ONI
Emri i një personi dhe i një vendi.
1. [Fuqi riprodhuese; energji dinamike.] Bir i Pelethit dhe një nga të parët e fisit të Rubenit. (Nu 16:1) Ishte ndër ata që u ngritën kundër Moisiut dhe Aaronit, mirëpo emri i tij nuk renditet mes emrave të rebelëve që folën më vonë me Moisiun. (Nu 16:2, 3, 12-14, 23-35) Kjo mund të ketë dy arsye: ose ka luajtur një rol dytësor në këtë rebelim, ose mund të jetë tërhequr që në fillim, pasi Moisiu i qortoi komplotuesit.
2. Qytet i lashtë dhe me emër në Egjipt, pak më në verilindje të Kajros, në bregun lindor të Nilit dhe afër vendit ku ujërat e lumit nisin të ndahen e të formojnë zonën e deltës. Në dokumentet egjiptiane, emri i qytetit shkruhet Junu, kurse në dokumentet asiro-babilonase përmendet si Ana ose Unu. Emri egjiptian mendohet se do të thotë «qytet i shtyllës», ndoshta për shkak të obeliskëve (kolona të larta, që vijnë duke u ngushtuar, me majën në formë piramide), për të cilët qyteti ishte i famshëm. Megjithatë, emri mund të ketë lidhje edhe me gurin e shenjtë (të quajtur benben) që përdorej në adhurimin e perëndisë-diell Ra (Re). Grekët e quanin Heliopoli, që do të thotë «qytet i diellit», ngaqë ishte qendra kryesore e adhurimit të diellit nga egjiptianët.
Oni përmendet për herë të parë në Bibël si qyteti i priftit Potifera, vajza e të cilit, Asenata, iu dha për grua Jozefit. (Zn 41:45, 50) Vetë emri Potifera përmban në vetvete emrin e perëndisë-diell, Ra.
Me kalimin e kohës, priftërinjtë e Onit u pasuruan së tepërmi, aq sa rivalizonin ata të Memfisit, dhe në këtë drejtim ua kalonin vetëm priftërinjtë e Tebës (No-Amonit biblik). Nga tempulli kushtuar diellit varej një shkollë ku formoheshin priftërinj dhe ku jepeshin mësime për mjekësi. Atje shkonin filozofë e studiues grekë për të mësuar teologjinë priftërore dhe Oni u bë i njohur si qendër e mençurisë egjiptiane.
Profeti Jeremia paratha nën frymëzim se mbreti Nabukodonosor do ta pushtonte Egjiptin dhe ‘do t’i copëtonte shtyllat e Beth-Shemeshit, që ndodhej në Egjipt’. (Jr 43:10-13) Beth-Shemeshi përkon disi me emrin grek Heliopoli dhe do të thotë «shtëpi e diellit». Pra, ka të ngjarë që, në këtë rast, të bëhet fjalë për qytetin e Onit, kurse «shtyllat» që do të copëtoheshin, mund të jenë obeliskët e shumtë përreth tempullit të diellit.
Profecia e Ezekielit përmban një paralajmërim të ngjashëm. (Ezk 30:10, 17) Shenjat zanore të emrit në këtë varg ndryshojnë nga ato të Zanafillës, kështu që fjalë për fjalë emri është në formën Aven (heb., ʼáven). Disa studiues mendojnë se kjo është një lojë fjalësh, meqë Aven do të thotë «dëm; diçka e dëmshme» dhe Oni ishte qendra e idhujtarisë.
Kjo mund të jetë e vërtetë edhe për shkrimin e Isaisë 19:18, ku teksti masoretik thotë se një nga ‘pesë qytetet [në Egjipt] që do të flasin gjuhën e Kanaanit dhe që do të betohen para Jehovait’, do të quhej «Qyteti i Rrëzimit [heb., ʽIr ha-Héres]». Rrotulla e Detit të Vdekur e Isaisë përmban emrin ʽIr ha-Ħéres, që do të thotë «qytet i diellit», duke nënkuptuar kështu Onin (Heliopolin). Përsëri këtu mund të kemi një lojë fjalësh të qëllimshme, ku Héres (rrëzim) është zëvendësuar me Ħéres (një tjetër fjalë hebraike për «diell», por më pak e zakonshme se shémesh), për shkak se Jehovai kishte si qëllim të shkatërronte qytetin idhujtar të Onit. Targumet aramaike e parafrazojnë kështu këtë pjesë të vargut: «(Qyteti i) Shtëpisë së Diellit, që do të shkatërrohet.»
Përveç shkatërrimit të parathënë nga pushtimi i Nabukodonosorit, me sa duket Oni (Heliopoli) pësoi edhe një goditje tjetër kur Egjipti u pushtua nga Kambisi II (sipas Strabonit, gjeograf grek që jetoi aty nga fillimi i erës sonë). (Gjeografia, 17, I, 27) Në kohën e Strabonit, Heliopoli e kishte humbur pozitën e tij të rëndësishme dhe ishte pjesërisht i shkretuar. Sot, fshati Al Mataria zë një pjesë të qytetit të lashtë, kurse gjithçka që ka mbetur nga shkëlqimi i dikurshëm është një obelisk i vetëm prej graniti të kuq, që daton nga koha e mbretërimit të Sesostrisit I. Obeliskë të tjerë nga Heliopoli gjenden tani në Nju-Jork, Londër dhe Romë.