A është reale për ju udhëheqja e Krishtit?
«As mos u quani ‘udhëheqës’, sepse Udhëheqësi juaj është një i vetëm, Krishti.»—MATEU 23:10.
1. Cili është Udhëheqësi i vetëm i të krishterëve të vërtetë?
ISHTE e martë, data 11 nisan. Tri ditë më vonë, Jezu Krishtin do ta vritnin. Kjo ishte vizita e fundit që bënte në tempull. Në atë ditë, Jezui u dha një mësim të rëndësishëm turmave që ishin mbledhur aty, si edhe dishepujve të tij. U tha: «Mos u quani Rabi, sepse mësuesi juaj është një i vetëm, kurse ju të gjithë jeni vëllezër. Veç kësaj, mos quani askënd atin tuaj mbi tokë, sepse Ati juaj është një i vetëm, Qiellori. As mos u quani ‘udhëheqës’, sepse Udhëheqësi juaj është një i vetëm, Krishti.» (Mateu 23:8-10) Është e qartë se Jezu Krishti është Udhëheqësi i të krishterëve të vërtetë.
2, 3. Çfarë efekti ka në jetën tonë kur dëgjojmë Jehovain dhe pranojmë Udhëheqësin që ai ka emëruar?
2 Sa efekte të dobishme ka udhëheqja e Jezuit në jetën tonë, kur e pranojmë atë! Duke parathënë ardhjen e këtij Udhëheqësi, Perëndia Jehova shpalli nëpërmjet profetit Isaia: «O ju të gjithë që keni etje, ejani tek ujërat, dhe ju që nuk keni para ejani, blini dhe hani! Ejani, blini pa para dhe pa paguar verë dhe qumësht! . . . Dëgjomëni me kujdes dhe do të hani atë që është e mirë, dhe shpirti juaj do të shijojë ushqime të shijshme. . . . Ja, unë ia dhashë si dëshmitar popujve, si princ [udhëheqës, BR] dhe komandant të popujve.»—Isaia 55:1-4.
3 Ujin, qumështin dhe verën, që janë lëngje të zakonshme, Isaia i përdori si metafora për të treguar se si ndikohet jeta e secilit prej nesh kur e dëgjojmë Jehovain dhe ndjekim Udhëheqësin e Komandantin që ai na ka dhënë. Pasojat janë freskuese. Është si të pish një gotë ujë të ftohtë në një ditë të nxehtë. Etja jonë për të vërtetën dhe për drejtësinë na plotësohet. Ashtu si qumështi i forcon foshnjat dhe i ndihmon të rriten, ‘qumështi i fjalës’ na forcon dhe nxit rritjen frymore në marrëdhënien tonë me Perëndinë. (1 Pjetrit 2:1-3) Po kështu, kush mund ta mohojë se vera e shton gëzimin nëpër festa? Në mënyrë të ngjashme, të adhurojmë Perëndinë e vërtetë dhe të ndjekim gjurmët e Udhëheqësit që ai ka emëruar, na e bën jetën ‘veçse të gëzuar’. (Ligji i përtërirë 16:15, BR) Pra, është jetësore që të gjithë ne, të rinj e të moshuar, meshkuj e femra, të tregojmë se udhëheqja e Krishtit është reale për ne. Por, si mund ta tregojmë në jetën e përditshme se Mesia është Udhëheqësi ynë?
Të rinj: Vazhdoni të ‘rriteni në mençuri’
4. (a) Çfarë ndodhi kur Jezui 12-vjeçar shkoi në Jerusalem, në kohën e Pashkës? (b) Sa i informuar ishte Jezui, ndonëse ishte veçse 12 vjeç?
4 Shqyrtoni shembullin që la për të rinjtë Udhëheqësi ynë. Ndonëse për fëmijërinë e Jezuit dihet pak, një ngjarje na zbulon mjaft gjëra. Kur Jezui ishte 12 vjeç prindërit e morën me vete në vizitën vjetore në Jerusalem, për Pashkën. Në këtë rast, ai u përfshi në një bisedë rreth Shkrimeve dhe, pa e vënë re, familja u largua pa të. Tri ditë më vonë, prindërit e shqetësuar, Jozefi dhe Maria, e gjetën në tempull «të ulur mes mësuesve, tek i dëgjonte dhe i pyeste». Për më tepër, «të gjithë ata që e dëgjonin, mahniteshin vazhdimisht me kuptueshmërinë dhe përgjigjet e tij». Mendoni pak, ndonëse ishte vetëm 12 vjeç, Jezui ishte në gjendje jo vetëm të bënte pyetje që të vinin në mendime e që ishin të drejtuara ndaj gjërave frymore, por ishte në gjendje edhe të jepte përgjigje inteligjente! Pa dyshim që e kishte ndihmuar edhe stërvitja e prindërve.—Luka 2:41-50.
5. Si mund ta përcaktojnë të rinjtë qëndrimin që kanë ndaj studimit familjar të Biblës?
5 Ndoshta je një i ri. Po qe se prindërit i ke shërbëtorë të devotshëm të Perëndisë, ka të ngjarë që në shtëpinë tënde të ketë një program të rregullt për studimin familjar të Biblës. Çfarë qëndrimi ke ndaj studimit familjar? Përse të mos meditosh rreth pyetjeve të tilla, si: A po e mbështet unë me gjithë zemër rregullin për studimin biblik në familjen time? A bashkëpunoj duke mos bërë asgjë për të prishur programin? (Filipianëve 3:16) A marr pjesë gjallërisht në studim? Kur është e përshtatshme, a bëj pyetje rreth materialit të studimit dhe a komentoj se si zbatohet ky material? Ndërkohë që jam duke bërë përparim frymor, a po kultivoj shijen për ‘ushqimin e fortë që u përket njerëzve të pjekur’?—Hebrenjve 5:13, 14.
6, 7. Sa i vlefshëm mund të jetë për të rinjtë programi për ta lexuar Biblën çdo ditë?
6 Edhe programi për ta lexuar përditë Biblën është i vlefshëm. Psalmisti këndoi: «Lum njeriu që nuk ka ecur në këshillën e të ligjve, . . . por kënaqësia e të cilit është në ligjin e Jehovait dhe në ligjin e tij ai lexon nën zë ditë e natë.» (Psalmi 1:1, 2, BR) Josiu, i cili pasoi Moisiun, ‘lexonte nën zë në librin e ligjit ditë e natë’. Kjo i dha mundësi të vepronte me mençuri dhe ta kryente me sukses caktimin që i kishte dhënë Perëndia. (Josiu [Jozueu] 1:8, BR) Udhëheqësi ynë, Jezu Krishti, tha: «Është shkruar: ‘Njeriu s’duhet të jetojë vetëm me bukë, por me çdo shprehje që del nga goja e Jehovait.’» (Mateu 4:4) Përderisa kemi nevojë për ushqim fizik çdo ditë, kemi edhe më shumë nevojë të marrim rregullisht ushqim frymor.
7 Duke e kuptuar nevojën e saj frymore, Nikola 13-vjeçare filloi ta lexonte Biblën çdo ditë.a Tani që është 16 vjeçe, e ka lexuar të gjithë Biblën një herë dhe është në gjysmë të saj për herë të dytë. Metoda që përdor ajo është e thjeshtë. «Bëj çmos që të lexoj të paktën një kapitull në ditë»,—thotë. Si e ka ndihmuar leximi i përditshëm i Biblës? Ajo përgjigjet: «Sot ndikimet e këqija janë të shumta. Çdo ditë has presione në shkollë e në vende të tjera, të cilat ma vënë në provë besimin. Leximi që i bëj Biblës çdo ditë më ndihmon t’i kujtoj shpejt urdhrat dhe parimet biblike që më japin zemër t’u bëj ballë këtyre presioneve. Si pasojë, ndihem më afër Jehovait dhe Jezuit.»
8. Çfarë zakoni kishte Jezui lidhur me sinagogën dhe si mund ta imitojnë të rinjtë atë?
8 Jezui e kishte zakon të dëgjonte dhe të merrte pjesë në leximin e Shkrimeve në sinagogë. (Luka 4:16; Veprat 15:21) Sa gjë e mirë është që të rinjtë të imitojnë këtë shembull, duke ndjekur rregullisht mbledhjet e krishtere, ku lexohet dhe studiohet Bibla! Duke shprehur çmueshmërinë e tij për këto mbledhje, Riçardi 14-vjeçar thotë: «Mbledhjet janë të çmuara për mua. Atje marr vazhdimisht përkujtues të asaj që është e mirë dhe e keqe, të asaj që është morale dhe jomorale, të asaj që është e krishterë dhe të asaj që nuk është. Nuk më duhet t’i zbuloj këto gjëra në mënyrën më të rëndë, domethënë mbi kurrizin tim.» Po, «përkujtuesi i Jehovait është i denjë për besim, duke e bërë të mençur atë që është pa përvojë». (Psalmi 19:7, BR) Edhe Nikola i vë synim vetes t’i ndjekë të pesë mbledhjet e kongregacionit që mbahen çdo javë. Gjithashtu, ajo kalon dy deri në tri orë duke u përgatitur për to.—Efesianëve 5:15, 16.
9. Si mund të vazhdojnë të rinjtë ‘të rriten në mençuri’?
9 Rinia është një kohë e mirë për të fituar ‘njohuri për të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që ai dërgoi, Jezu Krishtin’. (Gjoni 17:3) Ndoshta njeh të rinj që kalojnë shumë kohë duke lexuar libra komikë, duke parë televizor, duke luajtur me lojëra në video ose duke u endur nëpër Internet. Përse duhet të imitosh ata, kur mund të ndjekësh shembullin e përsosur të Udhëheqësit tonë? Kur ishte ende djalë, ai kënaqej duke mësuar për Jehovain. Cili ishte përfundimi? Ngaqë i donte gjërat frymore, «Jezui vazhdonte të rritej në mençuri». (Luka 2:52) Kështu mund të ndodhë edhe me ty.
«Jini të nënshtruar ndaj njëri-tjetrit»
10. Çfarë gjëje do të ndihmojë që jeta familjare të jetë burim paqeje dhe lumturie?
10 Shtëpia mund të jetë një liman paqeje dhe kënaqësie, por mund të jetë edhe një fushë beteje me konflikte dhe grindje. (Fjalët e urta [Proverbat] 21:19; 26:21) Pranimi i udhëheqjes së Krishtit na e shton paqen dhe lumturinë në familje. Në të vërtetë, shembulli i Jezuit është modeli që duhet ndjekur për sa u përket lidhjeve familjare. Shkrimet thonë: «Jini të nënshtruar ndaj njëri-tjetrit në frikën e Krishtit. Gratë le të jenë të nënshtruara ndaj burrave të tyre, si ndaj Zotërisë, sepse burri është kreu i gruas së tij, ashtu si edhe Krishti është kreu i kongregacionit, duke qenë shpëtimtari i këtij trupi. . . . Burra, vazhdoni t’i doni gratë tuaja, ashtu si edhe Krishti e deshi kongregacionin dhe dorëzoi veten e vet për të.» (Efesianëve 5:21-25) Apostulli Pavël i shkroi kongregacionit në Kolose: «Ju, fëmijë, jini të bindur ndaj prindërve tuaj në çdo gjë, pasi kjo është e pëlqyeshme në Zotërinë.»—Kolosianëve 3:18-20.
11. Si mund ta tregojë një burrë se udhëheqja e Krishtit është reale për të?
11 Ndjekja e kësaj këshille nënkupton që burri të marrë drejtimin në familje, e shoqja ta mbështetë me besnikëri dhe fëmijët t’u binden prindërve. Mirëpo, kryesia e burrit sjell lumturi vetëm atëherë kur ushtrohet siç duhet. Një burrë i mençur duhet të mësojë se si ta ushtrojë kryesinë, duke imituar Kreun dhe Udhëheqësin e tij, Krishtin Jezu. (1 Korintasve 11:3) Ndonëse më vonë u bë ‘krye mbi të gjitha gjërat në kongregacion’, Jezui erdhi në tokë jo «që t’i shërbejnë, por që të shërbejë». (Efesianëve 1:22; Mateu 20:28) Në mënyrë të ngjashme, një burrë i krishterë e ushtron kryesinë jo për të përfituar vetë në mënyrë egoiste, por për t’u kujdesur për interesat e gruas dhe të fëmijëve, pra, të të gjithë familjes. (1 Korintasve 13:4, 5) Përpiqet të imitojë cilësitë e perëndishme të kreut të tij, Jezu Krishtit. Ashtu si Jezui, ai është me natyrë të butë dhe i përulur në zemër. (Mateu 11:28-30) Kur gabon, ai nuk e ka të vështirë të thotë fjalë të tilla, si «më fal» ose «ke të drejtë». Shembulli i tij i shkëlqyer ia bën më të lehtë gruas që të jetë një «ndihmës», një «plotësim» dhe një ‘shoqe’ për burrin, duke mësuar prej tij e duke punuar përkrah tij.—Zanafilla 2:20, BR; Malakia 2:14.
12. Çfarë do ta ndihmojë një grua që të veprojë në përputhje me parimin e kryesisë?
12 Gruaja, nga ana e saj, duhet të jetë e nënshtruar ndaj të shoqit. Por, nëse ndikohet nga fryma e botës, kjo frymë mund të fillojë t’ia minojë pikëpamjen që ka për parimin e kryesisë, kështu që nuk do t’i duket tërheqëse ideja që t’i nënshtrohet një burri. Shkrimet nuk nënkuptojnë që burri duhet të jetë një despot, por, nga ana tjetër, kërkojnë që gratë të jenë të nënshtruara ndaj burrave të tyre. (Efesianëve 5:24) Bibla, gjithashtu, e quan përgjegjës burrin ose babanë dhe, kur këshillat biblike zbatohen, shtohet paqja dhe rregulli në familje.—Filipianëve 2:5.
13. Cilin shembull të nënshtrimit ka lënë Jezui për fëmijët?
13 Fëmijët duhet të jenë të bindur ndaj prindërve. Në këtë fushë, Jezui la një shembull të shkëlqyer. Pas ngjarjes në tempull, kur Jezui 12-vjeçar kishte mbetur atje për tri ditë, «ai zbriti bashkë me [prindërit e tij] dhe erdhi në Nazaret e vazhdonte t’u nënshtrohej atyre». (Luka 2:51) Nënshtrimi i fëmijëve ndaj prindërve e shton paqen dhe harmoninë në familje. Kur të gjithë në familje i nënshtrohen udhëheqjes së Krishtit, përfundimi është një familje e lumtur.
14, 15. Çfarë do të na ndihmojë që të kemi sukses, kur hasim një rrethanë të vështirë në shtëpi? Jepni një shembull.
14 Edhe kur në shtëpi krijohen rrethana të vështira, çelësi për suksesin është të imitohet Jezui dhe të pranohet udhëheqja e tij. Për shembull, martesa e Xherrit 35-vjeçar me Lanën, e cila kishte tashmë një vajzë adoleshente, solli një sfidë që asnjëri nga të dy nuk e kishte marrë me mend. Xherri shpjegon: «E dija se për të qenë një kryefamiljar i mirë, duhej të zbatoja të njëjtat parime biblike që sjellin sukses në familjet e tjera. Por shpejt zbulova se këto parime duhej t’i zbatoja me më shumë mençuri dhe aftësi dalluese.» Vajza e Lanës e shihte Xherrin si dikë që kishte hyrë midis saj dhe nënës së saj, e për këtë i mbante shumë inat. Xherrit i duhej aftësi dalluese për të kuptuar se ky qëndrim ndikonte te fjalët e te veprimet e vajzës. Si e zgjidhi çështjen? Xherri përgjigjet: «Unë dhe Lana vendosëm që, të paktën përkohësisht, të kujdesej Lana për detyrën prindërore të disiplinimit, kurse unë të përqendrohesha për të ndërtuar një marrëdhënie të mirë me vajzën. Me kalimin e kohës, kjo mënyrë të vepruari solli fryte të mira.»
15 Kur hasim rrethana të vështira në shtëpi, kemi nevojë për aftësi dalluese që të kuptojmë përse pjesëtarët e familjes flasin dhe veprojnë në atë mënyrë. Gjithashtu, kemi nevojë për mençuri, që t’i zbatojmë siç duhet parimet hyjnore. Jezui, për shembull, e kuptonte qartë për ç’arsye e kishte prekur gruaja që vuante nga një gjakrrjedhje dhe e trajtoi me dhembshuri e me mençuri. (Levitiku 15:25-27; Marku 5:30-34) Mençuria dhe aftësia dalluese janë tipare të Udhëheqësit tonë. (Fjalët e urta 8:12) Do të jemi të lumtur nëse veprojmë siç do të kishte vepruar ai.
‘Vazhdoni të kërkoni më parë mbretërinë’
16. Çfarë duhet të zërë vendin kryesor në jetën tonë dhe si e tregoi Jezui këtë me shembullin e tij?
16 Jezui nuk la asnjë dyshim se çfarë duhet të zërë vendin kryesor në jetën e atyre që pranojnë udhëheqjen e tij. Ai tha: «Vazhdoni, pra, të kërkoni më parë mbretërinë dhe drejtësinë e tij [të Perëndisë].» (Mateu 6:33) Dhe me shembullin e tij na tregoi se si ta bëjmë këtë. Në fund të periudhës 40-ditore të agjërimit, të meditimit dhe të lutjes, pas pagëzimit të tij, Jezui hasi një tundim. Satana Djalli i propozoi t’i jepte sundimin mbi «të gjitha mbretëritë e botës». Përfytyroni jetën që mund të kishte pasur Jezui, po të kishte pranuar atë që i propozoi Djalli! Mirëpo Krishti ishte i përqendruar për të bërë vullnetin e Atit të tij. Veç kësaj, ai e kuptoi se një jetë e tillë në botën e Satanait do të ishte e shkurtër. Menjëherë e hodhi poshtë propozimin e Djallit, duke thënë: «Është shkruar: ‘Jehovain, Perëndinë tënd, duhet të adhurosh dhe vetëm atij duhet t’i bësh shërbim të shenjtë.’» Pak më pas, Jezui «nisi të predikonte e të thoshte: ‘Pendohuni, sepse mbretëria e qiejve është afruar.’» (Mateu 4:2, 8-10, 17) Gjatë pjesës tjetër të jetës së tij në tokë, Krishti ishte një lajmëtar i plotkohor i Mbretërisë së Perëndisë.
17. Si mund ta tregojmë se interesat e Mbretërisë zënë vendin e parë në jetën tonë?
17 Bëjmë mirë të imitojmë Udhëheqësin tonë dhe të mos lëmë që bota e Satanait të na joshë që synimin tonë kryesor në jetë të bëjmë një punë me pagë të lartë dhe një karrierë. (Marku 1:17-21) Sa e pamend do të ishte që të ngecnim kaq shumë në një rrjet të ngatërruar veprimtarish në botë, saqë interesat e Mbretërisë të bëheshin dytësore! Jezui na ka besuar veprën e predikimit të Mbretërisë dhe të bërjes së dishepujve. (Mateu 24:14; 28:19, 20) Vërtet, mund të kemi familje për t’u kujdesur ose përgjegjësi të tjera për të përmbushur, por, a nuk jemi të kënaqur që i përdorim mbrëmjet dhe fundjavët për të përmbushur përgjegjësinë tonë të krishterë të predikimit e të mësimdhënies? Sa na jep zemër fakti që 780.000 persona patën mundësi të shërbenin si pionierë ose shërbëtorë të plotkohorë gjatë vitit të shërbimit 2001!
18. Çfarë na ndihmon të gjejmë gëzim në shërbim?
18 Tregimet e Ungjijve e paraqesin Jezuin si një njeri të veprimit e si një njeri që kishte ndjenja të përzemërta. Duke parë nevojat frymore të atyre që kishte përreth, ai ndjeu keqardhje për ta dhe me gatishmëri u dha ndihmë. (Marku 6:31-34) Shërbimi ynë bëhet i gëzueshëm kur e bëjmë nga dashuria për të tjerët dhe nga dëshira e vërtetë për t’i ndihmuar. Por, si mund të arrijmë ta kemi një dëshirë të tillë? «Kur isha adoleshent,—thotë një djalë me emrin Xhezon,—nuk është se më pëlqente në mënyrë të veçantë shërbimi.» Çfarë e ndihmoi të kultivonte dashurinë për këtë vepër? Xhezoni përgjigjet: «Në familjen time, mëngjesi i së shtunës i kushtohej gjithnjë shërbimit në fushë. Kjo ishte gjë e mirë për mua, sepse, sa më shumë që dilja në shërbim, aq më shumë shihja gjërat e mira që më jepte dhe aq më shumë më pëlqente.» Edhe ne duhet të marrim pjesë rregullisht e me zell në shërbim.
19. Çfarë vendosmërie duhet të kemi për sa i përket udhëheqjes së Krishtit?
19 Të pranojmë udhëheqjen e Krishtit është vërtet freskuese dhe shpërblyese. Kur veprojmë kështu, rinia bëhet një kohë për të përparuar në njohuri e në mençuri. Jeta familjare bëhet një burim paqeje dhe lumturie, kurse shërbimi bëhet një vepër që sjell gëzim e kënaqësi. Atëherë, le të jemi me çdo kusht të vendosur që të tregojmë në jetën e përditshme dhe në vendimet që marrim, se udhëheqja e Krishtit është reale për ne! (Kolosianëve 3:23, 24) Gjithsesi, Jezu Krishti ka siguruar udhëheqje edhe nëpërmjet një kanali tjetër, nëpërmjet kongregacionit të krishterë. Artikulli vijues do të marrë në shqyrtim se si mund të nxjerrim dobi nga kjo masë.
[Shënimi]
a Disa emra janë ndryshuar.
A ju kujtohet?
• Si nxjerrim dobi duke ndjekur Udhëheqësin që ka emëruar Perëndia?
• Si mund ta tregojnë të rinjtë se duan të ndjekin udhëheqjen e Jezuit?
• Çfarë efekti ka udhëheqja e Krishtit në jetën familjare të atyre që i nënshtrohen kësaj udhëheqjeje?
• Si mund ta tregojmë me shërbimin tonë se udhëheqja e Krishtit është reale për ne?
[Figurat në faqen 9]
Rinia është një kohë e mirë për të fituar njohuri për Perëndinë dhe për Udhëheqësin që ai ka emëruar
[Figura në faqen 10]
Nënshtrimi ndaj udhëheqjes së Krishtit nxit lumturinë në familje
[Figurat në faqen 12]
Jezui kërkonte më parë Mbretërinë. Po ju?