Kapitulli dhjetë
«Një kohë miratimi»
1, 2. (a) Çfarë bekimi gëzonte Isaia? (b) Cilët përfshihen në fjalët profetike të pjesës së parë të kapitullit 49 të Isaisë?
TË GJITHË njerëzit besnikë kanë gëzuar prej shumë kohësh miratimin dhe mbrojtjen e Perëndisë. Por Jehovai nuk ia jep miratimin e tij kujtdo pa dallim. Një person duhet të kualifikohet për një bekim të tillë të pakrahasueshëm. Isaia ishte një person i tillë. Ai gëzonte hirin e Perëndisë dhe u përdor nga Jehovai si një mjet për t’u bërë të njohur vullnetin e Tij të tjerëve. Një shembull i kësaj gjendet në gjysmën e parë të kapitullit 49 të profecive të Isaisë.
2 Këto fjalë i drejtohen në mënyrë profetike farës së Abrahamit. Në përmbushjen e parë, kjo farë është kombi i Izraelit, i cili rrodhi nga Abrahami. Megjithatë, pjesa më e madhe e fjalëve zbatohen, në mënyrë të qartë, për Farën e Abrahamit të shpresuar prej kohësh, Mesinë e premtuar. Fjalët e frymëzuara u aplikohen gjithashtu vëllezërve frymorë të Mesisë, të cilët bëhen pjesë e farës frymore të Abrahamit dhe e ‘Izraelit të Perëndisë’. (Galatasve 3:7, 16, 29; 6:16) Në veçanti, kjo pjesë e profecive të Isaisë përshkruan marrëdhënien e veçantë që ekziston ndërmjet Jehovait dhe Birit të tij të dashur, Jezu Krishtit.—Isaia 49:26.
I caktuar dhe i mbrojtur nga Jehovai
3, 4. (a) Cilën mbështetje ka Mesia? (b) Cilëve u flet Mesia?
3 Mesia gëzon miratimin ose hirin e Perëndisë. Jehovai i jep atij autoritetin dhe dëshmitë e nevojshme që provojnë të drejtën e tij për të përmbushur misionin që ka. Prandaj, në mënyrë të përshtatshme, Mesia i ardhshëm thotë: «Më dëgjoni, o ishuj, dhe kushtoni vëmendje ju grupe kombëtare që jeni larg. Vetë Jehovai më ka thirrur që nga barku. Që nga pjesët e brendshme të nënës sime ka përmendur emrin tim.»—Isaia 49:1.
4 Këtu Mesia u drejtohet popujve që ‘janë larg’. Ndonëse Mesia i është premtuar popullit jude, nga shërbimi i tij do të bekohen të gjitha kombet. (Mateu 25:31-33) ‘Ishujt’ dhe ‘grupet kombëtare’, ndonëse nuk kanë bërë ndonjë besëlidhje me Jehovain, duhet të dëgjojnë Mesinë e Izraelit, sepse ai është dërguar për t’i sjellë shpëtim gjithë njerëzimit.
5. Në ç’mënyrë Mesia thirret me emër, madje, para se të lindë si njeri?
5 Profecia thotë se Jehovai do ta thërrasë në emër Mesinë para se ai të lindë si njeri. (Mateu 1:21; Luka 1:31) Shumë kohë para se të lindë, Jezui quhet «Këshilltar i Mrekullueshëm, Perëndi i Fuqishëm, Atë i Përjetshëm, Princ i Paqes». (Isaia 9:6) Edhe Emanuel, ndoshta emri i djalit të Isaisë, del se është një emër profetik i Mesisë. (Isaia 7:14; Mateu 1:21-23) Madje, edhe emri Jezu, emër me të cilin do të njihet Mesia, parathuhet para lindjes së tij. (Luka 1:30, 31) Ky emër vjen nga një fjalë hebraike që do të thotë «Jehovai është shpëtim». Pra, është e qartë se Jezui nuk është një Krisht i vetëshpallur.
6. Në cilin kuptim goja e Mesisë është si një shpatë e mprehtë dhe si është i fshehur ai?
6 Fjalët profetike të Mesisë vazhdojnë: «Ai e bëri gojën time si një shpatë të mprehtë. Më ka fshehur në hijen e dorës së tij. Dhe pak nga pak më bëri një shigjetë të lëmuar. Më fshehu në kukurën e shigjetave të tij.» (Isaia 49:2) Në vitin 29 të e.s., kur vjen koha që Mesia i Jehovait të fillojë shërbimin tokësor, fjalët dhe veprat e tij dalin se janë vërtet si armë të mprehta e të lëmuara, në gjendje për të depërtuar në zemrat e dëgjuesve të tij. (Luka 4:31, 32) Këto fjalë dhe vepra provokojnë zemërimin e armikut më të madh të Jehovait, Satanait dhe të veglave të tij. Që nga momenti kur Jezui lind, Satanai përpiqet t’i marrë jetën, por Jezui është si një shigjetë e fshehur në kukurën e shigjetave të Jehovait.a Ai mund të ketë besim në mbrojtjen e Atit të tij. (Psalmi 91:1; Luka 1:35) Në kohën e caktuar, Jezui jep jetën e tij për njerëzimin. Por do të vijë koha kur ai do të dalë si një luftëtar i fuqishëm qiellor, i armatosur në një kuptim tjetër, me një shpatë të mprehtë që do të dalë nga goja e tij. Kësaj here, shpata e mprehtë përfaqëson autoritetin e Jezuit për të shpallur dhe ekzekutuar gjykime kundër armiqve të Jehovait.—Zbulesa 1:16.
Mundi i shërbëtorit të Perëndisë nuk është i kotë
7. Te kush gjejnë zbatim fjalët e Jehovait tek Isaia 49:3 dhe pse?
7 Tani, Jehovai thotë këto fjalë profetike: «Ti je shërbëtori im, o Izrael, ai në të cilin do të tregoj bukurinë time.» (Isaia 49:3) Jehovai e quan kombin e Izraelit shërbëtorin e tij. (Isaia 41:8) Por Jezu Krishti është Shërbëtori kryesor i Perëndisë. (Veprat 3:13) Asnjë nga krijesat e Perëndisë nuk mund ta pasqyrojë «bukurinë» e Jehovait më mirë se Jezui. Prandaj, ndonëse drejtpërdrejt këto fjalë i drejtohen Izraelit, në të vërtetë, gjejnë zbatim për Jezuin.—Gjoni 14:9; Kolosianëve 1:15.
8. Si reagon ndaj Mesisë populli i tij, por nga kush pret Mesia që të vlerësohet suksesi i tij?
8 Por, a nuk është e vërtetë që Jezuin e përçmon dhe e hedh poshtë pjesa më e madhe e popullit të tij? Po. Në përgjithësi, kombi i Izraelit nuk e pranon Jezuin si Shërbëtorin e mirosur të Perëndisë. (Gjoni 1:11) Gjithçka që Jezui kryen kur është në tokë, bashkëkohësve të tij mund t’u duket me pak vlerë, madje, e parëndësishme. Në vazhdim, Mesia i referohet në mënyrë të tërthortë këtij dështimi në dukje të shërbimit të tij: «Jam robtuar më kot. Kam shpenzuar fuqinë time për diçka joreale dhe për kotësi.» (Isaia 49:4a) Mesia nuk i bën këto pohime ngaqë është i shkurajuar. Shqyrtoni atë që thotë në vazhdim: «Në të vërtetë, gjykimi im i përket Jehovait dhe paga ime Perëndisë tim.» (Isaia 49:4b) Suksesin e Mesisë nuk duhet ta vlerësojnë njerëzit, por Perëndia.
9, 10. (a) Cilin caktim ka marrë Mesia nga Jehovai dhe ç’rezultate arrin? (b) Si mund të marrin zemër të krishterët sot nga përvojat e Mesisë?
9 Jezui interesohet kryesisht për miratimin ose hirin e Perëndisë. Në profeci Mesia thotë: «Tani, Jehovai, Ai që më ka formuar që nga barku si një shërbëtor që i përket atij, ka thënë që unë të rikthej Jakobin tek ai, me qëllim që Izraeli të mblidhet pranë tij. Unë do të marr lavdi në sytë e Jehovait dhe Perëndia im do të jetë bërë forca ime.» (Isaia 49:5) Mesia vjen për t’i kthyer zemrat e bijve të Izraelit drejt Atit të tyre qiellor. Shumica nuk reagojnë pozitivisht, por disa po. Megjithatë, paga e tij e vërtetë i përket Perëndisë Jehova. Suksesi i tij nuk matet në bazë të kritereve njerëzore, por sipas standardeve të Jehovait.
10 Sot, ithtarët e Jezuit mund të mendojnë nganjëherë se po robtohen më kot. Në disa vende, rezultatet e shërbimit të tyre mund të duken të papërfillshme në krahasim me sasinë e punës dhe të përpjekjeve që janë bërë. Megjithatë, ata tregojnë qëndrueshmëri, duke marrë zemër nga shembulli i Jezuit. Ata forcohen, gjithashtu, edhe nga fjalët e apostullit Pavël, i cili shkroi: «Prandaj, vëllezërit e mi të dashur, bëhuni të palëkundur e të patundur, duke pasur gjithnjë shumë për të bërë në veprën e Zotërisë, duke e ditur se mundi juaj s’është i kotë në lidhje me Zotërinë.»—1 Korintasve 15:58.
‘Një dritë e kombeve’
11, 12. Në ç’mënyrë ka qenë Mesia ‘një dritë e kombeve’?
11 Në profecinë e Isaisë, Jehovai i jep zemër Mesisë duke i kujtuar se të jesh Shërbëtor i Perëndisë nuk është «gjë me pak rëndësi». Jezui ka për të «ngritur fiset e Jakobit dhe për të kthyer edhe të ruajturit e Izraelit». Më tej, Jehovai, shpjegon: «Gjithashtu, të kam dhënë si një dritë të kombeve, që shpëtimi im të jetë deri në skajet e tokës.» (Isaia 49:6) Në ç’mënyrë i ndriçon Jezui popujt «deri në skajet e tokës» kur shërbimi i tij tokësor është i kufizuar në Izrael?
12 Bibla tregon se ‘drita e kombeve’ e siguruar nga Perëndia nuk u shua me largimin e Jezuit nga skena tokësore. Rreth 15 vjet pas vdekjes së Jezuit, misionarët Pavël dhe Barnaba e cituan profecinë e Isaisë 49:6 dhe e zbatuan për dishepujt e Jezuit, vëllezërit e tij frymorë. Ata shpjeguan: «Jehovai na e ka dhënë urdhërimin me këto fjalë: ‘Të kam emëruar si dritë të kombeve, që të jesh një shpëtim deri në skajet e tokës.’» (Veprat 13:47) Para se të vdiste, Pavli e pa lajmin e mirë të shpëtimit t’u shpallej jo vetëm judenjve, por ‘të gjitha krijesave që janë nën qiell’. (Kolosianëve 1:6, 23) Sot, këtë vepër e vazhdojnë ata që kanë mbetur nga vëllezërit e mirosur të Krishtit. Të mbështetur nga «një shumicë e madhe» prej miliona individësh, ata shërbejnë si ‘një dritë e kombeve’ në më shumë se 230 vende anembanë botës.—Zbulesa 7:9.
13, 14. (a) Cili ka qenë reagimi ndaj veprës së predikimit të kryer nga Mesia dhe ithtarët e tij? (b) Cili ndryshim rrethanash ka ndodhur?
13 Jehovai ka treguar se vërtet ai është forca që qëndron pas Shërbëtorit të tij, Mesisë, vëllezërve të mirosur të Mesisë dhe gjithë pjesëtarëve të shumicës së madhe që, bashkë me ta, vazhdojnë veprën e predikimit të lajmit të mirë. Vërtet, ashtu si Jezui, dishepujt e tij i kanë përbuzur dhe i kanë kundërshtuar. (Gjoni 15:20) Por, në kohën e duhur, Jehovai bën gjithmonë që rrethanat të ndryshojnë me qëllim që të shpëtojë dhe të shpërblejë shërbëtorët e tij besnikë. Lidhur me Mesinë, i cili është «i përçmuar në shpirt» dhe «i urryer nga kombi», Jehovai premton: «Vetë mbretërit do të shohin dhe, me siguri, do të ngrihen edhe princat, e do të përkulen për shkak të Jehovait që është besnik, të shenjtit të Izraelit që të zgjedh.»—Isaia 49:7.
14 Më vonë, apostulli Pavël u shkroi të krishterëve në Filipi për këtë ndryshim rrethanash që ishte parathënë. Ai e përshkroi Jezuin si një person që në një shtyllë torture e poshtëruan, por që më pas Perëndia e lartësoi. Jehovai i dha Shërbëtorit të tij «një pozitë më të lartë dhe me dashamirësi i dha emrin që është mbi çdo emër tjetër, në mënyrë që në emër të Jezuit të përkulet çdo gju». (Filipianëve 2:8-11) Ithtarët besnikë të Krishtit janë paralajmëruar se edhe ata do të persekutohen. Por, ashtu si Mesia, atyre u është dhënë siguria se do të kenë miratimin e Jehovait.—Mateu 5:10-12; 24:9-13; Marku 10:29, 30.
«Koha veçanërisht e pranueshme»
15. Cila «kohë» e veçantë përmendet në profecinë e Isaisë dhe çfarë nënkupton ajo?
15 Profecia e Isaisë vazhdon me një pohim shumë domethënës. Jehovai i thotë Mesisë: «Në një kohë miratimi të jam përgjigjur dhe në një ditë shpëtimi të kam ndihmuar; të kam ruajtur që të të jap si një besëlidhje për popullin.» (Isaia 49:8a) Një profeci e ngjashme gjendet në Psalmin 69:13-18. Psalmisti i referohet ‘një kohe miratimi’, duke përdorur shprehjen ‘kohë e pranueshme’. (Dio) Këto shprehje nënkuptojnë se miratimi dhe mbrojtja e Jehovait ofrohen në një mënyrë të veçantë, por vetëm gjatë një periudhe specifike e të përkohshme.
16. Cila ishte koha kur Izraeli i lashtë përjetoi miratimin e Jehovait?
16 Kur ishte ajo kohë miratimi? Në kontekstin origjinal, këto fjalë ishin pjesë e një profecie rivendosjeje dhe parathoshin kthimin e judenjve nga mërgimi. Kombi i Izraelit përjetoi një kohë miratimi, kur iu dha mundësia të ‘ripërtërinte vendin’ dhe të shtinte përsëri në dorë ‘zotërimet [e tij] trashëgimore të shkretuara’. (Isaia 49:8b) Nuk ishin më «të robëruar» në Babiloni. Gjatë udhëtimit për në vendin e tyre, Jehovai u kujdes që të mos i merrte ‘uria’ ose ‘etja’ dhe as të mos ‘i godiste i nxehti përvëlues ose dielli’. Izraelitët e shpërndarë u mblodhën në vendin e tyre «nga larg . . . , nga veriu dhe nga perëndimi». (Isaia 49:9-12) Bibla tregon se përveç kësaj përmbushjeje të parë emocionuese, kjo profeci ka edhe aplikime të tjera më të gjera.
17, 18. Cilën kohë miratimi caktoi Jehovai gjatë shekullit të parë?
17 Së pari, kur lindi Jezui, engjëjt shpallën paqen dhe miratimin ose hirin e Perëndisë ndaj njerëzve. (Luka 2:13, 14) Ky miratim nuk iu ofrua të gjithë njerëzve në përgjithësi, por vetëm atyre që ushtronin besim te Jezui. Më vonë, Jezui lexoi publikisht profecinë e Isaisë 61:1, 2 dhe ia aplikoi vetes si shpallës i ‘vitit të pranimit prej Jehovait’. (Luka 4:17-21) Apostulli Pavël tha se Krishti pati mbrojtjen e veçantë të Jehovait gjatë ditëve të mishit të tij. (Hebrenjve 5:7-9) Kështu, kjo kohë miratimi ka të bëjë me hirin që tregon Perëndia ndaj Jezuit gjatë jetës së tij si njeri.
18 Por, kjo profeci ka edhe një aplikim tjetër. Pasi citoi fjalët e Isaisë lidhur me kohën e miratimit, më tej Pavli tha: «Ja, tani është koha veçanërisht e pranueshme. Ja, tani është dita e shpëtimit.» (2 Korintasve 6:2) Pavli i shkroi këto fjalë 22 vjet pas vdekjes së Jezuit. Me sa duket, me lindjen e kongregacionit të krishterë në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., Jehovai e zgjati vitin e tij të miratimit për të përfshirë edhe ithtarët e mirosur të Krishtit.
19. Si mund të nxjerrin dobi të krishterët sot nga koha e miratimit nga ana e Jehovait?
19 Ç’të themi për ithtarët e sotëm të Jezuit që nuk janë të mirosur si trashëgimtarë të mbretërisë qiellore të Perëndisë? A mund të nxjerrin dobi ata me shpresë tokësore nga kjo kohë e pranueshme? Po. Libri biblik i Zbulesës tregon se kjo është një kohë miratimi nga ana e Jehovait ndaj shumicës së madhe, e cila do të dalë «nga shtrëngimi i madh» për të gëzuar jetën në një tokë parajsore. (Zbulesa 7:13-17) Prandaj, të gjithë të krishterët mund të nxjerrin dobi nga kjo periudhë e kufizuar, gjatë së cilës Jehovai u ofron miratimin e tij njerëzve të papërsosur.
20. Në ç’mënyrë të krishterët mund të mos e lënë pa përmbushur qëllimin e dashamirësisë së pamerituar të Jehovait?
20 Apostulli Pavël i parapriu shpalljes së kohës së pranueshme të Jehovait me një paralajmërim. Ai iu përgjërua të krishterëve ‘të mos e pranonin dashamirësinë e pamerituar të Perëndisë e ta linin pa përmbushur qëllimin e saj’. (2 Korintasve 6:1) Për këtë arsye, të krishterët shfrytëzojnë çdo mundësi për t’i pëlqyer Perëndisë dhe për të bërë vullnetin e tij. (Efesianëve 5:15, 16) Ata bëjnë mirë të zbatojnë këshillën e Pavlit: «Hapni sytë, vëllezër, nga frika se mos, duke u larguar nga Perëndia i gjallë, zhvillohet te ndonjëri prej jush një zemër e ligë, së cilës i mungon besimi; por vazhdoni të nxitni njëri-tjetrin çdo ditë, për sa kohë të quhet ‘sot’, nga frika se mos ndonjëri prej jush ngurtësohet nga fuqia mashtruese e mëkatit.»—Hebrenjve 3:12, 13.
21. Me cilin pohim të gëzueshëm përfundon pjesa e parë e kapitullit 49 të Isaisë?
21 Ndërsa shprehjet profetike ndërmjet Jehovait dhe Mesisë shkojnë drejt përfundimit, Isaia bën një pohim të gëzueshëm: «Lëshoni një britmë të gëzuar ju qiej, dhe ji e gëzuar ti tokë. Le të gëzohen malet me një klithmë gëzimi. Sepse Jehovai ka ngushëlluar popullin e tij dhe tregon keqardhje për të munduarit e tij.» (Isaia 49:13) Ç’fjalë të bukura ngushëlluese për izraelitët e lashtë, për Shërbëtorin madhështor të Jehovait, Jezu Krishtin, si dhe për shërbëtorët e mirosur të Jehovait dhe shokët e tyre nga ‘delet e tjera’ sot!—Gjoni 10:16.
Jehovai nuk e harron popullin e tij
22. Si e thekson Jehovai faktin se nuk do ta harrojë kurrë popullin e tij?
22 Tani Isaia vazhdon të lajmërojë shpalljet e Jehovait. Ai parathotë se izraelitët e mërguar do të priren të lodhen e të humbasin shpresën. Isaia thotë: «Sioni tha: ‘Jehovai më ka lënë, vetë Jehovai më ka harruar.’» (Isaia 49:14) A është e vërtetë kjo? A e ka braktisur dhe a e ka harruar Jehovai popullin e tij? Duke shërbyer si zëdhënësi i Jehovait, Isaia vazhdon: «A mundet një grua ta harrojë foshnjën e saj të gjirit e të mos ndiejë keqardhje për birin e barkut të saj? Këto gra edhe mund të harrojnë, por unë nuk do të të harroj.» (Isaia 49:15) Ç’përgjigje e dashur nga Jehovai! Dashuria e Perëndisë për popullin e tij është më e madhe sesa dashuria e një nëne për fëmijën e saj. Ai mendon vazhdimisht për besnikët e tij. Ai i kujton ata sikur emrat e tyre t’i kishte gdhendur në duart e tij: «Ja, të kam gdhendur në pëllëmbët e duarve të mia. Muret e tua janë vazhdimisht para meje.»—Isaia 49:16.
23. Si u dha zemër Pavli të krishterëve, që të kishin besim se Jehovai nuk do t’i harrojë?
23 Në letrën e tij drejtuar galatasve, apostulli Pavël u bëri thirrje të krishterëve: «Le të mos dorëzohemi duke bërë atë që është e shkëlqyer, sepse në stinën e duhur do të korrim, nëse nuk lodhemi.» (Galatasve 6:9) Hebrenjve ai u shkroi këto fjalë që të japin zemër: «Perëndia nuk është i padrejtë, që të harrojë veprën tuaj dhe dashurinë që treguat për emrin e tij.» (Hebrenjve 6:10) Nuk duhet të mendojmë kurrë se Jehovai e ka harruar popullin e tij. Ashtu si Sioni i lashtë, të krishterët kanë arsye të vlefshme për të gëzuar dhe për të pritur me durim Jehovain. Ai u qëndron besnik kushteve dhe premtimeve të besëlidhjes së tij.
24. Në ç’mënyrë do të ripërtërihet Sioni dhe cilat pyetje do të bëjë?
24 Nëpërmjet Isaisë, Jehovai ofron ngushëllim të mëtejshëm. Ata që «rrëzonin» Sionin, qoftë babilonasit, qoftë judenjtë apostatë, nuk përbëjnë më një kërcënim. «Bijtë» e Sionit, judenjtë e mërguar që i qëndrojnë besnikë Jehovait, «kanë nxituar». Ata do të ‘mblidhen bashkë’. Duke qenë se kanë nxituar për t’u kthyer në Jerusalem, judenjtë e riatdhesuar do të jenë stoli për kryeqytetin e tyre, ashtu si «një nuse» vishet me «zbukurime». (Isaia 49:17, 18) Vendet e Sionit janë «shkretuar». Imagjinoni habinë e tij kur papritur të ketë kaq shumë banorë, saqë vendi për banim të duket i pamjaftueshëm. (Lexo Isainë 49:19, 20.) Në mënyrë të natyrshme, ai pyet se nga vijnë gjithë këta fëmijë: «Me siguri, do të thuash në zemrën tënde: ‘Kush është bërë baba i këtyre për mua, përderisa jam një grua e privuar nga fëmijët dhe shterpë, e çuar në mërgim dhe e marrë robëreshë? Po këta, kush i ka rritur? Ja, mua për vete më kishin lënë të vetme. Ku kanë qenë këta?’» (Isaia 49:21) Çfarë situate e lumtur për Sionin që dikur ishte shterpë!
25. Ç’ripërtëritje përjetoi Izraeli frymor në ditët moderne?
25 Këto fjalë kanë një përmbushje moderne. Gjatë viteve të vështira të Luftës I Botërore, Izraeli frymor përjetoi një periudhë shkretimi dhe robërie. Por ai u ripërtëri dhe hyri në një parajsë frymore. (Isaia 35:1-10) Ashtu si qyteti dikur i shkretuar që përshkroi Isaia, ky Izrael ishte i kënaqur kur e pa veten, si të thuash, të mbushur plot me adhurues të gëzuar e të zellshëm të Jehovait.
«Një sinjal për popujt»
26. Ç’drejtim siguron Jehovai për popullin e tij të çliruar?
26 Tani, Jehovai e çon Isainë, në mënyrë profetike, në kohën kur populli i Tij do të çlirohet nga Babilonia. A do të ketë ai drejtimin hyjnor? Jehovai përgjigjet: «Ja, do t’u ngre dorën kombeve dhe popujve do t’u ngre sinjalin tim. Do t’i sjellin bijtë e tu në gji dhe do t’i mbartin bijat e tua mbi supe.» (Isaia 49:22) Në përmbushjen e parë, Jerusalemi, dikur selia e qeverisë dhe vendndodhja e tempullit të Jehovait, bëhet ‘sinjali’ i Jehovait. Madje edhe njerëz të rëndësishëm e me pushtet të kombeve të tjera si, «mbretër» dhe ‘princesha’, i ndihmojnë izraelitët në udhëtimin e tyre për t’u kthyer atje. (Isaia 49:23a) Mbretërit persë, Kiri dhe Artakserks Dorëgjati, si dhe familjet e tyre ishin midis këtyre personave që ndihmuan. (Ezdra 5:13; 7:11-26) Por fjalët e Isaisë kanë edhe një përmbushje tjetër.
27. (a) Drejt cilit «sinjal» do të vërshojnë popujt, në përmbushjen më të madhe? (b) Cili do të jetë përfundimi kur të gjitha kombet të detyrohen t’i nënshtrohen sundimit të Mesisë?
27 Në Isainë 11:10 flitet për «një sinjal për popujt». Apostulli Pavël ia aplikoi këto fjalë Krishtit Jezu. (Romakëve 15:8-12) Prandaj, në përmbushjen më të madhe, Jezui dhe bashkësundimtarët e tij të mirosur me frymë janë ‘sinjali’ i Jehovait drejt të cilit vërshojnë popujt. (Zbulesa 14:1) Në kohën e duhur, të gjithë popujt e tokës—madje edhe klasat e sotme sunduese—do të detyrohen t’i nënshtrohen sundimit të Mesisë. (Psalmi 2:10, 11; Danieli 2:44) Me ç’përfundim? Jehovai thotë: «Ke për të njohur që unë jam Jehovai, ai për të cilin ata që shpresojnë tek unë nuk do të turpërohen.»—Isaia 49:23b.
«Tani shpëtimi ynë është edhe më afër»
28. (a) Me cilat fjalë e siguron edhe një herë Jehovai popullin e tij se do të çlirohet? (b) Cili premtim i Jehovait për popullin e tij është ende i vlefshëm?
28 Disa nga ata që janë në mërgim në Babiloni mund të pyesin: ‘A është me të vërtetë e mundur që Izraeli të çlirohet?’ Jehovai e merr parasysh këtë, duke pyetur: «A mund t’i merren një njeriu të fuqishëm ata që tashmë janë marrë, ose a mund të ikë grupi i robërve të tiranit?» (Isaia 49:24) Përgjigjja është po. Jehovai i siguron: «Madje edhe grupi i robërve të njeriut të fuqishëm do të merret, dhe ata që tashmë janë marrë nga vetë tirani do të ikin.» (Isaia 49:25a) Çfarë sigurie ngushëlluese! Për më tepër, miratimi i Jehovait ndaj popullit të tij shoqërohet me një premtim të sigurt për ta mbrojtur atë. Me terma të qartë, ai thotë: «Unë vetë do të ndeshem kundër kujtdo që ndeshet me ty dhe unë vetë do të shpëtoj bijtë e tu.» (Isaia 49:25b) Ai premtim vazhdon të jetë i vlefshëm. Siç lexohet në Zakarinë 2:8, Jehovai i thotë popullit të tij: «Ai që ju prek ju, prek beben e syrit tim.» Vërtet, tani ne gëzojmë një periudhë miratimi, gjatë së cilës popujt në mbarë tokën kanë mundësinë për të vërshuar drejt Sionit frymor. Megjithatë, kjo periudhë miratimi do të përfundojë.
29. Cila e ardhme e zymtë i pret ata që refuzojnë t’i binden Jehovait?
29 Çfarë do t’u ndodhë atyre që nuk pranojnë me kokëfortësi t’i binden Jehovait dhe që madje i persekutojnë adhuruesit e tij? Ai thotë: «Do t’i bëj ata që të keqtrajtojnë të hanë mishin e tyre dhe do të dehen me gjakun e tyre si me verën e ëmbël.» (Isaia 49:26a) Një e ardhme e zymtë! Këta kundërshtarë kokëfortë s’e kanë të gjatë. Do të shkatërrohen. Kështu, duke shpëtuar popullin e tij dhe duke shkatërruar armiqtë e tyre, Jehovai do të bëjë që të shihet si Shpëtimtar. «Çdo mish ka për të njohur se unë, Jehovai, jam Shpëtimtari yt dhe Riblerësi yt, i Fuqishmi i Jakobit.»—Isaia 49:26b.
30. Cilat vepra shpëtuese ka kryer Jehovai në favor të popullit të tij dhe çfarë do të bëjë ende?
30 Këto fjalë u zbatuan për herë të parë kur Jehovai përdori Kirin për të çliruar popullin e Tij nga robëria babilonase. U zbatuan po njëlloj në vitin 1919, kur Jehovai përdori Birin e tij të hipur në fron, Jezu Krishtin, për të çliruar popullin e Tij nga skllavëria frymore. Për këtë arsye, Bibla i referohet si Jehovait, ashtu edhe Jezuit si shpëtimtarë. (Titit 2:11-13; 3:4-6) Jehovai është Shpëtimtari ynë, kurse Jezui, Mesia, është ‘Kryepërfaqësuesi’ i tij. (Veprat 5:31) Në të vërtetë, veprat shpëtuese të Perëndisë nëpërmjet Jezu Krishtit janë të mrekullueshme. Nëpërmjet lajmit të mirë, Jehovai i çliron njerëzit me zemër të drejtë nga robëria e fesë së rreme. Nëpërmjet flijimit shpërblyes, ai i çliron ata nga robëria e mëkatit dhe e vdekjes. Në vitin 1919, ai i çliroi vëllezërit e Jezuit nga robëria frymore. Gjithashtu, në luftën e Harmagedonit që po afrohet me të shpejtë, ai do të shpëtojë një shumicë të madhe njerëzish besnikë nga shkatërrimi që do të vijë mbi mëkatarët.
31. Cili duhet të jetë reagimi i të krishterëve ndaj faktit që gëzojnë miratimin e Perëndisë?
31 Çfarë privilegji është, pra, të gëzojmë miratimin e Perëndisë! Le ta përdorim me mençuri këtë kohë të pranueshme të gjithë ne! Le të veprojmë në harmoni me urgjencën e kohës në të cilën jetojmë, duke u vënë veshin fjalëve të Pavlit drejtuar romakëve: «E njihni periudhën, se tashmë është ora që të zgjoheni nga gjumi, sepse tani shpëtimi ynë është edhe më afër se në kohën kur u bëmë besimtarë. Nata është thyer; dita është afruar. Prandaj, le të zhveshim veprat që i takojnë errësirës dhe le të veshim armët e dritës. Të ecim siç ka hije, si ditën, jo në ahengje të shfrenuara e në dehje, jo në marrëdhënie seksuale të paligjshme dhe sjellje të shthurur, jo në konflikte dhe xhelozi. Por vishuni me Zotërinë Jezu Krisht dhe mos bëni që më përpara plane për dëshirat e mishit.»—Romakëve 13:11-14.
32. Cilat siguri ka populli i Perëndisë?
32 Jehovai do të vazhdojë t’i mbështetë ata që u vënë veshin këshillave të tij. Ai do t’u japë atyre forcën dhe aftësitë e nevojshme për të kryer predikimin e lajmit të mirë. (2 Korintasve 4:7) Jehovai do t’i përdorë shërbëtorët e tij ashtu si përdor Udhëheqësin e tyre, Jezuin. Ai do ta bëjë gojën e tyre «si një shpatë të mprehtë» që të arrijnë zemrat e njerëzve të butë me mesazhin e lajmit të mirë. (Mateu 28:19, 20) Ai do ta mbrojë popullin e tij «në hijen e dorës së tij». Si ‘një shigjetë e lëmuar’, ata do të fshihen në «kukurën e shigjetave të tij». Po, Jehovai nuk do ta braktisë popullin e tij!—Psalmi 94:14; Isaia 49:2, 15.
[Shënimi]
a «Duke e identifikuar Jezuin, pa dyshim, si Birin e Perëndisë dhe si ai që ishte profetizuar se do t’i shtypte kokën (Zan. 3:15), Satanai bëri gjithçka që kishte në dorë për ta vrarë atë. Por, kur shpalli ngjizjen e Jezuit, engjëlli Gabriel i tha Marisë: ‘Fryma e shenjtë do të vijë mbi ty dhe fuqia e Më të Lartit do të të mbulojë me hijen e vet. Për këtë arsye, gjithashtu, ai që do të lindë, do të quhet i shenjtë, Bir i Perëndisë.’ (Lu 1:35) Jehovai e mbrojti Birin e tij. Përpjekjet për ta vrarë Jezuin kur ishte fëmijë dështuan.»—Mendjehollësi mbi Shkrimet, vëllimi 2, faqja 868, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc., anglisht.
[Figura në faqen 139]
Mesia është si ‘një shigjetë e lëmuar’ në kukurën e shigjetave të Jehovait
[Figura në faqen 141]
Mesia ka qenë «një dritë e kombeve»
[Figura në faqen 147]
Dashuria e Perëndisë për popullin e tij është më e madhe sesa ajo e një nëne për fëmijën e saj