Bota e re: A do të jeni atje?
«Nuk ka asgjë tjetër më të mirë për ta, sesa të gëzojnë dhe të bëjnë të mirën gjatë jetës dhe, gjithashtu, që çdo njeri të hajë e të pijë dhe të shohë të mirën për gjithë punën e tij të lodhshme. Është dhurata e Perëndisë.»—EKLISIASTIU 3:12, 13, BR.
1. Përse mund të jemi optimistë për të ardhmen?
SHUMË njerëz e mendojnë Perëndinë e Plotfuqishëm si një person të rreptë e të ashpër. Por, shkrimi i mësipërm është një e vërtetë që mund ta gjeni në Fjalën e tij të frymëzuar. Ky shkrim është në përputhje me faktin që ai është një ‘Perëndi i lumtur’ dhe që i vendosi prindërit tanë të parë në një parajsë tokësore. (1. Timoteut 1:11; Zanafilla 2:7-9) Ndërsa kërkojmë të kuptojmë të ardhmen që premton Perëndia për popullin e tij, nuk duhet të habitemi kur mësojmë për kushtet që do të na sjellin gëzim të përhershëm.
2. Cilat janë disa gjëra që i presim me padurim?
2 Në artikullin e mëparshëm, kemi shqyrtuar tri nga katër rastet ku Bibla parathotë «qiej të rinj dhe një tokë të re». (Isaia 65:17) Një prej këtyre parashikimeve të besueshme është dokumentuar te Zbulesa 21:1. Vargjet vijuese flasin për kohën kur Perëndia i Plotfuqishëm do t’i ndryshojë tërësisht kushtet e tokës për më mirë. Ai do t’i thajë lotët tanë të hidhërimit. Njerëzit nuk do të vdesin më nga pleqëria, sëmundjet ose nga aksidentet. Vajtimi, klithma e dhimbja do të kenë shkuar. Sa perspektivë e gëzueshme! Por, a mund të jemi të sigurt se kjo do të vijë dhe, veç kësaj, çfarë ndikimi mund të ketë që tani te ne kjo perspektivë?
Arsye për siguri
3. Përse mund t’u besojmë premtimeve të Biblës për të ardhmen?
3 Vini re se si vazhdon Zbulesa 21:5. Aty citohen fjalët e Perëndisë, ulur në fronin e tij qiellor, që deklaron: «Ja, unë i bëj të gjitha gjërat të reja.» Ky premtim hyjnor është më i mirë se çdo deklaratë kombëtare për pavarësi, se çdo kartë të drejtash e ditëve tona ose se çdo aspiratë njerëzore për të ardhmen. Është një deklaratë plotësisht e besueshme e bërë nga Ai për të cilin Bibla thotë se «nuk mund të gënjejë». (Titit 1:2, BR) Është e kuptueshme që të mendoni se mund ta lëmë me kaq, vetëm duke shijuar këtë perspektivë të shkëlqyer e duke i besuar Perëndisë. Por nuk duhet të ndalemi këtu. Kemi akoma gjëra për të mësuar për të ardhmen tonë.
4, 5. Cilat profeci biblike që i kemi shqyrtuar tashmë, mund ta forcojnë sigurinë tonë për atë që pritet të vijë?
4 Meditoni për atë që u përcaktua në artikullin e mëparshëm lidhur me premtimet e Biblës për qiej të rinj dhe një tokë të re. Isaia paratha një sistem të tillë të ri dhe profecia e tij pati një përmbushje kur judenjtë u kthyen në atdhe dhe rivendosën adhurimin e vërtetë. (Esdra 1:1-3; 2:1, 2; 3:12, 13) Megjithatë, a ishte kjo gjithçka për të cilën bënte fjalë profecia e Isaisë? Patjetër që jo! Gjërat që paratha ai do të plotësoheshin në një masë më të madhe në të ardhmen e largët. Përse arrijmë në këtë përfundim? Për shkak të asaj që lexojmë te 2. Pjetrit 3:13 dhe te Zbulesa 21:1-5. Këto fragmente u referohen qiejve të rinj dhe një toke të re, që do t’u sjellin dobi të krishterëve në shkallë globale.
5 Siç është vërejtur më parë, Bibla e përdor katër herë frazën «qiej të rinj dhe një tokë të re». Kemi shqyrtuar tri prej tyre dhe kemi arritur në përfundime inkurajuese. Në mënyrë të përshtatshme, Bibla parathotë se Perëndia do të eliminojë ligësinë dhe shkaqet e tjera të vuajtjeve dhe se do ta bekojë më tej njerëzimin në sistemin e ri që ka premtuar.
6. Çfarë parathotë profecia e katërt ku përmenden ‘qiej të rinj dhe një tokë e re’?
6 Tani, le të shqyrtojmë rastin e mbetur ku shfaqet shprehja «qiej të rinj dhe një tokë të re», tek Isaia 66:22-24: «‘Sepse ashtu si qiejtë e rinj dhe toka e re që unë do të bëj do të jenë të qëndrueshëm para meje’, thotë Zoti, ‘kështu do të jenë pasardhësit tuaj dhe emri juaj. Dhe do të ndodhë që nga një hënë e re në tjetrën dhe nga një e shtunë në tjetrën çdo mish do të vijë të bjerë në gjunjë para meje’, thotë Zoti. ‘Kur ata do të dalin, do të shikojnë kufomat e njerëzve që u rebeluan kundër meje; sepse krimbi i tyre nuk do të vdesë dhe zjarri i tyre nuk do të shuhet dhe do të neveriten nga çdo mish.’»
7. Përse duhet të nxjerrim përfundimin se Isaia 66:22-24 do të ketë një përmbushje në ditët që do të vijnë?
7 Kjo profeci gjeti zbatim mes judenjve që u rikthyen në vendin e tyre, por do të kishte edhe një përmbushje tjetër. Kjo duhej të ndodhte shumë vjet pasi të ishte shkruar letra e dytë e Pjetrit dhe libri i Zbulesës, sepse në to tregohej për ‘një qiell të ri dhe një tokë të re’ të ardhshëm. Këtë përmbushje madhështore dhe të plotë mund ta presim në sistemin e ri. Shqyrtoni disa nga kushtet që mund të presim me padurim të gëzojmë.
8, 9. (a) Në cilin kuptim do të ‘jetë i qëndrueshëm’ populli i Perëndisë? (b) Çfarë kuptimi ka profecia që shërbëtorët e Jehovait do të adhurojnë «nga një hënë e re në tjetrën dhe nga një e shtunë në tjetrën»?
8 Te Zbulesa 21:4 tregohej se vdekja nuk do të jetë më. Fragmenti në kapitullin 66 të Isaisë është në harmoni me këtë. Nga vargu 22 mund të kuptojmë se Jehovai e di që qiejt e rinj dhe toka e re nuk do të jenë të përkohshëm, me kohëzgjatje të kufizuar. Për më tepër, populli i tij do të qëndrojë; ata do të «jenë të qëndrueshëm» para tij. Ajo që ka bërë tashmë Perëndia për popullin e tij të zgjedhur na jep arsye për siguri. Të krishterët e vërtetë kanë hasur persekutim të ashpër e madje edhe përpjekje fanatike për t’i zhdukur. (Gjoni 16:2; Veprat 8:1) Megjithatë, as armiq shumë të fuqishëm të popullit të Perëndisë, siç ishin perandori romak Neroni dhe Adolf Hitleri, nuk kanë qenë në gjendje të zhdukin besnikët e Perëndisë që mbajnë emrin e tij. Jehovai e ka ruajtur kongregacionin e popullit të tij dhe mund të jemi të sigurt se mund ta bëjë atë të qëndrojë përgjithmonë.
9 Në mënyrë të ngjashme, ata që i qëndrojnë besnikë Perëndisë si pjesë e tokës së re, pra, e shoqërisë së adhuruesve të vërtetë në botën e re, do të vazhdojnë të qëndrojnë si individë, sepse do të jenë duke i bërë adhurim të pastër Krijuesit të të gjitha gjërave. Nuk do të jetë një adhurim që i është lënë rastësisë ose i bërë kuturu. Ligji i Perëndisë, që iu dha Izraelit nëpërmjet Moisiut, kërkonte që të bëheshin disa akte adhurimi çdo muaj, që tregohet nga hëna e re, dhe çdo javë, që tregohet nga dita e shtunë. (Levitiku 24:5-9; Numrat 10:10; 28:9, 10; 2. Kronikave 2:4) Prandaj, te Isaia 66:23 tregohet për një adhurim të rregullt dhe të vazhdueshëm kushtuar Perëndisë, javë pas jave dhe muaj pas muaji. Në atë kohë, nuk do të ekzistojnë ateizmi dhe hipokrizia fetare. «Çdo mish do të vijë të bjerë në gjunjë para» Jehovait.
10. Përse mund të jemi të sigurt se bota e re nuk do të vazhdojë të shkatërrohet nga të ligjtë?
10 Isaia 66:24 na siguron që paqja dhe drejtësia e tokës së re nuk do të jenë kurrë në rrezik. Njerëzit e ligj nuk do ta shkatërrojnë atë. Sillni ndër mend se te 2. Pjetrit 3:7 thuhet që para nesh gjendet ‘dita e gjykimit dhe e shkatërrimit të njerëzve të paperëndishëm’. (BR) Ata që do të marrin fund do të jenë të paperëndishmit. Të pafajshmit nuk do të pësojnë asnjë dëm, ndryshe nga ajo që ndodh shpesh në luftërat njerëzore, ku humbjet në civilë ua kalojnë në numër humbjeve në ushtarë. Gjykatësi i Madh na garanton se dita e tij do të jetë një shkatërrim për njerëzit e paperëndishëm.
11. Siç e tregon Isaia, cila do të jetë e ardhmja e atyre që kthehen kundër Perëndisë dhe kundër adhurimit të tij?
11 Njerëzit e drejtë që do të kenë mbijetuar do ta shohin se fjala profetike e Perëndisë është e vërtetë. Vargu 24 parathotë se «kufomat e njerëzve që u rebeluan kundër» Jehovait do të jenë provë e gjykimit të tij. Përshkrimi i gjallë që përdori Isaia mund të duket tronditës. Gjithsesi, është në përputhje me një fakt historik. Jashtë mureve të Jerusalemit të lashtë kishte vende ku hidheshin plehrat dhe, me raste, hidheshin edhe kufomat e kriminelëve të ekzekutuar, të cilët ishin gjykuar të padenjë për një varrim siç duhet.a Atje, krimbat dhe zjarri shkrumbues i eliminonin shpejt plehrat dhe ato kufoma. Me sa duket, gjuha figurative që përdori Isaia ilustron rezultatin e gjykimit të Jehovait mbi shkelësit.
Çfarë ka premtuar ai?
12. Çfarë treguesish të mëtejshëm jep Isaia lidhur me jetën në botën e re?
12 Te Zbulesa 21:4 na tregohet për disa gjëra që nuk do të ekzistojnë në sistemin e ri që po vjen. Por, çfarë do të ekzistojë në atë kohë? Si do të jetë jeta? A mund të kemi ndonjë të dhënë të besueshme? Po. Te kapitulli 65 i Isaisë përshkruhen në mënyrë profetike kushtet që do të gëzojmë, nëse kemi miratimin e Jehovait për të jetuar kur ai të krijojë, në kuptimin përfundimtar, këta qiej të rinj dhe tokën e re. Ata që do të bekohen me një vend të përhershëm në tokën e re nuk do të plaken dhe nuk do t’u duhet të vdesin në mënyrë të pashmangshme. Isaia 65:20 na siguron: «Nuk do të ketë më nga ai vend një foshnjë gjiri disaditëshe, as një të moshuar që nuk mbush ditët e tij, sepse një njeri do të vdesë tamam si një djalë, ndonëse në moshën njëqindvjeçare, dhe sa për mëkatarin, ndonëse në moshën njëqindvjeçare, e keqja do të bjerë mbi të.»—BR.
13. Si na siguron Isaia 65:20 se populli i Perëndisë do të gëzojë siguri?
13 Kur kjo gjë u përmbush fillimisht te populli i Isaisë, nënkuptonte që foshnjat në vend ishin të mbrojtura. Nuk kishte armiq që vinin për të vrarë foshnjat e gjirit ose për të masakruar njerëzit në lulen e jetës, siç bënë dikur babilonasit. (2. Kronikave 36:17, 20) Në botën e re që po vjen, njerëzit do të jenë të mbrojtur, të sigurt dhe do të kenë mundësi të gëzojnë jetën. Nëse një person zgjedh të rebelohet kundër Perëndisë, ai nuk do të lejohet të vazhdojë të jetojë. Perëndia do ta eliminojë. Po sikur mëkatari rebel të jetë njëqind vjeç? Ai do të vdesë «tamam si një djalë» në krahasim me jetën e pafundme që do të mund të kishte.—1. Timoteut 1:19, 20; 2. Timoteut 2:16-19.
14, 15. Në bazë të Isaisë 65:21, 22, cilat aktivitete shpërblyese mund të pritni të bëni?
14 Në vend që të përqendrohet në mënyrën se si do të eliminohet ndoshta një mëkatar i vullnetshëm, Isaia përshkruan kushtet e jetës që do të mbizotërojnë në botën e re. Përpiquni ta përfytyroni veten në këtë tablo. Gjëja e parë që ndoshta shihni me sytë e mendjes janë gjërat që ju prekin personalisht. Këtë trajton Isaia në vargjet 21 dhe 22: «Do të ndërtojnë shtëpi dhe do të banojnë në to, do të mbjellin vreshta dhe do të hanë frytin. Nuk do të ndërtojnë më që të banojë një tjetër, nuk do të mbjellin më që të hajë një tjetër; sepse ditët e popullit tim do të jenë si ditët e drurëve; dhe të zgjedhurit e mi do të gëzojnë [plotësisht, BR] veprën e duarve të tyre.»
15 Nëse akoma nuk keni fituar përvojë në ndërtim ose nuk jeni marrë me kopshtari, profecia e Isaisë nënkupton që do të mësoni. Atëherë, a do të ishit të gatshëm të mësonit me ndihmën e instruktorëve të aftë, të cilët ndoshta janë fqinjë dashamirës që janë të lumtur t’ju japin një dorë? Isaia nuk e tha nëse shtëpia juaj do të ketë dritare të mëdha pa xhama, vetëm me grila, në mënyrë që të shijoni flladet tropikale ose do të ketë dritare të mbyllura me xham përmes të cilave mund të soditni ndryshimin e stinëve. A do ta projektoni shtëpinë me çati të pjerrët për të mos mbajtur shiun ose borën? Apo, për klimën lokale, do të jetë e përshtatshme një tarracë, si ato në Lindjen e Mesme, ku mund të mblidheni me familjen për të kaluar momente të kënaqshme, duke ngrënë ose duke biseduar?—Ligji i përtërirë 22:8; Nehemia 8:16.
16. Përse mund të pritni që bota e re të jetë gjithnjë e kënaqshme?
16 Por më e rëndësishme se njohja e këtyre hollësive, është fakti që do të keni banesën tuaj. Do të jetë e juaja, jo si sot, që mund të rropateni për të ndërtuar, por pastaj përfitojnë persona të tjerë. Gjithashtu, tek Isaia 65:21 thuhet që do të mbillni dhe do të hani frytin. Kuptohet që kjo përmbledh situatën në përgjithësi. Do të nxirrni kënaqësi të madhe nga mundi juaj, do të merrni frytin e punës suaj. Dhe do ta bëni këtë për një jetë të gjatë «si ditët e drurëve». Kjo, pa dyshim, i përshtatet përshkrimit se do të bëhen ‘të gjitha gjërat të reja’.—Psalmi 92:12-14.
17. Cili premtim do t’u duket veçanërisht inkurajues prindërve?
17 Nëse jeni prindër, këto fjalë do t’ju prekin zemrën: «Nuk do të lodhen më kot dhe nuk do të lindin fëmijë për të përballuar një shkatërrim të papritur [për shqetësim, BR], sepse do të jenë pasardhësit e të bekuarve të Zotit dhe trashëgimtarët e tyre bashkë me ata. Dhe do të ndodhë që, para se të më kërkojnë, unë do të përgjigjem; do të jenë akoma duke folur dhe unë do t’ua plotësoj.» (Isaia 65:23, 24) A keni provuar ndoshta dhimbjen që sjell ‘të lindësh për shqetësim’? S’ka nevojë të renditim listën e problemeve që mund të kenë fëmijët, të cilat u sjellin shqetësim prindërve dhe të tjerëve. Lidhur me këtë, të gjithë kemi parë prindër që janë kaq të shqetësuar për karrierën, aktivitetet ose kënaqësitë e tyre, saqë kalojnë fare pak kohë me fëmijët e tyre. Në kontrast, Jehovai na siguron se do të na dëgjojë dhe do t’u përgjigjet nevojave tona, madje para se t’ia kërkojmë këtë gjë.
18. Përse mund të presim të kënaqemi me kafshët në botën e re?
18 Ndërsa mendoni për atë që mund të gëzoni në botën e re, imagjinoni skenën që përshkruan fjala profetike e Perëndisë: «‘Ujku dhe qengji do të kullosin bashkë, luani do të hajë kashtën porsi kau dhe gjarpëri do të ushqehet me pluhur. Nuk do të bëjnë më asnjë dëm apo shkatërrim mbi tërë malin tim të shenjtë’, thotë Zoti.» (Isaia 65:25) Artistët njerëzorë janë përpjekur ta pikturojnë këtë skenë, por ajo që lexojmë nuk është thjesht një përshkrim imagjinar, i bërë me liri artistike. Kjo skenë do të jetë reale. Paqja do të mbizotërojë midis njerëzve dhe asaj do t’i shtohet edhe paqja me kafshët. Shumë biologë dhe njerëz të apasionuar pas kafshëve i kalojnë vitet më të mira të jetës duke mësuar për disa lloje kafshësh ose ndoshta vetëm për një lloj ose racë. Në kontrast me këtë, mendoni se çfarë do të mund të mësoni kur kafshët nuk do të jenë të sunduara nga frika prej njeriut. Atëherë do të keni mundësi t’u afroheni madje edhe zogjve dhe krijesave të vockla që banojnë në pyje ose në xhungla, po, do të mund t’i vëzhgoni, të mësoni prej tyre dhe të kënaqeni me to. (Jobi 12:7-9) Këtë do të mund ta bëni të sigurt, pa asnjë rrezik nga njerëzit ose nga kafshët. Jehovai thotë: «Nuk do të bëjnë më asnjë dëm apo shkatërrim mbi tërë malin tim të shenjtë.» Çfarë ndryshimi do të jetë në krahasim me atë që shohim dhe përjetojmë sot!
19, 20. Përse populli i Perëndisë është krejt ndryshe nga shumica e njerëzve sot?
19 Siç u përmend më parë, njerëzit nuk janë në gjendje ta parathonë me saktësi të ardhmen, pavarësisht nga interesimi i gjithanshëm për mijëvjeçarin e ri. Kjo gjë i lë shumë njerëz të zhgënjyer, në pështjellim ose të dëshpëruar. Pitër Embërli, rektor i një universiteti kanadez, shkroi: «Shumë [të rritur] më në fund po i bëjnë vetes pyetjet themelore të ekzistencës. Kush jam? Për çfarë po luftoj në të vërtetë? Çfarë trashëgimie po i lë brezit tjetër? Tani që kanë arritur moshën e mesme, ata po luftojnë për të vënë rregull dhe për të gjetur domethënie në jetën e tyre.»
20 Mund ta kuptojmë përse ndodh kështu me shumë njerëz. Ata mund të përpiqen ta gëzojnë jetën me ndonjë aktivitet që e kanë pasion ose me anë të formave emocionuese të zbavitjes. Gjithsesi, nuk e dinë se çfarë rezervon e ardhmja, prandaj jetës së tyre mund t’i mungojë kuptimi, rregulli ose domethënia e vërtetë. Tani, ta krahasojmë këtë me pikëpamjen që kemi ne për jetën, duke pasur parasysh atë që kemi shqyrtuar. E dimë se në qiejt e rinj dhe në tokën e re që ka premtuar Jehovai, do të kemi mundësi të hedhim sytë rreth e rrotull dhe të themi me gjithë zemër: ‘Vërtet, Perëndia ka bërë çdo gjë të re!’ Sa do të na pëlqejë kjo!
21. Cilin faktor të përbashkët gjejmë tek Isaia 65:25 dhe tek Isaia 11:9?
21 Nuk është se po guxojmë tepër, duke e imagjinuar veten duke jetuar në botën e re të Perëndisë. Ai na fton, madje na nxit, që ta adhurojmë në të vërtetën tani dhe të kualifikohemi për të jetuar në kohën kur askush ‘nuk do të bëjë më asnjë dëm apo shkatërrim mbi tërë malin e tij të shenjtë’. (Isaia 65:25) Por a e dinit se një koment të ngjashëm Isaia e kishte bërë edhe më parë dhe se kishte përfshirë një faktor që është thelbësor për ta gëzuar vërtet jetën në botën e re? Tek Isaia 11:9 thuhet: «Nuk do të bëhet asnjë e keqe, asnjë shkatërrim mbi tërë malin tim të shenjtë, sepse vendi do të mbushet me njohurinë e Zotit [Jehovait, BR], ashtu si ujërat mbulojnë detin.»
22. Për çfarë duhet ta forcojnë vendosmërinë tonë katër profecitë biblike që kemi shqyrtuar?
22 ‘Njohuria e Jehovait.’ Kur Perëndia të bëjë çdo gjë të re, banorët e tokës do të kenë njohuri të saktë për të dhe për vullnetin e tij. Kjo do të përfshijë shumë më tepër se të mësojmë nga krijesat shtazore. Përfshihet Fjala e tij e frymëzuar. Për shembull, meditoni se sa shumë gjëra kemi kuptuar, duke shqyrtuar vetëm katër profeci që përmendin «qiej të rinj dhe një tokë të re». (Isaia 65:17; 66:22; 2. Pjetrit 3:13; Zbulesa 21:1) Kemi arsye të vlefshme për ta lexuar Biblën përditë. A është ky një aspekt i rutinës suaj? Nëse jo, çfarë rregullimesh mund të bëni që të lexoni çdo ditë një pjesë nga ajo që ka për të na thënë Perëndia? Do të zbuloni që, përveçse të pritni me padurim të gëzoni botën e re, do të keni më shumë gëzim që tani, siç pati psalmisti.—Psalmi 1:1, 2.
[Shënimi]
a Shiko Mendjehollësi mbi Shkrimet, Vëllimi 1, faqe 906, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc., anglisht.
Si do të përgjigjeshit?
• Përse mund të nxjerrim përfundimin se tek Isaia 66:22-24 parathuhet ajo që ende pritet të vijë?
• Çfarë pritni në veçanti me padurim nga gjërat e përmendura në profecitë e Isaisë 66:22-24 dhe të Isaisë 65:20-25?
• Çfarë arsyesh kemi për të qenë të sigurt për të ardhmen tonë?
[Figurat në faqen 15]
Isaia, Pjetri dhe Gjoni parathanë aspekte të ‘qiejve të rinj dhe të një toke të re’