Kapitulli nëntë
Të besojmë te Jehovai pavarësisht nga vështirësitë
1. Pse të krishterët sot do të nxjerrin dobi nga shqyrtimi i kapitujve 7 dhe 8 të Isaisë?
KAPITUJT 7 dhe 8 të Isaisë zbulojnë dy reagime të kundërta. Isaia dhe Akazi i përkitnin të dy një kombi të dedikuar ndaj Jehovait, të dy kishin caktime të dhëna nga Perëndia, njëri si profet, tjetri si mbret i Judës dhe të dy u përballën me të njëjtin kërcënim, pushtimin e Judës nga forca armike superiore. Por Isaia e përballoi kërcënimin me besim te Jehovai, ndërsa Akazi u dorëzua përpara frikës. Pse këto reagime të ndryshme? Meqenëse të krishterët sot në mënyrë të ngjashme gjenden të rrethuar nga forca armiqësore, ata bëjnë mirë t’i shqyrtojnë këta dy kapituj të Isaisë për të zbuluar se çfarë mësimesh përmbajnë.
Përballë një vendimi
2, 3. Ç’përmbledhje bën Isaia me fjalët e tij hapëse?
2 Pikërisht ashtu si një artist e përcakton formën e një pikture të re me disa penela të trashë, Isaia e fillon tregimin e tij me disa pohime të përgjithshme që shënojnë fillimin dhe fundin e ngjarjeve që ka për të treguar: «Në ditët e Akazit, bir i Jothamit, bir i Uziahut, mbret i Judës, ndodhi që Retsini, mbret i Sirisë dhe Pekahu, bir i Remaliahut, mbret i Izraelit, u ngjitën në Jerusalem për të bërë luftë kundër tij dhe ai nuk qe në gjendje të luftonte kundër tij.»—Isaia 7:1.
3 Është shekulli i tetë para erës sonë. Akazi ka pasuar të atin, Jothamin, në rolin e mbretit të Judës. Retsini, mbreti i Sirisë dhe Pekahu, mbreti i mbretërisë veriore të Izraelit, pushtojnë Judën dhe ushtritë e tyre godasin fort. Më në fund, ata do të rrethojnë vetë Jerusalemin. Por rrethimi do të dështojë. (2 Mbretërve 16:5, 6; 2 Kronikave 28:5-8) Pse? Këtë do ta mësojmë më vonë.
4. Pse mbushet me frikë zemra e Akazit dhe e popullit të tij?
4 Në një fazë më të hershme të luftës, «në shtëpinë e Davidit u bë një raport ku thuhej: ‘Siria është mbështetur tek Efraimi.’ Dhe zemra e tij dhe zemra e popullit të tij filloi të dridhej, porsi dridhja e pemëve të pyllit për shkak të erës». (Isaia 7:2) Po, për Akazin dhe popullin e tij është frikësuese të mësojnë se sirianët dhe izraelitët kanë bashkuar forcat dhe se ushtritë e tyre në këtë moment gjenden në tokën e Efraimit (Izraelit). Ata gjenden vetëm dy a tri ditë marshimi larg Jerusalemit.
5. Në ç’mënyrë i ngjan Isaisë populli i Perëndisë sot?
5 Jehovai i thotë Isaisë: «Dil, të lutem, për të takuar Akazin, ti dhe biri yt, Shearjashubi, në fund të kanalit të pellgut të sipërm pranë rrugës kryesore të fushës së rrobalarësit.» (Isaia 7:3) Vetëm mendoni! Në një kohë kur duhej të ishte mbreti ai që duhej ta kërkonte profetin e Jehovait për t’i kërkuar udhëheqje, duhet të shkojë profeti ta kërkojë mbretin. Megjithatë, Isaia i bindet Jehovait me gatishmëri. Në mënyrë të ngjashme, sot populli i Jehovait shkon me gatishmëri për të gjetur ata që janë të frikësuar nga presionet e kësaj bote. (Mateu 24:6, 14) Sa të kënaq fakti që çdo vit qindra mijë njerëz u përgjigjen vizitave të këtyre predikuesve të lajmit të mirë dhe pranojnë mbrojtjen e Jehovait!
6. (a) Çfarë mesazhi inkurajues i transmeton profeti mbretit Akaz? (b) Cila situatë ekziston sot?
6 Isaia e gjen Akazin jashtë mureve të Jerusalemit, ku në përgatitje për rrethimin që pritet, mbreti po inspekton rezervat e ujit të qytetit. Isaia i jep atij mesazhin e Jehovait: «Ki kujdes dhe mos u shqetëso. Mos ki frikë dhe mos e lër zemrën tënde të trembet për shkak të dy bishtave të këtyre urave tymuese të zjarrit, për shkak të zemërimit të zjarrtë të Retsinit e të Sirisë dhe të birit të Remaliahut.» (Isaia 7:4) Kur më përpara sulmuesit kishin shkatërruar Judën, zemërimi i tyre kishte qenë i nxehtë si flaka. Tani, ata janë veçse ‘dy bishta urash tymuese zjarri’. Akazi nuk duhej ta kishte frikë mbretin sirian Retsin ose mbretin izraelit Pekah, birin e Remaliahut. Sot situata është e ngjashme. Për shekuj me radhë, udhëheqësit e të ashtuquajturit krishterim i kanë bërë të krishterët e vërtetë objekt të një persekutimi të egër. Por tani i ashtuquajturi krishterim i ngjan një ure zjarri që pothuajse është djegur fare. Ditët e tij janë të numëruara.
7. Pse emri i Isaisë dhe ai i birit të tij japin arsye për shpresë?
7 Në kohën e Akazit, jo vetëm mesazhi i Isaisë, por edhe domethënia që kishte emri i tij dhe emri i birit të tij u japin shpresë atyre që besojnë te Jehovai. Vërtet, Juda është në rrezik, por emri i Isaisë që do të thotë «Shpëtimi i Jehovait», tregon se Jehovai do të sigurojë çlirim. Jehovai i thotë Isaisë që të marrë me vete birin e tij, Shearjashubin, emri i të cilit do të thotë «Vetëm një mbetje do të kthehet». Edhe kur mbretëria e Judës më në fund bie, në mënyrë të mëshirshme Perëndia do të kthejë në vend një mbetje.
Më shumë sesa një luftë ndërmjet kombesh
8. Pse sulmi mbi Jerusalemin është më shumë sesa një luftë ndërmjet kombesh?
8 Nëpërmjet Isaisë, Jehovai zbulon strategjinë e armiqve të Judës. Ja se çfarë po planifikojnë ata: «Le të ngjitemi kundër Judës dhe le ta bëjmë copë-copë dhe duke hapur disa të çara ta marrim për vete; dhe le të vëmë një mbret tjetër të mbretërojë brenda saj, birin e Tabeelit.» (Isaia 7:5, 6) Aleanca siro-izraelite komploton të shtijë në dorë Judën dhe ta zëvendësojnë Akazin, birin e Davidit, me një njeri të zgjedhur prej tyre. Është e qartë që tani sulmi ndaj Jerusalemit është më shumë sesa një luftë ndërmjet kombesh. Ajo është kthyer në një luftë midis Satanait dhe Jehovait. Pse? Sepse Perëndia Jehova kishte bërë një besëlidhje me mbretin David, duke e siguruar se bijtë e tij do të sundonin mbi popullin e Jehovait. (2 Samuelit 7:11, 16) Çfarë triumfi do të ishte për Satanain nëse do të mund të vendoste ndonjë dinasti tjetër mbretërore në fronin e Jerusalemit! Ai mund të bënte, madje, që të dështonte qëllimi i Jehovait, sipas të cilit nga linja e Davidit do të dilte një trashëgimtar i përhershëm, ‘Princi i paqes’.—Isaia 9:6, 7.
Me dashuri Jehovai jep siguri
9. Cilat siguri duhet t’i japin kurajë Akazit dhe po kështu edhe të krishterëve sot?
9 A do të ketë sukses komploti i Sirisë dhe i Izraelit? Jo. Jehovai deklaron: «Nuk do të qëndrojë, as do të ndodhë.» (Isaia 7:7) Nëpërmjet Isaisë, Jehovai thotë se jo vetëm që rrethimi i Jerusalemit do të dështojë, por, gjithashtu, «brenda vetëm gjashtëdhjetë e pesë vjetëve Efraimi do të bëhet copë-copë aq sa të mos jetë më një popull». (Isaia 7:8) Po, brenda 65 vjetëve Izraeli nuk do të ekzistojë më si popull.a Kjo siguri me kohën e saj specifike, duhet t’i japë kurajë Akazit. Në të njëjtën mënyrë, populli i Perëndisë sot forcohet duke e ditur se koha që i ka mbetur botës së Satanait po mbaron.
10. (a) Si mund ta imitojnë Jehovain të krishterët e vërtetë sot? (b) Çfarë propozimi i bën Jehovai Akazit?
10 Ndoshta fytyra e Akazit shpreh mosbesim, sepse nëpërmjet Isaisë, Jehovai thotë: «Në qoftë se nuk keni besim, atëherë nuk do ta keni të gjatë.» Me durim, Jehovai «vazhdoi t’i fliste akoma Akazit». (Isaia 7:9, 10) Çfarë shembulli i shkëlqyer! Sot, ndonëse shumë njerëz nuk i përgjigjen menjëherë mesazhit të Mbretërisë, ne duhet të imitojmë Jehovain duke u ‘folur akoma’ atyre, ndërsa i vizitojmë vazhdimisht. Më pas, Jehovai i thotë Akazit: «Kërko për vete një shenjë nga Jehovai, Perëndia yt duke e bërë atë të thellë sa Sheoli ose të lartë sa rajonet e larta.» (Isaia 7:11) Akazi mund të kërkojë një shenjë dhe Jehovai do ta kryejë atë si garanci se do ta mbrojë shtëpinë e Davidit.
11. Çfarë sigurie gjendet në shprehjen e Jehovait ‘Perëndia yt’?
11 Vini re se Jehovai thotë: ‘Kërko një shenjë nga Perëndia yt.’ Jehovai është me të vërtetë i mirë. Tashmë për Akazin është raportuar se adhuron perëndi të rreme dhe ndjek praktika të neveritshme pagane. (2 Mbretërve 16:3, 4) Por pavarësisht nga kjo dhe nga qëndrimi plot frikë i Akazit, Jehovai e quan ende veten Perëndi të tij. Kjo na siguron se Jehovai nuk nxitohet t’i hedhë poshtë njerëzit. Ai është i gatshëm t’u ofrojë ndihmë atyre që gabojnë ose besimi i të cilëve është dobësuar. A do ta shtyjë Akazin kjo siguri e dashurisë së Jehovait që të pranojë ndihmën e tij?
Nga dyshimi në mosbindje
12. (a) Çfarë qëndrimi fodull shfaq Akazi? (b) Në vend që t’i drejtohet Jehovait, te cili shkon Akazi për të kërkuar ndihmë?
12 Akazi përgjigjet në mënyrë kundërshtuese: «Nuk do të kërkoj, as do ta vë Jehovain në provë.» (Isaia 7:12) Në këtë rast, nuk është puna se Akazi po respekton fjalët e ligjit: «Nuk duhet ta vësh në provë Jehovain, Perëndinë tënd.» (Ligji i përtërirë 6:16) Shekuj më vonë, Jezui citon të njëjtin ligj kur Satanai e tundon. (Mateu 4:7) Por në rastin e Akazit, Jehovai po e fton atë që të kthehet në adhurimin e pastër dhe po i ofron që t’i forcojë besimin duke kryer një shenjë. Megjithatë, Akazi preferon të kërkojë mbrojtje diku tjetër. Ndoshta është kjo koha kur mbreti dërgon në Asiri një shumë të madhe parash, duke kërkuar ndihmë kundër armiqve të tij veriorë. (2 Mbretërve 16:7, 8) Ndërkohë, ushtria siro-izraelite rrethon Jerusalemin dhe bllokada fillon.
13. Çfarë ndryshimi vëmë re në Is 7 vargun 13 dhe çfarë do të thotë kjo?
13 Duke pasur parasysh mungesën e besimit të mbretit, Isaia thotë: «Dëgjo, të lutem, o shtëpi e Davidit. A është një gjë e vogël për ju të lodhësh njerëzit, që të lodhni edhe Perëndinë tim?» (Isaia 7:13) Po, Jehovai mund të lodhet nga kundërshtimi i vazhdueshëm. Gjithashtu, vini re që profeti thotë ‘Perëndia im’, jo ‘Perëndia juaj’. Çfarë ndryshimi i kobshëm! Kur Akazi hedh poshtë Jehovain dhe i drejtohet Asirisë, ai humbet një mundësi të shkëlqyer për të rifituar marrëdhënien e tij me Perëndinë. Le të mos e sakrifikojmë kurrë marrëdhënien tonë me Perëndinë, duke bërë kompromis me bindjet tona të bazuara në Bibël, me qëllim që të marrim përfitime të përkohshme.
Shenja e Emanuelit
14. Si e tregon Jehovai besnikërinë e tij ndaj besëlidhjes së bërë me Davidin?
14 Jehovai i qëndron besnik besëlidhjes së tij me Davidin. Një shenjë u propozua dhe një shenjë do të jepet! Isaia vazhdon: «Vetë Jehovai do t’ju japë një shenjë: Ja! Vasha do të mbetet faktikisht shtatzënë e do të lindë një bir dhe me siguri do t’ia vërë emrin Emanuel. Ai do të jetë duke ngrënë gjalpë dhe mjaltë në kohën kur do të dijë të hedhë poshtë të keqen dhe të zgjedhë të mirën. Sepse para se djali të dijë të hedhë poshtë të keqen dhe të zgjedhë të mirën, toka e atyre dy mbretërve, për shkak të të cilëve ndien një tmerr të sëmurë, do të braktiset tërësisht.»—Isaia 7:14-16.
15. Cilat janë dy pyetjet që marrin përgjigje nga profecia rreth Emanuelit?
15 Ky është një lajm i mirë për të gjithë ata që kanë frikë se pushtuesit do t’i japin fund linjës mbretërore të Davidit. «Emanuel» do të thotë «Me ne është Perëndia». Perëndia është me Judën dhe nuk do të lejojë që besëlidhja e tij me Davidin të anulohet. Veç kësaj, Akazit dhe popullit të tij i thuhet jo vetëm se çfarë do të bëjë Perëndia, por edhe se kur do ta bëjë. Para se djali Emanuel të jetë aq i rritur sa të dallojë të mirën nga e keqja, kombet armike do të shkatërrohen. Dhe kjo del e vërtetë!
16. Për cilën arsye Jehovai mund ta ketë lënë të paqartë identitetin e Emanuelit në kohën e Akazit?
16 Bibla nuk e tregon se fëmija i kujt është Emanueli. Por meqë Emanueli i vogël duhet të shërbejë si një shenjë dhe më vonë Isaia pohon se ai dhe fëmijët e tij ‘janë si shenja’, Emanueli mund të jetë një nga bijtë e profetit. (Isaia 8:18) Jehovai e lë të paqartë identitetin e Emanuelit në kohën e Akazit, ndoshta për të mos i ngatërruar brezat e ardhshëm në lidhje me identitetin e Emanuelit më të Madh. Kush është ky?
17. (a) Kush është Emanueli më i Madh dhe çfarë domethënieje kishte lindja e tij? (b) Pse populli i Perëndisë sot mund të thërrasë «Me ne është Perëndia»?
17 Përveçse në librin e Isaisë, emri Emanuel shfaqet vetëm një herë në Bibël, në Mateun 1:23. Jehovai e frymëzoi Mateun që t’ia aplikonte profecinë e lindjes së Emanuelit lindjes së Jezuit, Trashëgimtarit të ligjshëm të fronit të Davidit. (Mateu 1:18-23) Lindja e Emanuelit të parë ishte një shenjë që tregonte se Perëndia nuk e kishte braktisur shtëpinë e Davidit. Në mënyrë të ngjashme, lindja e Jezuit, Emanuelit më të Madh, ishte një shenjë që tregonte se Perëndia nuk e kishte braktisur njerëzimin ose besëlidhjen e Mbretërisë që kishte bërë me shtëpinë e Davidit. (Luka 1:31-33) Duke qenë se tani mes njerëzimit ishte përfaqësuesi më i lartë i Jehovait, Mateu mund të thoshte me të drejtë: ‘Me ne është Perëndia!’ Sot, Jezui sundon si mbret qiellor dhe është me kongregacionin e tij në tokë. (Mateu 28:20) Sigurisht, populli i Perëndisë ka më tepër arsye për të thirrur me guxim: «Me ne është Perëndia!»
Pasoja të tjera të jobesnikërisë
18. (a) Pse fjalët pasuese të Isaisë u shtijnë tmerrin dëgjuesve të tij? (b) Çfarë kthese do të marrin ngjarjet së shpejti?
18 Sado ngushëlluese që janë fjalët e tij të fundit, pohimi pasues i Isaisë u shtin tmerrin dëgjuesve të tij: «Jehovai do të sjellë kundër teje, kundër popullit tënd dhe kundër shtëpisë së atit tënd ditë, të cilat nuk kanë ardhur që nga dita kur Efraimi u largua nga qëndrimi përkrah Judës, pra, mbretin e Asirisë.» (Isaia 7:17) Po, një katastrofë po afron dhe do të vijë nëpërmjet mbretit të Asirisë. Perspektiva e sundimit nga asirianët, të njohur për mizorinë e tyre, duhet të jetë shkaku i shumë netëve të pagjumë për Akazin dhe popullin e tij. Akazi ka menduar se miqësimi me Asirinë do ta çlironte nga Izraeli dhe Siria. Në fakt, mbreti i Asirisë do t’i përgjigjet lutjes së Akazit duke e sulmuar më në fund Izraelin dhe Sirinë. (2 Mbretërve 16:9) Kjo është ndoshta arsyeja përse Pekahu dhe Retsini do të detyrohen ta heqin rrethimin nga Jerusalemi. Kështu, aleanca siro-izraelite do të dalë se nuk është në gjendje ta marrë Jerusalemin. (Isaia 7:1) Por tani, Isaia i thotë auditorit të tij të tronditur se Asiria, nga e cila pritnin mbrojtje, do të bëhet shtypësja e tyre.—Krahaso Proverbat 29:25.
19. Çfarë paralajmërimi përmban për të krishterët sot kjo dramë historike?
19 Për të krishterët sot, ky tregim i vërtetë historik përmban një paralajmërim. Kur gjendemi nën presion, mund të tundohemi të bëjmë kompromis me parimet e krishtere, duke refuzuar kështu mbrojtjen e Jehovait. Kjo është dritëshkurtër e madje vetëvrasëse, siç bëhet e dukshme nga fjalët e mëtejshme të Isaisë. Profeti vazhdon duke përshkruar atë që pushtimi Asirian do t’i shkaktojë vendit dhe popullit të tij.
20. Çfarë përfaqësojnë ‘mizat’ dhe ‘bletët’ dhe çfarë do të bëjnë ato?
20 Isaia i ndan shpalljet e tij në katër pjesë, ku secila parathotë se çfarë do të ndodhë në «atë ditë», pra, në ditën kur Asiria do të sulmojë Judën. «Në atë ditë duhet të ndodhë që Jehovai do t’u fishkëllejë mizave që janë në skajet e kanaleve të Nilit të Egjiptit dhe bletëve që janë në vendin e Asirisë dhe me siguri ato do të vijnë dhe do të vendosen të gjitha në luginat lumore të rrëpirëta, në të çarat e shkrepave, mbi të gjitha ferrat dhe mbi të gjitha vendet për të pirë ujë.» (Isaia 7:18, 19) Ushtritë e Egjiptit dhe të Asirisë, si mori mizash dhe bletësh, do ta drejtojnë vëmendjen e tyre ndaj Tokës së Premtuar. Ky nuk do të jetë një pushtim kalimtar. ‘Mizat’ dhe ‘bletët’ do të vendosen, duke u përhapur në çdo qoshe e skutë të vendit.
21. Në ç’mënyrë do të jetë si një brisk mbreti i Asirisë?
21 Isaia vazhdon: «Në atë ditë, me anë të një brisku të marrë me qira në rajonin e Lumit, po, me anë të mbretit të Asirisë, Jehovai do të rruajë kokën dhe qimet e këmbëve dhe brisku do të zhdukë madje edhe vetë mjekrën.» (Isaia 7:20) Tani përmendet vetëm Asiria, kërcënimi kryesor. Akazi, si të thuash, e merr me qira mbretin asirian për të ‘rruajtur’ Sirinë dhe Izraelin. Por ky «brisk i marrë me qira» nga rajoni i Eufratit do të kthehet kundër ‘kokës’ së Judës dhe do ta rruajë atë plotësisht, duke i hequr madje edhe mjekrën.
22. Çfarë shembujsh përdor Isaia për të përshkruar pasojat e pushtimit të afërt asirian?
22 Cili do të jetë rezultati? «Dhe në atë ditë duhet të ndodhë që një njeri do të ruajë të gjallë një lopë të re të kopesë dhe dy dele. Dhe duhet të ndodhë që për shkak të prodhimit të bollshëm të qumështit, ai do të hajë gjalpë, sepse gjithkush që është lënë të qëndrojë në mes të vendit do të hajë gjalpë dhe mjaltë.» (Isaia 7:21, 22) Kur asirianët të kenë ‘rruajtur’ vendin, do të kenë mbetur aq pak njerëz, saqë për ushqim do të nevojitet vetëm një numër i vogël kafshësh. Do të hahet «gjalpë dhe mjaltë» dhe asgjë tjetër, as verë, as bukë e as ndonjë ushqim tjetër bazë. Si për të theksuar shkallën e shkretimit, Isaia thotë tri herë se aty ku toka ishte fitimprurëse dhe e frytshme, tani do të ketë ferra dhe barëra të këqija. Ata që marrin guximin të shkojnë në fshat do të kenë nevojë për ‘shigjeta dhe hark’ për t’u mbrojtur nga kafshët e egra që zënë prita nëpër shkurret e dendura. Fushat e pastruara do të bëhen sheshe të shkelura për qetë dhe delet. (Isaia 7:23-25) Kjo profeci fillon të përmbushet që në ditët e Akazit.—2 Kronikave 28:20.
Parathënie të sakta
23. Çfarë urdhërohet të bëjë tani Isaia? (b) Si vërtetohet shenja e pllakës?
23 Tani Isaia i kthehet situatës aktuale. Ndërkohë që Jerusalemi është ende në rrethim nga aleanca siro-izraelite, Isaia raporton: «Jehovai më tha: “Merr një pllakë të madhe dhe shkruaj mbi të me anë të kunjit shkrues të një njeriu të vdekshëm, ‘Maher-Shalal-Hash-Baz’. Dhe më lër të siguroj për veten time dëshmi nga dëshmitarë të besueshëm, nga prifti Uriah dhe nga Zakaria, biri i Jeberekisë.”» (Isaia 8:1, 2) Emri Maher-Shalal-Hash-Baz do të thotë «Nxito o plaçkë! Ai ka ardhur me të shpejtë për të plaçkitur». Isaia u kërkon dy njerëzve të respektuar në popull që të bëhen dëshmitarë të shkrimit të këtij emri nga ana e tij, në një pllakë të madhe, në mënyrë që më vonë të vërtetojnë besueshmërinë e dokumentit. Megjithatë, kjo shenjë do të vërtetohet nga një shenjë e dytë.
24. Çfarë ndikimi duhet të ketë mbi popullin e Judës shenja e Maher-Shalal-Hash-Bazit?
24 Isaia thotë: «Pastaj iu afrova profeteshës dhe ajo mbeti shtatzënë dhe më së fundi lindi një djalë. Atëherë Jehovai më tha: ‘Vërja emrin Maher-Shalal-Hash-Baz, sepse para se djali të dijë të thërrasë, ‘Babai im’ dhe ‘Nëna ime’, pasuritë e Damaskut dhe plaçka e Samarisë do të çohen para Mbretit të Asirisë.’» (Isaia 8:3, 4) Si pllaka e madhe, ashtu edhe djali i sapolindur do të shërbejnë si shenja që tregojnë se së shpejti Asiria do t’i plaçkitë kundërshtarët e Judës, Sirinë dhe Izraelin. Po kur? Para se djali të jetë në gjendje të thotë fjalët e para që mësojnë shumica e foshnjave: ‘baba’ dhe ‘nënë’. Një parathënie kaq e saktë duhet të ndërtojë besimin e popullit te Jehovai, por edhe mund t’i shtyjë disa që ta vënë në lojë Isainë dhe bijtë e tij. Sido që të jetë, fjalët profetike të Isaisë dalin të vërteta.—2 Mbretërve 17:1-6.
25. Çfarë ngjashmërish ekzistojnë midis kohës së Isaisë dhe kohës sonë?
25 Të krishterët mund të mësojnë nga paralajmërimet e vazhdueshme të Isaisë. Apostulli Pavël na tregoi se në këtë dramë historike, Isaia portretizonte Jezuin, ndërsa bijtë e Isaisë përfaqësonin dishepujt e mirosur të Jezuit. (Hebrenjve 2:10-13) Jezui, nëpërmjet ithtarëve të tij të mirosur në tokë, ka vazhduar t’u kujtojë të krishterëve të vërtetë nevojën për të ‘ndenjur zgjuar’ në këto kohë kritike. (Luka 21:34-36) Në të njëjtën kohë, kundërshtarët e papenduar janë paralajmëruar në lidhje me shkatërrimin e tyre të afërt, ndonëse këto paralajmërime shpesh kanë hasur talljet e tyre. (2 Pjetrit 3:3, 4) Përmbushja e profecive që lidhen me një kohë të caktuar, në ditët e Isaisë, është një garanci se orari që Perëndia ka vendosur për ditët tona «do të dalë patjetër i vërtetë. Ai nuk do të vonojë».—Habakuku 2:3.
«Ujëra» që shkretojnë
26, 27. (a) Cilat ngjarje parathotë Isaia? (b) Çfarë tregojnë fjalët e Isaisë për shërbëtorët e Perëndisë sot?
26 Isaia vazhdon paralajmërimet e tij: «Për arsye se ky popull ka refuzuar ujërat e Shiloahut që rrjedhin ëmbël dhe ka ngazëllim për Retsinin dhe për birin e Remaliahut, po, për këtë arsye, ja, Jehovai po bën të ngjiten kundër tyre ujërat e fuqishëm dhe të shumtë të Lumit, mbretin e Asirisë dhe gjithë lavdinë e tij. Dhe ai me siguri do të dalë nga të tërë shtretërit e tij dhe do të vërshojë nga të gjitha brigjet e tij dhe do të kalojë përmes Judës. Në të vërtetë ai do të përmbytë dhe do të kalojë sipër. Do të arrijë deri në qafë. Dhe duhet të ndodhë që shtrirja e krahëve të tij të mbushë gjerësinë e vendit tënd, o Emanuel.»—Isaia 8:5-8.
27 «Ky popull», mbretëria veriore e Izraelit, e hedh poshtë besëlidhjen e Jehovait me Davidin. (2 Mbretërve 17:16-18) Ajo u duket atyre e dobët si rrjedha e vogël e ujit të Shiloahut që furnizon Jerusalemin. Ata ngazëllohen për luftën që po bëjnë kundër Judës. Por kjo përbuzje nuk do të kalojë pa u ndëshkuar. Jehovai do t’i lejojë asirianët që të ‘vërshojnë’, ose të dynden, mbi Sirinë dhe Izraelin, ashtu siç do ta lejojë së shpejti pjesën aktuale politike të botës që të vërshojë mbi mbretërinë e fesë së rreme. (Zbulesa 17:16; krahaso Danielin 9:26.) Isaia thotë se më pas «ujërat» e fryra do të ‘kalojnë përmes Judës’ dhe do të arrijnë «deri në qafë», deri në Jerusalem, ku sundon koka e Judës (mbreti).b Në kohën tonë ekzekutuesit politikë të fesë së rreme, në mënyrë të ngjashme do t’u afrohen shërbëtorëve të Jehovait dhe do t’i rrethojnë «deri në qafë». (Ezekieli 38:2, 10-16) Cili do të jetë rezultati? Çfarë ndodh në kohën e Isaisë? A dynden asirianët mbi muret e qytetit dhe a e shkatërrojnë popullin e Perëndisë? Jo. Perëndia është me ta.
Mos kini frikë: «Perëndia është me ne!»
28. Pavarësisht nga përpjekjet e mëdha të armiqve të saj, për çfarë e siguron Jehovai Judën?
28 Isaia paralajmëron: «Jini dëmprurës, o popuj [që kundërshtoni popullin që ka bërë një besëlidhje me Perëndinë] dhe bëhuni copë-copë; dhe mbani vesh, të gjithë ju që jeni në pjesët e largëta të tokës! Ngjishuni dhe bëhuni copë-copë! Ngjishuni dhe bëhuni copë-copë! Bëni një projekt, por do të thyhet. Thoni çfarëdo fjale, por nuk do të realizohet, sepse Perëndia është me ne.» (Isaia 8:9, 10) Disa vjet më vonë, gjatë mbretërimit të birit besnik të Akazit, Hezekisë, këto fjalë dalin të vërteta. Kur asirianët kërcënojnë Jerusalemin, engjëlli i Jehovait godet 185 000 prej tyre. Është e qartë që Perëndia është me popullin e tij dhe me linjën mbretërore të Davidit. (Isaia 37:33-37) Gjatë betejës së ardhshme të Harmagedonit, në mënyrë të ngjashme Jehovai do të dërgojë Emanuelin më të Madh jo vetëm për të bërë copë-copë armiqtë e tij, por edhe për të shpëtuar ata që besojnë tek Ai.—Psalmi 2:2, 9, 12.
29. (a) Si ndryshojnë judenjtë e kohës së Akazit nga ata të kohës së Hezekisë? (b) Pse shërbëtorët e Jehovait sot nuk bëjnë aleanca fetare ose politike?
29 Ndryshe nga judenjtë e kohës së Hezekisë, bashkëkohësve të Akazit u mungon besimi në mbrojtjen e Jehovait. Ata përkrahin një aleancë ose një «komplot», me asirianët gjë që e konsiderojnë si një mbrojtje kundër lidhjes siro-izraelite. Por ‘dora’ e Jehovait e shtyn Isainë të flasë kundër ‘rrugës së këtij populli’ ose kundër prirjes së përgjithshme. Ai paralajmëron: «Nuk duhet t’i frikësoheni objektit të frikës së tyre, as të dridheni nga ai. Jehovai i ushtrive, Ai është personi që duhet të trajtoni si të shenjtë dhe ai duhet të jetë objekti i druajtjes suaj dhe Ai duhet të jetë personi që ju bën të dridheni.» (Isaia 8:11-13) Duke mbajtur parasysh këtë gjë, shërbëtorët e Perëndisë sot ruhen të mos komplotojnë me këshillat fetarë dhe me lidhjet politike ose të mos e vendosin besimin në to. Shërbëtorët e Jehovait kanë besim të plotë te fuqia mbrojtëse e Perëndisë. Në fund të fundit, nëse ‘Jehovai është në anën tonë, çfarë mund të na bëjë njeriu tokësor’?—Psalmi 118:6.
30. Cili do të jetë fundi i atyre që nuk besojnë te Jehovai?
30 Isaia vazhdon të përsëritë se Jehovai do të provojë që është «një vend i shenjtë», një mbrojtje për ata që besojnë tek Ai. Në kontrast me këtë, ata që e shpërfillin Jehovain «me siguri do të pengohen dhe do të bien e do të thyhen, dhe do të zihen në lak e do të kapen»—pesë folje të gjalla këto që nuk lënë asnjë dyshim rreth fundit të atyre që nuk besojnë te Jehovai. (Isaia 8:14, 15) Në shekullin e parë, në mënyrë të ngjashme, ata që e hodhën poshtë Jezuin u penguan dhe ranë. (Luka 20:17, 18) Një fund i ngjashëm i pret ata që sot nuk e përkrahin Mbretin qiellor të hipur në fron, Jezuin.—Psalmi 2:5-9.
31. Si mund ta ndjekin të krishterët e vërtetë sot shembullin e Isaisë dhe të atyre që i dëgjuan mësimet e tij?
31 Në ditët e Isaisë jo të gjithë pengohen. Isaia thotë: «Mbështille dëshminë, vër një vulë përreth ligjit midis dishepujve të mi! Dhe unë do të rri në pritje të Jehovait, i cili po e fsheh fytyrën e tij prej shtëpisë së Jakobit e do të shpresoj tek ai.» (Isaia 8:16, 17) Isaia dhe ata që i vënë veshin mësimit të tij nuk do ta braktisin Ligjin e Perëndisë. Ata vazhdojnë të besojnë te Jehovai, megjithëse bashkëkombësit e tyre keqbërës nuk pranojnë ta bëjnë një gjë të tillë dhe për këtë arsye Jehovai e fsheh fytyrën e tij prej tyre. Le të ndjekim shembullin e atyre që besojnë te Jehovai dhe le të kemi të njëjtën vendosmëri për të qëndruar të lidhur fort me adhurimin e pastër!—Danieli 12:4, 9; Mateu 24:45; krahaso Hebrenjve 6:11, 12.
«Shenja» dhe «mrekulli»
32. (a) Cilët shërbejnë sot «si shenja dhe si mrekulli»? (b) Pse të krishterët duhet të dallohen nga bota?
32 Tani Isaia shpall: «Ja! Unë dhe fëmijët që më ka dhënë Jehovai jemi si shenja dhe si mrekulli në Izrael nga ana e Jehovait të ushtrive, i cili po banon në malin Sion.» (Isaia 8:18) Po, Isaia, Shearjashubi dhe Maher-Shalal-Hash-Bazi janë shenja të qëllimeve të Jehovait për Judën. Sot, Jezui dhe vëllezërit e tij të mirosur shërbejnë në mënyrë të ngjashme si shenja. (Hebrenjve 2:11-13) Në veprën që bëjnë me ta është bashkuar «një shumicë e madhe» ‘delesh të tjera’. (Zbulesa 7:9, 14; Gjoni 10:16) Natyrisht, një shenjë ka vlerë vetëm nëse dallohet nga gjërat që e rrethojnë. Në mënyrë të ngjashme, të krishterët e përmbushin caktimin e tyre si shenja vetëm nëse dallohen si të ndryshëm nga kjo botë, duke vendosur besim të plotë te Jehovai dhe duke shpallur me guxim qëllimet e tij.
33. (a) Çfarë janë të vendosur të bëjnë të krishterët e vërtetë? (b) Pse do të mund të qëndrojnë të palëkundur të krishterët e vërtetë?
33 Prandaj, le t’u përmbahemi standardeve të Perëndisë dhe jo atyre të kësaj bote! Le të vazhdojmë të dallohemi pa frikë si shenja, duke çuar përpara caktimin e dhënë nga Isaia më i Madh, Jezu Krishti: «Shpallni vitin e hirit . . . dhe ditën e hakmarrjes të Perëndisë tonë!» (Isaia 61:1, 2; Luka 4:17-21) Në të vërtetë, kur «përmbytja asiriane» të vërshojë mbi tokë, edhe nëse arrin deri në qafën tonë, të krishterët e vërtet nuk do të shkatërrohen. Ne do të qëndrojmë të patundur sepse «Perëndia është me ne».
[Shënimet]
a Për hollësi të mëtejshme rreth përmbushjes së kësaj profecie, shih Mendjehollësi mbi Shkrimet (anglisht), Vëllimi 1, faqet 62 dhe 758 botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
b Asiria krahasohet edhe me një zog krahët e shtrira të të cilit ‘mbushin gjerësinë e vendit tënd’. Kështu, pavarësisht se deri ku shtrihet vendi, ai do të mbulohet nga ushtria asiriane.
[Figura në faqen 103]
Isaia mori me vete Shearjashubin kur i transmetoi Akazit mesazhin e Jehovait
[Figura në faqen 111]
Pse shkroi Isaia «Maher-Shalal-Hash-Baz» mbi një pllakë të madhe?