Vazhdo të shfaqësh dashuri—Ajo ndërton
«Dashuria ndërton.»—1 KOR. 8:1.
1. Për cilën temë të rëndësishme foli Jezui gjatë natës së fundit me dishepujt e tij?
GJATË natës së fundit me dishepujt e tij, Jezui e përmendi dashurinë gati 30 herë. Ai tha shprehimisht se dishepujt e tij duhej ‘ta donin njëri-tjetrin’. (Gjoni 15:12, 17) Dashuria e tyre për njëri-tjetrin do të ishte aq e spikatur sa do t’i dallonte qartë si dishepujt e tij të vërtetë. (Gjoni 13:34, 35) Kjo dashuri nuk është thjesht sentimentalizëm. Jezui po fliste për një cilësi shumë fisnike—për dashurinë vetëmohuese. Ai tha: «Nuk ka dashuri më të madhe se kjo: që dikush të japë shpirtin për miqtë e vet. Ju jeni miqtë e mi, nëse bëni atë që po ju urdhëroj.»—Gjoni 15:13, 14.
2. (a) Çfarë bie në sy mes shërbëtorëve të Perëndisë? (b) Cilat pyetje do të marrin përgjigje në këtë artikull?
2 Dashuria e sinqertë vetëmohuese dhe uniteti i pathyeshëm i shërbëtorëve të Jehovait sot, i identifikojnë ata si populli i Perëndisë. (1 Gjon. 3:10, 11) Sa mirënjohës jemi që mes shërbëtorëve të Jehovait mbizotëron një dashuri si ajo e Krishtit, pavarësisht nga kombësia, fisi, gjuha ose prejardhja e tyre! Por mbase pyesim veten: «Pse është kaq jetësore dashuria në kohët tona? Si na ndërtojnë Jehovai dhe Jezui me dashurinë e tyre? Si mund të shfaqim personalisht dashurinë që ‘ndërton’, ashtu si Krishti?»—1 Kor. 8:1.
PSE DASHURIA ËSHTË KAQ JETËSORE SOT
3. Si ndikojnë te njerëzit këto «kohë kritike»?
3 Ngaqë jeta është plot «telashe e të këqija», shumë veta në këto «kohë kritike» vuajnë kush më shumë e kush më pak nga stresi emocional. (Psal. 90:10; 2 Tim. 3:1-5) Sa e sa vetave u vjen të dorëzohen. Sipas statistikave, çdo vit vrasin veten mbi 800.000 njerëz—rreth një vdekje në 40 sekonda. Është e trishtueshme që edhe disa shërbëtorë të Perëndisë janë dorëzuar para këtij stresi dhe i kanë dhënë fund jetës.
4. Cilat personazhe biblike shprehën dëshirën të vdisnin?
4 Në kohët biblike, disa shërbëtorë besnikë të Perëndisë ishin aq të dërrmuar nga rrethanat ku gjendeshin, sa donin të vdisnin. Për shembull, i mbytur nga dhimbja, Jobi vajtoi: «Nuk e dua jetën. S’dua të jetoj përgjithnjë.» (Jobi 7:16; 14:13) Jonai ishte aq i zhgënjyer nga mënyra si vajtën gjërat në caktimin e tij sa tha: «Tani, o Jehova, të lutem, merrma shpirtin, sepse për mua është më mirë të vdes se të rroj!» (Jon. 4:3) Edhe për profetin besnik Elija erdhi një moment që vuajti aq shumë për situatën ku ndodhej, sa kërkoi të vdiste. Ai tha: «O Jehova, s’mundem më, merrma shpirtin.» (1 Mbret. 19:4) Megjithatë, Jehovai i çmonte ata shërbëtorë të përkushtuar dhe donte që të jetonin. Në vend se t’i dënonte për ndjenjat që provonin, i ndihmoi ta mposhtnin dëshirën për të vdekur dhe i forcoi, ose i ndërtoi, me dashurinë e tij që të vazhdonin t’i shërbenin besnikërisht.
5. Pse vëllezërit e motrat sot kanë jashtëzakonisht nevojë për dashurinë tonë?
5 Edhe nëse vëllezërit e motrat nuk janë medoemos në atë pikë sa duan të dorëzohen, shumë prej tyre sot përballen me situata stresuese dhe kanë nevojë t’i ndërtojmë me dashurinë tonë. Disa u bëjnë ballë përndjekjeve dhe talljeve. Të tjerë janë viktima të kritikave a thashethemeve keqdashëse në vendin e punës. Ose janë të rraskapitur nga puna jashtë orarit a ngaqë u duhet të plotësojnë afate që s’kanë të sosur. Të tjerë akoma hasin probleme familjare që u shterojnë forcat, mbase ngaqë janë shënjestër e kritikave të bashkëshortit jobesimtar. Si pasojë e këtyre presioneve dhe mjaft të tjerave, shumë në kongregacion ndihen të sfilitur fizikisht dhe emocionalisht. Kush mund t’i ndihmojë të shkurajuarit që të ecin para pa u dorëzuar?
TË NDËRTOHEMI NGA DASHURIA E JEHOVAIT
6. Si i ndërton Jehovai shërbëtorët e vet me dashurinë e tij?
6 Jehovai i ndërton adhuruesit e vet duke i siguruar për dashurinë e tij të pashtershme. Sa shumë duhet të ketë marrë zemër çdo izraelit besnik kur dëgjoi këto fjalë të Jehovait: «Në sytë e mi ke qenë i çmuar e i nderuar dhe unë të kam dashur. . . . Mos ki frikë, se unë jam me ty.» (Isa. 43:4, 5) Si një shërbëtor i Jehovait, mund të jesh i sigurt se Ai ndien dashuri shumë të ngrohtë për ty.a Ja çfarë premton Fjala e Perëndisë për këdo që ndjek adhurimin e pastër: «Si i Fuqishëm do të të shpëtojë. Do të ngazëllojë për ty.»—Sof. 3:16, 17.
7. Si i ngjan dashuria e Jehovait dashurisë së një nëne që mban në krahë foshnjën? (Shih figurën hapëse.)
7 Çfarëdo sprovash të ndeshin shërbëtorët e tij, Jehovai premton se do t’i mbështetë dhe do t’i ngushëllojë. «Ju do t’ju mbajnë në krahë dhe do t’ju ledhatojnë duke ju mbajtur në gjunjë. Unë do t’ju ngushëlloj siç e ngushëllon një njeri nëna e tij.» (Isa. 66:12, 13) Ç’pamje që të ngroh zemrën—një nënë e dashur që mban në krahë foshnjën dhe e përkund në gjunjët e saj! Me këtë ilustrim prekës Jehovai tregon sa e thellë dhe e ngrohtë është dashuria që ka për adhuruesit e vërtetë. Mos dysho kurrë se ti personalisht je shumë i çmuar dhe i shtrenjtë për Jehovain!—Jer. 31:3.
8, 9. Si mund të na japë forcë dashuria e Jezuit?
8 Të krishterët e vërtetë kanë edhe këtë arsye pse i tërheq dashuria e Perëndisë: Ai «e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme». (Gjoni 3:16) Sa shumë dashuri tregoi edhe Jezui kur dha jetën e tij për ne! Çfarë motivi i fuqishëm është kjo dashuri! Fjala e Perëndisë premton se as «shtrëngimi» ose «vuajtja» nuk mund «të na ndajë nga dashuria e Krishtit».—Rom. 8:35, 38, 39.
9 Hera-herës luftojmë me sprova që na sfilitin fizikisht dhe emocionalisht ose që na grabitin gëzimin në shërbim të Jehovait. Por forca motivuese e dashurisë së Krishtit, mund të na japë fuqi të qëndrojmë. (Lexo 2 Korintasve 5:14, 15.) Dashuria e Jezuit ka fuqi të na mbështetë e të na motivojë që të mos dorëzohemi, madje edhe përballë sprovave të tilla si katastrofat, përndjekjet, zhgënjimet personale ose ankthi që na bren përbrenda.
VËLLEZËRIT KANË NEVOJË PËR DASHURINË TONË
10, 11. Cilët kanë përgjegjësinë të ndërtojnë vëllezërit e shkurajuar? Shpjegoni.
10 Një mënyrë si na ndërton Jehovai me dashurinë e tij, është nëpërmjet kongregacionit të krishterë. Personalisht mund t’ia shprehim edhe ne dashurinë Jehovait duke dashur vëllezërit e motrat dhe duke i ndërtuar jo vetëm në besim, por edhe nga ana emocionale. (1 Gjon. 4:19-21) Apostulli Pavël i nxiti të krishterët: «Vazhdoni të ngushëlloni njëri-tjetrin dhe të ndërtoni njëri-tjetrin, siç edhe po bëni.» (1 Sel. 5:11) Pra, të gjithë në kongregacion—jo vetëm pleqtë—mund ta imitojnë Jehovain dhe Jezuin duke i ngushëlluar e duke i ndërtuar vëllezërit e motrat.—Lexo Romakëve 15:1, 2.
11 Disa në kongregacion që vuajnë nga çrregullime emocionale, mund të kenë nevojë për ndihmë profesionale dhe për mjekime. (Luka 5:31) Pleqtë dhe të tjerët në kongregacion, me modesti e pranojnë se nuk janë specialistë të shëndetit mendor. Sidoqoftë, të gjithë në kongregacion kanë një rol jetësor—‘t’u flasin në mënyrë ngushëlluese shpirtrave të dëshpëruar, të mbështetin të dobëtit dhe të jenë shpirtgjerë me të gjithë’. (1 Sel. 5:14) Të gjithë të krishterët duhet të shfaqin empati të dashur dhe durim, duke folur në mënyrë ngushëlluese që t’i ndërtojnë të shkurajuarit. A je një burim ngushëllimi dhe inkurajimi? Përpjekjet e tua mund të jenë më të efektshme, nëse di si ta japësh këtë ndihmë.
12. Tregoni një shembull se si u ndërtua dikush nga dashuria e kongregacionit.
12 Si mund t’i ndërtojmë me dashurinë tonë ata që përjetojnë dhimbje emocionale? Një motër në Evropë thotë: «Hera-herës e çoj nëpër mend vetëvrasjen. Por kam një shoqëri fantastike që më mbështet. Kongregacioni im më ka shpëtuar jetën. Vëllezërit e motrat janë gjithmonë shumë inkurajues e të dashur. Edhe pse vetëm pak veta e dinë se vuaj nga depresioni, kongregacioni më gjendet gjithnjë pranë. Një çift janë si prindërit e mi në besim. Ata kujdesen shumë për mua dhe janë gati të më vijnë në ndihmë 24 orë në ditë në kuptimin e mirëfilltë.» Vërtet, jo të gjithë kanë mundësi të ndihmojnë në të njëjtën masë. Ama fjalët a veprimet që tregojnë se i mbështetim sinqerisht, mund të ndikojnë jashtë mase tek ata që vuajnë nga dhimbje emocionale.b
SI T’I NDËRTOJMË TË TJERËT ME DASHURI
13. Çfarë është thelbësore për t’i ndërtuar të tjerët?
13 Ji dëgjues i mirë. (Jak. 1:19) Të dëgjosh me empati është një shprehje dashurie. Mund ta pyesësh me takt e dhembshuri atë që vuan, me qëllim që të kuptosh ndjenjat e tij. Atëherë do të jesh në gjendje të shfaqësh empati e ta ndërtosh bashkëbesimtarin. Pasqyroje në shprehjet e fytyrës merakun tënd të sinqertë e të dashur. Nëse vëllai a motra ndien nevojën t’i shpjegojë gjërat me më shumë hollësi, ji i duruar dhe rezistoji prirjes për ta ndërprerë. Ndërsa e dëgjon me durim, ka më shumë të ngjarë t’i kuptosh ndjenjat që provon. Kjo mund ta ndihmojë vëllanë a motrën që po vuan të ketë besim te ti, e kështu të jetë më i prirur për të të dëgjuar teksa përpiqesh ta ndërtosh. Kur tregon se interesohesh me gjithë zemër, meraku yt i dashur mund të jetë ngushëllim i madh.
14. Pse duhet ta shmangim frymën kritike?
14 Shmang frymën kritike. Kur i shohim me sy kritik të dëshpëruarit, kjo mund t’ua shtojë ankthin atyre dhe mund t’i bëjë të pavlera përpjekjet tona të sinqerta për t’i ndërtuar me dashuri. «Ka nga ata që flasin pa u menduar si me goditje shpate, por gjuha e të mençurve është shërim.» (Prov. 12:18) Natyrisht, ne nuk i ‘godasim’ me dashje të dëshpëruarit duke thënë fjalë që lëndojnë. Prapëseprapë, edhe nëse i ‘godasim’ pa dashje, mund të shkaktojmë shumë dhimbje. Që t’i ndërtojmë të tjerët me dashuri duke u dhënë zemër, duhet të shfaqim empati duke e vënë veten në vend të tyre sa të jetë e mundur.—Mat. 7:12.
15. Cili është një mjet i çmuar që mund ta përdorim për të ndërtuar të tjerët me dashuri?
15 Ngushëlloji të tjerët me Fjalën e Perëndisë. (Lexo Romakëve 15:4, 5.) Shkrimet e Shenjta janë një thesar plot me xhevahire që ngushëllojnë e inkurajojnë. Bibla është nga «Perëndia që jep qëndrueshmëri dhe ngushëllim». Përveç shkrimeve ngushëlluese, kemi një bollëk me mjete për studimin e Biblës. Mund të përdorim Treguesi i Botimeve Watch Tower dhe Mjet kërkimesh në botimet e Dëshmitarëve të Jehovait. Këto na ndihmojnë të gjejmë mendime inkurajuese nga Shkrimet për të përballuar lloj-lloj problemesh. Pra, falë këtyre mjeteve jemi në gjendje të shprehim mendime plot empati, e kjo mund t’i bëjë më të efektshme përpjekjet tona të dashura.
16. Çfarë cilësish na nevojiten kur inkurajojmë një bashkëbesimtar të dëshpëruar?
16 Shfaq përzemërsi e butësi. Këto janë aspekte të vyera të dashurisë altruiste që tregojmë kur inkurajojmë e ndërtojmë dikë. Vetë Jehovai është «Ati i mëshirave të buta dhe Perëndia i çdo ngushëllimi» dhe ka ‘dhembshuri të butë’ për shërbëtorët e tij. (Lexo 2 Korintasve 1:3-6; Luka 1:78; Rom. 15:13) Pavli la një shembull të shkëlqyer në këtë drejtim. Ai shkroi: «U sollëm ëmbëlsisht me ju, ashtu si nëna mënd e përkujdeset për fëmijët e saj. Kështu, nga përzemërsia e butë për ju, ne patëm kënaqësinë t’ju jepnim jo vetëm lajmin e mirë të Perëndisë, por edhe vetë shpirtrat tanë, sepse na u bëtë të dashur.» (1 Sel. 2:7, 8) Kur shfaqim përzemërsi ashtu si Jehovai, mund të jemi përgjigjja e lutjeve të një bashkëbesimtari të dëshpëruar.
17. Cila pikëpamje e ekuilibruar për vëllezërit do të na ndihmojë t’i ndërtojmë me dashuri?
17 Mos prit përsosmëri nga vëllezërit. Mbaj një pikëpamje të ekuilibruar për vëllezërit e motrat. Të presësh që vëllezërit të kenë një sjellje të pagabueshme nuk është realiste dhe do të sjellë zhgënjim. (Ekl. 7:21, 22) Mos harro se Jehovai është realist në atë që kërkon nga shërbëtorët e vet. Nëse imitojmë shembullin e tij, do të jemi të përgatitur që të durojmë papërsosmëritë e të tjerëve. (Efes. 4:2, 32) Në vend që të lësh përshtypjen se nuk po bëjnë aq sa duhet, vër si synim t’i lavdërosh për atë që po bëjnë. Kjo mund t’u japë zemër. Lavdërimet e sinqerta mund t’i ndërtojnë me dashuri dhe mund t’i ndihmojnë të kenë ‘shkak të ngazëllohen’ në shërbimin e shenjtë. Është shumë më mirë të veprojmë kështu sesa të bëjmë krahasime shkurajuese me të tjerët.—Gal. 6:4.
18. Çfarë motivi kemi për t’i ndërtuar të tjerët me dashurinë tonë?
18 Secila nga delet e Jehovait është jashtëzakonisht e çmuar për të dhe për Jezuin, që dha jetën si flijim shpërblyes. (Gal. 2:20) Ne i duam me gjithë shpirt vëllezërit e motrat. Prandaj, duam të kujdesemi për ta me butësi e dashuri. Që të jemi burim freskimi, «le të ndjekim ato gjëra që i hapin rrugë paqes dhe që ndërtojnë». (Rom. 14:19) Sa me zjarr e presim të gjithë ne jetën në Parajsë së shpejti, kur nuk do të kemi asnjëherë arsye të shkurajohemi! Nuk do të ketë më sëmundje, luftëra, vdekje të trashëguar, përndjekje, konflikte familjare dhe zhgënjime. Kur të mbarojë Mijëvjeçari, njerëzimi do të ketë arritur përsosmërinë. Ata që kalojnë sprovën e fundit, do të birësohen pastaj si bij tokësorë të Perëndisë Jehova dhe do të kenë «lirinë e lavdishme të fëmijëve të Perëndisë». (Rom. 8:21) Vazhdofshim të gjithë të tregojmë dashurinë që ndërton dhe ta ndihmojmë njëri-tjetrin të arrijmë atë synim të gëzueshëm e shpërblyes!
b Për sugjerime praktike si të përballohen ndjenjat a mendimet vetëvrasëse, shih këta artikuj në revistën Zgjohuni!: «Jo vetëvrasjes!—Tri arsye pse ia vlen të jetosh» (prill 2014); «Kur mendon se nuk ia vlen më të jetosh» (janar 2012) dhe «Jeta ia vlen të jetohet» (22 tetor 2001, anglisht).