Kapitulli njëzet e katër
Jehovai i bën një emër të bukur vetes
1, 2. (a) Pse interesohen personalisht të krishterët për ardhjen e ‘ditës së Jehovait’? (b) Cila çështje e lartë përfshihet në ardhjen e ditës së Jehovait?
PËR afro dy mijë vjet, të krishterët kanë qenë «duke pritur dhe duke e mbajtur gjithnjë në mend praninë e ditës së Jehovait». (2 Pjetrit 3:12; Titit 2:13) Është e kuptueshme që ata mezi e presin ardhjen e kësaj dite. Në fund të fundit, ajo do të shënojë fillimin e çlirimit të tyre nga pasojat e këqija të papërsosmërisë. (Romakëve 8:22) Gjithashtu, do të nënkuptojë fundin e presioneve që përjetojnë gjatë këtyre ‘kohëve kritike, të vështira për t’u përballuar’.—2 Timoteut 3:1.
2 Megjithatë, ndërkohë që do të sjellë lehtësim për të drejtët, dita e Jehovait do të thotë shkatërrim për ‘ata që nuk e njohin Perëndinë dhe për ata që nuk i binden lajmit të mirë lidhur me Zotërinë tonë Jezu’. (2 Selanikasve 1:7, 8) Kjo është diçka që të bën të ndalesh e të mendosh. A do ta sjellë Perëndia shkatërrimin e të ligjve thjesht për të shpëtuar popullin e tij nga gjendja dëshpëruese? Kapitulli 63 i Isaisë tregon se përfshihet një çështje shumë më e lartë dhe pikërisht shenjtërimi i emrit të Perëndisë.
Marshimi i luftëtarit fitimtar
3, 4. (a) Cili është konteksti i profecisë së kapitullit 63 të Isaisë? (b) Cilin shikon Isaia duke marshuar drejt Jerusalemit dhe kush është ai sipas disa studiuesve?
3 Në kapitullin 62 të Isaisë lexojmë për çlirimin e judenjve nga robëria në Babiloni dhe për rivendosjen në vendin e tyre. Natyrshëm lind pyetja: a duhet t’i druhet mbetja e judenjve të rikthyer ndonjë shkretimi tjetër nga kombet armike? Vizioni i Isaisë ndihmon shumë për ta larguar frikën e tyre. Profecia fillon: «Kush është ky që vjen nga Edomi, ky me rroba me ngjyra të ndezura nga Botsrahu, ky që është i nderuar në veshjen e tij, që marshon në bollëkun e fuqisë së tij?»—Isaia 63:1a.
4 Isaia shikon një luftëtar energjik dhe triumfues që marshon drejt Jerusalemit. Veshja e tij madhështore tregon se ai i përket rangut më të lartë. Ai vjen nga qyteti më i shquar i Edomit, Botsrahu, gjë që të bën të mendosh se ai ka arritur një fitore të madhe ndaj atij vendi armik. Kush mund të jetë ky luftëtar? Disa studiues thonë se është Jezu Krishti. Të tjerë besojnë se është udhëheqësi ushtarak jude, Juda Makabeu. Megjithatë, vetë luftëtari e tregon identitetin e tij kur i përgjigjet pyetjes më sipër duke thënë: «Unë, Ai që flet me drejtësi, Ai që ka me bollëk fuqi për të shpëtuar.»—Isaia 63:1b.
5. Kush është luftëtari që shikon Isaia dhe pse përgjigjeni kështu?
5 S’ka fare dyshim që ky luftëtar është vetë Perëndia Jehova. Në vende të tjera, për të është thënë se zotëron një ‘bollëk energjie dinamike’ dhe se ‘thotë atë që është e drejtë’. (Isaia 40:26; 45:19, 23, Dio) Rrobat madhështore të këtij luftëtari na sjellin ndër mend fjalët e psalmistit: «O Zot, Perëndia im, ti je jashtëzakonisht i madh; je veshur me shkëlqim dhe madhështi.» (Psalmi 104:1, Dio) Ndonëse Jehovai është Perëndia i dashurisë, Bibla tregon se, në kuptimin figurativ, ai merr edhe rolin e një luftëtari kur është e nevojshme.—Isaia 34:2; 1 Gjonit 4:16.
6. Pse Jehovai po kthehet nga një betejë në Edom?
6 Po pse Jehovai po kthehet nga një betejë në Edom? Edomitët, të cilët vazhdojnë të ushqejnë pa pushim një armiqësi që filloi me paraardhësin e tyre, Esaun, janë armiq të lashtë të popullit me të cilin Perëndia ka bërë një besëlidhje. (Zanafilla 25:24-34; Numrat 20:14-21) Se sa e thellë ishte urrejtja e Edomit për Judën u bë e dukshme veçanërisht gjatë shkretimit të Jerusalemit kur edomitët nxitnin ushtarët babilonas. (Psalmi 137:7) Jehovai e shikon këtë armiqësi si një shkelje ndaj vetë atij. S’është për t’u habitur që ai vendosi ta zhvishte shpatën e tij të hakmarrjes kundër Edomit!—Isaia 34:5-15; Jeremia 49:7-22.
7. (a) Si u përmbush fillimisht profecia kundër Edomit? (b) Çfarë simbolizon Edomi?
7 Kështu, vizioni i Isaisë u jep shumë zemër judenjve që po kthehen në Jerusalem. Ai i siguron ata se do të banojnë të sigurt në shtëpinë e tyre të re. Në të vërtetë, në ditët e profetit Malakia, Perëndia i ktheu ‘malet e [Edomit] në shkreti dhe trashëgiminë e tij ua dha çakejve të shkretëtirës’. (Malakia 1:3, Dio) A do të thotë kjo, atëherë, se profecia e Isaisë u përmbush plotësisht në kohën e Malakisë? Jo, sepse, megjithëse i shkretuar, Edomi ishte i vendosur t’i rindërtonte vendet e tij të rrënuara dhe Malakia vazhdoi ta quante Edomin «territori i paudhësisë» dhe «populli kundër të cilit Zoti do të jetë përjetë i indinjuar».a (Malakia 1:4, 5, Dio) Megjithatë, në kuptimin profetik, Edomi përfshin më shumë sesa pasardhësit e Esaut. Ai shërben si një simbol i të gjitha kombeve që tregojnë se janë armiq të adhuruesve të Jehovait. Në këtë drejtim janë shquar veçanërisht kombet e të ashtuquajturit krishterim. Çfarë do t’i ndodhë këtij Edomi të kohëve tona?
Shtypësja e rrushit
8, 9. (a) Me çfarë veprimtarie është marrë luftëtari që pa Isaia? (b) Kur dhe si bëhet shtypja në shtypësen e verës simbolike?
8 Isaia e pyet luftëtarin që po kthehet: «Përse e ke veshjen të kuqe dhe rrobat si ato të një njeriu që ka shtypur në shtypësen e rrushit?» Jehovai përgjigjet: «Në lugun e rrushit kam shtypur vetë, ndërkohë që nuk ishte me mua asnjë njeri nga popujt. Dhe i shtypja në zemërimin tim e i shkelja në tërbimin tim. Çurgët e gjakut të tyre spërkatnin rrobat e mia dhe kam ndotur gjithë veshjen time.»—Isaia 63:2, 3.
9 Ky përshkrim i gjallë paraqet një masakër të madhe. Madje, edhe rrobat e hirshme të Perëndisë janë njollosur, ashtu si rrobat e një njeriu që shtyp në shtypësen e rrushit! Shtypësja e rrushit është simbol i goditur i një gjendjeje të pashpresë në të cilën ndodhen armiqtë e Perëndisë Jehova kur ai vihet në veprim për t’i shkatërruar. Kur do të bëhet shtypja në këtë shtypëse vere simbolike? Për një shtypëse vere simbolike flasin edhe profecitë e Joelit, edhe të apostullit Gjon. Shtypja në shtypësen e verës që përmendet në këto profeci do të bëhet në Harmagedon, kur Jehovai t’i shtypë armiqtë e tij derisa t’i shkatërrojë. (Joeli 3:13; Zbulesa 14:18-20; 16:16) Edhe shtypësja e verës profetike për të cilën flet Isaia ka të bëjë po me atë kohë.
10. Pse Jehovai thotë se ishte vetëm kur shtypi në shtypësen e verës?
10 Por, pse Jehovai thotë se ishte vetëm kur shtypi në këtë shtypëse vere dhe se nuk ishte me të asnjë njeri nga popujt? A nuk do të jetë Jezu Krishti, si përfaqësuesi i Perëndisë, ai që do të marrë drejtimin kur të bëhet shtypja në shtypësen e verës? (Zbulesa 19:11-16) Po, por Jehovai e ka fjalën për njerëzit, jo për krijesat frymore. Ai po thotë se asnjë njeri nuk është në gjendje ta pastrojë tokën nga ithtarët e Satanait. (Isaia 59:15, 16) I mbetet Perëndisë të Plotfuqishëm t’i shtypë në zemërimin e tij, derisa të jenë bërë plotësisht copë-copë.
11. (a) Përse sjell një ‘ditë hakmarrjeje’ Jehovai? (b) Cilët ishin ‘të riblerët’ në kohën e lashtë dhe cilët janë sot?
11 Jehovai shpjegon më tej arsyen përse e kryen personalisht këtë detyrë, duke thënë: «Dita e hakmarrjes është në zemrën time dhe viti i të riblerëve të mi ka ardhur.» (Isaia 63:4)b Vetëm Jehovai ka të drejtën të hakmerret ndaj atyre që dëmtojnë popullin e tij. (Ligji i përtërirë 32:35) Në kohën e lashtë ‘të riblerët’ ishin judenjtë që vuajtën në duart e babilonasve. (Isaia 35:10; 43:1; 48:20) Në kohët moderne ata janë mbetja e të mirosurve. (Zbulesa 12:17) Si ekuivalentët e tyre të lashtë, këta janë riblerë nga robëria fetare. Dhe ashtu si në rastin e atyre judenjve, të mirosurit, bashkë me shokët e tyre nga ‘delet e tjera’, kanë qenë viktima të përndjekjes dhe të kundërshtimit. (Gjoni 10:16) Kështu, profecia e Isaisë i siguron të krishterët sot se në kohën e caktuar prej tij, Perëndia do të ndërhyjë për ta.
12, 13. (a) Në cilin kuptim nuk ka asnjë që të ndihmojë Jehovain? (b) Në ç’mënyrë siguron shpëtim krahu i Jehovait dhe si e mbështet atë tërbimi i tij?
12 Jehovai vazhdon: «Shikoja, por nuk kishte asnjë që të më ndihmonte; tregoja habi, por nuk kishte asnjë që të më jepte mbështetje. Kështu, krahu im më siguroi shpëtim dhe tërbimi im ishte ai që më mbështeti. Vazhdova të shtyp popujt në zemërimin tim dhe t’i deh me tërbimin tim e të derdh në tokë çurgët e gjakut të tyre.»—Isaia 63:5, 6.
13 Asnjë ndihmës njerëzor nuk mund ta marrë meritën për ditën e madhe të hakmarrjes së Jehovait. Gjithashtu, Jehovai nuk ka nevojë për mbështetjen e njerëzve që të kryejë vullnetin e tij.c Mjafton krahu i tij, domethënë, fuqia e tij e pafund për ta kryer këtë detyrë. (Psalmi 44:3; 98:1; Jeremia 27:5) Për më tepër, atë e mbështet tërbimi i tij. Në ç’mënyrë? E pra, tërbimi i Perëndisë nuk është një ndjenjë e pakontrolluar por një zemërim i drejtë. Meqë Jehovai vepron gjithmonë në bazë të parimeve të drejta, tërbimi i tij e mbështet dhe e motivon për të ‘derdhur në tokë çurgët e gjakut’ të armiqve të tij, duke i poshtëruar dhe mposhtur ata.—Psalmi 75:8; Isaia 25:10; 26:5.
Dashamirësia e Perëndisë
14. Cilët përkujtues me vend jep tani Isaia?
14 Në të kaluarën, judenjtë e humbën shpejt çmueshmërinë për gjërat që bëri Jehovai për ta. Prandaj, me të drejtë Isaia u kujton atyre përse i bëri Jehovai këto gjëra. Isaia shpall: «Do të përmend dashamirësitë e Jehovait, lëvdimet e Jehovait, sipas gjithë asaj që Jehovai na ka dhënë, po, mirësinë e bollshme që ai ka treguar ndaj shtëpisë së Izraelit sipas mëshirave të tij dhe sipas bollëkut të dashamirësive të tij. Dhe vazhdoi të thoshte: ‘Ata janë sigurisht populli im, bij që nuk do të dalin jobesnikë.’ Kështu për ta ai u bë një Shpëtimtar. Gjatë gjithë dëshpërimit të tyre, ishte i dëshpëruar edhe ai. Dhe lajmëtari i tij personal i shpëtoi. Në dashurinë dhe dhembshurinë e tij ai vetë i ribleu dhe vazhdoi t’i ngrinte e t’i mbante gjatë gjithë ditëve të shumë kohëve më parë.»—Isaia 63:7-9.
15. Si dhe pse tregoi Jehovai dashamirësi ndaj pasardhësve të Abrahamit në Egjipt?
15 Çfarë shembulli të shkëlqyer jep Jehovai për sa i përket shfaqjes së dashamirësisë ose të dashurisë besnike! (Psalmi 36:7; 62:12) Ai zhvilloi me Abrahamin një lidhje të dashur. (Mikea 7:20) I premtoi patriarkut se nëpërmjet farës ose pasardhjes së tij do të bekoheshin të gjitha kombet e tokës. (Zanafilla 22:17, 18) Jehovai e mbajti atë premtim, duke treguar mirësi me bollëk ndaj shtëpisë së Izraelit. Ndër veprat e tij besnike dallohet shpëtimi i pasardhësve të Abrahamit nga skllavëria në Egjipt.—Dalja 14:30.
16. (a) Ç’pikëpamje kishte Jehovai kur bëri besëlidhjen me Izraelin? (b) Si e trajton Perëndia popullin e tij?
16 Pas daljes nga Egjipti, Jehovai e çoi Izraelin në malin Sinai dhe bëri këtë premtim: «Në qoftë se do ta dëgjoni me vëmendje zërin tim dhe zbatoni besëlidhjen time, do të jeni thesari im i veçantë . . . Dhe do të jeni për mua një mbretëri priftërinjsh dhe një komb i shenjtë.» (Dalja 19:5, 6, Dio) A po mashtronte Jehovai kur bëri këtë ofertë? Jo, sepse Isaia zbulon se Jehovai tha me vete: «Ata janë sigurisht populli im, bij që nuk do të dalin jobesnikë.» Një studiues vëren: «Fjala ‘sigurisht’ nuk është një urdhër autoritar si shprehje e sovranitetit ose një tregues i aftësisë për të njohur paraprakisht: është shpresa dhe siguria që vjen nga dashuria.» Po, Jehovai e bëri besëlidhjen me motive të pastra, duke dëshiruar me gjithë zemër që populli i tij t’ia dilte mbanë me sukses. Me gjithë mangësitë e tyre të dukshme, ai shfaqi besim tek ata. Ç’gjë e mrekullueshme është të adhurosh një Perëndi që shfaq një besim të tillë tek adhuruesit e tij! Sot, pleqtë bëjnë shumë për t’i forcuar ata që u janë besuar kur shfaqin një siguri të tillë në mirësinë e brendshme të popullit të Perëndisë.—2 Selanikasve 3:4; Hebrenjve 6:9, 10.
17. (a) Çfarë dëshmie dha Jehovai për dashurinë e tij ndaj izraelitëve? (b) Çfarë sigurie mund të kemi sot?
17 Megjithatë, lidhur me izraelitët, psalmisti thotë: «Harruan Perëndinë, Shpëtimtarin e tyre, që kishte bërë gjëra të mëdha në Egjipt.» (Psalmi 106:21, Dio) Ky qëndrim i pabindur e kokëfortë bëri që ata të gjendeshin shpesh në rrethana katastrofike. (Ligji i përtërirë 9:6) A pushoi Jehovai së shfaquri dashamirësi ndaj tyre? Jo. Përkundrazi, Isaia tregon se «gjatë gjithë dëshpërimit të tyre, ishte i dëshpëruar edhe ai». Çfarë empatie ndien Jehovai! Si çdo atë i dashur, Perëndia ndiente dhembje kur shihte fëmijët e tij tek vuanin, madje edhe kur vuajtjet e tyre vinin si pasojë e marrëzisë së tyre. Siç ishte parathënë dhe duke dhënë dëshmi të dashurisë së tij, ai dërgoi ‘lajmëtarin e tij personal’, ka të ngjarë Jezuin në ekzistencën e tij paranjerëzore, për t’i udhëhequr në Tokën e Premtuar. (Dalja 23:20) Kështu Jehovai e ngriti kombin dhe e mbajti, «ashtu si një njeri mban birin e tij». (Ligji i përtërirë 1:31; Psalmi 106:10) Sot, ne mund të jemi të sigurt se Jehovai është po kaq i vetëdijshëm për vuajtjet tona dhe se ndien keqardhje për ne kur jemi në kushte të vështira. Me besim mund të ‘hedhim gjithë ankthin tonë mbi të, sepse ai interesohet për ne’.—1 Pjetrit 5:7.
Perëndia bëhet armik
18. Pse Jehovai u bë armik i popullit të tij?
18 Megjithatë, nuk duhet të përfitojmë kurrë nga dashamirësia e Perëndisë duke vepruar me mendjemadhësi. Isaia vazhdon: «Ata u rebeluan dhe bënë që fryma e tij e shenjtë të ndihej e lënduar. Kështu, tani ai u kthye në një armik për ta; ai vetë luftoi kundër tyre.» (Isaia 63:10) Jehovai paralajmëroi se megjithëse është një Perëndi i mëshirshëm dhe hirmadh, ‘nuk do ta linte të pandëshkuar fajtorin’. (Dalja 34:6, 7, Dio) Duke u rebeluar vazhdimisht, izraelitët e bënë veten që të meritonin ndëshkimin. «Mos harro si e ke provokuar zemërimin e Zotit, Perëndisë tënd, në shkretëtirë,—i kujtoi Moisiu Izraelit.—Prej ditës që keni dalë nga vendi i Egjiptit, deri në arritjen në këtë vend, keni mbajtur një qëndrim prej rebeli, ndaj Zotit.» (Ligji i përtërirë 9:7, Dio) Duke u rezistuar efekteve të shëndetshme të frymës së Perëndisë, ata e kanë lënduar ose hidhëruar atë. (Efesianëve 4:30) E kanë detyruar Jehovain të bëhet armiku i tyre.—Levitiku 26:17; Ligji i përtërirë 28:63.
19, 20. Çfarë gjërash kujtojnë judenjtë dhe pse?
19 Në mes të mundimit, disa judenj ndihen të nxitur për të reflektuar rreth së kaluarës. Isaia thotë: «Njëri filloi të kujtojë ditët e shumë kohëve më parë, Moisiun shërbëtorin e tij: ‘Ku është Ai që i bëri të ngjiten nga deti me barinjtë e kopesë së tij? Ku është Ai që vuri brenda tij frymën e Tij të shenjtë? Ai i cili bëri që krahu i Tij i bukur të shkonte në të djathtën e Moisiut; Ai që ndau ujërat para tyre për t’i bërë vetes një emër që zgjat në kohë të pacaktuar; Ai që i bëri të ecin përmes ujërave dallgëzues e kështu, si një kalë në shkretëtirë, nuk u penguan? Pikërisht ashtu si një bishë që zbret në rrafshinën e luginës, vetë fryma e Jehovait vazhdoi t’i bënte të pushonin.’»—Isaia 63:11-14a.d
20 Po, duke vuajtur pasojat e mosbindjes, judenjtë digjen nga dëshira për ditët kur Jehovai ishte Çliruesi i tyre, jo armiku i tyre. Ata kujtojnë se si «barinjtë» e tyre, Moisiu dhe Aaroni, i udhëhoqën shëndoshë e mirë përmes Detit të Kuq. (Psalmi 77:20; Isaia 51:10) Kujtojnë një kohë kur, në vend që të lëndonin frymën e Perëndisë, udhëhiqeshin prej saj nëpërmjet drejtimit të dhënë nga Moisiu dhe pleqtë e tjerë të mirosur me frymë. (Numrat 11:16, 17) Kujtojnë, gjithashtu, kur e shihnin ‘krahun e bukur’ të Jehovait—forcën e tij—të përdorej në përkrahje të tyre nëpërmjet Moisiut. Së fundi, Perëndia i nxori nga shkretëtira e madhe dhe e frikshme dhe i udhëhoqi në një vend ku rridhte qumësht dhe mjaltë, në një vend pushimi. (Ligji i përtërirë 1:19; Josiu 5:6; 22:4) Por tani izraelitët vuajnë për shkak se kanë humbur marrëdhënien e tyre të privilegjuar me Perëndinë!
‘I bën një emër të bukur vetes’
21. (a) Çfarë privilegji të madh mund të kishte pasur Izraeli lidhur me emrin e Perëndisë? (b) Cila ishte arsyeja kryesore që e shtyu Perëndinë të çlironte pasardhësit e Abrahamit nga Egjipti?
21 Megjithatë, humbjet materiale të izraelitëve nuk janë asgjë në krahasim me humbjen e privilegjit që flakën tej, që është pjesëmarrja në lavdërimin e emrit të Perëndisë. Moisiu u premtoi izraelitëve: «Zoti do të të vendosë në mënyrë që të jesh për të një popull i shenjtë, ashtu si të është betuar, në qoftë se do të respektosh urdhërimet e Zotit, Perëndisë tënd dhe do të ecësh në rrugët e tij; kështu tërë popujt e dheut do të shohin që ti je i thirrur me emrin e Zotit dhe do të kenë frikë prej teje.» (Ligji i përtërirë 28:9, 10, Dio) Kur Jehovai veproi për të mbrojtur pasardhësit e Abrahamit, duke i çliruar nga skllavëria në Egjipt, nuk e bëri këtë thjesht për t’ua bërë jetën më të rehatshme ose më të këndshme. Ai po vepronte për diçka shumë më të rëndësishme—për vetë emrin e tij. Po, ai po sigurohej që emri i tij të‘shpallej në gjithë dheun’. (Dalja 9:15, 16, Dio) Gjithashtu, kur Perëndia tregoi mëshirë pas rebelimit të Izraelit në shkretëtirë, arsyeja pse e bëri këtë nuk kishte të bënte thjesht me ndjenjat. Vetë Jehovai tha: «Veprova për hir të emrit tim, me qëllim që ai të mos përdhosej para kombeve.»—Ezekieli 20:8-10, Dio.
22. (a) Në të ardhmen, pse Perëndia do të luftojë edhe një herë për popullin e tij? (b) Si ndikon në veprimet tona dashuria që kemi për emrin e Perëndisë?
22 Ç’mbyllje të fuqishme i bën Isaia kësaj profecie! Ai thotë: «Kështu, e udhëhoqe popullin tënd për t’i bërë një emër të bukur vetes.» (Isaia 63:14b) Tani mund të shihet qartë përse Jehovai lufton fuqishëm në dobi të popullit të tij. Për t’i bërë një emër të bukur për vetes. Prandaj, profecia e Isaisë shërben si një përkujtues i fuqishëm se të mbash emrin e Jehovait është jo vetëm një privilegj i jashtëzakonshëm, por edhe një përgjegjësi e madhe. Të krishterët e vërtetë sot e duan emrin e Jehovait më shumë se vetë jetën e tyre. (Isaia 56:6; Hebrenjve 6:10) Ata nuk pranojnë të bëjnë asgjë që mund të sjellë sharje mbi këtë emër të shenjtë. Dashurisë besnike të Perëndisë i përgjigjen duke i qëndruar besnikë atij. Dhe meqenëse e duan emrin e bukur të Jehovait, mezi e presin ditën kur ai do t’i shkelë armiqtë e tij në shtypësen e rrushit të zemërimit të tij. Këtë e presin jo thjesht sepse do të nxjerrin dobi, por sepse kjo do të sjellë lavdërimin e emrit të Perëndisë, të cilin ata e duan.—Mateu 6:9.
[Shënimet]
a Herodët e shekullit të parë të e.s. ishin Edomitë.
b Shprehja «viti i të riblerëve të mi» mund t’i referohet së njëjtës periudhë kohe që i referohet termi «dita e hakmarrjes». Vini re se si shprehje të ngjashme përdoren paralelisht në Isainë 34:8.
c Jehovai shpreh habinë për faktin që asnjë nuk dha mbështetje. Në të vërtetë, mund të quhet i habitshëm fakti që gati 2.000 vjet pas vdekjes së Jezuit, njerëzit me pushtet e kundërshtojnë ende vullnetin e Perëndisë.—Psalmi 2:2-12; Isaia 59:16.
d Ky varg mund të fillonte edhe kështu: «Ai filloi të kujtojë.» (Isaia 63:11, shënimi) Megjithatë kjo nuk do të thotë detyrimisht se ai që kujton është Jehovai. Fjalët vijuese shprehin ndjenjat e popullit të Perëndisë dhe jo të vetë Jehovait. Prandaj, në Soncino Books of the Bible këto fjalë përkthehen: «Atëherë populli i Tij kujtoi ditët e kaluara.»
[Figura në faqen 359]
Jehovai shpresonte shumë te populli i tij