-
Bekimet e lajmit të mirëKulla e Rojës—2002 | 1 Janar
-
-
Bekimet e lajmit të mirë
«Jehovai më ka mirosur që t’u them lajme të mira zemërbutëve. Ai më ka dërguar t’u lidh fashat zemërthyerve, . . . të ngushëlloj të gjithë ata që vajtojnë.»—ISAIA 61:1, 2, BR.
1, 2. (a) Çfarë zbuloi Jezui se ishte dhe si e bëri këtë? (b) Cilat bekime solli lajmi i mirë që shpalli Jezui?
NJË ditë sabati, në fillim të shërbimit të tij, Jezui ndodhej në sinagogën e Nazaretit. Sipas tregimit, «i zgjatën rrotullën e profetit Isaia e ai e hapi rrotullën dhe gjeti vendin ku ishte shkruar: ‘Fryma e Jehovait është mbi mua, sepse ai më mirosi për [të] shpallur lajmin e mirë.’» Jezui vazhdoi të lexonte edhe një pjesë nga ai fragment profetik. Pastaj u ul dhe tha: «Sot, ky shkrim që sapo dëgjuat është përmbushur.»—Luka 4:16-21.
2 Në këtë mënyrë, Jezui e identifikoi veten si ungjillëzuesi për të cilin ishte profetizuar, si ai që thoshte lajme të mira e që sillte ngushëllim. (Mateu 4:23) Jezui kishte vërtet një lajm të mirë për të thënë. Ai i njoftoi dëgjuesit e tij: «Unë jam drita e botës. Ai që më ndjek mua, nuk do të ecë kurrsesi në errësirë, por do të zotërojë dritën e jetës.» (Gjoni 8:12) Gjithashtu, tha: «Nëse mbeteni në fjalën time, jeni vërtet dishepujt e mi, do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju lirojë.» (Gjoni 8:31, 32) Po, Jezui kishte «fjalë jete të përhershme». (Gjoni 6:68, 69) Dritë, jetë, liri! Patjetër, këto janë bekime që duhen vlerësuar shumë!
3. Cilin lajm të mirë predikonin dishepujt e Jezuit?
3 Pas Festës së Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., veprën e ungjillëzimit që nisi Jezui e vazhduan dishepujt. Ata ua predikuan ‘lajmin e mirë të mbretërisë’ edhe izraelitëve, edhe njerëzve të kombeve. (Mateu 24:14; Veprat 15:7; Romakëve 1:16) Ata që u përgjigjën pozitivisht njohën Perëndinë Jehova. U liruan nga skllavëria fetare dhe u bënë pjesë e kombit të ri frymor, të ‘Izraelit të Perëndisë’, pjesëtarët e të cilit kanë perspektivën që të sundojnë përgjithmonë në qiell me Zotërinë e tyre, Jezu Krishtin. (Galatasve 5:1; 6:16; Efesianëve 3:5-7; Kolosianëve 1:4, 5; Zbulesa 22:5) Këto ishin vërtet bekime të pasura!
Ungjillëzimi sot
4. Në cilën mënyrë po përmbushet sot detyra për të predikuar lajmin e mirë?
4 Sot, të krishterët e mirosur—të mbështetur nga një «shumicë e madhe» e ‘deleve të tjera’, gjithnjë në rritje—vazhdojnë të përmbushin detyrën profetike që iu dha në fillim Jezuit. (Zbulesa 7:9; Gjoni 10:16) Si rrjedhim, lajmi i mirë po predikohet në një shkallë të paparë ndonjëherë më parë. Dëshmitarët e Jehovait në 235 vende dhe territore janë angazhuar ‘që t’u thonë lajme të mira zemërbutëve . . . , t’u lidhin fashat zemërthyerve, t’u shpallin lirinë atyre që janë marrë robër dhe hapjen e plotë të syve të burgosurve; të shpallin vitin e miratimit nga ana e Jehovait dhe ditën e hakmarrjes nga ana e Perëndisë tonë; të ngushëllojnë të gjithë ata që vajtojnë’. (Isaia 61:1, 2, BR) Kështu, vepra ungjillëzuese e krishterë vazhdon t’u sjellë bekime shumë vetave dhe ngushëllim të vërtetë ‘atyre që janë në ndonjë lloj shtrëngimi’.—2 Korintasve 1:3, 4.
-
-
Bekimet e lajmit të mirëKulla e Rojës—2002 | 1 Janar
-
-
6. Cili lajm i mirë po predikohet sot?
6 Dëshmitarët e Jehovait predikojnë lajmin më të mirë që ekziston. Ata hapin Biblën dhe u tregojnë njerëzve të ndjeshëm se Jezui e flijoi jetën që t’i siguronte njerëzimit një mënyrë për t’iu afruar Perëndisë, t’i siguronte faljen e mëkateve dhe shpresën e jetës së përhershme. (Gjoni 3:16; 2 Korintasve 5:18, 19) Shpallin se Mbretëria e Perëndisë tashmë është vendosur në qiell nën drejtimin e Mbretit të mirosur, Jezu Krishtit dhe se, së shpejti, do të heqë ligësinë nga toka dhe do të mbikëqyrë punën për rivendosjen e Parajsës. (Zbulesa 11:15; 21:3, 4) Në përmbushje të profecisë së Isaisë, i njoftojnë njerëzit se tani është ‘viti i miratimit nga ana e Jehovait’, kohë kur njerëzimi ka ende mundësi t’i përgjigjet lajmit të mirë. Gjithashtu, paralajmërojnë se së shpejti do të vijë ‘dita e hakmarrjes nga ana e Perëndisë tonë’, kur Jehovai do të sjellë fundin e keqbërësve të papenduar.—Psalmi 37:9-11.
-