‘Banorët e përkohshëm’ të bashkuar në adhurimin e vërtetë
«Të huajt . . . do të jenë bujqit dhe vreshtarët tuaj. Kurse ju do të quheni priftërinj të Jehovait.»—ISA. 61:5, 6.
1. Si i konsiderojnë disa të huajt dhe pse ky qëndrim nuk justifikohet?
SIÇ treguam në artikullin e mëparshëm, njerëzit e përdorin fjalën «i huaj» me një ngjyrim negativ që tregon mospërfillje, madje përçmim të hapur. Është mungesë respekti t’i konsiderosh ata të një vendi tjetër më të ulët se njerëzit e vendit tënd. Për më tepër, ky qëndrim tregon mosnjohje të fakteve. Botimi Racat e njerëzimit (anglisht) thotë: «Njerëzit e gjithë racave janë ashtu siç thotë Bibla, vëllezër.» Shpesh vëllezërit janë mjaft të ndryshëm, gjithsesi mbeten vëllezër.
2, 3. Ç’pikëpamje ka Jehovai për të huajt?
2 Natyrisht, ka të huaj mes nesh, pavarësisht se ku jetojmë. Kështu ishte në rastin e izraelitëve të lashtë, të cilët kishin një marrëdhënie të veçantë me Perëndinë Jehova nëpërmjet besëlidhjes së Ligjit. Të drejtat e joizraelitëve ishin disi të kufizuara, megjithatë nga izraelitët kërkohej t’i trajtonin me respekt dhe pa paragjykime. Ç’shembull i shkëlqyer për ne! Mes të krishterëve të vërtetë nuk ka vend për anësi ose paragjykime. Pse? Apostulli Pjetër tha: «Tani e kuptoj fare qartë se Perëndia nuk është i anshëm, por në çdo komb njeriu që i frikësohet atij dhe praktikon drejtësinë, është i pranuar nga ai.»—Vep. 10:34, 35.
3 Të huajt në Izraelin e lashtë nxirrnin dobi nga shoqëria e ngushtë me vendësit. Kjo pasqyronte mendimin e Jehovait për këtë çështje, siç e shprehu vite më vonë apostulli Pavël kur pyeti për Jehovain: «Mos vallë ai është vetëm Perëndia i judenjve? A s’është edhe i njerëzve të kombeve? Po, është edhe i njerëzve të kombeve.»—Rom. 3:29; Joe. 2:32.
4. Pse mund të thuhet se në «Izraelin e Perëndisë» nuk ka të huaj?
4 Me anë të besëlidhjes së re, kongregacioni i të krishterëve të mirosur zëvendësoi Izraelin si kombi me të cilin Jehovai kishte një marrëdhënie të veçantë. Prandaj, ai quhet ‘Izraeli i Perëndisë’. (Gal. 6:16) E, siç shpjegoi Pavli, në këtë komb të ri «nuk ka as grek, as jude, as rrethprerje, as parrethprerje, as të huaj, as skithas, as skllav e as të lirë, përkundrazi, Krishti është gjithçka dhe në të gjithë». (Kolos. 3:11) Në këtë kuptim, nuk duhej të kishte të huaj në kongregacionin e krishterë.
5, 6. (a) Cila pyetje mund të lindë për Isainë 61:5, 6? (b) Cilët janë ‘priftërinjtë e Jehovait’ dhe «të huajt» që përmend Isaia? (c) Çfarë kanë të përbashkët të dyja grupet?
5 Por, dikush mund të citojë kapitullin e 61-të të librit të Isaisë që përmban një profeci e cila përmbushet në kongregacionin e krishterë. Vargu 6 i këtij kapitulli flet për ata që do të shërbejnë si «priftërinj të Jehovait». Mirëpo, vargu 5 përmend «të huajt» që do t’i mbështetnin e do të bashkëpunonin me këta «priftërinj». Si duhet kuptuar kjo?
6 E kuptojmë se këta «priftërinj të Jehovait» janë të krishterët e mirosur që marrin pjesë në «ringjalljen e parë» e që «do të jenë priftërinj të Perëndisë e të Krishtit, dhe do të mbretërojnë me të për një mijë vjet». (Zbul. 20:6) Përveç tyre, ka shumë të krishterë besnikë me shpresë tokësore. Këta, ndonëse bashkëpunojnë dhe shoqërohen ngushtë me ata që do të shërbejnë në qiell, në kuptimin e figurshëm janë të huaj. I mbështetin me gëzim dhe bashkëpunojnë me ‘priftërinjtë e Jehovait’, duke shërbyer, si të thuash, si «bujqit» dhe «vreshtarët» e tyre. Po, ata ndihmojnë të rriten fryte frymore në lavdi të Perëndisë, duke i ushqyer frymësisht njerëzit dhe duke i mbledhur në popullin e tij. Vërtet, si të mirosurit, edhe ‘delet e tjera’, i gjejnë e më pas kujdesen me dashuri për individët e ndershëm që dëshirojnë t’i shërbejnë Perëndisë përgjithmonë.—Gjoni 10:16.
«BANORË TË PËRKOHSHËM» SI ABRAHAMI
7. Në ç’kuptim të krishterët sot janë si Abrahami dhe besnikët e tjerë të lashtësisë?
7 Siç u theksua në artikullin e mëparshëm, të krishterët e vërtetë janë si të huaj ose banorë të përkohshëm në botën e ligë të Satanait. Në këtë aspekt ngjajnë shumë me besnikët e lashtësisë, përfshirë Abrahamin, për të cilët thuhet se «ishin të huaj dhe banorë të përkohshëm në vend». (Hebr. 11:13) Cilado qoftë shpresa jonë për të ardhmen, kemi privilegjin të gëzojmë me Jehovain atë marrëdhënie që kishte edhe Abrahami. Jakovi shpjegon se «‘Abrahami tregoi besim te Jehovai, dhe kjo iu llogarit si drejtësi’ e u quajt ‘mik i Jehovait’».—Jak. 2:23.
8. Cili premtim iu dha Abrahamit dhe si ndihej ai për përmbushjen e tij?
8 Perëndia premtoi se nëpërmjet Abrahamit dhe pasardhësve të tij, do të bekoheshin të gjitha familjet e tokës e jo vetëm një komb. (Lexo Zanafillën 22:15-18.) Megjithëse ky premtim do të përmbushej në të ardhmen e largët, Abrahami nuk dyshoi asnjëherë se do të përmbushej. Për më se gjysmën e jetës, ai dhe familja e tij u endën nga njëri vend në tjetrin. Gjatë gjithë asaj kohe, Abrahami e ruajti miqësinë me Jehovain.
9, 10. (a) Në cilat mënyra mund të imitojmë shembullin e Abrahamit? (b) Cilën ftesë mund t’u bëjmë të tjerëve?
9 Edhe pse Abrahami nuk e dinte sa do të duhej të priste që të realizohej shpresa e tij, dashuria dhe përkushtimi për Jehovain nuk u lëkundën kurrë. I mbajti sytë të përqendruar, pa u rehatuar si banor i përhershëm në ndonjë vend. (Hebr. 11:14, 15) Sa e mençur është të ndjekim shembullin e Abrahamit, duke bërë një jetë të thjeshtë dhe pa u shqetësuar së tepërmi për gjërat materiale, pozitën shoqërore ose karrierën! Ç’kuptim ka të përpiqemi të bëjmë një jetë të ashtuquajtur normale në një sistem që do të marrë fund së shpejti? Pse të ngjitemi pas asaj që është thjesht e përkohshme? Ashtu si në rastin e Abrahamit, po shkojmë drejt diçkaje ku e ku më të mirë. Jemi gati të tregohemi të durueshëm e të presim derisa shpresa jonë të realizohet.—Lexo Romakëve 8:25.
10 Jehovai po i fton ende njerëzit nga të gjitha kombet që të bekohen nëpërmjet farës së Abrahamit. ‘Priftërinjtë [e mirosur] të Jehovait’ dhe «të huajt», delet e tjera, po ua përcjellin këtë ftesë njerëzve anekënd në më tepër se 600 gjuhë.
SHOHIN PËRTEJ KUFIJVE KOMBËTARË
11. Për çfarë i ftoi Solomoni njerëzit e kombeve?
11 Gjatë përurimit të tempullit në vitin 1026 p.e.s. dhe në përputhje me premtimin që Jehovai i bëri Abrahamit, Solomoni tha se edhe njerëz nga të gjitha kombet do të lëvdonin Jehovain. Në një lutje të përzemërt ai tha: «Edhe të huajin, që nuk është pjesë e popullit tënd, Izraelit, por që për shkak të emrit tënd vjen nga një vend i largët (sepse do të dëgjojnë për emrin tënd të madh, për dorën tënde të fortë dhe për krahun tënd të shtrirë), dhe lutet në drejtim të kësaj shtëpie, dëgjoje nga qiejt, nga vendbanimi yt i qëndrueshëm, dhe plotësoja tërë ato që të ka kërkuar. Kështu, gjithë popujt e tokës do ta njohin emrin tënd e do të të frikësohen njëlloj si të frikësohet populli yt, Izraeli.»—1 Mbret. 8:41-43.
12. Pse disa mund t’i konsiderojnë Dëshmitarët e Jehovait si të çuditshëm ose si ‘të huaj’?
12 Një i huaj është dikush që ndodhet në një vend që nuk është i veti ose që futet në një komunitet a grup. Kjo përshkruan më së miri Dëshmitarët e Jehovait. Ata i detyrohen për besnikërinë para së gjithash një qeverie qiellore, Mbretërisë së Perëndisë nën udhëheqjen e Krishtit. Pra, qëndrojnë krejt asnjanës në çështjet politike, ndonëse disa i konsiderojnë si të çuditshëm e që stonojnë në shoqërinë e sotme.
13. (a) Në ç’kuptim koncepti «i huaj» shpesh është thjesht çështje pikëpamjeje? (b) A përfshihej në qëllimin fillestar të Jehovait fjala «të huajt»? Shpjegoni.
13 Shpesh të huajt dallohen nga disa karakteristika që janë të zakonshme për grupin e tyre. Ndoshta është gjuha, zakonet, tiparet fizike, madje stili ose mënyra si vishen. Gjithsesi, gjërat e përbashkëta me njerëzit e tjerë, pavarësisht nga kombësia, janë më domethënëse se cilado prej këtyre karakteristikave. Pra, faktikisht një i huaj është thjesht një person që konsiderohet i tillë ngaqë është i ndryshëm në disa aspekte. Kur mësojmë të shohim përtej këtyre ndryshimeve reale ose të imagjinuara, fjala «i huaj» thuajse e humb kuptimin. Nëse të gjithë në tokë do të jetonin nën një ent të vetëm politik ose qeveri, askush nuk do të ishte i huaj në kuptimin politik të fjalës. Në të vërtetë, në fillim Jehovai kishte si qëllim që të gjithë njerëzit të bashkoheshin si një familje nën një sundim—sundimin e tij. A mund të arrijnë tani diçka të ngjashme njerëzit e të gjitha kombeve të globit?
14, 15. Çfarë kanë arritur të çmojnë Dëshmitarët e Jehovait si grup?
14 Në një botë egoiste dhe nacionaliste përtërihesh kur gjen individë që arrijnë të shohin dhe në të vërtetë shohin përtej kufijve kombëtarë. Patjetër mund të jetë e vështirë të kapërcesh paragjykimet. Themeluesi i rrjetit televiziv CNN, Ted Tërner, bën këtë koment për punën e tij me shumë individë të talentuar nga kombe të ndryshme: «Ishte një përvojë e pabesueshme të bashkëpunoja me këta njerëz. Arrita t’i shihja ata të vendeve të tjera jo si ‘të huaj’, por si bashkëqytetarë të planetit. Fillova ta konsideroja fjalën ‘i huaj’ si përçmuese dhe vendosa një rregull brenda CNN-it që kjo fjalë të mos përdorej as gjatë transmetimeve, as në bisedat nëpër zyra. Përkundrazi, duhej të përdorej fjala ‘ndërkombëtar’.»
15 Në mbarë globin, vetëm Dëshmitarët e Jehovait si grup kanë përvetësuar mënyrën e të menduarit të Perëndisë. Duke mësuar t’i shohin gjërat si Jehovai, kanë arritur të shembin kufijtë kombëtarë mendërisht dhe emocionalisht. Në vend që të tregojnë mosbesim, dyshim e madje urrejtje të hapur ndaj pjesëtarëve të grupeve të tjera kombëtare, kanë mësuar t’i çmojnë si diçka të bukur karakteristikat dhe aftësitë e larmishme të këtyre grupeve. A ke menduar ndonjëherë për këtë arritje të jashtëzakonshme dhe se si të ka sjellë dobi në marrëdhëniet me të tjerët?
NJË BOTË PA TË HUAJ
16, 17. Çfarë mund të nënkuptojë për ty përmbushja e Zbulesës 16:16 dhe e Danielit 2:44?
16 Së shpejti, të gjitha kombet e sotme do të përballen me Jezu Krishtin dhe forcat e tij qiellore kur të luftojnë për herë të fundit kundër sundimit të Perëndisë, në betejën që «në hebraisht quhet Harmagedon». (Zbul. 16:14, 16; 19:11-16) Mbi 2.500 vjet më parë, profeti Daniel u frymëzua të parathoshte fundin e qeverive njerëzore që do të ishin në kundërshtim me qëllimin e Perëndisë: «Në ditët e atyre mbretërve, Perëndia i qiellit do të vendosë një mbretëri që nuk do të shkatërrohet kurrë. Kjo mbretëri nuk do t’i kalojë asnjë populli tjetër. Ajo do të thërrmojë dhe do t’u japë fund të gjitha këtyre mbretërive, dhe vetë do të qëndrojë përgjithmonë.»—Dan. 2:44.
17 A mund të përfytyrosh se ç’do të nënkuptojë për ty përmbushja e kësaj profecie? Nuk do të ekzistojnë më kufijtë kombëtarë të vendosur nga njeriu, që në ndonjë mënyrë e damkosin çdo njeri si të huaj. Çfarëdolloj ndryshimi i mundshëm në pamje ose çdo karakteristikë fizike normale që do të mbesë, do të shërbejë thjesht si shembull i larmisë së mrekullueshme që gjendet në krijimin e Perëndisë. Kjo perspektivë emocionuese duhet ta motivojë secilin prej nesh që të vazhdojë të lëvdojë e të nderojë sa më mirë Krijuesin, Perëndinë Jehova.
A pret me padurim kohën kur nuk do të ketë kufij të vendosur nga njerëzit dhe kur koncepti «i huaj» t’i përkasë së kaluarës?
18. Cilat zhvillime të kohëve të fundit tregojnë se koncepti «i huaj» mund të kapërcehet?
18 Mos është jorealiste të besosh se mund të ndodhë një ndryshim i tillë global? Jo, aspak. Përkundrazi, është krejtësisht e arsyeshme të besojmë se do të ndodhë. Për Dëshmitarët e Jehovait vetë koncepti «i huaj» ka humbur tashmë pjesën më të madhe të kuptimit, pasi nuk i kushtojnë shumë rëndësi kombësisë që ka secili. Për shembull, kohët e fundit disa degë të tyre të vogla u shkrinë që të thjeshtohet puna e mbikëqyrjes dhe që predikimi i lajmit të mirë për Mbretërinë të jetë më i efektshëm. (Mat. 24:14) Kur u bënë këto shkrirje, nuk iu dha rëndësi kufijve kombëtarë, për sa ishte e lejueshme brenda kërkesave ligjore. Kjo është një tjetër provë e dukshme se Jezu Krishti si Sundimtari i ligjshëm i Jehovait i vendosur në fron, po i shemb pengesat njerëzore dhe së shpejti ‘do të plotësojë fitoren e tij’.—Zbul. 6:2.
19. Çfarë është arritur falë gjuhës së kulluar të së vërtetës?
19 Meqë vijnë nga mjaft kombe e kështu flasin shumë gjuhë të ndryshme, Dëshmitarët e Jehovait përpiqen t’i përmbahen gjuhës së kulluar të së vërtetës. Kjo krijon një unitet të pathyeshëm. (Lexo Sofoninë 3:9.) Ata janë një familje ndërkombëtare në mes të këtij sistemi të lig, por të ndarë prej tij. Kjo familje e bashkuar është veçse një pamje paraprake e botës që do të vijë, një botë pa të huaj. Atëherë gjithkush pa përjashtim do të pranojë me gëzim vërtetësinë e fjalëve që cituam nga botimi i mësipërm: «Njerëzit e gjithë racave janë ashtu siç thotë Bibla, vëllezër.»—Racat e njerëzimit.