Ata bënë vullnetin e Jehovait
Filipi pagëzon një zyrtar etiopas
NDËRSA shkonte me karrocën e tij, një etiopas po e përdorte kohën me mençuri. Ai lexonte me zë, një praktikë e zakonshme kjo mes udhëtarëve të shekullit të parë. Ky njeri i veçantë ishte zyrtar «i lartë i Kandaces, mbretëreshës së Etiopisë».a Ai ishte «përgjegjës i të gjitha thesareve të saj». Në të vërtetë, ishte ministër finance. Ky zyrtar po lexonte nga Fjala e Perëndisë për të fituar njohuri.—Veprat 8:27, 28.
Aty pranë ishte ungjilltari Filip. Një engjëll e kishte drejtuar atë në këtë vend dhe i kishte thënë: «Afrohu dhe arrije atë karrocë!» (Veprat 8:26, 29) Mund të imagjinojmë Filipin, duke pyetur veten: «Kush është ky njeri? Çfarë po lexon? Përse më kanë drejtuar për tek ai?»
Ndërsa Filipi ecte anash karrocës, i kapi veshi këto fjalë që po lexonte etiopasi: «Atë e çuan si delja në thertore; dhe ashtu si qengji është memec përpara qethtarit, kështu ai nuk e hapi gojën e vet. Në përuljen e tij iu mohua çfarëdolloj drejtësie; po kush do të mund ta përshkruajë brezin e tij? Sepse jeta e tij u hoq nga toka.»—Veprat 8:32, 33.
Filipi e njohu menjëherë fragmentin. Ishte nga shkrimi i Isaisë. (Isaia 53:7, 8) Etiopasi u hutua nga ajo që lexoi. Filipi filloi bisedën, duke e pyetur: «A e kupton atë që lexon?» Etiopasi u përgjigj: «E si do të mundja, po s’pata një që të më udhëzojë?» Më pas, ai e luti me ngulm Filipin që të shkonte në karrocë me të.—Veprat 8:30, 31.
«Çfarë më pengon të pagëzohem?»
«Të lutem,—i tha etiopasi Filipit,—për kë e thotë profeti këtë? Për veten e vet apo për ndonjë tjetër?» (Veprat 8:34) Pështjellimi i etiopasit nuk ishte habi, sepse identiteti i «deles» apo i «shërbëtorit» në profecinë e Isaisë, kishte qenë një mister për një kohë të gjatë. (Isaia 53:11) Sa e kuptueshme duhet të ketë qenë për etiopasin, kur Filipi i shpalli «lajmin e mirë mbi Jezuin»! Pas pak, etiopasi tha: «Ja uji! Çfarë më pengon të pagëzohem?» Kështu, Filipi e pagëzoi pa e bërë dy.—Veprat 8:35-38.
Mos vallë ky ishte një veprim i nxituar? Jo, aspak. Etiopasi ishte prozelit jude.b Kështu që ai ishte tashmë një adhurues i Jehovait dhe kishte njohuri mbi Shkrimet, duke përfshirë edhe profecitë mesianike? Megjithatë, njohuria e tij nuk ishte e plotë. Tani që kishte marrë këtë informacion jetësor në lidhje me rolin e Jezu Krishtit, etiopasi kuptoi se çfarë kërkonte Perëndia prej tij dhe qe i gatshëm ta bënte. Pagëzimi ishte me vend.—Mateu 28:18-20; 1. Pjetrit 3:21.
Pas kësaj, «Fryma e Zotit e rrëmbeu Filipin». Ai shkoi në një tjetër caktim. Etiopasi «vazhdoi rrugën e tij me plot gëzim».—Veprat 8:39, 40.
Mësim për ne
Si shërbëtorë të Jehovait në ditët e sotme, ne kemi detyrimin për të ndihmuar personat me zemër të sinqertë që të mësojnë të vërtetën e Fjalës së Perëndisë. Shumë veta, kanë pasur sukses në prezantimin e lajmit të mirë të tjerëve gjatë një udhëtimi apo në rrethana të tjera joformale. Si rezultat i veprës së predikimit të Mbretërisë, qindra mijëra njerëz e simbolizojnë dedikimin e tyre ndaj Perëndisë Jehova, duke u pagëzuar.
Pa dyshim, më të rinjtë nuk duhet të nguten drejt pagëzimit. Në fillim, duhet të marrin njohuri të saktë mbi Perëndinë Jehova dhe Birin e tij, Jezu Krishtin. (Gjoni 17:3) Më pas, duhet të pendohen, të braktisin sjelljen e gabuar dhe të kthehen për t’u përshtatur me normat e Perëndisë. (Veprat 3:19) Kjo do kohë, veçanërisht nëse mendimet apo sjellja e gabuar kanë qenë të rrënjosura thellë. Edhe pse të rinjtë duhet ta konsiderojnë seriozisht sakrificën që përfshin të qenët një dishepull i krishterë, ata mund të presin bekime të mëdha nga hyrja në një marrëdhënie të dedikuar me Perëndinë Jehova. (Krahaso Lukën 9:23; 14:25-33.) Ata që janë Dëshmitarë të Jehovait, i drejtojnë me entuziazëm këta të rinj drejt organizatës që Perëndia po përdor për të kryer vullnetin e tij. (Mateu 24:45-47) Ashtu si etiopasi, këta do të gëzojnë në mësimin dhe në përputhjen me atë që Perëndia kërkon prej tyre.
[Shënimet]
a «Kandace» nuk është emër, por titull (i ngjashëm me «Faraon» dhe «Cezar») që zbatohej në radhë për mbretëreshat e Etiopisë.
b Prozelitët ishin joizraelitë, që kishin zgjedhur t’i përmbaheshin Ligjit të Moisiut.—Levitiku 24:22.
[Kutia në faqen 8]
Përse është quajtur eunuk?
Gjatë gjithë tregimit në kreun 8 të Veprave, etiopasi është quajtur me fjalën «eunuk». Megjithatë, përderisa Ligji i Moisiut nuk pranonte një mashkull të tredhur në kongregacion, me sa duket ky njeri nuk ishte eunuk në kuptimin e vërtetë. (Ligji i përtërirë 23:1) Fjala greke për «eunuk» mund t’i referohet një personi me përgjegjësi të lartë. Në këtë mënyrë, etiopasi ishte një zyrtar i mbretëreshës së Etiopisë.