GRUAJA, I
Njeri i rritur i seksit femëror, që e ka kaluar moshën e pubertetit. Shprehja hebraike e përkthyer «grua» është ʼishsháh (fjalë për fjalë, burrë [njeri] femër), dhe është përkthyer edhe «bashkëshorte». Po kështu, fjala greke giné është përkthyer edhe «grua», edhe «bashkëshorte».
Krijimi. Para se burri, Adami, të kërkonte një qenie njerëzore si shoqe, Perëndia, Krijuesi i tij, i mori vetë masat. Pasi e vendosi Adamin në kopshtin e Edenit dhe i dha ligjin për pemën e njohjes të së mirës e të së keqes, Jehovai tha: «Nuk është mirë që njeriu të rrijë vetëm. Do t’i bëj një ndihmës, si një plotësim për të.» (Zn 2:18) Ai nuk e detyroi burrin të kërkonte një shoqe ndër kafshët, por i çoi ato tek Adami që ky t’u vinte emra. Adami s’kishte asnjë lloj prirjeje për të pasur marrëdhënie seksuale me kafshët dhe ishte i aftë të kuptonte se ndër to asnjëra nuk mund të ishte një shoqe e përshtatshme. (Zn 2:19, 20) «Prandaj, Perëndia Jehova e vuri njeriun në gjumë të thellë dhe, ndërsa ky po flinte, mori një nga brinjët e tij e pastaj e mbylli mishin në atë vend. Nga brinja që kishte marrë prej njeriut, Perëndia Jehova bëri një grua dhe ia çoi njeriut. Pastaj njeriu tha: ‘Kjo është më në fund kockë e kockave të mia dhe mish i mishit tim. Kjo do të quhet Grua, sepse u mor nga burri.’»—Zn 2:21-23.
Pozita dhe përgjegjësitë. Përderisa u krijua nga burri, gruaja ia detyronte atij ekzistencën e saj. Meqë ishte pjesë e burrit, «një mish i vetëm» me të, një plotësim dhe një ndihmëse për të, ajo ishte e nënshtruar ndaj tij si kreu i saj. Ishte edhe nën ligjin që Perëndia i kishte dhënë Adamit për pemën e njohjes të së mirës e të së keqes. Kishte përgjegjësinë të punonte për të mirën e burrit. Së bashku do të lindnin fëmijë e do të kishin pushtet mbi kafshët.—Zn 1:28; 2:24.
Në kohët biblike ishte normale që gratë të martoheshin, prandaj vargjet biblike që flasin për përgjegjësitë e grave, zakonisht i referohen rolit të tyre si bashkëshorte. Detyra parësore e të gjitha grave në Izrael ishte t’i shërbenin Perëndisë Jehova sipas adhurimit të pastër. Një shembull për këtë ishte Abigaila, që u bë gruaja e Davidit pas vdekjes së Nabalit, burrit të saj që s’vlente për asgjë. Ndonëse Nabali veproi keq, duke refuzuar t’i përdorte të mirat materiale për të ndihmuar Davidin, të mirosurin e Jehovait, Abigaila e kuptoi se, si gruaja e Nabalit, ajo nuk ishte e detyruar të ndiqte të shoqin në këtë veprim që binte ndesh me vullnetin e Jehovait. Jehovai e bekoi ngaqë nuk hoqi dorë nga adhurimi i drejtë, duke ndihmuar të mirosurin e tij.—1Sa 25:23-31, 39-42.
Së dyti, gruaja duhej t’i bindej burrit të saj. Ajo kishte përgjegjësinë të punonte pa u lodhur për të mirën e shtëpisë e për t’i sjellë nder kreut të saj, burrit. Kjo do të ishte lavdia më e madhe për të. Te Proverbat 14:1 thuhet: «Gruaja që është vërtet e mençur, e ndërton shtëpinë e saj, kurse e marra e shemb me duart e veta.» Ajo duhej të fliste gjithnjë mirë për të shoqin e të rriste respektin e të tjerëve për të; kështu burri do të ishte krenar për gruan e tij. «Një grua e zonja është kurorë për burrin e saj, por si kalbësirë në kockat e tij është ajo që vepron në mënyrë të turpshme.» (Pr 12:4) Kapitulli 31 i Proverbave përshkruan rolin e nderuar, privilegjet si bashkëshorte, si dhe bekimet që do të kishte falë besnikërisë, papërtueshmërisë dhe mençurisë së saj.—Shih GRUAJA, II.
Gruaja hebreje, që ishte edhe nënë, luante një rol të madh për t’i edukuar fëmijët që të rriteshin të drejtë, të respektueshëm e të papërtuar; shpesh ajo u jepte këshilla djemve më të mëdhenj duke ndikuar për mirë tek ata. (Zn 27:5-10; Da 2:7-10; Pr 1:8; 31:1; 2Ti 1:5; 3:14, 15) Në veçanti, vajzat stërviteshin që të ishin bashkëshorte të mira, duke mësuar nga nënat artin e gatimit, të endjes, si dhe të mbarështonin shtëpinë; babai u mësonte djemve ndonjë zanat. Gjithashtu, gratë mund të flitnin lirisht me burrat e tyre (Zn 16:5, 6) dhe, herë pas here, i ndihmonin të merrnin vendimet e duhura.—Zn 21:9-13; 27:46–28:4.
Zakonisht, nusen e djalit e zgjidhnin prindërit. Mirëpo, pa dyshim sipas Ligjit, sikurse kishte ndodhur edhe më herët në rastin e Rebekës, vajzës i jepej mundësia të shprehte ndjenjat dhe dëshirën e saj për këtë çështje. (Zn 24:57, 58) Edhe pse ekzistonte poligamia, për këto marrëdhënie kishte rregulla të përcaktuara mirë, derisa Perëndia vendosi gjendjen fillestare të monogamisë pas themelimit të kongregacionit të krishterë.—Zn 2:23, 24; Mt 19:4-6; 1Ti 3:2.
Edhe ligjet ushtarake favorizonin si gruan edhe burrin, duke përjashtuar nga ushtria për një vit një burrë të sapomartuar. Kjo i jepte mundësi çiftit të përfitonte nga e drejta për të pasur fëmijë, që do të ishin një ngushëllim i madh për nënën ndërkohë që i shoqi ishte larg, e sidomos, nëse binte në betejë.—Lp 20:7; 24:5.
Ligjet ishin njësoj të rrepta si për burrat, edhe për gratë kur ishin fajtorë për kurorëshkelje, incest, marrëdhënie seksuale me kafshët apo për krime të tjera. (Le 18:6, 23; 20:10-12; Lp 22:22) Gratë nuk duhej të visheshin me rroba burrash e as burrat me rroba grash, një zakon që mund t’i hapte rrugë imoralitetit, përfshirë edhe homoseksualizmin. (Lp 22:5) Gratë përfitonin nga dobitë që sillnin Sabati, ligjet për nazirejtë, festat dhe, në përgjithësi, nga të gjitha masat e përshkruara në Ligj. (Da 20:10; Nu 6:2; Lp 12:18; 16:11, 14) Nënës duhej t’i tregohej nderim dhe bindje, ashtu si babait.—Le 19:3; 20:9; Lp 5:16; 27:16.
Privilegje në kongregacionin e krishterë. Mes atyre që Perëndia u ka bërë thirrjen qiellore (He 3:1) që të jenë bashkëtrashëgimtarë me Jezu Krishtin, s’ka dallim mes burrave e grave në kuptimin frymor. Apostulli shkroi: «Të gjithë ju jeni, në të vërtetë, bij të Perëndisë nëpërmjet besimit tuaj te Krishti . . . nuk ka as mashkull, as femër, sepse ju jeni të gjithë një person në unitet me Krishtin Jezu.» (Ga 3:26-28) Kur të ringjallen, të gjithë këta duhet të pësojnë një ndryshim të natyrës së tyre dhe bëhen pjesëmarrës «të natyrës hyjnore»; në këtë gjendje nuk do të jenë gra, sepse nuk ka krijesa frymore të seksit femër, përderisa seksi është mënyra që Perëndia ka vendosur për riprodhimin e krijesave tokësore.—2Pj 1:4.
Lajmëtare të lajmit të mirë. Gratë, që në profecinë e Joelit përmenden si «bijat» dhe «shërbyeset», ishin mes atyre që morën dhuratat e frymës së shenjtë në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s. Që prej asaj dite, gratë e krishtere që kishin marrë këto dhurata, folën në gjuhë të huaja që më parë nuk i njihnin dhe ‘profetizuan’, që nuk do të thotë se patjetër kanë bërë parashikime të ngjarjeve të rëndësishme të së ardhmes, por që kanë folur për të vërtetat e Biblës.—Jo 2:28, 29; Ve 1:13-15; 2:1-4, 13-18; shih PROFETESHË.
Ato s’ishin kufizuar të flitnin për të vërtetat e Biblës vetëm me bashkëbesimtarët e tyre. Para se të ngjitej në qiell, Jezui u kishte thënë ithtarëve të vet: «Kur fryma e shenjtë të vijë mbi ju, do të merrni fuqi e do të jeni dëshmitarët e mi në Jerusalem, në mbarë Judenë, në Samari e deri në skajin më të largët të tokës.» (Ve 1:8) Më pas, në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., kur fryma e shenjtë u derdh mbi ta, të 120 dishepujt (mes të cilëve edhe disa gra) u mbushën me fuqi që të ishin dëshmitarë të tij (Ve 1:14, 15; 2:3, 4); profecia e Joelit (2:28, 29) që u citua nga Pjetri në atë rast, u referohej edhe këtyre grave. Pra, ato renditeshin mes atyre që kishin përgjegjësinë të ishin dëshmitarë të Jezuit «në Jerusalem, në mbarë Judenë, në Samari e deri në skajin më të largët të tokës». Në harmoni me këtë, apostulli Pavël raportoi më vonë se Evodia dhe Sintikia, në Filipi, ishin ‘përpjekur krah për krah me [të] për lajmin e mirë’; kurse Luka foli për Prishilën, e cila bashkë me të shoqin, Akuilën, ‘shtjelluan udhën e Perëndisë’ në Efes.—Fi 4:2, 3; Ve 18:26.
Mbledhjet e kongregacionit. Kishte mbledhje ku këto gra mund të luteshin ose të profetizonin, me kusht që të ishin me kokë të mbuluar. (1Ko 11:3-16; shih MBULIMI I KOKËS.) Megjithatë, në ato mbledhje që ishin qartësisht publike, pra, ku mblidhej në një vend të vetëm «tërë kongregacioni» dhe ‘jobesimtarët’ (1Ko 14:23-25), gratë duhej ‘të heshtnin’. ‘Nëse donin të mësonin diçka, mund të pyesnin burrat në shtëpi, sepse për një grua ishte e turpshme të fliste në kongregacion.’—1Ko 14:31-35.
Ndonëse nuk mund të jepnin mësim në mbledhje, gratë mund të mësonin njerëzit që s’ishin pjesë e kongregacionit, por që dëshironin të mësonin të vërtetën e Biblës dhe lajmin e mirë për Jezu Krishtin (krahaso Ps 68:11), si dhe të ishin «mësuese të së mirës» për më të rejat (dhe fëmijët) në kongregacion. (Tit 2:3-5) Mirëpo, një grua nuk duhej të ushtronte autoritet mbi një burrë dhe as të debatonte me burrat, për shembull, në mbledhjet e kongregacionit. Ajo s’duhej të harronte ç’ndodhi me Evën dhe çfarë tha Perëndia për pozitën e gruas pasi Adami dhe Eva mëkatuan.—1Ti 2:11-14; Zn 3:16.
Burrat shërbejnë si mbikëqyrës, shërbëtorë ndihmës. Kur flet për ‘dhuratat në njerëz’ që Krishti i dha kongregacionit, Bibla nuk përmend gratë. Fjalët «apostuj», «profetë», «ungjillëzues», «barinj» dhe «mësues» janë të gjitha në gjininë mashkullore. (Ef 4:8, 11) Një version i Biblës (American Version) e përkthen kështu Efesianëve 4:11: «Ai na ka dhënë disa burra si apostuj, disa si profetë, disa si misionarë, disa si pastorë e mësues.»—Krahaso BR, Dio; edhe Ps 68:18.
Tërësisht në përputhje me sa më lart, kur i shkroi Timoteut për kualifikimet e nevojshme për të shërbyer në kongregacion si «mbikëqyrës» (epískopoi)—që ishin edhe «pleq» (presbíteroi)—dhe si «shërbëtorë ndihmës» (diákonoi), apostulli Pavël tha në mënyrë specifike se ata duhej të ishin burra dhe, nëse ishin të martuar, ‘burra të një gruaje të vetme’. Askush nga apostujt nuk foli ndonjëherë për ndonjë përgjegjësi si «dhjake» (diakónissa).—1Ti 3:1-13; Tit 1:5-9; krahaso Ve 20:17, 28; Fi 1:1.
Edhe pse për Febën thuhet (Ro 16:1) se «po shërben» (diákonos, pa nyjën shquese në greqisht, fjalë për fjalë «shërbëtor»), është e qartë se ajo nuk ishte shërbëtore ndihmëse e emëruar në kongregacion, sepse Shkrimet nuk lënë vend për një gjë të tillë. Apostulli nuk i tha kongregacionit që të merrte udhëzime prej saj, përkundrazi, ta mirëpriste dhe ‘ta ndihmonte për çdo çështje që mund të kishte nevojë për ta’. (Ro 16:2) Me sa duket, Pavli e kishte fjalën për përhapjen e lajmit të mirë dhe po e përmendte Febën si një shërbëtore të krishterë në kongregacionin e Kenkresë.—Krahaso Ve 2:17, 18.
Në shtëpi. Në Shkrime gruaja përshkruhet si ‘një enë më e dobët’ dhe burri duhet ta trajtojë si të tillë. (1Pj 3:7) Ajo ka shumë privilegje. Me miratimin e burrit e nën drejtimin e tij, merr pjesë në edukimin e fëmijëve dhe, në përgjithësi, administron shtëpinë. (1Ti 5:14; 1Pj 3:1, 2; Pr 1:8; 6:20; kap 31) Ka për detyrë të jetë e nënshtruar ndaj burrit. (Ef 5:22-24) Gruaja duhet të plotësojë detyrimin martesor ndaj të shoqit.—1Ko 7:3-5.
Stolisja. Askund në Bibël nuk dënohet veshja e rrobave të stolisura apo mbajtja e bizhuterive, megjithatë Shkrimet urdhërojnë që kjo të bëhet gjithmonë me modesti e hijeshi. Apostulli porosit që veshjet femërore të jenë të rregullta dhe që gratë të stolisen «me modesti dhe mendje të shëndoshë». Nuk i duhet dhënë një rëndësi e tepruar stilit të flokëve, zbukurimeve apo veshjeve të shtrenjta, përkundrazi, rëndësi kanë ato gjëra që zbukurojnë frymësisht, pra, ‘veprat e mira’ dhe «njeriu i fshehtë i zemrës me veshjen e paprishshme të frymës së qetë e të butë».—1Ti 2:9, 10; 1Pj 3:3, 4; krahaso Pr 11:16, 22; 31:30.
Për gratë e nënshtruara, me një sjellje të dëlirë, plot respekt e perëndishmëri, apostulli Pjetër thotë: «Ju jeni bija [të Sarës], po të vazhdoni të bëni të mirën, dhe nuk do të keni asnjë shkak për tmerr.» Grave të tilla u jepet një mundësi e shkëlqyer, jo si pasardhëse gjaku të Sarës, por ngaqë e imitojnë atë. Sara pati privilegjin të lindte Isakun e të bëhej paraardhëse e Jezu Krishtit, i cili është pjesa kryesore e ‘farës së Abrahamit’. (Ga 3:16) Kështu pra, bashkëshortet e krishtere, kur sillen si «bija» të Sarës edhe ndaj burrave jobesimtarë, kanë sigurinë se do të marrin një shpërblim të madh nga Perëndia.—1Pj 3:6; Zn 18:11, 12; 1Ko 7:12-16.
Gra që i shërbyen Jezuit. Gratë patën privilegje edhe gjatë shërbimit të Jezuit në tokë, ndonëse jo si ato që kishin 12 apostujt dhe 70 ungjillëzuesit. (Mt 10:1-8; Lu 10:1-7) Mjaft gra i shërbyen Jezuit duke përdorur pasuritë e tyre. (Lu 8:1-3) Njëra e leu me vaj pak ditë para se ai të vdiste, dhe për këtë gjest Jezui premtoi: «Kudo që të predikohet lajmi i mirë në mbarë botën, edhe ajo që bëri kjo grua, do të tregohet në kujtim të saj.» (Mt 26:6-13; Gjo 12:1-8) Ditën kur u ringjall, Jezui iu shfaq disa grave, e po kështu bëri edhe kohë më vonë.—Mt 28:1-10; Gjo 20:1-18.
Përdorimi i figurshëm. Në disa raste, gratë janë përdorur në mënyrë simbolike për të përfaqësuar kongregacione ose organizata. Gjithashtu simbolizojnë edhe qytete. Kongregacioni i Jezuit, i ngritur në lavdi, është quajtur ‘nusja’ e tij, e cila është dhe ‘qyteti i shenjtë, Jerusalemi i Ri’.—Gjo 3:29; Zb 21:2, 9; 19:7; krahaso Ef 5:23-27; Mt 9:15; Mr 2:20; Lu 5:34, 35.
Jehovai e quajti kongregacionin apo kombin e Izraelit ‘gruan’ e tij, kurse ai ishte ‘burri’ i saj, për shkak të marrëdhënies që ekzistonte mes tyre falë besëlidhjes së Ligjit. Në profecitë e rivendosjes ai i drejtohet kështu Izraelit, disa herë duke ia drejtuar fjalët Jerusalemit, kryeqytetit të kombit. «Bijtë» dhe «bijat» (Is 43:5-7) e kësaj gruaje ishin pjesëtarët e kombit të Izraelit.—Is 51:17-23; 52:1, 2; 54:1, 5, 6, 11-13; 66:10-12; Jr 3:14; 31:31, 32.
Në shumë raste të tjera, në hebraisht, disa kombe ose qytete përmenden në gjininë femërore ose personifikohen si gra. Ja disa shembuj: Moabi (Jr 48:41), Egjipti (Jr 46:11), Rabahu i Amonit (Jr 49:2), Babilonia (Jr 51:13) dhe Babilonia e Madhe simbolike.—Zb 17:1-6; shih BABILONIA E MADHE; BIJA, VAJZA.
‘Gruaja’ e Zanafillës 3:15. Kur dënoi prindërit e parë të njerëzimit, Adamin dhe Evën, Perëndia premtoi një farë që do të vinte nga një ‘grua’ dhe do t’i shtypte kokën gjarprit. (Zn 3:15) Ky ishte një ‘sekret i shenjtë’, të cilin Perëndia kishte si qëllim ta zbulonte në kohën e duhur. (Kl 1:26) Konteksti në të cilin u dha ky premtim profetik, na jep ca shkëndija për ta identifikuar këtë ‘grua’. Meqë fara e saj do të shtypte kokën e gjarprit, nuk bëhej fjalë thjesht për një farë njerëzore, pasi Shkrimet tregojnë se fjalët e Perëndisë nuk iu drejtuan një gjarpri të mirëfilltë këtu në tokë. Zbulesa 12:9 tregon se «gjarpri» është Satana Djalli, një person frymor. Për rrjedhojë, edhe ‘gruaja’ e profecisë nuk mund të jetë njerëzore, si për shembull, Maria, nëna e Jezuit. Apostulli hedh dritë mbi këtë çështje te Galatasve 4:21-31.—Shih FARA.
Në këto vargje, apostulli flet për gruan e lirë të Abrahamit dhe për konkubinën e tij, Agarën, dhe thotë se Agara përkon me qytetin e mirëfilltë të Jerusalemit nën besëlidhjen e Ligjit; «fëmijët» e saj janë qytetarët e kombit jude. Pavli thotë se gruaja e Abrahamit, Sara, përkon me ‘Jerusalemin lart’, që është nëna frymore e Pavlit dhe e shokëve të tij të lindur nga fryma. Kjo ‘nënë’ qiellore është edhe «nëna» e Krishtit, më të madhit nga vëllezërit e tij frymorë, dhe të gjithë kanë Perëndinë si Atin e tyre.—He 2:11, 12; shih GRUAJA E LIRË.
Në mënyrë të logjikshme dhe në përputhje me këtë, mund të themi se ‘gruaja’ e Zanafillës 3:15 është ‘grua’ frymore. Dhe meqë ‘nusja’ ose ‘gruaja’ e Krishtit nuk është thjesht një grua, por një grup i përbërë nga shumë pjesëtarë frymorë (Zb 21:9), edhe ‘gruaja’ e Perëndisë (e parathënë në mënyrë profetike në fjalët e Isaisë dhe Jeremisë të cituara më lart) e cila lind bijtë frymorë të Tij, i bie të jetë e përbërë nga shumë persona frymorë. Pra, është një grup personash, një organizatë qiellore.
Kjo «grua» përshkruhet në vegimin e Gjonit, në kapitullin 12 të Zbulesës. Ajo shfaqet tek lind një djalë, një sundimtar, «i cili do të sundojë mbi të gjitha kombet me një shkop të hekurt». (Krahaso Ps 2:6-9; 110:1, 2.) Gjoni e mori këtë vegim shumë kohë pas lindjes së Jezuit si njeri dhe mirosjes së tij si Mesia i Perëndisë. Meqë është e qartë se bëhet fjalë për të njëjtin person, nuk ka të bëjë me lindjen e Jezuit si njeri, por me një ngjarje tjetër, domethënë, kurorëzimin e tij si Mbret i Mbretërisë. Pra, këtu portretizohet lindja e Mbretërisë mesianike të Perëndisë.
Më tej, Satanai tregohet teksa përndjek «gruan» dhe lufton me «mbetjen e farës së saj». (Zb 12:13, 17) Meqë ‘gruaja’ është qiellore, kurse Satanai në atë kohë ishte hedhur poshtë në tokë (Zb 12:7-9), ai nuk mund t’i prekte dot ata persona qiellorë që përbënin ‘gruan’, por mund të prekte ata që kishin mbetur nga ‘fara’ e saj, fëmijët e saj, vëllezërit e Jezuit që ishin ende në tokë. Në këtë kuptim ai e përndoqi ‘gruan’.
Përdorime të tjera. Kur e paralajmëroi Izraelin për zinë e bukës që do ta godiste po të tregohej i pabindur e të thyente besëlidhjen me të, Perëndia tha: «Dhjetë gra do ta pjekin bukën në një furrë të vetme dhe buka do t’ju jepet me peshë.» Aq e rëndë do të ishte zia e bukës, saqë dhjetë grave do t’u mjaftonte vetëm një furrë, ndërkohë që normalisht secila do të kishte përdorur të vetën.—Le 26:26.
Pasi e paralajmëroi Izraelin për gjëmat që do të binin mbi të ngaqë nuk ishte treguar besnik, Jehovai tha përmes profetit Isaia: «Atë ditë shtatë gra do të kapin një burrë dhe do t’i thonë: ‘Ne do të hamë bukën tonë dhe do të veshim mantelet tona, veç të mbajmë emrin tënd, që të na hiqet poshtërimi.’» (Is 4:1) Dy vargje më sipër (Is 3:25, 26) Perëndia kishte thënë se burrat e Izraelit do të binin në luftë. Kështu, Perëndia po i thoshte Izraelit se në këto kushte meshkujt do të pakësoheshin deri në atë pikë, sa disa gra do të shkonin pas një burri të vetëm. Ato do të ishin të kënaqura të mbanin emrin e tij e të kishin sadopak vëmendjen e një burri, paçka se do t’u duhej ta ndanin me gra të tjera. Ishin të gatshme të pranonin poligaminë apo të ishin konkubina, mjaft që të kishin qoftë edhe fare pak pjesë në jetën e një burri. Kësisoj, do të hiqnin nga vetja në njëfarë mase poshtërimin si të veja, të pamartuara apo pa fëmijë.
Në një profeci ngushëlluese për Izraelin, Jehovai tha: «Deri kur do të vërtitesh andej-këtej, o bijë e pabesë? Jehovai ka krijuar një gjë të re në tokë: një grua do t’i vijë rrotull një burri.» («Gruan që kërkon ta bëjë për vete burrin.» Dio) (Jr 31:22) Deri në atë kohë Izraeli, që kishte një marrëdhënie martesore me Perëndinë falë besëlidhjes së Ligjit, nuk ishte treguar besnik dhe ishte vërtitur «andej-këtej». Tani Jehovai e fton ‘virgjëreshën e Izraelit’ të vendosë gurë e shenja që do ta drejtonin për t’u kthyer dhe ta ketë për zemër rrugën e kthimit. (Jr 31:21) Jehovai do të vendoste tek ajo frymën e tij, në mënyrë që ajo të kishte dëshirë të madhe për t’u kthyer. Pra, ashtu si një grua i vjen rrotull të shoqit që të rregullojë marrëdhëniet me të, edhe Izraeli do t’i vinte rrotull Perëndisë Jehova, burrit të vet, që të rregullonte përsëri marrëdhëniet me të.
‘Dëshira e grave.’ Profecia e Danielit thotë për «mbretin e veriut»: «Ai nuk do të marrë parasysh Perëndinë e etërve të tij. Nuk do të marrë parasysh as dëshirën e grave, as të ndonjë perëndie tjetër, por do të madhërohet mbi këdo. Në pozitën e tij, do t’i japë lavdi perëndisë së fortesave.» (Dn 11:37, 38) ‘Gratë’ mund të përfaqësojnë në këtë rast kombet më të dobëta, të cilat si enë më të dobëta, bëhen shërbëtore të «mbretit të veriut». Ndonëse ato kanë perënditë e tyre, të cilat i duan dhe i adhurojnë, «mbreti i veriut» i shpërfill dhe i jep lavdi perëndisë së militarizmit.
«Karkaleca» simbolikë. Në vegimin e Zbulesës 9:1-11, ‘karkalecat’ simbolikë «flokët i kishin si flokë grash». Sipas parimit biblik, flokët e gjatë të grave janë shenjë e nënshtrimit të tyre ndaj kryesisë së burrit. Në përputhje me këtë, flokët e këtyre ‘karkalecave’ simbolikë janë shenjë e nënshtrimit të atyre që simbolizojnë ndaj atij që, sipas profecisë, është kreu dhe mbreti i tyre.—Shih ABADONI.
144.000 që «nuk janë ndotur me gra». Te Zbulesa 14:1-4 tregohet se bashkë me Qengjin në Malin e Sionit qëndronin 144.000 persona që «ishin blerë nga toka. Këta nuk janë ndotur me gra, pra, janë të virgjër». Këta kanë me Qengjin një marrëdhënie më të ngushtë se kushdo tjetër, pasi janë të vetmit që mund të mësojnë ‘këngën e re’. (Zb 14:1-4) Kjo tregon se ata përbëjnë «nusen» e Qengjit. (Zb 21:9) Janë persona frymorë, siç e tregon edhe fakti që qëndrojnë në malin qiellor të Sionit bashkë me Qengjin. Prandaj, shprehja «nuk janë ndotur me gra» dhe janë «të virgjër» nuk do të thotë se asnjë nga 144.000-t nuk është martuar kurrë, sepse Shkrimet nuk i ndalojnë të martohen bashkëtrashëgimtarët e Krishtit në tokë. (1Ti 3:2; 4:1, 3) As nënkupton se të gjithë këta 144.000 ishin burra, pasi «nuk ka as mashkull, as femër» në marrëdhëniet frymore mes bashkëtrashëgimtarëve të Krishtit. (Ga 3:28) Për këtë arsye, ‘gratë’ duhet të jenë simbolike, pa dyshim organizata fetare si Babilonia e Madhe dhe ‘bijat’ e saj. Nëse dikush bashkohet dhe bën pjesë në këto organizata fetare të rreme, nuk mund të mbetet i panjollë. (Zb 17:5) Ky përshkrim simbolik përputhet me kërkesën e Ligjit, sipas së cilës kryeprifti i Izraelit mund të martohej vetëm me një virgjëreshë, sepse edhe Jezu Krishti është Kryeprifti i madh i Jehovait.—Le 21:10, 14; 2Ko 11:2; He 7:26.
Për të kuptuar pse Jezui iu drejtua Marisë me termin «grua», shih MARIA nr. 1 (Jezui e respektoi dhe e deshi).