Kapitulli shtatë
Rikthim në adhurimin e Jehovait
1. Cilët janë emrat e dy perëndive kryesorë të Babilonisë dhe çfarë parathuhet për ta?
KUR të shkojë në mërgim në Babiloni, Izraeli do të jetë i rrethuar nga adhurimi i rremë. Në kohën e Isaisë, populli i Jehovait është ende në vendin e tij dhe ka ende tempullin dhe priftërinë. Megjithatë, shumë pjesëtarë të kombit të dedikuar të Perëndisë kanë rënë në idhujtari. Për këtë arsye, është jetësore që ata të përgatiten më përpara, në mënyrë që të mos i kenë frikë perënditë e rreme të Babilonisë ose të mos tundohen për t’u shërbyer atyre. Prandaj, duke folur në mënyrë profetike për dy nga perënditë kryesore të Babilonisë, Isaia thotë: «Beli është përkulur, Neboja është kërrusur, idhujt e tyre janë bërë për bishat e egra dhe për kafshët shtëpiake ngarkesa e tyre, pjesë bagazhi, një barrë për kafshët e lodhura.» (Isaia 46:1) Beli është perëndia-idhull, më kryesorja e kaldeasve. Neboja përnderohet si perëndi i mençurisë dhe i njohurisë. Nderimi që shumë njerëz tregojnë për këta dy perëndi shihet nga fakti që emrat e tyre janë pjesë e shumë emrave të përveçëm babilonas, si: Belshazar, Nabopolasar, Nabukodonosor dhe Nabuzaradan, për të përmendur vetëm disa.
2. Si theksohet fakti që perënditë e Babilonisë nuk kanë mundësi të ndihmojnë?
2 Isaia thotë se Beli është «përkulur» dhe Neboja «është kërrusur». Këta perëndi të rremë do të përulen. Kur Jehovai të ndërmarrë veprimet e tij gjykuese kundër Babilonisë, këta perëndi nuk do të jenë në gjendje t’u vijnë në ndihmë adhuruesve të tyre. Madje, nuk do të jenë në gjendje as të shpëtojnë veten e tyre! Beli dhe Neboja nuk do të mbarten më në procesione për në vendet e tyre të nderuara, siç ndodh, për shembull, në festën babilonase të Vitit të Ri. Në vend të kësaj, ata do të transportohen si bagazhe të zakonshme nga ata që i adhurojnë. Lëvdimi dhe adhurimi i tyre do t’u lënë vendin qesëndisjes dhe përbuzjes.
3. (a) Çfarë do t’i tronditë babilonasit? (b) Çfarë mund të mësohet sot nga ajo që u ndodhi perëndive babilonase?
3 Ç’tronditje është për babilonasit të mësojnë se idhujt e tyre, që ata i duan aq shumë, nuk janë asgjë më tepër se një barrë për t’u transportuar nga kafshë të lodhura! Sot, në mënyrë të ngjashme, perënditë e botës—gjërat ku besojnë njerëzit dhe për të cilat shpenzojnë energjitë e, madje, japin jetën—janë një iluzion. Pasuria, armatimet, kënaqësitë, sundimtarët, atdheu ose simbolet e tij dhe shumë gjëra të tjera janë kthyer në objekte devocioni. Kotësia e këtyre perëndive do të demaskohet në kohën e caktuar nga Jehovai.—Danieli 11:38; Mateu 6:24; Veprat 12:22; Filipianëve 3:19; Kolosianëve 3:5; Zbulesa 13:14, 15.
4. Në cilin kuptim «kërrusen» dhe «përkulen» perënditë e Babilonisë?
4 Duke nxjerrë më tej në pah dështimin e plotë të perëndive babilonase, profecia vazhdon: «Duhet të kërrusen; duhet të përkulen të gjithë bashkë; ata thjesht nuk janë në gjendje të sigurojnë shpëtim për barrën, por shpirti i tyre duhet të shkojë në robëri.» (Isaia 46:2) Perënditë e Babilonisë duket sikur «kërrusen» dhe «përkulen», si të ishin të plagosura në betejë ose të ligështuara nga mosha. Ato nuk mund të lehtësojnë, madje, as ngarkesën ose të sigurojnë shpëtim për kafshët e thjeshta që i mbartin. Prandaj, ndonëse rob në Babiloni, a duhet t’i nderojë ato populli që ka hyrë në një besëlidhje me Jehovain? Jo! Në mënyrë të ngjashme, shërbëtorët e mirosur të Jehovait, edhe kur ishin në robëri frymore, nuk i nderuan aspak perënditë e rreme të ‘Babilonisë së Madhe’. Këto perëndi nuk qenë në gjendje ta parandalonin rënien e saj në vitin 1919 dhe nuk do të jenë në gjendje ta shpëtojnë gjatë ‘shtrëngimit të madh’ nga katastrofa që do të bjerë mbi të.—Zbulesa 18:2, 21; Mateu 24:21.
5. Si i shmangin të krishterët sot gabimet e babilonasve që adhuronin idhujt?
5 Të krishterët e vërtetë sot nuk përkulen para asnjë lloj idhulli. (1 Gjonit 5:21) Kryqet, rruzaret dhe ikonat e shenjtorëve nuk e bëjnë më të lehtë komunikimin me Krijuesin. Ato nuk mund të ndërhyjnë në favorin tonë. Në shekullin e parë, Jezui u mësoi dishepujve të tij mënyrën e duhur për të adhuruar Perëndinë, kur tha: «Unë jam udha, e vërteta dhe jeta. Askush nuk vjen tek Ati, përveçse nëpërmjet meje. Nëse kërkoni ndonjë gjë në emrin tim, unë do ta bëj.»—Gjoni 14:6, 14.
‘Të mbartur që nga barku i nënës’
6. Si ndryshon Jehovai nga perënditë e kombeve?
6 Pasi ka demaskuar kotësinë e adhurimit të perëndive-idhuj të Babilonisë, Jehovai i thotë popullit të tij: «Më dëgjo, o shtëpi e Jakobit, dhe të gjithë ju që keni mbetur nga shtëpia e Izraelit, ju që ju kam transportuar që nga barku, që ju kam mbartur që nga barku i nënës.» (Isaia 46:3) Çfarë ndryshimi ekziston ndërmjet Jehovait dhe shëmbëlltyrave të gdhendura të Babilonisë! Perënditë e Babilonisë nuk mund të bëjnë asgjë për adhuruesit e tyre. Nëse duhet të lëvizin, ato duhen mbartur nga ndonjë kafshë barre. Në kontrast me këtë, Jehovai ka mbartur popullin e tij. Ai i ka mbështetur «që nga barku i nënës», që nga koha kur kombi u formua. Kujtimet e bukura të rasteve kur mbarteshin nga Jehovai duhet t’i nxitin judenjtë që ta shmangin adhurimin e idhujve dhe të besojnë tek ai si Ati dhe Miku i tyre.
7. Pse mund të thuhet se kujdesi i dashur i Jehovait për adhuruesit e tij është edhe më i madh se kujdesi i prindërve njerëzorë për fëmijët e tyre?
7 Jehovai ka ende fjalë të përzemërta për t’i thënë popullit të tij: «Madje, deri në pleqërinë tuaj unë jam i Njëjti; dhe deri në thinjjen tuaj unë vetë do të vazhdoj të mbështet. Unë vetë, me siguri, do të veproj, që unë vetë të mbart dhe që unë vetë të mbështet e të siguroj shpëtim.» (Isaia 46:4) Kujdesi i Jehovait për popullin e tij ia kalon shumë herë atij të prindit njerëzor më të kujdesshëm. Ndërsa fëmijët rriten, prindërit mund të ndihen gjithnjë e më pak përgjegjës për ta. Kur prindërit plaken, shpesh, fëmijët kujdesen për ta. Por me Jehovain nuk ndodh kurrë kështu. Ai nuk pushon kurrë së kujdesuri për fëmijët e tij njerëzorë, madje edhe kur këta janë të moshuar. Adhuruesit e Perëndisë sot e besojnë dhe e duan Krijuesin e tyre. Ata gjejnë ngushëllim të madh në këto fjalë të profecisë së Isaisë. Nuk kanë pse të jenë në ankth për ditët ose vitet që duhet të kalojnë ende në këtë sistem. Jehovai premton se do të ‘vazhdojë t’i mbështetë’ ata që janë në moshë të thyer, duke u dhënë forcën e nevojshme për të qëndruar e për të mbetur besnikë. Ai do t’i mbartë, do t’i forcojë dhe do t’u sigurojë shpëtim.—Hebrenjve 6:10.
Të ruhemi nga idhujt modernë
8. Cilin mëkat të pafalshëm kanë kryer disa nga bashkatdhetarët e Isaisë?
8 Imagjinoni zhgënjimin që kanë për të pësuar babilonasit, të cilët besojnë tek idhujt, kur këta të dalin krejt të padobishëm! A duhet të mendojë Izraeli se ato perëndi mund të krahasohen me Jehovain? Sigurisht që jo! Me të drejtë, Jehovai pyet: «Me kë do të më përngjasoni, me kë do të më barazoni ose me kë do të më krahasoni që t’i ngjajmë njëri-tjetrit?» (Isaia 46:5) Sa e pafalshme është që disa bashkatdhetarë të Isaisë i janë drejtuar adhurimit të statujave të pagoja, të pajeta dhe të pafuqishme! Të besosh në shëmbëlltyrat e bëra nga njeriu, të cilat nuk kanë jetë dhe nuk mund të të mbrojnë, është, në të vërtetë, marrëzi nga ana e një kombi, i cili e njeh Jehovain.
9. Përshkruani arsyetimin e palogjikshëm të disa adhuruesve të idhujve.
9 Shqyrtoni arsyetimin pa pikë logjike të adhuruesve të idhujve. Profecia vazhdon: «Ka nga ata që e shpenzojnë pa hesap arin nga qesja e tyre dhe me krahun e peshores peshojnë argjendin. Marrin me mëditje një metalpunues dhe ai e kthen në një perëndi. Ata bien përmbys, po, përkulen.» (Isaia 46:6) Adhuruesit nuk kursejnë aspak për të ndërtuar hyjninë e tyre, sikur një idhull i kushtueshëm të kishte më shumë fuqi shpëtuese sesa një i bërë me dru. Megjithatë, pavarësisht se sa shumë përpjekje janë dashur ose se sa të kushtueshme janë materialet, një idhull i pajetë mbetet idhull i pajetë dhe asgjë më tepër.
10. Si përshkruhet kotësia absolute e adhurimit të idhujve?
10 Duke nxjerrë më tej në pah marrëzinë e adhurimit të idhujve, profecia vazhdon: «E transportojnë në sup, e mbartin dhe e vendosin në vendin e vet që të qëndrojë pa lëvizur. Ai nuk lëviz nga vendi ku qëndron. Njëri, madje, e thërret, por ai nuk përgjigjet; nuk shpëton njeri nga gjendja e dëshpëruar në të cilën ndodhet.» (Isaia 46:7) Sa qesharake është t’i lutesh një shëmbëlltyre që nuk ka aftësi as të dëgjojë e as të veprojë! Psalmisti e përshkruan mirë kotësinë e këtyre objekteve të adhurimit: «Idhujt e tyre janë argjend dhe ar, vepër e duarve të njeriut. Kanë gojë, por nuk flasin, kanë sy, por nuk shohin, kanë veshë, por nuk dëgjojnë, kanë hundë, por nuk nuhasin, kanë duar, por nuk prekin, kanë këmbë, por nuk ecin; me grykën e tyre nuk nxjerrin asnjë zë. Njëlloj si ata janë ata që i bëjnë, tërë ata që u besojnë atyre.»—Psalmi 115:4-8, Dio.
«Merrni guxim»
11. Çfarë do t’i ndihmojë të lëkundurit që të ‘marrin guxim’?
11 Tani, pasi ka treguar kotësinë e adhurimit të idhujve, Jehovai i jep popullit të tij arsye përse duhet t’i shërbejnë atij: «Kujtoni këtë, që të merrni guxim. Merreni seriozisht, ju shkelës. Kujtoni gjërat e para të shumë kohëve më parë, që unë jam Hyjnori dhe që nuk ka Perëndi tjetër, as ndonjë të ngjashëm me mua.» (Isaia 46:8, 9) Ata që lëkunden ndërmjet adhurimit të vërtetë dhe idhujtarisë duhet të kujtojnë historinë. Duhet të sjellin ndër mend gjërat që ka bërë Jehovai. Kjo do t’i ndihmojë të marrin guxim dhe të bëjnë atë që është e drejtë. Do t’i ndihmojë që të kthehen në adhurimin e Jehovait.
12, 13. Në cilat beteja janë të përfshirë të krishterët dhe si mund të dalin fitimtarë?
12 Kjo nxitje nevojitet edhe sot e kësaj dite. Ashtu si izraelitët, të krishterët e sinqertë duhet të luftojnë kundër tundimeve dhe papërsosmërive të tyre. (Romakëve 7:21-24) Veç kësaj, ata gjenden në një betejë frymore me një armik të padukshëm, por jashtëzakonisht të fuqishëm. Apostulli Pavël thotë: «Ne kemi një përleshje, jo kundër gjakut e mishit, por kundër qeverive, kundër autoriteteve, kundër sundimtarëve botërorë të kësaj errësire, kundër forcave të liga frymore në vendet qiellore.»—Efesianëve 6:12.
13 Satanai dhe demonët e tij janë gati të bëjnë gjithçka që kanë në dorë për t’i larguar të krishterët nga adhurimi i vërtetë. Për të pasur sukses në këtë luftë, të krishterët duhet të ndjekin këshillat e Jehovait dhe të marrin guxim. Në ç’mënyrë? Apostulli Pavël shpjegon: «Vishni armaturën e plotë të Perëndisë, që të jeni në gjendje të qëndroni të patundur kundër intrigave të Djallit.» Jehovai nuk i dërgon shërbëtorët e tij në betejë të papajisur si duhet. Armatura e tyre frymore përfshin ‘mburojën e madhe të besimit, me të cilën do të jenë në gjendje të shuajnë të gjitha shigjetat e zjarrta të të ligut’. (Efesianëve 6:11, 16) Izraelitët ishin shkelës, sepse i shpërfillën masat frymore që kishte marrë Jehovai për ta. Nëse do të kishin reflektuar rreth veprave të fuqishme që Jehovai kreu në mënyrë të përsëritur në favor të tyre, nuk do t’i ishin drejtuar kurrë adhurimit të neveritshëm të idhujve. Le të mësojmë nga shembulli i tyre dhe le të jemi të vendosur që të mos lëkundemi kurrë në luftën për të bërë atë që është e drejtë!—1 Korintasve 10:11.
14. Te cila aftësi e drejton vëmendjen Jehovai, për të treguar se ai është i vetmi Perëndi i vërtetë?
14 Jehovai është «Ai që thotë përfundimin që në fillim dhe që prej shumë kohësh gjërat që ende nuk janë bërë; Ai që thotë: ‘Këshilla ime do të qëndrojë dhe do të bëj çdo gjë që është kënaqësia ime.’» (Isaia 46:10) Cila perëndi tjetër mund të krahasohet me Jehovain në këtë fushë? Aftësia për të parathënë të ardhmen është një provë e dukshme e hyjnisë së Krijuesit. Megjithatë, kërkohet më shumë sesa thjesht parashikim për të siguruar përmbushjen e gjërave të parathëna. Deklarata «këshilla ime do të qëndrojë» thekson pandryshueshmërinë e qëllimit që ka Perëndia. Meqenëse Jehovai ka fuqi të pakufizuar, asgjë në univers nuk mund ta ndalojë të kryejë vullnetin e tij. (Danieli 4:35) Prandaj, mund të jemi të sigurt se çdo profeci që nuk është përmbushur ende, do të dalë e vërtetë në kohën e caktuar nga Perëndia.—Isaia 55:11.
15. Drejt cilit shembull të jashtëzakonshëm të aftësisë së Jehovait për të parathënë të ardhmen na tërhiqet vëmendja?
15 Në vazhdim, profecia e Isaisë na e tërheq vëmendjen drejt një shembulli të spikatshëm të aftësisë së Jehovait për të parathënë ngjarje të ardhshme dhe për të përmbushur më pas fjalët e tij: «Ai që thërret nga lindja e diellit një zog preje, nga një vend i largët njeriun për të ekzekutuar këshillën time. Po, unë e kam thënë; unë edhe do ta sjell. Unë e kam formuar dhe unë edhe do ta bëj.» (Isaia 46:11) Si «Ai që thotë përfundimin që në fillim», Perëndia Jehova do t’i manovrojë rrethanat në çështjet njerëzore, me qëllim që të përmbushë këshillën e tij. Ai do të thërrasë Kirin «nga lindja e diellit» ose nga Persia në lindje, ku do të jetë kryeqyteti i preferuar i Kirit, Pasargada. Kiri do të jetë si një «zog preje», i cili do të lëshohet në mënyrë të beftë e të papritur mbi Babiloninë.
16. Si e vërteton Jehovai sigurinë e parashikimit të tij lidhur me Babiloninë?
16 Siguria e parashikimit të Jehovait lidhur me Babiloninë vërtetohet nga fjalët «po, unë e kam thënë; unë edhe do ta sjell». Ndryshe nga njeriu i papërsosur që është i prirur të bëjë premtime të nxituara, Krijuesi nuk dështon kurrë në përmbushjen e fjalës së tij. Meqenëse Jehovai është Perëndia «i cili nuk mund të gënjejë», mund të jemi të sigurt se nëse ai e ka «formuar», ai ‘edhe do ta bëjë’.—Titit 1:2.
Zemra pa besim
17, 18. Cilët mund të përshkruhen si «të fuqishëm në zemër» (a) në kohën e lashtë (b) sot?
17 Edhe një herë, Jehovai e drejton vëmendjen, në mënyrë profetike, te babilonasit, duke thënë: «Më dëgjoni, o ju të fuqishëm në zemër, ju që jeni larg drejtësisë.» (Isaia 46:12) Shprehja «ju të fuqishëm në zemër» përshkruan ata që janë kokëfortë dhe kundërshtarë të betuar të vullnetit të Perëndisë. Pa dyshim, babilonasit janë larg Perëndisë. Urrejtja e tyre për Jehovain dhe për popullin e tij i shtyn të shkatërrojnë Jerusalemin dhe tempullin e tij, si dhe t’i marrin banorët në mërgim.
18 Sot, ata që kanë një zemër skeptike dhe pa besim nuk pranojnë me kokëfortësi ta dëgjojnë mesazhin e Mbretërisë, i cili po predikohet në të gjithë tokën e banuar. (Mateu 24:14) Nuk duan ta pranojnë Jehovain si Sovranin e ligjshëm. (Psalmi 83:18; Zbulesa 4:11) Me zemra «larg drejtësisë», i rezistojnë dhe i kundërvihen vullnetit të tij. (2 Timoteut 3:1-5) Ashtu si babilonasit, ata nuk pranojnë ta dëgjojnë Jehovain.
Shpëtimi i Perëndisë nuk do të vonojë
19. Në ç’mënyrë do të kryejë Jehovai një vepër drejtësie për Izraelin?
19 Fjalët përmbyllëse të kapitullit 46 të Isaisë theksojnë anë të ndryshme të personalitetit të Jehovait: «Kam afruar drejtësinë time. Nuk është larg, dhe shpëtimi im nuk do të vonojë. Unë do të jap në Sion shpëtim, Izraelit bukurinë time.» (Isaia 46:13) Çlirimi i Izraelit nga ana e Perëndisë do të jetë një vepër drejtësie. Ai nuk do të lejojë që populli i tij të dergjet në mërgim. Shpëtimi i Sionit do të vijë në kohën e duhur, «nuk do të vonojë». Pas çlirimit nga robëria, izraelitët do të bëhen një shfaqje për kombet përreth. Çlirimi që do t’i bëjë Jehovai kombit të tij do të jetë një dëshmi e fuqisë së tij shpëtuese. Kotësia e perëndive babilonas Bel dhe Nebo do të demaskohet para të gjithëve dhe pafuqishmëria e tyre do të zbulohet.—1 Mbretërve 18:39, 40.
20. Si mund të jenë të sigurt të krishterët se ‘shpëtimi i Jehovait nuk do të vonojë’?
20 Në vitin 1919, Jehovai bëri që populli i tij të çlirohej nga robëria frymore. Ai nuk vonoi. Ajo ngjarje, si dhe ngjarjet në kohën e lashtë kur Babilonia u mposht nga Kiri, na inkurajojnë sot. Jehovai ka premtuar t’i japë fund këtij sistemi të lig, duke përfshirë adhurimin e tij të rremë. (Zbulesa 19:1, 2, 17-21) Duke i parë gjërat nga një këndvështrim njerëzor, disa të krishterë mund të mendojnë se shpëtimi i tyre është vonuar. Megjithatë, ushtrimi i durimit nga ana e Jehovait deri në kohën e caktuar të tij për përmbushjen e atij premtimi është, në të vërtetë, një vepër drejtësie. Në fund të fundit, «[Jehovai] nuk dëshiron që të shkatërrohet ndonjë, por dëshiron që të gjithë të arrijnë në pendim». (2 Pjetrit 3:9) Të jemi të sigurt, pra, se ashtu si në ditët e Izraelit të lashtë, ‘shpëtimi nuk do të vonojë’! Në të vërtetë, ndërsa dita e shpëtimit afrohet gjithnjë e më shumë, me dashuri Jehovai vazhdon të bëjë ftesën: «Kërkoni Zotin ndërsa mund të gjendet, e thirrni ndërsa është afër. I pabesi le ta lërë rrugën e tij dhe njeriu i padrejtë mendimet e tij, dhe le të kthehet tek Zoti që të ketë dhembshuri për të, tek Perëndia ynë që fal bujarisht.»—Isaia 55:6, 7, Dio.
[Figurat në faqen 94]
Perënditë e Babilonisë nuk e mbrojnë atë nga shkatërrimi
[Figurat në faqen 98]
Të krishterët sot duhet të ruhen nga idhujt modernë
[Figurat në faqen 101]
Të marrim guxim për të bërë atë që është e drejtë