-
Të huaj të mbledhur në shtëpinë e lutjes të PerëndisëProfecitë e Isaisë—Dritë për gjithë njerëzimin II
-
-
Ngushëllim për të huajin dhe për eunukun
6. Cilat janë dy grupet, të cilave u kushtohet vëmendje tani?
6 Tani, Jehovai u drejtohet dy grupeve që dëshirojnë t’i shërbejnë atij, por që sipas Ligjit të Moisiut nuk janë të kualifikuara për t’u bërë pjesë e kongregacionit jude. Lexojmë: «I huaji që është bashkuar me Jehovain të mos thotë: ‘Pa dyshim, Jehovai do të më ndajë nga populli i tij.’ As eunuku të mos thotë: ‘Ja, jam një pemë e thatë.’» (Isaia 56:3) I huaji ka frikë se mos e ndajnë nga Izraeli. Eunuku shqetësohet se nuk do të lindë kurrë fëmijë që të ruajnë emrin e tij. Të dyja grupet duhet të marrin zemër. Para se të shohim përse, le të shqyrtojmë se ç’pozitë kanë ata nën Ligj, lidhur me kombin e Izraelit.
7. Çfarë kufizimesh u vë Ligji të huajve në Izrael?
7 Të huajve të parrethprerë nuk u lejohet të marrin pjesë bashkë me Izraelin në adhurim. Për shembull, nuk u lejohet të marrin pjesë në kremtimin e pashkës. (Dalja 12:43) Të huajt që nuk i thyejnë në mënyrë flagrante ligjet e vendit gëzojnë drejtësi dhe u tregohet mikpritje, por nuk kanë lidhje të qëndrueshme me kombin. Sigurisht, disa e përqafojnë plotësisht Ligjin, dhe si shenjë e kësaj, burrat rrethpriten. Pas kësaj ata bëhen prozelitë, pra, gëzojnë privilegjin të adhurojnë në oborrin e shtëpisë së Jehovait dhe shihen si pjesë e kongregacionit të Izraelit. (Levitiku 17:10-14; 20:2; 24:22) Megjithatë, as prozelitët nuk janë pjesëmarrës me të drejta të plota në besëlidhjen që Jehovai ka bërë me Izraelin dhe nuk kanë trashëgimi trualli në Tokën e Premtuar. Të huajt e tjerë mund të luten duke u drejtuar nga tempulli dhe, me sa duket, mund të ofrojnë flijime nëpërmjet priftërisë, në qoftë se ato bëhen në përputhje me Ligjin. (Levitiku 22:25; 1 Mbretërve 8:41-43) Por izraelitët nuk duhet të kenë një shoqëri të ngushtë me ta.
Eunukëve u jepet një emër që zgjat deri në kohë të pacaktuar
8. (a) Si konsideroheshin eunukët nën Ligj? (b) Si përdoreshin eunukët në kombet pagane dhe kujt mund t’i referohet ndonjëherë termi «eunuk»?
8 Eunukëve, edhe nëse i kanë lindur prindër judenj, u mohohet anëtarësia me të drejta të plota në kombin e Izraelit.a (Ligji i përtërirë 23:1) Në disa kombe pagane të kohëve biblike, eunukët kishin një vend të veçantë dhe ishte zakon që disa nga fëmijët e kapur rob në luftë të tridheshin. Eunukët caktoheshin si zyrtarë në oborret mbretërore. Një eunuk mund të ishte «rojtar i grave», «rojtar i konkubinave» ose shërbëtor i mbretëreshës. (Estera 2:3, 12-15; 4:4-6, 9) Nuk ka asnjë dëshmi që tregon se izraelitët ndiqnin praktika të tilla ose që eunukët ishin veçanërisht të kërkuar për t’u përdorur në shërbim të mbretërve izraelitë.b
9. Cilat fjalë ngushëlluese u drejton Jehovai atyre që janë fizikisht eunukë?
9 Përveç faktit që mund ta adhurojnë Perëndinë e vërtetë vetëm në mënyrë të kufizuar, ata që janë fizikisht eunukë në Izrael vuajnë edhe për shkak të poshtërimit të madh që u bëhet, sepse nuk mund të lindin fëmijë të cilët do të trashëgonin emrin e familjes. Prandaj, sa ngushëlluese janë fjalët vijuese të profecisë! Aty lexohet: «Kjo është ajo që Jehovai u ka thënë eunukëve që mbajnë sabatet e mia, që kanë zgjedhur atë në të cilën unë jam kënaqur dhe që kanë rrokur besëlidhjen time: ‘Unë do t’u jap atyre në shtëpinë time dhe brenda mureve të mia një monument dhe një emër, diçka më të mirë se bijtë dhe bijat. Do t’u jap një emër që zgjat deri në kohë të pacaktuar, një emër që nuk do të shuhet.’»—Isaia 56:4, 5.
-
-
Të huaj të mbledhur në shtëpinë e lutjes të PerëndisëProfecitë e Isaisë—Dritë për gjithë njerëzimin II
-
-
a Me kalimin e kohës, termi «eunuk» u përdor për t’iu referuar një zyrtari të oborrit mbretëror, pa nënkuptuar gjymtimin seksual. Meqenëse etiopasi i pagëzuar nga Filipi duket se ishte prozelit (ai u pagëzua para se kjo mundësi të hapej për jojudenjtë e parrethprerë), ai duhet të ketë qenë një eunuk në këtë kuptim.—Veprat 8:27-39.
b Ebed-Meleku, i cili i erdhi në ndihmë Jeremisë dhe kishte mundësi të takohej drejtpërdrejt me mbretin Sedekia, thirret me titullin eunuk. Ky titull, duket, se i referohet pozitës së tij si zyrtar i oborrit të mbretit dhe jo gjymtimit fizik.—Jeremia 38:7-13.
-