Kapitulli nëntë
Jehovai na mëson për të mirën tonë
1. Si reagojnë personat e mençur ndaj fjalëve të Jehovait?
KUR Jehovai flet, ata që janë të mençur e dëgjojnë me respekt të madh dhe reagojnë në përputhje me fjalët e tij. Çdo gjë që thotë Jehovai është për të mirën tonë dhe ai është thellësisht i interesuar për mirëqenien tonë. Për shembull, sa shumë të ngrohet zemra kur shqyrton mënyrën se si iu drejtua Jehovai popullit të tij të lashtë, me të cilin kishte bërë një besëlidhje: «Ah, sikur t’u kushtoje vërtet vëmendje urdhërimeve të mia!» (Isaia 48:18) Vlera e provuar e mësimeve të Perëndisë duhet të na shtyjë ta dëgjojmë atë dhe të ndjekim udhëheqjen e tij. Dëshmitë e profecive të përmbushura largojnë çdo dyshim rreth vendosmërisë së Jehovait për të përmbushur premtimet e tij.
2. Për kë u shkruan fjalët e kapitullit 48 të Isaisë dhe kush tjetër mund të nxjerrë dobi prej tyre?
2 Me sa duket, fjalët e kapitullit 48 të librit të Isaisë u shkruan për judenjtë që do të mërgonin në Babiloni. Veç kësaj, këto fjalë përmbajnë një mesazh, të cilin të krishterët sot nuk mund ta shpërfillin. Në kapitullin 47 të Isaisë, Bibla paratha rënien e Babilonisë. Tani, Jehovai përshkruan çfarë ka ndër mend të bëjë për judenjtë e mërguar në atë qytet. Jehovai është i hidhëruar nga hipokrizia e popullit të tij të zgjedhur dhe nga mosbesimi i tyre me kokëfortësi në premtimet e tij. Megjithatë, ai dëshiron t’i mësojë ata për të mirën e tyre. Ai parashikon një periudhë rafinimi, e cila çon në rivendosjen e një mbetjeje besnike në vendin e tyre.
3. Çfarë nuk shkonte në adhurimin e Judës?
3 Sa shumë është larguar populli i Jehovait nga adhurimi i pastër! Fjalët hapëse të Isaisë të futin në mendime: «Dëgjo këtë, o shtëpi e Jakobit, ju që e thërritni veten me emrin e Izraelit dhe që keni dalë pikërisht nga ujërat e Judës, ju që betoheni për emrin e Jehovait dhe që e përmendni, madje, Perëndinë e Izraelit, jo në të vërtetë dhe jo në drejtësi. Sepse e kanë quajtur veten sikur të ishin nga qyteti i shenjtë dhe janë mbështetur në Perëndinë e Izraelit, emri i të cilit është Jehovai i ushtrive.» (Isaia 48:1, 2) Çfarë hipokrizie! Është e qartë që ‘betimi për emrin e Jehovait’ është thjesht një përdorim formal i emrit të Perëndisë. (Sofonia 1:5) Para se të merreshin në mërgim në Babiloni, judenjtë e adhuronin Jehovain në ‘qytetin e shenjtë’, në Jerusalem. Por adhurimi i tyre nuk ishte i sinqertë. Zemrat e tyre ishin shumë larg Perëndisë dhe veprat e tyre të adhurimit nuk ishin ‘në të vërtetë dhe në drejtësi’. Ata nuk kishin besimin e patriarkëve.—Malakia 3:7.
4. Cili lloj adhurimi i pëlqen Jehovait?
4 Fjalët e Jehovait na kujtojnë se adhurimi nuk duhet të jetë mekanik. Ai duhet të bëhet me gjithë zemër. Një shërbim thjesht sipërfaqësor—i kryer, ndoshta, sa për të kënaqur ose për t’u bërë përshtypje të tjerëve—nuk përbën «veprime të devocionit hyjnor». (2 Pjetrit 3:11) Thjesht fakti që një person e quan veten të krishterë nuk e bën adhurimin e tij të pranueshëm nga Perëndia. (2 Timoteut 3:5) Të pranosh se Jehovai ekziston është gjë thelbësore, por është vetëm fillimi. Jehovai dëshiron adhurim me gjithë zemër dhe të motivuar nga dashuria e çmueshmëria e thellë.—Kolosianëve 3:23.
Jehovai parathotë gjëra të reja
5. Cilat janë disa nga «gjërat e para» që paratha Jehovai?
5 Ata judenj në Babiloni, ndoshta kanë nevojë për një rifreskim të kujtesës. Prandaj, edhe një herë Jehovai u kujton se është Perëndia i profecive të vërteta: «Gjërat e para i kam thënë që nga ajo kohë; ato dolën nga goja ime dhe vazhdova të bëj që të dëgjoheshin. Papritur veprova dhe gjërat ndodhën.» (Isaia 48:3) «Gjërat e para» janë gjëra që Perëndia tashmë i ka kryer, si për shembull, çlirimi i izraelitëve nga Egjipti dhe dhënia e Tokës së Premtuar si trashëgimi. (Zanafilla 13:14, 15; 15:13, 14) Këto gjëra të parathëna dalin nga goja e Perëndisë, pra, janë me origjinë hyjnore. Perëndia bën që njerëzit t’i dëgjojnë dekretet e tij dhe ajo që dëgjojnë duhet t’i shtyjë të jenë të bindur. (Ligji i përtërirë 28:15) Ai vepron papritur për të kryer atë që ka parathënë. Fakti që Jehovai është i Plotfuqishmi jep sigurinë se qëllimi i tij është plotësuar.—Josiu 21:45; 23:14.
6. Deri në ç’masë janë bërë ‘kokëfortë dhe rebelë’ judenjtë?
6 Populli i Jehovait është bërë «kokëfortë dhe rebel». (Psalmi 78:8) Jehovai i thotë haptas: «Ti je i pandjeshëm dhe . . . qafa jote është një tejzë hekuri e balli yt është bakër.» (Isaia 48:4) Ashtu si metalet, judenjtë përkulen me vështirësi, janë të paepshëm. Kjo është një arsye përse Jehovai i zbulon gjërat para se të ndodhin. Përndryshe, populli i tij do të thoshte për gjërat që Jehovai ka bërë: «I ka bërë idhulli im dhe shëmbëlltyra ime e gdhendur e shëmbëlltyra ime e derdhur i kanë urdhëruar.» (Isaia 48:5) A do të ketë ndonjë ndikim te judenjtë jobesnikë ajo që thotë tani Jehovai? Perëndia u thotë atyre: «Ke dëgjuar. Shihe të tërën. Sa për ju, a nuk do ta tregoni? Bëra që të dëgjosh gjëra të reja nga koha e tashme, po, gjëra të rezervuara që nuk i ke ditur. Duhet të krijohen në kohën e tashme dhe jo që nga ajo kohë, po, gjëra që para ditës së sotme nuk i ke dëgjuar, në mënyrë që të mos thuash: ‘Ja, unë tashmë i dija.’»—Isaia 48:6, 7.
7. Çfarë do të duhet të pranojnë judenjtë e mërguar dhe çfarë mund të presin ata?
7 Shumë kohë përpara se të ndodhte në të vërtetë, Isaia regjistroi profecinë për rënien e Babilonisë. Tani, si të mërguar në Babiloni, judenjtë urdhërohen, në mënyrë profetike, që të meditojnë rreth përmbushjes së asaj profecie. A mund ta mohojnë që Jehovai është Perëndia i profecive të përmbushura? Dhe meqë banorët e Judës e kanë parë dhe e kanë dëgjuar që Jehovai është Perëndi i së vërtetës, a nuk duhet t’ua shpallin këtë të vërtetë edhe të tjerëve? Fjala e zbuluar e Jehovait parathotë gjëra të reja që nuk kanë ndodhur ende, si për shembull, pushtimi i Babilonisë nga ana e Kirit dhe çlirimi i judenjve. (Isaia 48:14-16) Këto ngjarje të befasishme, në pamje të parë ndodhin krejt papritur. Askush nuk do t’i kishte parashikuar, thjesht duke shqyrtuar zhvillimin e kushteve botërore. Ato ndodhin sikur të kenë dalë nga hiçi. Kush i shkakton këto ngjarje? Meqenëse Jehovai i parathotë ato rreth 200 vjet përpara se të ndodhin, përgjigjja është e qartë.
8. Për cilat gjëra të reja shpresojnë të krishterët sot dhe pse kanë besim të plotë në fjalën profetike të Jehovait?
8 Për më tepër, Jehovai e përmbush fjalën e vet sipas kohës së caktuar prej tij. Profecitë e përmbushura ua vërtetojnë hyjninë e tij jo vetëm judenjve në kohën e lashtë, por edhe të krishterëve sot. Dokumentimi i profecive të shumta që u përmbushën në të kaluarën, «gjërat e para», është një siguri se edhe gjërat e reja të premtuara nga Jehovai të tilla, si: «shtrëngimi i madh» që po vjen, mbijetesa e ‘një shumice të madhe’ gjatë këtij shtrëngimi, ‘toka e re’ dhe shumë gjëra të tjera do të realizohen. (Zbulesa 7:9, 14, 15; 21:4, 5; 2 Pjetrit 3:13) Kjo siguri i nxit njerëzit me zemër të drejtë të flasin për të me zell. Ata ndihen njëlloj si psalmisti, i cili tha: «E shpalla drejtësinë tënde në kuvendin e madh; ja, unë nuk i mbaj buzët të mbyllura.»—Psalmi 40:9.
Jehovai ushtron vetëkontroll
9. Në ç’mënyrë ka qenë kombi i Izraelit një «shkelës që nga barku»?
9 Reagimi mosbesues ndaj profecive të Jehovait i ka penguar judenjtë që t’u vënë veshin paralajmërimeve të tij. Ja përse, në vazhdim, ai u thotë: «Për më tepër, nuk ke dëgjuar, as ke njohur, dhe veshi yt nuk është hapur që nga ajo kohë e më pas. Sepse unë e di mirë që, pa hequr dorë, ti ke vazhduar të veprosh pabesisht dhe je quajtur ‘shkelës që nga barku’.» (Isaia 48:8) Veshët e Judës kanë qenë të mbyllur ndaj lajmeve të gëzuara të Jehovait. (Isaia 29:10) Mënyra si ka vepruar populli me të cilin Perëndia ka bërë një besëlidhje tregon se ky komb është një «shkelës që nga barku». Që nga lindja dhe gjatë gjithë historisë së tij, kombi i Izraelit është treguar vazhdimisht rebel. Shkeljet dhe pabesia janë faje të zakonshme të popullit, jo thjesht mëkate të kryera me raste.—Psalmi 95:10; Malakia 2:11.
10. Pse do të përmbahet Jehovai?
10 A kanë humbur të gjitha shpresat? Jo. Ndonëse Juda ka qenë rebele dhe e pabesë, Jehovai është gjithmonë i vërtetë dhe i besueshëm. Për nder të emrit të tij të madh, ai do ta kufizojë shprehjen e zemërimit të tij. Ai thotë: «Për hir të emrit tim do ta frenoj zemërimin dhe për lavdinë time do të përmbahem me ty që të mos zhdukesh.» (Isaia 48:9) Çfarë dallimi! Populli i Jehovait, si Izraeli, ashtu edhe Juda, ka qenë jobesnik ndaj tij. Por Jehovai do të shenjtërojë emrin e vet, duke vepruar në një mënyrë që do t’i sjellë lavdi dhe nder atij. Për këtë arsye ai nuk do ta zhdukë popullin e tij të zgjedhur.—Joeli 2:13, 14.
11. Pse nuk do të lejojë Perëndia që populli i tij të shkatërrohet plotësisht?
11 Individët me zemër të drejtë mes judenjve të mërguar i zgjon qortimi i Perëndisë dhe bëhen të vendosur për t’u vënë veshin mësimeve të tij. Këtyre individëve, deklarata e mëposhtme u jep shumë siguri: «Ja, të kam rafinuar, por jo në formën e argjendit. Të kam zgjedhur në furrën shkrirëse të mundimit. Për hirin tim, për hirin tim do të veproj, sepse si mund të lejojë dikush që ta përdhosin? Lavdinë time nuk do t’ia jap askujt tjetër.» (Isaia 48:10, 11) Peripecitë sprovuese—si në një ‘furrë mundimi’—që Jehovai ka lejuar të bien mbi popullin e tij e kanë sprovuar dhe rafinuar atë, duke zbuluar kështu se çfarë ka në zemrat e tyre. Diçka e ngjashme ndodhi edhe shekuj më parë, kur Moisiu u tha paraardhësve të tyre: «Perëndia yt, të ka bërë të përshkosh në këto dyzetë vjet në shkretëtirë që ti të ulësh kokën dhe të vihesh në provë, për të ditur çfarë kishte në zemrën tënde.» (Ligji i përtërirë 8:2, Dio) Me gjithë qëndrimin e tyre rebel, Jehovai nuk e shkatërroi kombin në atë kohë dhe as tani nuk do ta shkatërrojë plotësisht. Kështu do të lartësohen emri dhe nderi i tij. Nëse populli i Perëndisë do të shkatërrohej prej dorës së babilonasve, ai do të dilte jobesnik ndaj besëlidhjes së vet dhe emri i tij do të përdhosej. Do të dukej sikur Perëndia i Izraelit është i pafuqishëm për ta shpëtuar popullin e tij.—Ezekieli 20:9.
12. Si u rafinuan të krishterët e vërtetë gjatë Luftës I Botërore?
12 Edhe në kohët moderne, populli i Jehovait ka pasur nevojë për rafinim. Në fillim të shekullit të 20-të, shumë pjesëtarë të grupit të vogël të Studentëve të Biblës i shërbenin Perëndisë me dëshirën e sinqertë për t’i pëlqyer atij, por disa kishin motive të gabuara, si për shembull, dëshirën për të pasur një pozitë të shquar. Para se të udhëhiqte predikimin mbarëbotëror të lajmit të mirë që ishte profetizuar për kohën e fundit, ai grup i vogël kishte nevojë të pastrohej. (Mateu 24:14) Profeti Malakia profetizoi se pikërisht një vepër e tillë rafinuese do të kryhej në lidhje me ardhjen e Jehovait në tempullin e tij. (Malakia 3:1-4) Fjalët e tij u përmbushën në vitin 1918. Në kulmin e Luftës I Botërore, të krishterët e vërtetë kaluan një periudhë të zjarrtë sprovash, të cilat arritën kulmin me burgosjen e Xhozef F. Radhërfordit, në atë kohë president i Shoqatës Watch Tower, dhe të disa zyrtarëve drejtues të saj. Të krishterët e sinqertë nxorën dobi nga ai proces rafinimi. Ata dolën nga Lufta I Botërore më të vendosur se kurrë për t’i shërbyer Perëndisë së tyre madhështor në çdo mënyrë që do të tregonte ai.
13. Si kanë reaguar Dëshmitarët e Jehovait ndaj përndjekjes në vitet që kanë pasuar Luftën I Botërore?
13 Që nga ajo kohë, Dëshmitarët e Jehovait janë përballur herë pas here me format më të egra të përndjekjes. Kjo nuk i ka bërë ta vënë në dyshim fjalën e Krijuesit të tyre. Përkundrazi, ata u kanë kushtuar vëmendje fjalëve të apostullit Pjetër drejtuar të krishterëve të përndjekur të kohës së tij: «Jeni hidhëruar nga sprova të ndryshme, me qëllim që cilësia e sprovuar e besimit tuaj . . . të gjendet si shkak për lëvdim, lavdi dhe nderim kur të zbulohet Jezu Krishti.» (1 Pjetrit 1:6, 7) Përndjekja intensive nuk e thyen integritetin e të krishterëve të vërtetë. Në vend të kësaj, ajo zbulon pastërtinë e motiveve të tyre. Ajo i shton besimit të tyre një cilësi të sprovuar dhe tregon thellësinë e devocionit e të dashurisë së tyre.—Proverbat 17:3.
‘Unë jam i pari, unë jam i fundit’
14. (a) Në cilin kuptim Jehovai është «i pari» dhe «i fundit»? (b) Cilat vepra të fuqishme kreu Jehovai me ‘dorën’ e tij?
14 Tani Jehovai i bën një thirrje të ngrohtë popullit me të cilin ka bërë një besëlidhje: «Më dëgjo, o Jakob, dhe ti Izrael, i thirruri im. Unë jam i njëjti. Unë jam i pari. Veç kësaj, unë jam i fundit. Për më tepër, dora ime ka hedhur themelet e tokës dhe dora ime e djathtë ka shtrirë qiejt. Unë i thërras, që të qëndrojnë së bashku.» (Isaia 48:12, 13) Ndryshe nga njeriu, Perëndia është i përjetshëm dhe nuk ndryshon. (Malakia 3:6) Në librin e Zbulesës, Jehovai shpall: «Unë jam Alfa dhe Omega, i pari dhe i fundit, fillimi dhe fundi.» (Zbulesa 22:13) Para Jehovait nuk kishte asnjë Perëndi të plotfuqishëm dhe pas tij nuk do të ketë asnjë. Ai është Më i Larti dhe i Përjetshmi, Krijuesi. «Dora» e tij—fuqia e tij e ushtruar—themeloi tokën dhe shtriu qiejt plot yje. (Jobi 38:4; Psalmi 102:25) Kur ai thërret gjërat që ka krijuar, ato qëndrojnë në gatishmëri për t’i shërbyer.—Psalmi 147:4.
15. Në ç’mënyrë dhe për ç’qëllim e ka «dashur» Jehovai Kirin?
15 Si judenjve, ashtu edhe jojudenjve u bëhet një ftesë solemne: «Mblidhuni bashkë të gjithë dhe dëgjoni. Cili prej tyre i ka thënë këto gjëra? Vetë Jehovai e ka dashur. Ai do të bëjë me Babiloninë atë që është kënaqësia e tij, dhe dora e tij do të jetë mbi kaldeasit. Unë, unë vetë kam folur. Veç kësaj, unë e kam thirrur. E kam sjellë dhe rruga e tij do të bëhet të ketë sukses.» (Isaia 48:14, 15) Vetëm Jehovai është i plotfuqishëm dhe në gjendje t’i parathotë ngjarjet me saktësi. Askush prej «tyre», prej idhujve pa vlerë, nuk është në gjendje t’i tregojë këto gjëra. Jo idhujt, por Jehovai «e ka dashur» Kirin, domethënë, Jehovai e ka zgjedhur atë për një qëllim specifik. (Isaia 41:2; 44:28; 45:1, 13; 46:11) Ai e ka parashikuar daljen e Kirit në skenën botërore dhe e ka përcaktuar si pushtuesin e ardhshëm të Babilonisë.
16, 17. (a) Pse mund të themi se Perëndia nuk i ka dhënë parashikimet e tij në fshehtësi? (b) Si i ka bërë të njohura Jehovai qëllimet e tij sot?
16 Me një ton lutës, Jehovai vazhdon: «Ejani pranë meje, o njerëz. Dëgjoni këtë. Që nga fillimi unë nuk kam folur në asnjë vend të fshehtë. Që nga koha kur ndodhi, unë kam qenë atje.» (Isaia 48:16a) Parashikimet e Jehovait nuk janë dhënë në fshehtësi ose nuk i janë bërë të njohura vetëm disa individëve të zgjedhur. Profetët e Jehovait folën hapur në emër të Perëndisë. (Isaia 61:1) Ata e shpallën publikisht vullnetin e Perëndisë. Për shembull, ngjarjet që kishin të bënin me Kirin nuk ishin të panjohura për Perëndinë ose të paparashikuara prej tij. Ai i paratha ato haptazi nëpërmjet Isaisë, rreth 200 vjet përpara se të ndodhnin.
17 Në mënyrë të ngjashme, sot Jehovai nuk i mban të fshehta qëllimet e tij. Miliona njerëz në qindra vende dhe ishuj shpallin nga shtëpia në shtëpi, në rrugë dhe në çdo vend tjetër ku është e mundur, paralajmërimin për fundin e afërt të këtij sistemi dhe lajmin e mirë të bekimeve që do të vijnë nën sundimin e Mbretërisë së Perëndisë. Vërtet, Jehovai është një Perëndi që i bën të njohura qëllimet e tij.
‘Kushtoju vëmendje urdhërimeve të mia!’
18. Cila është dëshira e Jehovait për popullin e tij?
18 I fuqizuar nga fryma e Jehovait, profeti shpall: «Zotëria Sovran Jehova më ka dërguar, madje, fryma e tij. Kjo është ajo që ka thënë Jehovai, Riblerësi yt, i Shenjti i Izraelit: ‘Unë, Jehovai, jam Perëndia yt, Ai që të mëson për dobinë tënde, Ai që të bën të shkelësh në rrugën në të cilën duhet të ecësh.’» (Isaia 48:16b, 17) Kjo shprehje e dashur e kujdesit të Jehovait duhet ta sigurojë kombin e Izraelit se Perëndia do ta çlirojë nga Babilonia. Ai është Riblerësi i tij. (Isaia 54:5) Jehovai dëshiron me gjithë zemër që izraelitët të rivendosin marrëdhënien me të dhe t’u kushtojnë vëmendje urdhërimeve të tij. Adhurimi i vërtetë bazohet në bindjen ndaj mësimeve hyjnore. Izraelitët nuk mund të ecin në rrugën e duhur në qoftë se nuk u mësohet ‘rruga në të cilën duhet të ecin’.
19. Ç’thirrje të përzemërt bën Jehovai?
19 Dëshira e Jehovait që populli i tij të shmangë katastrofën dhe të gëzojë jetën shprehet bukur me fjalët: «Ah, sikur t’u kushtoje vërtet vëmendje urdhërimeve të mia! Atëherë paqja jote do të bëhej si lumë dhe drejtësia jote si valët e detit.» (Isaia 48:18) Ç’thirrje e përzemërt nga Krijuesi i plotfuqishëm! (Ligji i përtërirë 5:29; Psalmi 81:13) Në vend që të shkojnë në robëri, izraelitët mund të gëzojnë paqe që do të jetë po aq e bollshme sa edhe uji që rrjedh në një lumë. (Psalmi 119:165) Veprat e tyre të drejta mund të jenë po aq të shumta sa edhe valët e detit. (Amosi 5:24) Si një person që interesohet vërtet për ta, Jehovai u bën thirrje izraelitëve, duke u treguar me dashuri rrugën nëpër të cilën duhet të ecin. Ah, sikur të dëgjonin!
20. (a) Cila është dëshira e Perëndisë për Izraelin, me gjithë rebelimin e tyre? (b) Çfarë mësojmë për Jehovain nga mënyra se si ka vepruar me popullin e tij? (Shih kutinë në faqen 133.)
20 Ç’bekime do të vinin sikur Izraeli të pendohej? Jehovai thotë: «Pasardhësit e tu do të bëheshin porsi rëra dhe ata që kanë dalë nga pjesët e tua të brendshme si kokrrizat e saj. Emri i askujt nuk do të zhdukej dhe as do të shfarosej para meje.» (Isaia 48:19) Jehovai i kujton popullit premtimin e tij se fara e Abrahamit do të bëhej e shumtë, «si yjet e qiellit dhe si rëra që ndodhet në brigjet e detit». (Zanafilla 22:17; 32:12, Dio) Por, këta pasardhës të Abrahamit kanë qenë rebelë dhe nuk kanë të drejtë të marrin përmbushjen e premtimit. Në të vërtetë, e kaluara e tyre ka qenë kaq e keqe, saqë sipas Ligjit të Jehovait meritojnë që emri i tyre si komb të zhduket. (Ligji i përtërirë 28:45) Megjithatë, Jehovai nuk dëshiron ta shfarosë kombin dhe as ta braktisë plotësisht atë.
21. Cilat bekime mund të përjetojmë sot nëse kërkojmë të mësohemi nga Jehovai?
21 Parimet e përfshira në këtë pjesë të fuqishme u zbatohen adhuruesve të Jehovait sot. Jehovai është burimi i jetës dhe e di më mirë se kushdo tjetër se si duhet ta përdorim jetën tonë. (Psalmi 36:9) Ai na ka dhënë udhëzime, jo për të na privuar nga gëzimi, por për të na sjellë dobi. Të krishterët e vërtetë reagojnë duke kërkuar të mësohen nga Jehovai. (Mikea 4:2) Udhëzimet e tij mbrojnë gjendjen tonë frymore dhe marrëdhënien tonë me të, si dhe na mbrojnë nga ndikimi korruptues i Satanait. Kur i kuptojmë parimet që qëndrojnë pas ligjeve të Perëndisë, shikojmë që Perëndia na mëson për të mirën tonë. Kuptojmë se «urdhërimet e tij nuk janë të rënda». Dhe ne nuk do të zhdukemi.—1 Gjonit 2:17; 5:3.
«Dilni nga Babilonia!»
22. Ç’nxitje u bëhet judenjve besnikë dhe ç’siguri u jepet?
22 Kur të bjerë Babilonia, a do të ketë ndonjë jude që do të shfaqë gjendjen e duhur të zemrës? A do të përfitojnë nga çlirimi i Perëndisë, a do të rikthehen në vendin e tyre dhe a do të rivendosin adhurimin e vërtetë? Po. Fjalët vijuese të Jehovait tregojnë se ai ka besim që një gjë e tillë do të ndodhë. «Dilni nga Babilonia, o njerëz! Mbathjani nga kaldeasit. Shpallni, madje, me tingullin e një britme gëzimi, bëni që të dëgjohet. Bëni të arrijë deri në skajet e tokës. Thoni: ‘Jehovai ka riblerë shërbëtorin e tij Jakob. Ata nuk i mori etja kur ai i bënte të ecnin edhe përmes vendeve të shkretuara. Ai bëri të rridhte ujë nga shkëmbi për ta dhe çau një shkëmb që të dilte ujë si rrëke.’» (Isaia 48:20, 21) Populli i Jehovait nxitet që të largohet nga Babilonia pa vonesë. (Jeremia 50:8) Shpengimi i tyre duhet të bëhet i njohur deri në skajet e tokës. (Jeremia 31:10) Pas daljes nga Egjipti, Jehovai u kujdes për nevojat e popullit të tij, ndërsa ai ecte përmes vendeve të shkreta. Në mënyrë të ngjashme, ai do të sigurojë gjërat e nevojshme për popullin e tij, ndërsa ai kthehet nga Babilonia për në vendin e tij.—Ligji i përtërirë 8:15, 16.
23. Cilët nuk do ta gëzojnë paqen që jep Perëndia?
23 Ka edhe një parim tjetër thelbësor që judenjtë duhet ta mbajnë parasysh lidhur me veprat shpëtuese të Jehovait. Ata që janë të prirur në mënyrë të drejtë mund të vuajnë për shkak të mëkateve të tyre, por nuk do të shkatërrohen. Megjithatë, ndryshe është për të padrejtët. «‘Nuk ka paqe për të ligjtë,—ka thënë Jehovai.’» (Isaia 48:22) Mëkatarët e papenduar nuk do të gëzojnë paqen që Perëndia ka ruajtur për ata që e duan. Për të ligjtë e pabindur dhe për ata që nuk kanë besim nuk parashikohen vepra shpëtuese. Këto vepra janë vetëm për ata që kanë besim. (Titit 1:15, 16; Zbulesa 22:14, 15) Paqja e Perëndisë nuk u përket të ligjve.
24. Çfarë gjëje i solli gëzim popullit të Perëndisë në kohët moderne?
24 Në vitin 537 p.e.s., mundësia për të ikur nga Babilonia u solli shumë gëzim izraelitëve besnikë. Në vitin 1919, çlirimi i popullit të Perëndisë nga robëria babilonase i solli shumë gëzim atij. (Zbulesa 11:11, 12) Ata ishin të mbushur me shpresë dhe e shfrytëzuan këtë rast për të zgjeruar veprimtarinë e tyre. Vërtet, që të shfrytëzonin mundësitë e reja për të predikuar në një botë jomiqësore kërkohej guxim nga ana e atij grupi të vogël të krishterësh. Por me ndihmën e Jehovait, ata u përqendruan në veprën e predikimit të lajmit të mirë. Historia dëshmon se Jehovai i bekoi.
25. Pse është e rëndësishme që t’u kushtojmë vëmendje me kujdes dekreteve të drejta të Perëndisë?
25 Kjo pjesë e profecisë së Isaisë thekson faktin që Jehovai na mëson për të mirën tonë. Është shumë e rëndësishme që t’u kushtojmë vëmendje me kujdes dekreteve të drejta të Perëndisë. (Zbulesa 15:2-4) Nëse i kujtojmë vetes mençurinë dhe dashurinë e Perëndisë, kjo do të na ndihmojë të vihemi në harmoni me atë që Perëndia thotë se është e drejtë. Të gjitha urdhërimet e tij janë për dobinë tonë!—Isaia 48:17, 18.
[Kutia dhe figurat në faqen 133]
Perëndia i Plotfuqishëm përmbahet
«Do ta frenoj zemërimin, . . . do të përmbahem»,—u tha Jehovai izraelitëve apostatë. (Isaia 48:9) Këto pohime na ndihmojnë të kuptojmë se Jehovai lë një shembull të përsosur, duke mos abuzuar kurrë me pushtetin. Është e vërtetë që askush nuk ka më shumë pushtet se Jehovai. Ja përse i drejtohemi atij si i Gjithëpushtetshmi dhe i Gjithëfuqishmi. Ai i jep me të drejtë vetes titullin «i Plotfuqishëm». (Zanafilla 17:1) Ai jo vetëm që ka fuqi të pakufizuar, por, për shkak të pozitës së tij si Zotëria Sovran i universit që ai krijoi, ka edhe autoritet të plotë. Ja përse askush nuk mund të pretendojë t’ia ndalë dorën ose t’i thotë: «Çfarë po bën?»—Danieli 4:35, Dio.
Megjithatë, Perëndia është i ngadalshëm në zemërim edhe kur është e nevojshme të përdorë fuqinë kundër armiqve. (Naumi 1:3) Jehovai mund ta ‘frenojë zemërimin e tij’ dhe përshkruhet me të drejtë si i «i ngadalshëm në zemërim», sepse cilësia e tij mbizotëruese është dashuria e jo zemërimi. Kur shprehet, zemërimi i tij është gjithmonë i drejtë, i justifikuar dhe i kontrolluar.—Dalja 34:6; 1 Gjonit 4:8.
Pse vepron në këtë mënyrë Jehovai? Sepse ai e ekuilibron në mënyrë të përsosur fuqinë e jashtëzakonshme me tri cilësitë e tjera kryesore të tij: me mençurinë, drejtësinë dhe dashurinë. Ai e përdor fuqinë gjithmonë në përputhje me këto cilësi të tjera.
[Figura në faqen 122]
Mesazhi i Isaisë për rivendosjen siguron një rreze shprese për judenjtë besnikë në mërgim
[Figurat në faqen 124]
Judenjtë kishin prirjen t’ua jepnin idhujve meritën për veprat e Jehovait
1. Ishtari 2. Tablo në një mur tulle të lëmuar gjatë Rrugës së Procesionit në Babiloni 3. Dragoi, simbol i Mardukut
[Figura në faqen 127]
Një ‘furrë mundimi’ mund të zbulojë nëse janë apo jo të pastra motivet me të cilat i shërbejmë Jehovait
[Figurat në faqen 128]
Të krishterët e vërtetë janë përballur me format më të egra të përndjekjes