Kapitulli pesëmbëdhjetë
Gruaja shterpë gëzon
1. Pse Sara digjej nga dëshira për të pasur fëmijë dhe ç’përvojë pati ajo lidhur më këtë?
SARA digjej nga dëshira për të pasur fëmijë. Mjerisht, ishte shterpë dhe kjo e dëshpëronte shumë. Në kohën e saj, shterpësia konsiderohej si diçka poshtëruese, por s’ishte vetëm kjo që e dëshpëronte. Ajo mezi priste të shihte plotësimin e premtimit që Perëndia i bëri burrit të saj. Abrahami duhej të bëhej ati i një fare, e cila do të ishte një bekim për të gjitha familjet e tokës. (Zanafilla 12:1-3) Megjithatë, dhjetëra vjet pasi Perëndia e kishte bërë këtë premtim, Sara nuk kishte lindur ende asnjë fëmijë. Ajo u plak dhe mbeti pa fëmijë. Hera-herës mund të ketë qenë në mëdyshje se mos kishte shpresuar më kot. Por një ditë dëshpërimi i saj u kthye në gëzim!
2. Pse duhet të na interesojë profecia e regjistruar në kapitullin 54 të Isaisë?
2 Gjendja e trishtueshme e Sarës na ndihmon të kuptojmë profecinë e regjistruar në kapitullin 54 të Isaisë. Atje për Jerusalemin flitet si të ishte një grua shterpë, e cila arrin të provojë gëzimin e madh të pasjes së shumë fëmijëve. Duke e paraqitur popullin e tij të lashtë në tërësi si gruan e tij, Jehovai tregon ndjenjat e përzemërta që ka ndaj tij. Për më tepër, ky kapitull i Isaisë na ndihmon të zbulojmë një aspekt të rëndësishëm të atij që Bibla e quan ‘sekreti i shenjtë’. (Romakëve 16:25, 26) Identiteti i ‘gruas’ dhe përvojat e saj të parathëna në këtë profeci sigurojnë një informacion të rëndësishëm rreth adhurimit të pastër sot.
Identifikohet ‘gruaja’
3. Pse do të ketë arsye për të gëzuar ‘gruaja’ shterpë?
3 Kapitulli 54 nis me një lajm të gëzuar: «‘Thërrit me gëzim, o grua shterpë, që nuk lindje! Gëzohu me një klithmë gëzimi dhe bërtit, ti që nuk kishe dhembje lindjeje, sepse bijtë e së shkretës janë më të shumtë se bijtë e gruas që ka një pronar bashkëshortor’,—ka thënë Jehovai.» (Isaia 54:1) Sa i emocionuar duhet të jetë Isaia kur thotë këto fjalë! Gjithashtu, sa ngushëllim do t’u sjellë judenjve të mërguar në Babiloni përmbushja e tyre! Në atë kohë Jerusalemi do të jetë ende i shkretë. Nga një këndvështrim njerëzor do të duket sikur nuk ka asnjë shpresë që ai të popullohet përsëri, ashtu si një grua shterpë nuk do të shpresonte normalisht të lindte fëmijë në moshë të shkuar. Por këtë «grua» e pret një bekim i madh në të ardhmen: ajo do të mund të lindë. Jerusalemi do të ngazëllojë së tepërmi. Ai do të mbushet përsëri me ‘bij’ ose banorë.
4. (a) Si na ndihmon apostulli Pavël për të kuptuar se kapitulli 54 i Isaisë duhet të ketë një përmbushje më të madhe se ajo e vitit 537 p.e.s.? (b) Kush është «Jerusalemi lart»?
4 Isaia mund të mos e dijë, por profecia e tij do të ketë më shumë se një përmbushje. Apostulli Pavël citon nga kapitulli 54 i Isaisë dhe shpjegon se ‘gruaja’ përfaqëson diçka shumë më të rëndësishme se qyteti tokësor i Jerusalemit. Ai shkruan: «Jerusalemi lart është i lirë dhe është nëna jonë.» (Galatasve 4:26) Kush është «Jerusalemi lart»? Sigurisht, ky nuk është qyteti i Jerusalemit në Tokën e Premtuar, pasi ky është tokësor e jo «lart» në sferën qiellore. «Jerusalemi lart» është ‘gruaja’ qiellore e Perëndisë, organizata e tij e përbërë nga krijesa frymore të fuqishme.
5. Në dramën simbolike të përshkruar në Galatasve 4:22-31, kë përfaqësojnë (a) Abrahami, (b) Sara, (c) Isaku, (ç) Agara, (d) Ismaeli?
5 Por si është e mundur që Jehovai të ketë dy gra simbolike—një qiellore dhe një tokësore? A ka ndonjë mospërputhje këtu? Aspak. Apostulli Pavël tregon se përgjigjja gjendet në tablonë profetike të familjes së Abrahamit. (Galatasve 4:22-31; shih «Familja e Abrahamit—Një tablo profetike», në faqen 218.) Sara, «gruaja e lirë» dhe bashkëshorte e Abrahamit, përfaqëson organizatën e Jehovait ngjashëm një gruaje, e cila përbëhet nga krijesa frymore. Agara, një skllave dhe grua dytësore ose shemër e Abrahamit, përfaqëson Jerusalemin tokësor.
6. Në cilin kuptim kaloi organizata qiellore e Perëndisë një periudhë të gjatë shterpësie?
6 Tani që kemi këtë informacion kyç, fillojmë të kuptojmë domethënien e thellë të Isaisë 54:1. Pas dhjetëra vjetësh shterpësie, Sara lindi Isakun në moshën 90-vjeçare. Në mënyrë të ngjashme, organizata qiellore e Jehovait kaloi një periudhë të gjatë shterpësie. Shumë kohë më parë, në Eden, Jehovai premtoi se ‘gruaja’ do të prodhonte një ‘farë’. (Zanafilla 3:15, Dio) Më shumë se 2.000 vjet më vonë, Jehovai bëri besëlidhjen me Abrahamin për Farën e premtuar. Por ‘gruas’ qiellore të Perëndisë iu desh të priste edhe për shumë e shumë shekuj të tjerë para se ta prodhonte atë Farë. Megjithatë, erdhi koha kur fëmijët e kësaj ‘gruaje [dikur] shterpë’ u bënë më të shumtë se ata të Izraelit mishor. Ilustrimi i gruas shterpë na ndihmon të kuptojmë se përse engjëjt ishin aq të paduruar për të parë ardhjen e Farës së parathënë. (1 Pjetrit 1:12) Kur ndodhi më në fund kjo?
7. Kur pati rast për të gëzuar «Jerusalemi lart», siç ishte parathënë në Isainë 54:1, dhe pse përgjigjeni kështu?
7 Lindja e Jezuit si një fëmijë ishte pa dyshim një rast për gëzim mes engjëjve. (Luka 2:9-14) Por nuk ishte kjo ngjarja e parathënë në Isainë 54:1. Jezui u bë bir frymor i ‘Jerusalemit lart’ vetëm në vitin 29 të e.s., kur lindi nga fryma e shenjtë dhe u njoh botërisht nga vetë Perëndia si ‘Biri i tij, i dashuri’. (Marku 1:10, 11; Hebrenjve 1:5; 5:4, 5) Pikërisht atëherë ‘gruaja’ qiellore e Perëndisë kishte arsye për të gëzuar, në përmbushje të Isaisë 54:1. Më në fund, kishte lindur Farën e premtuar, Mesinë! Shekujt e shterpësisë së saj kishin mbaruar. Megjithatë, ky nuk ishte fundi i gëzimit të saj.
Fëmijë të shumtë për gruan shterpë
8. Pse kishte arsye për të gëzuar ‘gruaja’ qiellore e Perëndisë pasi prodhoi Farën e premtuar?
8 Pas vdekjes së Jezuit dhe ringjalljes që pasoi, ‘gruaja’ qiellore e Perëndisë ishte e gëzuar ta priste këtë Bir të miratuar si «të parëlindurin prej të vdekurve». (Kolosianëve 1:18) Pas kësaj, ajo filloi të lindte bij të tjerë frymorë. Në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., rreth 120 ithtarë të Jezuit u mirosën me frymën e shenjtë, duke u birësuar në këtë mënyrë si bashkëtrashëgimtarë të Krishtit. Më vonë, po atë ditë, u shtuan edhe 3.000 të tjerë. (Gjoni 1:12; Veprat 1:13-15; 2:1-4, 41; Romakëve 8:14-16) Ky grup bijsh vazhdoi të rritet. Gjatë shekujve të parë të apostazisë së të ashtuquajturit krishterim, rritja u ngadalësua së tepërmi. Megjithatë, në shekullin e 20-të, kjo gjendje do të ndryshonte.
9, 10. Çfarë do të nënkuptonte në kohën e lashtë për një grua që banonte në tenda udhëzimi «zgjeroje vendin e tendës tënde» dhe pse kjo është një kohë e gëzuar për një grua të tillë?
9 Në vazhdim, Isaia profetizon për një periudhë rritjeje të jashtëzakonshme: «Zgjeroje vendin e tendës sate. Le t’i shtrijnë pëlhurat e tendës së tabernakullit tënd të madh. Mos ngurro. Zgjati litarët e tendës sate dhe bëji të forta kunjat e tua të tendës. Sepse do të përhapesh në të djathtë e në të majtë dhe pasardhësit e tu do të shtien në dorë, edhe kombe, e do të banojnë, madje, në qytetet e shkretuara. Mos ki frikë, sepse nuk do të turpërohesh, dhe mos u ndiej e poshtëruar, sepse nuk do të zhgënjehesh. Sepse do të harrosh edhe turpin e kohës së rinisë sate dhe nuk do të kujtosh më sharjen e vejërisë sate të vazhdueshme.»—Isaia 54:2-4.
10 Këtu flitet për Jerusalemin sikur të ishte një grua dhe një nënë që banon në tenda, ashtu si Sara. Kur bekohet me rritje në familje, është koha që kjo nënë të marrë masa për zgjerimin e shtëpisë. Ajo duhet të përdorë pëlhura tende e litarë më të gjatë dhe të fiksojë mirë kunjat e tendës në pozicionet e reja. Kjo është një punë e gëzueshme për të. Gjatë një kohe si kjo, plot me punë, ajo mund t’i harrojë fare lehtë vitet që kaloi duke u hamendur me ankth nëse do të lindte apo jo ndonjëherë fëmijë që të vazhdonin linjën familjare.
11. (a) Si u bekua ‘gruaja’ qiellore e Perëndisë në vitin 1914? (Shih shënimin.) (b) Çfarë bekimi kanë përjetuar të mirosurit në tokë që nga viti 1919?
11 Jerusalemi tokësor u bekua me një periudhë të tillë ripërtëritjeje pas mërgimit në Babiloni. «Jerusalemi lart» ka qenë edhe më i bekuar.a Sidomos që nga viti 1919, «pasardhësit» e tij të mirosur kanë lulëzuar në gjendjen frymore ku sapo ishin rivendosur. (Isaia 61:4; 66:8) Ata ‘shtinë në dorë kombe’ në kuptimin që u përhapën në shumë vende, për të kërkuar të gjithë ata që dëshironin të bashkoheshin me familjen e tyre frymore. Si pasojë, u përjetua një rritje shumë e shpejtë në grumbullimin e bijve të mirosur. Numri i tyre përfundimtar, 144.000, u duk se u plotësua diku aty nga mesi i viteve 30. (Zbulesa 14:3) Në atë kohë, qëllimi kryesor i veprës së predikimit pushoi së qeni mbledhja e të mirosurve. Megjithatë, rritja nuk mbaroi me të mirosurit.
12. Përveç të mirosurve, cilët janë mbledhur në kongregacionin e krishterë që nga vitet 30?
12 Vetë Jezui paratha se përveç ‘kopesë së vogël’ të vëllezërve të tij frymorë, ai do të kishte edhe «dele të tjera» që duhej të silleshin në vathën e të krishterëve të vërtetë. (Luka 12:32; Gjoni 10:16) Ndonëse nuk janë pjesë e bijve të mirosur të ‘Jerusalemit lart’, këta shokë të besueshëm të të mirosurve përmbushin një rol të rëndësishëm, të profetizuar prej shumë kohësh. (Zakaria 8:23) Nga vitet 30 e deri tani është mbledhur një «shumicë e madhe» prej tyre, e kjo gjë ka sjellë një rritje të paparë të kongregacionit të krishterë. (Zbulesa 7:9, 10) Sot kjo shumicë e madhe përbëhet nga disa miliona njerëz. E gjithë kjo rritje ka bërë të lindë një nevojë urgjente për më shumë Salla Mbretërie, Salla Asamblesh dhe komplekse degësh. Fjalët e Isaisë duken gjithnjë e më të përshtatshme. Çfarë privilegji është që të jemi pjesë e rritjes së parathënë!
Një nënë që kujdeset për pasardhësit e saj
13, 14. (a) Ç’vështirësi haset, në pamje të parë, lidhur me disa shprehje që i drejtohen ‘gruas’ qiellore të Perëndisë? (b) Ç’farë mund të kuptojmë nga përdorimi ilustrues që i bën Perëndia marrëdhënieve familjare?
13 Kemi parë që në përmbushjen kryesore, ‘gruaja’ e profecisë përfaqëson organizatën qiellore të Jehovait. Por pasi të lexojmë Isainë 54:4, mund të pyesim veten se si ka përjetuar turp ose sharje kjo organizatë me krijesa frymore. Vargjet vijuese thonë se ‘gruaja’ e Perëndisë do të hidhet poshtë, do të mundohet dhe do të sulmohet. Ajo do të ngjallë, madje, zemërimin e Perëndisë. Si mund të gjejnë zbatim këto gjëra në një organizatë me krijesa frymore të përsosura që nuk kanë mëkatuar kurrë? Përgjigjja gjendet në vetë natyrën e familjes.
14 Jehovai i përdor marrëdhëniet familjare burrë-grua, nënë-fëmijë, për të përcjellë të vërteta të thella frymore, sepse këto simbole janë domethënëse për njerëzit. Pavarësisht nga kohëzgjatja ose cilësia e jetës sonë familjare, ka të ngjarë që ta kemi një ide se si duhet të jetë një martesë e mirë ose një marrëdhënie e mirë prind-fëmijë. Në ç’mënyrë të gjallë, pra, na mëson Jehovai se ai ka një marrëdhënie të ngrohtë intime dhe të bazuar në mirëbesim me shërbëtorët e tij të panumërt frymorë! Gjithashtu, në ç’mënyrë mbresëlënëse na mëson se organizata e tij qiellore kujdeset për pasardhësit e saj të mirosur me frymë në tokë! Kur shërbëtorët njerëzorë vuajnë, edhe shërbëtorët besnikë qiellorë, «Jerusalemi lart», vuan. Në mënyrë të ngjashme, Jezui tha: «Aq sa ia bëtë njërit prej më të vegjëlve të këtyre vëllezërve të mi [të mirosur me frymë], ma bëtë mua.»—Mateu 25:40.
15, 16. Cila është përmbushja e parë e Isaisë 54:5, 6 dhe cila është përmbushja kryesore?
15 Nuk është për t’u çuditur, pra, që pjesa më e madhe e gjërave që i thuhen ‘gruas’ qiellore të Jehovait pasqyron atë që përjetojnë fëmijët e saj në tokë. Të shqyrtojmë këto fjalë: «‘Bërësi yt i Madh është pronari yt bashkëshortor, emri i të cilit është Jehovai i ushtrive; i Shenjti i Izraelit është Riblerësi yt. Ai do të quhet Perëndia i gjithë tokës. Sepse Jehovai të thirri sikur të ishe një grua e braktisur plotësisht dhe e vrarë në frymë, dhe si një grua e rinisë që në atë kohë ishte hedhur poshtë’,—ka thënë Perëndia yt.»—Isaia 54:5, 6.
16 Kush është gruaja së cilës i drejtohen këto fjalë? Në përmbushjen e parë është Jerusalemi, i cili përfaqëson popullin e Perëndisë. Gjatë mërgimit 70-vjeçar në Babiloni, ai do të ndihet sikur Jehovai ta ketë hedhur poshtë dhe ta ketë braktisur plotësisht. Në përmbushjen kryesore, fjalët i referohen ‘Jerusalemit lart’ dhe përvojës së tij kur më në fund, në përmbushje të Zanafillës 3:15, lind ‘farën’.
Disiplinë për një çast, bekime të përjetshme
17. (a) Si do të përjetojë Jerusalemi tokësor «një vërshim» të zemërimit hyjnor? (b) Çfarë ‘vërshimi’ përjetuan bijtë e ‘Jerusalemit lart’?
17 Profecia vazhdon: «‘Për një çast të shkurtër të braktisa plotësisht, por me mëshira të mëdha do të të mbledh bashkë. Me një vërshim zemërimi ta fsheha fytyrën time veçse për një çast, por me dashamirësi deri në kohë të pacaktuar do të kem mëshirë për ty’,—ka thënë Riblerësi yt, Jehovai.» (Isaia 54:7, 8) Jerusalemi tokësor përmbytet nga një «vërshim» i zemërimit të Perëndisë, kur forcat babilonase sulmojnë në vitin 607 p.e.s. Shtatëdhjetë vjetët që kalon në mërgim mund të duken një kohë e gjatë. Megjithatë, këto vështirësi zgjatin «veçse për një çast» kur krahasohen me bekimet e përjetshme që i presin ata, të cilët reagojnë mirë ndaj disiplinës. Në mënyrë të ngjashme, bijtë e mirosur të ‘Jerusalemit lart’ u ndien sikur ishin përmbytur nga «një vërshim» i zemërimit hyjnor kur Jehovai lejoi të sulmoheshin nga elementët politikë me nxitjen e Babilonisë së Madhe. Por sa e shkurtër u duk më vonë ajo masë disiplinore, në krahasim me periudhën e bekimeve frymore që pasoi nga viti 1919!
18. Ç’parim i rëndësishëm mund të dallohet lidhur me zemërimin e Jehovait ndaj popullit të tij dhe si duhet të ndikojë kjo te ne personalisht?
18 Këto vargje shprehin një të vërtetë tjetër të madhe—zemërimi i Perëndisë është i shkurtër, por mëshira e tij zgjat përgjithmonë. Zemërimi i tij ndizet kundër keqbërjes, por është gjithmonë i kontrolluar, gjithmonë me një qëllim. Gjithashtu, nëse e pranojmë disiplinën e Jehovait, zemërimi i tij zgjat «veçse për një çast» dhe më pas fashitet. Ai zëvendësohet nga ‘mëshirat e [tij të] mëdha’—nga falja dhe nga dashamirësia e tij. Këto zgjatin «deri në kohë të pacaktuar». Prandaj, kur kryejmë një mëkat, nuk duhet të ngurrojmë kurrë që të pendohemi dhe të përpiqemi të rregullojmë marrëdhënien me Perëndinë. Nëse mëkati është i një natyre serioze, duhet t’u afrohemi menjëherë pleqve të kongregacionit. (Jakovit 5:14) Vërtet, mund të kemi nevojë për disiplinë dhe nënshtrimi ndaj saj mund të jetë i vështirë. (Hebrenjve 12:11) Por ajo do të jetë e shkurtër, kur të krahasohet me bekimet e përjetshme që do të vijnë nga marrja e faljes së Perëndisë Jehova!
19, 20. (a) Ç’është besëlidhja e ylberit dhe ç’lidhje ka ajo me të mërguarit në Babiloni? (b) Çfarë sigurie u jep ‘besëlidhja e paqes’ të krishterëve të mirosur sot?
19 Tani, Jehovai i jep popullit të tij një siguri ngushëlluese: «‘Për mua kjo është tamam si ditët e Noes. Ashtu siç jam betuar se ujërat e Noes nuk do të kalojnë më mbi tokë, kështu jam betuar që nuk do të zemërohem me ty dhe as do të të qortoj. Sepse malet mund të hiqen dhe kodrat mund të lëkunden, por dashamirësia ime nuk do të hiqet prej teje dhe as besëlidhja ime e paqes nuk do të lëkundet,—ka thënë Jehovai, Ai që ka mëshirë për ty.» (Isaia 54:9, 10) Pas Përmbytjes, Perëndia bëri një besëlidhje—ndonjëherë e njohur si besëlidhja e ylberit—me Noen dhe me çdo shpirt tjetër të gjallë. Jehovai premtoi se nuk do të sillte më shkatërrim mbi tokë nëpërmjet një përmbytjeje globale. (Zanafilla 9:8-17) Çfarë nënkupton kjo për Isainë dhe për popullin e tij?
20 Për ta është ngushëlluese të dinë se ndëshkimi që do të marrin—70 vjet mërgim në Babiloni—do të ndodhë vetëm një herë. Pasi të ketë mbaruar, nuk do të ndodhë më. Më pas, do të hyjë në fuqi ‘besëlidhja e paqes’ e Perëndisë. Fjala hebraike për «paqe» nënkupton jo vetëm mungesën e luftës, por edhe një mirëqenie në çdo kuptim. Nga ana e Perëndisë kjo besëlidhje është e përhershme. Është më e lehtë të zhduken kodrat dhe malet, sesa të marrë fund dashamirësia e Perëndisë ndaj popullit të tij besnik. Mjerisht, kombi i tij tokësor përfundimisht nuk do të arrijë të jetojë në lartësinë e kushteve të besëlidhjes për palën e tij dhe do ta prishë paqen e vet duke hedhur poshtë Mesinë. Megjithatë, bijtë e ‘Jerusalemit lart’ patën një përfundim shumë më të mirë. Pas mbarimit të periudhës së disiplinimit, atyre iu dha siguria e mbrojtjes hyjnore.
Siguria frymore e popullit të Perëndisë
21, 22. (a) Pse për ‘Jerusalemin lart’ thuhet se është i munduar dhe i tundur nga furtuna? (b) Çfarë do të nënkuptonte gjendja e bekuar e ‘gruas’ qiellore të Perëndisë për «pasardhësit» e saj në tokë?
21 Në vazhdim, Jehovai parathotë siguri për popullin e tij besnik: «O grua e munduar, e tundur nga furtuna dhe e pangushëlluar, ja ku po i vendos gurët e tu me llaç që ngurtësohet, dhe themelin tënd do ta hedh me safirë. Gjithashtu, do t’i bëj bedenat e tua prej rubini, portat e tua prej gurësh të zjarrtë rrezatues dhe gjithë kufijtë e tu prej gurësh të pëlqyeshëm. Gjithë bijtë e tu do të jenë persona të mësuar nga Jehovai dhe paqja e bijve të tu do të jetë e bollshme. Ti do të tregosh se je e vendosur fortësisht në drejtësi. Do të jesh larg nga shtypja—sepse nuk do të kesh frikë askënd—dhe nga çdo gjë tmerruese, sepse nuk do të afrohet pranë teje. Edhe nëse dikush do të të sulmonte në ndonjë mënyrë, nuk do të ishte me urdhrin tim. Kushdo që të sulmon do të bjerë për shkakun tënd.»—Isaia 54:11-15.
22 Natyrisht që ‘gruaja’ e Jehovait në sferën frymore nuk është munduar ose nuk është tundur kurrë nga furtuna, në mënyrë të drejtpërdrejtë. Por ajo vuante kur vuanin «pasardhësit» e saj të mirosur në tokë, sidomos kur ishin në robëri frymore gjatë viteve 1918 dhe 1919. Anasjelltas, kur ‘gruaja’ qiellore lartësohet, kjo pasqyron një gjendje të ngjashme që mbizotëron mes pasardhësve të saj. Le të shqyrtojmë, pra, përshkrimin e lavdishëm të ‘Jerusalemit lart’. Gurët e çmuar në porta, ‘llaçi që ngurtësohet’ i kushtueshëm, themelet dhe, madje, kufijtë, siç vëren një vepër referimi, të krijojnë një imazh «bukurie, madhështie, pastërtie, force dhe qëndrueshmërie». Çfarë do t’i çonte të krishterët e mirosur në një gjendje të tillë të sigurt e të bekuar?
23. (a) Çfarë ndikimi ka pasur mbi të krishterët e mirosur në ditët e fundit fakti që janë «të mësuar nga Jehovai»? (b) Në cilin kuptim është bekuar populli i Perëndisë me ‘kufij prej gurësh të pëlqyeshëm’?
23 Vargu 13 i kapitullit 54 të Isaisë na jep përgjigjen: të gjithë do të jenë «të mësuar nga Jehovai». Vetë Jezui i tha fjalët e këtij vargu për ithtarët e tij të mirosur. (Gjoni 6:45) Profeti Daniel paratha se në këtë ‘kohë të mbarimit’ të mirosurit do të bekoheshin me një bollëk njohurie të vërtetë dhe gjykimi të thellë frymor. (Danieli 12:3, 4, Dio) Ky gjykim i thellë u ka dhënë mundësi atyre që të udhëheqin fushatën më të madhe të arsimimit në histori, duke e përhapur mësimin hyjnor në gjithë tokën. (Mateu 24:14) Në të njëjtën kohë, ky gjykim i thellë i ka ndihmuar të dallojnë ndryshimin ndërmjet fesë së vërtetë dhe asaj të rreme. Isaia 54:12 përmend ‘kufij prej gurësh të pëlqyeshëm’. Që nga viti 1919, Jehovai u ka dhënë të mirosurve një kuptueshmëri gjithnjë e më të qartë për kufijtë—vijat ndarëse frymore—që i veçojnë ata nga feja e rreme dhe nga elementët e paperëndishëm të botës. (Ezekieli 44:23; Gjoni 17:14; Jakovit 1:27) Në këtë mënyrë, ata janë ndarë veç si populli i Perëndisë.—1 Pjetrit 2:9.
24. Si mund të sigurohemi se po mësohemi nga Jehovai?
24 Kështu, secili prej nesh bën mirë të pyesë veten: ‘A po mësohem nga Jehovai?’ Këtë mësim nuk e marrim automatikisht. Duhet të përpiqemi. Nëse e lexojmë Fjalën e Perëndisë rregullisht dhe meditojmë rreth saj, si edhe nëse marrim udhëzime duke lexuar literaturën me bazë biblike të botuar nga «skllavi i besueshëm dhe i matur» dhe duke u përgatitur e duke marrë pjesë në mbledhjet e krishtere, atëherë do të mësohemi me të vërtetë nga Jehovai. (Mateu 24:45-47) Nëse përpiqemi ta zbatojmë atë që mësojmë dhe nëse mbetemi zgjuar e vigjilentë frymësisht, mësimi hyjnor do të na ndajë veç si të ndryshëm nga njerëzit e tjerë në këtë botë të paperëndishme. (1 Pjetrit 5:8, 9) Por ç’është më e rëndësishmja, ai do të na ndihmojë t’i ‘afrohemi Perëndisë’.—Jakovit 1:22-25; 4:8.
25. Çfarë nënkupton për popullin e Perëndisë në kohët moderne premtimi i Tij për paqe?
25 Profecia e Isaisë tregon, gjithashtu, se të mirosurit janë të bekuar me një bollëk paqeje. A do të thotë kjo se ata nuk sulmohen kurrë? Jo, por Perëndia siguron se ai as do të urdhërojë sulme të tilla dhe as do të lejojë që ato të kenë sukses. Lexojmë: «‘Ja, unë kam krijuar artizanin, atë që fryn mbi zjarrin me qymyr dhe që nxjerr një armë si vepër të tij. Po unë kam krijuar njeriun shkatërrimtar për veprën e shkatërrimit. Çfarëdo arme që do të formohet kundër teje nuk do të ketë sukses dhe çdo gjuhë që do të ngrihet kundër teje në gjykim, ti do ta dënosh. Ky është zotërimi trashëgimor i shërbëtorëve të Jehovait dhe drejtësia e tyre është prej meje’,—është shprehja e Jehovait.»—Isaia 54:16, 17.
26. Pse është siguruese të dimë se Jehovai është Krijuesi i gjithë njerëzimit?
26 Për herë të dytë në këtë kapitull të Isaisë, Jehovai u kujton shërbëtorëve të tij se është Krijuesi. Më parë i tregoi gruas së tij simbolike se është ‘Bërësi i saj i Madh’. Tani thotë se është Krijuesi i gjithë njerëzimit. Vargu 16 përshkruan një metalpunues që i fryn prushit të farkës së tij ndërsa krijon armët e tij të shkatërrimit, si edhe një luftëtar, një ‘njeri shkatërrimtar për veprën e shkatërrimit’. Burra të tillë mund të jenë një pamje e frikshme për njerëzit e tjerë, por si mund të shpresojnë të triumfojnë mbi Krijuesin e tyre? Ngjashëm, sot, edhe kur elementët më të fuqishëm të kësaj bote të sulmojnë popullin e Jehovait, nuk do të kenë asnjë mundësi për fitore përfundimtare. Si është e mundur?
27, 28. Për çfarë mund të jemi të sigurt në këto kohë të trazuara dhe si e dimë që sulmet e Satanait kundër nesh do të dalin të pasuksesshme?
27 Koha për sulmin shkatërrimtar kundër popullit të Perëndisë dhe adhurimit të tyre me frymë dhe të vërtetë ka kaluar. (Gjoni 4:23, 24) Jehovai e lejoi Babiloninë e Madhe të bënte një sulm, i cili përkohësisht doli i suksesshëm. Për një çast të shkurtër, ‘Jerusalemi lart’ i pa pasardhësit e tij të detyroheshin që pothuajse të heshtnin, ndërsa vepra e predikimit në tokë gati-gati pushoi. Kjo nuk ka për të ndodhur më kurrë. Tani, ai ngazëllon për bijtë e tij, pasi ata janë të pamposhtshëm në kuptimin frymor. (Gjoni 16:33; 1 Gjonit 5:4) Vërtet, kundër tyre janë formuar armë për t’i sulmuar dhe do të formohen ende. (Zbulesa 12:17) Por ato nuk kanë pasur dhe nuk do të kenë sukses. Satanai nuk zotëron asnjë armë që mund të mposhtë besimin dhe zellin e zjarrtë të të mirosurve dhe të shokëve të tyre. Kjo paqe frymore është «zotërimi trashëgimor i shërbëtorëve të Jehovait», prandaj askush nuk mund t’ua marrë atë me forcë.—Psalmi 118:6; Romakëve 8:38, 39.
28 Jo, asnjë nga gjërat që mund të bëjë bota e Satanait nuk do ta ndalojë ndonjëherë veprën dhe adhurimin e pastër të qëndrueshëm që i bëjnë Perëndisë shërbëtorët e tij të dedikuar. Pasardhësit e mirosur të ‘Jerusalemit lart’ kanë nxjerrë shumë ngushëllim nga kjo siguri. Pjesëtarët e shumicës së madhe bëjnë të njëjtën gjë. Sa më shumë të mësojmë për organizatën qiellore të Jehovait dhe për marrëdhënien e saj me adhuruesit e tij në tokë, aq më i fortë do të jetë besimi ynë. Për sa kohë që besimi ynë të jetë i fortë, armët e Satanait do të jenë të kota në luftën kundër nesh.
[Shënimi]
a Sipas Zbulesës 12:1-17, ‘gruaja’ e Perëndisë u bekua së tepërmi duke lindur një ‘pasardhës’ shumë të rëndësishëm, jo një bir frymor të vetëm, por Mbretërinë Mesianike në qiell. Kjo lindje ndodhi në vitin 1914. (Shih Zbulesa: Kulmi i saj madhështor është afër!, faqet 177-186.) Profecia e Isaisë përqendrohet në gëzimin që provon ajo si rrjedhojë e bekimit të Perëndisë mbi bijtë e saj të mirosur në tokë.
[Kutia në faqet 218, 219]
Familja e Abrahamit—Një tablo profetike
Apostulli Pavël shpjegoi se familja e Abrahamit shërben si një dramë simbolike, si një tablo profetike e marrëdhënies së Jehovait me organizatën e tij qiellore dhe me kombin tokësor të Izraelit nën besëlidhjen e Ligjit të Moisiut.—Galatasve 4:22-31.
Abrahami, si kryefamiljar, përfaqëson Perëndinë Jehova. Gatishmëria e Abrahamit për të paraqitur si flijim birin e tij të dashur, Isakun, përfaqëson gatishmërinë e Jehovait për të paraqitur Birin e tij të dashur si flijim për mëkatet e njerëzimit.—Zanafilla 22:1-13; Gjoni 3:16.
Sara përfaqëson ‘gruan’ qiellore të Perëndisë, organizatën e tij me krijesa frymore. Kjo organizatë qiellore përshkruhet në mënyrë të përshtatshme si gruaja e Jehovait, pasi është e lidhur ngushtë me të, është e nënshtruar ndaj kryesisë së tij dhe bashkëpunon plotësisht në përmbushjen e qëllimeve të tij. Ajo quhet, gjithashtu, «Jerusalemi lart». (Galatasve 4:26) Po kjo «grua» përmendet në Zanafillën 3:15 dhe përshkruhet në një vizion te Zbulesa 12:1-6, 13-17.
Isaku përfaqëson Farën frymore të gruas së Perëndisë. Pjesa kryesore e kësaj Fare është Jezu Krishti. Megjithatë, Fara përfshiu edhe vëllezërit e mirosur të Krishtit, të cilët janë pranuar si bij frymorë dhe bëhen bashkëtrashëgimtarë me Krishtin.—Romakëve 8:15-17; Galatasve 3:16, 29.
Agara, gruaja dytësore ose konkubina e Abrahamit, ishte një skllave. Ajo përfaqëson në mënyrë të përshtatshme Jerusalemin tokësor që qeverisej nga kodi i Ligjit të Moisiut, i cili i ekspozonte si skllevër të mëkatit dhe të vdekjes të gjithë ata që gjendeshin nën Ligj. Pavli tha se «Agara përfaqëson Sinain, një mal në Arabi», pasi atje u lidh besëlidhja e Ligjit.—Galatasve 3:10, 13; 4:25.
Ismaeli, biri i Agarës, përfaqëson judenjtë e shekullit të parë, bijtë e Jerusalemit ende të skllavëruar ndaj Ligjit të Moisiut. Ashtu si Ismaeli përndoqi Isakun, po ashtu ata judenj përndoqën të krishterët që ishin bij të mirosur të Sarës simbolike, të ‘Jerusalemit lart’. Dhe ashtu si Abrahami i dëboi Agarën dhe Ismaelin, po ashtu Jehovai përfundimisht i hodhi poshtë Jerusalemin dhe bijtë e tij rebelë.—Mateu 23:37, 38.
[Figura në faqen 220]
Pas pagëzimit, Jezui u miros me frymën e shenjtë dhe kjo shënoi fillimin e përmbushjes më të rëndësishme të Isaisë 54:1
[Figura në faqen 225]
Jehovai ia fshehu fytyrën e tij Jerusalemit «veçse për një çast»
[Figurat në faqen 231]
A mund të triumfojnë mbi Krijuesin e tyre luftëtari dhe metalpunuesi?