-
«Mos besoni te fisnikët»Profecitë e Isaisë—Dritë për gjithë njerëzimin II
-
-
13. Çfarë e pret Jezuin, por si tregon ai se është i guximshëm?
13 Disa nga ata që e hedhin poshtë Birin e vetëmlindur të Jehovait e përndjekin atë, por edhe kjo është parathënë: «Ua dorëzova kurrizin goditësve dhe faqet atyre që shkulnin qimet. Nuk e fsheha fytyrën nga gjërat poshtëruese dhe nga pështyma.» (Isaia 50:6) Sipas profecisë, Mesia do të përjetojë dhembje dhe poshtërim në duart e kundërshtarëve. Jezui e di këtë. Ai di, madje, deri në ç’pikë do të arrijë kjo përndjekje. E megjithatë, ndërsa kohës së tij në tokë po i afrohet fundi, ai nuk ka frikë. Me një vendosmëri të patundur, ai niset për në Jerusalem, ku do të marrë fund jeta e tij si njeri. Rrugës për atje, Jezui u thotë dishepujve: «Ja, tek po ngjitemi në Jerusalem dhe Biri i njeriut do t’u dorëzohet krerëve të priftërinjve dhe skribëve e ata do ta dënojnë me vdekje dhe do t’ia dorëzojnë njerëzve të kombeve, e ata do të tallen me të, do ta pështyjnë, do ta fshikullojnë e do ta vrasin, por tri ditë më pas ai do të ngrihet.» (Marku 10:33, 34) I gjithë ky keqtrajtim i lig do të provokohet nga njerëz që duhet ta dinin më mirë se të tjerët se Jezui është Mesia, pra, nga krerët e priftërinjve dhe nga skribët.
14, 15. Si përmbushen fjalët e Isaisë sipas të cilave Jezuin do ta goditnin dhe do ta poshtëronin?
14 Natën e 14 nisanit të vitit 33 të e.s., Jezui ndodhet në kopshtin e Getsemanisë me disa nga ithtarët e tij. Ai po lutet. Papritur, shfaqet një turmë dhe e arreston. Por ai nuk ka frikë. E di që Jehovai është me të. Jezui i siguron apostujt e tij, të cilët janë tmerruar, se po të donte, ai mund t’i lutej Atit të tij që të dërgonte më shumë se dymbëdhjetë legjione engjëjsh për ta shpëtuar, por shton: «Në atë rast, si do të përmbusheshin Shkrimet?»—Mateu 26:36, 47, 53, 54.
15 Çdo gjë e parathënë lidhur me sprovat dhe vdekjen e Mesisë ndodh me të vërtetë. Pas një procesi të montuar gjyqësor para Sinedrit, Jezuin e merr në shqyrtim Ponc Pilati, i cili urdhëron që ta fshikullojnë. Ushtarët romakë ‘e qëllojnë në kokë me një kallam dhe e pështyjnë’. Kështu përmbushen fjalët e Isaisë. (Marku 14:65; 15:19; Mateu 26:67, 68) Ndonëse Bibla nuk thotë që disa nga qimet e mjekrës së Jezuit i shkulin në kuptimin e vërtetë—gjest ky që tregon përçmim ekstrem—kjo gjë ndodh, pa dyshim, ashtu siç paratha Isaia.c—Nehemia 13:25.
-
-
«Mos besoni te fisnikët»Profecitë e Isaisë—Dritë për gjithë njerëzimin II
-
-
c Në mënyrë interesante, në Septuagintë, Isaia 50:6 thotë: «Ua dorëzova kurrizin tim fshikullimeve dhe faqet e mia goditjeve.»
-