Të identifikojmë llojin e drejtë të lajmëtarit
«Unë jam . . . Ai që bën të vërtetohet fjala e shërbëtorit të tij dhe Ai që çon plotësisht në vend këshillën e lajmëtarëve të vet.»—ISAIA 44:25, 26, BR.
1. Si e identifikon Jehovai llojin e drejtë të lajmëtarëve dhe si i demaskon ai ata që janë të rremë?
PERËNDIA JEHOVA është Identifikuesi i Madh i lajmëtarëve të tij të vërtetë. Ai i identifikon ata, duke bërë që mesazhet që jep nëpërmjet tyre të vërtetohen. Jehovai është, gjithashtu, Demaskuesi i Madh i lajmëtarëve të rremë. Si i demaskon ai ata? Ai prish shenjat dhe parashikimet e tyre. Në këtë mënyrë, ai tregon se ata janë parashikues të vetemëruar, mesazhet e të cilëve burojnë në të vërtetë nga arsyetimet e tyre të rreme, po, nga mendimet e tyre të marra e mishore!
2. Çfarë konflikti lindi mes lajmëtarëve në kohën e izraelitëve?
2 Isaia dhe Ezekieli pohuan të dy se ishin lajmëtarë të Perëndisë Jehova. A ishin në të vërtetë? Le ta shohim. Isaia profetizoi në Jerusalem përafërsisht nga viti 778 p.e.s. deri diku pas vitit 732 p.e.s. Në vitin 617 p.e.s., Ezekieli kishte mërguar në Babiloni dhe u profetizoi vëllezërve të tij judenj, të mërguar atje. Të dy këta profetë shpallën me guxim se Jerusalemi do të shkatërrohej. Profetë të tjerë thoshin se Perëndia nuk do të lejonte që të ndodhte një gjë e tillë. Cilët dolën se ishin lloji i drejtë i lajmëtarëve?
Jehovai demaskon profetët e rremë
3, 4. (a) Cilat dy mesazhe kontradiktore u ishin dhënë izraelitëve në Babiloni dhe si e demaskoi Jehovai një lajmëtar të rremë? (b) Çfarë tha Jehovai se do të ndodhte me profetët e rremë?
3 Gjatë kohës që ishte në Babiloni, Ezekielit iu dha një vizion lidhur me atë që po ndodhte në tempullin e Jerusalemit. Në hyrje të portës lindore të tij, gjendeshin 25 burra. Në mes tyre ndodheshin dy princa, Jaazaniahu dhe Pelatiahu. Si i shikonte Jehovai ata? Ezekieli 11:2, 3 përgjigjet: «Bir i njeriut, këta janë njerëzit që kurdisin dëmin dhe japin këshillë të keqe kundër këtij qyteti; që thonë: ‘A nuk është pranë ndërtimi i shtëpive?’» (BR) Këta lajmëtarë të pacipë të paqes, po thoshin: «Nuk ka asnjë rrezik për Jerusalemin. Pse jo, së shpejti do të ndërtojmë më shumë shtëpi në të!» Prandaj, Perëndia i tha Ezekielit që të kundërprofetizonte kundër këtyre profetëve gënjeshtarë. Në vargun 13 të kreut 11, Ezekieli 11:13 na tregon se çfarë ndodhi me njërin prej tyre: «Ndodhi që, ndërsa unë profetizoja, Pelatiahu, bir i Benajahut vetë, vdiq.» Ndoshta kjo ndodhi, për shkak se Pelatiahu ishte princi më i shquar e më me ndikim dhe idhujtari më kryesor. Vdekja e tij e menjëhershme tregoi se ai ishte një profet i rremë.
4 Ekzekutimi i Pelatiahut nga ana e Jehovait nuk i ndali profetët e tjerë të rremë që të gënjenin në emër të Perëndisë. Këta mashtrues vazhduan në rrugën e tyre të marrë, duke parashikuar gjëra kundër vullnetit të Perëndisë. Kështu, Perëndia Jehova i tha Ezekielit: «Mjerë profetët e marrë, që ecin sipas frymës së tyre, kur nuk kanë parë asgjë!» Njësoj si Pelatiahu, ata nuk do të ishin «kurrë më», sepse në mënyrë kundërshtuese parashikonin për Jerusalemin «një vegim paqeje, ndërkohë që paqe nuk ka».—Ezekieli 13:3, 15, 16, BR.
5, 6. Pavarësisht nga të gjithë lajmëtarët e rremë, si u shfajësua Isaia si një profet i vërtetë?
5 Sa për Isainë, të gjitha mesazhet e tij hyjnore për Jerusalemin u vërtetuan. Në verën e vitit 607 p.e.s., babilonasit shkatërruan qytetin dhe morën me vete si robër në Babiloni një mbetje judenjsh. (2. Kronikave 36:15-21; Ezekieli 22:28; Danieli 9:2) A i ndalën këto katastrofa profetët e rremë, që të bombardonin popullin e Perëndisë me llomotitje të kota? Jo, ata lajmëtarë gënjeshtarë nuk hoqën dorë prej tyre!
6 Sikur të mos mjaftonte kjo, izraelitët e mërguar ishin, gjithashtu, të ekspozuar ndaj fallxhorëve mburravecë, parashikuesve dhe astrologëve të Babilonisë. Gjithsesi, Jehovai provoi se të gjithë këta lajmëtarë të rremë ishin të marrë të mundur, që profetizonin të kundërtën e asaj që duhej të ndodhte. Në kohën e duhur, ai tregoi se Ezekieli ishte lajmëtari i tij i vërtetë, siç ishte edhe Isaia. Jehovai përmbushi të gjitha fjalët e tij, që kishte thënë nëpërmjet tyre, ashtu siç kishte premtuar: «Unë prish shenjat e atyre që bëjnë fjalime boshe, jam Ai që i bëj të veprojnë marrëzisht vetë parashikuesit; Ai që kthen mbrapsht njerëzit e mençur, Ai që kthen vetë njohurinë e tyre në budallallëk; Ai që bën të vërtetohet fjala e shërbëtorit të tij dhe Ai që çon plotësisht në vend këshillën e lajmëtarëve të vet.»—Isaia 44:25, 26.
Mesazhe tronditëse për Babiloninë dhe Jerusalemin
7, 8. Çfarë mesazhi të frymëzuar kishte Isaia për Babiloninë dhe çfarë nënkuptonin fjalët e tij?
7 Juda dhe Jerusalemi do të shkretoheshin, duke mos mbetur këmbë njeriu për 70 vjet. Megjithatë, Jehovai deklaroi përmes Isaisë dhe Ezekielit se qyteti do të rindërtohej dhe vendi do të banohej pikërisht në kohën që ai kishte parathënë! Ky ishte një parashikim mahnitës. Përse? Për shkak se Babilonisë i kishte dalë nami se nuk i lironte kurrë të burgosurit e vet. (Isaia 14:4, 15-17) Atëherë kush do të kishte mundësi t’i lironte këta robër? Kush do të mund ta rrëzonte Babiloninë e fuqishme, me muret e saj kolosale dhe me sistemin mbrojtës lumor? E pra, i Plotfuqishmi Jehova do të mundte! Ai tha se do ta bënte: «Unë jam . . . Ai që i thotë thellësisë ujore [që është mbrojtja ujore e qytetit], ‘Avullohu; dhe unë do të thaj të gjithë lumenjtë e tu’; Ai që thotë për Kirin ‘Ai është bariu im dhe të gjitha ato që më kënaqin, ai do t’i kryejë plotësisht’; madje edhe thënien time për Jerusalemin. ‘Do të rindërtohet’ dhe për tempullin ‘Do të hidhen themelet e tua’.»—Isaia 44:25, 27, 28, BR.
8 Mendo pak lidhur me këtë! Lumi Eufrat, një pengesë vërtet e frikshme për njerëzit, për Jehovain ishte si një pikë ujë mbi një sipërfaqe shumë të nxehtë. Fap! Pengesa do të avullonte menjëherë! Babilonia do të binte. Edhe pse pothuaj 150 vjet para lindjes së Kirit të Persisë, Jehovai kishte parathënë nëpërmjet Isaisë se ky mbret do të zinte rob Babiloninë, do të lironte robërit judenj, duke autorizuar kthimin e tyre, për të rindërtuar Jerusalemin dhe tempullin e tij.
9. Kë caktoi Jehovai si agjent të tij për ndëshkimin e Babilonisë?
9 Këtë profeci e gjejmë në Isainë 45:1-3: «Kjo është ajo që Jehovai i ka thënë të mirosurit të tij, Kirit, dorën e djathtë të të cilit e mora, për të nënshtruar përpara tij kombet, . . . për të hapur përpara tij dyert me dy kanate, që as portat të mos mbyllen: ‘Para teje do të shkoj unë vetë dhe do të sheshoj vendet e ngritura. Do të copëtoj dyert prej bakri dhe do të thyej shufrat prej hekuri. Do të të jap thesaret në errësirë dhe thesaret e fshehura në vendet e fshehta, me qëllim që ti të njohësh që unë jam Jehovai, Ai që të thërret në emër.’»—BR.
10. Në ç’mënyrë Kiri ishte «i mirosur» dhe si mund të fliste Jehovai për të më shumë se njëqind vjet para se të lindte?
10 Vëre se Jehovai i flet Kirit sikur të ishte tashmë i gjallë. Kjo gjë përputhet me pohimin e Pavlit se Jehovai «i thërret gjërat që nuk janë, sikur të ishin». (Romakëve 4:17) Veç kësaj, Perëndia e identifikon Kirin si ‘të mirosurin e tij’. Përse e bëri këtë? Në fund të fundit, prifti i lartë i Jehovait nuk kishte hedhur kurrë vajin e shenjtë të mirosjes mbi kryet e Kirit. Është e vërtetë, por kjo është një mirosje profetike. Ajo tregon vendosjen në një pozitë të lartë të veçantë. Për këtë arsye, Perëndia mund të fliste që më parë për emërimin e Kirit si një mirosje.—Krahaso 1. Mbretërve 19:15-17; 2. Mbretërve 8:13.
Perëndia përmbush fjalët e lajmëtarëve të tij
11. Përse banorët e Babilonisë ndiheshin të sigurt?
11 Në kohën kur Kiri u ngrit kundër Babilonisë, qytetarët e saj ndiheshin shumë të sigurt e të qetë. Qyteti i tyre ishte i rrethuar nga një hendek ujor mbrojtës i thellë dhe i gjerë, i formuar nga lumi Eufrat. Përgjatë anës lindore të lumit, që kalonte mespërmes qytetit, gjendej një mol i vazhdueshëm. Për ta ndarë atë nga qyteti, Nabukodonosori ndërtoi atë që ai e quajti «një mur i madh, i cili njësoj si një mal nuk mund të lëvizej . . . Maja e tij [ai] arrinte lartësinë e malit».a Ky mur kishte porta me dyer të mëdha prej bakri dhe për të hyrë atje, një njeri duhej të ngjiste shpatin e pjerrët të anës së lumit. S’është për t’u çuditur, pra, që të burgosurit e Babilonisë kishin humbur çdo shpresë se mund të liroheshin ndonjëherë!
12, 13. Si u vërtetuan fjalët e Jehovait të thëna nëpërmjet lajmëtarit Isaia, kur Babilonia ra në duart e Kirit?
12 Por jo ata robër judenj që kishin besim në Jehovain! Ata kishin një shpresë të gjallë. Nëpërmjet profetëve të tij, Perëndia kishte premtuar se do t’i lironte. Si e plotësoi Perëndia premtimin e tij? Kiri urdhëroi trupat e tij ushtarake që të devijonin lumin Eufrat disa kilomentra në veri të Babilonisë. Në këtë mënyrë, mbrojta kryesore e qytetit ishte kthyer pak a shumë në një shtrat lumi të tharë. Atë natë kritike, pijanecët shamataxhinj në Babiloni, i lanë pa kujdes hapur portat me dy kanate përgjatë digës së Eufratit. Jehovai nuk copëtoi në kuptimin e vërtetë dyert prej bakri, as nuk këputi shufrat prej hekuri që i mbyllnin ato, por manovrimi i mrekullueshëm i tij, për t’i lënë hapur dhe pa lloz pati të njëjtin efekt. Muret e Babilonisë ishin të pavlefshme. Trupat e Kirit nuk kishin pse të ngjiteshin nëpër to, për të hyrë brenda. Jehovai shkoi përpara Kirit, duke hequr «pjesët e ngritura të vendit», po, të gjitha pengesat. U provua se Isaia ishte lajmëtari i vërtetë i Perëndisë.
13 Kur Kiri ushtronte kontroll të plotë mbi qytetin, të gjitha thesaret e qytetit ranë në duart e tij, duke përfshirë edhe ato të fshehura në errësirë dhe në dhoma të fshehta. Përse e bëri Perëndia Jehova gjithë këtë për Kirin? Që ai ta dinte se Jehovai, ‘Ai që e thërriste në emër’, është Perëndia i profecisë së vërtetë dhe Zotëria Sovran i universit. Ai duhej ta dinte se Perëndia e kishte rregulluar, që ai të vinte në fuqi, për të liruar popullin e Tij, Izraelin.
14, 15. Si e dimë se Kiri duhej t’ia jepte meritën Jehovait për fitoren e tij mbi Babiloninë?
14 Vëru veshin fjalëve të Jehovait drejtuar Kirit: «Për hir të shërbëtorit tim, Jakobit, dhe të të zgjedhurit tim, Izraelit, unë të thërrita në emër; të dhashë një emër nderi, megjithëse ti nuk më njihje. Unë jam Jehovai dhe nuk ka asnjë tjetër. Nuk ka Perëndi tjetër veç meje. Do të të rrethoj fort, megjithëse ti nuk më ke njohur, me qëllim që popujt që ku lind dielli e deri ku perëndon, të njohin se nuk ka tjetër veç meje. Unë jam Jehovai dhe nuk ka asnjë tjetër. Duke formuar dritën dhe duke krijuar terrin, duke vendosur paqen [d.m.th., për popullin e tij të mërguar] dhe duke krijuar katastrofë [për Babiloninë], unë, Jehovai, bëj të gjitha këto gjëra.»—Isaia 45:4-7, BR.
15 Kiri duhej t’ia jepte Jehovait meritën për pushtimin e Babilonisë nga ana e tij, sepse ai ishte Ai që e kishte forcuar për të çuar në fund kënaqësinë e Tij kundër atij qyteti të lig dhe për të çliruar popullin e Tij të kapur rob. Duke bërë kështu, Perëndia kërkoi nga qiejt e tij që të lëshonin poshtë ndikimet apo forcat e drejta. Ai kërkoi nga toka e tij që të hapej e të prodhonte ngjarje të drejta dhe shpëtim për popullin e tij të mërguar. Në fakt, qiejt dhe toka e tij figurative iu përgjigjën këtij urdhri. (Isaia 45:8) Më shumë se njëqind vjet pas vdekjes së tij, u tregua se Isaia ishte lajmëtar i vërtetë i Jehovait.
Lajmi i mirë i lajmëtarit për Sionin!
16. Cili lajm i mirë mund të shpallej në qytetin e shkretuar të Jerusalemit, kur Babilonia u shpartallua?
16 Por jo vetëm kaq. Isaia 52:7 flet mbi lajmin e mirë për Jerusalemin: «Sa të bukura janë mbi male, këmbët e atij që sjell lajme të mira, të atij që shpall paqen, të atij që sjell lajmin e mirë për diçka më të mirë, të atij që shpall shpëtimin, të atij që i thotë Sionit: ‘Perëndia yt u bë mbret!’» (BR) Imagjino se sa rrëqethëse ishte të shihje një lajmëtar, tek i afrohej Jerusalemit nga malet! Ai duhet të ketë një lajm. Cili është ai? Është lajmi emocionues për Sionin. Lajmi i paqes, po, lajmi i vullnetit të mirë të Perëndisë. Jerusalemi dhe tempulli i tij do të rindërtohen. Pra, lajmëtari shpall me një entuziazëm triumfues: «Perëndia yt u bë mbret!»
17, 18. Si ndikoi mbi vetë emrin e Jehovait shpartallimi i Babilonisë nga ana e Kirit?
17 Kur Jehovai lejoi që babilonasit të përmbysnin fronin e tij tipik, mbi të cilin ishin ulur mbretërit e dinastisë së Davidit, mund të jetë dukur se Ai nuk ishte më mbret. U duk se në vend të tij ishte mbret Marduku, perëndia kryesor i Babilonisë. Por kur Perëndia i Sionit rrëzoi Babiloninë, tregoi sovranitetin e tij universal, tregoi se ai ishte Mbreti më i madh. Për të nënvizuar këtë fakt, Jerusalemi, «qyteti i Mbretit të madh», do të rivendosej bashkë me tempullin e tij. (Mateu 5:35) Sa për lajmëtarin që solli këtë lajm të mirë, edhe pse këmbët e tij ishin me pluhur, të ndotura dhe të mavijosura, për sytë e dashuruesve të Sionit dhe të Perëndisë së tij, ato dukeshin, oh, sa të bukura!
18 Në një kuptim profetik, rënia e Babilonisë do të thoshte se mbretëria e Perëndisë u vendos dhe prurësi i lajmit të mirë ishte një shpallës i këtij fakti. Për më tepër, ky korrier i lashtë i parathënë përmes Isaisë jepte përfytyrimin e lajmëtarit të një lajmi të mirë më të madh; më të madh për shkak të përmbajtjes sublime dhe temës së tij të Mbretërisë me implikime të mrekullueshme për të gjithë njerëzit e besimit.
19. Çfarë mesazhi dha Jehovai nëpërmjet Ezekielit për tokën e Izraelit?
19 Edhe Ezekielit iu dhanë profeci të shkëlqyeshme lidhur me restaurimin. Ai profetizoi: «Kjo është ajo që ka thënë Zotëria Sovran Jehova: “ . . . Do të bëj, gjithashtu, që qytetet të banohen dhe vendet e shkretuara duhet të rindërtohen. Dhe njerëzit me siguri do të thonë: ‘Ai vend atje që shtrihej i shkretë, është bërë si kopshti i Edenit.’”»—Ezekieli 36:33, 35, BR.
20. Cilën thirrje të hareshme i bëri Isaia Jerusalemit në mënyrë profetike?
20 Nën robërinë babilonase, populli i Perëndisë kishte mbajtur zi për Sionin. (Psalmi 137:1) Tani, ata mund të gëzonin. Isaia bëri thirrje: «Bëhuni të hareshëm, bashkohuni në britma gëzimi, ju vende të shkretuara të Jerusalemit, sepse Jehovai ka ngushëlluar popullin e tij; ai e ka riblerë Jerusalemin. Jehovai ka shtrirë krahun e tij të shenjtë para syve të të gjitha kombeve; dhe të gjitha skajet e tokës duhet të shohin shpëtimin e Perëndisë sonë.»—Isaia 52:9, 10, BR.
21. Si u përmbushën fjalët e Isaisë 52:9, 10 pas shpartallimit të Babilonisë?
21 Po, populli i zgjedhur i Jehovait kishte goxha arsye për t’u gëzuar. Tani, ata po shkonin për të ripushtuar ato vende dikur të shkretuara, për t’i kthyer si kopshti i Edenit. Jehovai kishte «shtrirë krahun e tij të shenjtë» për ta. E thënë në mënyrë figurative, ai kishte përveshur mëngët, për të punuar për kthimin e tyre në vendlindjen e dashur. Kjo nuk ishte një ngjarje e parëndësishme, që s’binte në sy në histori. Jo, të gjithë popujt që jetonin në atë kohë, panë ‘krahun e shtrirë’ të Perëndisë, që ushtronte fuqi në çështjet njerëzore, për të sjellë shpëtimin mahnitës të një kombi. Njerëzve të kombeve u ishte dhënë një provë e pagabueshme se Isaia dhe Ezekieli ishin lajmëtarët e vërtetë të Jehovait. Askush nuk mund të kishte dyshime mbi faktin se Perëndia i Sionit ishte i vetmi Perëndi i gjallë dhe i vërtetë në të gjithë tokën. Në Isainë 35:2, lexojmë: «Do të jenë ata që do të shohin lavdinë e Jehovait, shkëlqimin e Perëndisë sonë.» (BR) Ata e pranuan këtë provë të Hyjnisë së Jehovait, u kthyen për ta adhuruar atë.
22. (a) Për ç’gjë duhet të jemi mirënjohës sot? (b) Përse duhet të jemi veçanërisht mirënjohës që Jehovai i demaskon lajmëtarët e rremë?
22 Sa mirënjohës duhet të jemi që Jehovai i identifikon lajmëtarët e tij të vërtetë! Ai është vërtet «Ai që bën të vërtetohet fjala e shërbëtorit të tij dhe Ai që çon plotësisht në vend këshillën e lajmëtarëve të vet». (Isaia 44:26) Profecitë përtëritëse që ai i dha Isaisë dhe Ezekielit, lartësojnë dashurinë e tij të madhe, dashamirësinë e pamerituar dhe mëshirën karshi shërbëtorëve të tij. Sigurisht që Jehovai meriton të gjithë lavdërimin tonë për këtë. Ndërsa sot, ne duhet të jemi veçanërisht mirënjohës që ai demaskon lajmëtarët e rremë dhe kjo sepse tani ka shumë prej tyre në skenën e botës. Mesazhet e tyre madhështore injorojnë qëllimet e shpallura të Jehovait. Artikulli vijues do të na ndihmojë, që të identifikojmë këta lajmëtarë të rremë.
[Shënimi]
a Monumentet dhe Besëlidhja e Vjetër, nga Ira Mauris Prais, 1925.
A mund të shpjegosh?
◻ Si i identifikon Jehovai lajmëtarët e tij të vërtetë?
◻ Kë caktoi Jehovai nëpërmjet Isaisë si agjent të tij për të shpartalluar Babiloninë?
◻ Si u përmbushën profecitë e Isaisë që përshkruanin shpartallimin e Babilonisë?
◻ Ç’rezultat të mirë pati mbi emrin e Jehovait shpartallimi i Babilonisë?
[Figura në faqen 9]
Babilonia dukej e pamposhtur para kombeve në ditët e Ezekielit