:17-19; 21:2, 9; 44:28; Danieli 5:28) Si Perëndi i drejtësisë, Jehovai do t’u japë «shërbëtorëve» të tij medo-persë një shpërblim të përshtatshëm në këmbim të Izraelit. «Kam dhënë Egjiptin si shpërblim për ty, në vendin tënd Etiopinë dhe Sebën. Meqë ke qenë i çmuar në sytë e mi, je quajtur i nderuar dhe unë të kam dashur. Në vendin tënd unë do të jap njerëz dhe në vend të shpirtit tënd grupe kombëtare.» (Isaia 43:3b, 4) Historia vërteton se Perandoria Perse pushtoi me të vërtetë Egjiptin, Etiopinë dhe Sebën fqinje, pikërisht ashtu siç kishte parathënë Perëndia. (Proverbat [Fjalët e urta] 21:18) Në vitin 1919, nëpërmjet Jezu Krishtit, Jehovai çliroi në mënyrë të ngjashme mbetjen e Izraelit frymor nga robëria. Sidoqoftë, për shërbimin që bëri, Jezui nuk kishte nevojë për asnjë shpërblim. Ai nuk ishte një sundimtar pagan dhe po çlironte vëllezërit e vet frymorë. Përveç kësaj, në vitin 1914, Jehovai i kishte dhënë tashmë «kombet si trashëgimi [të tij] dhe mbarë dheun si zotërim [të tij]».—Psalmi 2:8, Dio.
7. Çfarë ndien Jehovai për popullin e tij si në kohët e lashta, ashtu edhe në ato moderne?
7 Vëreni se sa hapur i shpreh Jehovai ndjenjat e tij të përzemërta ndaj të mërguarve të riblerë. Ai u thotë se janë ‘të çmuar’ dhe ‘të nderuar’ për të dhe se ‘i do’. (Jeremia 31:3) Ai ndien të njëjtën gjë, e madje në një masë më të madhe, edhe për shërbëtorët e tij besnikë sot. Të krishterët e mirosur kanë hyrë në një marrëdhënie me Perëndinë, jo nëpërmjet lindjes, por nëpërmjet veprimit të frymës së shenjtë të Perëndisë pas dedikimit personal ndaj Krijuesit të tyre. Jehovai i ka tërhequr këta individë drejt tij dhe Birit të vet, e i ka shkruar ligjet dhe parimet e tij në zemrat e tyre të ndjeshme.—Jeremia 31:31-34; Gjoni 6:44.
8. Çfarë sigurie u jep Jehovai të mërguarve dhe si do të ndihen ata për çlirimin e tyre?
8 Duke u dhënë përsëri siguri të mërguarve, Jehovai shton: «Mos ki frikë, sepse unë jam me ty. Do ta sjell farën tënde nga lindja e diellit dhe do të të mbledh nga perëndimi i diellit. Do t’i them veriut, ‘Dorëzohu’ dhe jugut, ‘Mos mbaj. Silli bijtë e mi prej së largu dhe bijat e mia nga skaji i tokës, cilindo që thirret me emrin tim dhe që unë e kam krijuar për lavdinë time, që e kam formuar, po, që e kam bërë.’» (Isaia 43:5-7) Madje, as viset më të thella të tokës nuk do të jenë të paarritshme për Jehovain kur të vijë koha për t’i çliruar bijtë dhe bijat e tij dhe për t’i kthyer ata në vendin e tyre të dashur. (Jeremia 30:10, 11) Pa dyshim, në sytë e tyre ky çlirim do ta eklipsojë çlirimin e mëparshëm të kombit nga Egjipti.—Jeremia 16:14, 15.
9. Cilat janë dy mënyrat në të cilat Jehovai i lidh veprimet e tij çliruese me emrin e tij?
9 Duke i kujtuar popullit të tij se thirret me emrin e Tij, Jehovai vërteton premtimin që ka bërë, për ta çliruar Izraelin. (Isaia 54:5, 6) Për më tepër, Jehovai i bashkëngjit premtimeve për çlirim emrin e tij. Në këtë mënyrë, ai siguron se lavdinë do ta marrë vetë kur fjala e tij profetike të përmbushet. Madje, as pushtuesit të Babilonisë nuk do t’i jepet merita që i përket të vetmit Perëndi të gjallë.
Perënditë në provë
10. Çfarë sfide u bën Jehovai kombeve dhe perëndive të tyre?
10 Tani, Jehovai e bën premtimin e tij për të çliruar Izraelin, bazën e një çështjeje gjyqësore universale ku sfidon perënditë e kombeve. Aty lexohet: «Le të mblidhen të gjitha kombet në një vend të vetëm dhe le të grumbullohen grupet kombëtare. Cili [nga perënditë e tyre] që është midis tyre mund ta thotë këtë? Ose, a mund të bëjnë ata që ne të dëgjojmë, madje, gjërat e para? Le të sigurojnë [ perënditë e tyre] dëshmitarët e tyre që të shpallen të drejtë, ose le të dëgjojnë e të thonë: ‘Është e vërteta!’» (Isaia 43:9) Jehovai u bën një sfidë të frikshme kombeve të botës. Në të vërtetë, ai thotë: ‘Le të provojnë perënditë tuaja se janë perëndi, duke parathënë me saktësi të ardhmen.’ Meqenëse vetëm Perëndia i vërtetë mund të profetizojë në mënyrë të pagabueshme, kjo provë do t’i demaskojë të gjithë mashtruesit. (Isaia 48:5) Por i Plotfuqishmi shton edhe një kërkesë tjetër ligjore: të gjithë ata që pretendojnë se janë perëndi të vërteta duhet të sigurojnë dëshmitarë, si për parathëniet ashtu dhe për përmbushjet e tyre. Natyrisht, Jehovai nuk e përjashton veten nga kjo kërkesë ligjore.
11. Çfarë caktimi i jep Jehovai shërbëtorit të tij dhe çfarë zbulon Jehovai rreth hyjnisë së tij?
11 Duke qenë të pafuqishme, perënditë e rreme nuk mund të sigurojnë dëshmitarë. Prandaj, për turpin e tyre, banka e dëshmitarëve mbetet bosh. Por tani vjen momenti që Jehovai të vërtetojë hyjninë e tij. Duke parë drejt popullit të tij, ai thotë: «Ju jeni dëshmitarët e mi, . . . po, shërbëtori im që unë kam zgjedhur, me qëllim që të njihni e të keni besim tek unë dhe të kuptoni që unë jam i Njëjti. Para meje nuk u formua asnjë Perëndi dhe pas meje vazhdoi të mos kishte asnjë. Unë, unë jam Jehovai dhe veç meje nuk ka asnjë shpëtimtar. Unë vetë kam thënë, kam shpëtuar dhe kam bërë të dëgjohet, kur ndër ju nuk kishte asnjë perëndi të huaj. Ju, pra, jeni dëshmitarët e mi, . . . dhe unë jam Perëndi. Gjithashtu, unë jam gjithmonë i Njëjti dhe nuk ka asnjë që çliron nga dora ime. Unë do të veproj dhe kush mund ta kthejë [dorën time] mbrapsht?»—Isaia 43:10-13.
12, 13. (a) Cilin bollëk dëshmish duhet të paraqesë populli i Jehovait? (b) Si është bërë i njohur emri i Jehovait në kohët moderne?
12 Në përgjigje të fjalëve të Jehovait, shpejt, në bankën e dëshmitarëve vërshon një turmë e gëzuar dëshmitarësh. Dëshmia e tyre është e qartë dhe e pakundërshtueshme. Ashtu si Josiu, ata dëshmojnë se ‘gjithçka që ka thënë Jehovai ka dalë e vërtetë. Nuk ka dështuar as edhe një fjalë’. (Josiu 23:14) Në veshët e popullit të Jehovait kumbojnë ende fjalët e Isaisë, Jeremisë, Ezekielit dhe të profetëve të tjerë, të cilët parathanë si me një zë mërgimin e Judës dhe çlirimin e tyre të mrekullueshëm nga mërgimi. (Jeremia 25:11, 12) Emri i Kirit si çliruesi i Judës, u tregua, madje, shumë kohë para se ai të lindte!—Isaia 44:26–45:1.
13 Përballë këtij mali dëshmish, kush mund të mohojë se Jehovai është i vetmi Perëndi i vërtetë? Ndryshe nga perënditë pagane, vetëm Jehovai nuk është i krijuar, vetëm ai është Perëndia i vërtetë.a Rrjedhimisht, populli që mban emrin e Jehovait ka privilegjin e veçantë dhe emocionues që t’ua tregojë veprat e Tij brezave të ardhshëm dhe të tjerëve që pyesin për të. (Psalmi 78:5-7) Në mënyrë të ngjashme, Dëshmitarët modernë të Jehovait kanë privilegjin ta shpallin emrin e Jehovait në të gjithë tokën. Në vitet 20 të shekullit të 19-të Studentët e Biblës u bënë gjithnjë e më të vetëdijshëm për domethënien e thellë të emrit të Perëndisë, Jehova. Më vonë, më 26 korrik 1931, në një kongres të mbajtur në Kolumbus, Ohajo, presidenti i Shoqatës, Xhozef F. Radhërfordi, paraqiti një rezolutë që titullohej «Një emër i ri». Fjalët: «Ne dëshirojmë të njihemi dhe të thirremi me emër, domethënë, Dëshmitarë të Jehovait» i drithëruan kongresistët që e miratuan rezolutën me një «Po» kumbuese. Që atëherë, emri i Jehovait është bërë i njohur në mbarë botën.—Psalmi 83:18.
14. Çfarë u kujton Jehovai izraelitëve dhe përse ky përkujtues është në kohën e duhur?
14 Jehovai kujdeset për ata që e mbajnë emrin e tij në mënyrë të nderuar dhe i quan «bebja e syrit të tij». Ai ua ripohon këtë izraelitëve, duke u kujtuar atyre se si i çliroi nga Egjipti dhe i udhëhoqi shëndoshë e mirë përmes shkretëtirës. (Ligji i përtërirë 32:10, 12, Dio) Në atë kohë nuk kishte asnjë perëndi të huaj midis tyre, pasi ata e panë me sytë e tyre poshtërimin e plotë të të gjitha perëndive të Egjiptit. Po, i tërë panteoni egjiptian nuk mundi as ta mbronte Egjiptin dhe as ta pengonte largimin e Izraelit. (Dalja 12:12) Në mënyrë të ngjashme, Babilonia e fuqishme, në peizazhin e së cilës spikatin të paktën 50 tempuj të perëndive të rreme, nuk do të jetë në gjendje ta ndalë dorën e të Plotfuqishmit kur të çlirojë popullin e tij. Është e qartë, veç Jehovait «nuk ka asnjë shpëtimtar».
Kuajt e luftës bien, burgjet hapen
15. Çfarë profetizon Jehovai lidhur me Babiloninë?
15 «Kështu ka thënë Jehovai, Riblerësi juaj, i Shenjti i Izraelit: ‘Për hirin tuaj unë do të dërgoj dikë në Babiloni dhe do të bëj të ulen shulat e burgjeve dhe kaldeasit nëpër anije me të qara kuitëse nga ana e tyre. Unë jam Jehovai, i Shenjti juaj, Krijuesi i Izraelit, Mbreti juaj.’ Kështu ka thënë Jehovai, Ai që hap një udhë përmes detit dhe një rrugë, madje, përmes ujërave të fuqishme, ai që nxjerr karrocën e luftës dhe kalin, forcat ushtarake dhe njerëzit e fuqishëm në të njëjtën kohë: ‘Ata do të shtrihen përtokë. Nuk do të ngrihen. Me siguri do të shuhen. Do të fiken si një fitil liri.’»—Isaia 43:14-17.
16. Çfarë do t’i ndodhë Babilonisë, tregtarëve kaldeas dhe kujtdo që do të ketë ndër mend ta mbrojë Babiloninë?
16 Babilonia është si një burg për të mërguarit, pasi nuk i lejon të kthehen në Jerusalem. Por masat mbrojtëse të Babilonisë nuk përbëjnë pengesë për të Plotfuqishmin, për Atë që më parë hapi «një udhë përmes [Detit të Kuq] dhe një rrugë, madje, përmes ujërave të fuqishme»—me sa duket përmes ujërave të Jordanit. (Dalja 14:16; Josiu 3:13) Në mënyrë të ngjashme, mjeti i Jehovait, Kiri, do të bëjë që të bjerë niveli i ujërave të fuqishme të Eufratit, duke bërë të mundur që luftëtarët e tij të hyjnë në qytet. Tregtarët kaldeas që lundrojnë nëpër kanalet e Babilonisë—rrugë ujore për mijëra anije tregtare dhe barka që transportojnë perënditë babilonase—do të kuisin me hidhërim kur kryeqyteti i tyre i fuqishëm të bjerë. Ashtu si karrocat e faraonit në Detin e Kuq, karrocat e shpejta të Babilonisë nuk do të shërbejnë për asgjë. Ato nuk do ta shpëtojnë dot atë. Po aq me lehtësi sa një njeri shuan fitilin prej liri në një llambë me vaj, po ashtu edhe pushtuesi do të shuajë jetën e kujtdo që ka ndër mend ta mbrojë Babiloninë.
Jehovai e udhëheq popullin e tij shëndoshë e mirë për në atdhe
17, 18. (a) Çfarë gjëje «të re» profetizon Jehovai? (b) Në cilin kuptim populli nuk duhet t’i kujtojë gjërat e mëparshme dhe pse?
17 Duke i krahasuar veprat e tij të mëparshme shpëtuese me atë që ka për të bërë, Jehovai thotë: «Mos i kujtoni gjërat e para dhe mos u ktheni të shqyrtoni gjërat e mëparshme. Ja, po bëj diçka të re. Tani do të mbijë. Ju do ta dini, apo jo? Në të vërtetë, do të hap një rrugë përmes shkretëtirës, përmes lumenjve të vendit të shkretë. Bisha e egër e fushës do të më japë lavdi, çakejtë dhe strucët, sepse do të kem dhënë ujë edhe në shkretëtirë, lumenj në vendin e shkretë, që të pijë populli im, i zgjedhuri im, populli që kam formuar për vete, që të tregojë lavdinë time.»—Isaia 43:18-21.
18 Me fjalët «mos i kujtoni gjërat e para», Jehovai nuk nënkupton që shërbëtorët e tij të fshijnë nga kujtesa veprat e tij të kaluara të shpëtimit. Në të vërtetë, shumë prej këtyre veprave janë pjesë e historisë së frymëzuar në mënyrë hyjnore të Izraelit, dhe Jehovai urdhëroi që ikja nga Egjipti të kujtohej çdo vit me kremtimin e Pashkës. (Levitiku 23:5; Ligji i përtërirë 16:1-4) Por Jehovai do që tani populli i tij t’i japë lavdi në bazë të ‘diçkaje të re’—diçka që do ta përjetojnë ata vetë. Kjo nuk përfshin vetëm çlirimin e tyre nga Babilonia, por edhe udhëtimin e mrekullueshëm për në atdhe, ndoshta nëpër rrugën që kalon përmes shkretëtirës, e cila është më e shkurtër. Në atë vend të shkretë, Jehovai do të hapë «një rrugë» për ta dhe do të kryejë vepra të fuqishme, të cilat të sjellin ndër mend atë që bëri për izraelitët në ditët e Moisiut—në të vërtetë, do t’i ushqejë të kthyerit në shkretëtirë dhe do ta shuajë etjen e tyre me lumenj të vërtetë. Kaq të bollshme do të jenë sigurimet e Jehovait, saqë edhe bishat e egra do t’i japin lavdi Perëndisë dhe nuk do t’i sulmojnë njerëzit.
19. Në ç’mënyrë ecin në ‘Rrugën e Shenjtërisë’ mbetja e Izraelit frymor dhe shokët e tyre?
19 Në mënyrë të ngjashme, në vitin 1919, mbetja e Izraelit frymor u çlirua nga robëria babilonase dhe nisi të përshkonte një rrugë që Jehovai kishte përgatitur për të, ‘Rrugën e Shenjtërisë’. (Isaia 35:8) Ndryshe nga izraelitët, atyre nuk iu desh të kalonin përmes shkretëtirës përvëluese nga një vend gjeografik në një tjetër dhe udhëtimi i tyre nuk përfundoi pas disa muajsh me mbërritjen në Jerusalem. Prapëseprapë, «Rruga e Shenjtërisë» e çoi mbetjen e të krishterëve të mirosur në një parajsë frymore. Në rastin e tyre, ata qëndrojnë në këtë ‘Rrugë të Shenjtërisë’, përderisa u duhet të udhëtojnë akoma përmes këtij sistemi gjërash. Për aq kohë sa qëndrojnë në rrugën kryesore, pra, për aq kohë sa u përmbahen normave të Perëndisë për pastërtinë dhe shenjtërinë, ata mbeten në parajsën frymore. Sa të gëzuar janë që me ta është bashkuar një shumicë e madhe shokësh «joizraelitë»! Në dallim nga ata që mbështeten në sistemin e Satanait, si mbetja, ashtu edhe shokët e tyre vazhdojnë të shijojnë një banket frymor nga dora e Jehovait. (Isaia 25:6; 65:13, 14) Duke dalluar bekimin e Jehovait mbi popullin e tij, shumë njerëz ngjashëm bishave kanë ndryshuar rrugë dhe i kanë dhënë lavdi Perëndisë të vërtetë.—Isaia 11:6-9.
Jehovai zbulon dhembjen e tij
20. Si e ka zhgënjyer Jehovain Izraeli i kohës së Isaisë?
20 Mbetja e rivendosur e Izraelit në kohën e lashtë është një popull i ndryshuar në krahasim me brezin e lig të Isaisë. Për këtë të fundit, Jehovai thotë: «Nuk më ke thirrur as mua, o Jakob, sepse je lodhur me mua, o Izrael. Nuk m’i ke sjellë delet e blatimeve të djegura dhe me flijimet e tua nuk më ke dhënë lavdi. Nuk të kam detyruar të më shërbesh me një dhuratë dhe as të kam lodhur me temjan të bardhë. Nuk ke blerë për mua kallam erëmirë me para dhe nuk më ke ngopur me dhjamin e flijimeve të tua. Në të vërtetë më ke detyruar të shërbej për shkak të mëkateve të tua, më ke lodhur me gabimet e tua.»—Isaia 43:22-24.
21, 22. (a) Pse mund të thuhet se kërkesat e Jehovait nuk janë të rënda? (b) Në ç’mënyrë populli e detyron Jehovain që t’i shërbejë atij?
21 Duke thënë «nuk të kam detyruar të më shërbesh me një dhuratë dhe as të kam lodhur me temjan të bardhë», Jehovai nuk nënkupton se flijimet dhe temjani i bardhë (një përbërës i temjanit të shenjtë) nuk kërkohen prej tyre. Në të vërtetë, këto janë pjesë përbërëse e adhurimit të vërtetë nën besëlidhjen e Ligjit. E njëjta gjë është e vërtetë edhe për ‘kallamin erëmirë’, një përbërës me aromë të këndshme i vajit të shenjtë për mirosje. Izraelitët e kanë lënë pas dore përdorimin e këtyre elementeve në shërbimin e tempullit. Por, a janë të rënda këto kërkesa? Në të vërtetë jo! Kërkesat e Jehovait janë të lehta kur krahasohen me ato të perëndive të rreme. Për shembull, perëndia i rremë Molek kërkonte të flijoheshin fëmijë—diçka që Jehovai nuk e ka kërkuar kurrë.—Ligji i përtërirë 30:11; Mikea 6:3, 4, 8.
22 Sikur izraelitët të kishin mendjemprehtësi frymore, nuk do të ‘ishin lodhur me Jehovain’. Duke parë Ligjin e tij, do të dallonin dashurinë e thellë që ai kishte për ta dhe do t’i jepnin me gëzim «dhjamin», pjesën më të mirë të flijimeve të tyre. Në vend të kësaj, me lakmi, ata e mbajnë dhjamin për vete. (Levitiku 3:9-11, 16) Sa shumë e dëshpëron Jehovain ky komb i lig me barrën e mëkateve të tij—duke e detyruar, në të vërtetë që t’i shërbejë atij!—Nehemia 9:28-30.
Disiplina jep fryt
23. (a) Pse disiplina e Jehovait është më se e merituar? (b) Çfarë përfshin disiplinimi i Izraelit nga ana e Perëndisë?
23 Ndonëse e ashpër por e merituar, disiplina e Jehovait jep frytet e dëshiruara, duke bërë të mundur të tregohet mëshirë. «Unë, unë jam Ai që fshin shkeljet e tua për hirin tim dhe mëkatet e tua nuk do t’i kujtoj. Më kujto, le të vihemi në gjykim së bashku, jep versionin tënd të fakteve, në mënyrë që të kesh të drejtë. Ati yt, i pari, ka mëkatuar dhe zëdhënësit [«interpretuesit», shënimi] e tu kanë kryer shkelje kundër meje. Prandaj unë do t’i përdhos princat e vendit të shenjtë dhe do ta dorëzoj Jakobin si një njeri të kushtuar shkatërrimit dhe Izraelin do t’ia dorëzoj fjalëve fyese.» (Isaia 43:25-28) Si të gjitha kombet e botës, Izraeli rrjedh nga Adami, «i pari». Prandaj, asnjë izraelit nuk mund të provojë se ‘ka të drejtë’. Madje, edhe «zëdhënësit» e Izraelit—mësuesit ose interpretuesit e tij të Ligjit—kanë mëkatuar ndaj Jehovait dhe u kanë mësuar të tjerëve gjëra të rreme. Si pasojë, Jehovai do t’ia dorëzojë të gjithë kombin e tij «shkatërrimit» dhe «fjalëve fyese». Ai do të përdhosë edhe ata që shërbejnë në ‘vendin e shenjtë’ ose në shenjtëroren e tij.
24. Për cilën arsye kryesore do ta falë Jehovai popullin e tij—si të kohëve të lashta, ashtu edhe atë sot—e megjithatë, çfarë ndien ai për të?
24 Sidoqoftë, mëshira hyjnore nuk do të tregohet thjesht për shkak të pendimit të Izraelit, por për hir të Jehovait. Po, përfshihet emri i tij. Nëse ai do ta braktiste Izraelin përgjithmonë në mërgim, emri i tij do të poshtërohej nga vëzhguesit. (Psalmi 79:9; Ezekieli 20:8-10) Në mënyrë të ngjashme, sot, shpëtimi i njerëzve është çështje dytësore në krahasim me shenjtërimin e emrit të Jehovait dhe shfajësimin e sovranitetit të tij. Megjithatë, Jehovai i do ata që e pranojnë disiplinën e tij pa rezerva dhe e adhurojnë me frymë dhe të vërtetë. Ai e tregon dashurinë e tij për këta, qofshin të mirosur ose dele të tjera, duke i fshirë shkeljet e tyre në bazë të flijimit të Jezu Krishtit.—Gjoni 3:16; 4:23, 24.
25. Cilat gjëra të mahnitshme do të kryejë Jehovai në të ardhmen e afërt dhe si mund ta tregojmë çmueshmërinë tonë tani?
25 Veç kësaj, Jehovai do ta tregojë së shpejti dashurinë e tij për një shumicë të madhe adhuruesish besnikë të tij, kur të bëjë diçka të re në dobi të tyre, duke i shpëtuar nga «shtrëngimi i madh» e duke i futur në një «tokë të re» të pastruar. (Zbulesa 7:14; 2 Pjetrit 3:13) Ata do të jenë dëshmitarë të shfaqjes më të mahnitshme të fuqisë së Jehovait që është parë ndonjëherë. Perspektiva e sigurt e asaj ngjarjeje bën që mbetja e mirosur dhe të gjithë ata që do të përbëjnë shumicën e madhe, të gëzojnë dhe të jetojnë çdo ditë në përputhje me këtë caktim fisnik: «Ju jeni dëshmitarët e mi!»—Isaia 43:10.
[Shënimi]
a Në mitologjitë e kombeve, shumë perëndi i ka «lindur» dikush dhe kanë pasur «fëmijë».
[Figura në faqet 48, 49]
Jehovai do t’i mbështetë judenjtë gjatë udhëtimit për t’u kthyer në Jerusalem
[Figurat në faqen 52]
Jehovai i sfidon kombet që të nxjerrin dëshmitarë për perënditë e tyre
1. Statujë bronzi e Baalit 2. Statujëza qeramike të Ashtorethit 3. Triada egjiptiane e Horusit, Osiridës dhe Isidës 4. Perënditë greke Athina (majtas) dhe Afërdita
[Figurat në faqen 58]
«Ju jeni dëshmitarët e mi.»—Isaia 43:10